Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Janar 2021

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Janar 2021:

 

VE NDIM
PËR

FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PËR VITIN 2021

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Financimin nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore të paketës së shërbimeve të ofruara në spitalet publike, sipas listës së shërbimeve në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Spitali e ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me standardet, treguesit e cilësisë e të performancës, protokolleve të diagnozës e të trajtimit, të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

3. Buxheti për mbulimin e paketës së shërbimeve spitalore, sipas listës së shërbimeve që ofron çdo spital, ndahet sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

4. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratat me spitalet për financimin e paketave të shërbimeve shëndetësore, të ofruara prej tyre.

5. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor financon paketën e shërbimeve spitalore të kontraktuara me këto metoda:

a) Buxhetim me zëra shpenzimesh, për:

i. paga dhe shpenzime të tjera lidhur me pagën e personelit;
ii. kontribute për sigurime shëndetësore e shoqërore të personelit;
iii. mallra e shërbime të tjera.

b) Buxhetim global për pagesën e paketave të shërbimeve me çmime të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Buxhetimi global detajohet për çdo spital në zëra shpenzimesh me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor;

6. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor financon spitalet, në zbatim të vendimit nr.258, datë 24.4.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat, “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës”. Fondi rishikon financimin e spitaleve për këtë kontratë gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ, me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale dhe/ose të strukturës së saj përgjegjëse.

7. Spitali është përgjegjës për zbatimin e buxhetit të kontraktuar, sipas zërave të përcaktuar të buxhetit.

8. Rishpërndarja e buxhetit ndërmjet spitaleve bëhet brenda një kufiri prej 3% të buxhetit të spitaleve, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

9. Një fond jo më i madh se 32% e buxhetit vjetor, i planifikuar për shërbimet spitalore, mbahet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për ta shpërndarë gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, përkatësisht, për:

a) financimin e shërbimit spitalor gjatë vitit;
b) pagesat e paketave të shërbimeve të veçanta, të ofruara nga shërbimet spitalore, publike e jopublike, brenda e jashtë vendit, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
c) pagesat për kujdes shëndetësor në institucione jopublike, brenda e jashtë vendit, sipas miratimit, rast pas rasti, me vendim të Këshillit të Ministrave;
ç) pagesat për kujdes shëndetësor, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara;
d) pagesa të shërbimeve të kryera për llogari të spitaleve publike nga operatorë të kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, sipas legjislacionit për partneritetin publik privat;
dh) transferta për individët (mjekë specialistë).

10. Shpenzimet kapitale për investimet në spitale mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor vlerëson kërkesat e spitaleve (rajonale/bashkiake) për investimet dhe ia paraqet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për miratim. Spitalet universitare e paraqesin kërkesën për investime në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

11. Burime të tjera financimi për spitalet janë fondet e krijuara nga të ardhurat e realizuara gjatë veprimtarisë së tyre dhe nga dhurimet. Përdorimi i tyre bëhet tërësisht nga vetë spitali, si pjesë e kostos së shërbimit, bazuar në procedurat e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Këto të ardhura vlerësohen si të ardhura jashtë limitit.

12. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për raste të vlerësuara nga ajo ose me kërkesë të autoriteteve kontraktuese (spitaleve), mund të zhvillojë procedura të përqendruara prokurimi për disa mallra, shërbime dhe investime.

13. Spitali zbaton sistemin e referimit dhe tarifat për shërbimet me pagesë, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

14. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale auditon spitalin, nëpërmjet strukturës së saj audituese, për zbatimin e standardeve të miratuara prej saj dhe për raste të tjera me urdhër të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

15. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor kontrollojnë, monitorojnë buxhetin spitalor, vlerësojnë aktivitetin vjetor të spitaleve dhe treguesit e performancës nëpërmjet strukturave të tyre audituese dhe kontrolluese, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e financimit. Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor monitoron dhe vlerëson performancën e punonjësve të spitaleve rajonale e bashkiake, sipas treguesve të kontratës së financimit.

16. Numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve është 12 016 (dymbëdhjetë mijë e gjashtëmbëdhjetë) veta, nga të cilët 141 (njëqind e dyzet e një) punonjës në Spitalin Universitar të Traumës për Shërbimin e Urgjencës Ambulatore dhe Shërbimin e Ortopedi-Traumatologjisë. Numri dhe struktura e punonjësve për çdo spital miratohen nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

17. Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale e bashkiake, ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë, sipas nevojave. Këta mjekë të specialiteteve të ndryshme, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus deri në 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë në muaj. Vlera e bonusit përcaktohet, rast pas rasti, nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ky bonus, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, trajtohet sipas shkronjës “e”, të pikës 2, të kreut II, të vendimit nr.77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, të ndryshuar.

18. Mjekët e kontraktuar, sipas pikës 17, të këtij vendimi, nuk e përfitojnë shpërblimin sipas shkronjave “a” e “b”, të pikës 9/1, të vendimit nr.555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe niveleve të pagave të personelit mjekësor, të punonjësve të tjerë me arsim të lartë dhe të punonjësve të personelit teknik të shkencave mjekësore, në sistemin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, në Njësinë Mjekësore Ushtarake pranë Spitalit Universitar të Traumës, në strukturat e tjera të Forcave të Armatosura dhe në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe spitalin përkatës”, të ndryshuar.

19. Numri i pedagogëve me kontratë shërbimi për spitalet universitare miratohet nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Pagesa e tyre bëhet nga buxheti për shërbimet i spitalit.

20. Financimi i institucioneve dhe i shërbimeve, të përcaktuara në shtojcën nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, bëhet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, vetëm kundrejt shtesave përkatëse në buxhet, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

21. Vendimi nr.42, datë 22.1.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2020”, i ndryshuar, shfuqizohet.

22. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2021.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E BUXHETIT TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË PRONËSISË INDUSTRIALE, PËR VITIN 2021

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 189/c, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e buxhetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, për vitin 2021, sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletore zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT SHOQËRUES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (PËRFITUESI), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR MASAT SHOQËRUESE PËR PROGRAMIN E INFRASTRUKTURËS BASHKIAKE V, NË SHUMËN 3 000 000 EURO

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së grantit shoqërues, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (përfituesi), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për masat shoqëruese për programin e infrastrukturës bashkiake V, në shumën 3 000 000 (tre milionë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN, NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË, TË NJËSISË ADMINISTRATIVE TIRANË, TË PASURIVE ME NR.7/619, 7/620, 7/621, NË ZONËN KADASTRALE 8230

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin, në pronësi të Bashkisë Tiranë, të njësisë administrative Tiranë, të pasurive me numër 7/619, me sipërfaqe trualli 600 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 81 m2, 7/620, me sipërfaqe trualli 2032 m2, sipërfaqe ndërtese 1475 m2, 7/621, me sipërfaqe trualli 25310 m2, sipërfaqe ndërtese 2454,7 m2, në zonën kadastrale 8230, sipas hartës treguese bashkëlidhur këtij vendimi, për t’u përdorur në funksion të zbatimit të projektit të rindërtimit.

2. Pronat e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohen listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2021, TË MIRATUAR PËR AKADEMINË E SHKENCAVE TË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936/2016, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, i shtohet fondi prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, në zërin “shpenzime korrente”, për financimin e hartimit e botimit të tri veprave madhore albanologjike dhe enciklopedike, përkatësisht:

a) Enciklopedia shqiptare;
b) Fjalori i madh i shqipes;
c) Historia e shqiptarëve.

2. Efekti financiar, prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2021.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT TË INVESTIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (PËRFITUESI), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROGRAMIN E INFRASTRUKTURËS BASHKIAKE V, NË SHUMËN 6 000 000 EURO

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së grantit të investimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (përfituesi), dhe KfW Frankfurt am Main (KFW), për programin e infrastrukturës bashkiake V, në shumën 6 000 000 (gjashtë milionë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT TË BASHKIMIT EVROPIAN, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (PËRFITUESI), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR BASHKIMIN EVROPIAN, PËR NJË MJEDIS MË TË PASTËR – MBËSHTETJE PËR TRAJTIMIN E KANALIZIMEVE TË UJËRAVE TË ZEZA, NË SHUMËN 23 300 000 EURO

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së grantit të Bashkimit Evropian, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (përfituesi) dhe KfW Frankfurt Am Main (KfW), për Bashkimin Evropian, për një mjedis më të pastër – mbështetje për trajtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza, në shumën 23 300 000 (njëzet e tre milionë e treqind mijë) euro, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RIFORCIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT) NË BASHKITË TIRANË DHE KURBIN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 1 561 260 803 (një miliard e pesëqind e gjashtëdhjetë e një milion e dyqind e gjashtëdhjetë mijë e tetëqind e tre) lekë, për financimin e riforcimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të cilat janë klasifikuar si objekte të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime, nga bashkitë Tiranë dhe Kurbin, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Tiranë i transferohet fondi në masën 840 575 731 (tetëqind e dyzet milionë e pesëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e shtatëqind e tridhjetë e një) lekë;
b) Bashkisë Kurbin i transferohet fondi në masën 720 685 072 (shtatëqind e njëzet milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e shtatëdhjetë e dy) lekë.

2. Përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, në masën 312 252 160 (treqind e dymbëdhjetë milionë e dyqind e pesëdhjetë e dy mijë e njëqind e gjashtëdhjetë) lekë, për financimin e riforcimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të cilat janë klasifikuar si objekte të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime, nga bashkitë Tiranë dhe Kurbin, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Tiranë i transferohet fondi në masën 168 115 146 (njëqind e gjashtëdhjetë e tetë milionë e njëqind e pesëmbëdhjetë mijë e njëqind e dyzet e gjashtë) lekë, në formën e transfertës së pakushtëzuar;
b) Bashkisë Kurbin i transferohet fondi në masën 144 137 014 (njëqind e dyzet e katër milionë e njëqind e tridhjetë e shtatë mijë e katërmbëdhjetë) lekë, në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Tiranë dhe Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.5, DATË 6.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR PËRFITIMET NGA PROGRAMI I GRANTEVE TË RINDËRTIMIT DHE PROJEKTET MODEL”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 18, 19, 20 e 25, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shkronja “b”, e pikës 7, të kreut IV, të vendimit nr.5, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) Masa e grantit për punimet që parashikohen në shkronjën “a”, të pikës 7, të këtij kreu, është 100% e vlerës së rikonstruksionit ose riparimit;”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT/RIKONSTRUKSIONIT TË OBJEKTEVE ARSIMORE NË BASHKITË KAMZË DHE KAVAJË DHE CAKTIMIN E TYRE SI NJËSI ZBATUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit/rikonstruksionit të objekteve arsimore në bashkitë Kamzë dhe Kavajë, në masën 1 223 429 959 (një miliard e dyqind e njëzet e tre milionë e katërqind e njëzet e nëntë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e nëntë) lekë pa TVSH, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Kamzë, në masën 754 430 842 (shtatëqind e pesëdhjetë e katër milionë e katërqind e tridhjetë mijë e tetëqind e dyzet e dy) lekë pa TVSH, për:

i. rindërtimin e shkollës 9-vjeçare “Niko Hoxha”, në masën 189 845 078 (njëqind e tetëdhjetë e nëntë milionë e tetëqind e dyzet e pesë mijë e shtatëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH;
ii. rindërtimin e çerdhes “Kamzë”, në masën 67 638 407 (gjashtëdhjetë e shtatë milionë e gjashtëqind e tridhjetë e tetë mijë e katërqind e shtatë) lekë pa TVSH;
iii. rikonstruksionin e shkollës së mesme “Ibrahim Rugova”, në masën 178 500 000 (njëqind e shtatëdhjetë e tetë milionë e pesëqind mijë) lekë pa TVSH;
iv. rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Ahmet Zogu”, në masën 163 800 000 (njëqind e gjashtëdhjetë e tre milionë e tetëqind mijë) lekë;
v. rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Kamza e Re”, në masën 66 780 000 (gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e shtatëqind e tetëdhjetë mijë) lekë;
vi. rikonstruksionin e kopshtit “Kamza e Re”, në masën 30 170 000 (tridhjetë milionë e njëqind e shtatëdhjetë mijë) lekë;
vii. rikonstruksionin e kopshtit “Ahmet Zogu”, në masën 57 697 357 (pesëdhjetë e shtatë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë e treqind e pesëdhjetë e shtatë) lekë.

b) Bashkisë Kavajë, në masën 468 999 117 (katërqind e gjashtëdhjetë e tetë milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e shtatëmbëdhjetë) lekë pa TVSH, për:

i. rikonstruksionin e shkollës së mesme “Aleksandër Moisiu”, në masën 153 041 206 (njëqind e pesëdhjetë e tre milionë e dyzet e një mijë e dyqind e gjashtë) lekë pa TVSH;
ii. rikonstruksionin e shkollës “Qamil Xhani”, në masën 139 632 943 (njëqind e tridhjetë e nëntë milionë e gjashtëqind e tridhjetë e dy mijë e nëntëqind e dyzet e tre) lekë pa TVSH;
iii. rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Razi Leka”, në masën 119 025 106 (njëqind e nëntëmbëdhjetë milionë e njëzet e pesë mijë e njëqind e gjashtë) lekë pa TVSH;
iv. rikonstruksionin e kopshtit “Hap pas hapi”, në masën 57 299 862 (pesëdhjetë e shtatë milionë e dyqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë pa TVSH.

2. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2021, për financimin e rindërtimit/rikonstruksionit të objekteve arsimore në bashkitë Kamzë dhe Kavajë, në masën 244 685 991 (dyqind e dyzet e katër milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e një) lekë pa TVSH, i cili përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit dhe detajohet, si më poshtë vijon:

a) Bashkisë Kamzë i transferohet fondi në masën 150 886 168 (njëqind e pesëdhjetë milionë e tetëqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar;
b) Bashkisë Kavajë i transferohet fondi në masën 93 799 823 (nëntëdhjetë e tre milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e njëzet e tre) lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Caktimin e bashkive Kamzë dhe Kavajë si njësi zbatuese për financimin e rindërtimit/rikonstruksionit të objekteve arsimore, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Kamzë e Kavajë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT SECO, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, (PËRFITUESI), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROGRAMIN E INFRASTRUKTURËS BASHKIAKE V, NË SHUMËN 13 300 000 EURO

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së grantit SECO, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (Përfituesi), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin e infrastrukturës bashkiake V, me një grant në shumën 13 300 000 (trembëdhjetë milionë e treqind mijë) euro, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN, NË PRONËSI TË BASHKISË VAU-DEJËS, TË NJËSISË ADMINISTRATIVE VAU I DEJËS, TË PASURISË 125/35, ZONA KADASTRALE 2015

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3 e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin, në pronësi të Bashkisë Vau-Dejës, të njësisë administrative Vau i Dejës, të pasurisë 125/35, zona kadastrale 2015, sipas formularit, gjithsej, 1 (një) fletë, dhe planrilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, me qëllim për t’u përdorur në fushën e bujqësisë.

2. Pasuria e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.1423, datë 10.10.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Vau i Dejës, të Qarkut të Shkodrës”.

3. Ngarkohen Bashkia Vau i Dejës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT DHE NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT) NË BASHKITË TIRANË DHE DURRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 531 815 000 (pesëqind e tridhjetë e një milionë e tetëqind e pesëmbëdhjetë mijë) lekë, për financimin e rikonstruksionit të njësive individuale të banimit dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë si pasojë e fatkeqësisë natyrore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime, në bashkitë Tiranë dhe Durrës, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Tiranë i transferohet fondi në masën 427 665 000 (katërqind e njëzet e shtatë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë) lekë;
b) Bashkisë Durrës i transferohet fondi në masën 104 150 000 (njëqind e katër milionë e njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga pjesa e financuar nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe t’u kalojë bashkive Tiranë dhe Durrës në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Tiranë dhe Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE NË BASHKITË TIRANË, SHIJAK, VORË DHE KURBIN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 2 607 677 890 (dy miliardë e gjashtëqind e shtatë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë) lekë, për financimin e rindërtimit të banesave individuale, për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para, në bashkitë Tiranë, Shijak, Vorë dhe Kurbin, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Tiranë i transferohet fondi, në masën 1 009 040 322 (një miliard e nëntë milionë e dyzet mijë e treqind e njëzet e dy) lekë, për rindërtimin e 432 njësive individuale të banimit, për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para;
b) Bashkisë Shijak i transferohet fondi, në masën 137 592 232 (njëqind e tridhjetë e shtatë milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e dy mijë e dyqind e tridhjetë e dy) lekë, për rindërtimin e 46 njësive individuale të banimit, për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para;
c) Bashkisë Vorë i transferohet fondi, në masën 851 809 204 (tetëqind e pesëdhjetë e një milionë e tetëqind e nëntë mijë e dyqind e katër) lekë, për rindërtimin e 300 njësive individuale të banimit, për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para;
ç) Bashkisë Kurbin i transferohet fondi, në masën 609 236 132 (gjashtëqind e nëntë milionë e dyqind e tridhjetë e gjashtë mijë e njëqind e tridhjetë e dy) lekë, për rindërtimin e 218 njësive individuale të banimit, për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe u transferohet bashkive Tiranë, Shijak, Vorë dhe Kurbin, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Tiranë, Shijak, Vorë dhe Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E HARTIMIT TË PROJEKTIT TË NDËRHYRJEVE REHABILITUESE/PËRSHTATËSE TË NEVOJSHME PËR KTHIMIN E STRUKTURËS SË OBJEKTEVE QË JANË KLASIFIKUAR SI OBJEKTE ME DËMTIME TË MËDHA STRUKTURORE OSE DËMTIME SHUMË TË RËNDA JOSTRUKTURORE, NË BASHKITË KAMZË DHE KURBIN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 10 637 537 (dhjetë milionë e gjashtëqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëqind e tridhjetë e shtatë) lekë pa TVSH, për financimin e hartimit të projektit të ndërhyrjeve rehabilituese/përshtatëse të nevojshme për kthimin e strukturës së objekteve që janë klasifikuar si objekte me dëmtime të mëdha strukturore ose dëmtime shumë të rënda jostrukturore, në bashkitë Kamzë dhe Kurbin, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Kamzë i transferohet fondi, në masën 5 495 037 (pesë milionë e katërqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e tridhjetë e shtatë) lekë, për financimin e hartimit të projekteve të ndërhyrjeve rehabilituese/përshtatëse, për ndërhyrjet strukturale të nevojshme, për njësitë individuale të banimit, bazuar në rekomandimet e aktekspertizave të thelluara të bëra nga Instituti i Ndërtimit;
b) Bashkisë Kurbin i transferohet fondi, në masën 5 142 500 (pesë milionë e njëqind e dyzet e dy mijë e pesëqind) lekë, për financimin e hartimit të projekteve të ndërhyrjeve rehabilituese/përshtatëse, për ndërhyrjet strukturale të nevojshme, për njësitë individuale të banimit, bazuar në rekomandimet e aktekspertizave të thelluara të bëra nga Instituti i Ndërtimit.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e shtetit për vitin 2021, dhe i transferohet, në formën e transfertës së pakushtëzuar, bashkive Kamzë dhe Kurbin.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Kamzë dhe Kurbin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E KALENDARIT TË MENAXHIMIT TË SHPENZIMEVE PUBLIKE PËR VITIN 2021

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 22, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e kalendarit të menaxhimit të shpenzimeve publike për vitin 2021, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, njësia përgjegjëse për planifikimin strategjik dhe zhvillimin në Kryeministri dhe të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2021.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT/RIPARIMIT TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT/NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKINË TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 156 061 269 (njëqind e pesëdhjetë e gjashtë milionë e gjashtëdhjetë e një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë) lekë, për financimin e rikonstruksionit ose riparimit të njësive individuale të banimit/njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime në Bashkinë Tiranë.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe i transferohet Bashkisë Tiranë, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e rikonstruksionit ose riparimit të njësive individuale të banimit/njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MASËN E FONDIT TË VEÇANTË PËR ZONAT E MBROJTURA MJEDISORE, PËR BURIMET E KRIJIMIT DHE RREGULLAT E PËRDORIMIT TË TIJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 59, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përcaktimin e rregullave për masën e fondit të veçantë që përdoret në zonat e mbrojtura mjedisore, burimet e krijimit dhe përdorimit të tyre nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM), si institucion përgjegjës për administrimin e përdorimin e të gjitha të ardhurave të realizuara nga aktiviteti ekonomik në territorin e zonave të mbrojtura mjedisore, si dhe nga kontributet e donatorëve të institucioneve ndërkombëtare.

2. Fondi i veçantë për zonat e mbrojtura mjedisore (në vijim, FVZM) krijohet nga ministria përgjegjëse për financat në bashkëpunim me AKZM-në, në masën 15 (pesëmbëdhjetë) %, nga fondet e krijuara nga të ardhurat, dhe në masën 85%, nga kontributet e donatorëve dhe projektet me mbështetje të institucioneve ndërkombëtare.

3. Për funksionimin e fondit të veçantë për zonat e mbrojtura hapen:

a) llogaria e parë e veçantë në emër të ministrisë përgjegjëse për financat në Bankën e Shqipërisë (llogaria kanalizuese);
b) llogaria e dytë e veçantë në emër të AKZM-së në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, në euro dhe në lekë.

4. Në fondin e veçantë për zonat e mbrojtura transferohen:

a) fondet nga donatorët për çdo disbursim në llogarinë e parë të veçantë dhe ministria përgjegjëse për financat dërgon fondet në llogarinë e dytë të veçantë;
b) kontributi nga të ardhurat e vetë AKZM-së, nëpërmjet llogarisë së bankës së nivelit të dytë.

5. Fondi i veçantë për zonat e mbrojtura përdoret për rastet e parashikuara në pikën 1, të nenit 59, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, mbështetur në manualin e përdorimit më të detajuar të këtij fondi, të miratuar nga ministri përgjegjës për mjedisin, me propozim të AKZM-së. Manuali parashikon edhe procedurat e kontributit nga donatorët që zbatohen sipas marrëveshjeve të veçanta.

6. Kontributet e dhëna nga donatorët përdoren në bazë të marrëveshjeve reciproke që nënshkruhen ndërmjet palëve për rastet e parashikuara në pikën 1, të nenit 59, të ligjit për zonat e mbrojtura dhe procedohen sipas legjislacionit në fuqi për marrëveshjet.

7. Planifikimi dhe alokimi i mundshëm i fondeve të krijuara nga të ardhurat bëhet në përputhje dhe sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë.

8. Fondi i veçantë për zonat e mbrojtura përdoret nga AKZM-ja, e cila raporton rregullisht pranë ministrisë përgjegjëse për mjedisin për përdorimin e tij, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për zonat e mbrojtura e aktet nënligjore në fuqi, si edhe për menaxhimin financiar të projekteve, sipas marrëveshjeve të nënshkruara.

9. Ngarkohen ministria përgjegjëse për mjedisin e zonat e mbrojtura, ministria përgjegjëse për financat dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.