Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 Dhjetor 2019:
V E N D I M
PËR
PROCEDURËN E BLERJES SË BANESAVE NË TREGUN E LIRË, QË I SHTOHEN FONDIT PUBLIK TË BANESAVE SOCIALE ME QIRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 21, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Qëllimi i këtij vendimi është të përcaktojë procedurat për blerjen e banesave në tregun e lirë, të cilat do të përdoren për programin e banesave sociale me qira.
2. Blerja e banesave sociale në tregun e lirë realizohet, si rregull, kur çmimet e shitblerjes së banesave në treg janë më të ulëta se kostoja e ndërtimit të banesave të reja. Njësia e vetëqeverisjes vendore ose Enti Kombëtar i Banesave kryen blerjen e banesës sociale, në zbatim të nenit 21, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, kur kostoja e ndërtimit të një banese sociale me qira, sipas kushteve, normave dhe standardeve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, është më e madhe se vlera në treg e banesave me të njëjtat kushte, norma dhe standarde.
3. Banesat sociale në tregun e lirë, që do të bëhen pjesë e fondit publik të banesave sociale, mund të blihen mbi koston e ndërtimit vetëm për zgjidhjen e rasteve të përcaktuara në pikat 1 e 2, të nenit 21, të ligjit nr.22/2018.
Miratimi i rasteve përjashtimore të blerjes së banesave sociale në treg mbi koston e ndërtimit, në varësi të burimit të financimit, bëhet:
a) me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, kur programi zbatohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore;
b) me vendim të organit drejtues të Entit Kombëtar të Banesave, kur ky përdor burimet e veta të financimit;
c) me urdhër të ministrit përgjegjës për strehimin, kur njësitë e vetëqeverisjes vendore ose institucioni publik i strehimit përdorin fonde që i janë çelur nga buxheti i shtetit.
4. Blerja e banesave sociale me qira kryhet:
a) drejtpërdrejt në treg të lirë; dhe/ose
b) nga shitja e banesave në ankandin e organizuar nga përmbaruesi gjyqësor, pasi ka mbaruar ankandi i parë, sipas procedurës dhe parashikimeve të nenit 557, të Kodit të Procedurës Civile, si dhe në plotësim të kushteve të parashikuara nga shkronja “b”, e nenit 18, të ligjit nr.22/2018.
5. Banesat që blihen për t’iu shtuar fondit të banesave sociale me qira, duhet të plotësojnë normat dhe kushtet e parashikuara në legjislacionin në fuqi, që përcakton kushtet, normat dhe standardet e banesave sociale në programet përkatëse të strehimit.
6. Mungesa e elementeve të përshtatshmërisë së banesave për persona me aftësi të kufizuara ose prania e problemeve teknike si lagështia, rrjedhja e tubacioneve e të tjera, të ngjashme me to, nuk përbëjnë detyrimisht arsye për refuzimin e blerjes, nëse kostot për riparimin e tyre së bashku me çmimin e ofruar për shitje nuk tejkalojnë koston e ndërtimit të një banese të re. Vlera e investimit i shtohet vlerës me të cilën është blerë banesa për llogaritjen e masës së qirasë mujore.
7. Njësia përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore ose Enti Kombëtar i Banesave, përpara fillimit të procedurës me shpalljen publike të ftesës për marrjen e ofertave për shitblerjen e banesave sociale, kryen këto veprime:
a) Formulon shpalljen e ftesës publike për marrjen e ofertave;
b) Përcakton dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin e ofertave duke listuar kërkesat dhe kriteret ligjore e teknike;
c) Identifikon nevojat që rezultojnë për të përfituar nga fondi i banesave sociale me qira, numrin e familjeve/individëve të interesuar dhe numrin përkatës të anëtarëve për çdo familje;
ç) Evidenton për numrin e banesave që mund të blihen dhe strukturën e tyre përkatëse, në varësi të fondit që ka në dispozicion.
8. Shpallja e ftesës për marrjen e ofertave për shitblerjen e banesave sociale bëhet përmes publikimit për tri ditë rresht, në median e shkruar dhe vizive, me shikueshmërinë ose tirazhin më të lartë të botimit, në faqen e internetit të njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe Entit Kombëtar të Banesave, në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare vendore dhe Buletinin e Njoftimeve Publike, si dhe në ambiente me frekuentim të lartë si postat, vendet e pagesave të energjisë elektrike, të marrjes së pensionit etj.
Njoftimi përmban:
a) çmimin tavan për blerjen e banesës, i cili nuk duhet të jetë më i lartë se kostoja e ndërtimit në atë njësi të vetëqeverisjes vendore, e përcaktuar sipas çmimeve të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
b) numrin e apartamenteve që do të blihen;
c) strukturat e apartamenteve dhe sipërfaqjet e tyre, sipas normave përkatëse të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
ç) vendndodhjen e dëshiruar;
d) kushtet dhe standardet që duhet të plotësojë banesa, në respektim të kushteve dhe të standardeve të banesave sociale, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
9. Afati brenda të cilit priten të depozitohen ofertat për banesat sociale që mund të blihen nga tregu i lirë është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, duke filluar nga e nesërmja pas ditës së tretë të publikimit të ofertave në median e shkruar dhe vizive.
10. Njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Enti Kombëtar i Banesave, me shpalljen publike të ftesës për marrjen e ofertave për shitblerjen e banesave sociale, ngrenë komisionin e shqyrtimit të ofertave për administrimin e procedurës së shitblerjes. Komisioni përbëhet nga pesë veta: një nënkryetar i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose një drejtor i Entit Kombëtar të Banesave, në rolin e kryetarit të komisionit, një ekonomist, një inxhinier, një jurist dhe një punonjës/e nga strukturat përgjegjëse për strehim, në rolin e anëtarit të caktuar përkatësisht nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose drejtori i Përgjithshëm i Entit Kombëtar të Banesave. Anëtarë të komisionit caktohen persona të cilët nuk ndodhen në kushtet e konfliktit të interesit.
11. Ofertat përmbajnë, si më poshtë vijon:
a) Informacionin në formë tabelare sipas formatit në shtojcën A, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe përmban:
i. adresën e objektit/eve ku ndodhet apartamenti/et;
ii. vitin e ndërtimit të objektit;
iii. katin në të cilin ndodhet apartamenti/et;
iv. orientimin e apartamentit dhe plotësimin e kushteve e të standardeve të parashikuara në aktet nënligjore të miratuara në zbatim të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”;
v. sipërfaqen e apartamentit/eve dhe të mjediseve të përbashkëta;
vi. praninë e problemeve teknike (p.sh. funksionimi i rrjetit të ujësjellësit dhe i shkarkimit të ujërave të zeza, praninë e lagështirës etj,);
vii. çmimin e ofruar për shitje, të shprehura në lekë për apartament.
b) Certifikatën e pronësisë;
c) Kartelën e pasurisë së tre muajve të fundit (seksioni E);
ç) Planimetrinë e apartamentit/eve.
12. Ofertat duhet të dorëzohen në adresën e përcaktuar në shpalljen publike të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose Entit Kombëtar të Banesave, brenda afatit kohor të specifikuar në shpallje. Në orën, vendin dhe ditën e shpallur, komisioni i vlerësimit të ofertave fton përfaqësuesit e ofertuesve të paraqesin ofertat e tyre në zarf të mbyllur.
13. Me hapjen e ofertave, komisioni i vlerësimit të ofertave ushtron këto detyra:
a) Vlerëson ofertat e depozituara dhe çmimet përkatëse për çdo banesë sociale të ofruar për blerje dhe shkualifikon çdo ofertë që dukshëm, bazuar në dokumentet e depozituara, nuk plotëson kushtet e termave të referencës;
b) Përzgjedh ofertën/ofertat me vlerën më të ulët të banesave, ndërmjet banesave që plotësojnë kushtet, normat dhe standardet në fuqi;
c) Kryen, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga hapja e ofertave, këqyrjen e banesave sociale të ofruara për blerje, të cilat inspektohen nga inspektorë të higjienës dhe inxhinierë civilë, për të parë nëse plotësojnë kushtet dhe standardet e përcaktuara për banesat sociale që blihen në treg, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, dhe plotësojnë një formular për rezultatet e inspektimit, sipas modelit të parashikuar në shtojcën B, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Kur konstatohen mangësi në dokumentacionin e nevojshëm të ofertave, i kërkohet ofertuesve t’i plotësojnë ato brenda 7 (shtatë) ditëve;
ç) Njofton me shkrim subjektin/et e përzgjedhura për t’iu blerë banesën sociale;
d) Shpall listën e subjekteve, nga të cilët do të bëhet blerja e banesave sociale, në faqen e internetit të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose të Entit Kombëtar të Banesave.
14. Subjekti/et i/e vlerësuar/a për blerjen e banesave sociale në treg të lirë njoftohen me shkrim. Njoftimi përmban:
a) emrin, adresën e subjektit;
b) identifikimin e banesës, vendndodhjen, parcelën, sipërfaqen;
c) çmimin për apartament dhe vlerën e kontratës;
ç) ftesën për të nënshkruar kontratën.
15. Kur nuk paraqitet asnjë ofertë për blerjen e banesave sociale, thirrja publike rishpallet edhe një herë. Nëse përsëri nuk ka asnjë ofertë, njësia e vetëqeverisjes vendore ose Enti Kombëtar i Banesave rifillon procedurën e vlerësimit të përdorimit të këtij programi pas të paktën 6 (gjashtë) muajve.
16. Kur banesat ose objektet janë në pronësi të ndërmarrjeve shtetërore në likuidim, ose në pronësi të të tretëve, fituar nga shitja në ankand e pronës shtetërore, kur në to janë strehuar familjarë me ose pa autorizime nga subjektet shtetërore, kur këto objekte nuk plotësojnë kushtet teknike, normat e standardet dhe përbëjnë rrezik për jetën e banorëve, kur familjet që banojnë në to janë të rrezikuara të nxirren jashtë me forcë për shkak të lirimit të objektit, kur banorët janë familje/individë që plotësojnë kushtet sociale të parashikuara në nenin 16, të ligjit nr.22/2018, si edhe me mirëkuptim me pronarin e objektit, përjashtimisht, banesa sociale mund të blihet në treg pa zhvilluar procedurën e shpalljes publike të thirrjes për oferta.
Njësia e vetëqeverisjes vendore ose Enti Kombëtar i Banesave mbështetet financiarisht nga buxheti i shtetit, kur me të ardhurat e tyre nuk përballojnë financimin për blerjen e objektit dhe/ose investimin për përshtatjen e tij gradualisht me kushtet, normat dhe standardet në fuqi. Çmimi i blerjes negociohet ndërmjet palëve, pasi të jetë bërë një vlerësim paraprak i gjendjes së tregut dhe i kostos së investimit për përshtatjen e banesës në raport me vlerën e një ndërtimi të ri në treg nga struktura përgjegjëse për strehimin. Vendimi për blerjen merret nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose këshilli drejtues i Entit Kombëtar të Banesave, vetëm nëse vlerësimi paraprak i bërë tregon se kostot për blerjen e objektit dhe investimit për përshtatjen graduale do të ishin më të ulëta sesa kostot për ndërtimin e një objekti të ri, si edhe kur plotësohet njëri nga rastet e parashikuara në pikën 2, të nenit 21, të ligjit nr.22/2018. Banesa ose objekti i blerë i shtohet fondit publik të banesave sociale.
17. Kontrata për blerjen e banesave të destinuara për t’u dhënë me qira, si pjesë e fondit publik të banesave sociale, bëhet me akt noterial dhe lidhet ndërmjet kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose titullarit të Entit Kombëtar të Banesave, ose personit të autorizuar prej tyre, dhe subjektit publik ose privat në rolin e shitësit. Kontrata parashikon kalimin e objektit në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose Entit Kombëtar të Banesave, së bashku me pjesën në bashkëpronësi, sipas dispozitave të Kodit Civil dhe ligjit nr.10112, datë 9.4.2009, “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit”. Njësia e vetëqeverisjes vendore/Enti Kombëtar i Banesave ushtron të njëjtat detyrime dhe të drejta që burojnë nga statusi si bashkëpronar.
18. Kontrata për blerjen e banesave sociale në treg, të destinuara për dhënien me qira, i dërgohet Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për regjistrimin e kalimit të së drejtës së pronësisë në favor të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose Entit Kombëtar të Banesave, si pjesë e fondit publik të banesave sociale me qira.
19. Ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore, Enti Kombëtar i Banesave dhe subjektet e tjera që financojnë për zbatimin e programeve të blerjes së banesave që do të jepen me qira për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA KORÇË, TË PRONËS NR.545, ME EMËRTIM “AERODROM FUSHOR”, ME VENDNDODHJE NË KORÇË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Korçë, të pronës nr.545, me emërtim “Aerodrom fushor”, me vendndodhje në Korçë, sipas planrilevimit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, të hiqet prona nr.545, me emërtim “Aerodrom fushor”, me vendndodhje në Korçë, sipas planrilevimit.
3. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, kryetari i Bashkisë Korçë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletore zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KUSHTEVE TË PËRGJITHSHME DHE TË POSAÇME TË KONTRATËS SË RIJETËZIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 186, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kushteve të përgjithshme dhe të posaçme të kontratës së rijetëzimit, të cilat i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe të gjitha institucionet që kanë në administrim pasuri kulturore publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.145, DATË 20.2.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, ME PËRFAQËSUES, NË SHTABIN “EUFOR”, NË KUADËR TË OPERACIONIT USHTARAK “ALTHEA”, TË BASHKIMIT EVROPIAN, NË BOSNJË-HERCEGOVINË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 3, e vendimit nr.145, datë 20.2.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Kohëzgjatja e këtij misioni është deri në 26 shkurt 2025. Kohëzgjatja për çdo rotacion është 6 (gjashtë) muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me përfaqësuesin e radhës.”.
2. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.489, DATË 19.7.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I NËNSTACIONIT 110 KV ORIKUM DHE NËNSTACIONIT 110 KV HIMARË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.489, datë 19.7.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen 1 884.37 (një mijë e tetëqind e tetëdhjetë e katër pikë tridhjetë e shtatë) m² tokë arë, me shumën e përgjithshme 384 412 (treqind e tetëdhjetë e katër mijë e katërqind e dymbëdhjetë) lekë.”.
b) Tabelës, bashkëlidhur vendimit, i shtohet tabela që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST, sh.a.), Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria Vendore Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.910, DATË 22.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN USHTARAK NDËRKOMBËTAR KFOR, KOSOVË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.910, datë 22.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Kohëzgjatja e këtij misioni është deri më 31 dhjetor 2024. Periudha e qëndrimit në mision, për çdo përfaqësues, të jetë me sistem rotacioni çdo 6 (gjashtë) muaj dhe 1 (një) vit për postin ACOS SPT, periudha, të cilave u shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me kontingjentin e radhës (marrje dhe dorëzim detyre, vonesa të transportit strategjik).”.
b) Shkronja “a”, e pikës 5, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 6 000 (gjashtë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.911, DATË 22.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN “RSM”, NË SHTABE TË NDRYSHME TË NATO-S, NË AFGANISTAN”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.911, datë 22.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndyshuar, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Dërgimin me mision të personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të përbërë nga 12 (dymbëdhjetë) ushtarakë, në shtabe të ndryshme të NATO-s, në Kabul dhe Herat, Afganistan, si më poshtë vijon:
Në Shtabin e Resolute Support Mission (RSM HQ), në operacionin RSM”, në Kabul, Afganistan:
– numri i pjesëmarrjes, 1 (një) ushtarak;
– venddislokimi, Kabul, Afganistan.
Në Shtabin e Trajnim-Këshillimit dhe Ndihmës (TAAC-Capital), në operacionin “RSM”, Kabul, Afganistan:
– numri i pjesëmarrjes, 4 (katër) ushtarakë;
– venddislokimi, Kabul, Afganistan.
Në Shtabin e Operacioneve të Forcave Speciale të NATO-s (NSOCC-A), në operacionin “RSM”, në Kabul, Afganistan:
– numri i pjesëmarrjes, 1 (një) ushtarak;
– venddislokimi, Kabul, Afganistan.
Në Shtabin e Trajnim-Këshillimit dhe Ndihmës në (TAAC-West), në operacionin “RSM”, në Herat, Afganistan:
– numri i pjesëmarrjes, 6 (gjashtë) ushtarakë;
– venddislokimi, Herat, Afganistan.”.
b) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Kohëzgjatja e këtij misioni është deri më 31 dhjetor 2024. Periudha e qëndrimit në mision, për çdo kontingjent, do të jetë me sistem rotacioni çdo 6 (gjashtë) muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me kontingjentin e radhës (marrjen dhe dorëzimin e detyrës, vonesa të transportit strategjik). Për postet Crisis Establishment (CE), që plotësohen nga oficerë me gradën “Kolonel”, rotacioni të jetë 1 (një) vit.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.912, DATË 22.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN “RSM” TË NATO-S, PRANË KOMANDËS SË BATALIONIT SHUMËKOMBËSH, NË AFGANISTAN”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.912, datë 22.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në pikën 1, numri “… 66 (gjashtëdhjetë e gjashtë) …” ndryshohet dhe bëhet “… 33 (tridhjetë e tre) …”;
b) Fjalia e parë e pikës 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Kohëzgjatja e këtij misioni është deri më 31 dhjetor 2024.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA DREJTORIA E PËRGJITHSHME E TATIMEVE TE AGJENCIA SHTETËRORE E KADASTRËS, TË PASURISË 14/86, ZONA KADASTRALE 8571, DHE NGA MINISTRIA E DREJTËSISË TE DREJTORIA E PËRGJITHSHME E TATIMEVE, TË PASURISË 16/51-8, ZONA KADASTRALE 8571, NJËSIA ADMINISTRATIVE LUSHNJË, DHE PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.448, DATË 16.6.2005, TË NDRYSHUAR, DHE NR.818, DATË 6.12.2006, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës, të pasurisë 14/86, zona kadastrale 8571, me sipërfaqe truall 570 m2 dhe ndërtesë 265 m2, njësia administrative Lushnjë, sipas hartës kadastrale bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim ushtrimin e funksioneve administrative të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lushnjë.
2. Pasuria e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.818, datë 6.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, të ndryshuar.
3. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Drejtësisë te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, të pasurisë 16/51-8, zona kadastrale 8571, njësi me sipërfaqe 125 m2, njësia administrative Lushnjë, sipas hartës kadastrale dhe planimetrisë bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim ushtrimin e funksioneve administrative të Agjencisë Tatimore Lushnjë.
4. Pasuria e përmendur në pikën 3, të këtij vendimi, hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme, shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.448, datë 16.6.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”, të ndryshuar, dhe i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.818, datë 6.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, të ndryshuar.
5. Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e përdorimit, t’i tjetërsojnë ose t’ua japin në përdorim të tretëve pasuritë e përcaktuara në pikat 1 dhe 3, të këtij vendimi.
6. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR GRUMBULLIMIN, AMBALAZHIMIN, TRANSPORTIN, RUAJTJEN, ETIKETIMIN, NJOFTIMIN E AKTIVITETIT DHE KONTROLLIN E PRODUKTEVE BIOLOGJIKE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të neneve 18, 29, 33 e 36, të ligjit nr.106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave të hollësishme për grumbullimin, ambalazhimin, transportin, ruajtjen, etiketimin, njoftimin e aktivitetit dhe kontrollin e produkteve biologjike, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, trupat e kontrollit dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për zbatimin e këtij vendimi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR SHTESËN E FINANCIMIT PËR PROJEKTIN E BURIMEVE UJORE DHE UJITJES
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të ndryshimit me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e financimit për projektin e burimeve ujore dhe ujitjes, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “KOMUNA E PARISIT-RRUGË E RE TIRANË – ELBASAN” (SHTESA)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Komuna e Parisit – Rrugë e Re Tiranë – Elbasan” (shtesa).
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “Truall”, me vlerë 3 626 125 (tre milionë e gjashtëqind e njëzet e gjashtë mijë e njëqind e njëzet e pesë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 3 626 125 (tre milionë e gjashtëqind e njëzet e gjashtë mijë e njëqind e njëzet e pesë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2019, zëri “Shpronësime”, miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar, në programin buxhetor “Transporti rrugor”.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit (Autoritetit Rrugor Shqiptar).
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit (Autoritetit Rrugor Shqiptar) për pasuritë e shpronësuara.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.513, DATË 13.6.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE E TË DOKUMENTACIONIT PËR HYRJEN, QËNDRIMIN DHE TRAJTIMIN E TË HUAJVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 30, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.513, datë 13.6.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në aneksin nr.3, “Lista e shteteve, shtetasit e të cilëve hyjnë pa vizë në Republikën e Shqipërisë dhe çfarë dokumenti duhet të paraqesin”, që i bashkëlidhet vendimit, shtohet shteti “Kinë, Republika Popullore*”, me dokumentin pasaportë.
b) Në aneksin nr.4, “Lista e shteteve, shtetasit e të cilave hyjnë me vizë në Republikën e Shqipërisë dhe përfaqësitë ku mund të bëhet aplikimi, si dhe tarifa përkatëse e shërbimit me vizë”, që i bashkëlidhet vendimit, të ndryshuar, hiqet shteti “Kinë, Republika Popullore”, për vizat “C”.
2. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË SEKTORIALE TË MENAXHIMIT TË FINANCAVE PUBLIKE 2019-2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 16, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Sektoriale të Menaxhimit të Financave Publike 2019-2022 dhe të planit të veprimit të saj, sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vendimi nr.908, datë 17.12.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Strategjisë Sektoriale për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe të gjitha institucionet e përmendura në strategjinë dhe planin e veprimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SUBVENCIONIMIN E DHOMËS KOMBËTARE TË ZEJTARISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 45, të ligjit nr.70/2016, “Për zejtarinë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbështetjen e Dhomës Kombëtare të Zejtarisë, për një periudhë njëvjeçare, në masën 55 000 000 (pesëdhjetë e pesë milionë) lekë.
2. Ky fond të përballohet nga shpenzimet korrente në programin “Tregu i punës”, miratuar për vitin 2019, për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
3. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA