Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Mars 2020:

V E N D I M

PËR

MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT TË Z. BESJAN ÇELA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, dhe në vijim të vendimit nr.42, datë 22.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor, për vitin 2020”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Besjan Çela, në masën 2 000 000 (dy milionë) lekë.

2. Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

3. Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.

4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT TË Z. ILIR OHRI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Ilir Ohri, në masën 2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë.

2. Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

3. Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.

4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.47, DATË 22.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME, PËR VITIN 2020, NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 12, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Në vendimin nr.47, datë 22.1.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 1, numri i punonjësve me kontratë të përkohshme ndryshohet dhe bëhet 1 550.

2. Në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 1, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Në ndarjen “Gr.05, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”, ndarjen “Gr.06, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”, ndarjen “Gr.13, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, ndarjen “Gr.16, Ministria e Brendshme” dhe ndarjen “Gr.17, Ministria e Mbrojtjes”, shtohen nënndarjet përkatëse, sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

b) Në ndarjen “Gr.29, Këshilli i Lartë Gjyqësor”, numri i punonjësve të emërtesës “Sekretar gjyqësor” bëhet 5 dhe numri i punonjësve të emërtesës “Operator” bëhet 11. Numri total i punonjësve nuk ndryshon.

c) Në fund shtohen ndarjet “Gr.41, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” , “Gr.63, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë” dhe “Gr.73, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

II. Ngarkohen ministritë dhe institucionet, sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, që të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë detajimin e numrit të punonjësve me kontratë, periudhën kohore të punësimit dhe kategorinë përkatëse të pagës së tyre.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MARRJEN E MASAVE PËR OFRIMIN E ASISTENCËS NË BANESË NDAJ SHTRESAVE NË NEVOJË, NË KUSHTET E EPIDEMISË SË SHKAKTUAR NGA COVID-19

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Ofrimin e asistencës në banesë ndaj shtresave në nevojë nga strukturat shtetërore, në kushtet e epidemisë të shkaktuar nga COVID-19.

2. Ofrimi i asistencës, sipas këtij vendimi, do të konsistojë në dërgimin e pagesave mujore që subjektet përfitojnë nga programi i mbrojtjes sociale nga sigurimet shoqërore dhe në dërgimin e produkteve, ushqimore e joushqimore, minimale, barnave të rimbursueshme dhe atyre me kërkesë, për përballimin e situatës apo në kryerjen e furnizimeve me produktet e mësipërme, për llogari të tyre.

3. Përcaktimi i masës së produkteve, ushqimore dhe joushqimore, minimale, dhe i llojit të ndihmës kryhen me vendim të Komisionit Qendror për Ofrimin e Asistencës, të ngritur për këtë qëllim, sipas përcaktimit të pikës 11, të këtij vendimi.

4. Në kuptim të këtij vendimi, shtresa në nevojë do të konsiderohen:

a) personat/familjet, të cilët nuk kanë familjarë të aftë për punë në njësinë administrative ku jetojnë, dhe që bëjnë pjesë në grupet, si më poshtë vijon:

i. Familjet/individët në nevojë, përfitues të ndihmës ekonomike;
ii. Personat me aftësi të kufizuara;
iii. Personat, të cilët përfitojnë pension pleqërie.

b) personat, të cilët, pavarësisht përbërjes familjare dhe vendndodhjes së saj, bëjnë pjesë në grupet, si më poshtë vijon:

i. Familjet/individët në nevojë, të cilët janë të pastrehë;
ii. Familjet që kanë humbur banesën për shkak të tërmetit.

5. Prefekturat, bashkitë, me kërkesën e Komisionit Qendror për Ofrimin e Asistencës, Shërbimi Social Shtetëror dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të përpilojnë listat e subjekteve përfituese, sipas këtij vendimi, brenda 3 (tre) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Listat, sipas kësaj pike, do t’i dërgohen në rrugë elektronike Komisionit Qendror për Ofrimin e Asistencës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, e cila bën verifikimin e përbërjes familjare të personave të listuar dhe ia dërgon Komisionit Qendror për Ofrimin e Asistencës.

6. Komisioni Qendror për Ofrimin e Asistencës verifikon listat, bën rakordimet përkatëse, nëse është e nevojshme, dhe ia konfirmon prefektëve të qarqeve, kryetarëve të bashkive, Shërbimit Social Shtetëror dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

7. Pas konfirmimit të listave, prefektët e qarqeve dhe kryetarët e bashkive ngrenë komisionet e mbrojtjes civile dhe marrin të gjitha masat me personelin e tyre, si dhe me shërbimin e vullnetarëve për dërgimin e produkteve, ushqimore dhe joushqimore, te shtresat në nevojë, sipas këtij vendimi.

8. Për asistencën ndaj shtresave në nevojë angazhohen dhe Forcat e Armatosura, të cilat koordinojnë punën me komisionet e mbrojtjes civile, në qarqe dhe bashki. Zonat dhe niveli i angazhimit do të përcaktohen me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

9. Dërgimi i pagesave mujore, që këta persona përfitojnë nga programi i mbrojtjes sociale, i sigurimeve shoqërore, në banesë, do të kryhet nga shërbimi postar, në bazë të listave të konfirmuara, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

10. Listat përditësohen çdo javë nga prefektët e qarqeve, bashkitë, Shërbimi Social Shtetëror dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe i dërgohen për konfirmim Komisionit Qendror për Ofrimin e Asistencës.

11. Komisioni Qendror për Ofrimin e Asistencës ka në përbërje, si më poshtë vijon:

a) Ministrin e Mbrojtjes Kryetar
b) Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të
Mbrojtjes Civile Nënkryetar;
c) Drejtorin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit
Shëndetësor Anëtar;
ç) Drejtorin e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Anëtar;
d) Zëvendësministrin e Brendshëm përgjegjës për çështjet vendore Anëtar;
dh) Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Social Shtetëror Anëtar;
e) Drejtorin e Përgjithshëm të Institutit të Sigurimeve Shoqërore Anëtar;
ë) Drejtorin e Përgjithshëm të Postës Shqiptare, sh.a. Anëtar;
f) Drejtorin e Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, në
Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Anëtar;
g) Përfaqësues nga shoqata vullnetarësh, me miratim të kryetarit
të grupit të punës Anëtarë.

12. Kryetari i Komisionit Qendror për Ofrimin e Asistencës mund të thërrasë në mbledhje çdo ekspert të fushës, si dhe çdo funksionar tjetër publik, me qëllim realizimin e objektit të këtij vendimi.

13. Përfaqësimi në Komisionin Qendror për Ofrimin e Asistencës nuk delegohet.

14. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes dhe Komisioni Qendror për Ofrimin e Asistencës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.