Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Janar 2018
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2018, MIRATUAR PËR MINISTRINË E BRENDSHME, PËR BLERJE TË AUTOMJETEVE PËR PREFEKTËT E QARQEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936,  datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, t’i shtohet fondi prej 39 000 000 (tridhjetë e nëntë milionë) lekësh për blerje të automjeteve për prefektët e qarqeve.
2. Fondi prej 39 000 000 (tridhjetë e nëntë milionë) lekësh të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR REHABILITIMIN E LUMIT GJANICË”, FIER
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të                 ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Për rehabilitimin e lumit Gjanicë”, Fier.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Fier.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “truall” dhe “objekt”, me vlerë  402 655 835 (katërqind e dy milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e tetëqind e tridhjetë e pesë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për pasuritë “truall” dhe “objekt”, prej 402 655 835 (katërqind e dy milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e tetëqind e tridhjetë e pesë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
7. Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Fier.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier, brenda                       30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Fier, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier dhe Bashkia Fier për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
E D I  R A M A 
***
V E N D I M 
PËR
MIRATIMIN E PLANIT TË SHPENZIMEVE, PËR VITIN 2018, TË ENTIT RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA (ERRU)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 11, të                           ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e planit të shpenzimeve, për vitin 2018, të Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU), në shumën 49 648 000 (dyzet e nëntë milionë e gjashtëqind e dyzet e tetë mijë) lekë, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E METODOLOGJISË PËR PËRCAKTIMIN E ÇMIMIT TË BLERJES SË ENERGJISË ELEKTRIKE TË PRODHUAR NGA GJENERATORËT E VEGJËL ME BURIME TË RINOVUESHME NGA PJESA E BIODEGRADUESHME E MBETJEVE TË NGURTA, QË SHFRYTËZOJNË MBETURINAT INDUSTRIALE, URBANE   DHE RURALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të                        ligjit nr.7/2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga gjeneratorët e vegjël me burime të rinovueshme nga pjesa e biodegradueshme e mbetjeve të ngurta, që shfrytëzojnë  mbeturinat industriale, urbane dhe rurale, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Enti Rregullator i Energjisë cakton çmimin e blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga gjeneratorët e vegjël me burime të rinovueshme nga pjesa e biodegradueshme e mbetjeve të ngurta, që shfrytëzojnë mbeturinat industriale, urbane dhe rurale, sipas parashikimeve të kësaj metodologjie.
3. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR SHTESËN E FINANCIMIT PËR PROJEKTIN E BURIMEVE UJORE DHE UJITJES
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 26, të ligjit nr.9665,  datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e financimit për projektin e burimeve ujore dhe ujitjes, me një hua në shumën 23 000 000 (njëzet e tre milionë) euro, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
Për
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, NË KUADËR TË ANËTARËSIMIT NË BASHKIMIN EVROPIAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V e n d o s i:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR
MIRATIMIN E KUADRIT MAKROEKONOMIK DHE FISKAL PËR PERIUDHËN 2019-2021
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 23 e 27, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kuadrit makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2019-2021, së bashku me lidhjet nr.1, “Treguesit kryesorë makroekonomikë”, dhe nr.2/1 e nr.2/2, “Treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar”, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË GALERISË KOMBËTARE TË ARTEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 3, të nenit 9, të      ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Erzen Shkololli emërohet drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN E ANËTARËVE TË BORDIT TË MENAXHIMIT TË AUTORITETIT RRUGOR SHQIPTAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 8, të                      ligjit nr.10164, datë 15.10.2009, “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Emërimin e anëtarëve të bordit të menaxhimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili do të kryesohet nga z. Artan Shkreli, përfaqësues i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe në përbërje të tij të ketë këta anëtarë, përfaqësues të institucioneve të mëposhtme:
a) Z. Elton Haxhi, Ministria e Financave dhe Ekonomisë;
b) Z. Gentian Opre, Ministria e Financave dhe Ekonomisë;
c) Z. Julian Hodaj, Ministria e Brendshme;
ç) Z. Luigj Aleksi, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë;
d) Z. Kujtim Hashorva, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë;
dh) Z. Faruk Kaba, Shoqata Shqiptare e Inxhinierëve Konsulentë.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga shpenzimet e planifikuara për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
3. Vendimi nr.1010, datë 13.11.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për emërimin e anëtarëve të bordit të menaxhimit për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, i ndryshuar, shfuqizohet.
4. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.