Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 maj 2016
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT POLITIK PËR SIGURINË DHE SHËNDETIN NË PUNË, 2016-2020, DHE PLANIT TË VEPRIMIT TË ZBATIMIT TË TIJ  
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Dokumentit Politik për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, 2016-2020, dhe planit të veprimit të zbatimit të tij, sipas teksteve që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet e përmendura në planin e veprimit për ndjekjen dhe zbatimin e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M  
PËR
KALIMIN NË PRONËSI, NGA SHËRBIMI INFORMATIV I SHTETIT TE BASHKIA LIBRAZHD, TË PRONËS ME NUMËR PASURIE 7/19, NË ZONËN KADASTRALE 2446 LIBRAZHD, SI DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.359, DATË 5.6.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI SHËRBIMIT INFORMATIV SHTETËROR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, shkronja “a”, 5, 7, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, nga Shërbimi Informativ i Shtetit te Bashkia Librazhd, të pronës me numër pasurie 7/19, të ndodhur në zonën kadastrale 2446 Librazhd, me sipërfaqe trualli 1552 (një mijë e pesëqind e pesëdhjetë e dy) m2 dhe ndërtesë 371 (treqind e shtatëdhjetë e një) m2, sipas formularit dhe planimetrisë që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për sistemimin me ambiente pune të administratës së Bashkisë Librazhd.
2. Në listën e inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.359, datë 5.6.2003, të Këshillit të Ministrave, hiqet prona me numër pasurie 7/19, e ndodhur në zonën kadastrale 2446 Librazhd, me sipërfaqe trualli 1552 (një mijë e pesëqind e pesëdhjetë e dy) m2 dhe ndërtesë 371 (treqind e shtatëdhjetë e një) m2.
3. Bashkisë Librazhd i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, kryetari i Bashkisë Librazhd, kryetari i Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
* * * 
V E N D I M
PËR
REVOKIMIN E VENDIMIT NR.81, DATË 27.1.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS EKONOMIKE NË LEZHË DHE PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT KONTRAKTUES, PËR DHËNIEN E STATUSIT TË ZHVILLUESIT TË KËSAJ ZONE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 2, të nenit 4, të  ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, dhe të neneve 121, 122 e 125, të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Revokimin e vendimit nr.81, datë 27.1.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës ekonomike në Lezhë dhe përcaktimin e autoritetit kontraktues, për dhënien e statusit të zhvilluesit të kësaj zone”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * * 
V E N D I M
PЁR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TË KOMUNIKIMIT, KONSULTIMIT DYPALËSH DHE VENDIMMARRJES PËR LEJEN E MJEDISIT TË TIPIT A, PËR FUNKSIONIMIN E INSTALIMIT TË VENDOSUR  NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QË KA MUNDËSI REALE TË KRIJOJË EFEKTE NEGATIVE TË KONSIDERUESHME NË MJEDISIN E NJË SHTETI TJETËR, OSE MENJËHERË PASI I KËRKOHET NGA KY SHTET
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 22, të ligjit nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit,  Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave të komunikimit, konsultimit dypalësh dhe vendimmarrjes lidhur me lejen e mjedisit të tipit A, për funksionimin e instalimit të vendosur në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që ka mundësi reale të krijojë efekte negative të konsiderueshme në mjedisin e një shteti tjetër, ose menjëherë pasi i kërkohet nga ky shtet, sipas tekstit bashkëngjitur këtij projektvendimi.
2. Të gjithë termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim që u jepet, përkatësisht, në:
a) ligjin nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar;
b) ligjin nr.10448, datë 7.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar;
c) ligjin nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, të ndryshuar.
3. Ngarkohen Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet juridike nga data 1 shtator 2016.
K R Y E M I N I S T R I   
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KUSHTET DHE KRITERET E USHTRIMIT TË VEPRIMTARISË SË STACIONIT TË PLAZHIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 64, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Të gjitha aktet nënligjore apo dispozitat e tjera të parashikuara në akte nënligjore, që vijnë në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohen.
3. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Inspektorati Përgjegjës për Turizmin dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * * 
V E N D I M
PËR 
SHEMBJEN E DISA NDËRTESAVE EKONOMIKE DHE ADMINISTRATIVE TË DISA NDËRMARRJEVE E SHOQËRIVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shembjen e ndërtesave ekonomike dhe administrative në shoqërinë OST, sh.a., Ndërmarrjen e Prodhimit të Çeliqeve, Uzinën 12 & NI-CO, Uzinën e Plehrave Azotike, ndërmarrje në likuidim, dhe Kombinatin Energjetik, sh.a., në likuidim, sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen subjektet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, të kryejnë procedurat e ankandeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për asetet, të cilat, në përfundim të procesit, kanë vlerë ekonomike.
3. Ngarkohen subjektet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, të bëjnë reflektimet në regjistrat e pasurive të paluajtshme, për ndërtesat ekonomike që hiqen nga aktivet e bilanceve.
4. Ngarkohen subjektet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, për zbatimin e tij.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
                       V E N D I M                       
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKIVE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME DHE TË LUAJTSHME SHTETËRORE TË SHËRBIMIT TË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIT DHE PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1691, DATË 10.10.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË  PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË  NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR PREFEKTËT NË QARQE DHE NËNPREFEKTËT, ADMINISTRATËN E TYRE,  PËR DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË EMERGJENCAVE CIVILE, (DREJTORINË E PMNZSH-SË)”, TË NDRYSHUAR.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, 4, 5, 7 e 8,  të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, të pikës 1, të nenit 53, të ligjit nr.152/2015, “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”, dhe të pikës 2, të nenit 29, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:   
1. Transferimin, nga Ministria e Punëve të Brendshme, prefektët në qarqe, nënprefektët dhe administrata e tyre, te bashkitë, në territorin e të cilave është vendndodhja e tyre, të:
a) pronave të paluajtshme shtetërore të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit, sipas formularëve bashkëlidhur. Lista e inventarit përbëhet nga 16 (gjashtëmbëdhjetë) fletë dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
b) aktiveve të tjera të qëndrueshme (autozjarrfikëse dhe mjete të tjera transporti, pajisje, inventari ekonomik etj.) dhe aktive qarkulluese (materiale të shërbimit të zjarrfikëseve dhe objekte të tjera inventari).
2. Prefektët në qarqe dhe kryetarët e bashkive të ngrenë komisione të përbashkëta për dorëzimin e të gjithë dokumentacionit teknik dhe inventarit fizik përkatës, për pronat e transferuara sipas shkronjave “a” e “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, brenda datës 25 maj 2016.
3. Bashkive, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, u ndalohet tjetërsimi,  ndërrimi i destinacionit apo dhënia në përdorim të tretëve të pronave të përcaktuara në këtë vendim.
4. Pronat, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, të hiqen nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, miratuar me vendimin nr.1691, datë 10.10.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Brendshme, për prefektët në qarqe dhe nënprefektët, administratën e tyre, për Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile, (Drejtorinë e PMNZSH-së)”, të ndryshuar.
5. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, prefektët në qarqe, kryetarët e bashkive respektive dhe kryeregjistruesi i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.