Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Mars 2020:
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.511, DATË 24.10.2002, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KOHËZGJATJEN E PUNËS DHE TË PUSHIMIT NË INSTITUCIONET SHTETËRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 40, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të neneve 76-108, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 5, të nenit 7, të ligjit nr.15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pas pikës 2, të kreut I, të vendimit nr.511, datë 24.10.2002, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2.1. Përjashtimisht nga sa parashikohet në pikën 2, të këtij kreu, gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, orari i punës për nëpunësit civilë dhe punonjësit e tjerë të administratës publike/shtetërore është 08:00-13:00. Nëpunësit civilë dhe punonjësit e përmendur në këtë pikë, gjatë kësaj periudhe, ngarkohen të kryejnë çdo detyrë funksionale që iu ngarkohet nga eprori i drejtpërdrejtë apo titullari i institucionit, e cila mund të përmbushet në kushtet e banesës, nëpërmjet komunikimit telefonik apo të mënyrave të tjera të komunikimit elektronik.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË DHE ZHVILLUESIT “ITALDRURI ELBASAN”, SH.P.K., PËR NDËRTIMIN, ZHVILLIMIN, MIRËMBAJTJEN DHE OPERIMIN E ZONËS SË TEKNOLOGJISË DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK NË ELBASAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, dhe të nenit 20, të vendimit nr.646, datë 22.7.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave e të kritereve të përzgjedhjes së zhvilluesit në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe zhvilluesit “ITALDRURI ELBASAN”, sh.p.k., për ndërtimin, zhvillimin, mirëmbajtjen dhe operimin e zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në Elbasan, sipas tekstit të projektkontratës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KËRKESAT TEKNIKE DHE FUNKSIONALE TË ZGJIDHJES SOFTWARE-IKE PËR PROCEDURËN E FATURIMIT DHE TË FISKALIZIMIT SI DHE PROCEDURËN E KRITERET PËR REGJISTRIMIN E PRODHUESVE E TË MIRËMBAJTËSVE TË ZGJIDHJEVE SOFTWARE-IKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 10, të nenit 16, të ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim parashikon kërkesat teknike dhe funksionale të zgjidhjes software-ike për procedurën e faturimit e të fiskalizimit si dhe procedurën e kriteret për regjistrimin e prodhuesve e të mirëmbajtësve të programeve, sipas ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, (në vijim ligji), si më poshtë vijon për:
a) regjistrimin e prodhuesve dhe të mirëmbajtësve të zgjidhjes software-ike për zbatimin e procedurës së fiskalizimit të transaksioneve me para në dorë dhe pa para në dorë, dhe për faturën shoqëruese;
b) regjistrimin e prodhuesve dhe të mirëmbajtësve të zgjidhjeve software-ike për regjistrimin e pagesave pa para në dorë të faturave elektronike; dhe
c) procedurën e certifikimit për zgjidhjen e software-it.
II. DETYRIMI PËR TË INSTALUAR DHE/OSE PËRDORUR ZGJIDHJEN SOFTWARE-IKE
2. Tatimpaguesit, të cilët lëshojnë faturë për furnizimin e mallrave dhe të shërbimeve, faturë shoqëruese për transportin e mallrave nga një vend në tjetrin në territorin e Republikës së Shqipërisë, pa ndryshim të pronësisë, dhe tatimpaguesit, të cilët operojnë në sektorë specifikë të biznesit, sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, janë të detyruar të përdorin zgjidhjen e certifikuar të software-it në formën e një aplikacioni individual, ose një sistemi kompjuterik të integruar, ose një aplikacion Cloud, i cili mundëson:
a) krijimin e një fature, një fature shoqëruese dhe vendosjen e të gjithë elementeve të nevojshëm;
b) vlefshmërinë e operatorit që lëshon faturën ose faturën shoqëruese;
c) dërgimin e sigurt të të dhënave në sistemin qendror, duke përdorur certifikatën elektronike;
ç) lëshimin dhe pranimin e faturave elektronike;
d) transmetimin automatik të të dhënave në administratën tatimore dhe marrjen e mesazhit konfirmues nga administrata tatimore, pas verifikimit automatik të secilës faturë individuale ose fature shoqëruese;
dh) ruajtjen e të dhënave të faturave ose të faturave shoqëruese;
e) gjenerimin e numrit të sigurisë së lëshuesit të faturës (NSLF) dhe numrit të sigurisë së lëshuesit të faturës shoqëruese (NSLFSH);
ë) gjenerimin e kodit QR;
f) printimin e faturës ose thjesht kodit QR, në situata të përcaktuara në ligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”;
g) regjistrimin e depozitave të parave;
gj) sigurojnë shkëmbimin e të dhënave në kohë reale dhe me autentifikim të sigurt të pajisjeve fiskale ekzistuese dhe sistemit të fiskalizimit;
h) masa të tjera në procesin e fiskalizimit në zbatim të ligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit”.
3. Bankat, institucionet financiare jobankare dhe subjektet e tjera, që ofrojnë shërbime pagese të faturave elektronike, janë të detyruar të përdorin pajisje elektronike dhe zgjidhje të certifikuar të software-it në formën e një aplikacioni individual, ose një sistemi kompjuterik të integruar, ose një aplikacion Cloud, i cili mundëson certifikimin elektronik, transmetimin automatik të të dhënave në administratën tatimore dhe marrjen e mesazhit të konfirmimit nga administrata tatimore pas verifikimit automatik të mesazhit në lidhje me pagesat e kryera nga një faturë elektronike.
III. REGJISTRIMI I PRODHUESVE DHE MIRËMBAJTËSVE TË SOFTWARE-IT
4. Çdo person juridik, shqiptar ose i huaj, në mënyrë që të ushtrojë veprimtari si prodhues dhe/ose mirëmbajtës i zgjidhjes software-ike, duhet të plotësojë kriteret e parashikuara në këtë vendim. Përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë së ofrimit të zgjidhjes software-ike ose të shërbimeve të mirëmbajtjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, prodhuesit dhe mirëmbajtësit e zgjidhjeve software-ike, duhet të regjistrohen në mënyrë elektronike në regjistrin e prodhuesve ose të mirëmbajtësve software-ike të AKSHI-t.
5. Aplikimi për t’u pajisur me certifikatë bëhet në mënyrë elektronike, përmes portalit e-Albania përpara ofrimit dhe shitjes së zgjidhjes software te tatimpaguesit, pra përpara ofrimit të shërbimeve të mirëmbajtjes.
6. Nëse prodhuesi ose mirëmbajtësi i zgjidhjes së software-it është një i huaj që nuk është i regjistruar në Republikën e Shqipërisë, duhet të regjistrohet në regjistrin tregtar sipas legjislacionit shqiptar.
7. Çdo person juridik, shqiptar ose i huaj, që kërkon të certifikohet dhe të regjistrohet në Regjistër për të ushtruar veprimtari si prodhues dhe/ose mirëmbajtës i zgjidhjes software-ike, duhet të plotësojë kërkesat në vijim:
a) Numri i punonjësve të shoqërisë të përcaktohet me përshkallëzim në bazë të numrit të bizneseve (për/NUIS) ku është instaluar programi:
i. 1-500 (NUIS) minimumi tre (3) punonjës;
ii. 501-1000 (NUIS) minimumi pesë (5) punonjës;
iii. 1001-5000 (NUIS) minimumi tetë (8) punonjës;
iv. Mbi 5001 (NUIS) minimumi 10 (dhjetë) punonjës,
të punësuar nga aplikanti për të paktën 6 muaj para paraqitjes së aplikimit të regjistrimit në regjistër, me kualifikimet e duhura, dhe shoqëria të përmbushë të paktën njërin nga kriteret e mëposhtme:
– Të ketë të paktën 1 (një) punonjës të certifikuar për zhvillim dhe mirëmbajtje infrastrukture;
– Të ketë të paktën 1 (një) punonjës të certifikuar për zhvillim dhe mirëmbajtje network-u;
– Të ketë të paktën 1 (një) punonjës të certifikuar për zhvillim dhe mirëmbajtje aplikacioni web/mobile.
b) Shoqëria duhet të jetë aktive të paktën 1 (një) vit para paraqitjes së aplikimit për certifikim;
c) Të ketë realizuar mesatarisht jo më pak se 12 000 000 (dymbëdhjetë milionë) lekë qarkullim vjetor në 3 vitet e fundit;
ç) Shoqëria ka në fushë veprimi veprimtarinë e zhvillimit, të mirëmbajtjes, të shitjes së zgjidhjeve software-ike për teknologjinë e informacionit, për ofrimin e pajisjeve fiskale dhe shërbime të telekomunikacionit;
d) Të vërtetojë me dokumentacion se ka kryer zhvillime software-ike apo aplikacione të ngjashme me objektin e këtij vendimi, përjashtimisht për kompanitë e telekomunikacionit, të cilat duhet të vërtetojnë veprimtarinë e tyre me vërtetim nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP);
dh) Tatimpaguesit, të cilët kanë zhvilluar ose duan të zhvillojnë programin vetëm për nevojat e veta, jo për rishitje, detyrimisht duhet të certifikohen dhe të regjistrohen në regjistrin si më sipër, si dhe duhet të plotësojnë minimalisht kriteret e parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, të pikës 7, të këtij vendimi;
e) Aplikojnë, gjithashtu, për t’u certifikuar dhe për t’u regjistruar në regjistër, edhe prodhuesit e mirëmbajtësit, të cilët kanë zhvilluar infrastrukturën e ndërmjetme (server i ndërmjetëm), i cili do të sigurojë që, shkëmbimi i të dhënave i tatimpaguesve që janë pajisur dhe kanë instaluar një pajisje fiskale dhe që vendosin të vazhdojnë përdorimin e tyre edhe me sistemin e ri të fiskalizimit, të mundësohet në kohë reale, nëpërmjet këtij serveri në sistemin e fiskalizimit dhe të dhënat të shkëmbehen me autentifikim të sigurt, që sigurohet nga certifikata elektronike e marrë nga tatimpaguesit pranë AKSHI-t. Këta tatimpagues që të certifikohen dhe regjistrohen në regjistrin si mësipër duhet të plotësojnë, minimalisht, kriteret e parashikuar në shkronjat “a”, “b”, “c”, dhe “d”, të pikës 7, të këtij vendimi.
8. Aplikimi për certifikim duhet të paraqitet në mënyrë elektronike, si dhe duhet të shoqërohet nga informacioni/dokumentacioni, si më poshtë vijon:
a) Numri unik i identifikimit të prodhuesit/mirëmbajtësit të software-it;
b) Arsyeja e aplikimit:
i. Prodhuesi i zgjidhjes software-ike për fiskalizimin e faturës;
ii. Prodhuesi i zgjidhjes software-ike për fiskalizimin e faturës shoqëruese;
iii. Prodhuesi i zgjidhjes software-ike për regjistrimin e pagesave pa para në dorë të faturave elektronike;
iv. Mirëmbajtësi i zgjidhjes software-ike.
c) Informacionin e kontaktit (emri dhe mbiemri i personit të kontaktit, numri i telefonit, adresa e-mail, adresa e postës);
ç) Emri, versioni dhe përshkrimi i shkurtër (specifikimi) i zgjidhjes së software-it;
d) Dokumentet që duhen paraqitur janë, si më poshtë vijon:
i. Kopje e kontratës së punës me punonjësit e përmendur në pikën 7, të këtij vendimi, dhe certifikatat përkatëse;
ii. Dëshmi që kompania nuk është në proces falimentimi;
iii. Një dokument që vërteton se subjekti dhe përfaqësuesi i tij ligjor (administratori) nuk janë dënuar për shkelje penale dhe nuk janë dënuar me vendim të gjykatës së formës së prerë, në lidhje me aktivitetin profesional;
iv. Pasqyrat financiare të audituara deri në 3 vitet e fundit;
v. Vërtetim për kryerje shërbimi (sektori publik)/fatura tatimore dhe kontrate (sektori privat) ku vërteton se ka kryer zhvillime software-ike apo aplikacione të ngjashme me objektin e këtij vendimi, ose vërtetim nga AKEP-i për shoqëritë e telekomunikacionit. Tatimpaguesit, sipas shkronjws “dh”, të pikës 7, të këtij vendimi, nuk e kanë detyrim për të zbatuar këtë pikë.
9. Shoqëritë që do të certifikohen për prodhimin dhe mirëmbajtjen e zgjidhjeve software-ike, duhet të përmbushin të gjitha kërkesat si më sipër, si dhe do të depozitojnë një garanci bankare ose nga shoqëritë e sigurimit në emër të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT), e vlefshme për gjatë gjithë periudhës së regjistrimit, duke filluar nga data e aplikimit për regjistrim në regjistër, në vlerat, si më poshtë vijon:
a) 4 000 000 (katër milionë) lekë, nëse programi është instaluar në më pak se 500 biznese;
b) 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, nëse programi është instaluar në më shumë se 500 por më pak se 1 000 biznese;
c) 40 000 000 (dyzet milionë) lekë, nëse programi është instaluar në më shumë se 1 000 por më pak se 5 000 biznese;
ç) 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë, nëse programi është instaluar në më shumë se 5 000 biznese.
Garancia, si më sipër, duhet të jetë pa kushte dhe e paapelueshme dhe të mund të aktivizohet që me thirrjen e parë të DPT-së, nëse shfuqizohet certifikata e lëshuar për mospërmbushje të detyrimeve ligjore dhe të detyrimeve që rrjedhim nga ky vendim. Garancia, si më sipër, është e ndryshueshme/e rinovueshme në varësi të ndryshimit të numrit të bizneseve në të cilat është instaluar programi.
10. Nëse prodhuesi i zgjidhjes së software-it nuk është edhe zhvillues, atëherë prodhuesit e zgjidhjes software-ike duhet të paraqesin edhe kontratën e noterizuar si bashkim i operatorëve ekonomikë. Në këtë rast të gjitha shoqëritë që marrin pjesë në bashkimin e operatorëve ekonomikë paraqesin dokumentet e kërkuara në pikën 8, të këtij vendimi, dhe vlerësimi i kritereve kryhet për të gjithë pjesëmarrësit.
11. Të gjitha dokumentet e paraqitura duhet të jenë në gjuhën shqipe, kopje të noterizuara ose origjinale (përveç vërtetimit bankar, i cili duhet të jetë origjinal).
12. Prodhuesit e zgjidhjes së software-it, gjithashtu, duhet të ngarkojnë zgjidhjen e software-it për verifikim kur regjistrohen në regjistër, edhe kur zhvillojnë një version të ri të zgjidhjes. Nëse prodhuesi është në të njëjtën kohë edhe mirëmbajtësi i zgjidhjes së software-it, ai do të duhet të regjistrohet vetëm një herë dhe do të ketë zgjedhje të shumta të arsyeve të regjistrimit.
IV. CERTIFIKIMI I PROGRAMIT (SOFTWARE)
13. Zona për t’u testuar, përshkrimi i tyre, hapat e testimit dhe kriteret e suksesit përshkruhen në shtojcën 1, të këtij vendimi.
14. Prodhuesi ose mirëmbajtësi i zgjidhjeve software-ike që ka aplikuar për t’u regjistruar në regjistër, certifikohet nga AKSHI dhe DPT-ja përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë së ofrimit të këtyre zgjidhjeve software-ike ose shërbimeve të mirëmbajtjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe sa herë që zhvillon një version të ri të zgjidhjes.
15. Të gjithë operatorët prodhues/mirëmbajtës të zgjidhjeve software-ike, në rast të ndryshimeve të kritereve të certifikimit do të ricertifikohen pasi të jenë rivlerësuar përmbushja e kërkesave sipas kreut III, të këtij vendimi.
16. AKSHI dhe DPT-ja, me urdhër të përbashkët, do të ngrenë një komision të përhershëm, me specialistë sipas fushave të përkatësisë. Komisioni do të udhëhiqet nga dy bashkëkryetarë, dhe do të shqyrtojë kërkesat e çdo aplikanti, të dhënat dhe dokumentacionin e paraqitur dhe vetë zgjidhjen e software-it. Në rast se, aplikimi është i paplotë, Komisioni kërkon nga aplikanti plotësimin e aplikimit me dokumentacionin shtesë të nevojshëm. Afatet e parashikuara për trajtimin e çdo aplikimi janë ato të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative. Përgjegjësitë dhe detyrat e Komisionit të ngritur, sipas kësaj pike, do të përcaktohen në mënyrë të detajuar në urdhrin e përbashkët të dalë për këtë qëllim.
Pas vlerësimit të aplikimit, Komisioni harton një relacion sqarues, ku sugjeron që, AKSHI dhe DPT-ja të lëshojnë certifikatën e regjistrimit për aplikantin ose të vendosin refuzimin e kërkesës.
Certifikata lëshohet nëpermjet portalit e-Albania. Certifikata do të përmbajë edhe kodin e prodhuesit/mirëmbajtësit të zgjidhjes së software-it dhe kodin e zgjidhjes së software-it të regjistruar.
Vendimi i refuzimit të aplikimit shoqërohet me arsyet përkatëse që kanë çuar në këtë vendim.
17. Vetëm pasi prodhuesi/mirëmbajtësi i zgjidhjes së software-it të marrë certifikatën e tij, ai do të regjistrohet në regjistrin e prodhuesve apo të mirëmbajtësve software-ikë të AKSHI-it, i cili do të jetë publik dhe mund të fillojë me ofrimin e produkteve/shërbimeve të tij, sipas këtij vendimi, në tregun e Republikës së Shqipërisë.
18. Nëse nga DPT-ja apo AKSHI konstatohet se personi i certifikuar ka shkelur ndonjë nga dispozitat e këtij vendimi ose të akteve të tjera ligjore në fuqi, informacioni përkatës dhe dokumentacioni provues i përcillen për trajtim Komisionit, të ngritur sipas pikës 16, të këtij vendimi. Pas vlerësimit të praktikës, Komisioni harton një relacion sqarues, ku sugjeron që, AKSHI dhe DPT-ja të vendosin ta shfuqëzojnë ose jo certifikatën e dhënë. Vendimi për shfuqizimin e certifikatës, i marrë sipas kësaj pike, publikohet në një aneks të veçantë të regjistrit.
V. KODI I PROGRAMIT
19. Prodhuesi i zgjidhjes së programit (software) duhet të integrojë kodin e tij dhe kodin e zgjidhjes së software-it në të njëjtën zgjidhje software-ike dhe duhet t’i dorëzojë ato automatikisht në administratën tatimore, si më poshtë vijon:
a) Pas regjistrimit të parë të pajisjes elektronike të parave për pagesa në dorë, duhet të dorëzohet kodi i prodhuesit të software-it dhe kodi i zgjidhjes së software-it, së bashku me informacionet e tjera të përcaktuara;
b) Në secilin mesazh, së bashku me informacionet e tjera të shënimeve për transferimin e depove ose kuponat e transportit, duhet të dorëzohet kodi i zgjidhjes së software-it (gjatë fiskalizimit të secilës faturë shoqëruese ose kuponit të transportit);
c) Në secilin mesazh, së bashku me informacione të tjera në lidhje me pagesën e faturës elektronike pa para në dorë, do të dorëzohet kodi i zgjidhjes së software-it (gjatë njoftimit për pagesën e kryer).
VI. PËRGJEGJËSIA E PRODHUESVE DHE MIRËMBAJTËSVE TË ZGJIDHJES SOFTWARE-IKE
20. Zgjidhja e software-it duhet të lejojë një zbatim të suksesshëm të procedurës së fiskalizimit dhe një njoftim të suksesshëm për pagesa pa para në dorë të faturave elektronike të kryera në përputhje nr.87/2019, dhe të çaktivizojë proceset që shmangin procedurën/njoftimin e fiskalizimit për pagesa pa para në dorë.
21. Për korrektësinë e përdorimit të zgjidhjes software-ike në procedurën e fiskalizimit të faturave të lëshuara/faturave shoqëruese dhe në procedurën e njoftimit të pagesave pa para, personat përgjegjës janë tatimpaguesit që lëshojnë faturë/fatura shoqëruese, banka, institucionet financiare jobankare dhe subjektet e tjera që ofrojnë shërbime pagese të faturave elektronike, si dhe prodhuesit/mirëmbajtësit e zgjidhjes software-ike, secili për rolin e tyre në proces.
VII. ORGANET QË NGARKOHEN PËR ZBATIM
22. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA