Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Dhjetor 2018: 

 

V E N D I M

PËR

SHPËRBLIMIN DHE KOMPENSIMIN E DISA KATEGORIVE TË VEÇANTA PËR FESTAT E FUNDVITIT 2018

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë kompensohen financiarisht, për vitin 2018, në masën 3 000 (tre mijë) lekë, të ndarë sipas kategorive të mëposhtme:

a) Familje, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike;
b) Familje, të cilat kanë në përbërje të tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së, sipas pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar;
c) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar;
ç) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 396 147 000 (treqind e nëntëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e dyzet e shtatë mijë) lekë dhe përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale, miratuar për vitin 2018.

3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

 

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.242, DATË 18.3.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PLOTËSIMIN E VENDEVE TË LIRA NË KATEGORINË E ULËT DHE TË MESME DREJTUESE”

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 9, të nenit 26, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.242, datë 18.3.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Në kreun II bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Në pikën 5, pas fjalëve “… dhe qëndron e publikuar …” shtohen “… të paktën …”;
b) Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“9. Shpallja është e hapur për të gjithë nëpunësit civilë të së njëjtës kategori, në të gjitha institucionet, pjesë të shërbimit civil. Dokumentacioni duhet të dorëzohet brenda datës së përcaktuar në shpalljen për konkurrim. Kjo datë përcaktohet duke siguruar që afati i dorëzimit të dokumentacionit të mos jetë më i vogël se 10 (dhjetë) ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes:

a) në faqen zyrtare të DAP-it dhe në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, për institucionet e administratës shtetërore;
b) në portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen zyrtare të internetit dhe në stendat e informimit të publikut, për institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.”.

c) Në pikën 15, fjalët “… nga data e paraqitjes së tyre …” zëvendësohen me fjalët “… nga data e përfundimit të afatit të ankimit …”.
ç) Fjalitë e fundit të pikave 28 dhe 30 shfuqizohen.
d) Në pikën 33 shtohet paragrafi, si më poshtë vijon:

“Nëpunësi civil detyrohet të paraqitet, pranë institucionit ku është emëruar, jo më vonë se 1 (një) ditë pune nga dita e përfundimit të dorëzimit të detyrës pranë institucionit të mëparshëm.”.

dh) Pas pikës 33 shtohen pikat 34 dhe 35, me këtë përmbajtje:

“34. Në rast të mosparaqitjes së nëpunësit civil brenda afatit të përcaktuar në pikën 33, të kreut II, të këtij vendimi, institucioni, ku nëpunësi është emëruar, njofton njësinë përgjegjëse brenda 5 (pesë) ditëve pune nga përfundimi i afatit. Në këtë rast njësia përgjegjëse vijon procedurën me anulimin e aktit administrativ (akti i emërimit), në zbatim të dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative.

35. Institucioni, ku nëpunësi civil është emëruar nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, detyrohet të nxjerrë aktin e fillimit të efekteve financiare jo më vonë se 5 (pesë) ditë pune nga data e paraqitjes së nëpunësit në institucion. Këto afate mund të shtyhen me marrëveshje ndërmjet dy palëve, por jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pune nga data e nxjerrjes së aktit të emërimit nga njësia përgjegjëse.”.

2. Në kreun III bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“6. Plotësimi i vendeve të lira me procedurën e ngritjes në detyrë është i hapur për nëpunësit civilë të një kategorie më të ulët në të njëjtin institucion apo institucione të tjera të shërbimit civil. Dokumentacioni duhet të dorëzohet brenda datës së përcaktuar në shpalljen për vendin e lirë. Kjo datë përcaktohet duke siguruar që afati i dorëzimit të dokumentacionit të mos jetë më i vogël se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes.”.

b) Në pikën 26, fjalët “… nga data e depozitimit të ankesës …” zëvendësohen me fjalët “… nga data e përfundimit të afatit të ankimit …”.
c) Fjalitë e fundit të pikave 36 dhe 38 shfuqizohen.
ç) Në pikën 41 shtohet paragrafi, si më poshtë vijon:

“Nëpunësi civil detyrohet të paraqitet, pranë institucionit ku është emëruar, jo më vonë se 1 (një) ditë pune nga dita e përfundimit të dorëzimit të detyrës pranë institucionit të mëparshëm.”.

d) Pas pikës 41 shtohen pikat 41/1 e 41/2, me këtë përmbajtje:

“41/1. Në rast të mosparaqitjes së nëpunësit civil brenda afatit të përcaktuar në pikën 41, të kreut III, të këtij vendimi, institucioni, ku nëpunësi është emëruar, njofton njësinë përgjegjëse brenda 5 (pesë) ditëve pune nga përfundimi i afatit. Në këtë rast njësia përgjegjëse vijon procedurën me anulimin e aktit administrativ (akti i emërimit), në zbatim të dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative.

41/2. Institucioni, ku nëpunësi civil është emëruar nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë, detyrohet të nxjerrë aktin e fillimit të efekteve financiare jo më vonë se 5 (pesë) ditë pune nga data e paraqitjes së nëpunësit në institucion. Këto afate mund të shtyhen me marrëveshje ndërmjet dy palëve, por jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pune nga data e nxjerrjes së aktit të emërimit nga njësia përgjegjëse.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2019.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

*** 

 

V E N D I M

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.243, DATË 18.3.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PRANIMIN, LËVIZJEN PARALELE, PERIUDHËN E PROVËS DHE EMËRIMIN NË KATEGORINË EKZEKUTIVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 22, pika 6, 23, pika 5, 24, pika 5, e 25, pika 5, dhe të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.243, datë 18.3.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Në kreun II bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Në pikën 5, pas fjalëve “… dhe qëndron e publikuar …” shtohet fjala “…të paktën …”.

b) Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“10. Shpallja është e hapur për të gjithë kandidatët nga jashtë shërbimit civil. Dokumentacioni duhet të dorëzohet brenda datës së përcaktuar në shpalljen për konkurrim. Kjo datë përcaktohet duke siguruar që afati i dorëzimit të dokumentacionit të mos jetë më i vogël se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes në:

a) faqen zyrtare të DAP-it dhe portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, për institucionet e administratës shtetërore;
b) portalin “Shërbimi Kombëtar i Punësimit”, në faqen zyrtare të internetit dhe në ambientet e brendshme, për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore.”.
2. Në kreun IV bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Në pikën 2, fjalët “… jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë kalendarike …” zëvendësohen me “… jo më vonë se 16 (gjashtëmbëdhjetë) ditë kalendarike …”.

b) Në pikën 6, fjalët “… nga data e depozitimit të ankesës …” zëvendësohen me “… nga data e përfundimit të afatit të ankimit …”.

c) Pas pikës 9 shtohet pika 9/1, me këtë përmbajtje:

“9/1. Nëse kandidati grumbullon më shumë se gjysmën e pikëve (mbi 30 pikë) nga vlerësimi me shkrim, ai kualifikohet për të kaluar në procesin e vlerësimit të jetëshkrimit.”.

ç) Në pikën 10, fjala “… e jetëshkrimit …” hiqet.

d) Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“11. Nëse kandidati grumbullon mbi 45 (dyzet e pesë) pikë nga vlerësimi me shkrim dhe vlerësimi i jetëshkrimit së bashku, ai kualifikohet për intervistën e strukturuar me gojë.”.

dh) Pas pikës 18 shtohen pikat 18/1 dhe 18/2, me këtë përmbajtje:

“18/1. Kandidatët që nuk paraqiten për të zgjedhur pozicionin e punës, sipas ftesës së bërë nga njësia përgjegjëse, pa shkaqe të arsyeshme, humbasin të drejtën e zgjedhjes nga lista e pozicioneve për të cilën janë ftuar të zgjedhin dhe të drejtën e qëndrimit në listën fituese.

Kandidatët që nuk paraqiten për të zgjedhur pozicionin e punës, sipas ftesës së bërë nga njësia përgjegjëse, për shkaqe të arsyeshme, njoftojnë njësinë përgjegjëse për pamundësinë e pjesëmarrjes së tyre të paktën deri në orarin e përcaktuar prej saj për paraqitjen e kandidatëve. Në këtë rast njësia përgjegjëse shtyn datën e paraqitjes së kandidatëve fitues në një datë tjetër.

18/2. Në kuptim të pikës 18/1, të kreut IV, të këtij vendimi, shkaqe të arsyeshme konsiderohen:

a) rastet e sëmundjeve të kandidatit fitues, fëmijëve të mitur apo bashkëshortit/es, vërtetuar me dokument mjekësor;
b) vdekja e prindërve, bashkëshortit/es, fëmijës, vëllezërve, motrave;
c) forcat madhore.”.
e) Pas pikës 19 shtohen pikat 19/1, 19/2 dhe 19/3, me këtë përmbajtje:

“19/1. Pas marrjes së aktit të emërimit, kandidati fitues detyrohet të paraqitet pranë institucionit ku është emëruar, jo më vonë se 5 (pesë) ditë pune nga data e marrjes së aktit.

19/2. Në rast të mosparaqitjes së kandidatit fitues, brenda afatit të përcaktuar në pikën 19/1, të kreut IV, të këtij vendimi, institucioni ku kandidati është emëruar, njofton njësinë përgjegjëse brenda 5 (pesë) ditëve pune nga përfundimi i afatit. Në këtë rast njësia përgjegjëse vijon procedurën me anulimin e aktit administrativ (akti i emërimit), në zbatim të dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative.

19/3. Institucionet detyrohen të nxjerrin aktin e fillimit të efekteve financiare të kandidatit të emëruar nga njësia përgjegjëse, jo më vonë se 5 (pesë) ditë pune nga data e paraqitjes së tij pranë institucionit. Ky afat mund të shtyhet me marrëveshje midis të dyja palëve, por jo më shumë se 1 (një) muaj nga data e nxjerrjes së aktit të emërimit nga njësia përgjegjëse.”.

ë) Pika 21 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“21. Njësia përgjegjëse, në kushtet e rezultatit pa asnjë fitues ose me më pak fitues se planifikimi, rihap procedurën e pranimit në shërbimin civil, bazuar në planin e zhvillimit të procedurës për secilin grup, të njoftuar nga ajo, sipas pikës 4, të kreut II, të këtij vendimi.”.

f) Pika 22 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“22. Kandidati, pavarësisht nga e drejta për t’u ankuar në gjykatën administrative, ka të drejtë të bëjë ankim me shkrim edhe në KPP, për rezultatin e pikëve dhe/ose renditjen në listën fituese. Afati i ankimit fillon brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga:

a) data e njoftimit individual të rezultatit të vlerësimit me shkrim, për kandidatët që kanë grumbulluar deri në gjysmën e pikëve (deri në 30 pikë) nga ky vlerësim;
b) data e njoftimit individual të rezultatit të vlerësimeve, për kandidatët që kanë grumbulluar deri në 45 (dyzet e pesë) pikë nga vlerësimi me shkrim dhe vlerësimi i jetëshkrimit;
c) data e njoftimit individual të rezultatit të vlerësimeve, për kandidatët të cilët kanë marrë pjesë në të tri fazat e vlerësimit të përcaktuara sipas pikës 7, të kreut IV, të këtij vendimi.

Të gjithë ankuesit marrin përgjigje brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga data e përfundimit të afatit ankimor të përcaktuar në shkronjën “c”, të kësaj pike. Në përfundim të këtij afati njësia përgjegjëse publikon listën përfundimtare fituese.”.

3. Në kreun VII bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Në pikën 4, pas fjalëve “… qëndron në portal …” shtohet fjala “… të paktën …”.

b) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Shpallja është e hapur për të gjithë nëpunësit civilë të së njëjtës kategori në të gjitha institucionet, pjesë të shërbimit civil. Dokumentacioni duhet të dorëzohet brenda datës së përcaktuar në shpalljen për vendin e lirë. Kjo datë përcaktohet duke siguruar që afati i dorëzimit të dokumentacionit të mos jetë më i vogël se 10 (dhjetë) ditë kalendarike nga dita e parë e shpalljes.”.

c) Në pikën 11, fjalët “… nga data e paraqitjes së tyre …” zëvendësohen me “… nga data e përfundimit të afatit të ankimit …”.

ç) Pas pikës 18 shtohen pikat 18/1 dhe 18/2, me këtë përmbajtje:

“18/1. Komisioni, në përfundim të vlerësimit rendit kandidatët sipas pikëve të grumbulluara dhe ia dërgon listën njësisë së burimeve njerëzore të institucionit. Njësia e burimeve njerëzore të institucionit, brenda 24 (njëzetë e katër) orëve nga dita që komisioni i njofton vendimin e tij, njofton individualisht kandidatët që kanë konkurruar për rezultatin e tyre.

18/2 Kandidatët, pavarësisht nga e drejta për t’u ankuar në gjykatën administrative, kanë të drejtë të bëjnë ankim me shkrim edhe në komisionin e brendshëm për lëvizjen paralele për rezultatin e vlerësimit, brenda 3 (tri) ditëve kalendarike nga data e njoftimit individual mbi rezultatin. Ankuesi merr përgjigje brenda 3 (tri) ditëve kalendarike nga data e përfundimit të afatit të ankimit.”.

d) Fjalia e parë e pikës 19 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Komisioni, brenda 24 (njëzet e katër) orëve pas përfundimit të procedurave të ankimit, sipas pikës 18/2, të kreut VII, të këtij vendimi, përzgjedh kandidatin, i cili renditet i pari ndër kandidatët që kanë marrë të paktën 70 pikë (70% të pikëve).”.

dh) Në pikën 23 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

“Kandidiati fitues detyrohet të paraqitet pranë institucionit ku është emëruar, jo më vonë se 1 (një) ditë pune nga dita e përfundimit të dorëzimit të detyrës pranë institucionit të mëparshëm.”.

e) Pas pikës 23 shtohen pikat 23/1 dhe 23/2, me këtë përmbajtje:

“23/1. Në rast të mosparaqitjes së kandidatit fitues brenda afatit të përcaktuar në pikën 23, të kreut VII, të këtij vendimi, institucioni ku kandidati është emëruar, njofton njësinë përgjegjëse brenda 5 (pesë) ditëve pune nga përfundimi i afatit. Në këtë rast njësia përgjegjëse vijon procedurën me anulimin e aktit administrativ (akti i emërimit), në zbatim të dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative.

23/2 Institucioni ku nëpunësi civil është emëruar nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, detyrohet të nxjerrë aktin e fillimit të efekteve financiare jo më vonë se 5 (pesë) ditë pune nga dita e paraqitjes së tij në institucion. Këto afate mund të shtyhen me marrëveshje midis të dyja palëve, por jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pune nga data e nxjerrjes së aktit të emërimit nga njësia përgjegjëse.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2019.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.124, DATË 17.2.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PEZULLIMIN DHE LIRIMIN NGA SHËRBIMI CIVIL”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 55, pika 2, 56, pika 5, e 66, pika 5, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.124, datë 17.2.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në pikën 11 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

“E njëjta procedurë ndiqet edhe kur nëpunësi civil, i pezulluar për një nga rastet e parashikuara në pikën 10, të këtij vendimi, do të shtyjë afatin e pezullimit për të njëjtin shkak, por jo më shumë se afatet ligjore të përcaktuara në nenin 55, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe në këtë vendim.”.

b) Pika 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“13. Pas kërkesës së nëpunësit civil, njësia e burimeve njerëzore dhe Departamenti i Administratës Publike, sipas rastit, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike:

a) Konstatojnë, me shkrim, pezullimin për rastet e parashikuara në shkronjat “a” e “b”, të pikës 10, të këtij vendimi;
b) miratojnë ose jo pezullimin, për rastet e parashikuara në shkronjën “c”, të pikës 10, të këtij vendimi. Në rastet e mosmiratimit të pezullimit sipas rastit, nga njësia e burimeve njerëzore apo Departamenti i Administratës Publike, ata duhet të bëjnë arsyetimin e vendimit të tyre.”.

c) Në pikën 14, pas fjalës “… konstatimit …”, shtohen fjalët “… apo miratimit …”.

ç) Pas pikës 15 shtohet pika 15/1, me këtë përmbajtje:

“15/1. Nëpunësi civil njofton institucionin për rikthimin në punë, jo më vonë se 7 (shtatë) ditë kalendarike përpara datës së përfundimit të afatit të pezullimit.

E njëjta procedurë ndiqet edhe në rastet kur nëpunësi civil do të ndërpresë periudhën e pezullimit më shpejt se afati për të cilin i është miratuar pezullimi.”.

d) Në pikën 16, pas fjalëve “… njësinë përgjegjëse …”, shtohen “… jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike përpara përfundimit të afatit të pezullimit…”, dhe në fund të paragrafit të parë shtohet fjalia “E njëjta procedurë ndiqet edhe në rastet kur nëpunësi civil do të ndërpresë periudhën e pezullimit më shpejt se afati për të cilin i është miratuar pezullimi.”.

dh) Pas pikës 16 shtohet pika 16/1, me këtë përmbajtje:

“16/1. Në rast se nëpunësi civil, i pezulluar për një afat më të gjatë se 3 (tre) muaj, nuk respekton afatin e njoftimit sipas përcaktimit në pikën 16, të këtij vendimi, dhe ky njoftim nuk është kryer deri në ditën e përfundimit të afatit të pezullimit, njësia përgjegjëse, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike nga dita e përfundimit të afatit të pezullimit, merr masa për të kërkuar nga nëpunësi shprehjen e tij me shkrim lidhur me vijimësinë e marrëdhënies në shërbimin civil.”.

e) Në pikën 23 fjalët “… i paaftë përgjithmonë …” zëvendësohen me “… i paaftë për 2 (dy) vite radhazi, të pandërprera…”.

2. Për nëpunësit civilë, të cilëve u ka përfunduar periudha e pezullimit me kërkesën e tyre, për një nga rastet e parashikuara në nenin 55, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, deri më 1 janar 2019, dhe nuk kanë kryer procedurat e përcaktuara në shkronjat “a” deri në “dh”, të pikës 1, të këtij vendimi, t’i kryejnë ato brenda datës 31 janar 2019.

3. Efektet e këtij vendimi janë, si më poshtë vijon:

a) Për përcaktimin e shkronjës “e”, të pikës 1, fillojnë pas hyrjes në fuqi të vendimit;
b) Për të gjitha përcaktimet e tjera fillojnë nga data 1 janar 2019.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.752, DATË 13.12.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EMËRIMIN E KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 5, të ligjit nr.10233, datë 11.2.2010, “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në pikën 1, të vendimit nr.752, datë 13.12.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

⦁ Fjalët “Z. Sandër Lleshi, kryetar” zëvendësohen me fjalët “Z. Artan Shkreli, kryetar”;
⦁ Fjalët “Z. Hajrulla Ceku, anëtar” zëvendësohen me fjalët “Znj. Elira Kokona, anëtar”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I 

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES SË ORGANIZIMIT, FUNKSIONIMIT DHE PËRCAKTIMIT TË MASËS SË SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË BORDIT TË APELIT TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË PRONËSISË INDUSTRIALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 5 e 7, të nenit 193/b, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e rregullores së organizimit, funksionimit dhe përcaktimit të masës së shpërblimit të anëtarëve të bordit të apelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Efektet financiare që lindin nga zbatimi i këtij vendimi, fillojnë pas botimit të tij në “Fletoren zyrtare”.

3. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M 

PËR

MIRATIMIN E LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.2 TË MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF0A1769, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE TË GRANTIT TË AKORDUAR NGA FONDI I MIRËBESIMIT ME SHUMË DONATORË, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË ZBATIMIT TË NISMËS PËR TRANSPARENCË NË INDUSTRINË NXJERRËSE NË SHQIPËRI (EITI)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e letërmarrëveshjes ndryshuese nr.2 të marrëveshjes së grantit nr.TF0A1769, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve të grantit të akorduara nga Fondi i Mirëbesimit me Shumë Donatorë, për financimin e projektit të zbatimit të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse në Shqipëri (EITI), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I 

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES KUADËR, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MALIT TË ZI, PËR MARRËDHËNIET E NDËRSJELLA NË MENAXHIMIN E BURIMEVE UJORE NDËRKUFITARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për marrëdhëniet e ndërsjella në menaxhimin e burimeve ujore ndërkufitare, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.933, DATË 2.7.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRFAQËSIMIN E MINISTRISË SË BRENDSHME ME OFICERË KONTAKTI NË BRITANINË E MADHE, BELGJIKË, ITALI, GREQI, TURQI, KOSOVË, SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS, GJERMANI, FRANCË, EUROPOL DHE INTERPOL”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 84, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.933, datë 2.7.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

a) Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Për përfaqësimin e Ministrisë së Brendshme me oficerë kontakti në shtete të ndryshme dhe në organizata ndërkombëtare”.

b) Në pikën 1, pas shtetit “Francë” shtohen shtetet “Holandë dhe Spanjë”.

2. Efektet financiare të këtij vendimi të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Brendshme, programi buxhetor “Policia e Shtetit”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.910, DATË 21.12.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ÇËSHTJET, OBJEKT KONSULTIMI, DHE STRUKTURËN, PROCEDURËN, FORMËN, MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË KËSHILLIT KONSULTATIV TË QEVERISJES QENDRORE ME VETËQEVERISJEN VENDORE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 12, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.910, datë 21.12.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

1. Pika 7, e kreut III, “Krijimi, përbërja dhe drejtimi i Këshillit Konsultativ”, ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“7. Përbërja e Këshillit Konsultativ të qeverisjes qendrore me vetëqeverisjen vendore është në përfaqësim të barabartë anëtarësh, 9 (nëntë) përfaqësues të qeverisjes qendrore dhe 9 (nëntë) përfaqësues të vetëqeverisjes vendore, si më poshtë vijon:

– Zëvendësministri përgjegjës për çështjet vendore, rendin dhe sigurinë;
– Zëvendësministri përgjegjës për fushën e financave;
– Zëvendësministri përgjegjës për çështjet e drejtësisë;
– Zëvendësministri përgjegjës për energjinë dhe infrastrukturën;
– Zëvendësministri përgjegjës për çështjet sociale;
– Zëvendësministri përgjegjës për integrimin evropian;
– Zëvendësministri përgjegjës për bujqësinë dhe zhvillimin rural;
– Zëvendësministri përgjegjës për mjedisin dhe turizmin;
– Zëvendësministri përgjegjës për arsimin;
– Kryetari i Shoqatës për Autonominë Vendore dhe 2 kryetarë bashkie, përfaqësues të Shoqatës për Autonomi Vendore;
– Kryetari i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë dhe 2 kryetarë bashkie, përfaqësues të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë;
– Kryetari i Shoqatës së Qarqeve dhe 2 kryetarë qarku, përfaqësues të Shoqatës së Qarqeve.”.

2. Pas pikës 17, të kreut IV, “Procedura e konsultimit të akteve dhe mbledhjet e Këshillit”, shtohet pika 17/1, me këtë përmbajtje:

“17/1. Mbledhjet e punës dhe mbledhjet plenare të Këshillit zhvillohen në prani të më shumë se gjysmës të të gjithë anëtarëve të tij. Për mospjesëmarrjen e anëtarëve njoftohen titullarët e institucioneve të përfaqësuara në Këshillin Konsultativ.”.

3. Në pikën 26, të kreut V, “Sekretariati teknik”, emërtimi “Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale” zëvendësohet me “Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore” dhe shkurtimi “AZRT” zëvendësohet me “AMVV”.

4. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”

 

K R Y E M I N I S T R I 

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

*** 

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I RRUGËS HYRËSE TË QYTETIT, PARKIMI DHE RIKUALIFIKIMI I QENDRËS SË QYTETIT KRUJË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i rrugës hyrëse të qytetit, parkimi dhe rikualifikimi i qendrës së qytetit Krujë”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Krujë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 46 656 922.66 (dyzet e gjashtë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e njëzet e dy pikë gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 46 656 922.66 (dyzet e gjashtë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e njëzet e dy pikë gjashtëdhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Krujë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. S
7. hpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.

8. Pronarët e përmendur në listën bashkëlidhur këtij vendimi të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Krujë.

9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Krujë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

10. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.

11. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Krujë dhe Bashkia Krujë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletore zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.490, DATË 19.7.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “VLORA – ACU, RIKUALIFIKIM URBAN NË QYTETIN E VLORËS, PËRGJATË ‘P4 C2 A, B, C’”, DHE “NDËRTIM I RRUGËS – VAZHDIMI I UNAZËS VLORË – UJI I FTOHTË””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.490, datë 19.7.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 165 224 816 (njëqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë e dyqind e njëzet e katër mijë e tetëqind e gjashtëmbëdhjetë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.

2. Pasuritë të cilat preken nga projekti “Ndërtimi i rrugës – vazhdimi i unazës Vlorë – Uji i Ftohtë”, të paraqitura me numrat rendorë nga 1 në 13, në tabelën bashkëlidhur vendimit, ndryshojnë dhe zëvendësohen me ato sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I 

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE”, BASHKIA CËRRIK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i varrezave publike”, Bashkia Cërrik.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Cërrik.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, për pasuritë e llojit “tokë arë”, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën 1, bashkëlidhur këtij vendimi, në vlerën 1 349 760 (një milion e treqind e dyzet e nëntë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë e llojit “tokë arë”, 1 349 760 (një milion e treqind e dyzet e nëntë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë) lekë, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Bashkisë Cërrik.

8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Cërrik, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.

10. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan dhe Bashkia Cërrik për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI 

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I RRJETIT RRUGOR, BASHKIA SHIJAK”, LOTI 1

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i rrjetit rrugor, Bashkia Shijak”, loti 1.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Shijak.

3. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall + objekt banimi”, në shumën totale prej 8 759 958 (tetë milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e tetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 8 759 958 (tetë milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e tetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Shijak.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.

7. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Shijak.

8. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shijak, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Shijak, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit, mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të shtetit.

9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shijak të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin që të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, si dhe të bëhet kalimi i pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të shtetit.

10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Shijak dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shijak për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

***

V E N D I M

PËR

 

NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, TË PRONËS NR.98, ME EMËRTIMIN “GRUP DEPO (ISH-REPARTI USHTARAK NR.5011)”,  ME VENDNDODHJE NË BRAR, TIRANË, DHE TË DISA SIPËRFAQEVE, TRUALL FUNKSIONAL DHE OBJEKTE, TË PRONËS NR.109, ME EMËRTIM “SHA RIPARIM ARTILERIE”, ME VENDNDODHJE NË BRAR, TIRANË

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I :

 

  1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të pronës nr.98, me emërtimin “Grup Depo (ish-Reparti Ushtarak nr.5011)”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, dhe të disa sipërfaqeve, truall funksional dhe objekte, të pronës nr.109, me emërtim “Sha Riparim Artilerie”, me vendndodhje në Brar, Tiranë, sipas të dhënave të përcaktuara në vendimin nr.605, datë 17.10.2018, të Këshillit të Ministrave, për ndërtimin dhe shfrytëzimin e mjediseve për zhvillimin e arsimit e të formimit profesional dhe ofrimin e kujdesit shoqëror nga fondacioni “Fundjavë Ndryshe”.

 

  1. Pronat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, t’i jepen fondacionit “Fundjavë Ndryshe” në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara në vendimin nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar.
  2. Pronat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, të hiqen nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.

 

  1. Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe fondacionit “Fundjavë Ndryshe” u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e pronave të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.

 

  1. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

SENIDA MESI

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.