Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 Mars 2022:
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE NË BASHKITË DURRËS, VORË, KAMZË DHE RROGOZHINË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave.
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 1 509 744 532 (një miliard e pesëqind e nëntë milionë e shtatëqind e dyzet e katër mijë e pesëqind e tridhjetë e dy) lekë, për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para, në bazë të aktekspertizave të thelluara në bashkitë Durrës, Vorë, Kamzë dhe Rrogozhinë, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Bashkisë Durrës, në masën 462 554 300 (katërqind e gjashtëdhjetë e dy milionë e pesëqind e pesëdhjetë e katër mijë e treqind) lekë;
b) Bashkisë Vorë, në masën 369 471 748 (treqind e gjashtëdhjetë e nëntë milionë e katërqind e shtatëdhjetë e një mijë e shtatëqind e dyzet e tetë) lekë;
c) Bashkisë Kamzë, në masën 88 600 000 (tetëdhjetë e tetë milionë e gjashtëqind mijë) lekë;
ç) Bashkisë Rrogozhinë, në masën 589 118 484 (pesëqind e tetëdhjetë e nëntë milionë e njëqind e tetëmbëdhjetë mijë e katërqind e tetëdhjetë e katër) lekë.
2. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2022, nga bashkitë Durrës, Vorë, Kamzë dhe Rrogozhinë, në masën 905 846 718 (nëntëqind e pesë milionë e tetëqind e dyzet e gjashtë mijë e shtatëqind e tetëmbëdhjetë) lekë, për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para, në bazë të aktekspertizave të thelluara, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Bashkisë Durrës i transferohet fondi, në masën 277 532 580 (dyqind e shtatëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e tridhjetë e dy mijë e pesëqind e tetëdhjetë) lekë;
b) Bashkisë Vorë i transferohet fondi, në masën 221 683 048 (dyqind e njëzet e një milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e tre mijë e dyzet e tetë) lekë;
c) Bashkisë Kamzë i transferohet fondi, në masën 53 160 000 (pesëdhjetë e tre milionë e njëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë;
ç) Bashkisë Rrogozhinë i transferohet fondi, në masën 353 471 090 (treqind e pesëdhjetë e tre milionë e katërqind e shtatëdhjetë e një mijë e nëntëdhjetë) lekë.
3. Efekti financiar, për vitin 2022, përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2022, dhe i transferohet bashkive Durrës, Vorë, Kamzë dhe Rrogozhinë, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para.
4. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Durrës, Vorë, Kamzë dhe Rrogozhinë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NGRITJEN E BAZËS SË TË DHËNAVE PËR REGJISTRIN KOMBËTAR TË FONDIT PYJOR DHE REGJISTRIN E FONDIT KULLOSOR, PËRCAKTIMIN E STRUKTURËS, KRITEREVE TEKNIKE PËR EVIDENTIMIN DHE PASQYRIMIN E GJENDJES DHE TË NDRYSHIMEVE, MËNYRËS SË MBAJTJES SË TË DHËNAVE NË NIVEL VENDOR, RAJONAL E QENDROR, INFORMACIONIT QË DUHET REGJISTRUAR, SI DHE TË AFATEVE TË PËRGATITJES E RAPORTIMIT NGA ADMINISTRATORËT OSE PRONARËT E PYJEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 6, të ligjit nr.57/2020, “Për pyjet”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Objekti i këtij vendimi është:
a) krijimi i bazës së të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Fondit Pyjor dhe Regjistrit të Fondit Kullosor në nivel vendor, rajonal e qendror;
b) përcaktimi i strukturës së Regjistrit Kombëtar të Fondit Pyjor (në vijim, Regjistri) me tërësinë e informacioneve kadastrale të nevojshme dhe të ndryshimeve periodike për çdo njësi të fondit pyjor kombëtar, që regjistrohet;
c) përcaktimi i kërkesave për funksionimin e Regjistrit, që lidhen me kriteret teknike për evidentimin dhe pasqyrimin e gjendjes e të ndryshimeve, mënyrën e mbajtjes së të dhënave në nivel vendor, rajonal dhe qendror, informacionin që regjistrohet në Regjistër;
ç) përcaktimi i afateve për raportimin e të dhënave nga administratorët apo pronarët e pyjeve, në përputhje me parashikimet e këtij vendimi.
2. Përveç përkufizimeve të dhëna në ligjin në fuqi për pyjet, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Administrator”, përdoruesi i programit në nivel qendror në agjenci;
b) “Përdorues”, përdoruesi, në nivel bashkie, nga administrata rajonale e zonave të mbrojtura dhe/ose çdo subjekt tjetër i interesuar;
c) “Të dhëna parësore”, sipas kuptimit në ligjin nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”;
ç) “Të dhëna dytësore”, sipas kuptimit në ligjin nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”;
d) “Subjekt i interesuar”, sipas kuptimit në ligjin nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”;
dh) “Ndërveprim”, sipas kuptimit në ligjin nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”.
II. BAZA E TË DHËNAVE PËR REGJISTRIN KOMBËTAR TË FONDIT PYJOR E REGJISTRIN E FONDIT KULLOSOR, STRUKTURA, TË DHËNAT QË PËRMBAN, DHËNËSI/DHËNËSIT E INFORMACIONIT, ADMINISTRIMI, NDËRVEPRIMI ME BAZAT E TJERA TË TË DHËNAVE DHE NIVELI I AKSESIMIT PËR SUBJEKTET E INTERESUARA
1. Baza e të dhënave shtetërore për Regjistrin Kombëtar të Fondit Pyjor dhe Regjistrin e Fondit Kullosor (në vijim, baza e të dhënave) përbëhet nga të dhëna për fondin pyjor e kullosor në territorin e Republikës së Shqipërisë, të cilat janë përbërëse të shtresave hartografike, që përdoren për të kufizuar ose përcaktuar fushat në grupet e të dhënave.
2. Të dhënat që përfshihen në strukturën e Regjistrit Kombëtar të Fondit Pyjor dhe në Regjistrin e Fondit Kullosor janë të dhëna parësore dhe të dhëna dytësore. Të dhënat parësore dhe dytësore jepen në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Dhënësit e informacionit janë njësitë e vetëqeverisjes vendore, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura me degët rajonale të saj dhe Agjencia Kombëtare e Pyjeve.
4. Baza e të dhënave administrohet, mirëmbahet e përditësohet nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve.
5. Baza e të dhënave ndërvepron me bazën e të dhënave të Regjistrit Elektronik të Pasurive të Paluajtshme dhe Gjeoportalin Kombëtar.
6. Baza e të dhënave disenjohet e konceptohet duke u mbështetur në përkufizimet e “administratorit” dhe të “përdoruesit”, si dhe ndërtohet në përputhje me objektivat e nivelit të aksesimit për subjektet e interesuara.
7. Niveli i aksesimit për subjektet e interesuara:
a) Në nivel qendror ose në atë të “administratorit”, ku përfshihen administratorët e programit në Agjencinë Kombëtare të Pyjeve;
b) Në nivelin “përdorues”, i cili diferencohet në tri kategori:
i. rajonal, i konceptuar në përputhje me përdoruesin që operon sipas ndarjes territoriale administrative, që përkon me qarkun;
ii. bashkiak, i cili përfshin përdoruesit në të gjitha bashkitë që zotërojnë fond pyjor;
iii. degët rajonale të agjencisë përgjegjëse për zonat e mbrojtura.
c) Çdo subjekt i interesuar.
III. KRITERET TEKNIKE PËR EVIDENTIMIN DHE PASQYRIMIN E GJENDJES DHE TË NDRYSHIMEVE NË REGJISTRIN KOMBËTAR TË FONDIT PYJOR
1. Regjistri ndërtohet dhe funksionon në përputhje me kriteret teknike të informacionit gjeohapësinor (GIS), që përdoret për evidentimin e regjistrimin fillestar të pyjeve dhe me të dhënat për mbajtjen e pasqyrimin e ndryshimeve periodike që pëson fondi pyjor, të përcaktuara në aneksin nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Në regjistër përditësohen, në të gjitha nivelet e aksesimit të përcaktuara në pikën 7, të kreut II, të këtij vendimi, treguesit e mëposhtëm:
a) Gjendja e fondit pyjor për treguesit kryesorë silvoteknikë, sipas pronësisë dhe përdorimit;
b) Niveli i menaxhimit të këtij fondi, nëpërmjet informimit të shpejtë në hapësirë dhe në kohë për gjendjen e mundësitë e përdorimit të qëndrueshëm të tij.
3. Regjistri u referohet të dhënave nga:
a) plani i mbarështimit, i cili është baza për krijimin e regjistrit dhe për përditësimin në vijueshmëri të treguesve të fondit pyjor e kullosor kombëtar;
b) ekonomia pyjore/kullosore (njësia e mbarështimit), që është niveli themeltar unik i informacionit, mbi të cilën prodhohen raporte nga Regjistri;
c) nënngastra (nënparcela) pyjore/kullosore, e cila është njësia më e vogël hartografike, mbi të cilën regjistrohet e përditësohet informacioni.
4. Përdoruesi në nivel bashkie ka të drejtë të propozojë ndryshime, përditësim të informacionit dhe të prodhojë raporte nga Regjistri vetëm në konturin (kufirin) nën juridiksionin administrativo-territorial të asaj bashkie.
5. Lidhur me të dhënat për zonat e mbrojtura, përdoruesi i agjencisë përgjegjëse për zonat e mbrojtura propozon ndryshime, përditësim të informacionit dhe prodhon raporte nga Regjistri vetëm për zonat e mbrojtura nën juridiksionin administrativo-territorial të asaj agjencie.
6. Propozimi i ndryshimit dhe i përditësimit të informacionit në Regjistër është i vlefshëm vetëm kur ai pranohet nga administratori.
7. Ndryshimi, përditësimi i të dhënave dhe pranimi i tyre nga administratori bëhet mbi bazën e dokumentacionit ligjor e teknik, të cilat i vihen në dispozicion nga “përdoruesi”.
8. Mbajtja dhe regjistrimi në regjistrin e fondit kullosor, përditësimi i gjendjes së fondit kullosor, sipërfaqja dhe kapaciteti mbajtës, sipas pronësisë, dhe ndryshimi i gjendjes së kullotave specifikohen në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi për kullotat.
IV. INFORMACIONI QË REGJISTROHET NË REGJISTËR, AFATET E PËRGATITJES E TË RAPORTIMIT NGA ADMINISTRATORËT OSE PRONARËT E PYJEVE
1. Informacioni që mbartet e regjistrohet në Regjistër është në përputhje me formatin e raportimeve në nivel rajonal, kombëtar e ndërkombëtar në këtë fushë.
2. Baza e informacionit fillestar në Regjistër, që shërben si vit bazë reference, është ai i vitit 1985.
3. Informacioni në Regjistër është alfanumerik, gjeohapësinor dhe organizohet në përputhje me standardet e kërkuara të raportimit, të përcaktuara në aneksin nr.2 dhe në shtojcat 2 e 3, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
4. Raportimi i Regjistrit nga administratori bëhet 1 (një) herë në vit për standardin kombëtar të statistikave dhe sa herë që kërkohet nga subjekte të interesuara, duke u mbështetur në legjislacionin për të drejtën për informim, sipas përcaktimeve në aneksin nr.2 dhe në shtojcën 4, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
5. Një raport i detajuar për gjendjen e fondit pyjor i vihet në dispozicion ministrit përgjegjës për pyjet, jo më vonë se data 30 mars e çdo viti. Raporti përmban të gjitha ndryshimet e evidentuara për fondin kombëtar pyjor gjatë vitit pararendës dhe hartohet në përputhje me rezultatet sipas shtojcës 4, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
6. Regjistri, në periudhat ndërmjet dy planeve të mbarështimit dhe ndërmjet dy inventarizimeve kombëtare, pasqyron ndryshimet që ndodhin në fondin pyjor për shkak të ndryshimeve në:
a) pronësi, administrim, përdorim;
b) gjendjen e grumbullit dhe treguesit silvoteknikë të tij.
7. Me përjashtim të aspekteve të pronësisë, administrimit dhe përdoruesve, të cilat përditësohen në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë vitit, ndryshimet e gjendjes së grumbullit evidentohen në një interval kohor, i cili përkon me hartimin e miratimin e një plani mbarështimi.
8. Të dhënat përditësohen në vijueshmëri nga struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki dhe administrata rajonale e zonave të mbrojtura, sipas nivelit të aksesimit e të përdorimit përkatës në Regjistër.
9. Të dhënat e detajuara për informacionin që regjistrohet në Regjistër, modulet, tabelat përbërëse, formatet e raportimit dhe afatet kohore të shkëmbimit të informacioneve dhe të evidentimit e pranimit të ndryshimeve përcaktohen në aneksin nr.2, që i bashkëlidhet vendimi.
10. Regjistrimi, përditësimi dhe ndryshimi i gjendjes së kullotave bëhet sipas përcaktimeve të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar.
V. DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, bashkitë, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Pyjeve dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E HARTIMIT TË PROJEKTIT PËR RINDËRTIMIN E INFRASTRUKTURËS NDËRTIMORE E TË RRJETIT TË JASHTËM NË IEVP LEZHË DHE CAKTIMIN E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË BURGJEVE SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e hartimit të projektit për rindërtimin e infrastrukturës ndërtimore e të rrjetit të jashtëm në IEVP Lezhë, në masën 49 000 000 (dyzet e nëntë milionë) lekë pa TVSH.
2. Në buxhetin e miratuar për vitin 2022 për Ministrinë e Drejtësisë, në programin buxhetor “Planifikim, menaxhim dhe administrim” 03440, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, shtohet fondi prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh pa TVSH, për financimin e hartimit të projektit për rindërtimin e infrastrukturës ndërtimore dhe të rrjetit të jashtëm në IEVP Lezhë.
3. Caktimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve si njësi zbatuese për financimin e hartimit të projektit për rindërtimin e infrastrukturës ndërtimore dhe të rrjetit të jashtëm në IEVP Lezhë.
4. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT DHE RIKONSTRUKSIONIT TË OBJEKTEVE ARSIMORE NË BASHKINË KAMZË DHE CAKTIMIN E BASHKISË KAMZË SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit dhe rikonstruksionit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit të objekteve arsimore në Bashkinë Kamzë, në masën 996 684 324 (nëntëqind e nëntëdhjetë e gjashtë milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e katër mijë e treqind e njëzet e katër) lekë pa TVSH, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Për rindërtimin (zbatimin, projektimin, mbikëqyrjen dhe kolaudimin) e shkollës 9-vjeçare “Azem Hajdari”, njësia administrative Babrru, Bashkia Kamzë, në masën 501 596 868 (pesëqind e një milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e tetë) lekë;
b) Për rindërtimin (zbatimin, projektimin, mbikëqyrjen dhe kolaudimin) e shkollës 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit”, njësia administrative Paskuqan, Bashkia Kamzë, në masën 286 531 800 (dyqind e tetëdhjetë e gjashtë milionë e pesëqind e tridhjetë e një mijë e tetëqind) lekë;
c) Për rikonstruksionin (zbatimin, projektimin, mbikëqyrjen dhe kolaudimin) e gjimnazit “Gramoz Palushi”, njësia administrative Paskuqan, Bashkia Kamzë, në masën 208 555 656 (dyqind e tetë milionë e pesëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekë.
2. Bashkisë Kamzë, në buxhetin e vitit 2022, i transferohet fondi në formën e transfertës së pakushtëzuar, në masën 199 336 865 (njëqind e nëntëdhjetë e nëntë milionë e treqind e tridhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e pesë) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit dhe rikonstruksionit (zbatimit, projektimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit) të objekteve arsimore, sipas pikës 1, të këtij vendimi, i cili do të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2022.
3. Caktimin e Bashkisë Kamzë si njësi zbatuese për financimin e rindërtimit dhe rikonstruksionit (zbatimit, projektimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit), sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kamzë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Agron Tare, zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRЁVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDЁRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN “PËR PËRMIRËSIMIN E SISTEMIT TË SHËNDETËSISË”, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.57/2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë”, të ratifikuar me ligjin nr.57/2015, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
AKT NORMATIV
PËR
MIRATIMIN E DISA NDRYSHIMEVE TË NËNSHKRUARA (AMENDIMI I TRETË) NË MARRËVESHJEN PËR PRODHIMIN DHE FURNIZIMIN NGA DHE NDËRMJET PFIZER EXPORT B.V. DHE MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE TË SHQIPËRISË, MINISTRIT TË SHTETIT PËR RINDËRTIMIN DHE INSTITUTIT TË SHËNDETIT PUBLIK, MIRATUAR ME AKTIN NORMATIV NR.3, DATË 18.1.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Miratimi i disa ndryshimeve (amendimi i tretë)
Miratimin e disa ndryshimeve të nënshkruara (amendimi i tretë) në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, miratuar me aktin normativ nr.3, datë 18.1.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij akti normativ.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.200, DATË 25.3.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË OBJEKTEVE ARSIMORE NË BASHKITË MIRDITË DHE KAMZË DHE CAKTIMIN E TYRE SI NJËSI ZBATUESE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.200, datë 25.3.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 1, shifra “… 466 930 089 (katërqind e gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e nëntëqind e tridhjetë mijë e tetëdhjetë e nëntë) lekë, pa TVSH …” zëvendësohet me “… 746 547 342 (shtatëqind e dyzet e gjashtë milionë e pesëqind e dyzet e shtatë mijë e treqind e dyzet e dy) lekë pa TVSH …”.
b) Në shkronjën “b”, të pikës 1, shifra “… 364 210 000 (treqind e gjashtëdhjetë e katër milionë e dyqind e dhjetë mijë) lekë pa TVSH …” zëvendësohet me “… 643 827 253 (gjashtëqind e dyzet e tre milionë e tetëqind e njëzet e shtatë mijë e dyqind e pesëdhjetë e tre) lekë pa TVSH …”.
c) Pas nënndarjes “ii”, të shkronjës “b”, të pikës 1, shtohet nënndarja “iii”, me këtë përmbajtje:
“iii. rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Azem Hajdari”, Zall Mner, Bashkia Kamzë, në masën 279 617 253 (dyqind e shtatëdhjetë e nëntë milionë e gjashtëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e dyqind e pesëdhjetë e tre) lekë pa TVSH.”.
ç) Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2022, nga Bashkia Kamzë për rikonstruksionin e objekteve arsimore, në masën 162 543 450 (njëqind e gjashtëdhjetë e dy milionë e pesëqind e dyzet e tre mijë e katërqind e pesëdhjetë) lekë pa TVSH, i cili do të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2022, dhe i transferohet Bashkisë Kamzë, në formën e transfertës së pakushtëzuar, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Azem Hajdari”, Zall Mner, Bashkia Kamzë, fondi, në masën 55 923 450 (pesëdhjetë e pesë milionë e nëntëqind e njëzet e tre mijë e katërqind e pesëdhjetë) lekë pa TVSH;
b) Për rikonstruksionin e gjimnazit “Isa Boletini”, fondi, në masën 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë;
c) Për rikonstruksionin e kopshtit Zall Mner, fondi, në masën 56 620 000 (pesëdhjetë e gjashtë milionë e gjashtëqind e njëzet mijë) lekë pa TVSH.”.
2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kamzë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
CAKTIMIN E DITËS SË HËNË, DATË 21.3.2022, DITË PUSHIMI
Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Caktimin e ditës së hënë, datë 21.3.2022, ditë pushimi për punonjësit e administratës shtetërore.
2. Dita e punës, datë 21.3.2022, do të zëvendësohet në një nga ditët e pushimit brenda këtij viti.
3. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E AFATIT TË HYRJES DHE QËNDRIMIT TË SHTETASVE TË UKRAINËS NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 29, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shtetasit e Ukrainës kanë të drejtë të hyjnë dhe të qëndrojnë pa leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë për një afat deri në 1 (një) vit.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.26, DATË 20.1.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT/RIKONSTRUKSIONIT TË OBJEKTEVE ARSIMORE NË BASHKITË KAMZË DHE KAVAJË DHE CAKTIMIN E TYRE SI NJËSI ZBATUESE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.26, datë 20.1.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2022, për financimin e rindërtimit/rikonstruksionit të objekteve arsimore, në Bashkinë Kamzë, në masën 93 387 241 (nëntëdhjetë e tre milionë e treqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e dyqind e dyzet e një) lekë pa TVSH, i cili përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2022, i cili i transferohet Bashkisë Kamzë, në formën e transfertës së pakushtëzuar dhe detajohet, si më poshtë vijon:
a) Rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Ahmet Zogu”, në masën 55 548 600 (pesëdhjetë e pesë milionë e pesëqind e dyzet e tetë mijë e gjashtëqind) lekë;
b) Rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Kamza e re”, në masën 8 303 236 (tetë milionë e treqind e tre mijë e dyqind e tridhjetë e gjashtë) lekë;
c) Rikonstruksionin e kopshtit “Kamza e re”, në masën 3 953 757 (tre milionë e nëntëqind e pesëdhjetë e tre mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e shtatë) lekë;
ç) Rikonstruksionin e kopshtit “Ahmet Zogu”, në masën 15 581 648 (pesëmbëdhjetë milionë e pesëqind e tetëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e dyzet e tetë) lekë;
d) Rindërtimin e çerdhes Kamzë, në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë”.
2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kamzë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA