Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 16 Janar 2025:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E VENDIMIT NR.1/2024 TË KOMITETIT TË PËRBASHKËT TË KONVENTËS RAJONALE PËR RREGULLAT PREFERENCIALE TË ORIGJINËS PAN-EURO-MEDITERIANE TË 12 DHJETORIT 2024, PËR NDRYSHIMIN E VENDIMIT NR.1/2023 TË KOMITETIT TË PËRBASHKËT, MIRATUAR ME LIGJIN NR.59/2024, NË LIDHJE ME PËRDORIMIN E CERTIFIKATAVE TË QARKULLIMIT TË LËSHUARA NË MËNYRË ELEKTRONIKE, NË KUADRIN E KËSAJ KONVENTE, TË ZBATUESHME QË NGA 1 JANARI 2025”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e vendimit nr.1/2024 të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mediteriane të 12 dhjetorit 2024, për ndryshimin e vendimit nr.1/2023 të Komitetit të Përbashkët, miratuar me ligjin nr.59/2024, në lidhje me përdorimin e certifikatave të qarkullimit të lëshuara në mënyrë elektronike, në kuadrin e kësaj konvente, të zbatueshme që nga 1 janari 2025”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E VENDIMIT NR.2/2024 TË KOMITETIT TË PËRBASHKËT TË KONVENTËS RAJONALE PËR RREGULLAT PREFERENCIALE TË ORIGJINËS PAN-EURO-MEDITERIANE TË 12 DHJETORIT 2024, PËR NDRYSHIMIN E VENDIMIT NR.1/2023 TË KOMITETIT TË PËRBASHKËT, MIRATUAR ME LIGJIN NR.59/2024, ME QËLLIM PËRFSHIRJEN E DISPOZITAVE KALIMTARE NË NDRYSHIMET E KONVENTËS RAJONALE PËR RREGULLAT PREFERENCIALE TË ORIGJINËS PAN-EURO-MEDITERIANE, TË ZBATUESHME NGA 1 JANARI 2025”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e vendimit nr.2/2024 të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mediteriane të 12 dhjetorit 2024, për ndryshimin e vendimit nr.1/2023 të Komitetit të Përbashkët, miratuar me ligjin nr.59/2024, me qëllim përfshirjen e dispozitave kalimtare në ndryshimet e Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mediteriane, të zbatueshme nga 1 janari 2025”, me procedurë të përshpejtuar, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.145, DATË 20.2.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË ME PËRFAQËSUES NË SHTABIN “EUFOR”, NË KUADËR TË OPERACIONIT USHTARAK “ALTHEA”, TË BASHKIMIT EVROPIAN, NË BOSNJË-HERCEGOVINË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.145, datë 20.2.2013, “Për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me përfaqësues në shtabin “EUFOR”, në kuadër të operacionit ushtarak “ALTHEA”, të Bashkimit Evropian, në Bosnjë-Hercegovinë, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Dërgimin me mision në Sarajevë, Bosnjë-Hercegovinë, në kuadër të operacionit ushtarak “ALTHEA”, të Bashkimit Evropian:
a) të 1 (një) përfaqësuesi ushtarak të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në shtabin “EUFOR”;
b) të 30 (tridhjetë) ushtarakëve në nivel “togë këmbësorie” nga Forca Tokësore e Republikës së Shqipërisë, në përbërje të kompanisë së pestë të manovrës së batalionit kinetik të Turqisë.”
2. Në pikën 2 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Fjala “… përfaqësuesi …” zëvendësohet me “… përfaqësuesve …”;
b) Pas fjalëve “… aftësive mbrojtëse …” shtohen “… si dhe garantimi i një mjedisi të sigurt për rritjen dhe forcimin e stabilitetit të shoqërisë në Bosnjë-Hercegovinë …”.
3. Në pikën 3, togfjalëshi “… deri në 26 shkurt 2025 …” zëvendësohet me “… deri në 31 dhjetor 2028 …”.
4. Në pikën 4 bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
a) Në fjalinë hyrëse, fjala “… përfaqësuesi …” zëvendësohet me “… përfaqësuesit …”;
b) Në shkronjën “a”, shifra 6000 (gjashtë mijë) zëvendësohet me 12 000 (dymbëdhjetë mijë);
c) Në shkronjën “e”, pas fjalëve “… në rast …” shtohen “… thyerje disipline …”.
II. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
III. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
FUNKSIONIMIN, KOHËZGJATJEN, ORGANIZIMIN DHE DETYRAT E KOMISIONIT TË VERËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 19, të ligjit nr.86/2022, “Për vreshtarinë dhe verën”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim ka për qëllim përcaktimin e rregullave për funksionimin, organizimin, kohëzgjatjen dhe detyrat e Komisionit të Verës.
2. Të gjithë termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me ata të parashikuar në ligjin nr.86/2022, “Për vreshtarinë dhe verën” (në vijim, ligji për vreshtarinë dhe verën).
II. ORGANIZIMI I KOMISIONIT TË VERËS
1. Emërimi i anëtarëve të Komisionit të Verës bëhet për një periudhë 3-vjeçare, me të drejtë riemërimi, por jo më shumë se 1 (një) herë.
2. Kërkesa për të qenë anëtar, si ekspert nga fusha akademike ose nga institucionet kërkimore-shkencore ose të pavarura, bëhet on-line në faqen zyrtare të internetit të ministrisë, në adresën zyrtare të publikuar, në vijim të një procedure konkurrimi, brenda 20 (njëzet) ditëve nga publikimi i njoftimit, bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët, si më poshtë vijon:
a) Kërkesa për kandidim, si anëtar i Komisionit të Verës, ku përcaktohet adresa e kandidatit dhe posta elektronike, me qëllim njoftimin për miratimin ose jo të kërkesës;
b) Dokumenti i identifikimit;
c) Diploma “Master i shkencave” ose të barasvlefshëm me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë;
ç) Libreza, e cila vërteton eksperiencën në punë;
d) Jetëshkrimi;
dh) Certifikata trajnimi dhe çdo dokument tjetër, që provon kontributin dhe njohuritë në fushën e vreshtarisë dhe verës, si dhe skemave të cilësisë.
3. Në qoftë se kërkesa e kandidatit të interesuar nuk është paraqitur, në përputhje me kërkesat e pikës 2, të këtij kreu, kandidatit i kërkohet, nëpërmjet postës elektronike, që të korrigjojë pasaktësitë ekzistuese, brenda 7 (shtatë) ditëve nga marrja e njoftimit. Kur kandidati i interesuar plotëson pasaktësitë brenda afatit të përcaktuar, kërkesa quhet e regjistruar nga dita që është dërguar. Kur kandidati i interesuar nuk plotëson pasaktësitë brenda afatit të caktuar, kërkesa quhet se nuk është regjistruar dhe i kthehet kandidatit bashkë me aktet e tjera.
4. Përzgjedhja e kandidatëve bëhet sipas kritereve të përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 19, të ligjit për vreshtarinë dhe verën, nga struktura përgjegjëse, e cila, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga përfundimi i thirrjes, përgatit një raport për kandidatët e interesuar, që kanë paraqitur kërkesë dhe ia dërgon për miratim ministrit. Ministri, brenda 10 (dhjetë) ditëve, miraton me urdhër përbërjen e Komisionit të Verës. Struktura përgjegjëse kryen menjëherë njoftimin e kandidatëve për përzgjedhjen ose jo të tyre, në formë shkresore dhe elektronike.
5. Kundër njoftimit për refuzimin e përzgjedhjes, kandidati i interesuar ka të drejtë të ankohet pranë ministrisë brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit.
6. Shkarkimi i anëtarit të Komisionit të Verës përpara mbarimit të mandatit bëhet me urdhër të ministrit për një nga arsyet e mëposhtme:
a) Nëse nuk paraqitet në 3 (tri) mbledhje të njëpasnjëshme të komisionit dhe nuk paraqet justifikime të provuara për këto mungesa;
b) Kur dënohet me vendim gjyqësor penal të formës së prerë;
c) Kur bëhet i paaftë mendërisht ose fizikisht për të ushtruar detyrën.
7. Mandati i anëtarit të Komisionit të Verës mbaron, kur:
a) jep dorëheqjen;
b) përfundon mandati 3-vjeçar i qëndrimit në detyrë;
c) shkarkohet;
ç) mbush moshën e pensionit;
d) vdes.
8. Anëtari i Komisionit të Verës, që jep dorëheqjen, është i detyruar të paraqesë kërkesën me shkrim për dorëheqje dhe arsyet e dorëheqjes pranë strukturës përgjegjëse për vreshtarinë dhe verën në ministri.
9. Struktura përgjegjëse merr masa për zëvendësimin e anëtarit të shkarkuar ose mandati i të cilit ka përfunduar, duke bërë njoftimin në faqen zyrtare të internetit të ministrisë, sipas procedurës të parashikuar në këtë kre.
III. FUNKSIONIMI I KOMISIONIT TË VERËS
1. Mbledhjet e Komisionit të Verës janë të mbyllura dhe thirren nga kryetari, si rregull, 1 (një) herë në muaj, në bazë të informacionit të marrë nga struktura përgjegjëse. Komisioni mund të mblidhet edhe kur shumica e anëtarëve paraqesin kërkesë me shkrim, duke përcaktuar çështjet për të cilat thirret kjo mbledhje.
2. Anëtarët e Komisionit të Verës njoftohen me shkresë zyrtare ose elektronike për datën dhe agjendën paraprake të mbledhjes, të paktën 7 (shtatë) ditë pune para ditës së mbledhjes.
3. Me përjashtim të pikës 1, të këtij kreu, kryetari mund të thërrasë një mbledhje të jashtëzakonshme të komisionit, brenda një periudhe më pak se 7 (shtatë) ditë pune nga dita e mbledhjes së Komisionit të Verës, kur:
a) ndryshimet në specifikimet e produktit kërkojnë vlerësim të menjëhershëm për të mos penguar hedhjen në treg të produktit;
b) nevojitet vlerësimi i komenteve për emërtime të regjistruara në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar;
c) nevojitet, në çdo rast tjetër, një vlerësim i menjëhershëm i produktit.
4. Kuorumi i nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes së Komisionit të Verës realizohet kur marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve, duke përfshirë kryetarin dhe sekretariatin.
5. Procedura për mbledhjen e Komisionit të Verës është, si më poshtë vijon:
a) Çelet nga kryetari, i cili kërkon miratimin e agjendës paraprake me ndryshimet, nëse ka;
b) Sekretari paraqet verbalisht përpara komisionit një pasqyrë të përmbledhur të kërkesave të palëve, të fakteve dhe të provave, të depozituara para fillimit të shqyrtimit të çështjeve;
c) Kryetari shtron për diskutim me radhë të gjitha çështjet, që janë vendosur në agjendë;
ç) Kryetari i fton anëtarët të votojnë në përfundim të të gjithë procedurës së shqyrtimit e të shkëmbimit të opinioneve. Asnjë nga anëtarët nuk mund të abstenojë nga vendimmarrja. Votimi është i hapur në të gjitha rastet. Mendimi i anëtarit të mbetur në pakicë, i parashtruar me shkrim, bashkohet me vendimin dhe nënshkruhet me fjalën “kundër”;
d) Vendimet e Komisionit të Verës miratohen me shumicë të thjeshtë të votave të anëtarëve të pranishëm;
dh) Në rast se, rreth një çështjeje, votimi është i barabartë, vota e kryetarit është vendimtare;
e) Vendimi i Komisionit të Verës bëhet publik në faqen zyrtare të internetit të ministrisë;
ë) Kryetari merr masa që, në fund të takimit, të përgatisë vendimin e arsyetuar, i cili nënshkruhet nga të gjithë anëtarët që kanë marrë pjesë në votimin e tij. Një kopje e vendimit i dorëzohet sekretarit për t’ia bashkëlidhur dosjes së çështjes;
f) Procesverbali u bëhet i ditur të gjithë anëtarëve të pranishëm dhe firmoset brenda 5 (pesë) ditëve nga data e mbledhjes;
g) Dokumentacioni i prodhuar gjatë gjithë procedurës u nënshtrohet rregullave në fuqi për arkivat.
IV. DETYRAT E KOMISIONIT TË VERËS
1. Detyrat e kryetarit të Komisionit të Verës përfshijnë:
a) organizimin dhe drejtimin e punës së Komisionit të Verës;
b) thirrjen e mbledhjeve të Komisionit të Verës;
c) kryesimin e mbledhjeve të Komisionit të Verës;
ç) përcaktimin e agjendës paraprake të mbledhjeve të Komisionit të Verës;
d) monitorimin e afateve procedurale për aplikimet, në zbatim të ligjit për vreshtarinë dhe verën dhe të këtij vendimi;
dh) përfaqësimin e Komisionit të Verës;
Kryetari mund të paraqesë në rendin e ditës të mbledhjes çështje të tjera, që nuk janë të përfshira në agjendën e paraqitur paraprakisht, nëse të gjithë anëtarët janë të pranishëm.
2. Struktura përgjegjëse për skemat e cilësisë në ministri, në rolin e sekretariatit të Komisionit të Verës, përveç detyrave të parashikuara në pikën 3, të nenit 18, të ligjit për vreshtarinë dhe verën, kryen edhe detyrat, si më poshtë vijon:
a) Mban, ruan dhe përditëson të gjitha kontaktet e anëtarëve të komisionit;
b) Ndjek afatet procedurale dhe detyrimet e përcaktuara në ligjin për vreshtarinë dhe verën e në këtë vendim dhe informon në kohë kryetarin;
c) Përgjigjet për mbarëvajtjen e veprimtarisë së komisionit nga ana logjistike dhe administrative;
ç) Është përgjegjëse për dosjet e kërkesave të depozituara, përcjelljen e tyre për shqyrtim pranë komisionit, si kërkesat për regjistrim, kërkesat për të ndryshuar specifikimet, për vërejtjet ose kundërshtimet;
d) Ndjek ekzekutimin e vendimeve të komisionit dhe dërgimin zyrtar të vendimeve në adresat përkatëse, duke njoftuar komisionin lidhur me dërgimin zyrtar të vendimeve në destinacion;
dh) U komunikon anëtarëve me e-mail orën dhe datën e mbledhjes, së bashku me rendin e ditës;
e)Përgatit njoftimet e Komisionit të Verës për palët, lidhur me paraqitjen e argumenteve, prapësimeve dhe çdo dokument tjetër të nevojshëm, të përcaktuar në ligjin për vreshtarinë dhe verën e në këtë vendim;
ë) Mban minutat e takimit, procesverbalin e mbledhjes, listën e pjesëmarrësve dhe kryen detyra të tjera të ngarkuara nga kryetari i komisionit;
f) Shpërndan procesverbalin te të gjithë anëtarët e komisionit dhe siguron firmosjen nga të gjithë, brenda 5 (pesë) ditëve punë;
g) Mban të gjithë dokumentacionin e Komisionit të Verës, ku përfshihen edhe kërkesat për regjistrim, kërkesat për të ndryshuar specifikimet, për vërejtjet ose kundërshtimet dhe vendimet.
3. Çdo anëtar i komisionit ka të drejtë të propozojë çështje të tjera për diskutim, të ndryshme nga ato të parashikuara në agjendën paraprake.
4. Anëtarët e komisionit detyrohen:
a) të marrin pjesë në mbledhjet e Komisionit të Verës ose të njoftojnë, deri në 1 (një) ditë përpara datës së caktuar për mbledhje, arsyen e mungesës;
b) të kryejnë vlerësimet për kërkesat për regjistrim të një vere me TGJ-në ose EO-në, sipas parashikimeve dhe afateve të përcaktuara në ligjin për vreshtarinë dhe verën;
c) të kryejnë vlerësimet për kërkesat për mbrojtje të termit tradicional për EOM-në ose TGJM-në;
ç) të kryejnë çdo detyrë tjetër, të përcaktuar në ligjin për vreshtarinë dhe verën.
5. Kryetari, sekretariati dhe anëtarët e komisionit detyrohen të ruajnë konfidencialitetin e informacionit rreth kërkesave për regjistrim, kërkesave për ndryshimin e specifikimeve, vërejtjeve dhe kundërshtimeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
V. DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E ZONËS ME NUMRA PASURIE 3/326 DHE 3/665, TË ZONËS KADASTRALE 8240, SI ZONË PËR ZHVILLIM, ME QËLLIM NDËRTIMIN E BANESAVE SOCIALE, NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 50, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e zonës me numra pasurie 3/326 dhe 3/665, të zonës kadastrale 8240, në pronësi të Bashkisë Tiranë, si zonë e përshtatshme për zhvillim, me qëllim ndërtimin e banesave sociale, si pjesë e fondit publik të banesave sociale, në pronësi të Bashkisë Tiranë.
2. Caktimin e Bashkisë Tiranë si njësi zbatuese për financimin dhe ndërtimin e banesave të reja të përshtatura në apartamente, sipas normave të strehimit, në kuadër të strehimit social.
3. Ngarkohet Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.41/2023, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT PËR MASAT SHOQËRUESE, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.182, DATË 29.3.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT TË INVESTIMIT, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.184, DATË 29.3.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, DHE TË MARRËVESHJES SË GRANTIT SECO, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.183, DATË 29.3.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, NDËRMJET KFW FRANKFURT AM MAIN DHE REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, PËR PROGRAMIN “MENAXHIMI I QËNDRUESHËM DHE MIQËSOR ME KLIMËN NË SEKTORIN E MBETJEVE TË NGURTA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes të huas, ratifikuar me ligjin nr.41/2023, të marrëveshjes së grantit për masat shoqëruese, miratuar me vendimin nr.182, datë 29.3.2023, të Këshillit të Ministrave, të marrëveshjes së grantit të investimit, miratuar me vendimin nr.184, datë 29.3.2023, të Këshillit të Ministrave, dhe të marrëveshjes së grantit SECO, miratuar me vendimin nr.183, datë 29.3.2023 të Këshillit të Ministrave, ndërmjet KfW Frankfurt Am Main dhe Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, për programin “Menaxhimi i qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve të ngurta”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.497, DATË 13.9.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM, PA SHPËRBLIM, TË ISH-GODINËS SË LIDHJES SË SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE, NGA MINISTRIA E KULTURËS, KOMISIONIT TË PAVARUR TË KUALIFIKIMIT, INSTITUCIONE TË RIVLERËSIMIT TË GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, TË PARASHIKUARA NGA LIGJI NR.84/2016”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 901 e në vijim të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 4, të nenit 3, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.497, datë 13.9.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënien në përdorim të përkohshëm, pa shpërblim, të ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, nga Ministria e Kulturës, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, institucione të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, të parashikuara nga ligji nr.84/2016”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Kudo në titull dhe në përmbajtje, emërtesa “Ministria e Kulturës” zëvendësohet me “Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit” dhe emërtesa “Komisionit të Pavarur të Kualifikimit” zëvendësohet me emërtesat “Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit”.
2. Në titullin e vendimit, pas fjalëve “Për dhënien në përdorim të përkohshëm, pa shpërblim, …” shtohen “ … të një pjese …” dhe hiqen fjalët “… institucione të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, të parashikuara nga ligji nr.84/2016”.
3. Në pikën 1, pas fjalëve “Dhënien në përdorim të përkohshëm, pa shpërblim, … ” shtohen “… të një pjese …”.
4. Në pikën 2 bëhen këto ndryshime:
a) Fjalët “Ish-godina e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” zëvendësohen me “Një pjesë e ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve”;
b) jalët “… deri në përfundim të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë (procesi i vetting-ut)” zëvendësohen me “… deri më 30.9.2025”.
5. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe ministri i Shtetit për Administratës Publike dhe Antikorrupsionin të lidhin një marrëveshje, ku të përcaktohen modalitetet e përdorimit dhe të vënies në dispozicion të një pjese të ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, si dhe kalimi kapital i pajisjeve të zyrave, sipas legjislacionit në fuqi.”
6. Pika 5 shfuqizohet.
II. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.665, DATË 24.10.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ZBATIMIN E PASOJAVE TË SHFUQIZIMIT TË LIGJIT NR.13/2016, “PËR MËNYRËN E OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE NË SPORTEL NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 14 e 15, të ligjit nr.100/2024, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike”, e të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas shkronjës “c”, të pikës 4, të vendimit nr.665, datë 24.10.2024, të Këshillit të Ministrave, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:
“ç) sendeve të luajtshme të ADISA-s, të cilat gjenden në ambientet, që u përkasin bashkive Tiranë, Kamzë, Kavajë, Shkodër, Kukës, Malësi e Madhe, Mat, Belsh, Divjakë, Patos, Roskovec, Tepelenë, Himarë, Kolonjë, Librazhd, Pogradec, Maliq, Përmet dhe Gjirokastër. Këto sende të luajtshme u transferohen bashkive përkatëse.”
2. Ngarkohen ADISA, si dhe bashkitë Tiranë, Kamzë, Kavajë, Shkodër, Kukës, Malësi e Madhe, Mat, Belsh, Divjakë, Patos, Roskovec, Tepelenë, Himarë, Kolonjë, Librazhd, Pogradec, Maliq, Përmet dhe Gjirokastër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Dorian Tola, zëvendësministër i Mbrojtjes, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA