Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 2 Tetor 2019

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 2 Tetor 2019:

 

AKT NORMATIV

PËR

DISA SHTESA NË LIGJIN NR.9632, DATË 30.10.2006, “PËR SISTEMIN E TAKSAVE VENDORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:

Neni 1

Pas pikës 8, të nenit 27, shtohet pika 9, me këtë përmbajtje:

“9. Përjashtohen nga pagesa e kësaj takse investimet për rindërtimin, riparimin apo restaurimin e ndërtesave të destinuara për qëllime banimi, të dëmtuara si pasojë e fatkeqësive natyrore, sipas përkufizimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen civile.

Kushtet, rregullat dhe dokumentet që shoqërojnë kërkesën për përjashtimin nga detyrimi për pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë, sipas kësaj pike, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 2

Pas nenit 36 shtohet neni 36/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 36/1
Dispozitë transitore

Personat që aplikojnë për t’u pajisur me leje për rindërtimin, riparimin apo restaurimin e ndërtesave të destinuara për qëllime banimi, të dëmtuara si pasojë e tërmetit të datës 21 shtator 2019, përjashtohen nga detyrimi për pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë.”.

Neni 3

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
AKT NORMATIV
PËR

DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.99/2018, “PËR BUXHETIN E VITIT 2019”

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në ligjin nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, bëhen këto ndryshime:

Neni l

Nenet 2, 3, 4, 5 dhe 8 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“Neni 2

Buxheti i shtetit për vitin 2019 është:

Të ardhurat 361 945 milionë lekë;
Shpenzimet 394 845 milionë lekë;
Deficiti 32 900 milionë lekë.

Neni 3

Buxheti vendor për vitin 2019 është:

Të ardhurat 55 286 milionë lekë;

Nga të cilat:

– transferta e pakushtëzuar nga buxheti qendror 17 632 milionë lekë;
– transferta specifike 7 443 milionë lekë;
– të ardhura të tjera 30 211 milionë lekë.

Shpenzimet 55 286 milionë lekë.

Neni 4

Buxheti i sigurimeve shoqërore për vitin 2019 është:

1. Skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror

Të ardhurat, gjithsej,                                          126 244 milionë lekë;

Nga të cilat:

– kontributet                                                 82 896 milionë lekë;
– transferimet nga buxheti i shtetit              41 038 milionë lekë;
– transferta nga buxheti për indeksimin e pensioneve  2 310 milionë lekë;

Shpenzimet                                                          126 244 milionë lekë.

Paga minimale, për efekt të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, është e barabartë me pagën minimale në shkallë vendi dhe ndryshon sa herë që ndryshon kjo pagë. Këshilli i Ministrave përcakton masën e kontributit për personat e vetëpunësuar në bujqësi si dhe të kategorive të veçanta të personave të vetëpunësuar, duke mbuluar nga buxheti i shtetit diferencën midis këtyre kontributeve me masën e kontributit të përcaktuar për personat e vetëpunësuar në qytet. Për vitin 2019, teprica ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, sipas degëve të sigurimit shoqëror dhe programeve të tjera të veçanta e suplementare, përdoret për mbulimin e deficitit të degës së pensioneve.

2. Skema e sigurimit suplementar

Të ardhurat, gjithsej,                                                5 844 milionë lekë;
Nga të cilat:
–  kontributet                                                           1 446 milionë lekë;
–  transferimet nga buxheti i shtetit                         4 258 milionë lekë;
–  fondi për indeksimin e pensioneve                        140 milionë lekë;

Shpenzimet                                                             5 844 milionë lekë.

Fondi për indeksimin e pensioneve është 2 450 milionë lekë. Përdorimi i këtij fondi bëhet sipas përcaktimeve në nenin 61, të ligjit nr.7703 datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Shpenzimet administrative, si pjesë e shpenzimeve totale për skemën e sigurimeve shoqërore, janë jo më shumë se 2 618 milionë lekë dhe janë të ndara sipas skemave, në proporcion me shpenzimet e drejtpërdrejta.

Neni 5

Buxheti i sigurimeve shëndetësore për vitin 2019 është:

Të ardhurat, gjithsej, 41 900 milionë lekë;

Nga të cilat:

– kontributet dhe të tjera 13 729 milionë lekë;
– transferimet nga buxheti i shtetit 28 171 milionë lekë;
Shpenzimet 41 900 milionë lekë.

Fondi për rimbursimin e medikamenteve nuk tejkalon tavanin prej 11 000 milionë lekësh, përfshirë edhe pagesën e detyrimeve të prapambetura. Fondi për shërbimin spitalor detajohet dhe përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 8

Të ardhurat e buxhetit të shtetit, sipas grupeve kryesore, janë:

Grantet 15 500 milionë lekë;
Të ardhurat tatimore 323 604 milionë lekë;
Të ardhurat jotatimore 22 840 milionë lekë.”.

Neni 2

Në nenin 10 bëhen këto ndryshime:

a) Paragrafi i parë ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Shpenzimet e buxhetit të shtetit, sipas grupeve kryesore, janë:

⦁ Shpenzime të buxhetit qendror 387 195 milionë lekë;
⦁ Fondi rezervë 2 000 milionë lekë;
⦁ Fondi rezervë i sistemit të drejtësisë 1 350 milionë lekë
⦁ Kontingjencë për risqet e borxhit 4 300 milionë lekë.”.

b) Tabelat 1 dhe 4, të përmendura në nenin 10, zëvendësohen, përkatësisht, me tabelat me të njëjtin numërtim, që i bashkëlidhen këtij akti normativ dhe janë pjesë përbërëse të tij.

Neni 3

Në nenin 11 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Numri i përgjithshëm i punonjësve në organikë bëhet 82 455 veta;
b) Tabela 2, e përmendur në nenin 11, zëvendësohet me tabelën me të njëjtin numërtim, që i bashkëlidhet këtij akti normativ dhe është pjesë përbërëse e tij;
c) Në paragrafin e parafundit hiqen fjalët “… me miratim paraprak të Kuvendit.”;
ç) Në paragrafin e fundit, shuma “500 milionë lekë” bëhet “400 milionë lekë”.

Neni 4

Neni 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 13

Fondi rezervë i buxhetit, prej 2 000 milionë lekësh, përdoret nga Këshilli i Ministrave për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme.

Fondi rezervë i sistemit të drejtësisë përdoret:

– deri në 1 miliardë lekë, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për financimin e pagave të reja të magjistratëve;
– deri në 350 milionë lekë, nga Këshilli i Ministrave, për krijimin dhe funksionimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë.

Kontingjenca për risqet e borxhit, prej 4 300 milionë lekësh, përdoret nga ministri i Financave dhe Ekonomisë për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në shpenzimet për interesa.

Shumat e shpërndara nga fondi rezervё i buxhetit, fondi rezervё i sistemit të drejtësisë dhe kontingjenca për risqet e borxhit shtojnë kufijtë e miratuar në tabelat 1 dhe 4, që përmenden në nenin 10, të këtij ligji.”.

Neni 5

Aneksi 3, që përmendet në nenin 16, zëvendësohet me aneksin me të njëjtin numërtim, që i bashkëlidhet këtij akti normativ dhe është pjesë përbërëse të tij.

Neni 6

Ky akt normativ hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

SIGURIMIN E NDËRTIMEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 42, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ndërtuesi/zhvilluesi/investitori i dorëzon blerësit, njëkohësisht me lidhjen e kontratës për kalimin e pronësisë së ndërtesës, një kontratë sigurimi me afat 10- (dhjetë-) vjeçar me përfitues blerësin/blerësit dhe me efekt nga data e përfundimit të punimeve, në zbatim të pikës 9, të nenit 42, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar.

2. Kjo kontratë sigurimi mbulon dëmet e ndërtesës, që shfaqen pas lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë, përfshirë dëmet ndaj të tretëve, që rrjedhin kur, për shkak të tokës ose për defekt të ndërtimit, ndërtimi shembet tërësisht ose pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shembjeje ose defekte të tjera të rënda.

3. Limiti i përgjegjësisë së kontratës së sigurimit nuk duhet të jetë më i ulët se vlera totale e çmimit të shitjes të përcaktuar në kontratën e kalimit të pronësisë së pasurisë paluajtshme.

4. Tarifa vjetore e primit të sigurimit nuk mund të jetë më e ulët se 0.1 (zero pikë një) për qind e shumës së sigurimit/limit të përgjegjësisë së përcaktuar në kontratën e sigurimit.

5. Noterët lidhin kontratën për kalimin e pronësisë së ndërtesës nga ndërtuesi/zhvilluesi/investitori tek blerësi, shoqëruar me kontratën e sigurimit 10- (dhjetë-) vjeçar në favor të blerësit/blerësve të kryer nga shitësi, në përputhje me pikën 9, të nenit 42, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, si dhe me ligjin nr.110/2018, “Për noterinë”.

6. Kërkesa për regjistrim në regjistrin e pasurive të paluajtshme të kontratave të kalimit të pronësisë së ndërtesës nga ndërtuesi/zhvilluesi/investitori te blerësi, shoqërohet edhe me kontratën e sigurimit 10- (dhjetë-) vjeçar në favor të blerësit/blerësve, të kryer nga ndërtuesi/zhvilluesi/investitori. Në rast mungese të kontratës së sigurimit, kërkesa për regjistrim të kontratës së kalimit të pronësisë nuk administrohet nga sporteli i shërbimeve kadastrale.

7. Elementet dhe kushtet e përgjithshme të kontratës së sigurimit të detyrueshëm për t’u zbatuar nga shoqëritë e sigurimit miratohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare pas marrjes së mendimit nga ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe ministria përgjegjëse për financat.

8. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Drejtësisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1056, DATË 23.12.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLIT TEKNIK “PËR SIGURINË E ASHENSORËVE NË PËRDORIM””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 16, të ligjit nr.10489, datë 15.12.2011, “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në tekstin e rregullit teknik “Për sigurinë e ashensorëve në përdorim”, bashkëlidhur vendimit nr.1056, datë 23.12.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a) Pikat 2.4, 2.5 e 11.1 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“2.4. “Ashensor ekzistues” është ashensori i instaluar dhe i vendosur në shërbim përpara datës 31 dhjetor 2019.

2.5. “Ashensor i ri” është ashensori i instaluar dhe i vendosur në shërbim, duke filluar që prej datës 1 janar 2020.

11.1. Programimi kohor për kryerjen e ekzaminimeve të plota për ashensorët ekzistues.

Ekzaminimi i plotë i ashensorëve ekzistues, të vendosur në shërbim deri më 31 dhjetor 2019, të kryhet jo më vonë se data 31 dhjetor 2020.”.

b) Kudo në përmbajtjen e vendimit, emërtimi “struktura përgjegjëse” zëvendësohet me “Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT)”.

2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

LIRIMIN NGA DETYRA TË DREJTORIT TЁ CIRKUT KOMBËTAR

Në mbështetje tё pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të pikës 4, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Sajmir Çili lirohet nga detyra si drejtor i Cirkut Kombëtar.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.594, DATË 9.10.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EMËRIMIN E KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË FONDIT SHQIPTAR PËR ZHVILLIMIN E DIASPORËS”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.32/2018, “Për Fondin Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.594, datë 9.10.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Në pikën 1 bëhen këto ndryshime:

Për pjesën e mbetur të mandatit, sipas pikës 4, të nenit 9, të ligjit nr.32/2018:

i) Znj. Dajna Sorensen emërohet në vend të z. Elton Haxhi, si përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat;
ii) Znj. Mira Hoxha emërohet në vend të z. Andris Stastoli, si përfaqësues nga ministria përgjegjëse për punët e jashtme.

2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“ 2. Emërohet znj. Dajna Sorensen, përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat, kryetar i Këshillit Drejtues të Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës.”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË ELBASANIT

Në mbështetje të neneve 100 e 114, të Kushtetutës, dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Maksim Malaj emërohet prefekt i Qarkut të Elbasanit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN DHE FUSHËN E VEPRIMIT TË POLICIMIT VULLNETAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 76, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. ORGANIZIMI, FUNKSIONIMI DHE FUSHA E VEPRIMIT TË SHËRBIMIT TË POLICIMIT VULLNETAR

1. Shërbimi i policimit vullnetar funksionon në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunon me këto të fundit me qëllim:

a) sigurimin dhe garantimin e rendit publik në aktivitetet me karakter masiv, si tubime, koncerte, festivale, aktivitete sportive dhe organizime fetare;
b) dhënien e ndihmës për menaxhimin e trafikut rrugor në qendrat urbane dhe rurale;
c) dhënien e ndihmës për rritjen e sigurisë publike pranë institucioneve arsimore;
ç) kontrollin e territorit, mbështetjen e patrullimit policor për parandalimin e krimit dhe ndërhyrjen ndaj shkeljeve të ligjit;
d) përballimin dhe menaxhimin e situatave të emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit me karakter masiv.

2. Polici vullnetar e kryen veprimtarinë e tij nën mbikëqyrjen e punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili caktohet nga drejtuesi i strukturës vendore.

3. Kryerja e shërbimit të policimit vullnetar është i papajtueshëm me funksionet e gjyqtarit, prokurorit, përmbaruesit gjyqësor, drejtuesit në strukturat politike, punonjësit në institucionet e sigurisë kombëtare apo publike, të shërbimit të provës, të policisë së burgjeve dhe të Gardës së Republikës.

II. KRITERET E PËRGJITHSHME DHE TË VEÇANTA TË PRANIMIT NË SHËRBIMIN E POLICIMIT VULLNETAR

1. Kriteret e përgjithshme të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:

a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;
c) Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo i larguar nga administrata publike;
ç) Të ketë përfunduar arsimin e mesëm;
d) Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
dh) Të jetë i moshës nga 18 deri në 65 vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.

2. Kriteret e veçanta të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:

a) Të ketë përfunduar trajnimin e detyrueshëm me vlerësim pozitiv, si dhe të jetë i certifikuar nga Akademia e Sigurisë;
b) Të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë.

III. TË DREJTAT DHE PËRGJEGJËSITË E POLICIT VULLNETAR

1. Polici vullnetar ka të drejtë:

a) të njihet paraprakisht me të drejtat, detyrimet, përgjegjësitë e shërbimit të policimit vullnetar, si dhe me sanksionet në rast të mospërmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga ky vendim dhe nga kontrata individuale e vullnetarizmit;
b) të rimbursohet për shpenzimet e kryera gjatë orarit të shërbimit apo jashtë qendrës së banimit, në ndihmë të strukturave policore;
c) të pajiset me veshje, shenja dalluese dhe pajisje të tjera ndihmëse, të përcaktuara me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në përputhje me natyrën e aktiviteteve të vullnetarizmit dhe shërbimeve që do të kryejë;
ç) të kërkojë në mënyrë individuale vlerësim ose vërtetim pjesëmarrjeje për kontributin e punës vullnetare të dhënë prej tij nga struktura vendore e policisë;
d) të kryejë trajnime falas në Akademinë e Sigurisë, sipas programeve të miratuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

2. Polici vullnetar gjatë shërbimit dhe/ose jashtë tij ka përgjegjësi:

a) të ndjekë programin e trajnimit të detyrueshëm;
b) të marrë pjesë në trajnime që organizon Policia e Shtetit, për të përmirësuar cilësinë e punës e të shërbimit;
c) të kryejë aktivitetin e vullnetarizmit i paarmatosur, në përputhje me rregullat, udhëzimet dhe kërkesat e etikës së punonjësve të Policisë së Shtetit;
ç) të ruajë sekretin profesional, si dhe konfidencialitetin e të dhënave personale, me të cilat njihet gjatë angazhimit, si polic vullnetar;
d) të zbatojë detyrat dhe udhëzimet e dhëna nga mbikëqyrësi në nivel vendor i Policisë së Shtetit, përveç rasteve kur:

i. janë në kundërshtim me ligjin;
ii. paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e vullnetarit, si dhe atë të njerëzve të tjerë;
iii. konsiderohen moralisht të papranueshme nga ana e vullnetarit;
iv. vijnë në kundërshtim me kontratën e vullnetarizmit;

dh) të njoftojë përfaqësuesin apo mbikëqyrësin e Policisë së Shtetit, në lidhje me pasojat, kur ndodhet përpara zbatimit të urdhrave që mund t’i shkaktojnë dëme të shëndetit ose jetës së tij.

3. Gjatë shërbimit, polici vullnetar mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar nga veprimet e tij të kryera në kundërshtim me ligjin.

4. Polici vullnetar kryen shërbime publike në mbështetje të punonjësve të Policisë së Shtetit.

IV. PËRGJEGJËSITË E PËRFITUESIT TË SHËRBIMIT

1. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është përgjegjëse për përzgjedhjen, trajnimin, organizimin, drejtimin dhe trajtimin e policit vullnetar, duke u siguruar që:

a) të trajnojë paraprakisht kandidatët që do të certifikohen si të aftë për të kryer detyra në ndihmë të Policisë së Shtetit;
b) të sigurojë kushte normale pune për policin vullnetar, gjatë kryerjes së detyrave në bazë të kontratës së shërbimit vullnetar;
c) të ruajë dhe të sigurojë konfidencialitetin e të dhënave dhe mbrojtjen e privatësisë së policit vullnetar;
ç) të rimbursojë shpenzimet e kryera nga polici vullnetar gjatë punës vullnetare, sipas akteve nënligjore në fuqi për trajtimin me dieta, njëlloj si punonjësit e policisë;
d) të lëshojë vërtetim me shkrim për kohën e punës që ai ka shërbyer si polic vullnetar;
dh) të ofrojë bazën e nevojshme materiale për kryerjen e aktivitetit të vullnetarizmit;
e) të sigurojë plotësimin e kushteve të nevojshme për respektimin e të drejtave të policit vullnetar;
ë) të trajtojë policin vullnetar sipas përcaktimeve të bëra në nenin 106 të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar;
f) të pajisë policin vullnetar me dokument identifikimi, lidhur me statusin që ai gëzon, sipas modelit të përcaktuar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

2. Çdo vit, në bazë të nevojave dhe propozimeve të drejtorive vendore të policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit përcakton numrin e policëve vullnetarë.

V. KONTRATA E VULLNETARIZMIT

1. Kontrata e vullnetarizmit lidhet në formë të shkruar ndërmjet policit vullnetar dhe drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë.

2. Kontrata e vullnetarizmit përcakton të drejtat, detyrat, kushtet dhe kriteret e nevojshme për kryerjen e shërbimit të policimit vullnetar.

3. Forma dhe përmbajtja e kontratës tip, efektet, kohëzgjatja, përfundimi apo zgjidhja e saj, si dhe procedurat e ankimit, të pranimit dhe të ushtrimit të së drejtës së ankimit përcaktohen me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi.

VI. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, nxjerr aktet nënligjore në zbatim të tij.

2. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË AUTORITETIT KOMBËTAR TË USHQIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 65, të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Z. Agron Hetoja, drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), lirohet nga kjo detyrë.

2. Z. Robert Lili emërohet drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “MTSC”, SH.P.K., SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË SHTETËRORE “ISH-NDËRMARRJE METALIKE “TIRANA”” (REPARTI I ORËVE), PRONA NR.19, ME NUMËR PASURIE 7/649, ZONA KADASTRALE 8220, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË NDËRMARRJES INDUSTRIALE NR.1, TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të aktit normativ me fuqinë e ligjit nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe në vijim, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe shoqërisë “MTSC”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë shtetërore “Ish-ndërmarrje metalike “Tirana”” (Reparti i orëve), prona nr.19, me numër pasurie 7/649, me sipërfaqe të përgjithshme 4021.50 m², nga të cilat sipërfaqe ndërtimore 1624.44 m2, dhe sipërfaqe funksionale 2397.06 m2, zona kadastrale 8220, në përgjegjësi administrimi të Ndërmarrjes Industriale nr.1, Tiranë, për një periudhë 20 (njëzet) vjet, sipas genplanit dhe tekstit të projektkontratës që i bashkëlidhen dhe janë pjesë përbërëse të këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ndërmarrja Industriale nr.1, Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA
***
V E N D I M

PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.914, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË PROKURIMIT PUBLIK”, TË NDRYSHUAR

Nё mbёshtetje tё nenit 100 tё Kushtetutёs dhe të nenit 75, të ligjit nr.9643, datё 20.11.2006, “Pёr prokurimin publik”, tё ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Kёshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në fund të pikës 2, të nenit 8, “Kufijtë monetarë”, të tekstit të rregullave të prokurimit publik, bashkëlidhur vendimit nr.914, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

“Përjashtimisht, për vitin 2019 lejohen autoritetet kontraktore, të cilat janë prekur nga tërmeti i datës 21 shtator 2019, që të përdorin procedurën e prokurimit me vlerë të vogël, siç përshkruhet në nenin 40 të këtyre rregullave, për plotësimin e nevojave emergjente që ka shkaktuar kjo ngjarje, në rastin kur vlera e përllogaritur që do të prokurohet për plotësimin e këtyre nevojave do të jetë deri në 1 000 000 (një milion) lekë.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

KALIMIN E SPORTELEVE TË SHËRBIMIT NË ADMINISTRIM TË AGJENCISË SË OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE TË INTEGRUARA (ADISA)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 50, të ligjit nr.13/2016, “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin të Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në administrim të Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) të sporteleve të shërbimit ndaj qytetarit të:

a) Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT);
b) Shërbimit Shtetëror të Gjendjes Civile;
c) Agjencisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi (AKPA);
ç) Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH);
d) Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH);
dh) Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK).

2. Në rastet përjashtimore dhe me marrëveshje ndërmjet palëve, shërbimet, të cilat, për shkak të natyrës së tyre, nuk mund të ofrohen nga sportelet e ADISA-s, do të vazhdojnë të ofrohen drejtpërdrejt nga vetë institucioni.

3. Përjashtohen nga zbatimi i këtij vendimi, duke u ofruar drejtpërdrejt nga strukturat rajonale/vendore të Agjencisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi, shërbimet, si më poshtë vijon:

a) Informimi për punëkërkuesit, punëdhënësit dhe për çdo person të interesuar si pjesë e procesit të ndërmjetësimit;
b) Ndërmjetësimi për punësim;
c) Këshillimi dhe orientimi për karrierë, punësim e profesion.

4. Shërbimet e gjendjes civile do të ofrohen njëkohësisht nga ADISA dhe nga Shërbimi Shtetëror i Gjendjes Civile, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për gjendjen civile.

5. Punonjësit aktualë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), të cilët ushtrojnë funksionin e sportelit, kalojnë si punonjës të Agjencisë së Ofrimit të Shërbime Publike të Integruara (ADISA).

6. Aplikimi për marrjen e shërbimeve të institucioneve të parashikuara në pikën 1, të këtij vendimi, nga ADISA, do të kryhet sipas procedurave të parashikuara në ligjin nr.13/2016, datë 18.2.2016, “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”, si dhe sipas parashikimeve të legjislacionit sektorial që rregullon dhënien e këtyre shërbimeve publike. Për një rregullim më të detajuar, ADISA dhe institucionet e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, mund të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi, në të cilën detajohen format, procedurat e mënyrat e bashkëpunimit.

7. Për ato njësi vendore në të cilat ADISA nuk ka sportele shërbimi, deri në ngritjen e tyre, këto shërbime do të ofrohen nga vetë institucionet e administratës shtetërore të përcaktuara, sipas pikës 1, të këtij vendimi. Me përjashtim të sporteleve që ofrojnë shërbimet e parashikuara sipas pikave 2, 3 dhe 4, të këtij vendimi, me ngritjen e sporteleve të ADISA-s, sportelet e institucioneve të administratës shtetërore në ato njësi vendore, përfshirë edhe zyrat vendore të ASHK-së, mbyllen.

8. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.640, datë 7.9.2016, “Për kalimin e sporteleve të shërbimit të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në administrim të Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA)”, i ndryshuar; nr.715, datë 5.12.2018, “Për kalimin e sporteleve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në administrimin e Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA)”, dhe nr.757, datë 26.10.2016, “Për kalimin e sporteleve pritëse për qytetarët të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në administrimin e Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara”, i ndryshuar, shfuqizohen.

9. Ngarkohen Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Shërbimi Shtetëror i Gjendjes Civile, Agjencia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.412, DATË 1.6.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RISHIKIMI I PROJEKTIT TË ZBATIMIT TË FAZËS SË PARË TË VIJËS BREGDETARE TË QYTETIT TË VLORËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.412, datë 1.6.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a) Tabelës bashkëlidhur vendimit i hiqet numri rendor 5 (pesë), me bashkëpronarë z. Batjar Bazaj dhe znj. Luiza Xhaho, me numër pasurie 36/191/ND, zonë kadastrale 8602, me vlerë kompensimi 618 577 (gjashtëqind e tetëmbëdhjetë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e shtatë) lekë.

b) Në pikat 3 dhe 4, vlerës së përgjithshme të kompensimit të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, i zbritet vlera prej 618 577 (gjashtëqind e tetëmbëdhjetë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e shtatë) lekësh. Vlerës së shpenzimeve procedurale i shtohet vlera 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, që do të përballohet nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia Vlorë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
PËR

MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE EOLIKE DHE TË VEPRAVE NDIHMËSE NË NJËSINË ADMINISTRATIVE TOPOJË, QARKU FIER, NGA BASHKIMI I PËRKOHSHËM I SHOQËRIVE “SEMAN SUNPOWER”, SH.P.K., DHE “SONNE”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.7/2017, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe të veprave ndihmëse në njësinë administrative Topojë, Qarku Fier, nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive “SEMAN SUNPOWER”, sh.p.k., dhe “SONNE”, sh.p.k., me të dhënat, si më poshtë vijon:

a) Emri i aplikuesit: Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “SEMAN SUNPOWER”, sh.p.k., dhe “SONNE”, sh.p.k.;
b) Numri i identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS:
– “SEMAN SUNPOWER”, sh.p.k., – K81722018P;
– “SONNE”, sh.p.k., – L73015405C;
c) Tipi i centralit: Eolik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 3 MW;
d) Numri i njësive gjeneruese të burimit gjenerues të energjisë dhe kapaciteti i tyre në MW: 1 (një) turbinë me kapacitet 3 MW;
dh) Afati i pritshëm i vënies në punë: Koha për ndërtimin dhe vënien në operim të parkut eolik do të jetë brenda 24 muajve nga marrja e lejes së ndërtimit;
e) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: Territori në zonën Topojë, Qarku Fier;
ë) Afati i miratimit të ndërtimit: 48 muaj nga hyrja në fuqi e këtij miratimi;
f) Koordinatat e tokës: sipas aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi;
g) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucione të tjera të autorizuara prej saj kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme, me afate 3-mujore, gjatë realizimit dhe vënies në punë, me synimin që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia dhe konformiteti do të jenë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
gj) Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “SEMAN SUNPOWER”, sh.p.k., dhe “SONNE”, sh.p.k., ka detyrimin:

i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit eolik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. e dorëzimit të sigurimit të kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet bashkimit të përkohshëm të shoqërive “SEMAN SUNPOWER”, sh.p.k., dhe “SONNE”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera, që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë sasinë e energjisë elektrike, në masën jo më të vogël se 2% të sasisë vjetore të prodhimit ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, këto të ardhura derdhen tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Ngarkohet ministria përgjegjëse për energjinë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT PËRGJEGJËS PËR VLERËSIMIN E CILËSISË SË OFRIMIT TË SHËRBIMIT DHE TË REZULTATEVE NË PUNË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 34, të ligjit nr.13/2016, “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Autoriteti përgjegjës për vlerësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimit dhe të rezultateve në punë, në kuptim të pikës 4, të nenit 34, të ligjit nr.13/2016, “Për mënyrën e ofrimit në sportel të shërbimeve publike në Republikën e Shqipërisë”, është Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA).

2. Ngarkohet Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.