Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Qershor 2025:
V E N D I M
PËR
CAKTIMIN E MINISTRISË SË FINANCAVE SI PËRFAQËSUESE TË SHTETIT SHQIPTAR NË CILËSINË E AKSIONARIT TË PARË TË SHOQËRISË “BANKA SHQIPTARE E ZHVILLIMIT”, SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 6, të ligjit nr.23/2025, “Për Bankën Shqiptare të Zhvillimit”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Caktimin e Ministrisë së Financave si përfaqësuese të shtetit shqiptar në cilësinë e aksionarit të parë të shoqërisë “Banka Shqiptare e Zhvillimit”, sh.a.
2. Ministria e Financave përfaqëson shtetin si pronar të 100% të aksioneve të shoqërisë “Banka Shqiptare e Zhvillimit”, sh.a.
3. Ngarkohet Ministria e Financave për ndjekjen e procedurave të mëtejshme, në zbatim të ligjit nr.23/2025, “Për Bankën Shqiptare të Zhvillimit”.
4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe shoqëria “Banka Shqiptare e Zhvillimit”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE “REGJISTRI ELEKTRONIK I NËPUNËSVE TË MBROJTJES SË TË DHËNAVE PERSONALE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Krijimin, pranë institucionit të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (në vijim, KDIMDHP), e bazës së të dhënave shtetërore “Regjistri elektronik i nëpunësve të mbrojtjes së të dhënave personale” (në vijim, RENMDHP), përmbajtja e së cilës publikohet në faqen zyrtare të internetit të KDIMDHP-së.
II. KDIMDHP-ja është përgjegjëse për krijimin, mbajtjen, administrimin, ndërveprimin me bazat e tjera dhe bërjen të disponueshëm të informacionit, në përmbajtje të bazës së të dhënave “Regjistri elektronik i nëpunësve të mbrojtjes së të dhënave personale”.
III. RENMDHP-ja përmban të dhëna për nëpunësit e mbrojtjes së të dhënave personale (në vijim, NMDHP), caktuar nga kontrolluesit dhe përpunuesit.
IV. Të dhënat që përmban RENMDHP-ja ndahen në të dhëna parësore dhe në të dhëna dytësore, si më poshtë:
1. Të dhëna parësore janë:
a) të dhënat mbi NMDHP-në;
b) adresa e postës elektronike;
c) adresa e ushtrimit të veprimtarisë;
ç) numri i kontaktit;
d) të dhënat mbi kontrolluesit/përpunuesit, ku është caktuar NMDHP-ja;
dh) trajnimet dhe certifikatat e NMDHP-së, në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.
2. Të dhëna dytësore janë ato të dhëna që merren nga ndërveprimi me bazat e të dhënave shtetërore, si më poshtë vijon:
a) Nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile merr të dhënat e mëposhtme:
i. Emrin dhe mbiemrin e NMDHP-së;
ii. Numrin personal të NMDHP-së.
b) Nga Regjistri Tregtar i QKB-së merr të dhënat e mëposhtme:
i. NIPT-in e kontrolluesit/përpunuesit;
ii. Adresën e postës elektronike zyrtare të kontrolluesit/përpunuesit;
iii. Adresën e kontrolluesit/përpunuesit;
iv. Numrin e telefonit të kontrolluesit/përpunuesit.
c) Nga Regjistri Elektronik Kombëtar i Organizatave Jofitimprurëse merr të dhënat e mëposhtme:
i. Të dhënat e identifikimit të organizatës jofitimprurëse;
ii. Adresën e postës elektronike zyrtare të kontrolluesit/përpunuesit;
iii. Adresën e kontrolluesit/përpunuesit;
iv. Numrin e telefonit të kontrolluesit/përpunuesit.
V. Dhënësi i informacionit për RENMDHP-në është KDIMDHP-ja.
VI. Niveli i aksesit në sistemin dhe në bazën e të dhënave të RENMDHP-së është, si më poshtë vijon:
1. Qytetarët (subjekte të të dhënave personale) kanë nivel aksesi si lexues dhe konsultues lidhur me informacionin e vënë në dispozicion nëpërmjet faqes së internetit të KDIMDHP-së;
2. NMDHP-të dhe kontrolluesit e përpunuesit publikë dhe privatë kanë të njëjtin nivel aksesi si ai i parashikuar në pikën 1 të kësaj ndarjeje.
3. KDIMDHP-ja ka akses si administrator dhe përdorues në RENMDHP. Niveli i aksesimit, funksionet dhe të drejtat për secilën kategori konsultuesish dhe përdoruesish të sistemit, si dhe për punonjësit e KDIMDHP-së janë në përputhje me pozicionin e punës dhe përcaktohen në rregulloren “Për sigurinë e bazave të të dhënave shtetërore të krijuara në KDIMDHP”, miratuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
VII. Të gjitha ndryshimet në arkitekturën software dhe hardware të RENMDHP-së në KDIMDHP, të cilat mund të ndodhin në varësi të nevojave të institucionit dhe praktikave evropiane e ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së të dhënave, bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
VIII. “Regjistri elektronik i subjekteve kontrolluese” vijon të funksionojë si “Regjistri elektronik i nëpunësve të mbrojtjes së të dhënave personale”, në përputhje me këtë vendim, duke bërë ndryshimet përkatëse.
IX. Vendimi nr.144, datë 13.3.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e bazës së të dhënave shtetërore “Regjistri elektronik i subjekteve kontrolluese””, shfuqizohet.
X. Ngarkohet Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË TË DHËNAVE DHE SHËRBIMEVE TË AUTORITETIT SHTETËROR PËR INFORMACIONIN GJEOHAPËSINOR QË DO TË TARIFOHEN, SI DHE TË MASËS SË TARIFËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 26, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së të dhënave dhe shërbimeve që do të tarifohen nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, në zbatim të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të tarifave përkatëse për çdo të dhënë e shërbim, si dhe të mënyrës së aplikimit të tyre.
2. Lista e të dhënave dhe shërbimeve gjeohapësinore, si dhe tarifat përkatëse janë sipas anekseve I dhe II, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
3. Të ardhurat e realizuara nga tarifat derdhen 100% në buxhetin e shtetit, në përputhje me vendimin nr.432, datë 28.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave, që krijohen nga institucionet buxhetore”.
4. Tarifat për të dhënat dhe shërbimet gjeohapësinore bëhen publike në faqen zyrtare të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor.
5. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË ZBATIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E EKONOMISË, KULTURËS DHE INOVACIONIT, DHE AGJENCISË GJERMANE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR, (GIZ) GMBH, SI PËRFAQËSUESE E QEVERISË GJERMANE DHE AGJENCI ZBATUESE PËR PROGRAMIN “QENDRAT PËR MIGRACION DHE ZHVILLIM” (ZME)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së zbatimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, (GIZ) GMBH, si përfaqësuese e qeverisë gjermane dhe agjenci zbatuese për programin “Qendrat për migracion dhe zhvillim (ZME)”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.548, DATË 27.7.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KRITEREVE, RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR PËRFITIMIN E PENSIONEVE SHTETËRORE SUPLEMENTARE TË PERSONAVE QË KRYEJNË FUNKSIONE KUSHTETUESE DHE TË PUNONJËSVE TË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 1, 15 e 17, të ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në lidhjen nr.1, “Lista e institucioneve qendrore buxhetore”, që i bashkëlidhet vendimit nr.548, datë 27.7.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kritereve, rregullave dhe të procedurave për përfitimin e pensioneve shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar, në ndarjen e tretë “Institucione në varësi të Kryeministrit”, emërtesa “Inspektorati Qendror” zëvendësohet me “Inspektorati i Përgjithshëm”.
2. Ngarkohet Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SË MENAXHIMIT TË BURIMEVE UJORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore (në vijim, Agjencia) organizohet si person juridik, publik, buxhetor, në varësi të Kryeministrit, me seli në Tiranë.
2. Agjencia financohet nga buxheti i shtetit dhe nga çdo burim tjetër i ligjshëm, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Misioni i Agjencisë është mirëqeverisja e burimeve ujore, me qëllim përmbushjen e të gjitha nevojave jetësore, duke mbajtur në vëmendje qëndrueshmërinë e ekosistemeve, duke nxitur konkurrencën në përdorimin e burimeve ujore dhe prioritizimin drejt përfitueshmërisë ekonomike.
4. Agjencia organizohet dhe funksionon në përputhje me këtë vendim dhe në zbatim të ligjit nr.29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.15/2024, “Për Strategjinë e Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë”.
II. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË DHE ZYRAVE TË ADMINISTRIMIT TË BASENEVE LUMORE
1. Agjencia organizohet në nivel qendror dhe në nivel baseni lumor nëpërmjet zyrave të administrimit të baseneve lumore, degë të saj, në përputhje me basenet lumore të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e saj dhe përgjigjet para Kryeministrit. Ai përfaqëson Agjencinë në marrëdhëniet me të tretët.
3. Zyra e Administrimit të Basenit Lumor drejtohet nga drejtori i saj.
4. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm, të nëpunësve të Agjencisë dhe të zyrave të administrimit të baseneve lumore rregullohen sipas dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil, ndërsa për punonjësit administrativë, sipas dispozitave të Kodit të Punës.
5. Struktura dhe organika e Agjencisë dhe zyrave të administrimit të baseneve lumore miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
6. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe për sjelljen e personelit të Agjencisë dhe zyrave të administrimit të baseneve lumore miratohet nga Kryeministri, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm.
7. Veprimtaria e Agjencisë mbikëqyret nga Zëvendëskryeministri, i cili e përfaqëson Agjencinë në marrëdhëniet me jashtë të nivelit të lartë dhe kur gjykohet e nevojshme.
8. Agjencia ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare. Stema e Agjencisë përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë me shënimet “Republika e Shqipërisë, Kryeministria, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.
9. Zyrat e administrimit të baseneve lumore kanë stemën, logon dhe vulën e tyre zyrtare. Stema e zyrave përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë me shënimet “Republika e Shqipërisë, Kryeministria, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, Zyra e Administrimit të Basenit Lumor”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.
10. Vula e Agjencisë dhe vulat e secilës Zyrë të Administrimit të Baseneve Lumore kanë formën dhe elementet, sipas përcaktimit të vendimit nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”. Vulat prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
III. PËRGJEGJËSITË DHE DETYRAT E AGJENCISË DHE ZYRËS SË ADMINISTRIMIT TË BASENIT LUMOR
1. Agjencia, referuar zhvillimit, rregullimit ligjor dhe financimit të sektorit të ujit, ka këto përgjegjësi dhe detyra:
a) Në lidhje me politikat, strategjitë, planet, programet dhe projektet për zhvillimin e sektorit të ujit:
i. përcakton vizionin drejt të cilit duhet të orientohet qeverisja e integruar e burimeve ujore;
ii. analizon situatën e burimeve ujore, identifikon nevojat, me qëllim përcaktimin e prioriteteve, dhe vlerëson propozimet, duke kryer fizibilitetin e tyre;
iii. harton, zbaton e monitoron dokumentin e politikave të sektorit, Strategjinë Kombëtare të Menaxhimit të Burimeve Ujore, si dhe plane, programe e projekte, që synojnë menaxhimin e integruar të burimeve ujore, ruajtjen sasiore dhe cilësore, në bashkëpunim e koordinim me organet, entet, institucionet e specializuara në fushën e ujërave, në nivel qendror e vendor;
iv. siguron një kuadër të plotë, efektiv dhe të harmonizuar strategjik për mbrojtjen e mjedisit detar, duke koordinuar punën me institucionet vendase dhe strukturat përgjegjëse të shteteve të tjera, me të cilat Shqipëria ndan sovranitetin mbi rajonin detar të Mesdheut;
v. harton Strategjinë e Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin dhe organet përgjegjëse për monitorimin e ujërave detare, sipas përcaktimeve në ligjin nr.15/2024, “Për Strategjinë e Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë”.
b) Në lidhje me rregullimin ligjor të sektorit të ujit:
i. identifikon dhe vlerëson nevojën për hartimin e legjislacionit në lidhje me menaxhimin e burimeve ujore;
ii. harton dhe propozon aktet që rregullojnë fushën e menaxhimit të burimeve ujore dhe ndjek miratimin e tyre;
iii. bashkëpunon me ministritë përgjegjëse në hartimin e akteve ligjore dhe nënligjore, kur përmbajta e tyre ndikon në menaxhimin e burimeve ujore;
iv. monitoron zbatimin dhe ndikimin e kuadrit ligjor, si dhe sugjeron përmirësime sipas nevojës;
v. bashkërendon punën për harmonizimin e kuadrit ligjor të sektorit me acquis-në e Bashkimit Evropian;
vi. mbështet hartimin e kuadrit rregullator për administrimin dhe mbrojtjen e ujërave ndërkufitare dhe ndjek zbatimin e tyre, duke përfshirë marrëveshjet e konventat ndërkombëtare;
vii. i propozon Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU) miratimin e akteve rregullatore për menaxhimin e burimeve ujore në kompetencë të KKTU-së, sipas ligjit nr.29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar, dhe, kur është e nevojshme, propozon shfuqizimin apo anulimin e akteve;
viii. përfaqëson Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit në procese gjyqësore, lidhur me ato vendime të këtij organi të marra në kuadër të përgjegjësive që rrjedhin nga ligji nr.29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar, dhe monitoron çështjet gjyqësore në nivel të basenit ujor.
c) Në lidhje me aspektin ekonomiko-financiar të sektorit të ujit:
i. drejton procesin për optimizimin e shfrytëzimit të burimeve ujore drejt përfitueshmërisë ekonomike, në përputhje me parimet, prioritetet në përdorim dhe nevojat e vendit, si dhe me kriteret për ruajtjen dhe mbrojtjen sasiore e cilësore të burimeve ujore;
ii. kryen vlerësime të kosto-përfitimeve ekonomike të përdorimeve të burimeve ujore, bazuar në parashikimin afatgjatë të ofertë-kërkesës për ujë për nevoja të ndryshme, si dhe propozon tarifat për përdorimet e ndryshme të ujit dhe për shpenzimet administrative;
iii. kryen, rishikon e përditëson analizën ekonomike të përdorimit të ujit për çdo basen lumor ose liqenor;
iv. analizon dhe vlerëson qëndrueshmërinë e përdorimit të burimeve ujore në raport me impaktin social, ekonomik e mjedisor, duke marrë në konsideratë parimet “ndotësi paguan” dhe “rikuperimi i kostove të shërbimeve të ujit”;
v. vlerëson nevojën për financim të sektorit, identifikon burimet e financimit dhe bashkëpunon me aktorë vendas ose të huaj për sigurimin e financimeve për veprimtarinë ekonomike të burimeve ujore, si dhe menaxhon programet e asistencës financiare për to;
vi. ndjek procesin e menaxhimit të integruar të burimeve financiare dhe monitoron përdorimin e fondeve përkundrejt planifikimit, në përputhje me parimin e eficiencës, transparencës dhe shpërndarjes së drejtë të burimeve, si dhe ngritjes së mirëmbajtjes së inventarit të përditësuar të të gjitha programeve të asistencës financiare të projekteve.
2. Agjencia ka këto përgjegjësi dhe detyra mbi drejtimin e sektorit të ujit:
a) Projekton sistemin e miradministrimit të burimeve ujore (aktivitetin, organizimin, ndërveprimin me institucionet dhe aktorë të tjerë), si dhe garanton funksionalitetin, performancën dhe eficiencën e tij;
b) Organizon strukturën e sistemit, në përputhje me fushën e përgjegjësisë dhe aktivitetin, kuadrin strategjik dhe politikat e qeverisë, informacionin dhe njohuritë mbi sektorin, standardet që duhet të arrihen për aktivitetin dhe operimin e sistemit, sfidat dhe problematikat ekzistuese që paraqet sektori i ujit në Shqipëri;
c) Përcakton objektivat për sektorin dhe identifikon treguesit për vlerësimin e arritjes së tyre, vlerëson performancën e përdorimit të burimeve ujore përkundrejt objektivave dhe nivelit të përmbushjes së treguesve, si dhe ndërmerr nisma për përmirësimin e performancës në përputhje me rezultatet e treguesve;
ç) Përcakton objektivat e cilësisë mjedisore për çdo trup ujor, me qëllim arritjen e statusit të synuar;
d) Përcakton standardet dhe normativat në lidhje me treguesit sasiorë dhe cilësorë për mbrojtjen dhe përdorimet e ndryshme të burimeve ujore;
dh) Mirëmban dhe përditëson sistemin e integruar të informacionit në sektorin e ujit (me elemente thelbësore: Kadastra Kombëtare e Burimeve Ujore, Regjistri i Burimeve Ujore/Zonave të Mbrojtura Ujore, Regjistri i Lejeve dhe Autorizimeve të lëshuara nga organet e administrimit dhe menaxhimit të burimeve ujore), duke garantuar aksesin dhe shkëmbimin e të dhënave sipas ligjit;
e) Drejton e bashkërendon punën për mbledhjen, grumbullimin dhe përditësimin e të dhënave sasiore dhe cilësore të burimeve ujore, të informacionit për Kadastrën Kombëtare të Ujit nga institucionet përgjegjëse (duke kërkuar prej tyre të dhëna teknike, informacion, analiza apo mbështetje tekniko-konsultative), si dhe për pasqyrimin në Gjeoportalin Kombëtar;
ë) Krijon e përditëson një regjistër të të gjitha zonave, brenda secilit rajon të baseneve lumore, që janë shpallur si zona, të cilat kërkojnë mbrojtje të veçantë, sipas përcaktimeve të ligjit nr.29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar;
f) Krijon një inventar të emetimeve, shkarkimeve dhe humbjeve, ku përfshihen, nëse janë të disponueshme, hartat e emetimeve, shkarkimeve dhe humbjeve të të gjitha substancave prioritare dhe ndotësve, të përcaktuar sipas ligjit nr.29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar, për çdo rajon të basenit lumor dhe për ato pjesë të rajonit ndërkufitar të basenit lumor, që bie brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, përfshirë edhe përqendrimet e tyre në sedimente dhe biotë;
g) Harton normativa, standarde, kërkesa, kritere dhe praktika të unifikuara për ruajtjen, përdorimin, rehabilitimin dhe përmirësimin e burimeve ujore, duke bashkëpunuar, sipas ligjit, me çdo ministri apo institucion përgjegjës;
gj) Përcakton, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për ujësjellës-kanalizimet, kërkesat dhe standardet për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të kanalizimeve, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar;
h) Mban të dhënat/databazat tematike të sektorit dhe orienton e mbështet kërkimet, studimet, publikimet me karakter shkencor e teknik sipas ligjit;
i) Është përgjegjëse për marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe garanton angazhimin e aktorëve, duke ngritur sistemin e ndërveprimit (mban databaza, dokumente, manuale, plane, teknika, raporte mbi komunikim-ndërveprimin e aktorëve, ndjek ngritjen e komisioneve, komiteteve apo grupeve të punës për çështje që lidhen me menaxhimin e burimeve ujore) në mënyrë të integruar, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme;
j) Kryen analiza, modelime dhe simulime/skenarë mbi burimet ujore dhe sjelljen e tyre, në nivel baseni apo trupi ujor, bazuar në modele matematikore të integruara në aplikacione dhe programe kompjuterike;
k) Nxit inovacionin, digjitalizimin dhe aplikimin e modeleve/praktikave më të mira në lidhje me vlerësimin, mbrojtjen dhe përdorimin e burimeve ujore;
l) Siguron bashkërendimin e dispozitave të ligjit nr.29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar, në lidhje me përmbushjen e objektivave mjedisorë dhe veçanërisht të programeve të masave me autoritetet e tjera;
ll) Koordinon proceset e punës për hartimin dhe rishikimin e komponentëve të Strategjisë për Mbrojtjen e Mjedisit Detar, duke bashkëpunuar me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, turizmin, akuakulturën dhe organet përgjegjëse për zonat e mbrojtura detare dhe monitorimin e ujërave detare;
m) Drejton e bashkërendon punën me ministritë e linjës për të gjitha proceset integruese në Bashkimin Evropian, për sa i përket sektorit të ujit.
3. Agjencia ka këto përgjegjësi dhe detyra për menaxhimin e sektorit të ujit:
a) Planifikon, ekzekuton, kontrollon punën dhe garanton që produktet apo shërbimet janë të duhurat, në kohën e duhur, brenda buxhetit e në sasinë dhe në cilësinë e kërkuar:
i. duke integruar kërkesat për realizimin e një produkti optimal, të qëndrueshëm e të sigurt, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare;
ii. duke analizuar progresin, vlerësuar devijimet nga objektivat, standardet dhe planin e menaxhimit, si dhe duke menaxhuar ndryshimet e nevojshme në program dhe në burime.
b) Harton e ndjek zbatimin e të gjitha planeve të menaxhimit të kërkuara nga ligji, në bashkëpunim me zyrat e administrimit të baseneve lumore, strukturat shtetërore përgjegjëse, sipas legjislacionit në fuqi, si dhe në bashkëpunim me aktorët e tjerë;
c) Kryen analizën e karakteristikave dhe vlerësimin e ndikimit të aktivitetit njerëzor për çdo trup ujor në basen, për të përcaktuar statusin e trupave ujorë sipërfaqësorë dhe nëntokësorë, si dhe përditësimet e tyre për çdo rajon të basenit lumor apo pjesë të një baseni lumor ose liqenor ndërkombëtar, që ndodhet në territorin e Republikës së Shqipërisë;
ç) Harton programin e monitorimit të statusit të ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore për çdo rajon të basenit lumor, me qëllim vlerësimin e statusit të trupave ujorë;
d) Kryen analizën e tendencës afatgjatë të përqendrimeve të substancave prioritare, të përcaktuara si të tilla, në përputhje me ligjin nr.29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar, që kanë prirjen të grumbullohen në sedimente ose biotë, duke u bazuar në rezultatet e monitorimit të statusit të ujërave sipërfaqësore;
dh) Identifikon burimet ujore të ndikuara apo që mund të ndikohen nga ndotja e shkaktuar nga nitratet me origjinë bujqësore;
e) Identifikon e propozon elementet e cilësisë për klasifikimin e statusit ekologjik të lumenjve, liqeneve, ujërave transitore, ujërave bregdetare dhe trupave ujorë sipërfaqësorë artificialë dhe tepër të modifikuar;
ë) Identifikon rastet kur ndotjet e përqendruara mund të rrezikojnë arritjen e objektivave të cilësisë mjedisore;
f) Menaxhon dhe koordinon procesin e planifikimit, zbatimit dhe monitorimit të nismave/projekteve/programeve për administrimin e burimeve ujore në bashkëpunim me ministritë e linjës, institucionet qendrore e vendore, donatorë dhe partnerë të tjerë zhvillimorë;
g) Siguron koordinimin e përgjithshëm të organeve të administrimit të burimeve ujore, njësive të vetëqeverisjes vendore, organeve dhe strukturave përgjegjëse të ministrive, institucioneve shtetërore e aktorëve përkatës për marrjen e masave dhe zbatimin e legjislacionit në sektorin e ujit;
gj) Koordinon veprimtaritë e hartimit të planeve të menaxhimit të riskut nga përmbytjet me autoritetet e tjera, me fokus përmirësimin e efikasitetit, shkëmbimin e informacionit, përgatitjen e hartave, analizimin e skenarëve dhe sigurimin e sinergjive dhe përfitimeve të përbashkëta, duke synuar arritjen e objektivave mjedisorë;
h) Kryen vlerësimin e statusit të ujërave detarë dhe harton programin e monitorimit, duke përdorur metodologji, të cilat janë në harmoni me ato shteteve të tjera, me të cilat Shqipëria ndan sovranitetin mbi këto ujëra, për të mundësuar koherencën e krahasueshmërinë e rezultateve.
4. Agjencia ka këto përgjegjësi dhe detyra operacionale në sektorin e ujit:
a) Planifikon, zbaton, ndjek, garanton optimizimin e përdorimit të burimeve njerëzore, materialeve, aseteve të nevojshme për kryerjen e proceseve të punës për menaxhimin e burimeve ujore;
b) Realizon të gjitha proceset e punës, pjesë e ciklit të menaxhimit të integruar të burimeve ujore, si dhe bashkërendon e kontrollon punën e zyrave të administrimit të baseneve lumore;
c) Ndjek zbatimin e programeve të masave të përcaktuara në planet e menaxhimit të baseneve lumore për ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore;
ç) Ndjek zbatimin e proceseve të punës lidhur me burimet ujore nga ministritë përkatëse dhe bashkëpunon me to, sipas detyrimeve e kërkesave specifike të kuadrit ligjor;
d) Kryen të gjitha veprimet përgatitore në lidhje me materialet që do të paraqiten për shqyrtim në mbledhjet e KKTU-së, brenda fushës së përgjegjësisë që ka ky organ lidhur me menaxhimin e burimeve ujore, sipas përcaktimeve të ligjit nr.29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar, duke koordinuar marrëdhëniet me sekretariatin teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, sipas legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit;
dh) Pranon kërkesat dhe shqyrton dokumentacionin tekniko-ligjor të paraqitur nga subjektet fizike dhe juridike, që kërkojnë miratim në parim, për nisjen e një procedure koncesioni, për leje apo autorizim për përdorim burimi ujor, si dhe bën propozimet përkatëse në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit ose në Këshillin e Basenit Lumor, sipas kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për miratimin e veprimtarisë përkatëse;
e) Miraton kërkesat për autorizime apo leje për veprimtari të caktuara, sipas përcaktimeve në ligjin nr.29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar;
ë) Ndjek dhe monitoron zbatimin e kushteve e të kritereve të përcaktuara në lejet/autorizimet e dhëna për përdorimin e ujit, si dhe ndërmerr masat ndaj subjekteve që gjenden në shkelje;
f) I propozon KKTU-së dhe/ose KBL-së rishikimin, rinovimin, ndryshimin, transferimin, pezullimin, revokimin e lejeve apo të autorizimeve;
g) Siguron mbledhjen e të ardhurave nga tarifat e përdorimit të ujit dhe pagesat për shpenzimet administrative, nëpërmjet zyrave të administrimit të baseneve lumore apo marrëveshjeve me të tretë dhe i derdh në buxhetin e shtetit;
gj) Merr pjesë, nëpërmjet dhënies së mendimit, në çdo procedurë për vlerësimin e ndikimit mjedisor apo vlerësimin strategjik mjedisor, kur veprimtaria dhe instalimi i propozuar kanë ndikim në burime ujore;
h) Merr pjesë në procedurat e dhënies së lejeve mjedisore, të cilat kanë ndikim në burime ujore, duke përcaktuar kërkesat e veta, me qëllim arritjen e objektivave të cilësisë mjedisore, të përcaktuar në përputhje me ligjin nr.29/2024, “Për burimet ujore”, të ndryshuar, lidhur me kontrollin e ndotjes së ujërave;
i) Mbledh, strukturon, përpunon, administron dhe publikon të dhëna sasiore e cilësore mbi burimet ujore dhe i vë ato në dispozicion të institucioneve, në përputhje me kuadrin ligjor përkatës;
j) Promovon rëndësinë e burimeve ujore, nxit pjesëmarrjen e përdoruesve të burimeve ujore dhe komunitetit në përdorimin e qëndrueshëm të ujit, përmes fushatave ndërgjegjësuese, botimeve, publikimeve, konferencave, seminareve, forumeve apo konsultimeve.
5. Zyra e Administrimit të Basenit Lumor (ZABL), mbështetur në detyrat e përcaktuara në ligj, ka këto detyra administrative dhe kompetenca territoriale:
a) Në lidhje me Këshillin e Basenit Lumor (KBL):
i. ushtron funksionet e sekretariatit teknik dhe organizon mbledhjen e KBL-së;
ii. i propozon KBL-së rishikimin, ndryshimin, pezullimin, revokimin e lejeve apo të autorizimeve;
iii. përfaqëson Këshillin e Basenit Lumor në çështjet gjyqësore.
b) Ndjek zbatimin e vendimeve të AMBU-së, KKTU-së dhe KBL-së, si dhe përmbushjen e detyrimeve financiare të përdoruesve të burimeve ujore brenda basenit përkatës, pavarësisht nga organi që ka miratuar veprimtarinë;
c) Merr iniciativa për ndërgjegjësimin e përdoruesve të ujit lidhur me procesin e formalizimit;
ç) Mbledh të dhëna dhe informacione në nivel baseni në kuadër të hartimit të planeve të menaxhimit të baseneve lumore;
d) Harton inventarin sasior e cilësor të burimeve ujore në nivel baseni, duke i përditësuar periodikisht;
dh) Përgatit raporte dhe jep opinione për burimet ujore në nivel baseni, bazuar në rezultatet e monitorimeve të kryera ndaj përdoruesve të burimeve ujore;
e) Hedh të dhënat në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve lidhur me lejet/autorizimet e përdorimit të burimeve ujore të lëshuara nga KBL-ja përkatëse.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Deri në momentin e fillimit të funksionimit të plotë të Agjencisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, Agjencia vijon funksionimin sipas strukturave dhe organikave aktuale të miratuara.
2. Vendimi nr.221, datë 26.4.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore”, i ndryshuar”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe zyrat e administrimit të baseneve lumore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E DREJTËSISË TE MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT, PËR UNIVERSITETIN “ISMAIL QEMALI”, VLORË, TË PRONËS ME EMËRTIM “GJYKATA E APELIT, VLORË”, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1292, DATË 24.9.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË DREJTËSISË TË TROJEVE DHE NDËRTESAVE TË GJYKATAVE TË RRETHEVE GJYQËSORE DHE TË GJYKATAVE TË APELIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Drejtësisë te Ministria e Arsimit dhe Sportit, për universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, të pronës me emërtim “Gjykata e Apelit, Vlorë”, ndodhur në zonën kadastrale 8603, Vlorë, sipas formularit, kartelave të pasurive të paluajtshme dhe fragmentit të hartës kadastrale, që i bashkëlidhen këtij vendimi, me qëllim ushtrimin e veprimtarisë në fushën e arsimit të lartë, dhe që i shërbejnë institucionit për të garantuar përmbushjen e misionit të tij.
2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.1292, datë 24.9.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë të trojeve dhe ndërtesave të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të gjykatave të apelit”, të ndryshuar.
3. Zyrat e shërbimit dhe zyrat e arkivit gjyqësor të ish-Gjykatës së Apelit Vlorë i jepen në përdorim, pa shpërblim, Këshillit të Lartë Gjyqësor, me funksion ambiente informacioni për qytetarët.
4. Ministria e Arsimit dhe Sportit, universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor lidhin marrëveshje për kushtet e përdorimit për ambientet e përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi.
5. Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, u ndalohet të ndryshojnë destinacionin e pronës së paluajtshme, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojnë apo t’ua japin atë në përdorim të tretëve.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Lartë Gjyqësor, universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHLYERJEN E DETYRIMEVE FINANCIARE NDAJ TË TRETËVE TË NDËRMARRJEVE SHTETËRORE USHTARAKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 25, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e Shoqërisë Shtetërore për Prodhimin dhe Tregtimin e Armëve, Municioneve, Pajisjeve dhe Teknologjive Ushtarake”, dhe të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj të tretëve, në masën 244 541 460 (dyqind e dyzet e katër milionë e pesëqind e dyzet e një mijë e katërqind e gjashtëdhjetë) lekë, të ndërmarrjeve shtetërore Uzina e Lëndëve Plasëse Mjekës Elbasan, Uzina Mekanike Gramsh dhe Kombinati Mekanik Poliçan, nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, detajuar sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Efektet financiare, sipas pikës 1 të këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2025, për Ministrinë e Mbrojtjes, në programin buxhetor “Mbështetja e luftimit”.
3. Shlyerja e detyrimeve të prapambetura, sipas pikës 1 të këtij vendimi, përfundon brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e tij.
4. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.575, DATË 24.6.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KËRKESAVE PËR MENAXHIMIN E MBETJEVE INERTE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 37, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.575, datë 24.6.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kërkesave për menaxhimin e mbetjeve inerte”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në fjalinë e dytë të pikës 4, fjalët “… të vendimit nr.99, datë 18.2.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e katalogut shqiptar të klasifikimit të mbetjeve”, të ndryshuar.” zëvendësohen me “… të vendimit nr.402, datë 30.6.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e katalogut të mbetjeve.”.
2. Pas pikës 8 shtohet pika 8/1, me këtë përmbajtje:
“8/1. Në përputhje me qëllimin e këtij vendimi, mbetjet inerte të krijuara nga projekti i ndërtimit, i riparimit, i restaurimit apo i prishjes së objektit ripërdoren për ndërtim, nëse janë të përshtatshme për këtë funksion. Nëse mbetjet inerte të krijuara në sheshin e projektit ripërdoren në shesh ndërtimi tjetër apo nëse ruhen përkohësisht në një vend tjetër deri në ripërdorimin e tyre, subjekti zhvillues apo përfituesi i lejes së ndërtimit paraqet dokumentacionin e mëposhtëm, sipas rastit:
a) Kur inertet ripërdoren për qëllime ndërtimi nga vetë subjekti zhvillues apo përfituesi i lejes së ndërtimit, por në një vend tjetër, ai paraqet deklaratën personale për qëllimin e përdorimit së bashku me dokumentacionin ose të dhënat për sheshin tjetër të ndërtimit, ku do të përdoren inertet (lejen përkatëse të ndërtimit); ose
b) Kur inertet ripërdoren për qëllim ndërtimi nga të tretë në një vend tjetër, subjekti zhvillues apo përfituesi i lejes së ndërtimit paraqet marrëveshjen (kontratën) e lidhur me ta për këtë qëllim, së bashku me dokumentacionin ose të dhënat për sheshin tjetër të ndërtimit, ku do të përdoren inertet (lejen përkatëse të ndërtimit); ose
c) Kur inertet ruhen përkohësisht në një vend tjetër përpara ripërdorimit të tyre për qëllime ndërtimi, subjekti zhvillues apo përfituesi i lejes së ndërtimit paraqet:
i. marrëveshjen me operatorin për depozitimin e inerteve përkohësisht në një venddepozitim të përkohshëm, deri në ripërdorimin për qëllime ndërtimi. Nëse ato do të ripërdoren nga të tretë, paraqitet edhe kontrata e lidhur me ta për këtë qëllim; ose
ii. deklaratën për depozitimin përkohësisht, deri në ripërdorimin për qëllime ndërtimi, në një pasuri të paluajtshme në pronësi të tij, ose marrëveshjen me pronarin, kur pasuria nuk është në pronësi të tij, të shoqëruara me kopje të kartelës së pasurisë. Në çdo rast, pasuria të përmbushë kriteret e përcaktuara në pikën 17 të këtij vendimi, dhe depozitimi sipas kësaj nënndarjeje nuk mund të zgjasë më shumë se 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë. Nëse mbetjet inerte ripërdoren nga të tretë, paraqitet edhe kontrata e lidhur me ta për këtë qëllim.”.
3. Pas pikës 20 shtohet pika 20/1, me këtë përmbajtje:
“20/1. Krahas subjekteve private, roli i operatorit, në kuptim të këtij vendimi, ushtrohet edhe nga Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve (në vijim, AKEM).
Për venddepozitimet e përkohshme të administruara nga operatorë që janë subjekte private, AKEM-i ushtron mbikëqyrjen dhe ndjekjen e funksionimit të venddepozitimit për qëllime të përputhshmërisë me përcaktimet e legjislacionit në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Rregullat e hollësishme të mbikëqyrjes dhe ndjekjes së funksionimit të venddepozitimeve përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për mjedisin. Në rast të konstatimit të shkeljeve të standardeve dhe të kritereve të venddepozitimit nga operatori, zbatohen masat administrative të parashikuara në legjislacionin e posaçëm të mbrojtjes së mjedisit.
4. Pas pikës 21 shtohen pikat 21/1, 21/2, 21/3, 21/4, 21/5 dhe 21/6, me këtë përmbajtje:
“21/1. AKEM-i i kërkon njësisë së vetëqeverisjes vendore informacionin për vendet e përcaktuara prej saj për t’u përdorur si venddepozitime të përkohshme dhe specifikisht mbi ato që shtrihen në pasuri shtetërore. Në rast se nuk është e qartë gjendja juridike e pronësisë mbi pasuritë, AKEM-i kërkon informacion nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Pas vlerësimit të këtyre vendeve, AKEM-i njofton njësinë e vetëqeverisjes vendore për ato pasuri shtetërore, të cilat do t’i administrojë si venddepozitime të përkohshme.
21/2. Marrja në administrim nga AKEM-i i pasurive, sipas përcaktimit në pikën 21/1 të këtij vendimi, kryhet në një nga këto mënyra:
a) Nëpërmjet përcaktimit ose ndryshimit të përgjegjësisë së administrimit të pasurisë shtetërore tek AKEM-i, sipas përcaktimeve të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, në rastin kur ajo është pronë e patransferuar te njësitë e vetëqeverisjes vendore; ose
b) Nëpërmjet marrëveshjes që lidhet ndërmjet AKEM-it dhe organeve të saj (njësisë së vetëqeverisjes vendore), me objekt përdorimin e pasurisë nga AKEM-i për qëllimet e këtij vendimi ose sipas përcaktimeve të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, kur prona i është transferuar njësisë së vetëqeverisjes vendore.
21/3. Venddepozitimet e përkohshme miratohen me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit.
21/4. AKEM-i dhe operatorët privatë, që respektojnë në çdo rast kriteret e pikës 17 të këtij vendimi, kërkojnë pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore miratimin e tarifës përkatëse, në bazë të pikës 15 të këtij vendimi, pa qenë nevoja për të miratuar ndryshime në planin e përgjithshëm vendor.
Pas miratimit të tarifës, AKEM-i ose operatorët privatë i drejtohen Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit për miratimin e lejeve të nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
21/5. Operatorët privatë, para marrjes së lejes së ndërtimit për venddepozitim të përkohshëm nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, duhet të depozitojnë një garanci financiare/bankare për të mbuluar kostot e ndërtimit, të operimit, të mbylljes e të kujdesit të mëtejshëm të landfill-it pas mbylljes së tij, përfshirë pagesën e garancisë për kostot e mbylljes së tij, ndërhyrjet e mëpasshme dhe rehabilitimin e mjedisit, për llogari të njësisë së vetëqeverisjes vendore, e cila nuk do të jetë më pak se 10% e vlerës së strukturës së objektit dhe përcaktohet me vendim të këshillit bashkiak.
21/6. Në çdo rast, për lejet e lëshuara nga autoritetet e zhvillimit të territorit, subjekti zhvillues apo përfituesi i lejes së ndërtimit ka detyrimin të njoftojë përkatësisht sekretariatin teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit për lejet në kompetencë të tij, autoritetin vendor dhe, në të gjitha rastet, AKEM-in, nëse, pas marrjes së lejes së ndërtimit, mbetjet inerte do të ruhen në një venddepozitim tjetër të përkohshëm, të ndryshëm nga ai i përcaktuar gjatë procedurave të lejes së ndërtimit, sipas përcaktimeve të pikës 8 të këtij vendimi.”.
5. Në pikën 20, fjalët “… ministria që mbulon infrastrukturën publike …” zëvendësohen me “… ministria përgjegjëse për mbetjet …”.
6. Në pikën 21, fjalët “… në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për infrastrukturën publike …” hiqen.
7. Pika 25 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“25. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve, sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.61, DATË 3.2.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PAKETAVE TË PAJISJEVE MJEKËSORE TË RIMBURSUESHME”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 9.2, të vendimit nr.61, datë 3.2.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e paketave të pajisjeve mjekësore të rimbursueshme”, të ndryshuar, shtohet pika 9.3, me këtë përmbajtje:
“9.3. Paketat e trajtimit të stomës, që do të rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, janë sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për vitin 2025.
3. Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.325, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS SË PAGAVE, NIVELEVE TË PAGAVE DHE SHTESAVE TË TJERA MBI PAGË TË ZËVENDËSMINISTRIT, FUNKSIONARËVE TË KABINETEVE, PREFEKTIT, NËNPREFEKTIT, NËPUNËSVE CIVILË DHE NËPUNËSVE NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, të shkronjës “h”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të neneve 7 e 9, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.325, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave dhe shtesave të tjera mbi pagë të zëvendësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe nëpunësve në disa institucione të administratës publike”, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Lidhja nr.1 zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) Në pikën 5, të lidhjes nr.3, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
i. Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) në masën 65 000 (gjashtëdhjetë e pesë mijë) lekë në muaj për nëpunësit në pozicionet “Sekretar i Përgjithshëm” dhe “Zëvendëssekretar i Përgjithshëm”.”
ii. Nënndarja “v”, e shkronjës “g”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“v. “koordinator” në njësinë e menaxhimit pranë Sekretarit të Përgjithshëm dhe në njësinë e menaxhimit pranë Zëvendëssekretarit të Përgjithshëm.”.
c) Lidhja nr.7 zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2025, përballohen nga buxheti i miratuar për Kryeministrinë për këtë vit dhe fillojnë nga momenti i emërimit të nëpunësve/punonjësve.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NGRITJEN E TASK-FORCËS PËR ZBATIMIN E PROTOKOLLIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE, PËR FORCIMIN E BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E MIGRACIONIT DHE TË MARRËVESHJES ZBATUESE TË TIJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.20/2024, “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngritjen e Task-Forcës për zbatimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, si dhe të marrëveshjes zbatuese të tij.
2. Task-Forca ka për qëllim koordinimin, ndjekjen dhe mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes, në përputhje me fushën e përgjegjësisë së institucioneve të përfshira.
3. Task-Forca kryesohet nga zëvendësministri i Brendshëm, përgjegjës për çështjet e migracionit, dhe ka në përbërje këta anëtarë:
– Zëvendësministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme;
– Zëvendësministrin e Mbrojtjes;
– Zëvendësministrin e Financave;
– Zëvendësministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
– Zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë;
– Drejtorin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
– Drejtorin e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit;
– Drejtorin e Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit;
– Drejtorin e Departamentit për Shërbimet Mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
4. Task-Forca ka si detyrë:
a) të hartojë planin e veprimit, sipas fushave të përgjegjësive të institucioneve të përfshira, si një dokument i vetëm i miratuar;
b) të evidentojë strukturat, përgjegjësitë dhe detyrimet, në rast të situatave të paparashikuara që lindin gjatë zbatimit të protokollit dhe të marrëveshjes zbatuese të tij;
c) të garantojë mbështetjen e strukturave të angazhuara me burimet e nevojshme për përmbushjen e përgjegjësive të tyre, në zbatim të protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, si dhe të marrëveshjes zbatuese të tij;
ç) të trajtojë kërkesat dhe çështjet e përcjella nga Ambasada e Republikës së Italisë në Tiranë nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, që lidhen me zbatimin e protokollit dhe të marrëveshjes zbatuese, si dhe merr vendime, të cilat i përcillen për zbatim strukturave përkatëse, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë.
5. Task-Forca mblidhet me kërkesë të kryetarit dhe të çdo anëtari të saj, në varësi të çështjes që shtrohet për diskutim, sipas një kalendari takimesh ose sa herë vlerësohet e nevojshme.
6. Task-Forca, kur e vlerëson të nevojshme, fton në mbledhjet e saj ekspertë të jashtëm ose përfaqësues nga organizata, që mbulojnë fushën e institucioneve të përfshira, për çështje që janë jashtë profilit të saj dhe opinioni i tyre bëhet pjesë e vendimmarrjes.
7. Anëtarët e Task-Forcës njoftojnë kryetarin për çdo problematikë dhe vendimmarrje, sipas fushës së përgjegjësisë.
8. Kryetari i Task-Forcës raporton çdo muaj pranë ministrit të Brendshëm për zbatimin e këtij vendimi.
9. Task-Forca mbështetet nga sekretariati teknik, i përbërë nga përfaqësues të nivelit të mesëm drejtues dhe/ose të lartë drejtues, i cili ka në përbërje:
a) përfaqësues të Drejtorisë së Politikave të Migracionit, Azilit dhe Antitrafikut, në Ministrinë e Brendshme;
b) përfaqësues të strukturës për rendin dhe sigurinë publike, në Ministrinë e Brendshme;
c) përfaqësues nga Drejtoria Konsullore, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme;
ç) përfaqësues nga Departamenti i Shërbimeve Mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
10. Detyrat e sekretariatit teknik janë:
a) organizimi i mbledhjeve të Task-Forcës, në përputhje me procedurat ligjore të njoftimit për mbledhjet e komisioneve të posaçme;
b) përgatitja e relacionit për çështjet në diskutim, si pjesë e dokumentacionit që do të diskutohet, dhe koordinimi me institucionet e përfshira në këtë Task-Forcë;
c) administrimi i dokumenteve të ardhura nga pala italiane dhe paraqitja e tyre Task-Forcës për shqyrtim dhe koordinim të veprimeve të mëtejshme, sipas udhëzimeve të saj;
ç) mbledhja e të dhënave dhe informacionit të ardhur nga anëtarët;
d) shkëmbimi i informacionit dhe materialeve të mbledhjes midis anëtarëve;
dh) hartimi i materialeve për kryetarin e Task-Forcës;
e) mbajtja dhe administrimi i procesverbalit të mbledhjes.
11. Task-Forca është funksionale deri në përfundimin e zbatimit të protokollit.
12. Ngarkohen titullarët e institucioneve, të përmendura në pikën 3, të këtij vendimi, që brenda 10 (dhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e tij, të caktojnë dhe të dërgojnë pranë Ministrisë së Brendshme emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë Task-Forcë, si dhe në sekretariatin teknik mbështetës, sipas shkronjave “c” e “ç”, të pikës 9.
13. Ngarkohet Task-Forca për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN TE KORPORATA E INVESTIMEVE SHQIPTARE TË PRONAVE SHTETËRORE PËR REALIZIMIN E PROJEKTIT TË INVESTIMIT “RIJETËZIMI I STADIUMIT “NIKO DOVANA”, DURRËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, sh.a., me NIPT: M01917011D, të pronave shtetërore sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për realizimin e projektit të investimit “Rijetëzimi i stadiumit “Niko Dovana”, Durrës”.
2. Autorizimin e shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, sh.a., vetë apo nëpërmjet entitetit të krijuar prej saj, për të vepruar si zhvillues i pronave të përcaktuara në shtojcat nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi, dhe autorizimit të dhënë nga Këshilli Bashkiak Durrës nëpërmjet vendimit nr.125, datë 27.7.2023, në funksion të realizimit të projektit të investimit të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i cili ka si qëllim, ndër të tjera, përmbushjen e interesit publik.
3. Autorizohen Korporata e Investimeve Shqiptare dhe institucioni i përcaktuar në shtojcën nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, apo autoritetet e autorizuara prej tyre, që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, përmbushjen e interesit të Korporatës, si dhe entiteteve në pronësi të të cilit/ave regjistrohet prona e re shtetërore.
4. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për hapjen e procedurës konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, sipas rregullave të përcaktuara në vendimin nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, për zhvillimin e pronës nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes.
5. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për negociimin me subjekte private, me qëllim lidhjen e kontratës përkatëse për zhvillimin e pronave të transferuara në pronësi apo për të cilat ka autorizim zhvillimi, në funksion të realizimit të projektit të investimit.
6. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare, vetë apo nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, të kryejë veprimet me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, institucionet publike kompetente për planifikimin e zhvillimin e territorit apo me institucione të tjera, në kuadër të realizimit të projektit të investimit, si dhe të sigurojë regjistrimin, në emër të Republikës së Shqipërisë/Bashkisë Durrës/ Korporatës, sipas parashikimeve të marrëveshjes së bashkëpunimit, të pronës së re shtetërore, që do të krijohet në kuadër të projekteve të investimit.
7. Në funksion të zhvillimit të pronave të përcaktuara në këtë vendim, në përputhje me parashikimet ligjore përkatëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për të proceduar me prishjen e objekteve, pjesë e pronave të përcaktuara në shtojcat nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
8. Vendimi nr.485, datë 1.8.2023, i Këshillit të Ministrave, “Për ngarkimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si autoritet kontraktor për realizimin e projektit të zonës multifunksionale përreth kompleksit të stadiumit “Niko Dovana” në Durrës, përfshirë stadiumin”, shfuqizohet.
9. Ngarkohen Bashkia Durrës, Federata Shqiptare e Futbollit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË LEZHË TË DISA PRONAVE, ZONA KADASTRALE 2660, ME VENDNDODHJE NË NJËSINË ADMINISTRATIVE KALLMET, DHE PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.414, DATË 11.7.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË LEZHË, TË QARKUT TË LEZHËS”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Lezhë të pronave, me numër rendor 292-303, zona kadastrale 2660, me vendndodhje në njësinë administrative Kallmet, sipas formularëve dhe planeve të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur në fushën e shërbimeve funerale.
2. Pronat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohen listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.414, datë 11.7.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Lezhë, të Qarkut të Lezhës”, të ndryshuar.
3. Bashkisë Lezhë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronave, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, t’i tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen Bashkia Lezhë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU