Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 16 Janar 2019:

 

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.24, DATË 14.1.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE MËNYRËS SË FUNKSIONIMIT E ORGANIZIMIT TË AGJENCISË KOMBËTARE TË BARNAVE DHE PAJISJEVE MJEKËSORE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.89/2014, “Për pajisjet mjekësore”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në skemën 2, bashkëlidhur vendimit nr.24, datë 14.1.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Titulli i ndarjes V “Sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit” ndryshohet dhe bëhet “Sektori i informacionit dhe komunikimit”.
2. Përmbajtja e ndarjes V ndryshohet, si më poshtë vijon:
“V. Sektori i informacionit dhe komunikimit
Shef sektori 1;
Farmacist/Mjek 4.”.
3. Numri i përgjithshëm, nga 100 bëhet 99.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.28, DATË 17.1.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EMËRIMIN E ANËTARËVE TË BORDIT TË MENAXHIMIT TË AUTORITETIT RRUGOR SHQIPTAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.10164, datë 15.10.2009, “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në shkronjën “d”, të pikës 1, të vendimit nr.28, datë 17.1.2018 të Këshillit të Ministrave, “Z. Kujtim Hashorva, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë”, zëvendësohet me “Z. Hazbi Parllaku, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.594, DATË 9.10.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EMËRIMIN E KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË FONDIT SHQIPTAR PËR ZHVILLIMIN E DIASPORËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.32/2018, “Për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në pikën 1, të vendimit nr.594, datë 9.10.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhet ndryshimi, si më poshtë vijon:
“Z. Hajrulla Çeku, përfaqësues nga ministria përgjegjëse për turizmin, zëvendësohet me znj. Ornela Çuçi, përfaqësues nga ministria përgjegjëse për turizmin.”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1086, DATË 14.12.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E TASK-FORCËS PËR PËRMIRËSIMIN E NIVELIT TË ARKËTIMEVE DHE ULJEN E NIVELIT TË HUMBJEVE NË SISTEMIN E SHPËRNDARJES SË ENERGJISË ELEKTRIKE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Paragrafi i fundit i pikës 3 dhe pika 5/1, e vendimit nr.1086, datë 14.12.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shfuqizohen.
2. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., (OSHEE) të pasqyrojë ndryshimet përkatëse në strukturën e brendshme, duke përcaktuar ngritjen dhe funksionimin e një njësie operacionale speciale, në mbështetje të Task-Forcës, për evidentimin dhe ndërprerjen e lidhjeve e të ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetin e shpërndarjes dhe në sistemin e matjes së energjisë elektrike, si pjesë e strukturës së OSHEE, sh.a.-së.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe OSHEE, sh.a.-ja, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, TË PASURISË ME NR.1/56, ZONA KADASTRALE 8150, TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 14, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të pasurisë me nr.1/56, (trualli dhe ndërtesa), zona kadastrale 8150, me adresë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë, për t’u përdorur për mjedise pune për nevojat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
2. Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë apo t’ua japë në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E SHOQËRIVE TË TJERA SHTETËRORE OSE PRIVATE, TË RËNDËSISHME PËR INTERESIN E PUBLIKUT, PËR SHKAK TË NATYRËS SË BIZNESIT, MADHËSISË OSE NUMRIT TË PUNËMARRËSVE TË TYRE

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “ç”, të nenit 2, të pikës 23, të ligjit nr.10091, datë 5.3.2009, “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

I. Të përgjithshme
Shoqëritë shtetërore ose private, të cilat janë të rëndësishme për interesin e publikut, për shkak të natyrës së biznesit, madhësisë ose numrit të punëmarrësve të tyre, konsiderohen njësi me interes publik në rastet kur, njëkohësisht, plotësohen kriteret e njërës prej pikave të këtij vendimi, si dhe kushtet e detyrimit të auditimit ligjor të pasqyrave financiare vjetore, të përcaktuara në nenin 41, të ligjit nr.10091, datë 5.3.2009, “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar”, të ndryshuar.

II. Klasifikimi për shkak të natyrës së biznesit
Shoqëritë shtetërore ose private, të cilat janë të rëndësishme për interesin e publikut, për shkak të natyrës së biznesit, klasifikohen, si më poshtë:
a) Shoqëri ku shteti ka pjesëmarrje në kapital;
b) Shoqëri që kanë më shumë se 50% të të ardhurave nga fondet publike;
c) Shoqëri që operojnë si degë, shoqëria mëmë e të cilave është e listuar në bursë;
ç) Shoqëri të cilat ofrojnë një të mirë publike në aktivitetin e tyre tregtar dhe janë subjekt i rregullatorëve të fushës përkatëse.

III. Klasifikimi për shkak të madhësisë së biznesit
Shoqëritë shtetërore ose private, të cilat janë të rëndësishme për interesin e publikut, të përcaktuara si njësi ekonomike të mëdha, sipas legjislacionit në fuqi për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare, klasifikohen, si më poshtë vijon:
a) Shoqëri që vlerën e totalit të të ardhurave nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi) në atë periudhë kontabël e kanë të barabartë ose më të madhe se 1 500 000 000 (një miliard e pesëqind milionë) lekë;
b) Shoqëri që vlerën e totalit të aktiveve të bilancit në mbyllje të periudhës kontabël e kanë të barabartë ose më të madhe se 750 000 000 (shtatëqind e pesëdhjetë milionë) lekë;
c) Kur në datën e raportimit një shoqëri i tejkalon ose bie nën kufirin e kritereve të parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike, cenohet klasifikimi, vetëm nëse kjo ndodh për dy periudha raportuese radhazi.

IV. Klasifikimi për shkak të numrit të punëmarrësve të tyre
Shoqëritë shtetërore ose private, të cilat janë të rëndësishme për interesin e publikut, për shkak të numrit të punëmarrësve të tyre, klasifikohen, si më poshtë vijon:
a) Shoqëri që, në fund të periudhës kontabël, kanë më shumë se 250 (dyqind e pesëdhjetë) punonjës;
b) Shoqëri që, për gjithë periudhën kontabël, kanë një numër mesatar punonjësish prej më shumë se 250 (dyqind e pesëdhjetë).

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË, TË NJËSISË ADMINISTRATIVE TIRANË, TË DISA PRONAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, 5, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të njësisë administrative Tiranë, të pronave me numra rendorë 1-5, 8, 9 dhe 11-16, me vendndodhje në zonat kadastrale 8330, 8320, 8190, 8350, sipas lidhjes 1 dhe formularëve bashkëlidhur këtij vendimi, për t’u përdorur në fushën e arsimit dhe të infrastrukturës.
2. Pronat e përcaktuara në pikën 1 i shtohen listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, miratuar me vendimin nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (Pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”.
3. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Bashkia Tiranë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E QENDRËS KOMBËTARE TË LIBRIT DHE LEXIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (në vazhdim QKLL).
2. QKLL-ja krijohet dhe funksionon si person juridik publik, buxhetor, me statusin e institucionit qendror, në varësi të ministrit përgjegjës për librin, me seli në Tiranë.
3. Qëllimi i QKLL-së është përmbushja e detyrave zhvillimore dhe shërbimeve të drejtpërdrejta në fushën e librit, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
4. Misioni i QKLL-së është ndjekja dhe zbatimi i projekteve në fushën e librit, sipas programit qeverisës të ministrisë përgjegjëse për librin, duke synuar përhapjen e kulturës së leximit në të gjithë vendin, nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit promovues dhe edukativ të bibliotekave dhe mbështetjen e projekteve për promovimin e letrave shqipe në tregun evropian dhe atë botëror.
5. Të ardhurat e QKLL-së përbëhen nga:
a) buxheti i shtetit;
b) të ardhura të tjera, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË QKLL-SË
1. QKLL-ja kryen çdo funksion që lidhet me mbështetjen, nxitjen dhe promovimin e krijimtarisë letrare e të përkthimit, si dhe kontribuon në zhvillimin e politikave në fushën e librit, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
2. QKLL-ja siguron kushtet për rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e librit e të leximit në zhvillimin e individit dhe të shoqërisë, brenda dhe jashtë vendit.
3. QKLL-ja realizon funksionet e parashikuara në interes të publikut, me qëllim krijimin e kushteve për zhvillimin e fushës së librit dhe marrjen e vendimeve profesionale, cilësore e të pavarura në përzgjedhjen e programeve dhe projekteve të financuara nga buxheti i shtetit.
4. Qëllimi i funksionimit të QKLL-së, sipas përcaktimeve të mësipërme, nuk përfshin tekstet shkollore.

III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I QKLL-SË
1. QKLL-ja kryen detyrat, si më poshtë vijon:
a) Harton programet dhe financon projektet në fushën e librit;
b) Mbështet botimet e librave dhe të revistave në fushën e letërsisë e të shkencave shoqërore edhe në format të aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuara;
c) Krijon kushtet nxitëse për krijuesit në fushën e letërsisë, duke siguruar mbështetje financiare dhe organizon konkurse për dhënien e çmimeve kombëtare letrare;
ç) Nxit e promovon librin dhe autorët e përkthyesit shqiptarë brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;
d) Realizon dhe promovon, në forma të ndryshme,:
i. bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e librit;
ii. përkthime të veprave të autorëve shqiptarë në gjuhë të huaja;
iii. prezantime të letërsisë shqipe në nivel ndërkombëtar.
dh) Krijon kushtet për zhvillimin e kulturës së leximit në të gjitha grupmoshat, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;
e) Promovon zhvillimin e rrjetit libror në të gjithë territorin e vendit dhe krijon kushtet për një qasje të shtuar drejt politikave të librit, për lexuesit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën;
ë) Bashkëpunon me institucione ndërkombëtare, që veprojnë në fushën e librit;
f) Monitoron dhe mbikëqyr zbatimin e programeve e të projekteve që mbështet;
g) Bashkëpunon me organet shtetërore për zbatimin e politikave publike dhe akteve të tjera rregulluese në fushën e librit si dhe me organizata që kanë në fokus zhvillimin dhe përhapjen e kulturës së librit;
gj) Siguron fonde të jashtme dhe burime të tjera të financimit në fushën e librit, sipas legjislacionit në fuqi;
h) Nxjerr akte administrative dhe realizon detyra të tjera, me natyrë trajnuese e promovuese, në përputhje me qëllimin e QKLL-së;
i) I propozon ministrisë përgjegjëse për librin ndryshime në legjislacionin në fuqi në fushën e librit.
2. QKLL-ja, nëpërmjet buxhetit të saj të miratuar për çdo vit kalendarik, financon projekte të paraqitura nga persona fizikë ose juridikë, që kanë si objekt të veprimtarisë së tyre fushën e librit.
3. Financimi i projekteve dhe organizimi i veprimtarive të QKLL-së, sipas rastit, realizohet në përputhje me shkronjat “a” ose “b”, të pikës 1, të nenit 26, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar.
4. Realizimi i projekteve të QKLL-së miratohet me urdhër të titullarit, pas propozimit nga kolegjiumi i QKLL-së.
5. Kolegjiumi është një organizëm kolegjial pranë QKLL-së.
6. Kolegjiumi, i ngritur sipas përcaktimeve të këtij kreu, vlerëson dhe përzgjedh projektet nga pikëpamja e përmbajtjes dhe asaj financiare, duke i paraqitur titullarit propozimet për miratim.
7. Kolegjiumi ka në përbërje jo më pak se 3 anëtarë, të përzgjedhur nga personalitete në fushën e letrave. Anëtarët e kolegjiumit përcaktohen me urdhër të titullarit të QKLL-së.
8. Kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të kolegjiumit përcaktohen në statutin e QKLL-së.
9. Kompetencat dhe mënyra e funksionimit të kolegjiumit të QKLL-së miratohen nga titullari i institucionit.
10. Kriteret dhe procedurat në lidhje me projektpropozimet për mbështetje financiare, të parashikuara sipas këtij kreu, përcaktohen me urdhër të titullarit të QKLL-së.
11. Struktura dhe organika e QKLL-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përgjegjës për librin, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
12. Marrëdhënia e punës së punonjësve të QKLL-së rregullohet sipas dispozitave të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
13. QKLL-ja drejtohet dhe përfaqësohet nga titullari, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e qendrës dhe përgjigjet para ministrit përgjegjës për librin. Ai emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të ministrit përgjegjës për librin.
14. Procedura e ndjekur për emërimin, lirimin ose shkarkimin e titullarit të QKLL-së bëhet sipas vendimit nr.173, datë 7.3.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose të ministrit”.
15. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe për sjelljen e personelit të QKLL-së miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për librin, me propozimin e titullarit të QKLL-së.
16. Stema e QKLL-së përbëhet nga stema e Republikës dhe shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit”, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
17. Vula e QKLL-së prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Trajtimi financiar dhe mbështetja logjistike e QKLL-së realizohen nga Ministria e Kulturës.
2. Ngarkohet ministri i Kulturës që, brenda 15 ditëve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, t’i propozojë Kryeministrit strukturën dhe organikën e QKLL-së.
3. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR RIKUALIFIKIMIN URBAN DHE ZHVILLIMIN E BLLOKUT NR.2, QENDRA E QYTETIT ROSKOVEC”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Për rikualifikimin urban dhe zhvillimin e bllokut nr.2, qendra e qytetit Roskovec”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Roskovec.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 24 435 412 (njëzet e katër milionë e katërqind e tridhjetë e pesë mijë e katërqind e dymbëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë 24 435 412 (njëzet e katër milionë e katërqind e tridhjetë e pesë mijë e katërqind e dymbëdhjetë) lekë, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Roskovec.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Roskovec, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit, përfaqësuar nga Bashkia Roskovec.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia Roskovec, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.