Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 16 Shtator 2026: 
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES   TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI,  ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 3038, FSHATI POVELÇË, NJËSIA ADMINISTRATIVE DËRMENAS, BASHKIA FIER, QARKU FIER, NGA SHOQËRIA “ALB ENERGY GROUP”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 52, të ligjit nr.59/2026, “Për sektorin e energjisë elektrike”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në zonën kadastrale 3038, fshati Povelçë, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier, nga shoqëria “ALB ENERGY GROUP”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “ALB ENERGY GROUP”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS: M31527030E;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç)  Kapaciteti i instaluar: 31 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: zona kadastrale 3038, fshati Povelçë, njësia administrative Dërmenas, Bashkia Fier, Qarku Fier;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosja sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit e dokumentacionin e projektit;
g) Shoqëria “ALB ENERGY GROUP”, sh.p.k., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj), pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “ALB ENERGY GROUP”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat e detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera, që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “ALB ENERGY GROUP”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN KADASTRALE 2449, NË AFËRSI TË FSHATIT TROKAJ, NJËSIA ADMINISTRATIVE SHALËS, BASHKIA CËRRIK, NGA SHOQËRIA “TI SOLAR POWER”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 52, të ligjit nr.59/2026, “Për sektorin e energjisë elektrike”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Bashkinë Cërrik, nga shoqëria “TI SOLAR POWER”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “TI SOLAR POWER”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS: M22405041A;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 20.5 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Zona kadastrale 2449, në afërsi të fshatit Trokaj, njësia administrative Shalës, Bashkia Cërrik;
e) Afati i operimit: 49 (dyzet e nëntë) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
ë) Koordinatat e tokës dhe planvendosja janë sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit e dokumentacionin e projektit;
g) Shoqëria “TI SOLAR POWER”, sh.p.k., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht, çdo tre muaj, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “TI SOLAR POWER”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat e detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë “royalty”, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “TI SOLAR POWER”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE  PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 23.6.2026, PËR ÇËSHTJEN “OSMANI KUNDËR SHQIPËRISË”, PËR KËRKESËN NR.7780/20
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me  ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut,  datë 23.6.2026, për çështjen “Osmani kundër Shqipërisë”, për kërkesën nr.7780/20, përfundimtar në datën 23.6.2026, në shumën 6 000 (gjashtë mijë) euro, në lidhje me dëmin jopasuror, si dhe 5 000 (pesë mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet.
2. Vlerat e përcaktuara si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, konvertohen në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohet shuma, në datën e kryerjes së pagesës.
3. Vlerat e përcaktuara si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, depozitohen në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit, z. Gentjan Osmani, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 23.6.2026, për çështjen “Osmani kundër Shqipërisë”, për kërkesën nr.7780/20.
4. Pagimi i shumave të depozituara, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit, bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i Gjykatës është bërë përfundimtar.
5. Në rast mospagimi brenda afatit 3-mujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumat e mësipërme paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me normën marxhinale të kreditimit të Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së mospagimit, plus tri pikë përqindje.
6. Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2026.
7. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN E DY ANËTARËVE TË KOMISIONIT KOMBËTAR RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE  TË NDOTURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 5, të nenit 4, të  ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Genci Gjeçi emërohet anëtar i Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura.
2. Znj. Anisa Kureta emërohet anëtar i Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Mario Keputa emërohet zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË ME PERSONEL DHE NJË HELIKOPTER,  NË OPERACIONIN USHTARAK NDËRKOMBËTAR “KFOR”, KOSOVË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të  ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pjesëmarrjen e  Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me  17 (shtatëmbëdhjetë) ushtarakë dhe një helikopter, në operacionin ushtarak ndërkombëtar “KFOR”, Kosovë.
2. Misioni i personelit është kryerja e mbështetjes nga ajri të forcave të   “KFOR-it” gjatë kryerjes së detyrave për njohje terreni, zbulim, patrullim, rastet CASEVAC, SAR, transport VIP dhe trupash në zonën e operacionit të “KFOR”, si dhe mbështetje të popullsisë në raste emergjencash civile, sipas planeve dhe marrëveshjes së KFOR-it me Republikën e Kosovës.
3. Venddislokimi i helikopterit dhe personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është në kampin Boondsteel, Ferizaj, Kosovë.
4. Kohëzgjatja e këtij misioni është deri më 31 dhjetor 2029. Periudha e qëndrimit në mision është me sistem rotacioni deri në 3 (tre) muaj për personelin e kontingjentit dhe 6 (gjashtë) muaj për helikopterin, periudha, të cilave u shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me kontingjentin e radhës.
5. Ministria e Mbrojtjes, për ushtarakët pjesëmarrës në këtë operacion, përballon shpenzimet për:
a) dieta për ditët e qëndrimit në mision, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) akomodim;
c) ushqim;
ç) lavanderi;
d) sigurim jete;
dh) siguracion shëndetësor jashtë zonës së operacionit;
e) mbështetje shëndetësore;
ë) shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;
f) transport;
g) transportim të individëve të shkëputur të misionit për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje;
gj) aktivitete social-kulturore, në rastet e festave kombëtare, gjatë kohës së kryerjes së misionit;
h) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.
6. Transporti i personelit, që merr pjesë në operacionin ushtarak ndërkombëtar “KFOR”, Kosovë, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, uji, energjia elektrike, lavanteria përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, me përjashtim të rasteve kur arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dy ose shumëpalëshe, ku pala tjetër merr përsipër të përballojë këto shpenzime.
7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
8. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË   NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË ARSIMIT,  PËR UNIVERSITETIN “EQREM ÇABEJ”, GJIROKASTËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Arsimit, për Universitetin “Eqrem Çabej”, Gjirokastër, për ushtrimin e aktivitetit, sipas fushës së saj të përgjegjësisë shtetërore.
2. Lista përbëhet gjithsej nga 1 (një) fletë formulari dhe 1 (një) planrilevim, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
3. Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit “Eqrem Çabej”, Gjirokastër, u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e përdorimit të pronave të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, si dhe t’i tjetërsojnë ato.
4. Ngarkohen Ministria e Arsimit, universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër, dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
      Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES  PËR BASHKËPUNIMIN E PËRGJITHSHËM NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETIT TË IZRAELIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes për bashkëpunimin e përgjithshëm ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Izraelit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ADMINISTRATIVE STANDARDE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE  TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE ZYRËS SË FONDIT  TË MIRËBESIMIT ME SHUMË PARTNERË TË PROGRAMIT  TË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR ZHVILLIM, PËR FONDIN  E PËRSHPEJTIMIT TË ARRITJES SË OBJEKTIVAVE TË ZHVILLIMIT TË QËNDRUESHËM (OZHQ) PËR SHQIPËRINË, FAZA E DYTË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin në parim, të marrëveshjes administrative standarde, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Fondit të Mirëbesimit me Shumë Partnerë të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, për fondin e përshpejtimit të arritjes së objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm (OZHQ) për Shqipërinë, faza e dytë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR  “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10242, DATË 25.2.2010, “PËR INSTITUTIN E STUDIMEVE PËR KRIMET DHE PASOJAT E KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI”, TË NDRYSHUAR””
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin  joqeveritar “Për disa ndryshime në ligjin nr.10242, datë 25.2.2010, “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”, të ndryshuar””, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të  ligjit nr.8743, datë 22.2.2021, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit, bashkëlidhur vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, përmasat e pronës me numër rendor 266, me emërtimin  “Ish-NPVU”, ndryshojnë sipas formularit, gjithsej, 1 (një) fletë, planit të rilevimit, gjithsej, 1 (një) fletë, dhe planimetrisë, gjithsej, 1 (një) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.78,  DATË 31.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM NË NJËSITË ADMINISTRATIVE 4 DHE 8, ZONA “5 MAJI”, BASHKIA TIRANË, DHE CAKTIMIN   E BASHKISË TIRANË DHE SHOQËRISË “TIRANA DC”, SH.A.,                      SI NJËSI ZBATUESE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “iii” e “iv”, dhe 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.78, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar,  bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Titulli i vendimit ndryshohet dhe bëhet, si më poshtë vijon:
“Për shpalljen e zonës së re për zhvillim në njësitë administrative 4 e 8, zona “5 Maji”, Bashkia Tiranë, dhe caktimin e Bashkisë Tiranë, shoqërisë “Tirana DC”, sh.a., dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese”.
2. Në pikën 2, fjalia hyrëse ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Caktimin e Bashkisë Tiranë si njësi zbatuese për zbatimin  e projekteve të nisura e në vijim, në kuadër të procesit të rindërtimit, për: …”.
3. Në pikën 2.1, fjalia hyrëse ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Caktimin e “Tirana DC”, sh.a., si njësi zbatuese për zbatimin  e projekteve të nisura e në vijim, në kuadër të procesit të rindërtimit, për: …”.
4. Pas pikës 2.1 shtohet pika 2.2, me këtë përmbajtje:
“2.2 Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese për zbatimin e projekteve të reja, në kuadër të procesit të rindërtimit, për:
a) ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara;
b) ndërtimin e rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe kritike;
c) realizimin e ndërtimeve në këtë zonë;
ç) çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të kësaj zone.
II. Anekset bashkëlidhur vendimit nr.78, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, zëvendësohen me aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
III. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit  për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në  “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE   TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI     I INFRASTRUKTURËS RRUGORE NË NJËSINË    ADMINISTRATIVE NR.1+2+3 – DEGËZIMET E RRUGËS “KADRI ROSHI”- “DEMIR ZYKO”, BASHKIA TIRANË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i infrastrukturës rrugore në njësinë administrative nr. 1+2+3 – Degëzimet e rrugës “Kadri Roshi” – “Demir Zyko”, Bashkia Tiranë”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 34 083 191.70 (tridhjetë e katër milionë e tetëdhjetë e tre mijë e njëqind e nëntëdhjetë e një pikë shtatëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 34 083 191.70 (tridhjetë e katër milionë e tetëdhjetë e tre mijë e njëqind e nëntëdhjetë e një pikë shtatëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Tiranë.
10. Bashkia Tiranë, pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Veri, e cila, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tirana Veri, si dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE    TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIM URBAN, SHESHI PRANË SHKOLLËS “MARTIN CAMAJ””, BASHKIA SHKODËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të    ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikim urban, sheshi pranë shkollës “Martin Camaj””, Bashkia Shkodër.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Shkodër.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 6 305 869 lekë (gjashtë milionë e treqind e pesë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e nëntë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 6 305 869 lekë (gjashtë milionë e treqind e pesë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e nëntë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Shkodër.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Shkodër.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Shkodër.
8. Bashkia Shkodër kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Shkodër.
10. Bashkia Shkodër, pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Shkodër, e cila brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Shkodër për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Shkodër për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Shkodër, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Shkodër, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.5, DATË 11.1.2023, TË KËSHILLIT    TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E VLERËS SË TARIFAVE DHE PAGESAVE, MASËS SË PENALITETEVE SI DHE TË MËNYRËS SË LLOGARITJES, MBLEDHJES DHE ADMINISTRIMIT  TË TË ARDHURAVE TË ARKËTUARA NGA PROCESET KALIMTARE TË PRONËSISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 67, të      ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në kreun II, të vendimit nr.5, datë 11.1.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e vlerës së tarifave dhe pagesave, masës së penaliteteve si dhe të mënyrës së llogaritjes, mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave të arkëtuara nga proceset kalimtare të pronësisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
a) Pas pikës 4 shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:
“4/1. Në rastet kur procedura e miratimit të dokumentit të pronësisë për objektet pa titull dhe truallit funksional e oborrit në përdorim fillon kryesisht nga ASHK-ja gjatë procesit të regjistrimit fillestar, përmirësimit të zonës kadastrale apo gjatë verifikimit të kryer në terren, sipas blloqeve kadastrale miratuar me planveprimin përkatës, subjektet për objektet me funksion banimi përjashtohen nga pagesa e tarifës standarde, sipas përcaktimeve të bëra në paragrafin e parë, të pikës 4, të këtij vendimi.”.
b) Pas pikës 7 shtohet pika 7/1, me  këtë përmbajtje:
“7/1. Përjashtimisht, në rastet e ndërtimeve pa leje me funksion banimi, subjekti posedues përjashtohet nga pagesa e tarifës së shërbimit të legalizimit, sipas përcaktimeve të bëra në pikën 7, të këtij vendimi.”.
2. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
      Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.550, DATË 27.8.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR MBROJTJEN E SIGURISË DHE SHËNDETIT TË PUNËMARRËSVE NGA RISQET E LIDHURA ME EKSPOZIMIN NDAJ AGJENTËVE BIOLOGJIKË NË PUNË””
Në  mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 39, të ligjit nr.10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në rregulloren e miratuar me vendimin nr.550, datë 27.8.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve nga risqet e lidhura me ekspozimin ndaj agjentëve biologjikë në punë””, bëhen shtesa dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Në nenin 17 të rregullores, pas paragrafit të parë shtohet paragrafi i dytë, me këtë përmbajtje:
“Ministria përgjegjëse për shëndetësinë, me kërkesë të Komisionit, do të japë akses në të dhënat e përmendura në pikën 9, të nenit 14, të kësaj rregulloreje, pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.”.
b) Shtojca I “Listë treguese e veprimtarive, që mund të përfshijnë agjentë biologjikë në mënyrë të pavullnetshme”, ndryshohet me shtojcën I “Listë treguese e veprimtarive”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
c) Shtojcat III, V dhe VI ndryshohen me shtojcat me të njëjtin numërtim dhe titull, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen ministritë dhe institucionet në varësi të tyre, që kryejnë veprimtaritë e listuara në shtojcën I, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 janar 2027, me përjashtim të paragrafit të dytë, të nenit 17, të rregullores, i cili hyn në fuqi pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.827,  DATË 30.9.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME   PËR MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË PRONËSISË,  TË OBJEKTEVE PA TITULL PRONËSIE, TROJEVE TË TYRE FUNKSIONALE DHE TË OBORREVE NË PËRDORIM”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 34, të    ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.827, datë 30.9.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin rregullave të hollësishme për miratimin e dokumentit të pronësisë, të objekteve pa titull pronësie, trojeve të tyre funksionale dhe të oborreve në përdorim”,  bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në kreun I bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
a) Pikat 2 dhe 3 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. Truall funksional i objektit pa titull është sipërfaqja nën ndërtesë dhe përreth saj, që posedohet efektivisht  nga subjekti në funksion të objektit, brenda masës së sipërfaqes së përcaktuar në këtë vendim.
3. Me “posedim efektiv” të tokës, sipas këtij vendimi, kuptohet zotërimi nga subjekti përfitues i sipërfaqes së truallit funksional ose oborrit në përdorim, në funksion të objektit, bazuar në rrethimin në terren, brenda masës së sipërfaqes së përcaktuar në këtë vendim.”.
b) Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. “Planveprim”, në kuptim të këtij vendimi, është dokumenti zyrtar i miratuar nga drejtoria vendore e                ASHK-së, i cili përcakton listën e blloqeve kadastrale, në kuadër të trajtimit dhe përfundimit të procedurave të miratimit të dokumentit të pronësisë, të objekteve pa titull pronësie, të trojeve të tyre funksionale dhe të oborreve në përdorim, në zbatim të legjislacionit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë.”.
c) Shkronja “b”, e pikës 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) kryesisht nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës gjatë procesit të regjistrimit fillestar, përmirësimit të zonës kadastrale apo gjatë verifikimit të kryer në terren, sipas blloqeve kadastrale, miratuar me planveprimin  përkatës;”.
ç) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Kur procedura nis me kërkesë të subjektit, ai duhet ta paraqesë aplikimin on-line nëpërmjet platformës unike qeveritare “e-Albania” dhe të shlyejë tarifën e shërbimit për procedurën administrative.”.
d) Pas pikës 5 shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:
“5/1. Në rastet e nisjes së procedurës administrative, sipas shkronjave “b” e “c”, të pikës 4, të këtij vendimi, ASHK-ja trajton kryesisht procedurat e miratimit të pronësisë për pasuritë, objekt i këtij vendimi, të evidentuara nga vetë institucioni, gjatë proceseve të regjistrimit fillestar, përmirësimit të zonës kadastrale apo gjatë verifikimit të kryer në terren sipas blloqeve kadastrale, miratuar me planveprimin përkatës. Në momentin e verifikimit në terren, ASHK-ja i vë në dispozicion subjektit të plotësojë formularin e deklarimit të të dhënave sipas aneksit 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.
  dh) Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Tarifa e shërbimit për procedurën administrative të miratimit të dokumentit të pronësisë është 10 000 (dhjetë mijë) lekë dhe shlyhet në momentin e paraqitjes së kërkesës për kalimin e pronësisë dhe është e pakthyeshme edhe në rast rrëzimi të kërkesës nga ASHK-ja. Në rastin kur procedura administrative nis, sipas rasteve të përcaktuara në shkronjat “b” e “c”, të pikës 4, nuk aplikohet pagesa e tarifës standarde e shërbimit për procedurën administrative të miratimit të dokumentit të pronësisë për rastet e objekteve me funksion banimi.”.
2. Në kreun II bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pikat 12 dhe 13 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“12. Drejtoria vendore e ASHK-së kalon pronësinë për sipërfaqen funksionale deri në 300 m2, me kusht që të posedohet efektivisht në terren nga subjekti, vërtetuar në momentin e evidentimit në terren nëpërmjet rrethimit. Nëse subjekti ka dokumentacion pronësie për truallin, të regjistruar ose të regjistrueshëm, atëherë procedurat e miratimit të dokumentit të pronësisë, sipas këtij kreu, kryhen vetëm për ndërtimin.
13. Miratimi i dokumentit të pronësisë për sipërfaqen e truallit funksional deri në 300 m2 bëhet pa pagesë në rastet kur trualli është në pronësi shtetërore, figuron me pronar të pavërtetuar ose kur nuk ka informacion për pronësinë pavarësisht nëse në këtë sipërfaqe ka dhe ndërtime pa leje që lidhen me vetë subjektin.
Kur trualli funksional i objektit pa titull pronësie rezulton në pronësi private të të tretëve, miratimi i dokumentit të pronësisë për sipërfaqen e truallit bëhet për sipërfaqe deri në 300 m2 dhe zbatohen për analogji rregullat e parashikuara në nenin 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”. Në këto raste, subjekti përfitues duhet të paguajë vlerën e truallit, e cila llogaritet sipas çmimit favorizues dhe me të njëjtat lehtësi pagese, sipas përcaktimeve të nenit 22, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
Përjashtimisht, në rastet kur trualli funksional bie pjesërisht në pronë shtetërore dhe pjesërisht në pronë private, drejtoria vendore e ASHK-së miraton dokumentin e pronësisë për truallin funksional dhe për sipërfaqe më të vogël se 300 m2, pavarësisht posedimit efektiv në terren, pa cenuar pronësinë private të të tretëve kur kjo është e mundur fizikisht në terren.”.
b) Pas pikës 22 shtohet pika 22/1, me këtë përmbajtje:
“22/1. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, përveç të dhënave të përcaktuara në pikën 22, të këtij vendimi, bën publik edhe informacionin lidhur me rastet e konstatuara për pasuritë, objekt i këtij vendimi, për të cilat nga verifikimi në terren nuk është arritur të identifikohet subjekti posedues. Njoftimi publik bëhet nëpërmjet publikimit në ambientet e njësisë administrative, drejtorisë vendore të ASHK-së dhe në faqen zyrtare të ASHK-së për një periudhë 30 (tridhjetë)- ditore. Në rast se gjatë publikimit paraqitet subjekti pretendues, ASHK-ja vijon procedurat administrative në emër të subjektit për të cilin evidentohet posedimi në terren mbi pasuritë, objekt i këtij vendimi.
Në rast të paraqitjes së subjektit pas përfundimit të afatit të publikimit, atij i lind e drejta të paraqesë kërkesë, përmes platformës “e-Albania”, në përputhje me parashikimet e shkronjës “a”, të pikës 4 të këtij vendimi.”.
3. Në kreun III bëhen këto ndryshime:
a) Shkronja “a”, e pikës 29, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Poseduesi nuk ka titull pronësie për sipërfaqen e tokës, por ka titull të regjistruar apo të regjistrueshëm sipas Kodit Civil dhe legjislacionit për kadastrën, për ndërtimin që është ngritur mbi të. Nuk përfshihen në këtë kre pasuritë që plotësojnë kushtet për trajtim, sipas kreut II të këtij vendimi. Si rregull, i nënshtrohet procedurave të këtij kreu sipërfaqja e tokës që është në pronësi shtetërore, me pronar të pavërtetuar ose për të nuk ka informacion mbi pronësinë, pavarësisht nëse është regjistruar ose jo në regjistrin e pasurive të paluajtshme dhe pavarësisht nëse është vendosur ose jo shënimi “oborr në përdorim”.
Konsiderohen si pa titull pronësie edhe rastet e tokës së disponuar me dokumentet e parashikuara në nënndarjet “i”, “ii” dhe “iii”, të shkronjës “a”, të pikës 11, të këtij vendimi, në përputhje me kushtet e kësaj dispozite.
Gjithashtu, është objekt kalimi në pronësi edhe kur oborri në përdorim është në pronësi private të të tretëve ose është transferuar te njësitë e vetëqeverisjes vendore, por në këto raste zbatohen, përkatësisht, pikat 4 ose 5, të nenit 34, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.”.
b) Pika 31 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“31. Drejtoria vendore e ASHK-së kalon pronësinë për oborrin në përdorim deri në 300 m2 me kusht që të posedohet efektivisht në terren nga subjekti, vërtetuar në momentin e evidentimit në terren nëpërmjet rrethimit.
Miratimi i dokumentit të pronësisë për sipërfaqen e oborrit në përdorim deri në 300 m2 bëhet pa pagesë në rastet kur trualli është në pronësi shtetërore, figuron me pronar të pavërtetuar ose kur nuk ka informacion për pronësinë.
Kur oborri në përdorim rezulton në pronësi private të të tretëve, miratimi i dokumentit të pronësisë për sipërfaqen e truallit bëhet për sipërfaqe deri në 300 m2 dhe zbatohen për analogji rregullat e parashikuara në nenin 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”. Në këto raste, subjekti përfitues duhet të paguajë vlerën e truallit, e cila llogaritet sipas çmimit favorizues dhe me të njëjtat lehtësi pagese, sipas përcaktimeve të nenit 22, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.”.
II. Kërkesat e administruara përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, për të cilat nuk ka përfunduar trajtimi administrativ i tyre, i nënshtrohen parashikimeve të këtij vendimi.
III. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1178, DATË 24.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN    E DOKUMENTACIONIT DHE RREGULLAVE TË HOLLËSISHME TË EVIDENTIMIT TË NDËRTIMEVE PA LEJE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17, pika 6, e 69,   pika 9, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në fund të paragrafit të parë, të shkronjës “a”, të pikës 13, të kreut III, të vendimit nr.1178, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e dokumentacionit dhe rregullave të hollësishme të evidentimit të ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
“Përjashtimisht, në rastet e ndërtimeve pa leje me funksion banimi, subjekti posedues përjashtohet nga pagesa e tarifës së shërbimit të legalizimit.”.
2. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË KORÇË TË DISA PRONAVE DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1532,   DATË 19.11.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,   “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE   TË PALUAJTSHME PUBLIKE SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN, NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM, TË BASHKISË KORÇË,    TË QARKUT TË KORÇËS”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, 5 e 8, të                                   ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Korçë të pasurive nr.40/4 dhe nr.40/5, të ndodhura në zonën kadastrale 1446, sipas formularit 1 (një) fletë, planit të rilevimit 1 (një) fletë dhe shtojcës 1, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, me qëllim përdorimin e tyre për realizimin e funksioneve administrative.
2. Pronat e përcaktuara në pikën 1 i shtohen lidhjes 1 dhe listës së inventarit, që i bashkëlidhen vendimit nr.1532, datë 19.11.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Korçës, të Qarkut të Korçës”, të ndryshuar.
3. Pasuria nr.40/4, e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, hiqet nga lista e inventarit, bashkëlidhur vendimit nr.363, datë 11.6.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi “Posta Shqiptare”, sh.a-së”, të ndryshuar.
4. Bashkisë Korçë i ndalohet ndryshimi i destinacionit dhe tjetërsimi i pasurive, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.
5. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Bashkia Korçë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.