Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Tetor 2018:

 

V E N D I M 

PËR

NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E DREJTËSISË DHE DREJTORIA E PËRGJITHSHME E ARKIVAVE TE MINISTRIA E MBROJTJES, TË PRONËS NR.98, ME EMËRTIM “GRUP DEPO (ISH-REPARTI USHTARAK NR.5011)”, ME VENDNDODHJE NË BRAR, TIRANË, DHE TË DISA SIPËRFAQEVE TRUALL FUNKSIONAL DHE OBJEKTE, TË PRONËS NR.109, ME EMËRTIM “SH.A. RIPARIM ARTILERIE”, ME VENDNDODHJE NË BRAR, TIRANË, DHE PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR, DHE NË VENDIMIN NR.495, DATË 10.6.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, SI DHE PËR SHFUQIZIMIN E VENDIMEVE TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.796, DATË 22.9.2015, TË NDRYSHUAR, NR.807, DATË 30.9.2015, DHE NR.355, DATË 29.4.2015

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, 14 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Drejtësisë te Ministria e Mbrojtjes, të pronës nr.98, me emërtim “Grup depo (ish-reparti ushtarak nr.5011)”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, dhe të disa sipërfaqeve truall funksional dhe objekte prej 11 754.2 (njëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e katër pikë dy) m2 dhe 13 236 (trembëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë e gjashtë) m2, me sipërfaqe të përgjithshme prej 24 990.2 (njëzet e katër mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë pikë dy) m2, pjesë të pronës nr.109, me emërtim “SH.A. Riparim Artilerie”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, sipas planvendosjeve që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave te Ministria e Mbrojtjes, të sipërfaqes truall funksional dhe objekte prej 18 179 (tetëmbëdhjetë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë) m2, pjesë e pronës nr.109, me emërtim “SH.A. Riparim Artilerie”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kanë kaluar në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Drejtësisë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, të hiqen prona nr.98, me emërtim “Grup depo (ish-reparti ushtarak nr.5011)”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, dhe sipërfaqet truall funksional dhe objekte prej 11 754.2 (njëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e katër pikë dy) m2 dhe 13 236 (trembëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë e gjashtë) m2, me sipërfaqe të përgjithshme prej 24 990.2 (njëzet e katër mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë pikë dy) m2, pjesë të pronës nr.109, me emërtim “SH.A. Riparim Artilerie”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, dhe të shtohen në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore që i kanë kaluar në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes e që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar.

4. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kanë kaluar në përgjegjësi administrimi Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, të hiqet sipërfaqja truall funksional dhe objekte prej 18 179 (tetëmbëdhjetë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë) m2, pjesë e pronës nr.109, me emërtim “SH.A. Riparim Artilerie”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, dhe të shtohet në listën e inventarit të pronave paluajtshme shtetërore që i kanë kaluar në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes e që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar.

5. Në vendimin nr.495, datë 10.6.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a) Në titull hiqen fjalët “… të disa objekteve e të një sipërfaqeje trualli funksional, brenda territorit të pronës nr.109, me emërtim “SH.A. Riparim Artilerie”, me vendndodhje në Brar, Tiranë …”;
b) Në pikat 1 e 2 hiqen fjalët “… të disa objekteve dhe të një sipërfaqeje trualli funksional, me sipërfaqe të përgjithshme (S1) prej 13 236 (trembëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë e gjashtë) m2, brenda territorit të pronës nr.109, me emërtim “SH.A. Riparim Artilerie”, me vendndodhje në Brar, Tiranë …”.

6. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.796, datë 22.9.2015, “Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Drejtësisë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, të pronës nr.98, me emërtim “Grup depo (ish-Reparti Ushtarak nr.5011)”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, për dhënien në përdorim të përkohshëm të disa objekteve dhe të një sipërfaqeje trualli funksional, brenda territorit të pronës nr.6, me emërtim “Instituti Gjeografik i Ushtrisë”, me vendndodhje në rrugën “Myslym Keta”, Tiranë, dhe për një ndryshim në vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar”, të ndryshuar, nr.807, datë 30.9.2015, “Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Kulturës te Ministria e Drejtësisë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, të objekteve dhe truallit funksional, me sipërfaqe të përgjithshme 11 754.2 m², pjesë e pronës nr.109, me emërtim “SH.A. Riparim Artilerie”, me vendndodhje në Brar, Tiranë”, dhe nr.355, datë 29.4.2015, “Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Mbrojtjes te Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, të një sipërfaqeje prej 18 179 m², pjesë e pronës nr.109, me emërtim “SH.A. Riparim Artilerie”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, dhe për një ndryshim në vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar”, shfuqizohen.
7. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, ministri i Drejtësisë, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIMI I QENDRËS BAJZË KASTRATI, LOTI I”, MALËSI E MADHE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikimi i qendrës Bajzë Kastrati, loti I”, Malësi e Madhe.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Malësi e Madhe.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “ndërtesë” dhe “njësi shërbimi”, me një vlerë të përgjithshme prej 15 312 062 (pesëmbëdhjetë milionë e treqind e dymbëdhjetë mijë e gjashtëdhjetë e dy) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 15 312 062 (pesëmbëdhjetë milionë e treqind e dymbëdhjetë mijë e gjashtëdhjetë e dy) lekësh, do të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, do të përballohen nga buxheti i vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë.

7. Pronarët, në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, do të kompensohen për efekt shpronësimi pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Malësi e Madhe.

8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Malësi e Madhe, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Malësi e Madhe, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.

9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Malësi e Madhe të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale si dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit, për pasuritë e shpronësuara.

10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financës dhe Ekonomisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Malësi e Madhe dhe Bashkia Malësi e Madhe për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË KONVENTËS SHUMËPALËSHE (MLI) PËR ZBATIMIN E MASAVE QË LIDHEN ME MARRËVESHJET PËR SHMANGIEN E TATIMIT TË DYFISHTË PËR PARANDALIMIN E EROZIONIT TË BAZËS SË TATUESHME DHE TRANSFERIMIN E FITIMIT (BEPS)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin, në parim, të konventës shumëpalëshe (MLI) për zbatimin e masave që lidhen me marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë për parandalimin e erozionit të bazës së tatueshme dhe transferimin e fitimit (BEPS).

2. Lidhur me këtë konventë, Republika e Shqipërisë paraqet rezervat dhe njoftimet, sipas dokumentit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË NDËRMARRJES SË PËRBASHKËT, NGA DHE NDËRMJET SNAM S.P.A. DHE ALBGAZ, SH.A., LIDHUR MË 11 QERSHOR 2018

Në mbështetje të neneve 95 e 100, të Kushtetutës, dhe në vijim të vendimeve të Këshillit të Ministrave, nr.233, datë 21.3.2017, “Për miratimin e marrëveshjes së angazhimit për zhvillimin e tregut të gazit dhe marrëveshjes për përfitimet vendëse, të lidhura ndërmjet Republikës së Shqipërisë, e cila vepron nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik”, dhe nr.164, datë 21.3.2018, “Për negocimin me partnerin privat të përzgjedhur nga shoqëria “Albgaz”, sh.a. për krijimin e një shoqërie të përbashkët për mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit, të ndërtuar nga Trans Adriatic Pipeline AG në territorin e Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e marrëveshjes së ndërmarrjes së përbashkët, nga dhe ndërmjet Snam s.p.a. dhe Albgaz, sh.a., lidhur më 11 qershor 2018.

2. Trajnimi i stafit të shoqërisë së përbashkët për realizimin e mirëmbajtjes së rrjetit të transmetimit sipas standardeve të shoqërisë TAP AG kryhet nga shoqëria Snam s.p.a., në përputhje me ofertën dhe marrëveshjen e lidhur me shoqërinë Albgaz, sh.a.

3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Albgaz, sh.a. për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD), PËR FINANCIMIN SHTESË TË PROJEKTIT “SIGURIA E DIGAVE”, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.40/2012

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I: 

Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin shtesë të projektit “Siguria e digave”, të ratifikuar me ligjin nr.40/2012, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

 

***

 

V E N D I M 

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT, TË SIGURUARA NGA DHURUES TË NDRYSHËM, NËN FONDIN E BESIMIT PËR NGRITJEN E KAPACITETEVE STATISTIKORE III, PËR PROJEKTIN E ZHVILLIMIT TË STRATEGJISË KOMBËTARE TË STATISTIKAVE NË SHQIPËRI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant, të siguruara nga dhurues të ndryshëm, nën Fondin e Besimit për Ngritjen e Kapaciteteve Statistikore III, për projektin e zhvillimit të Strategjisë Kombëtare të Statistikave në Shqipëri, në shumën 133 200 (njëqind e tridhjetë e tre mijë e dyqind) dollarë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

FINANCIMIN E PROJEKTIT “DIASPORA PËR ZHVILLIM” DHE ZBATIMIN E TIJ NGA FONDI SHQIPTAR PËR ZHVILLIMIN E DIASPORËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.109, datë 30.11.2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.32/2018, “Për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Financimin nga buxheti i shtetit të projektit “Diaspora për zhvillim”, me kohëzgjatje 36 (tridhjetë e gjashtë) muaj, me fond total prej 100 590 600 (njëqind milionë e pesëqind e nëntëdhjetë mijë e gjashtëqind) lekësh, sipas projektit bashkëlidhur.

2. Fondi prej 100 590 600 (njëqind milionë e pesëqind e nëntëdhjetë mijë e gjashtëqind) lekësh ndahet, si më poshtë vijon:

a) Për pjesën e mbetur të vitit 2018, të vihet në dispozicion fondi prej 4 078 811 (katër milionë e shtatëdhjetë e tetë mijë e tetëqind e njëmbëdhjetë) lekësh;
b) Për vitin 2019, të vihet në dispozicion fondi prej 44 901 844 (dyzet e katër milionë e nëntëqind e një mijë e tetëqind e dyzet e katër) lekësh;
c) Për vitin 2020, të vihet në dispozicion fondi prej 32 367 559 (tridhjetë e dy milionë e treqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e nëntë) lekësh;
ç) Për vitin 2021, të vihet në dispozicion fondi prej 19 242 386 (nëntëmbëdhjetë milionë e dyqind e dyzet e dy mijë e treqind e tetëdhjetë e gjashtë) lekësh.

3. Shuma e parashikuar në projekt për vitin 2018, prej 4 078 811 (katër milionë e shtatëdhjetë e tetë mijë e tetëqind e njëmbëdhjetë) lekësh, do të përballohet nga pakësimet e fondeve buxhetore, të miratuara në buxhetin e vitit 2018 dhe të papërdorura, për Agjencinë Kombëtare të Diasporës.

4. Për vitin 2019, të parashikohet si zë i veçantë në buxhetin e shtetit, për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, projekti “Diaspora për zhvillim”, me kohëzgjatje 36 (tridhjetë e gjashtë) muaj, me vlerë prej 96 511 789 (nëntëdhjetë e gjashtë milionë e pesëqind e njëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e nëntë) lekësh.

5. Ky projekt do të zbatohet nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës.

6. Fondi total prej 100 590 600 (njëqind milionë e pesëqind e nëntëdhjetë mijë e gjashtëqind) lekësh të transferohet në formë granti, me përfitues Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës, në llogari bankare, në bankë të nivelit të dytë.

7. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ministri i Shtetit për Diasporën dhe Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.