Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 Mars 2020:
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.11, DATË 10.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRIT TË SHTETIT PËR RINDËRTIMIN”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas kreut II, të vendimit nr.11, datë 10.1.2020, të Këshillit të Ministrave, shtohet kreu II/1, me këtë përmbajtje:
“II/1. Ministri i Shtetit për Rindërtimin është përgjegjës për koordinimin dhe drejtimin e punës, ndërmjet ministrive dhe institucioneve, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19. Në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Ministrave, është përgjegjës për:
a) koordinimin, drejtimin dhe ndjekjen e veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19;
b) evidentimin e burimeve të brendshme, financiare dhe njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore, dhe propozimin për miratim në Këshillin e Ministrave të akteve përkatëse, për përdorimin e këtyre burimeve;
c) evidentimin e burimeve financiare të jashtme dhe përcaktimin e mënyrës së përthithjes së tyre, për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19 dhe propozimin për miratim në Këshillin e Ministrave të akteve përkatëse, për përdorimin e këtyre burimeve;
ç) koordinimin dhe drejtimin e strukturave e të njësive, shtetërore dhe publike, të ngarkuara drejtpërdrejt për kryerjen e detyrave, për zbatimin e planit të përballimit të situatës ekonomike, të shkaktuar nga infeksioni COVID-19;
d) prezantimin e gjendjes dhe të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19;
dh) përgatitjen dhe propozimin e projekteve, të përgjithshme e të veçanta, si pjesë të planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19;
e) detajimin e nevojave për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19;
ë) koordinimin dhe drejtimin e punës si dhe rekomandimin e institucioneve për përgatitjen dhe paraqitjen për miratim në Këshillin e Ministrave të projektakteve, ligjore e nënligjore, për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID-19;
f) nxitjen, bashkërendimin dhe dhënien e mendimit për projektaktet që propozohen nga ministritë, të cilat trajtojnë, ndër të tjera, edhe çështje me interes ose brenda fushës së përgjegjësisë së tij;
g) thirrjen për raportim të strukturave të cilat kanë lidhje me situatën ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19;
gj) krijimin dhe drejtimin e grupeve të punës dhe organizimin e veprimtarive për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID-19;
h) bashkërendimin me ministritë dhe institucionet shtetërore për sigurimin e të dhënave të nevojshme dhe përcjelljen e porosive në funksion të realizimit të planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID-19;
i) informimin, vazhdimisht dhe në kohë, të Kryeministrit, kur është rasti, edhe Këshillin e Ministrave, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID-19.
2. Ngarkohet ministri i Shtetit për Rindërtimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.586, DATË 30.8.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PUNËSIMIN E PËRKOHSHËM TË STUDENTËVE TË EKSELENCËS NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 2, të kreut III, të vendimit nr.586, datë 30.8.2019, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Përjashtimisht për vitin 2020, afati i kontratës së lidhur për studentët e ekselencës të punësuar në pozicione të shërbimit civil, sipas procedurave të thirrjes së parë të publikuar në janar 2019, shtyhet deri në përfundim të procedurave të rekrutimit në shërbimin civil, për këto pozicione pune.”.
2. Ngarkohen Departamenti i Administratës Publike dhe institucionet e administratës shtetërore, pjesë të fushës së veprimit të legjislacionit për nëpunësin civil, për zbatim e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËR CAKTIMIN E DATËS 20 MARS 2020 DITË PUSHIMI PËR NËPUNËSIT DHE PUNONJËSIT E ADMINISTRATËS PUBLIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Caktimin e datës 20 mars 2020 ditë pushimi për nëpunësit civilë dhe punonjësit e tjerë në administratën publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore.
2. Nëpunësit civilë dhe punonjësit e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, gjatë kësaj periudhe, ngarkohen të kryejnë çdo detyrë funksionale që u ngarkohet nga eprori i drejtpërdrejtë ose titullari i institucionit, e cila mund të përmbushet në kushtet e banesës, nëpërmjet komunikimit telefonik apo të mënyrave të tjera të komunikimit elektronik.
3. Përjashtohen nga zbatimi i pikës 1, të këtij vendimi, punonjësit që janë personel shëndetësor.
4. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA