Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 16 mars 2016
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN DHE ADMINISTRIMIN E REGJISTRIT ELEKTRONIK TЁ KONCESIONIT∕PARTNERITETIT PUBLIK PRIVAT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 14, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin, funksionimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e Regjistrit Elektronik të Koncesionit/Partneritetit Publik Privat (REKP) dhe publikimin e tij në faqen zyrtare të Njësisë së Trajtimit të Koncesioneve/PPP (në vijim “ATRAKO”), me adresë elektronike: http://www.atrako.gov.al.
2. ATRAKO është institucioni administrues i Regjistrit Elektronik të Koncesionit/Partneritetit Publik Privat (REKP).
3. Regjistri Elektronik i Koncesionit/Partneritetit Publik Privat (REKP),  përfshin:
a) si të dhëna parësore, të gjitha të dhënat e mbledhura nga ATRAKO, si më poshtë vijon:
i. Të dhëna lidhur me autoritetin kontraktues;
ii. Të dhëna në lidhje me objektin e kontratës së koncesionit/PPP;
iii. Llojin e kontratës;
iv. Vendndodhjen e objektit të kontratës;
v. Kohëzgjatjen e kontratës;
vi. Vlerën e kontratës;
vii. Çmimin e shërbimit publik;
viii. Tarifën koncesionare që i paguhet autoritetit kontraktues;
ix. Tekstin e plotë të kontratës, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen dhe trajtimin e të dhënave personale.
b) si të dhëna dytësore, të dhënat lidhur me koncesionarin/partnerin privat, që administrohen nga baza e të dhënave të Regjistrit të QKR-së.
4. Baza e të dhënave të Regjistrit Elektronik të Koncesionit/Partneritetit Publik Privat (REKP) ndërvepron me bazën e të dhënave të Regjistrit të QKR-së.
5. Dhënës të informacionit janë të gjithë autoritetet kontraktore, të cilët, në kuptim të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, janë:
a) ministritë e linjës;
b) njësitë e qeverisjes vendore.
6. Regjistri elektronik i koncesionit/PPP është publik, i aksesueshëm dhe pa pagesë, nëpërmjet faqes zyrtare të ATRAKO-s, nga të gjithë autoritet kontraktore, nga partnerët privatë dhe nga të gjithë personat e interesuar. Akesesi në këto të dhëna rregullohet sipas dispozitave të ligjit nr.119/2014, “Për të drejtën e informimit”, ligjit nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar, dhe udhëzimit nr.39, datë 5.8.2013, të Komisionerit, “Për përpunimin e të dhënave personale në regjistrat publikë”. Për këtë qëllim, autoritetet kontraktore duhet të përcaktojnë, që në fillim, të dhënat për të cilat kërkojnë kufizimin e publikimit të tyre në regjistër.
7. ATRAKO merr masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së të dhënave që përmban regjistri, nëpërmjet përdorimit të instrumenteve mbrojtëse të përshtatshme.
8. Hedhja e të dhënave në regjistër bëhet në përputhje me formatin e aneksit 1, bashkëlidhur dhe pjesë e këtij vendimi.
9. Autoritetet kontraktore kanë detyrimin të përcjellin një kopje të kontratës së koncesionit/ppp, të shoqëruar me anekset përkatëse, brenda 15 ditëve, nga data e nënshkrimit të saj, pranë ATRAKO-s.
10. Autoritetet kontraktore kanë detyrimin të përcjellin një kopje të ndryshimeve të kontratës së koncesionit/ppp, të shoqëruar me anekset përkatëse, brenda 15 ditëve, nga data e nënshkrimit të saj, pranë ATRAKO-s.
11. Autoritetet kontraktore kanë detyrimin të përcjellin, brenda 30 ditëve, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, pranë ATRAKO-s, kopje të të gjitha kontratave të koncesionit dhe partneritetit publik privat, të nënshkruara prej tyre para hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
12. Shpenzimet e nevojshme për krijimin, mirëmbajtjen dhe administrimin e Regjistrit Elektronik të Koncesionit/Partneritetit Publik Privat, përballohen nga buxheti i ATRAKO-s.
13. Ngarkohen ministritë e linjës, njësitë e qeverisjes vendore dhe Njësia e Trajtimit të Koncesioneve/PPP (ATRAKO) për zbatimin e këtij vendimi.
       Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI  
* * *
V E N D I M
PËR
 RISHPËRNDARJEN E NUMRIT TË PUNONJËSVE NË NJËSITË  E QEVERISJES QENDRORE, PËR VITIN 2016 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Rishpërndarjen e numrit të punonjësve në njësitë e qeverisjes qendrore për vitin 2016, si më poshtë vijon:
a) Numri i punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme Detare shtohet me 20 veta, duke e çuar numrin total të punonjësve të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës në 430 punonjës.
b) Numri i punonjësve të Komitetit Shtetëror të Minoriteteve shtohet me 2 veta, duke e çuar numrin total të punonjësve të institucioneve në varësi të Kryeministrisë në 328 punonjës.
c) Numri i punonjësve të aparatit të Kryeministrisë shtohet me 2 veta, duke e çuar numrin total të punonjësve të institucionit të Kryeministrisë në 554 punonjës.
ç) Numri i punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes reduktohet me 14 veta, duke e çuar numrin total të punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes në 9 196 punonjës.
d) Numri i punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme reduktohet me 10 veta, duke e çuar numrin total të punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme në 14 162 punonjës.
2. Rishpërndarja e numrit të punonjësve i shtrin efektet financiare dhe bëhet efektive në sistemin e thesarit pas hyrjes në fuqi të strukturës së miratuar për institucionet e përmendura në këtë vendim.
3. Ngarkohen ministritë e përmendura më sipër dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M 
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS  SË SHQIPËRISË, QEVERISË SË MALIT TË ZI DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR MALI I ZI – SHQIPËRI, 2014-2020, ALOKIMET  E VITIT 2015, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT TË ASISTENCËS SË PARA-ADERIMIT IPA II
1. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
2. Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, qeverisë së Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri, 2014-2020, alokimet e vitit 2015, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA II), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. KY VENDIM HYN NË FUQI MENJËHERË.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA   E MBROJTJES TE RADIO TELEVIZIONI SHQIPTAR,  TË NJË SIPËRFAQEJE TRUALLI FUNKSIONAL, BRENDA TERRITORIT TË PRONËS NR.188, ME EMËRTIM “BATERI PZ”,   ME VENDNDODHJE NË SAUK, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT  TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT   I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar dhe të nenit 114, të ligjit nr.97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Mbrojtjes te Radio Televizioni Shqiptar, të sipërfaqes truall funksional, prej 1 500 (një mijë e pesëqind) m², brenda territorit të pronës nr.188, me emërtim “Bateri PZ”, me vendndodhje në Sauk, Tiranë, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi, për ta përdorur për ndërtimin e një stacioni transmetimi, në shërbim të rrjetit numerik të transmetimit DVB-T2, të Radio Televizionit Shqiptar.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, nga trualli funksional i pronës nr.188, me emërtim “Bateri PZ”, me vendndodhje në Sauk, Tiranë, të hiqet sipërfaqja truall funksional prej   1 500 (një mijë e pesëqind) m².
3. Radio Televizionit Shqiptar i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të sipërfaqes së pronës, të përcakuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi
5. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA  E MBROJTJES TE MINISTRIA E KULTURËS, TË PRONËS NR.186, ME EMËRTIM “REPARTI USHTARAK NR.3042, QENDËR STËRVITORE”, ME VENDNDODHJE NË SAUK, TIRANË,   DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS   SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Kulturës, të pronës nr.186, me emërtim “Reparti Ushtarak nr.3042, Qendër Stërvitore”, me vendndodhje në Sauk, Tiranë, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi, për ta përdorur për ndërtimin e “Qendrës së Artit dhe të Zejeve”.
2.Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, të hiqet prona nr.186, me emërtim “Reparti Ushtarak nr.3042, Qendër Stërvitore”, me vendndodhje në Sauk, Tiranë.
3.Ministrisë së Kulturës i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës, të përcakuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4.Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, ministri i Kulturës, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
5. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E TRANSPORTIT DHE INFRASTRUKTURËS, PËR AUTORITETIN RRUGOR SHQIPTAR, TË NJË SIPËRFAQEJE TRUALLI FUNKSIONAL, BRENDA TERRITORIT TË PRONËS NR.1137, ME EMËRTIM “HELIODROMI I REPARTIT USHTARAK NR.3340”, ME VENDNDODHJE NË FARKË, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT  TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË  SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, të sipërfaqes truall funksional, prej 260 (dyqind e gjashtëdhjetë) m², brenda territorit të pronës nr.1137, me emërtim “Heliodromi i Repartit Ushtarak nr.3340”, me vendndodhje në Farkë, Tiranë, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi, për ta përdorur për ndërtimin e segmentit rrugor “Pjesa verilindore, kthesa Sauku – Bregu i Lumit, Unaza e Jashtme e Tiranës”.
2.Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, nga trualli funksional i pronës nr.1137, me emërtim “Heliodromi i Repartit Ushtarak nr.3340”, me vendndodhje në Farkë, Tiranë, të hiqet sipërfaqja truall funksional, prej 260 (dyqind e gjashtëdhjetë) m², dhe të shtohet në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kanë kaluar në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
3.Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e përdorimit të sipërfaqes së pronës, të përcakuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojnë atë ose t’ua japin në përdorim të tretëve.
4.Para fillimit të punimeve, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar, të ndërtojë rrethimin në kufijtë e rinj të pronës, të kryejë spostimin e rrjeteve inxhinierike që prek gjurma e rrugës, sipas parametrave dhe kushteve teknike, duke i kthyer në gjendjen e tyre të mëparshme, dhe për këtë, ndërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Komandës së Forcës Ajrore, Tiranë, të hartohet aktmarrëveshje.
5.Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
6. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.718, DATË 29.10.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LISTËN E PERSONAVE TË SHPALLUR SI FINANCUES TË TERRORIZMIT”,   TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 14, pika 1, 18, pika 1, 25, pika 1 dhe 28, pika 1, të ligjit nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, me propozimin e  ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në listën e personave të shpallur sipas rezolutës së Këshillit të Sigurimit (“Lista e OKB-së”), që i bashkëlidhet vendimit nr.718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesa, si më poshtë vijon:
1. Titulli “Lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën  Al-Qaida”, në shkronjën “C”, të listës së OKB-së, ndryshohet dhe bëhet: “C” “Lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatat ISIL  (Da’esh) dhe Al-Qaida.””.
2. Titulli “Lista e kompanive që i takojnë ose bashkëpunojnë me organizatën Al-Qaida”, në shkronjën “D”, të listës së OKB-së, ndryshohet dhe bëhet:  “D” “Lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatat ISIL  (Da’esh) dhe Al-Qaida.””.
3. Në listën e shkronjës “C” shtohen  individët e renditur në shkronjën “a” dhe në listën e shkronjës “D”, shtohen grupet e renditura në shkronjën “b”, të listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, sipas shtesave në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për personat që janë anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues të organizatave ISIL dhe Al-Qaida.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETIT TË KUVAJTIT, NË FUSHAT  E SHËNDETIT PUBLIK DHE SHKENCAVE MJEKËSORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së shtetit të Kuvajtit, në fushat e shëndetit publik dhe shkencave mjekësore, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË RREGULLAVE TEKNIKE PËR PËRPUNIMIN E BOMBOLAVE TË MBUSHURA ME GAZ TË LËNGSHËM TË NAFTËS (GLN) 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 16, të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Qëllimi
1. Përpunimi i gazit të lëngshëm të naftës (GLN) në bombola kryhet nga persona juridikë, të përcaktuar në ligjin nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, sipas kushteve dhe rregullave teknike të përcaktuara në këtë vendim dhe në legjislacionin në fuqi.
2. Për qëllim të këtij vendimi, përpunim i bombolave nënkupton të gjitha proceset që kryhen nga subjektet e përcaktuara në ligjin nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, gjatë realizimit të aktivitetit të mbushjes, furnizimit, depozitimit, transportimit, instalimit, tregtimit dhe përdorimit të sigurtë të bombolës me GLN, mosrespektimi i të cilave cenon funksionimin e sigurtë të bombolës.
II. Fusha e zbatimit
Dispozitat e këtij vendimi përfshijnë kushtet dhe rregullat teknike të përpunimit të bombolave të mbushura me GLN, të cilat përfshijnë mbushjen, furnizimin, kontrollin teknik, depozitimin, transportimin, instalimin, tregtimin dhe përdorim e sigurtë të GLN-së në pajisje të transportueshme nën presion (bombola), me peshë  nga 5 – 25 kilogram.
III. Kushtet dhe rregullat teknike për tregtimin me shumicë të gazit të lëngshëm të naftës (GLN)
1. Tregtimi me shumicë i GLN-së, nëpërmjet bombolave, bëhet nga shoqëritë e tregtimit me shumicë, me kusht që këto bombola të plotësojnë kërkesat të sigurisë, të përcaktuara sipas rregullit teknik përkatës, përfshirë edhe pajisjen e tyre me deklaratën e konformitetit, për të gjithë sasinë e prodhuar dhe të importuar, si dhe me numrin e serisë. Bombola duhet të mbartë markimin përkatës, që demonstron përputhshmërinë e saj me kërkesat e legjislacionit në fuqi për konformitetin.
2. Shoqëritë e tregtimit me shumicë janë pronare ose poseduese të bombolave të mbushura me GLN.
3. Shoqëritë e tregtimit me shumicë të bombolave të mbushura me GLN kanë përgjegjësi për mbushjen e bombolave me GLN, të cilat duhet t’i jenë nënshtruar, paraprakisht, kontrollit teknik, sipas përcaktimeve të rregullit teknik përkatës.
4. Shoqëritë e tregtimit me shumicë, përpara futjes së bombolave të mbushura me GLN në treg, duhet  të evidentojnë në sipërfaqen e bombolës të dhëna  për markën tregtare të shoqërisë, peshën neto dhe bruto, të shprehur në kilogram, simbolin e flakës së ndezshme, vitin e prodhimit, datën e kontrollit teknik si dhe udhëzimin për përdorim të sigurtë të tyre.
5. Çdo shoqëri e tregtimit me shumicë të bombolave të mbushura me GLN duhet të depozitojë në Inspektoratin Shtetëror Teknik dhe Industrial të dhëna për ngjyrën e saj, markën tregtare dhe deklaratën e konformitetit të bombolave, për të garantuar identifikimin, nga ana e organeve përgjegjëse, se këto bombola përdoren vetëm nga shoqëria, e cila ka pronësinë apo posedimin e tyre.
6. Shoqëria e tregtimit me shumicë kryen mbushjen e bombolave, në përputhje me standardin S SH EN 1439 në fuqi, “Procedura e verifikimit të bombolave GLN para, gjatë dhe pas mbushjes”, ose çdo standard ekuivalent me të.  Mbushja e bombolave me GLN bëhet në jo më shumë se 80% të volumit të saj. Shoqëria e tregtimit me shumicë është përgjegjëse, gjithashtu, për kryerjen e kontrollit/inspektimit periodik të bombolave në pronësi apo posedim të saj nga organet e miratuara, sipas parashikimeve në ligjin nr.10489, datë 15.12.2011, “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, dhe rregullat teknike në fuqi.
7. Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial është përgjegjës për mbikëqyrjen e aktivitetit të shoqërisë së tregtimit me shumicë, me qëllim garantimin e sigurisë së bombolave të mbushura me GLN.
8. Shoqëria e tregtimit me shumicë, e cila ka në pronësi apo posedim bombolat e mbushura me  GLN, kryen veprimtarinë e mbushjes, furnizimit, depozitimit dhe transportimit deri te njësitë e tregtimit me pakicë të  lëndëve djegëse dhe stacionet e shitjes së karburanteve, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
9. Shoqëritë e tregtimit me shumicë duhet të injektojnë, në sasinë e GLN-së që do të tregtohet, substanca me aromë të pakëndshme, si etil merkaptan, në masën 14 – 30 gr/ton.
10. Shoqëritë e tregtimit me shumicë janë të detyruara të mbajnë një regjistër, në format shkresor dhe elektronik, për bombolat e GLN-së, sipas kushteve dhe procedurave të miratuara me urdhër të ministrit përgjegjës për hidrokarburet. Një kopje e këtij regjistri dërgohet, në format letër dhe elektronik, çdo 3 muaj në Inspektoratin Shtetëror Teknik dhe Industrial.
11. Shoqëritë e tregtimit me shumicë duhet të respektojnë rregullin teknik në fuqi për cilësinë e GLN-së.
12. Ndalohet tregtimi i bombolave të mbushura me GLN nga shoqëritë e tregtimit me shumicë që nuk kanë vendosur në sipërfaqe të bombolës të dhëna për emrin dhe markën tregtare. Shoqëritë e tregtimit me shumicë të GLN-së ndalohen që të realizojnë operacione të mbushjes, trajtimit dhe tregtimit të GLN-së në bombolat që janë në posedim apo edhe zotërim, dhe të regjistruara në një shoqëri tjetër të tregtimit me shumicë.
13. Shoqëritë e tregtimit me shumicë janë të detyruara që, brenda 12 muajve  nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të zbatojnë një sistem që mundëson raportimin e informacionit për destinacionin e çdo bombole të mbushur prej saj. Formati i të dhënave dhe raportimi ndaj autoriteteve shtetërore përgjegjëse do të përcaktohen me urdhër të ministrit.
IV. Kushtet dhe rregullat teknike për tregtimin me pakicë të bombolave të mbushura me GLN
1. Njësitë e tregtimit me pakicë të bombolave të mbushura me GLN, ku përfshihen njësitë e lëndëve djegëse dhe stacionet e shitjes së karburanteve, duhet të plotësojnë kushtet dhe kërkesat e këtij rregulli teknik gjatë ushtrimit të aktivitetit të tregtimit të këtyre bombolave.
2. Njësitë e tregtimit me pakicë depozitojnë bombolat e mbushura me GLN në një ambient të posaçëm, i cili duhet të jetë në katin zero dhe të mos ketë mbi dhe nën të ambiente të tjera.
3. Ndalohet që njësitë e tregtimit me pakicë të kryejnë ndërhyrje ndaj bombolave të mbushura me GLN, përsa i përket procesit të mbushjes, riparimit apo çdo forme tjetër që cenon tërësinë e bombolës.
4. Njësitë e tregtimit me pakicë realizojnë aktivitetin e tyre të tregtimit me pakicë të bombolave të mbushura me GLN, mbi bazën e një kontrate të nënshkruar me shoqërinë e tregtimit me shumicë.
5. Njësitë e tregtimit me pakicë depozitojnë bombolat e boshatisura, pas përdorimit, dhe bombolat e mbushura me GLN në përputhje me kushtet dhe normat teknike në fuqi. Gjatë depozitimit të bombolave bosh të GLN-së, respektohen të gjitha kushtet dhe normat teknike, të parashikuara për bombolat e mbushura me GLN.
6. Temperatuara e ambientit në vendin e depozitimit të bombolave nuk duhet të kalojë 500C.
7. Pesha neto, maksimale, e bombolës së mbushur me GLN, që depozitohet në ambientet e njësive të tregtimit me pakicë, nuk mund të jetë më shumë se 25 kg.
8. Kapaciteti depozitues maksimal i ambienteve të njësive të tregtimit me pakicë është 1000 kg GLN. Ambientet, në të cilat mbahen dhe tregtohen bombolat e mbushura me GLN duhet të jenë të hapura dhe të mbrojtura nga rrezet e diellit.
9. Ndalohet mbushja e bombolave të GLN-së nga njësitë e tregtimit me pakicë.
10. Ndalohet tregtimi i bombolave të GLN-së nga njësitë e tregtimit me pakicë nëse kushtet në të cilën ato tregtohen nuk janë në përputhje me kriteret teknike të depozitimit, magazinimit, ruajtjes dhe tregtimit të tyre, sipas përcaktimeve të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
11. Njësitë e tregtimit me pakicë duhet të jenë të pajisura me instrumente matëse, ligjërisht të kontrolluara, me qëllim verifikimin e peshës së bombolës me GLN.
V. Kushtet dhe rregullat teknike për transportimin e bombolave të mbushura me GLN
1. Transporti i bombolave të GLN-së përfshin transportin që bëhet nga vendi i mbushjes së bombolave, prej shoqërive të tregtimit me shumicë, deri në ambientet e njësive të lëndës djegëse dhe/ose stacioneve të shitjes së karburanteve dhe anasjelltas. Transporti i bombolave me GLN kryhet nga shoqëritë e tregtimit me shumicë të bombolave të GLN-së ose nga shoqëritë/subjektet e autorizuara prej këtyre të fundit.
2. Shoqëria që kryen transportin e bombolave me GLN duhet të pajiset me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, sipas legjislacionit në fuqi. Automjetet që transportojnë bombola duhen të jenë të hapura dhe të mbuluara me tendë kundër diellit. Gjatë transportit, bombolat duhet të jenë të vendosura në kafaze mbrojtëse dhe të lidhen me rripa sigurimi, me qëllim shmangien e përplasjes me njëra-tjetrën.
VI. Kushtet dhe rregullat teknike për instalimin dhe përdorimin e bombolave të GLN-së
1. Instalimi i pajisjeve për shfrytëzimin e GLN-së kryhet në përputhje me instruksionet e përdorimit që shoqërojnë bombolën, nën përgjegjësinë e shoqërive të tregtimit me pakicë.
2. Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial mbikëqyr respektimin e rregullave teknike për instalimin dhe përdorimin e bombolave të GLN-së nga konsumatorët jofamiljarë.
3. Instalimi i bombolës së gazit duhet të jetë në ambiente të ajrosura, larg burimeve të nxehtësisë dhe instalimeve elektrike. Tubat e gomës, që lidhin bombolën e GLN-së me instalimin fiks, duhet të kenë tregues për afatin maksimal të përdorimit të tyre.
4. Instalimi i bombolave duhet të respektojë kërkesat, si më poshtë vijon:
a) Në ambiente me volum deri në 10 m3 është e ndaluar vendosja e bombolave;
b) Në ambiente me volum 10-20 m3 mund të instalohet një bombol me kapacitet 15 kg;
c) Në ambiente me volum 20-50 m3 mund të instalohen deri në 2 bombola, me kapacitet jo më shumë se 20 kg;
ç) Në ambiente me volum mbi 50 m3 mund të instalohen 2 bombola, me kapacitet total jo më shumë se 30 kg;
d) Kapaciteti total i bombolave të instaluara në një ambient familjar nuk duhet të jetë më i madh se 40 kg.
5. Konsumatorët janë përgjegjës për marrjen e masave për mirëmbajtjen e instalimeve të bombolave të mbushura me GLN, në përputhje me instruksionet e përdorimit dhe treguesin për tubin e gomës, referuar në pikën 3, të përmendur më lart. Shoqëritë e tregtimit me pakicë duhet të ofrojnë edhe shërbimin e mirëmbajtjes së instalimeve të bombolave me GLN.
6. Konsumatorët e bombolave të GLN-së duhet të kenë të instaluar, në mjediset ku kanë instaluar dhe përdorin bombolat, sistem detektues e autobllokues të furnizimit me GLN.
7. Bombolat e mbushura pjesërisht dhe që nuk përdoren nuk duhet të mbahen nga përdoruesi në bodrume, garazhe apo tarraca, nuk duhet të depozitohen në vendet e grumbullimit të mbeturinave dhe as të asgjësohen. Shoqëritë e tregtimit me shumicë janë përgjegjëse për administrimin e kësaj kategorie bombolash.
8. Konsumatori jofamiljar, që përdor bombol të mbushur me GLN, duhet të jetë i pajisur me një kontratë sigurimi me një shoqëri sigurimesh, për të garantuar rimbursimin e dëmeve të shkaktuara ndaj palëve të treta, në rast aksidenti prej këtyre sistemeve dhe bombolave të GLN-së.
VII.   Organi i specializuar i kontrollit të kushteve dhe rregullave teknike të tregut të hidrokarbureve që përfshin GLN-në
Organi i specializuar për kontrollin e të gjitha kushteve dhe rregullave teknike të tregut të hidrokarbureve, që përfshin GLN-në, është Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, i cili përgjigjet për mbikëqyrjen e respektimit të kërkesave të përcaktuara në këtë vendim dhe rregullat e tjera teknike në fuqi.
VIII. Periudha transitore
1. Detyrimi i përcaktuar në pikën 4, të kreut VI, hyn në fuqi:
a) për përdoruesit jofamiljarë, pas 1 viti, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
b) për përdoruesit familjarë, pas 2 vitesh, nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
2. Bombolat që mbushen me GLN, që qarkullojnë në treg përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe nuk janë të pajisura me deklaratën e konformitetit, sipas parashikimeve të këtij vendimi, duhet t’i nënshtrohen kontrollit teknik të vlerësimit të konformitetit prej organeve të miratuara/organizmave evropiane të notifikuara, sipas përcaktimeve në ligjin nr.10489, datë 15.12.2011, “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, të ndryshuar  (OM/OEN), brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Deri në miratimin e organeve të akredituara për vlerësimin e konformitetit të bombolave të GLN-së, ky proces do të kryhet në përputhje me parashikimet e urdhrit përkatës të ministrit përgjegjës për hidrokarburet.
3. Në rast se, nga kontrolli teknik, rezulton se bombola nuk plotëson kërkesat e sigurisë teknike, atëherë ajo duhet të dalë jashtë përdorimit. Në rastet e tjera, OM/OEN lëshon një deklaratë konformiteti, e cila shoqëron bombolën.
IX.  Dispozita përfundimtare
Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA VORË, TË PRONËS NR.126, ME EMËRTIM  “ISH-BRIGADA E TANKEVE”, ME VENDNDODHJE NË GËRDEC, VORË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Vorë, të pronës nr.126, me emërtim “Ish-Brigada e Tankeve”, me vendndodhje në Gërdec, Vorë, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi, për ta përdorur për ushtrimin e funksioneve të veta administrative, për përmirësimin e infrastrukturës dhe ofrimin e shërbimeve sociale vendore, krijimin e ambienteve kulturore, sportive, argëtuese e çlodhëse për komunitetin, në territorin juridiksional të Bashkisë Vorë.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, të hiqet prona nr.126, me emërtim “Ish-Brigada e Tankeve”, me vendndodhje në Gërdec, Vorë, dhe të shtohet në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i janë transferuar në pronësi apo në përdorim Bashkisë Vorë.
3. Bashkisë Vorë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës nr.126, me emërtim “Ish-Brigada e Tankeve”, me vendndodhje në Gërdec, Vorë, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, kryetari i Bashkisë Vorë, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE  TË MARRËVESHJES SË HUASË DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E OPERATORIT TË SISTEMIT  TË TRANSMETIMIT, SH.A., SI AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “LINJA E TRANSMETIMIT 400 KILOVOLT SHQIPËRI – KOSOVË (TIRANË – PRISHTINË)”, NËPËRMJET NJË HUAJE PREJ 42 000 000 EUROSH 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 5, 7 e 27, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huasë dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., si agjencia e zbatimit të projektit, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e projektit “Linja e transmetimit 400 kilovolt Shqipëri – Kosovë (Tiranë – Prishtinë)”, nëpërmjet një huaje prej 42 000 000 (dyzet e dy milionë) eurosh, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, PËRBËRJEN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONIT KOMBËTAR PËR AZILIN DHE REFUGJATËT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 22, të ligjit nr.121/2014, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët (në vijim Komisioni), si autoriteti i vetëm kompetent, vendimmarrës, për ankimet kundër të gjitha vendimeve të autoritetit përgjegjës për azilin dhe refugjatët.
2. Komisioni kryesohet nga Komisioneri Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët, i cili është përfaqësues i kategorisë së lartë drejtuese dhe caktohet me urdhër të ministrit përgjegjës për azilin dhe refugjatët, dhe përbëhet nga këta anëtarë:
– një përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme;
– një përfaqësues i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë;
– një përfaqësues i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit;
– një përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë;
– një përfaqësues i Shërbimit Informativ të Shtetit;
– një përfaqësues i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
3. Komisioni merr vendim me shumicën e votave të anëtarëve të tij dhe votimi është i hapur. Komisioneri dhe anëtarët e Komisionit kanë të drejtën e një vote.
4. Komisioneri Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët organizon e drejton mbledhjet e Komisionit dhe merr masa për zbatimin në kohë të vendimeve të tij.
5. Anëtarët e Komisionit caktohen nga institucionet e përcaktuara në pikën 2, për një periudhë 1-vjeçare, me të drejtën e rinovimit të mandatit të tyre ose të caktimit të një përfaqësuesi të ri, brenda 30 ditëve para përfundimit të mandatit.
6. Komisioni mblidhet në mjediset e ministrisë përgjegjëse për azilin dhe refugjatët, për shqyrtimin e ankimeve të depozituara kundër të gjitha vendimeve të autoritetit përgjegjës për azilin dhe refugjatët, sipas procedurës dhe afateve të përcaktuara në ligjin nr.121/2014, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.
7. Komisioni funksionon në bazë të një rregulloreje të brendshme, të miratuar me shumicën e votave të anëtarëve të tij.
8. Komisioni, gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, asistohet nga një specialist i autoritetit përgjegjës për azilin dhe refugjatët, me detyrën e sekretarit, i cili caktohet nga drejtuesi i këtij autoriteti.
9. Autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët i paraqet Komisionit dokumentacionin e plotë të azilkërkuesit që ankimon vendimin e dhënë nga ky autoritet.
10. Përpara dhënies së vendimit, Komisioni dëgjon azilkërkuesin, lidhur me pretendimet e tij.
11. Komisioni zbaton të njëjtat parime ligjore e procedurale që zbatohen nga autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët.
12. Komisioni merr vendim brenda 30 ditëve, nga data e paraqitjes së ankimit. Vendimi i arsyetuar i Komisionit i dërgohet azilkërkuesit, nëpërmjet autoritetit përgjegjës për azilin dhe refugjatët, dhe është përfundimtar, lidhur me ankimin administrativ. Ky vendim mund të ankimohet nga azilkërkuesi në gjykatën kompetente për çështjet administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
13. Vendimet e Komisionit marrin vulën e ministrisë përgjegjëse për azilin dhe refugjatët.
14. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Informativ i Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI  
* * *
V E N D I M
PËR 
NGARKIMIN E OPERATORIT TË SHPËRNDARJES SË ENERGJISË ELEKTRIKE (OSHEE, SH.A.) SI ORGAN QENDROR BLERËS, PËR KRYERJEN E PROCEDURËS SË PROKURIMIT PUBLIK PËR LLOGARI TË VET DHE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
NË MBËSHTETJE TË NENIT 100 TË KUSHTETUTËS, TË PIKËS 3, TË NENIT 11, TË LIGJIT NR.9643, DATË 20.11.2006, “PËR PROKURIMIN PUBLIK”, TË NDRYSHUAR, TË LIGJIT NR.9936, DATË 26.6.2008, “PËR MENAXHIMIN E SISTEMIT BUXHETOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR, TË LIGJIT NR.147, DATË 17.12.2015, “PËR BUXHETIN E VITIT 2016”, DHE TË VENDIMIT NR.914, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË PROKURIMIT PUBLIK”, ME PROPOZIMIN E MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME, KËSHILLI I MINISTRAVE
V E N D O S I:
1. Ngarkimin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE, sh.a.) si organ qendror blerës, për kryerjen e procedurës së prokurimit publik për llogari të vet dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për projektin “Ndërtimi i një sistemi funksional adresash”.
2. OSHEE, sh.a.-ja të prokurojë fondin limit, të llogaritur si shumë e fondit buxhetor të miratuar për vitin 2016, për Ministrinë e Punëve të Brendshme, programi buxhetor “Shërbimi i Gjendjes Civile” dhe fondin e saj, të planifikuar për këtë projekt.
3. OSHEE, sh.a.-ja, me cilësinë e organit qendror blerës, ka përgjegjësi të:
a) bashkërendojë punën me Ministrinë e Punëve të Brendshme për zhvillimin e procedurës së prokurimit, sipas standardeve ligjore në fuqi, dhe miratimin e specifikimeve teknike, të dërguara nga kjo ministri;
b) bashkërendojë punën për testimin e tregut, para publikimit të tenderit;
c) shqyrtojë ankesat e operatorëve ekonomikë, deri në shpalljen e njoftimit të fituesit.
4. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE, sh.a.) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.