Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Nëntor 2024:
V E N D I M
PËR
AUTORIZIMIN E KORPORATËS SË INVESTIMEVE SHQIPTARE PËR KOORDINIMIN E PROCESIT TË IDENTIFIKIMIT TË PRONËS SHTETËRORE ME INTERES PËR TË REALIZUAR PROJEKTE INVESTIMI NË FSHATIN VRINË, BASHKIA KONISPOL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 5, të ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Korporata e Investimeve Shqiptare, në përputhje me objektivat e saj, me qëllim identifikimin e pronës shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi në fshatin Vrinë, Bashkia Konispol, ngarkohet për përmbushjen e detyrave, si më poshtë vijon:
a) Të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet procedurale për konsolidimin e pronës shtetërore në këtë zonë/njësi territoriale, si më poshtë vijon:
i. Në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës koordinimin dhe bashkërendimin me institucionet shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të përfshira në çështjet e pronësisë apo administrimit të këtyre pronave për dhënien dhe shkëmbimin e informacionit apo të dokumentacionit të kërkuar në lidhje me të drejtat e pronësisë, që është i nevojshëm për një pasqyrim të gjendjes së pronësisë, caktimin më të saktë të kufijve të zonës dhe përfundimin me prioritet të procesit të regjistrimit të pronës në regjistrat e pasurive të paluajtshme;
ii. Negociimin me subjektet private, të përfshira në marrëdhënien juridike të pronësisë për këto prona në lidhje me sqarimin dhe qartësimin e statusit të pjesës përkatëse të pronës shtetërore në këtë zonë.
b) Të hartojë dhe të sigurojë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, një masterplan të zhvillimit të zonës, në të cilën ndodhet prona shtetërore. Shpenzimet për realizimin e këtij masterplani mbulohen nga buxheti i Korporatës së Investimeve Shqiptare;
c) Të hartojë dhe të paraqesë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, një projekt zhvillimi të pronës shtetërore në këtë zonë. Shpenzimet për realizimin e këtij projektzhvillimi mbulohen nga buxheti i Korporatës së Investimeve Shqiptare.
2. Institucionet shtetërore të përfshira në çështjet e pronësisë apo administrimit të pronave, sipas parashikimit të nënndarjes “i”, të shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, të paraqesin informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar, brenda 5 (pesë) ditëve nga momenti i administrimit të kërkesës së paraqitur me shkrim nga Korporata e Investimeve Shqiptare.
3. Korporata e Investimeve Shqiptare i paraqet raport të detajuar lidhur me përmbushjen e detyrave të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, ministrisë përgjegjëse për ekonominë, e cila pas konfirmimit të përmbushjes së detyrave, merr në shqyrtim kërkesën e Korporatës së Investimeve Shqiptare, në zbatim të pikës 1, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
BAZËN E TË DHËNAVE SHTETËRORE “SISTEMI I MENAXHIMIT TË INFORMACIONIT E-AKTET”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e rregullave për bazën e të dhënave shtetërore “Sistemi i menaxhimit të informacionit e-aktet” (në vijim, “e-aktet”).
2. E-aktet ka si qëllim ruajtjen, administrimin dhe përpunimin e të dhënave në formë elektronike për projektaktet dhe dokumentet shoqëruese on-line të institucioneve shtetërore, duke i grupuar sipas linjës hierarkike të miratimit të tyre, në zbatim të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të vendimit nr.584, datë 28.8.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së Këshillit të Ministrave”, të ndryshuar.
3. Institucioni administrues i bazës së të dhënave shtetërore e-aktet është Këshilli i Ministrave.
4. Lista e institucioneve dhe e organeve në sistemin e-aktet përbëhet nga ministritë dhe ministrat e shtetit, sipas përbërjes së Këshillit të Ministrave, si dhe institucionet e varësisë së tij. Lista e institucioneve të varësisë në sistemin e-aktet përcaktohet nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, në varësi të shkallës së përfshirjes që ato kanë për dhënien e mendimit për projektaktet. Funksionet e punonjësve në këtë sistem përcaktohen sipas detyrave që ata ushtrojnë gjatë procesit të hartimit, bashkërendimit, dhënies së mendimit apo shqyrtimit të projektaktit, sipas legjislacionit për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave.
5. Në e-aktet regjistrohen nëpunës dhe titullarë të institucioneve propozuese dhe mendimdhënëse për projektaktet ligjore e nënligjore, sipas pikës 4, të këtij vendimi.
6. Të dhënat që përmban e-aktet ndahen në të dhëna parësore e dytësore.
7. Të dhëna parësore konsiderohen të dhënat e mëposhtme:
a) Plani vjetor analitik i projektakteve për vitin pasardhës;
b) Kodi identifikues i projektaktit;
c) Emërtimi i projektaktit;
ç) Dokumente bazë të projektaktit (projektakti, anekse, protokolle, shtojca,
formularë etj.);
d) Dokumente shoqëruese (relacion, komunikatë, harta etj.);
dh) Kërkesa për mendim e titullarit të institucionit, e firmosur
elektronikisht;
e) Përgjigjja e kërkesës për mendim e firmosur elektronikisht;
ë) Numër protokolli dalës/hyrës;
f) Statusi i projektaktit;
g) Kodi identifikues i mbledhjes së Këshillit të Ministrave;
gj) Statusi i mbledhjes së Këshillit të Ministrave;
h) Rendi i ditës i mbledhjes së Këshillit të Ministrave;
i) Statusi i rendit të ditës të mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
8. Të dhëna dytësore konsiderohen të dhënat që merren nga një bazë tjetër të dhënash, ku ato janë parësore, që mund të ndërveprojë me e-aktet, në përputhje me parashikimet e legjislacionit për bazat e të dhënave shtetërore.
9. Dhënës të informacionit për e-aktet janë institucionet propozuese dhe mendimdhënëse, në zbatim të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të vendimit nr.584, datë 28.8.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së Këshillit të Ministrave”, të ndryshuar.
10. Niveli i aksesit në e-aktet është, si më poshtë vijon:
a) Këshilli i Ministrave ka të drejta të plota administrative mbi bazën e të dhënave në rolin:
i. “Administrator i bazës së të dhënave”.
b) Përdoruesi i autorizuar nga institucionet propozuese/mendimdhënëse dhe Këshilli i Ministrave
i. Koordinator iniciues, që fillon procedurën për projektaktin;
ii. Punonjësit, që kryejnë në sistem procedurat e hartimit, përgatitjes dhe miratimit së brendshmi të projektaktit apo të mendimit për të, në aparatin e ministrisë apo të institucionit të varësisë;
iii. Sekretar i Përgjithshëm institucioni, që miraton;
iv. Titullari i institucionit, që dërgon për mendim ose për miratim në Këshillin e Ministrave dhe kthen përgjigje;
v. Përdorues, vetëm lexues pranë Kryeministrisë, ministrit të Drejtësisë (Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit);
vi. Koordinator institucioni mendimdhënës;
vii. Protokolli/arkivi;
viii. Jurist në Kryeministri;
ix. Redaktor;
x. Drejtori i strukturës/ave përgjegjëse për aktet, në Kryeministri;
xi. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, zëvendësi i tij ose punonjësi, të cilit i janë deleguar kompetencat e tij.
11. Secila etapë e procedurave të lidhura me projektaktin apo dhënien e mendimit për të përmbyllet nga punonjësi përgjegjës në ministri, sipas funksionit të tij, duke shoqëruar veprimin e tij në sistem me nënshkrimin elektronik.
12. Sistemi garanton në çdo rast ruajtjen e historikut të gjendjes së projektaktit dhe praktikës shoqëruese të tij, në momentin kohor të dhënë, të çdo etape procedurale.
13. Të gjitha ndërveprimet e ministrive dhe të institucioneve të varësisë në e-aktet, ndërmjet tyre apo me Këshillin e Ministrave, për dërgimin e projektaktit për mendim apo për shqyrtim regjistrohen në sistem nëpërmjet numrit të protokollit, i cili korrespondon me atë në variantin hard copy.
14. Kryeministri miraton rregulloren për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të bazës së të dhënave e-aktet, në përputhje me rregullat e parashikuara në ligjin nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe vendimin nr.584, datë 28.8.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së Këshillit të Ministrave”, të ndryshuar.
15. Dokumentet e krijuara dhe/ose të ngarkuara në sistemin elektronik të e-aktet, që prej fillimit të funksionimit të këtij sistemi, konsiderohen pjesë e dokumentacionit të projektaktit. Ky rregull zbatohet për të gjitha dokumentet, që janë ngarkuar në këtë sistem nga organet kompetente, sipas legjislacionit për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, duke përfshirë dokumentet elektronike, që përmbajnë nënshkrimin elektronik apo vulën elektronike, dokumentet e tjera në format elektronik, që nuk i përmbajnë këto elemente, si dhe dokumentet që ngarkohen si kopje e një dokumenti shkresor hard copy të vlefshëm, të krijuar jashtë sistemit. Këto dokumente, në rast nevoje të arkivimit dhe/ose të shpërndarjes e shfrytëzimit në format shkresor hard copy nga të tretë, pas printimit shoqërohen me vulën e institucionit ose me elemente të tjera teknologjike të autentifikimit, si: barcode, kode QR etj.
16. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për të hartuar rregulloren e parashikuar në pikën 14 të këtij vendimi dhe për t’ia paraqitur atë për miratim Kryeministrit.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ANTIKORRUPSIONIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të kreut III, të vendimit nr.436, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin e funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Insidor Rexhepi emërohet drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME SHKËMBIM LETRASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE AGJENCISË JAPONEZE TË BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR, PËR NDRYSHIMIN E MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS JAPONEZE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “PËRMIRËSIMI I SISTEMIT TË KANALIZIMEVE PËR TIRANËN E MADHE”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.9964, DATË 24.7.2008
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim letrash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, për ndryshimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, për financimin e projektit “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe”, ratifikuar me ligjin nr.9964, datë 24.7.2008, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SIPAS KONVENTËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR TË DREJTËN E DETIT PËR RUAJTJEN DHE PËRDORIMIN E QËNDRUESHËM TË DIVERSITETIT BIOLOGJIK DETAR TË ZONAVE PËRTEJ JURIDIKSIONIT KOMBËTAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit për Ruajtjen dhe Përdorimin e Qëndrueshëm të Diversitetit Biologjik Detar të Zonave përtej Juridiksionit Kombëtar, bërë në Nju Jork, më 19 qershor 2023, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KABINETIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË KIRGIZSTANIT, PËR PËRJASHTIMIN E KËRKESAVE PËR VIZË PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE DIPLOMATIKE DHE TË SHËRBIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kabinetit të Ministrave të Republikës së Kirgizstanit, për përjashtimin e kërkesave për vizë për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË NIKARAGUAS, PËR PËRJASHTIMIN E VIZAVE PËR PASAPORTAT E ZAKONSHME, DIPLOMATIKE DHE TË SHËRBIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Nikaraguas, për përjashtimin e vizave për pasaportat e zakonshme, diplomatike dhe të shërbimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË UZBEKISTANIT, PËR PËRJASHTIMIN E NDËRSJELLË TË KËRKESAVE PËR VIZË PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE DIPLOMATIKE DHE TË SHËRBIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave,
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Uzbekistanit, për përjashtimin e ndërsjellë të kërkesave për vizë për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.61, DATË 7.2.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KËRKESAVE E TË KRITEREVE QË DUHET TË PLOTËSOJNË STARTUP-ET DHE LEHTËSUESIT E STARTUP-EVE, TË PROCEDURAVE E TË AFATEVE, SI DHE TË RREGULLAVE PËR PËRBËRJEN E KOMISIONIT TË VLERËSIMIT DHE ANKIMIT, KRITEREVE, PROCEDURËS SË PËRZGJEDHJES E TË SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 14, të ligjit nr.25/2022, “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 4, të kreut V, të vendimit nr.61, datë 7.2.2024, të Këshillit të Ministrave, togfjalëshi “… brenda 10 (dhjetë) ditëve …’’ zëvendësohet me “… brenda 30 (tridhjetë) ditëve …’’.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.219, DATË 16.4.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI ALBPETROL, SH.A.-SË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.219, datë 16.4.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat kalojnë në përgjegjësi administrimi Albpetrol, sh.a.”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat kalojnë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Albpetrol, sh.a.-në”.
2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat kalojnë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Albpetrol, sh.a.-në.”.
3. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit, përmasat e pronave me numrat rendorë 1, 3, 4, 18 dhe 21 zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularët, 5 (pesë) fletë formulari dhe planrilevimet, 5 (pesë) planrilevime, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
II. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Albpetrol, sh.a.-ja, dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.965, DATË 25.10.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E FINANCAVE DHE MINISTRIA E ZHVILLIMIT EKONOMIK, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES, TË PRONËS ME NR.37, ME EMËRTIMIN “MINISTRIA E MBROJTJES”, ME VENDNDODHJE NË BULEVARDIN “DËSHMORËT E KOMBIT”, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.965, datë 25.10.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, në titull dhe në përmbajtje, emërtimi “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” zëvendësohet me “Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit”.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.1139, DATË 24.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE TË SIGURISË NË KOMUNITET 2021 – 2026 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT 2021 – 2023”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.1139, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Sigurisë në Komunitet 2021 – 2026 dhe të planit të veprimit 2021 – 2023”, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
1. Në titull dhe në pikën 1, periudha “2021-2023” hiqet.
2. Pas planit të veprimit 2021-2023 për zbatimin të Strategjisë Ndërsektoriale të Sigurisë në Komunitet 2021 – 2026 shtohet plani veprimit 2024 – 2026, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
II. Ngarkohen Ministria e Brendshme, ministritë dhe institucionet përgjegjëse, të përmendura në planin e veprimit, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.538, DATË 26.5.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LICENCAT DHE LEJET QË TRAJTOHEN NGA APO NËPËRMJET QENDRËS KOMBËTARE TË LICENCIMIT (QKL) DHE DISA RREGULLIME TË TJERA NËNLIGJORE TË PËRBASHKËTA”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 15 e 36, të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në titull dhe kudo në përmbajtje të vendimit, emërtimi “Qendra/ës Kombëtare të Licencimit (QKL)” zëvendësohet me “Qendra/ës Kombëtare të Biznesit”.
2. Fjalia e dytë, e shkronjës “ç”, të pikës 8, të kreut II, “Për këto lloje dokumentesh shoqëruese vlen edhe përcaktimi i shkronjës “d”, të pikës 4, të kreut III, të këtij vendimi.” shfuqizohet.
3. Në kreun VIII bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Pika 1 shfuqizohet.
b) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Tarifat e posaçme sektoriale, të lidhura me një licencë të caktuar janë të pagueshme në masën, këstet dhe mënyrat e përcaktuara nga legjislacioni sektorial në fuqi.”.
c) Pika 3 shfuqizohet.
ç) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Përcaktimi i pikës 2, të këtij kreu, vlen edhe për autorizimet e pranueshme nga QKB-ja.”.
4. Pika 2, e kreut XI, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Duke filluar nga data e përcaktuar në pikën 1, të këtij kreu, ministritë dhe institucionet e tjera nuk pranojnë kërkesa për këto kategori/nënkategori licencash.”.
5. Në aneksin 1, bashkëlidhur vendimit, bëhen këto ndryshime:
a) Kategoria I.2, “Shërbime ekspertize dhe/ose profesionale të mbrojtjes civile” shfuqizohet.
b) Në kategorinë 1.3, “Shërbimi privat i sigurisë fizike”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
i. Emërtimi i nënkategorisë I.3.A ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Sigurimi fizik i objekteve shtetërore dhe private, i personave, si dhe i veprimtarive social-kulturore sportive, fetare e politike.”.
ii. Emërtimi i nënkategorisë I.3.B ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Sigurimi dhe shoqërimi i vlerave monetare, materiale dhe i sendeve të çmuara gjatë transportit.”.
c) Në kategorinë II.2 bëhen këto ndryshime:
i. Fjalia e parë, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Kategoria e kësaj veprimtarie ndahet në 3 nënkategori si vijon: …”.
ii. Shkronja “c”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) “Klinika veterinare/Spital veterinar”, me kodin II.2.C”.
ç) Në kategorinë II.3 bëhen këto ndryshime:
i. Në pikën 6, fjalët “… më poshtë …” zëvendësohen me “… më lart …”.
ii. Shkronja “a”, e pikës 7, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Institucioni tjetër që verifikon plotësimin e kritereve të licencimit për veprimtaritë me kodin II.3.A është Shërbimi Zooteknik.”.
d) Në kategorinë II.5 bëhen këto ndryshime:
i. Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10. Ndërsa licenca e tregtimit me shumicë, me kodin II.5.B.2 përfshin edhe të drejtën e subjektit të licencuar për tregtim me shumicë, që të tregtojë me pakicë mallin e prodhuar në vendin (stabilimentin) në të cilin është bërë licencimi.”.
ii. Në pikën 13, fjalët “… grupit I …” zëvendësohen me “… grupit II …”.
iii. Shkronja “a”, e pikës 17, të kreut IV, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Institucioni tjetër, që verifikon plotësimin e kritereve të licencimit për veprimtaritë e specifikuara me kodin II.5.C.1 dhe II.5.C.2 është Agjencia Kombëtare e Duhan-Cigareve, vendimi i së cilës bazohet në vlerësimin e dokumenteve të paraqitura dhe në inspektimin në vend për vlerësimin e përmbushjes së rregullave me standardet e detyrueshme tekniko-teknologjike.”.
dh) Në shkronjën “b”, të pikës 9, të nënkategorisë II.6.B, afati “… 15 ditë …” zëvendësohet me “… 30 ditë …”.
e) Në kategorinë II.8 bëhen këto ndryshime:
i. Në fjalinë e parë, të pikës 2, fjalët “… dy nënkategori …” zëvendësohen me “… tre nënkategori …”.
ii. Në pikën 3, fjalët “… apo të dy …” zëvendësohen me “… apo të tre …”.
ë) Titulli dhe përmbajtja e kategorisë III.3 ndryshohen sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
f) Emërtimi i kategorisë III.4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“SHFRYTËZIMI DHE/OSE KULTIVIMI I FLORËS (TOKËSORE DHE/OSE UJORE)”.
g) Tabela 1, e kategorisë III.5, të kreut II, nënkategoria III.5.A.1, që përmendet në pikën 7, zëvendësohet me tabelën nr.1, në aneksin 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
gj) Numërtimi i kategorisë “SHËRBIME EKSPERTIZE DHE/OSE PROFESIONALE TË LIDHURA ME BURIMET MJEDISORE BAZË”, nga “Kategoria II.7” bëhet “Kategoria III.7”.
h) Pika 2.2, e nënkategorisë VII.3.B, shfuqizohet.
i) Në kategorisë VII.6 bëhen këto ndryshime:
i. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Veprimtaritë e kësaj kategorie futen në nënkategorinë: “Licencë për sipërmarrësit hekurudhorë”.”.
ii. Në pikën 3, fjalët “… në ligjin nr.9317, datë 18.11.2004, “Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar …” zëvendësohen me “… në ligjin nr.142/2016, “Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë …”.
j) Në kategorinë VII.7 bëhen këto ndryshime;
i. Shkronjat “b”, “c”, “ç”, “d”, “dh”, “e”, të pikës 2, shfuqizohen.
ii. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Licencat e nënkategorisë VII.7.1 trajtohen sipas grupit III. Dokumentet provuese e shoqëruese që dorëzohen nga kërkuesi, kuptimi i llojit të veprimtarive, institucioni tjetër, procedura e shqyrtimit të kërkesës prej tij dhe afatet për t’iu përgjigjur QKB-së për një kërkesë që ka kaluar fazën e parë nga QKB-ja, për nënkategoritë VII.7.1 janë përkatësisht ato të përcaktuara në ligjin nr.96/2020, “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”, dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.”.
k) Në kategorinë IX.1 bëhen këto ndryshime:
i. Në shkronjën “b”, të pikës 2, të kreut I, fjalët “… kodi IX.B …” zëvendësohen me “… kodin IX.1.B …”
ii. Titulli i kreut II ndryshohet, si më poshtë vijon:
“II. LICENCIMI I VEPRIMTARIVE TË NËNKATEGORIVE IX.1.A.”.
iii. Titulli i kreut III ndryshohet, si më poshtë vijon:
“III. LICENCIMI I VEPRIMTARIVE TË NËNKATEGORIVE IX.1.B.”.
iv. Fjalia e parë, e pikës 11, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Licencimi i këtyre veprimtarive, në përputhje me kriteret specifike përkatëse, bëhet sipas të njëjtave procedura si ato të nënkategorisë IX.1.A me ndryshimin që: …”.
l) Në kategorinë X.1, titulli i kreut III ndryshohet, si më poshtë vijon:
“III. LICENCIMI I VEPRIMTARIVE TË NËNKATEGORISË X.1.B.”
ll) Emërtimet e ligjeve të refereruara si baza ligjore për kategoritë e licencave ndryshohen përkatësisht për secilën prej tyre, sipas tabelës nr.1, në aneksin 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
6. Në aneksin 2, bashkëlidhur vendimit, në ndarjen “Fusha VIII”, shkronjëzimi “B”, në kolonën “Kodi i nënkategorisë”, të nënndarjes për “Veprimtari të lidhura me burime me rrezatim jonizues”, zëvendësohet me “C”.
7. Në aneksin 3, bashkëlidhur vendimit, nënndarja 16 e tabelës “Përmbajtja orientuese e kërkesës për licencë”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT TË NJË PJESE TË PASURISË ME NR.5/102 DHE TË PASURISË ME NR.5/251, NË ZONËN KADASTRALE 8160, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit të një pjese të pasurisë me nr.5/102 dhe të pasurisë nr.5/251, në zonën kadastrale 8160, Tiranë, sipas formularit dhe planrilevimeve, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, për t’i përdorur për realizimin e projektit “Kolegji i Evropës”.
2. Fondit Shqiptar të Zhvillimit i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pasurive të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, t’i tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE TË PRONËS, ME EMËRTIMIN “SPITALI RAJONAL VLORË”, DHE PËR DISA SHTESA E NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.717, DATË 1.12.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të pronës, me emërtimin “Spitali Rajonal Vlorë”, sipas formularit, 3 (tri) fletë, dhe planrilevimit, 1 (një) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës së inventarit të pronave, bashkëlidhur vendimit nr.717, datë 1.12.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, të ndryshuar.
3. Paragrafi i dytë, i pikës 1, të vendimit nr.717, datë 1.12.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Lista përbëhet gjithsej nga 20 (njëzet) fletë formulari, 21 (njëzet e një) planrilevime, 2 (dy) planimetri dhe është pjesë përbërëse e këtij
vendimi.”.
4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR MARRËDHËNIET E AVOKATURËS SË SHTETIT DHE PERSONAVE JURIDIKË, NË KUADËR TË OFRIMIT TË ASISTENCËS JURIDIKE, ROLIN E AVOKATËVE TË SHTETIT NË GJYKIM, SI DHE NORMAT E POSAÇME PROCEDURALE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 7, e 12, pikat 2 e 6, të ligjit nr.10 018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Për marrëdhëniet e Avokaturës së Shtetit dhe personave juridikë, në kuadër të ofrimit të asistencës juridike, rolin e avokatëve të shtetit në gjykim, si dhe normat e posaçme procedurale”, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vendimi nr.392, datë 8.4.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për marrëdhëniet e Avokaturës së Shtetit me institucionet shtetërore dhe entet publike, rolin e avokatëve të shtetit në gjykim, si dhe normat e posaçme procedurale”, i ndryshuar”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I SEGMENTIT TË PARË TË LINJËS 110 KV BALLSH-MARINËZ DHE LINJËS BALLSH – DRENOVË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i segmentit të parë të linjës 110 kV Ballsh-Marinëz dhe linjës Ballsh – Drenovë”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 24 617.22 (njëzet e katër mijë e gjashtëqind e shtatëmbëdhjetë pikë njëzet e dy) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 24 617.22 (njëzet e katër mijë e gjashtëqind e shtatëmbëdhjetë pikë njëzet e dy) lekësh, përballohet nga buxheti i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
8. Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, Zyra Vendore Mallakastër, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë të pasurive që shpronësohen sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, Zyra Vendore Mallakastër, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.686, DATË 22.11.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË PLANIFIKIMIT TË TERRITORIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6, pika 3, dhe 15, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin e rregullores së planifikimit të territorit, bashkëlidhur vendimit nr.686, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në nenin 2 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 11, pas fjalës “… lulishtja …” shtohen fjalët “… kënde lojërash për fëmijë …”.
2. Pas pikës 38 shtohen pikat 39, 40, 41, 42, 43, 44, 45 dhe 46, me këtë përmbajtje:
“39. “PDQ”, Plani i Detajuar Qendror.
40. “PKHD”, Plani Kombëtar i Hapësirës Detare.
41. “Hapësirë detare”, është territori ujor i cili përbëhet nga ujërat e brendshme detare, deti territorial, zona fqinje (në vazhdim), zona ekskluzive ekonomike dhe shelfi kontinental, sipas Kodit Detar të Republikës së Shqipërisë.
42. “Mjedis detar”, është territori ujor i cili përbëhet nga vija e bregdetit shqiptar, plazhet, portet, radat e porteve dhe territoret tokësore të tyre, lagunat, grykëderdhjet e lumenjve në det, liqenet e vijës së ujit, që komunikojnë vazhdimisht ose përkohësisht me detin, ujërat e brendshme detare, territoriale dhe ekonomike.
43. “Tipologji hapësinore” është karakteri i një njësie strukturore bazuar në ndërthurjen e njëtrajtshmërisë së llojit dhe volumit të strukturave, mënyrës së vendosjes së tyre në territor, skemës rrugore dhe të hapësirave publike.
44. “Parcelë minimale” është sipërfaqja minimale që duhet të ketë parcela ose një grup parcelash për t’u zhvilluar.
45. “Politika e integruar detare” (PID) është një politikë e BE-së, qëllimi i së cilës është të nxisë vendimmarrje të koordinuar dhe koherente për të maksimizuar zhvillimin e qëndrueshëm, rritjen ekonomike dhe kohezionin social të shteteve anëtare dhe, veçanërisht të zonave bregdetare, ishullore dhe më të largëta në BE, si dhe të sektorëve detarë, përmes politikave detare dhe koherente të bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë fushë;
46. “Planifikimi hapësinor detar” është një proces me anë të të cilit analizohen dhe organizohen aktivitetet njerëzore në zonat detare për të arritur objektivat ekologjikë, ekonomikë dhe socialë.”.
Neni 2
Në shkronjën “a”, të pikës 2, të nenit 5, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Nënndarja “iii” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“iii. Planit Kombëtar të Hapësirës Detare;”.
2. Pas nënndarjes “iii” shtohen nënndarjet “iv” dhe “v”, me këtë përmbajtje:
“iv) Planit të Detajuar për Zonën me Rëndësi Kombëtare;
v) Planet e detajuara qendrore.”.
Neni 3
Në nenin 6 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 1, pas fjalëve “… gjatë hartimit …” shtohen “… dhe rishikimit …”.
2. Në pikën 2, pas fjalëve “… për të cilin hartohet …” shtohen “… apo rishikohet …”.
Neni 4
Në pikën 3, të nenit 10, bëhen këto shtesa:
1. Pas fjalëve “… gjatë zbatimit të dokumenteve të planifikimit …” shtohen “… dhe vendimarrjeve të KKTU-së …”.
2. Pas fjalëve “… sipas rasteve të përcaktuara …” shtohen “… në pikën 2/1, të nenit 26, të ligjit dhe …”.
Neni 5
Pika 4, e nenit 11, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Procedura e thjeshtuar ndiqet:
a) kur rishikimi i dokumentit të planifikimit bëhet për një pjesë të territorit, për çështje të zhvillimit, të cilat duhet të marrin konfirmimin e institucioneve të fushës për garantimin e ruajtjes së vlerave natyrore e mjedisore, të trashëgimisë historike e kulturore dhe çështjeve të tjera sektoriale;
b) për intergrimin e vendimeve të KKTU-së.”.
Neni 6
Shkronja “a”, e pikës 1, të nenit 15, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Planifikimi në nivel qendror:
i. Plani i Përgjithshëm Kombëtar i Territorit (PPKT);
ii. Planet kombëtare sektoriale (PKS);
iii. Plani Kombëtar i Hapësirës Detare (PKHD);
iv. Planet e detajuara për zonat e rëndësisë kombëtare (PDZRK).
iv. Planet e detyruara qendrore (PDQ).”.
Neni 7
Pas seksionit 3, të kreut II, shtohet seksioni 3/1, me këtë përmbajtje:
“SEKSIONI 3/1
PLANI KOMBËTAR I HAPËSIRËS DETARE
Neni 21/1
Objekti i PKHD-së
1. Kuadri referues i PKHD-së synon promovimin e rritjes së qëndrueshme të ekonomive detare, zhvillimin e qëndrueshëm të zonave detare, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve detare dhe mban në konsideratë të veçantë ndërveprimet tokë-det dhe bashkëpunimin ndërkufitar.
2. Planifikimi hapësinor detar është procesi me anë të të cilit analizohen dhe organizohen aktivitetet njerëzore në zonat detare për të arritur objektivat mjedisorë, ekologjikë, ekonomikë dhe socialë.
3. Plani Kombëtar i Hapësirës Detare ka për qëllim zhvillimin e qëndrueshëm të sektorëve dhe përdorimeve përkatëse të hapësirave detare, të tashme dhe të ardhshme, të cilat përfshijnë:
a) peshkimin dhe akuakulturën;
b) zonat e peshkimit;
c) energjinë në zonat detare: kërkimin, shfrytëzimin dhe nxjerrjen e naftës, gazit dhe burimeve të tjera energjetike, mineraleve dhe agregateve, si dhe prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme;
ç) transportin detar dhe trafikun detar;
d) sigurinë kombëtare dhe stërvitjen ushtarake;
dh) natyrën, biodiversitetin, speciet dhe zonat e mbrojtura, mjedisin dhe konsideratat për ndryshimet klimatike;
e) nxjerrjen dhe shfrytëzimin e lëndës së parë;
ë) rrugët e kabllove dhe tubacioneve nënujore;
f) trashëgiminë kulturore nënujore;
g) aktivitetet e turizmit detar.
4. Plani Kombëtar i Hapësirës Detare, teksa hartohet e zbatohet duhet të ndjekë parimet e planifikimit si një proces pune në vazhdimësi.
Neni 21/2
Autoriteti përgjegjës për hartimin e PKHD-së
1. Procesi i hartimit të PKHD-së koordinohet nga ministria përgjegjëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit e cila është edhe autoriteti kompetent për hartimin e planit, në përputhje me shkronjën “c”, të pikës 1, të nenit 8, të ligjit.
2. Pranë ministrisë përgjegjëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, me urdhër të ministrit, ngrihet një grup pune me përfaqësues të institucioneve publike, me ekspertë të fushave të ndryshme me interes në hapësirat detare, vendas dhe të huaj si dhe me përfaqësues të Agjencisë. Përfaqësuesit e ministrisë përgjegjëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit kryesojnë grupin e punës.
3. Plani i veprimeve për hartimin e PKHD-së zbatohet nga grupi i punës i ngritur me urdhër të ministrit përgjegjës për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
4. Plani Kombëtar i Hapësirës Detare hartohet nga grupi i punës i ngritur me urdhër të ministrit përgjegjës për planifikimin dhe zhvillimin e territorit në cilësinë e autoritetit kompetent, sipas parashikimeve të ligjit për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave.
5. Dokumenti i Planit Kombëtar të Hapësirës Detare (PKHD) i miratuar i njoftohet Komisionit Evropian.
Neni 21/3
Bashkëpunimi ndërmjet shteteve
1. Në kuadër të procesit të planifikimit dhe menaxhimit, bashkëpunohet me shtetet anëtare që kufizohen me ujëra detare me qëllim për të garantuar që planet hapësinore detare të jenë koherente dhe të koordinuara në të gjithë rajonin detar shqiptar. Një bashkëpunim i tillë merr parasysh, në veçanti, çështjet me natyrë ndërkufitare.
2. Bashkëpunimi i përmendur në pikën 1 të këtij neni realizohet nëpërmjet:
a) strukturave ekzistuese të bashkëpunimit institucional rajonal, të tilla si konventat rajonale detare;
b) rrjeteve ose strukturave të autoriteteve kompetente të shteteve anëtare;
c) çdo metode tjetër që përmbush kërkesat e pikës 1, të këtij neni.
3. Autoritetet shqiptare përpiqen, kur është e mundur, të bashkëpunojnë me vendet e treta për veprimet e tyre në lidhje me planifikimin hapësinor detar në rajonet përkatëse detare dhe në përputhje me ligjet dhe konventat ndërkombëtare.
Neni 21/4
Nisma për hartimin e PKHD-së
1. Procesit të punës për PKHD-në i paraprin ndërmarrja e nismës për hartimin e tij.
2. Autoriteti përgjegjës për ndërmarrjen dhe hartimin e nismës është ministri përgjegjës për planifikimin e territorit, i cili e paraqet atë pranë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit për miratim.
3. Dokumenti i nismës për hartimin e PKHD-së përmban:
a) analizën, e cila përcakton qëllimin dhe nevojën për hartim ose rishqyrtim të dokumentit të planifikimit;
b) kufirin e hapësirës/territorit, subjekt i PKHD-së;
c) dokumentet që përcaktojnë zonat e rëndësisë kombëtare, sipas parashikimeve të pikës 3, të nenit 16, të ligjit, nëse ka të tilla;
ç) listën e dokumenteve përbërëse të PKHD-së;
d) të dhëna për ekspertët (fushat e ekspertizës) që do të përbëjnë grupin e punës që do të hartojnë PKHD-në;
dh) përcaktime për procesin e bashkërendimit, këshillimit e të takimeve publike dhe për afatet përkatëse;
e) planin e veprimeve për hartimin e dokumentit të PKHD-së;
ë) të dhëna për buxhetin për hartimin e PKHD-së;
f) sipas rastit, vendimin për pezullimin e zhvillimit për të gjithë ose një pjesë të territorit, sipas nenit 33 të ligjit, të shoqëruar me hartën përkatëse.
4. Nisma duhet të bëhet publike dhe të botohet në regjistër nga autoriteti përgjegjës, si më poshtë vijon:
a) Vendimi i autoritetit përgjegjës për planifikimin e territorit në nivel qendror për marrjen e nismës botohet në regjistër, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së nismës, sipas pikave 1 dhe 4, të nenit 56 të ligjit ;
b) Vendimi i autoritetit përgjegjës për planifikimin e territorit në nivel qendror për marrjen e nismës botohet edhe në faqen zyrtare të tij.
5. Hyrja në fuqi e vendimit të KKTU-së për miratimin e nismës bëhet pasi ky vendim së bashku me dokumentin e nismës:
a) botohen në regjistër nga sekretariati i KKTU-së, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e miratimit, sipas pikave 1 dhe 4, të nenit 56 të ligjit.
b) botohen edhe në faqen zyrtare të sekretariatit të KKTU-së, autoritetit përgjegjës për planifikimin e territorit në nivel qendror dhe Agjencisë.
Neni 21/5
Përmbajtja e dokumentit të PKHD-së
Dokumenti i PKHD-së përmban të paktën:
1. Analizën e hapësirës detare dhe territorit që e ndikon, e cila përmban:
a) analizën e përgjithshme për përcaktimin e statusit aktual dhe të ardhshëm të hapësirës detare duke evidentuar dhe përshkruar në mënyrë të detajuar elementet apo sektorët që përfshihen në PKHD;
b) databazën e të dhënave të nevojshme për hartimin e PKHD-së, që përfshin:
i. kushtet fizike dhe mjedisore: të dhëna oqeanografike dhe karakteristika të tjera fizike e mjedisore (batimetria, rrymat, sedimentet), shpërndarjet biologjike dhe ekologjike, duke përfshirë zona me rëndësi të njohur për një specie ose komunitet biologjik të caktuar, cilësinë e ujërave dhe parametrat ekologjikë e biologjikë;
ii. aktivitetin njerëzor ekonomik dhe social.
c) analizën e ndërveprimit tokë-det, në aspektet e aktivitetit njerëzor ekonomik e social, të mjedisit, të natyrës, ndryshimeve klimatike dhe sigurisë. Kjo analizë duhet të marrë parasysh gjendjen ekzistuese në territor dhe hapësirën detare, si dhe propozimet e dokumenteve të tjera të planifikimit në fuqi për të ardhmen.
2. Analizën e dokumenteve të planifikimit të shteteve fqinje për zonat ndërkufitare.
3. Kuadrin ligjor si dhe politikat dhe strategjitë kombëtare e ndërkombëtare ku bazohet plani.
4. Vizionin dhe objektivat strategjikë të zhvillimit dhe përdorimit të hapësirës detare dhe mjedisit detar.
5. Planin e veprimeve, të projekteve dhe të investimeve strategjike për zbatimin e PKHD-së.
6. Përcaktimin e saktë në planifikim të përdorimit dhe ndërveprimit të hapësirave detare, mjedisit detar dhe territoreve tokësore të lidhura me detin, të cilat mund të përfshijnë:
a) zonat e akuakulturës;
b) zonat e peshkimit;
c) instalimet dhe infrastrukturat për kërkimin, shfrytëzimin dhe nxjerrjen e hidrokarbureve të lëngshme, gazit dhe burimeve të tjera të energjisë, të mineraleve dhe agregateve, si dhe për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme;
ç) rrugët e transportit detar dhe flukset e trafikut;
d) zonat e stërvitjes ushtarake;
dh) vendet për ruajtjen e natyrës e specieve dhe zonat e mbrojtura;
e) zonat e nxjerrjes së lëndëve të para;
ë) kërkimin shkencor;
f) trajektoret e kabllove dhe tubacioneve nënujore;
g) turizmin;
gj) trashëgiminë kulturore nënujore etj.
7. Përcakimet e procesit të harmonizimit të planeve ekzistuese me PKHD-në.
8. Përcaktimin e masave mbrojtëse në zbatim të legjislacionit sektorial për:
a) interesat dhe aktivitetet detare;
b) burimet natyrore;
c) zonat e trashëgimisë kulturore nënujore;
ç) ndotjen detare;
d) aktivitetetet e nxjerrjes së mineraleve në det të hapur;
dh) fatkeqësitë natyrore.
9. Studimin e vlerësimit strategjik mjedisor si dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis të planit.
10. Metodologjinë dhe treguesit për monitorimin e zbatimit të PKHD-së dhe afatet për rishikimin e tij.
11. Hartat që shoqërojnë dhe pasqyrojnë përmbajtjen e PKHD-së.
12. Relacionin e propozimeve për investime strategjike dhe projekte pilote të zhvillimit.
Neni 21/6
Miratimi dhe hyrja në fuqi e PKHD-së
1. Procesi i miratimit të Planit Kombëtar të Hapësirës detare (PKHD) bëhet, në përputhje me përcaktimet e nenit 25 të ligjit.
2. Procesi i miratimit të planit përmban, të paktën, këta hapa:
a) Paraqitjen e kërkesës së autoritetit përgjegjës për miratimin e planit;
b) Vendimmarrjen e KKTU-së;
c) Vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave.
3. Materialet që dorëzohen/botohen për miratimin e dokumentit të planifikimit janë:
a) Nisma e miratuar në KKTU;
b) Dokumenti i plotë i PKHD-së;
c) Deklarata Mjedisore për Vlerësimin Strategjik Mjedisor, referuar legjislacionit të posaçëm në fuqi.
4. Pas botimit në regjistër të dokumentit të plotë të PKHD-së, autoriteti përgjegjës bën kërkesën për miratimin e planit në KKTU.
5. Plani Kombëtar i Hapësirës Detare (PKHD) miratohet nga KKTU-ja, në përputhje me nenin 25 të ligjit.
6. Vendimi i KKTU-së botohet në regjistër dhe në çdo rast edhe në faqen zyrtare të sekretariatit të KKTU-së, autoritetit përgjegjës për planifikimin e territorit në nivel qendror dhe agjencisë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e miratimit, në përputhje me pikën 4, të nenit 25 të Ligjit.
7. Pas botimit në regjistër të vendimit të KKTU-së dhe dokumenteve shoqëruese të tij, autoriteti kombëtar i planifikimit të territorit bën kërkesë për miratimin e planit në Këshillin e Ministrave.
8. Plani Kombëtar i Hapësirës Detare (PKHD) miratohet nga Këshilli i Ministrave në përputhje me pikën 2, të nenit 6, të ligjit.
9. Plani Kombëtar i Hapësirës Detare (PKHD) hyn në fuqi pas miratimit nga Këshilli i Ministrave dhe botimit të plotë të dokumenteve të tij në “Fletoren zyrtare”.
10. PKHD-ja rishikohet kur është e nevojshme, sipas nenit 26, të ligjit, por të paktën çdo dhjetë vjet.
Neni 21/7
Zbatimi dhe monitorimi i zbatimit të PKHD-së
1. Monitorimi i zbatimit të PKHD-së bëhet nga autoritetet përgjegjëse në procesin e hartimit të planit, në përputhje me shkronjën “d”, të pikës 1, të nenit 8, dhe shkronjën “c”, të pikës 1, të nenit 10, të ligjit si dhe nga Agjencia, në përputhje me pikën 2, të nenit 10, të kësaj rregulloreje.
2. Monitorimi i zbatimit të planit bëhet mbi bazën e planit të veprimeve dhe dokumentit të indikatorëve të monitorimit, të miratuar si pjesë përbërëse e dokumentit të planit.”.
Neni 8
Në nenin 34 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Në rast se PDZRK-ja hartohet me nismë publike, koordinimi dhe hartimi realizohen nëpërmjet një grupi pune ndërinstitucional, bazuar në urdhrin e ministrit të linjës për zonën/çështjen e rëndësisë kombëtare ose bazuar në urdhrin e autoritetit përgjegjës për planifikimin e territorit në nivel qendror, në rastet e përfshirjes së disa sektorëve ose nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit me kërkesë të ministrisë së linjës për zonën/çështjen e rëndësisë kombëtare.”.
2. Pas pikës 3 shtohet pika 3.1, me këtë përmbajtje:
“3.1 Në rast se PDZRK-ja hartohet me nismë private, koordinimi realizohet nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit pas njoftimit të ministrisë së linjës për zonën/çështjen e rëndësisë kombëtare.”.
Neni 9
Në nenin 35 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Hartimi i PDZRK-së nis pas njoftimit të dokumentit të nismës së hartuar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit te ministri përgjegjës për çështjen/zonën e rëndësisë kombëtare dhe botimit të dokumentit në regjistër.”.
2. Pas pikës 1 shtohet pika 1.1, me këtë përmbajtje:
“1.1. Plani i Detajuar për një Zonë të Rëndësisë Kombëtare (PDZRK), i inicuar me nismë private, hartohet nga projektuesi i licencuar, i cili është i kontraktuar nga subjekti privat.”.
3. Në pikën 3, pas fjalëve “… autoriteti përgjegjës …” shtohen “… /projektuesi i licencuar …”.
4. Në pikën 5, fjalët “… Regjistrit Kombëtar të Planifikimit të Territorit.” zëvendësohen me “… sistemit e-Planifikimi ose mjeteve tradicionale të informimit.”.
Neni 10
Në nenin 36 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 1 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Autoriteti përgjegjës për ndërmarrjen e nismës, sipas pikës 2, të nenit 18, të ligjit, është ministri përgjegjës për zonën/çështjen përkatëse të rëndësisë kombëtare ose autoriteti përgjegjës për planifikimin e territorit në nivel qendror, në rastet e përfshirjes së disa sektorëve, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit pas kërkesës së ministrisë ose palët e interesuara që kanë në pronësi jo me pak se 51% të sipërfaqes së territorit të PDZRK-së në rastet kur hartimi i PDZRK-së kërkohet në Planin e Përgjithshëm Vendor.”.
b) Shkronja “b” shfuqizohet.
2. Në fund të pikës 2 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Në rast se PDZRK-ja hartohet me nismë private, dokumenti hartohet nga subjekti i licencuar dhe i autorizuar nga palët e interesuara që kanë në pronësi jo më pak se 51% të sipërfaqes së territorit të PDZRK-së dhe që duhet të plotësojë deklaratën e përgjegjesisë profesionale.”.
3. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Dokumenti i nismës i njoftohet ministrit përgjegjës për zonën/çështjen përkatëse të rëndësisë kombëtare dhe KKTU-së. Dokumenti duhet të bëhet publik dhe të botohet në regjistër dhe në faqen zyrtare nga autoriteti përgjegjës.”.
4. Pikat 5 dhe 6 shfuqizohen.
Neni 11
Në nenin 39 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në shkronjën “a”, të pikës 2, pas fjalës “ … Agjencia;” shtohen fjalët “… në rastet kur dokumenti i PDZRK-së nuk hartohet prej saj;”.
2. Shkronja “a”, e pikës 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Dokumenti i nismës;”.
3. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Pas botimit në regjistër të dokumenteve të plota të PDZRK-së, sipas përcaktimeve të dokumentit të nismës, autoriteti përgjegjës ose subjekti i interesuar, nëpërmjet projektuesit të licencuar, në rast se PDZRK- ja është me nismë private, bën kërkesën për marrjen e aktit të përputhshmërisë së dokumentit nga Agjencia.”.
4. Shkronja “a”, e pikës 6, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Pas botimit në regjistër të raportit të vlerësimit teknik të PDZRK-së, Agjencia, autoriteti përgjegjës ose projektuesi i licencuar duhet të rishikojë/të përmirësojë dokumentin e planit për të pasqyruar vërejtjet dhe sugjerimet, nëse ka të tilla.”.
Neni 12
Pas seksionit 5, të kreut II, shtohet seksioni 5/1, me këtë përmbajtje:
“SEKSIONI 5/1
PLANI I DETAJUAR QENDROR
Neni 41/1
Objekti dhe qëllimi i PDQ-së
1. Plani i Detajuar Qendror është studim hapësinor territorial për një territor të caktuar në përgjegjësi të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, me ndikim dhe interes të veçantë për zhvillime me rëndësi kombëtare apo strategjike.
2. PDQ-ja trajton territore të cilat kanë nevojë për studime dhe planifikime më të zgjeruara, kur nevojitet menaxhimi i integruar i disa zhvillimeve në territor, në funksion të një vizioni të përbashkët zhvillimi.
3. Plani i Detajuar Qendror ka për qëllim krijimin e bazave për zhvillimin e kontrolluar të territorit për të cilin hartohet, si krijimin e bazave për zhvillimin e vendbanimeve, infrastrukturës, turizmit, industrisë etj.
4. Për territorin, subjekt të tij, PDQ-ja ka për qëllim:
a) zhvillimin dhe/ose rizhvillimin e territorit;
b) rigjenerimin/ripërtëritjen urbane apo natyrore;
c) përcaktimin e përdorimit të tokës, infrastrukturave, kushteve të zhvillimit dhe rregullave të nevojshme për zhvillim/rizhvillim.
5. Struktura, forma, si dhe procesi për hartimin dhe miratimin e PDQ-së përcaktohen në këtë rregullore, ndërsa zbatimi i PDQ-së përcaktohet nëpërmjet instrumenteve të zhvillimit dhe lejeve të ndërtimit të detajuara në rregulloren e zhvillimit që jepet nga KKTU-ja mbi bazën e këtij dokumenti planifikimi.
6. PDQ-ja teksa hartohet e zbatohet, duhet të ndjekë parimet e planifikimit si një proces pune në vazhdimësi.
7. Parashikimet e PDQ-së pasqyrohen automatikisht në dokumentet e tjera të planifikimit, sipas parimit të hierarkisë dhe parashikimet e tij integrohen automatikisht në PDZRK-të në fuqi.
Neni 41/2
Autoriteti përgjegjës për PDQ-në
1. Plani i Detajuar Qendror fillon të hartohet pas njoftimit të KKTU-së, nisur nga interesi publik për pajisje me infrastrukturë, shërbime e facilitete publike dhe menaxhimi i integruar i disa zhvillimeve në territor, në funksion të një vizioni të përbashkët zhvillimi, për të cilin mund të shprehen me kërkesë edhe palët e interesuara për zhvillim.
2. Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit harton PDQ-në në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për çështjen/sektorin përkatës, sekretariatin teknik të KKTU-së, apo institucione të tjera qendrore, kompetente për çështjen/zonën.
3. Plani i Detajuar Qendror hartohet nga grupe pune të kryesuara nga Agjencia, me specialistë të institucioneve publike, me ekspertë të fushave të ndryshme, vendas apo edhe të huaj.
4. Në rast hartimi nga grupe pune me ekspertë të jashtëm, procesi mbikëqyret në çdo hap nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit.
Neni 41/3
Hartimi, këshillimi dhe bashkërendimi i PDQ-së
1. Fillimisht KKTU-ja njoftohet për nisjen e hartimit e PDQ-së.
2. Njoftimi për nisjen e hartimit të PDQ-së përmban:
a) kufijtë e territorit për të cilin do të hartohet PDQ-ja;
b) kalendarin e aktiviteteve për hartimin e PDQ-së;
c) profilet e ekspertizës së grupit të punës.
3. PDQ-ja hartohet në zbatim të parimeve kombëtare të planifikimit dhe të zhvillimit, ligjit dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të territorit.
4. Bashkërendimi dhe këshillimi i PDQ-së është përgjegjësi e Agjencisë dhe kryhet përmes botimit të dokumentit në regjistër dhe informimit të palëve të interesuara dhe publikut nëpërmjet një a më shumë mjeteve tradicionale të informimit dhe, në rast se kërkohet, përmes organizimit të takimeve publike me ta.
5. Dokumentet e PDQ-së këshillohen dhe bashkërendohen me të gjitha institucionet në nivel qendror e vendor, të cilat preken nga zhvillimi i territorit të zonës së përcaktuar për hartimin e PDQ-së ose pjesë të saj nëpërmjet Forumit të Bashkërendimit të Planifikimit në nivel qendror (FBPQ), sipas përcaktimeve të nenit 5, të kësaj rregulloreje.
6. Në çdo rast, autoritetet vendore përkatëse të planifikimit dhe zhvillimit njoftohen për nisjen e procesit të hartimit të PDQ-së, për të marrë masa për respektimin e pezullimit së zhvillimit.
Neni 41/4
Përmbajtja e PDQ-së
1. Dokumenti i Planit të Detajuar Qendror hartohet në përputhje me dokumentet e planifikimit qendror dhe legjislacionin në fuqi, duke marrë në konsideratë dokumente të planifikimit vendor sektorial, në rast se ka.
2. Plani i Detajuar Qendror përmban të paktën:
a) Planin e detajuar të zhvillimit, i shprehur në relacion dhe harta shoqëruese për pikat e mëposhtme:
i. analizën që paraprin përcaktimet territoriale;
ii. përcaktimin e njësive strukturore, në përputhje me nenin 77, të kësaj rregulloreje;
iii. përcaktimet për përdorimin e tokës për çdo njësi në kategori, nënkategori dhe funksione sipas kësaj rregulloreje;
iv. përcaktimet e infrastrukturave teknike, duke përfshirë ato të transportit, energjisë, telekomunikacionit dhe ujësjellës-kanalizimeve;
v. përcaktimet e kushteve të zhvillimit për njësitë, sipas rastit dhe/ose për parcelat;
vi. përcaktimet për zonat/objektet e mbrojtura të trashëgimisë kulturore, bazuar në legjislacionin përkatës në fuqi, sipas rastit;
vii. programet e përdorimit të instrumenteve të drejtimit të zhvillimit, bazuar në nenet 30-36 të ligjit, sipas rastit;
viii. planin për zbatimin e PDQ-së për ndërtimin e infrastrukturave dhe shërbimeve publike, sipas rastit.
b) Rregulloren e planit të detajuar, ku përfshihen:
i. përkufizimet e termave të përdorur;
ii. shpjegimi i kodeve të përdorura;
iii. rregullat, të dhënat dhe kushtet e zhvillimit për çdo njësi, sipas shtojcës II në fund të kësaj rregulloreje;
iv. rregulla për ndarjen dhe bashkimin e parcelave, sipas rastit;
v. rregulla për zbatimin e instrumenteve për drejtimin e zhvillimit sipas neneve 30–36 të ligjit, sipas rastit;
vi. kushtet dhe rregullat teknike për zbatimin e infrastrukturave;
vii. rregullat për distancat, përcaktimi i vijës së kuqe dhe, sipas rastit, vijës blu;
viii. rregullat e mbrojtjes së mjedisit dhe peizazhit;
ix. rregullat e ruajtjes së zonave, objekteve të trashëgimisë kulturore, sipas rastit;
x. rregulla arkitektonike dhe estetike;
xi. rregulla për përshtatjen e hapësirave për personat me aftësi të kufizuara;
xii. informacionin gjeohapësinor të integruar në platformën GIS;
xiii. Raportin se si pasashikimet e dokumentit ndikojnë në mjedis.
Neni 41/5
Miratimi dhe hyrja në fuqi e PDQ-së
1. Autoriteti përgjegjës për miratimin e PDQ-së është Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit.
2. Procesi i miratimit të PDQ-së bëhet në përputhje me përcaktimet e neneve 18/1 dhe 25 të ligjit.
3. Vendimi i KKTU-së së bashku me dokumentacionin e plotë shoqërues botohet në regjistër dhe, në çdo rast, në faqen zyrtare të sekretariatit të KKTU-së dhe autoritetit përgjegjës për planifikimin, brenda 15 ditëve nga data e konfirmimit, në përputhje me pikën 4, të nenit 25 të ligjit.
4. Dokumenti i PDQ-së dhe pjesët përbërëse të tij, subjekt miratimi, hyjnë në fuqi me botimin e plotë në regjistër të vendimit të KKTU-së dhe dokumenteve shoqëruese të tij, në përputhje me pikën 2, të nenit 56 të ligjit.
5. Me hyrjen në fuqi të PDQ-së, njësitë e vetëqeverisjes vendore marrin masa që dokumenti i PDQ-së të integrohet me planin e përgjithshëm vendor, duke ndjekur përcaktimet e kësaj rregulloreje.
Neni 41/6
Zbatimi i PDQ-së
1. Plani i Detajuar Qendror zbatohet nëpërmjet lejeve të zhvillimit dhe lejeve të ndërtimit, në zbatim të rregullores së tij.
2. Plani i Detajuar Qendror regjistrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme si dhe shërben për ndarjen apo bashkimin e pasurive ekzistuese, si bazë për kryerjen e transaksioneve me pronën. Parcelat e reja që krijohen nga nënndarja dhe/ose bashkimi i parcelave ekzistuese janë objekt transaksioni, me kërkesë të zhvilluesit.
3. Lejet e ndërtimit për ndërtime brenda zonës, për të cilën është hartuar PDQ-ja, jepen mbi bazën e këtij plani nga autoriteti përgjegjës, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe i Ujit apo autoriteti vendor në rast delegimi kompetencash, në përputhje me shkronjën “a”, të nenit 29, të ligjit, dhe përcaktimeve të rregullores së zhvillimit, në zbatim të ligjit.”.
Neni 13
Në shkronjën “a”, të pikës 2, të nenit 68, fjala “… njësie …” zëvendësohet me fjalët “… apo disa njësive …”.
Neni 14
Në nenin 70 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 1, fjalët “… Regjistrin Kombëtar të Planifikimit të Territorit …” zëvendësohen me “… sistemin e-Planifikimi …”.
2. Në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 2, pas fjalës “… njësisë …” shtohen fjalët “… ose grup- njësive …”.
3. Në pikat 3 dhe 4, fjala “… regjistër …” zëvendësohet me “… sistem …”.
Neni 15
Në nenin 71 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në fund të pikës 1 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Përjashtimisht përcaktimeve në dokumentet e planifikimit në fuqi, PDV-ja mund të riorganizojë infrastrukturën rrugore lokale të parashikuar, në rast se konsiderohet e nevojshme për të rritur eficiencën dhe cilësinë e aksesit dhe të hapësirave urbane, si edhe pa cenuar aksesueshmërinë publike të zonës referuar një projekti teknik, i cili siguron ndërlidhjen ndërmjet rrugëve më të afërta.”.
2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Rregullorja e dokumenti të planit të detajuar vendor duhet të përcaktojë shpërndarjen e balancuar të të drejtave të zhvillimit, ku përcaktohen edhe raportet e përfitimeve nga zhvillimi, në mënyrë të drejtë dhe proporcionale me kontributin në zhvillim. Përfitimet, kontributi dhe kostot janë financiare ose të mira materiale që përfshijnë të drejtat për zhvillim dhe vlerën e rritur të tokës si rezultat i planifikimit ose investimeve publike.”.
3. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Vendimet e KKTU-së pasqyrohen në dokumentin e PDV-së gjatë hartimit ose rishikimit të saj. Pavarësisht treguesve të zhvillimit, të miratuar me rregullore të veçantë nga KKTU-ja, treguesit e zhvillimit të përcaktuar nga PPV-ja do të shpërndahen nga PDV-ja në mënyrë proporcionale në të gjitha pjesët e territorit të njësisë ku ndërhyhet nëpërmjet rizhvillimit.”.
Neni 16
Në nenin 72 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 3, shkurtesa “… RKPT-së …” zëvendësohet me “… sistemit e-Planifikimi …”.
2. Në pikën 7, fjalët “… Regjistrin Kombëtar të Planifikimit të Territorit …” zëvendësohen me “… sistemin e-Planifikimi …”.
Neni 17
Kudo në tekstin e rregullores, fjalët “Këshilli Kombëtar i Territorit//KKT” zëvendësohen përkatësisht me “Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit/KKTU”.
Neni 18
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.867, DATË 10.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT E BASHKËPUNIMIT NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5, të nenit 24, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas shkronjës “g”, të pikës 2, të nenit 6, të shtojcës A, “Marrëveshje bashkëpunimi (tip)”, bashkëlidhur vendimit nr.867, datë 10.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e bashkëpunimit në institucionet e administratës shtetërore”, të ndryshuar, shtohet shkronja “gj”, me këtë përmbajtje:
“gj) në rastet kur evidentimi në terren kryhet nga specialistët e bashkisë, akti i evidentimit në terren nënshkruhet prej tyre, sipas formatit të miratuar në vendimin nr.1178, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e dokumentacionit dhe të rregullave të hollësishme të evidentimit të ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.”.
2. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe të gjitha bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU