Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Shkurt 2021

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Shkurt 2021:

 

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË SI AUTORITET KONTRAKTOR PËR ZHVILLIMIN E MUNDSHËM TË PROCEDURËS SË KONCESIONIT/PARTNERITETIT PUBLIK PRIVAT PËR PORTIN NË TRIPORT, VLORË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 13, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përcaktimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si autoritet kontraktor për zhvillimin e mundshëm të procedurës së koncesionit/partneritetit publik privat për portin në Triport, Vlorë.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, PËR BASHKËPUNIM NË FUSHËN E SHËNDETËSISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SHTESË, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT, TË SIGURUARA NGA NJË FOND I POSAÇËM I AKSIONARËVE TË BERZH-IT, PËR PROJEKTIN E DETAJUAR TË LINJËS HEKURUDHORE TIRANË – DURRËS DHE VLERËSIMIN FINANCIAR/EKONOMIK TË TË GJITHË RRJETIT HEKURUDHOR SHQIPTAR, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.63/2015

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes shtesë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant, të siguruara nga një fond i posaçëm i aksionarëve të BERZH-it, për projektin e detajuar të linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe vlerësimin financiar/ekonomik të të gjithë rrjetit hekurudhor shqiptar, të marrëveshjes së grantit, ratifikuar me ligjin nr.63/2015, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, MBI PUNIMET E NDËRTIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, mbi punimet e ndërtimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.555, DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË PUNONJËSVE TË PERSONELIT MJEKËSOR, TË PUNONJËSVE TË TJERË ME ARSIM TË LARTË DHE TË PUNONJËSVE TË PERSONELIT TEKNIK TË SHKENCAVE MJEKËSORE, NË SISTEMIN E MINISTRISË PËRGJEGJËSE PËR SHËNDETËSINË, NË NJËSINË MJEKËSORE USHTARAKE PRANË SPITALIT UNIVERSITAR TË TRAUMËS, NË STRUKTURAT E TJERA TË FORCAVE TË ARMATOSURA DHE NË INSTITUCIONET E EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE DHE SPITALIN PËRKATËS”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, kreu 2.2, i lidhjes nr.2, që përmendet në shkronjën “j”, të pikës 2, zëvendësohet me kreun 2.2 me të njëjtin emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.1.2021.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.729, DATË 16.9.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DEKLARIMIN PASURI KULTURORE “QENDËR HISTORIKE” TË FSHATIT KANINË, ZONËS MBROJTËSE TË SAJ, DHE MIRATIMIN E PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TYRE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9, pika 3, shkronjat “a” e “ç”, 62, pika 3, dhe 96, pika 1, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.729, datë 16.9.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a) Harta dhe koordinatat zëvendësohen me hartën dhe koordinatat që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij;
b) Në pikën 7, të nenit 5, të planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, fjalët “… në aneksin 2 …” zëvendësohen me “… në aneksin 2/1 …”.

2. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR PËR INTEGRIMIN EVROPIAN, 2021–2023

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian, 2021–2023 (PKIE 2021–2023), sipas tekstit dhe anekseve që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ngarkohet të bashkërendojë dhe të monitorojë zbatimin e PKIE-së 2021–2023 me grupet ndërinstitucionale të punës (GNPIE) për çdo kapitull.

3. Ministritë dhe institucionet e tjera koordinuese të GNPIE-së raportojnë çdo muaj pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe pranë Kryenegociatorit për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për ecurinë e zbatimit të PKIE-së 2021–2023.

4. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ngarkohet t’i raportojë, çdo 3 (tre) muaj, Këshillit të Ministrave dhe Kryenegociatorit për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për ecurinë e zbatimit të PKIE-së 2021–2023.

5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, të monitorojnë përfshirjen, nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, në programin buxhetor afatmesëm, të nevojave financiare për zbatimin e përparësive afatshkurtra dhe afatmesme të parashikuara në PKIE-në 2021–2023.

6. Legjislacioni i Bashkimit Evropian, për masat afatmesme të planifikuara në PKIE-në 2021-2023, t’i nënshtrohet procedurës të përkthimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

7. Vendimi nr.151, datë 19.2.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian, 2020–2022”, shfuqizohet.

8. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore në varësi të Këshillit të Ministrave, për të cilat në PKIE-në 2021–2023 janë përcaktuar detyra të veçanta, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PROTOKOLLIT NDRYSHUES TË MARRËVESHJES PËR PROGRAMIN DYPALËSH TË NDIHMËS E TË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË GREQISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e protokollit ndryshues të marrëveshjes për programin dypalësh të ndihmës e të bashkëpunimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E PËRGATITJES SË SHESHEVE TË NDËRTIMIT, NË BASHKINË DURRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën prej 55 098 000 (pesëdhjetë e pesë milionë e nëntëdhjetë e tetë mijë) lekësh pa TVSH, për financimin e sistemimit të territorit, lirimin e sheshit dhe kthimin e sipërfaqes në kuotë për ndërtimin e 44 (dyzet e katër) njësive individuale të banimit në njësinë administrative Ishëm, Bashkia Durrës.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe i transferohet Bashkisë Durrës në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.55, DATË 27.1.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PARAQITJES, FORMËS DHE SPECIFIKIMEVE TEKNIKE TË GRADAVE, SIMBOLEVE, UNIFORMAVE DHE SHENJAVE TË POLICISË SË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 62, 97 e 98, pika 1, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.55, datë 27.1.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:

a) Në pikën 5.3, pas shkronjës “dh” shtohet shkronja “dh/1”, me këtë përmbajtje:

“dh/1) Shenja e krahut e Drejtorisë së Antiterrorit”.

b) Në lidhjen nr.4 të albumit shtohet shenja dalluese për Drejtorinë e Antiterrorit, sipas modelit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga programi buxhetor “Policia e Shtetit”.
3. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.299, DATË 8.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR DHËNIEN E AUTORIZIMIT TË TREGTIMIT TË BARNAVE E TË KLASIFIKIMIT TË TYRE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 14/1, të aktit normativ nr.5, datë 12.2.2021, “Për disa shtesa në ligjin nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.299, datë 8.4.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:

1. Pas pikës 1, të nenit 2, të kapitullit I, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:

“1/1. Për autorizimin e kushtëzuar të tregtimit aplikimi mund të kryhet edhe nga institucione publike.”.

2. Pas kapitullit III shtohet kapitulli III/1, me këtë përmbajtje:

“KAPITULLI III/1
Procedura e autorizimit të kushtëzuar të tregtimit

1. Procedura e autorizimit të kushtëzuar të tregtimit aplikohet për barnat që kanë një autorizim tregtimi me procedurë të centralizuar nga Agjencia Evropiane e Vlerësimit të Barnave (EMA) ose nga Institucioni i Administrimit për Ushqimin dhe Barnat (FDA) i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

2. Aplikanti duhet të justifikojë se bari synon të përdoret në situatë emergjente (pandemi, epidemi) si përgjigje ndaj kërcënimeve të shëndetit publik të njohura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

3. Aplikanti duhet të dorëzojë dokumentacionin, si më poshtë vijon:

a) Kërkesë për aplikim për dhënien e autorizimit për tregtim të kushtëzuar për barna, që duhet të përmbajë: emrin e barit, lëndën vepruese, dozën dhe formën farmaceutike, grupin farmako-terapeutik, sipas klasifikimit ATC, datën dhe nënshkrimin e personit përgjegjës (me diplomë në mjekësi, farmaci, stomatologji, biologji), të autorizuar nga Mbajtësi i Autorizimit për Tregtim, listën e dokumentacionit të dorëzuara me aplikimin;
b) Certifikatë e produktit farmaceutik, e lëshuar nga autoriteti shëndetësor përkatës, sipas rekomandimit të OBSH-së, në origjinal, ku tregohet se bari është i pajisur me autorizimin për tregtim dhe qarkullon në vendin e origjinës nga Agjencia Evropiane e Vlerësimit të Barnave (EMA) ose nga Institucioni i Administrimit për Ushqimin dhe Barnat (FDA) i Shteteve të Bashkuara të Amerikës;
c) Certifikatë e praktikës së mirë të prodhimit (GMP) e publikuar në faqen zyrtare http://eudragmdp.ema.europa.eu (Eudra GMP), e vlefshme në momentin e aplikimit. Në rast se nuk është e disponueshme Eudra GMP, atëherë të pranohet një kopje e GMP-së e vlefshme në momentin e aplikimit;
ç) Autorizim tregtimi/certifikatë/vendim nga EMA ose FDA-ja të autorizimit të kushtëzuar për tregtim nga EMA ose FDA (kopje e origjinalit).

4. Dosja dorëzohet në formatin e dokumentit të përbashkët teknik (Common Technical Document CTD), sipas udhëzimeve përkatëse nga EMA dhe/ose FDA-ja.

5. Për të shqyrtuar aplikimin e autorizimit të tregtimit të kushtëzuar, ngrihet komision i posaçëm i përbërë nga të gjithë punonjësit e sektorit të autorizimit për tregtim dhe çështjeve rregullatore. Të gjitha kriteret e mëposhtme duhet të përmbushen me qëllim dhënien e autorizimit të kushtëzuar të tregtimit:

a) Raporti përfitim-risk i barit është pozitiv;
b) Aplikanti zotohet se do të dorëzojë të dhëna post-autorizim të barit;
c) Bari synon të përdoret në situatë emergjente (pandemi, epidemi) si përgjigje ndaj kërcënimeve të shëndetit publik të njohura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ose nga Komuniteti Evropian.
ç) Përfitimi për shëndetin publik si rezultat i disponueshmërisë së menjëhershme të barit është më i madh se rreziku i mundshëm që vjen si rezultat i mungesës të të dhënave shtesë për këtë.

6. Agjencia dhe Komisioni i Përhershëm i Barnave (KPB) konfirmojnë vlefshmërinë e aplikimit të paraqitur për barin, në përputhje me dispozitat e ligjit dhe të kësaj rregulloreje, brenda 5 (pesë) ditëve pune, dhe lëshojnë autorizimin e kushtëzuar të tregtimit.

7. Agjencia jep autorizimin e kushtëzuar të tregtimit për barin përkatës.

8. Pas miratimit, Agjencia njofton zyrtarisht aplikantin për dhënien e autorizimit për tregtim për barin, si dhe për tarifën përkatëse, nëse është e aplikueshme.

9. Tarifa të paguhet jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e miratimit, nëse është e aplikueshme. Kur personi përgjegjës përfaqëson një institucion shtetëror, kjo tarifë nuk aplikohet.

10. Pas dhënies së autorizimit të kushtëzuar për tregtim, Mbajtësi i Autorizimit për Tregtim duhet të përmbushë detyrimet e përcaktuara në udhëzimet përkatëse të EMA-s dhe/ose FDA-së.

11. Autorizimi i kushtëzuar i tregtimit mund të kthehet në një autorizim tregtimi standard me vlefshmëri 5-vjeçare me kërkesë të mbajtësit të autorizimit për tregtim, bazuar në vendimin përkatës nga Agjencia Evropiane e Vlerësimit të Barnave ose FDA-ja. Autorizimi i kushtëzuar i tregtimit është i rinovueshëm pas periudhës 1-vjeçare.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN, NË PRONËSI TË BASHKISË LEZHË, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE BLINISHT, TË PASURIVE 176 DHE 182/3, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 1220

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin, në pronësi të Bashkisë Lezhë, për njësinë administrative Blinisht, të pasurive 176 dhe 182/3, me vendndodhje në zonën kadastrale 1220, sipas formularit, gjithsej, 1 (një) fletë, dhe planrilevimeve, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, me qëllim për t’u përdorur në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të bujqësisë.

2. Ngarkohen Bashkia Lezhë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA MIRDITË, TË NJË PJESE TË PRONËS NR.988, ME EMËRTIM “ISH-REPARTI USHTARAK NR.5014”, ME VENDNDODHJE NË RRËSHEN, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Mirditë, të një pjese të pronës nr.988, me emërtim “Ish-reparti ushtarak nr.5014”, me vendndodhje në Rrëshen, sipas planrilevimit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për ndërtimin e banesave individuale dhe çdo ndërhyrje tjetër, në funksion të rindërtimit në njësinë administrative Rrëshen, Bashkia Mirditë, për të prekurit nga tërmeti i datës 26.11.2019.

2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, të hiqet nga prona nr.988, me emërtim “Ish-reparti ushtarak nr.5014”, me vendndodhje në Rrëshen, sipërfaqja sipas planrilevimit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe të shtohet në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kanë kaluar në pronësi ose në përdorim Bashkisë Mirditë.

3. Bashkisë Mirditë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, Bashkia Mirditë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.