Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Maj 2020

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Maj 2020

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E ÇMIMEVE TË SHITJES SË TEKSTEVE TË BOTUARA NGA QENDRA E BOTIMEVE PËR DIASPORËN, “KLASIKËT DYGJUHËSH” DHE “FJALOR DYGJUHËSH PËR FËMIJË” DHE TË KATEGORIVE QË PËRFITOJNË FALAS KOPJE TË TEKSTEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të nenit 5, të ligjit nr.16/2018, “Për diasporën”, të shkronjës “gj”, të nenit 21, të ligjit nr.9616, datë 27.9.2006, “Për librin në Republikën e Shqipërisë”, dhe në vijim të pikave 10, shkronja “dh”, dhe 19, të vendimit nr.469, datë 26.7.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve për Diasporën”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e çmimeve të shitjes së teksteve të botuara nga Qendra e Botimeve për Diasporën, të serisë “Klasikët dygjuhësh” dhe “Fjalor dygjuhësh për fëmijë”, sipas listës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, me qëllim mundësimin e ruajtjes, të zhvillimit dhe të mësimit të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në diasporë.

2. Kategoritë që i përfitojnë falas tekstet e botuara nga Qendra e Botimeve për Diasporën janë nxënësit dhe mësuesit, sipas përcaktimeve në vendimin nr.443, datë 26.6.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin e procesit mësimor dhe përzgjedhjen e arsimtarëve në diasporë”.

3. Seria “Klasikët dygjuhësh” dhe “Fjalor dygjuhësh për fëmijë”, të botuara nga Qendra e Botimeve për Diasporën, duhet të jenë të pajisura me logon e këtij institucioni.

4. Çmimet e serisë “Klasikët dygjuhësh” dhe “Fjalor dygjuhësh për fëmijë” vendosen në kopertinat përkatëse, në përputhje me listën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

5. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi, në vlerën prej 2 800 000 (dy milionë e tetëqind mijë) lekësh, përballohen nga buxheti i miratuar për Qendrën e Botimeve për Diasporën, për vitin 2020.

6. Ngarkohet Qendra e Botimeve për Diasporën për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË POLITIKAVE “PËR QEVERISJEN E SEKTORIT TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË SHQIPËRI, 2020-2030”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e dokumentit të politikave “Për qeverisjen e sektorit të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri, 2020-2030”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Vendimi nr.144, datë 22.2.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e dokumentit të politikave “Për krijimin e infrastrukturës kombëtare të të dhënave gjeohapësinore”, shfuqizohet.

3. Ngarkohen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), Bordi për Informacionin Gjeohapësinor (BIG), autoritetet publike përgjegjëse për temat e informacionit gjeohapësinor, si dhe çdo autoritet tjetër që mbledh, përpunon, përditëson dhe përdor informacion gjeohapësinor për realizimin e funksioneve të tij publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

DALJEN JASHTË PËRDORIMIT, PËR QËLLIME KULLIMI, TË NJË PJESE TË INFRASTRUKTURËS SË KULLIMIT, NË BASHKINË BERAT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 11, të ligjit nr.24/2017, “Për administrimin e ujitjes dhe të kullimit”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Daljen jashtë përdorimit, për qëllime kullimi, të kanalit kullues, me sipërfaqe totale 600 (gjashtëqind) m2, në parcelën me numër pasurie 1590/21, volumi 3, faqe 53 dhe bankinës së kanalit me sipërfaqe 1 600 (një mijë e gjashtëqind) m2, në parcelën me numër pasurie 1593, volum 3, faqe 65, zona kadastrale 1587, në njësinë administrative Otllak, Bashkia Berat, sipas përcaktimit në lidhjen 1 (Planrilevimi), që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Brendshme, Bashkia Berat dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Berat për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.270, DATË 2.5.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË MISIONIN E KOMBEVE TË BASHKUARA NË SUDANIN E JUGUT (UNMISS)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 2 e 5, të nenit 6, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të aktit normativ me fuqinë e ligjit nr.1, datë 20.3.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut (UNMISS)”, miratuar me ligjin nr.23/2019, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pika 1, e vendimit nr.270, datë 2.5.2019, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Pjesëmarrja e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Shtabin Rajonal të Forcës Mbrojtëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Juba, Republika e Sudanit të Jugut, do të ketë një kohëzgjatje deri më 15.3.2021. Afati i misionit fillon të llogaritet nga data e dërgimit në mision. Periudhës së qëndrimit në mision i shtohen edhe ditët e qëndrimit për marrje e dorëzim detyre dhe të vonesave të transportit strategjik për ndërrimin me personelin e radhës.”.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE “PËR ETIKETIMIN E USHQIMIT PËR KAFSHË, QË PËRDOREN PËR USHQIM, PËRFSHIRË DHE ATO QË KANË NË PËRBËRJE OSE PËRMBAJNË ORGANIZMA TË MODIFIKUAR GJENETIKISHT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 56, të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e rregullave “Për etiketimin e ushqimit për kafshë, që përdoren për ushqim, përfshirë dhe ato që kanë në përbërje ose përmbajnë organizma të modifikuar gjenetikisht”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe ushqimin dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi 3 muaj pas botimit në “Fletoren zyrtare”

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIM URBAN SHESHI BORSH, HIMARË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikim urban Sheshi Borsh, Himarë”.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Himarë.

3. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 954 880 (nëntëqind e pesëdhjetë e katër mijë e tetëqind e tetëdhjetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 954 880 (nëntëqind e pesëdhjetë e katër mijë e tetëqind e tetëdhjetë) lekësh, do të përballohet nga buxheti i vitit 2020, i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin buxhetor “Planifikimi urban”.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.

7. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Himarë.

8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Himarë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Himarë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të shtetit, Bashkia Himarë.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Himarë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit, Bashkia Himarë, për pasurinë e shpronësuar.

10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Himarë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Himarë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË SË ZHVILLIMIT TË SHËRBIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PARËSOR NË SHQIPËRI 2020-2025

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Strategjisë së Zhvillimit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Parësor në Shqipëri 2020-2025, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, institucionet e saj të varësisë si dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA