Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Mars 2025:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES  TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE PËR VETËPRODHIM DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN E AEROPORTIT TË KUKËSIT, NJËSIA ADMINISTRATIVE SHTIQËN, BASHKIA KUKËS, QARKU KUKËS, NGA SHOQËRIA “GLOBAL TECHNICAL MECHANICS”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike për vetëprodhim dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në territorin e Aeroportit të Kukësit, sipas vendimit nr.146, datë 20.3.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kontratës së koncesionit/partneritet publik privat, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë “Global Technical Mechanics”, sh.p.k., dhe “Bami”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Kukës International Airport”, sh.p.k., për rehabilitimin, operimin, transferimin e Aeroportit të Kukësit”, me elementet, si më poshtë vijon:
a) Emri i aplikuesit: Shoqëria “Global Technical Mechanics”, sh.p.k.;
b) NIPT/NUIS: L71529026M;
c) Tipi i centralit: Fotovoltaik;
ç)   Kapaciteti i instaluar: 12MW;
d)  Afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndertimi: Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;
      dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: në territorin e Aeroportit të Kukësit, njësia administrative Shtiqën, Bashkia Kukës, Qarku Kukës;
e) Afati i operimit: deri në mbarimin e afatit të kontratës së koncesionit, sipas vendimit nr.146, datë 20.3.2019, të Këshillit të Ministrave;
ë)  Koordinatat e tokës dhe planvendosja sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Shoqëria “Global Technical Mechanics”, sh.p.k., ka detyrimin që:
i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e përmendura në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës, ndërmjet shoqërisë “Global Technical Mechanics”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj;
iv. t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë detyrimin, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqëria “Global Technical Mechanics”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M 
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Andi Memeti emërohet zëvendësministër i Financave.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE E TË PROCEDURAVE TË KOMPENSIMIT PËR KUFIZIMET QË I KRIJOHEN PUNONJËSIT TË POLICISË PËR LARGËSINË NGA VENDBANIMI, SIPAS KOSTOS SË TRANSPORTIT PUBLIK, TË PAGËS PËR PAPUNËSINË   E BASHKËSHORTIT, TË SHKAKTUAR NGA LARGËSIA E VENDBANIMIT, DHE TË KRITEREVE E TË MASËS  SË PËRFITIMIT TË PAGESËS SË QIRASË PËR STREHIM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 2, shkronja “b”, e 4, të nenit 104, dhe të pikës 2, të nenit 107, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. PAGESA PËR KOMPENSIM UDHËTIMI                                   
1. Punonjësi i Policisë së Shtetit, kur emërohet, transferohet në mënyrë të përhershme apo të përkohshme jashtë vendbanimit të tij, përfiton pagesë për kompensim udhëtimi, si më poshtë vijon:
a)  Nga 36 km deri 60 km, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj;
b) Nga 61 km deri 100 km, në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj;
c)  Nga 101 km deri 150 km, në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë në muaj;
ç)  Nga 150 km deri 200 km, në masën 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë në muaj;
d)  Mbi 200 km, në masën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë në muaj.
2. Përfitimi i kësaj pagese vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit të punonjësit të policisë, që nënkupton sistemimin me banesë brenda juridiksionit të strukturës së Policisë së Shtetit, në territorin ku ai është i emëruar/transferuar.
     Kompensimin e udhëtimit e përfiton edhe punonjësi i Policisë së Shtetit që plotëson kushtet e pikës 1, të këtij kreu, brenda qarkut ku është i emëruar/transferuar.
3. Për përfitimin e pagesës, sipas pikës 1, të këtij kreu, punonjësi i policisë paraqet në organin ku emërohet, transferohet në mënyrë të përhershme apo të përkohshme dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a)  Kërkesën me shkrim pranë njësisë shpenzuese ku është i punësuar punonjësi i Policisë;
b)  Fotokopjen e kartës së identitetit;
c)  Vërtetimin nga organi publik përgjegjës nëse punonjësi i policisë ka banesë në pronësi ose në proces legalizimi në juridiksionin e strukturës së Policisë së Shtetit, ku emërohet apo transferohet në mënyrë të përhershme apo të përkohshme.
II. PAGESA PËR PAPUNËSINË E BASHKËSHORTES/IT
1. Kur punonjësi i policisë emërohet, transferohet në mënyrë të përhershme apo të përkohshme për nevoja pune dhe shërbimi dhe, për këtë shkak, bashkëshortja/i humbet marrëdhëniet e punës, në rast të pamundësisë së punësimit, i jepet një pagesë, deri në çastin e punësimit, në masën:
a) 50 % të pagës bazë minimale mujore në shkallë vendi, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kur bashkëshortja/i ka vjetërsi pune mbi 1 (një) vit dhe shtesë në masën 5% të pagës bazë minimale mujore në shkallë vendi, për çdo vit mbi 1 (një) vit, por jo më shumë se paga bazë minimale në shkallë vendi;
b) 100 % të pagës mesatare mujore të vitit të fundit të punës, por jo më shumë se 150% të pagës bazë minimale mujore në shkallë vendi, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kur bashkëshortja/i ka vjetërsi në punë mbi 10 (dhjetë) vjet.
2. Paga mesatare mujore e bashkëshortes/it rritet sipas indeksit të pagës minimale, në përputhje me aktet nënligjore në fuqi.
3. Vjetërsia në punë e bashkëshortes/it konsiderohet vjetërsia e përgjithshme në punë, e dokumentuar në librezën e punës së çdo punonjësi/eje apo, në mungesë të librezës së punës, me çdo dokument tjetër ligjor të lëshuar nga organet kompetente përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, me përjashtim të viteve të sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, shërbimit ushtarak për meshkujt, viteve të shkollimit në institucionet e arsimit të lartë dhe periudhave të trajtimit me pagesë papunësie.
4. Koha e qëndrimit pa punë e bashkëshortit/es së punonjësit të policisë llogaritet në vjetërsinë e përgjithshme të punës, për efekt pensioni. Kontributet e sigurimeve shoqërore derdhen në emër të bashkëshortit/es përfitues/e nga struktura e Policisë së Shtetit ku është emëruar/transferuar punonjësi i policisë dhe përfituesi sipas skemës së sigurimeve shoqërore për punonjësit civilë. Paga mbi të cilën derdhen kontributet të jetë paga bazë minimale mujore, sipas legjislacionit në fuqi.
5. Për përfitimin e pagesës, sipas pikës 1, të këtij kreu, punonjësi i policisë paraqet në organin, ku emërohet ose transferohet në mënyrë të përhershme apo të përkohshme, dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Kërkesën me shkrim me gjenealitetet e plota, ku përshkruhet:
i. organi ku ka punuar;
ii. data e transferimit ose emërimit;
iii. arsyeja e transferimit;
iv. adresa ku ka banuar;
v. adresa aktuale ku banon pas transferimit ose emërimit;
vi. qendra e punës ku ka punuar bashkëshortja/i, data dhe shkaku i largimit nga puna.
b) Vërtetimin e pagës mesatare mujore të vitit të fundit kalendarik të punës për pagesën e marrë nga bashkëshortja/bashkëshorti.
c) Vërtetimin nga sigurimet shoqërore për kontributet e derdhura nga bashkëshorti/bashkëshortja për periudhën e punësimit.
ç)  Librezën e punës së bashkëshortes/it, ku të jetë cilësuar largimi nga puna për arsye të transferimit të bashkëshortes/it.
d) Vërtetimin nga zyra përkatëse e punësimit, ku të vërtetohet se bashkëshortja/i është regjistruar si punëkërkues i papunë dhe nuk i është ofruar punë në profesionin e saj/tij. Këtë vërtetim punonjësi e paraqet çdo tre muaj në zyrën e personelit.
6. Në çdo 6 (gjashtë) muaj, njësitë shpenzuese të  strukturave të Policisë së Shtetit dërgojnë në zyrat rajonale të punësimit listën emërore të bashkëshortëve, për trajtimin me përparësi nga këto zyra të punësimit të tyre, në rastet e hapjes së vendeve të lira.
III. QIRAJA PËR STREHIM
1. Kur punonjësi i policisë emërohet/transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, brenda vendit dhe jashtë vendit, i paguhet qiraja e banesës, kur nuk i sigurohet ajo.
2. Punonjësi  i  policisë  që  emërohet/ transferohet  jashtë  vendbanimit  të  tij  të  përhershëm,  brenda  vendit,  përfiton  kompensim  për  qira  banese,  nëse  emërohet/transferohet  për  shkak  të  detyrës dhe/ose për nevoja pune, në largësi mbi 36 km.
3. Masa e kompensimit për qira banese për punonjësin e policisë të përcaktuar në pikën 2, të këtij kreu, është, si më poshtë vijon:
a) Kur punonjësi i policisë nuk merr me vete në vendin e ri të punës në të cilin emërohet/transferohet pjesëtarët e familjes, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 43.93 m²;
b) Kur punonjësi i policisë ka në ngarkim dhe një person dhe e merr në vendin e ri të punës në të cilin emërohet/transferohet, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 56.47 m²;
c) Kur punonjësi i policisë ka në ngarkim dhe dy persona dhe i merr në vendin e ri të punës në të cilin emërohet/transferohet, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 79.74 m²;
ç)  Kur punonjësi i policisë ka në ngarkim dhe tre persona a më shumë dhe i merr në vendin e ri të punës në të cilin emërohet/transferohet, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 80.50 m².
4. Numri i personave, pjesëtarë të familjes, në ngarkim të punonjësit të Policisë vërtetohet me certifikatën e gjendjes familjare.
5. Njësia shpenzuese në strukturën e Policisë së Shtetit bën kompensimin e qirasë së banesës të punonjësit të policisë, përkundrejt paraqitjes së kontratës së qirasë, në vlerë jo më të madhe se vlera minimale e qirasë, e përcaktuar në vendimin nr.469, datë 3.6.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave për qëllime tatimore”. Vlera minimale mujore e çmimit të shitjes për metër katror sipërfaqe ndërtese të dhënë me qira do të përllogaritet në bazë të vlerës mesatare të shitblerjeve të banesave në tregun e lirë, sipas njësive administrative, të përcaktuara në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit.
6. Për përfitimin e pagesës, sipas pikës 2, të këtij kreu, punonjësi i policisë paraqet në organin ku është emëruar ose transferuar dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Kërkesën me shkrim pranë njësisë shpenzuese ku është i punësuar;
b) Fotokopjen e kartës së identitetit;
c) Kontratën e noterizuar të qirasë së banesës në juridiksionin territorial të strukturës së Policisë së Shtetit ku është i transferuar ose emëruar;
ç)  Vërtetimin nga organi publik përgjegjës nëse punonjësi i policisë ka banesë në pronësi ose në proces legalizimi në juridiksionin e strukturës së Policisë së Shtetit, ku emërohet apo transferohet në mënyrë të përhershme apo të përkohshme.
7. Punonjësi i policisë, që përfiton trajtim me qira banese, nuk do të trajtohet me pagesë për kompensim udhëtimi, sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi.
8.  Përfitimi vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit të punonjësit të policisë, që nënkupton sistemimin me banesë në juridiksionin territorial të strukturës së Policisë së Shtetit ku ai bën pjesë.
IV. DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
1. Njësia shpenzuese në strukturën e Policisë së Shtetit, ku punonjësi i policisë është emëruar apo transferuar në mënyrë të përhershme apo të përkohshme, ngre komisionin për vlerësimin e dokumentacionit të paraqitur sipas pikës 3, të kreut I, pikës 5, të kreut II, dhe pikës 6, të kreut III, të këtij vendimi.
2. Punonjësi, që përfiton, sipas krerëve I dhe II, paraqet çdo vit, që nga dita e përfitimit të kësaj të drejte, dokumentacionin justifikues pranë komisionit të ngritur nga titullari i njësisë shpenzuese ku është emëruar ose transferuar.
3. Përfitimi i pagesës, sipas pikës 1, të kreut II, të këtij vendimi, mund të përfitohet për një periudhë deri në 7 (shtatë) vjet. Bashkëshortja/i, që ka përfituar sipas pikës 5, të vendimit nr.256, datë 25.3.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin për privacionet dhe humbjet që i shkaktohen punonjësit të Policisë së Shtetit, për shkak të nevojave të punës dhe të shërbimit”, të ndryshuar, vazhdon të përfitojë pagesën, sipas përcaktimeve të bëra në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të kreut II të këtij vendimi, por jo më shumë se 7 (shtatë) vjet gjithsej. Bashkëshortja/i, që ka përfituar sipas pikës 3, të vendimit nr.183, datë 9.2.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin për privacionet dhe humbjet që i shkaktohen punonjësit të Policisë së Shtetit, për shkak të nevojave të punës dhe të shërbimit”, dhe pikës 9, të                                vendimit nr.256, datë 25.3.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin për privacionet dhe humbjet që i shkaktohen punonjësit të Policisë së Shtetit, për shkak të nevojave të punës dhe të shërbimit”, të ndryshuar, vazhdon të përfitojë pagesën, sipas përcaktimeve të bëra në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të kreut II, të këtij vendimi, por jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) vjet gjithsej.
4. Vendimi nr.256, datë 25.3.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për kompensimin për privacionet dhe humbjet që i shkaktohen punonjësit të Policisë së Shtetit, për shkak të nevojave të punës dhe të shërbimit”, të ndryshuar, si dhe pikat 1 deri në 9, të vendimit nr.398, datë 1.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret dhe masën e përfitimit të pagesës së qirasë për strehim për punonjësin e Policisë së Shtetit”, shfuqizohen.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Policisë së Shtetit.
6. Ngarkohet Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT,  NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT PËR ZHVILLIM TË ABU DHABI-T, LIDHUR ME GRANTIN E EMIRATEVE TË BASHKUARA ARABE PËR “MBËSHTETJEN PËR BUXHETIN E PËRGJITHSHËM  MBI PËRPJEKJET PËR ZHVILLIM”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19 të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim të Abu Dhabi-t, lidhur me grantin e Emirateve të Bashkuara Arabe për “Mbështetjen për buxhetin e përgjithshëm mbi përpjekjet për zhvillim”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT  TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË  DHE AGJENCISË SUEDEZE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR DHE ZHVILLIM (SIDA), PËR “PROGRAMIN E ZHVILLIMIT TË MJEDISIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim (SIDA), për “Programin e zhvillimit të mjedisit”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
 EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.199, DATË 10.4.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN  E KRYETARIT DHE EMËRIMIN E ANËTARËVE, PËRFAQËSUES  TË PUSHTETIT QENDROR, NË KËSHILLIN DREJTUES TË FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10 të ligjit nr.10130,  datë 11.5.2009, “Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 2, të vendimit nr.199, datë 10.4.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kryetarit dhe emërimin e anëtarëve, përfaqësues të pushtetit qendror, në këshillin drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Znj. Adela Xhemali, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, zëvendësohet me znj. Anila Denaj, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
2. Znj. Almira Xhembulla, zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit, zëvendësohet me znj. Ana Kapaj, zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR 
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.421, DATË 13.5.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT E SHQYRTIMIT TË KËRKESAVE, DOKUMENTACIONIN, AFATET   E SHQYRTIMIT DHE KRITERET E VEÇANTA TË LICENCIMIT TË VEPRIMTARIVE TË LEJUARA ME ARMËT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 18/2, pika 3 e 19, pika 3, të ligjit nr.74/2014, “Për armët”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.421, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e shqyrtimit të kërkesave, dokumentacionin, afatet e shqyrtimit dhe kriteret e veçanta të licencimit të veprimtarive të lejuara me armët”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Kudo në tekst, fjalët “… si dhe trajnimet specifike, sipas pozicionit të punës së punonjësit;” dhe “… si dhe trajnimet specifike të punonjësit …” zëvendësohen me “… diplomë/certifikatë, që vërteton përfundimin e studimeve ushtarake apo kursin e avancuar të nënoficerit, në Akademinë e Forcave të Armatosura dhe në institucione të huaja të njësuara ose dëshmi dhe certifikata të përftuara për veprimtarinë me armët, të njësuara apo të lëshuara nga Akademia e Sigurisë.”.
2. Në kreun II bëhen këto ndryshime:
a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Për t’u pajisur me licencë për veprimtaritë e lejuara me armë nga Policia e Shtetit, personi fizik/tregtari i pajisur me NUIS, personi juridik i pajisur me NUIS ose përfaqësuesi ligjor i subjektit juridik, për secilën nga licencat e përcaktuara nga shkronjat “b” deri në “dh”, të nenit 14, të ligjit nr.74, datë 10.7.2014, “Për armët”, të ndryshuar, aplikon në portalin unik qeveritar “e-Albania” dhe dorëzon në formë elektronike dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Certifikatën mjekësore për veprimtaritë e lejuara me armët, për personin fizik, ortakët/aksionarët e personit juridik, drejtuesin teknik, sipas udhëzimit nr.88, datë 10.3.2015, të ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shëndetësisë, “Për llojet e vizitave dhe përmbajtjen e raportit mjekësor për veprimtaritë me armët”, lëshuar nga autoriteti përkatës brenda 6 (gjashtë) muajve të fundit, që vërteton se është i aftë nga ana mendore dhe fizike;
b) Dëshminë “Për aftësimin teorik dhe praktik për përdorimin e armës”;
c) Kontratën e punës me drejtuesin teknik;
ç)  Mandatpagesën.
Dokumentacioni që siguron institucioni, pas autorizimit dhe dhënies së pëlqimit nga aplikanti, është vërtetimi i verifikimit të gjendjes gjyqësore (dëshmia e penalitetit).”.
b) Në pikën 3.1, shkronjat “a” dhe “b” ndryshohen, si më poshtë vijon:
“a) Për personat, që do të punësohen në këto subjekte, të cilët do të kryejnë një procedurë pune në veprimtarinë me armët, personi fizik ose juridik dorëzon në formë elektronike, nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, këto dokumente:
i. Kontratë pune me personin e punësuar;
ii. Certifikatë mjekësore për veprimtaritë e lejuara me armët, sipas udhëzimit nr.88, datë 10.3.2015, të ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shëndetësisë,  “Për llojet e vizitave dhe përmbajtjen e raportit mjekësor për veprimtaritë me armët”, lëshuar nga autoriteti përkatës brenda                                 6 (gjashtë) muajve të fundit, që vërteton se është i aftë nga ana mendore dhe fizike;
iii. Dëshmi e aftësimit teorik e praktik për përdorimin e armës, diplomë/certifikatë, që vërteton përfundimin e studimeve policore në Akademinë e Sigurisë, diplomë/certifikatë, që vërteton përfundimin e studimeve ushtarake apo kursin e avancuar të nënoficerit, në Akademinë e Forcave të Armatosura dhe në institucione të huaja të njësuara, ose dëshmi dhe certifikata të përftuara në fushën e rendit e të sigurisë publike, të njësuara apo të lëshuara nga Akademia e Sigurisë.
b) Në rastet e personave juridikë, dokumenti i parashikuar në nënndarjen “ii”, të shkronjës “a”, të pikës 3.1, të këtij vendimi, për pronarët përfitues.”.
c) Pika 3.2 shfuqizohet.
ç)  Pika 3.4 shfuqizohet.
3. Në kreun III bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në pikën 4 bëhen këto ndryshime:
i. Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Struktura përgjegjëse në Komisariatin e Policisë e ngarkuar me detyrën e pranimit të dokumenteve, Zyra për Shërbimin e Qytetarëve (ZSHQ), verifikon dokumentacionin e dërguar on-line dhe, në rast se konstaton se dokumentacioni i bashkëngjitur në sistem nuk është konform akteve ligjore/nënligjore, e njofton aplikuesin nëpërmjet portalit “e-Albania” për plotësimin e dosjes bashkë me dokumentacionin e duhur brenda 5 (pesë) ditëve.”.
ii. Shkronja “ç” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ç) ZSHQ-ja verifikon dosjen e plotësuar të aplikantit, përgatit relacionin vlerësues dhe ia përcjell elektronikisht dosjen për ta shqyrtuar Komisionit Qendror të shqyrtimit të kërkesave për licencim/autorizim për veprimtaritë e lejuara me armët në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.”.
iii. Shkronja “d” shfuqizohet.
iv. Shkronja “dh” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“dh) Komisioni Qendror mblidhet çdo muaj, shqyrton dokumentacionin për pajisjen me licencë për veprimtarinë e lejuar me armë dhe merr vendim për miratimin ose refuzimin e licencës. Vendimi nënshkruhet elektronikisht/me vulë elektronike.”.
b) Fjalia e parë e pikës 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Refuzimi i dhënies së licencës bëhet me vendim të arsyetuar të Komisionit Qendror dhe akti i refuzimit të licencës me vulë elektronike/nënshkrim elektronik i dërgohet aplikantit në rrugë elektronike në portalin “e-Albania”, nëpërmjet Komisariatit të Policisë, që ka pranuar aplikimin on-line.”.
c) Fjalia e tretë e pikës 6 shfuqizohet.
ç) Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Për ripërtëritje të licencës, personi fizik/juridik dorëzon në formë elektronike, nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, të njëjtat dokumente si kur aplikon për herë të parë. Kërkesa për ripërtëritjen e licencës bëhet 90 (nëntëdhjetë) ditë para përfundimit të afatit të vlefshmërisë së saj.”.
  d) Shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 7.1, ndryshojnë, si më poshtë vijon:
“a) në rastin e personave juridikë, për pronarët përfitues dorëzohet certifikata mjekësore për veprimtaritë e lejuara me armët, sipas udhëzimit nr.88, datë 10.3.2015, “Për llojet e vizitave dhe përmbajtjen e raportit mjekësor për veprimtaritë me armët”, lëshuar nga autoriteti përkatës brenda 6 (gjashtë) muajve të fundit, që vërteton se është i aftë nga ana mendore dhe fizike;
b) për personat që do të punësohen në këto subjekte, të cilët do të kryejnë një procedurë pune, që lidhet drejtpërdrejt me armët, dorëzohen këto dokumente:
i. Kontratë pune me personin e punësuar;
ii. Certifikatë mjekësore për veprimtaritë e lejuara me armët, sipas udhëzimit nr.88, datë 10.3.2015, “Për llojet e vizitave dhe përmbajtjen e raportit mjekësor për veprimtaritë me armët”, lëshuar nga autoriteti përkatës brenda 6                         (gjashtë) muajve të fundit, që vërteton se është i aftë nga ana mendore dhe fizike;
iii. Dëshmi e aftësimit teorik e praktik për përdorimin e armës dhe diplomë/certifikatë, që vërteton përfundimin e studimeve policore në Akademinë e Sigurisë, diplomë/certifikatë, që vërteton përfundimin e studimeve ushtarake apo kursin e avancuar të nënoficerit, në Akademinë e Forcave të Armatosura dhe në institucione të huaja të njësuara, ose dëshmi dhe certifikata të përftuara në fushën e rendit e të sigurisë publike, të njësuara apo të lëshuara nga Akademia e Sigurisë.
Dokumentacioni që siguron institucioni, pas autorizimit dhe dhënies së pëlqimit nga aplikanti, është vërtetimi i verifikimit të gjendjes gjyqësore (dëshmia e penalitetit).”.
dh) Pika 7.2 shfuqizohet.
4. Shkronja “a” e pikës 10, të kreut IV, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Për ushtrimin e veprimtarisë “Import dhe tregtim të armëve të kategorisë “C” (gjahut) dhe “D” (sportive), pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre”, si dhe të veprimtarisë “Tregtimi i armëve të kategorisë “B”, pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre”, të ketë një ambient të përshtatshëm për ushtrimin e aktivitetit, sipas kushteve të miratuara me vendimin nr.275, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe rregullat e sigurisë së armëve”, të ndryshuar.”.
II. Kërkesat e procedurat administrative që preken nga ky vendim zbatohen në momentin që përfundojnë zhvillimet teknike për pritjen dhe trajtimin e aplikimeve në sistemin e trajtimit të aplikimeve për qytetarët dhe subjektet tatimpaguese.
III. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT,   NGA DREJTORIA E PËRGJITHSHME E TATIMEVE TE KËSHILLI I LARTË GJYQËSOR, PËR GJYKATËN E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM, TË PRONËS       ME EMËRTIMIN “DEGA E TATIMPAGUESVE TË MËDHENJ”, NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE  8150, ME NUMËR  PASURIE 6/277, TIRANË, SI DHE PËR NJË NDRYSHIM  NË VENDIMIN NR.818, DATË 6.12.2006, TË KËSHILLIT  TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË PRONAVE   TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË   NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI DREJTORISË    SË PËRGJITHSHME TË TATIMEVE”, TË NDRYSHUAR  
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve te Këshilli i Lartë Gjyqësor, për Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, të pronës me emërtimin “Dega e Tatimpaguesve të Mëdhenj”, ndodhur në zonën kadastrale 8150, me numër pasurie 6/277, Tiranë, për t’u përdorur për ushtrimin e aktivitetit administrativ, sipas kartelës së pasurisë, fragmentit të hartës kadastrale dhe planimetrive prej 6 (gjashtë) fletësh,  që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Prona e përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.818,                   datë 6.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, të ndryshuar.
3. Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm u ndalohet ndryshimi i destinacionit të përdorimit të pronës së përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, tjetërsimi ose dhënia në përdorim të tretëve.
4. Dorëzimi i pronës së përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi bëhet brenda një afati të përcaktuar në marrëveshjen ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.
5. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.887, DATË 27.12.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT E MENAXHIMIT TË INVESTIMEVE PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 16 e 25, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.887, datë 27.12.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e menaxhimit të investimeve publike”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në fjalinë e dytë, të pikës 1, pas fjalëve “… arritjen e rezultateve të    synuara, …” shtohen “… brenda një kohe të caktuar, …”.
2. Në pikën 3 bëhen këto ndryshime:
a) Në fjalinë e dytë, fjalët “… të rankuar dhe …” hiqen;
b) Në fund të pikës, fjalët “… apo të pajisjeve të zyrave.” zëvendësohen me                  “… apo të pajisjeve të zyrave, si dhe projektet në fushën ushtarake.”.
3. Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Projektet e investimeve strategjike, të cilat propozohen për t’u zbatuar si projekte koncesioni apo partneriteti publik privat, maturohen në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare, pasi përgatitet studimi i fisibilitetit, duke ndjekur rregullat e parashikuara në legjislacionin në fuqi për koncesionet dhe partneritetet publike private.”.
4. Në fjalinë e dytë, të pikës 5, fjalët “… jo më vonë se data 1 korrik.” zëvendësohen me “… çdo 3 muaj.”.
5. Nё pikёn 6 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në shkronjën “a”, fjalët “…, në përputhje me përcaktimin e nenit 22, të      ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.” hiqen dhe pas fjalëve                                  “… Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA).” shtohen “… apo buxhetit vjetor.”.
b) Në fund të shkronjës “c” shtohen paragrafët, me këtë përmbajtje:
“Shpenzimet për projekte investimesh klasifikohen në:
i. projekte strategjike, të cilat janë mbi vlerën kufi të përcaktuar me udhëzim të ministrit të Financave. Këto projekte, për t’u përfshirë në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare, i nënshtrohen një procesi të vlerësimit, sipas aneksit 1 të këtij vendimi;
ii. projekte, të cilat janë brenda vlerave kufi të përcaktuar me udhëzim të ministrit të Financave. Këto projekte, përpara fillimit të procesit buxhetor, duhet të përgatisin formularin e konceptimit të projektit të investimit dhe studimin e fisibilitetit të thjeshtuar, sipas metodologjisë së miratuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat;
iii. projekte të tjera investimesh, për të cilat përgatitet formulari i konceptimit të projektit të investimit.”.
6. Nё pikёn 8 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në shkronjën “a”, fjalët “…, jo më vonë se 14 ditë nga data e marrjes së propozimit nga njësitë e qeverisjes qendrore.” hiqen.
b) Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Institucioni përgjegjës për programimin strategjik vlerëson projektet e propozuara nga institucionet e qeverisjes qendrore, në kuadër të përfshirjes së tyre në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare. Institucioni përgjegjës për programimin strategjik konsulton çdo projektpropozim, si dhe projektet që kanë përgatitur studimin e fisibilitetit dhe plotësojnë kriteret e maturitetit të projektit, sipas metodologjisë së miratuar me udhëzim të ministrit të Financave, në Komitetin e Planifikimit Strategjik, rast pas rasti.”.
c) Paragrafi parë i shkronjës “c” ndryshohet, si mё poshtё vijon:
“c) Për projektet e investimeve publike, të cilat përfshihen në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare, përpara maturimit, institucioni propozues paraqet studimin e fisibilitetit, duke siguruar cilësinë e konceptimit dhe të përmbajtjes, në përputhje me metodologjinë e përcaktuar me udhëzim të ministrit të Financave, për të cilat: …”;
ç) Në nënndarjen “iï” të shkronjës “c”, fjalët “… jep mendim për …” zëvendësohen me fjalën “… vlerëson …”;
d) Nënndarja “iii” e shkronjës “c” shfuqizohet.
dh) Pas shkronjës “c” shtohet shkronja “c/1”, me këtë përmbajtje:
“c/1) Përjashtimisht, për nevoja emergjente ose për nevoja të ofrimit të shërbimeve jetike, kur është e pamundur koha për përgatitjen e studimit të fisibilitetit, projektet e investimeve strategjike maturohen në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare nëpërmjet paraqitjes së studimit teknik.”.
e) Në shkronjën “d”, fjalia e fundit zëvendësohet me fjalinë, si më poshtë vijon:
“Propozimet paraqiten si pjesë përbërëse e kërkesave buxhetore, në kuadër të përgatitjes së Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA) apo buxhetit vjetor.”.
ë) Pas shkronjës “d” shtohen shkronjat “e”, “ë”, “f”, “g” dhe “gj”, me këtë përmbajtje:
“e) Për projektet me rëndësi strategjike të maturuara në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare, në rast se në momentin e buxhetimit kanë ndryshime në vlerat e plota të projektit, institucioni propozues paraqet relacion të detajuar me argumentimin përkatës të ndryshimit të vlerës dhe vlera e rishikuar e projektit reflektohet në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare. Në rast se ndryshimi i vlerës mbi 20% të vlerës së plotë të projektit vjen si pasojë e ndryshimeve teknike të projektit, duhet të përcillet studim fisibiliteti i rishikuar;
ë) Projektet, të cilat janë maturuar në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare dhe nuk janë buxhetuar brenda tri viteve nga kryerja e studimit të fisibilitetit, për t’u buxhetuar, duhet të rishikojnë studimin e fisibilitetit;
f) Ministri i Financave, me udhëzim, miraton metodologjinë e përgatitjes së studimit të plotë të fisibilitetit dhe studimit të thjeshtuar të fisibilitetit;
g) Për projektet me rëndësi strategjike, për të cilat vlera e plotë e projektit rivlerësohet gjatë zbatimit, reflektohet vlera e ndryshuar në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare;
gj) Projektet e investimeve publike të miratuara në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare përfshihen në listë deri në sigurimin e plotë të vlerës së financimit.”.
7. Në aneksin 1, “Procedurat e menaxhimit të investimeve publike”, bashkëlidhur vendimit, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në paragrafin e përkufizimit “Projekt investimi”, pas fjalëve “… me qëllime qartësisht të identifikuara.” shtohen “… pavarësisht burimit të financimit.”;
b) Në pikёn 3, pas fjalёve “… të përgatitjes dhe financimit të PBA-së …” shtohen “… apo buxhetit vjetor …”;
c) Në ndarjen “Faza II: Përgatitja dhe dërgimi i kërkesës së projektit të investimit”, “Hapi 4”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
i. Pas fjalisë “Gjithsesi, ky kusht nuk i heq të drejtën projektpropozuesit për të kërkuar financim për të realizuar studimin e fisibilitetit dhe çdo financim tjetër për të maturuar projektin e investimit.” shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Për projektet në kategorinë “Shpenzime për projekte investimesh”, të cilat kanë vlerë të plotë brenda vlerave kufi të përcaktuar me udhëzim të ministrit të Financave, përpara fillimit të procesit buxhetor, duhet të përgatitet, krahas formularit (F-3), edhe studimi i fisibilitetit të thjeshtuar, sipas metodologjisë së miratuar me udhëzim të ministrit të Financave.”.
ii. Fjalia “Për të gjitha pyetjet në formularët përkatës projektpropozimi duhet të marrë vlerësimin “kalim”, përndryshe do të kthehet për zhvillim të mëtejshëm.” shfuqizohet.
ç) Nё ndarjen “Faza III: Analiza, miratimi dhe financimi i projektpropozimeve të investimeve publike”, “Hapi 6”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
i. Paragrafi i parë ndryshohet, si mё poshtё vijon:
“Ministria përgjegjëse për financat – pasi propozimet mbërrijnë në ministrinë përgjegjëse për financat, kërkesat për projekte investimesh delegohen në Drejtorinë e Menaxhimit të Investimeve Publike (DMIP) për rishikim dhe vlerësim përfundimtar.”.
ii. Fjalët “… jo më vonë se 14 ditë nga data e marrjes së kërkesës nga njësitë e qeverisjes qendrore.” hiqen.
iii. Pas paragrafit që fillon me fjalët “Formularët shoqërues (F-3) …” shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“- Formularët shoqërues (F-3) për projektet e reja dhe studimet e thjeshtuara të fisibilitetit, për projektpropozimet, të cilat klasifikohen sipas pikës 6, shkronja “c”, nënndarja “ii”, shpenzime për projekte investimesh, të cilat janë brenda kufijve financiarë të përcaktuar me udhëzim të ministrit të Financave.”.
iv. Pas paragrafit që fillon me fjalët “Institucionin përgjegjës për programimin strategjik …” shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Institucionet e qeverisjes qendrore raportojnë pranë institucionit përgjegjës për programimin strategjik për projektet e Listës Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare vetëm për efekte të maturitetit të projekteve. Forma, afatet dhe informacioni i raportuar miratohen me urdhër të titullarit të institucionit përgjegjës për programimin strategjik.”.
d) Nё ndarjen “Faza III: Analiza, miratimi dhe financimi i projektpropozimeve të investimeve publike”, “Hapi 7” bëhen këto ndryshime:
i. Para fjalëve ““Shpenzime për projekte investimesh” të VKM-së, por që nuk përmbushin kriteret për t’u klasifikuar si projekte strategjike, sipas kritereve të tabelës 1 të këtij aneksi dhe vlerës kufi të përcaktuar me udhëzim të ministrit përgjegjës së financave” shtohen                                                        “…, nënndarjet “ii” dhe “iii”, …”.
ii. Para fjalëve ““Shpenzime për projekte investimesh” të VKM-së dhe përmbushin kriteret për t’u klasifikuar si projekte strategjike, sipas kritereve të tabelës 1 të këtij aneksi dhe vlerës kufi të përcaktuar me udhëzim të ministrit përgjegjës të financave, bazuar në rankimin e projekteve të gatshme për financim, në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, dhe në përputhje me hapësirën fiskale” shtohen “… nënndarja “i”…”.
dh) Nё ndarjen “Faza III: Analiza, miratimi dhe financimi i projektpropozimeve të investimeve publike”, “Hapi 9”, pas fjalëve                        “… Kuvendin e Shqipërisë …” hiqet fjala “… vetëm …” dhe pas fjalëve                     “… të PBA/buxhetit vjetor …” hiqen “… por që nuk miratohet nga Kuvendi.”.
8. Shtojca 4, “Studimi i fisibilitetit”, bashkëlidhur vendimit, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.19, DATË 9.1.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT  TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME, PËR VITIN 2025, NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 12, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në lidhjen nr.1, përmendur në pikën 1, të vendimit nr.19, datë 9.1.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2025, në njësitë e qeverisjes qendrore”, në ndarjen “Gr. 16, Ministria e Brendshme”, shtohet nënndarja përkatëse, sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Ministria e Brendshme të depozitojë pranë Ministrisë së Financave detajimin e numrit të punonjësve me kontratë së bashku me kategorinë e pagës.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.