Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 prill 2016
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.545, DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE CIVILË/NËPUNËSVE, ZËVENDËSMINISTRIT DHE NËPUNËSVE TË KABINETEVE NË KRYEMINISTRI, APARATET E MINISTRIVE TË LINJËS, ADMINISTRATËN E PRESIDENTIT, KUVENDIT, KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PROKURORINË E PËRGJITHSHME, DISA INSTITUCIONE TË PAVARURA, INSTITUCIONET NË VARËSI TË KRYEMINISTRIT, INSTITUCIONET NË VARËSI TË MINISTRAVE TË LINJËS DHE ADMINISTRATËN E PREFEKTIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4/2, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, dhe të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.545, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në shkronjën “a”, të pikës 1/3, shtohen emërtesat “Qendra Kombëtare e Biznesit” dhe “Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut”, si dhe shfuqizohet emërtesa “Qendra Kombëtare e Licencimit”.
b) Në shkronjën “b”, të pikës 1/3, emërtesa “Qendra Kombëtare e Regjistrimit” shfuqizohet.
c) Në lidhjen nr.8, që përmendet në pikën 8, shtohet emërtesa “Zëvendësdrejtor i Agjencisë së Shërbimeve të Sportit – kategoria III-a/1”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi,:
a) për Qendrën Kombëtare të Biznesit, Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe pozicionin zëvendësdrejtor i Agjencisë së Shërbimeve të Sportit të fillojnë nga data e emërimit të nëpunësve/punonjësve në detyrë të përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion për vitin 2016;
b) për Qendrën Kombëtare të Licencimit dhe Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të fillojnë nga momenti i fillimit të funksionimit të Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË TURIZMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 12, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË
1. Agjencia Kombëtare e Turizmit është person juridik, publik, buxhetor, funksionon si institucion në varësi të ministrit përgjegjës për turizmin dhe ka si qëllim promovimin e turizmit shqiptar, brenda dhe jashtë vendit.
2. Agjencia funksionon në përputhje me parimet dhe me dispozitat e ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, si dhe ushtron funksionin e saj në përputhje me legjislacionin shqiptar për turizmin dhe me politikat e strategjitë kombëtare në fushën e turizmit me qëllim promovimin dhe krijimin e identitetit të turizmit shqiptar nëpërmjet shfrytëzimit të të gjithë potencialit ekzistues turistik të vendit.
3. Agjencia e ka selinë qendore në Tiranë dhe është e organizuar në nivel qendror.
4. Agjencia identifikohet me stemën dhe vulën zyrtare.
5. Stema e Agjencisë përbëhet nga stema e republikës dhe përmban emërtimet “Republika e Shqipërisë”, të ministrisë përgjegjëse për turizmin si dhe “Agjencia Kombëtare e Turizmit”.
6. Vula e Agjencisë përmban elementet e stemës së përcaktuar në pikën 5.
7. Marrëdhëniet e punës për nëpunësit e Agjencisë rregullohen sipas dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil, ndërsa për punonjësit administrativë sipas dispozitave të Kodit të Punës.
8. Agjencia funksionon duke ushtruar kompetencat e mëposhtme:
8.1. Zbaton Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Turizmit dhe Strategjinë Kombëtare të Marketingut për sektorin e turizmit.
8.2. Zbaton politikat e marketingut në fushën e turizmit, duke promovuar turizmin shqiptar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, për krijimin e imazhit të Shqipërisë si destinacion turistik në tregun ndërkombëtar.
8.3. Ofron informacion si dhe krijon infrastrukturën e nevojshme për dhënien e informacionit për vizitorët, udhëtarët dhe turistët në lidhje me kapacitetin turistik kombëtar, shërbimet turistike që ofrohen, për produktet dhe destinacionet turistike, si dhe për veprimtari e të dhëna të tjera të dobishme në lidhje edhe me aspekte dhe vlera të natyrës, historisë dhe trashëgimisë së kombit shqiptar apo me veprimtari shoqërore e kulturore të cilat kanë si objekt informimin dhe tërheqjen e turistëve e të vizitorëve.
8.4. Në kuadër të promovimit të modeleve të shërbimeve të turizmit në vend, krijon dhe zhvillon një markë cilësie me qëllim bërjen të njohur të produkteve e të shërbimeve turistike të ofruara, si dhe forcimin e besimit të konsumatorëve ndaj cilësisë së shërbimeve turistike të ofruara dhe të operatorëve që i ofrojnë ato.
8.5. Bashkëpunon me institucione të tjera për të zhvilluar aktivitetin e saj brenda dhe jashtë vendit.
8.6. Ndërmerr dhe nxit projekte për turizmin, sipas fushës së vet të veprimtarisë, duke marrë miratimin paraprak të ministrit. Agjencia aplikon për financime pranë Bashkimit Evropian dhe donatorëve apo pranë institucioneve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, me qëllim realizimin e projekteve.
8.7. Promovon, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, produktet turistike dhe destinacionet turistike shqiptare duke bashkëpunuar me zyrat rajonale të turizmit, komitetet rajonale për zhvillimin e turizmit, pushtetin vendor, operatorët dhe agjencitë turistike si dhe organizma të tjerë që operojnë në fushën e turizmit, përfaqësitë diplomatike shqiptare jashtë vendit, me përfaqësitë diplomatike të huaja brenda vendit apo me organizata të ndryshme vendase dhe të huaja apo edhe konsulentë. Promovon gjithashtu zhvillimin e aktiviteteve të lidhura me turizmin apo të çdo aktiviteti tjetër kulturor a me karakter historik ose sportiv, i cili ndikon në promovimin e turizmit apo me tërheqjen e turistëve dhe vizitorëve.
8.8. Promovon, si brenda edhe jashtë vendit, me anë të informimit, shpërndarjes së informacionit, analizave, studimeve, prezantimeve, statistikave apo me çdo mjet tjetër të përshtatshëm, investimet në zonat me prioritet zhvillimin e turizmit, duke bashkëpunuar me institucionet publike të nxitjes së investimeve në vend, institucione të tjera publike, organizata të ndryshme vendase dhe të huaja apo edhe konsulentë.
8.9. Propozon dhe harton materialet me karakter promocional, informues apo statistikor, në përputhje me kërkesat, nevojat dhe tendencat e tregut turistik, me kërkesat dhe nevojat kombëtare e rajonale të zhvillimit të turizmit, me objektivat e planeve dhe strategjive kombëtare të turizmit si dhe me tendencat e tregut turistik, dhe realizon prodhimin apo botimin e tyre.
8.10. Kryen, monitoron, përmirëson dhe përditëson aktivitetin e promovimit on-line me anë të portalit on-line, si dhe forumeve dhe kanaleve sociale on-line.
8.11. Mbledh të ardhurat që realizohen në bazë të marrëveshjeve të qirasë për sipërfaqet e dhëna në përdorim për zhvillimin e turizmit dhe të marrëveshjeve ekzistuese të qirasë të lidhura me subjektet “person i stimuluar”. Mënyra e mbledhjes dhe e përdorimit të këtyre të ardhurave nga Agjencia përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave në bashkëpunim me ministrin përgjegjës për turizmin, sipas legjislacionit në fuqi.
8.12. Kontrollon zbatimin dhe plotësimin e kritereve për marrëveshjet ekzistuese të qirasë dhe për marrëveshjet e zhvillimit, të lidhura me subjektet “person i stimuluar”. Rregulla të hollësishme për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me udhëzimin e ministrit përgjegjës për turizimin.
8.13. I propozon ministrit përgjegjës për turizmin ndryshimin e akteve ligjore e nënligjore në fushën e turizmit, duke argumentuar arsyet për këto propozime.
II. DREJTORI I AGJENCISË KOMBËTARE TË TURIZMIT
1. Agjencia drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm i cili administron e drejton veprimtarinë e përditshme të saj dhe e përfaqëson atë në marrëdhëniet me të tretët si dhe përgjigjet para ministrit përgjegjës për turizmin.
2. Drejtori ushtron të gjitha kompetencat për drejtimin e veprimtarisë së Agjencisë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me funksionet e objektivat e Agjencisë.
3. Drejtori propozon rregulloren e brendshme të funksionimit të Agjencisë për miratim te ministri përgjegjës për turizmin.
4. Drejtori bashkërendon punën midis strukturave të tjera brenda Agjencisë dhe cakton detyra dhe objektiva përkatës për t’u realizuar nga këto struktura.
5. Drejtori bashkërendon punën për hartimin e projektbuxhetit, sipas rregullave dhe afateve të përcaktuara në ligjin organik për buxhetin e shtetit, të cilin ia paraqet për miratim ministrit që mbulon fushën e turizmit.
6. Propozon programin vjetor të veprimtarive të Agjencisë, të cilin ia paraqet për miratim ministrit përgjegjës për turizmin.
7. Nxjerr urdhra dhe udhëzime të brendshme në bazë të të cilave strukturat e Agjencisë dhe punonjësit në përbërje të tyre të marrin masat për përmbushjen sa më mirë të detyrave e të objektivave të Agjencisë dhe me qëllim disiplinimin e aktivitetit të saj.
8. Kontrollon mbarëvajtjen e aktivitetit të Agjencisë me qëllim arritjen e objektivave të përcaktuar dhe realizimin sa më të plotë të funksioneve të saj si dhe merr masat e nevojshme për koordinimin sa më mirë të punës ndërmjet strukturave të Agjencisë.
9. Informon rregullisht në lidhje me mbarëvajtjen e aktivitetit të Agjencisë dhe realizimin e funksioneve të saj ministrin përgjegjës për turizmin, të cilit i jep llogari për aktivitetin e saj.
III. ORGANIZIMI FINANCIAR
Administrimi dhe veprimtaria financiare auditohen nga ministria përgjegjëse për turizmin dhe institucionet e tjera të ngarkuara me ligj për auditimin.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Vendimi nr.571, datë 5.9.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e statutit të Agjencisë Kombëtare të Turizmit”, shfuqizohet.
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.54, DATË 5.2.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURËS E TË MËNYRËS SË DHËNIES ME QIRA, ENFITEOZË APO KONTRATA TË TJERA TË PASURISË SHTETËRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, të miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, dhe të neneve 784 e 801, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në kreun VI, “Monitorimi i kontratave”, të vendimin nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas pikës 6, shtohen pikat 7 dhe 8, me këtë përmbajtje:
“7. Në rastet kur në kontratat e qirasë, të lidhura përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, pala qiradhënëse shtetërore ka qenë e përfaqësuar në kontratë nga disa institucione, institucioni që do të përfaqësojë qiradhënësin dhe që do të jetë përgjegjës për monitorimin dhe/apo ndryshimin e kontratës do të jetë institucioni shtetëror që ka përfituar qiranë gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës apo, nëse ka pasur më tepër se një institucion shtetëror, i cili përfitonte qiranë, institucioni i cili e përfiton qiranë aktualisht.
8. Në rastet kur kontratat e qirasë janë të lidhura përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.7638, datë 19.11.1992, “Për shoqëritë tregtare”, pala qiramarrëse ka të drejtë t’ia transferojë kontratën e qirasë një personi juridik ku qiramarrësi është aksionar apo ortak.
Institucioni përgjegjës për monitorimin e kontratave të qirasë, sipas pikës 8, më sipër, njofton ministrinë përgjegjëse për ekonominë për transferimin e bërë, sipas këtij paragrafi, dhe për të gjitha çështjet e tjera që lidhen me monitorimin, sipas kreut VI, të këtij vendimi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1100, DATË 28.12.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E BUXHETIT TË VITIT 2016 PËR ZYRËN E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të nenit 13, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, dhe të nenit 29, të ligjit nr.9936/2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.1100, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Lidhja nr.1, e përmendur në pikën 1, ndryshohet dhe zëvendësohet me lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Tabelat nr.2 dhe nr.3, të përmendura në pikën 2, ndryshohen dhe zëvendësohen me tabelat nr.2 dhe nr.3, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.320, DATË 21.4.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PROCEDURAVE E TË KRITEREVE TË KONKURRIMIT DHE TË AFATEVE TË SHQYRTIMIT TË KËRKESAVE PËR MARRJEN E LEJEVE MINERARE NË ZONAT KONKURRUESE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 3, e 56, pika 1, të ligjit nr.10304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 36/1, të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.320, datë 21.4.2011, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Shkronja “dh”, e pikës 7.19, ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“dh. Të gjithë ofertuesit kanë të drejtë të paraqesin ankesë, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e shpalljes së subjektit fitues, pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP). KPP-ja ndjek procedurat administrative të shqyrtimit dhe procedurat e hetimit administrativ, në përputhje me legjislacionin e prokurimit publik.”.
2. Pas shkronjës “dh”, të pikës 7.19, bëhen shtesat, si më poshtë vijon:
“dh/1. Ankesa, e paraqitur në rrugë elektronike pranë KPP-së nga çdo person që ka pasur një interes të ligjshëm në një procedurë për dhënien e lejeve minerare në zonat konkurruese, duhet të përmbajë dokumentin bankar, që vërteton pagesën paraprake të tarifës përkatëse. Përjashtimisht, kur legjislacioni në fuqi parashikon një mjet tjetër komunikimi, ankesa e paraqitur pranë KPP-së shoqërohet me dokumentin bankar, që vërteton pagesën paraprake të tarifës përkatëse në numër të llogarisë së KPP-së.
dh/2. Përveçse kur parashikohet ndryshe në akte të tjera ligjore, për shqyrtimin e ankesës nga KPP-ja subjekti duhet të paguajë 10% të vlerës së sigurimit të ofertës. Në rast se nuk është kërkuar sigurim oferte, subjekti duhet të paguajë 0.2% të vlerës së parashikuar të kontratës për marrjen e lejes minerare që ankimohet.
dh/3. Parapagimi i tarifës nga ankuesi përbën element të domosdoshëm për paraqitjen e ankesës dhe moskryerja e tij është shkak për mospranimin e ankesës nga KPP-ja.
dh/4. Pagesa e tarifës i kthehet ankimuesit kur, në fund të procesit të ankimit, ankesa e tij pranohet. Kur ankesa nuk pranohet, të ardhurat e arkëtuara nga tarifa e ankimimit derdhen 100 për qind në buxhetin e shtetit.”.
2. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Komisioni i Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.1197, DATË 3.12.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E KALASË SË TIRANËS “ZONË ARKEOLOGJIKE “A”” DHE MIRATIMIN E RREGULLORES SË ADMINISTRIMIT TË SAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 2, të nenit 30, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.1197, datë 3.12.2009, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Në pikën 3, të vendimit, emërtimet “Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve” dhe “Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit” ndryshojnë dhe bëhen, përkatësisht, “Ministria e Kulturës” dhe “Ministria e Zhvillimit Urban”.
2. Pika 1, e nenit 2, të rregullores, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Konservimi dhe restaurimi i mureve rrethuese dhe strukturave të tjera arkelogjike të kalasë, kryerja e formave të testimit, të përcaktuara me vendim të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, projektet kërkimore shkencore, të miratuara nga Këshilli Shkencor i Institutit të Arkeologjisë, pas shqyrtimit dhe miratimit nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.”.
3. Në pikën 2, të nenit 2, të rregullores, para fjalës “Restaurimi…” shtohen fjalët “Konservimi dhe…”.
4. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Vendosja e konstruksioneve të lehta (dru, xham, plastikë, metal), me lartësi maksimale 1 kat, të cilat duhen realizuar larg mureve dhe strukturave të tjera të dallueshme apo të supozuara.
Konstruksionet, në funksion të ruajtjes, ekspozimit, informimit publik, që lidhen me veprimtarinë arkeologjike, në veçanti, dhe trashëgiminë kulturore, në përgjithësi, si dhe nevoja të tjera të rikualifikimit urban të zonës, duhet të jenë të lëvizshme (të çmontueshme) dhe, në asnjë rast, nuk duhet të dëmtojnë nëntokën dhe peisazhin.
Projekti miratohet nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve dhe, për çdo rast, duhet të përcaktojë qartë qëllimin, kohëzgjatjen, vendndodhjen e strukturës brenda zonës si dhe planprojektin e saj.
Vendosja e tyre bëhet me mbikëqyrjen e autoriteteve të specializuara shtetërore.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.124, DATË 5.3.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STATUTIT TË FONDIT TË SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 14, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 5, e nenit 23, të statutit të miratuar me vendimin nr.124, datë 5.3.2014, të Këshillit të Ministrave, ndryshon, si më poshtë vijon:
“5. Drejtori i Përgjithshëm, me miratimin e Këshillit Administrativ, investon në letra me vlerë të qeverisë shqiptare deri në 100 për qind të fondit rezervë. Interesat e lidhura me investimin e fondit rezervë transferohen në llogaritë e Fondit.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E LAGUNËS SË NARTËS SI ZONË BASHKËMENAXHUESE PESHKIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 54, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e lagunës së Nartës si zonë bashkëmenaxhuese peshkimi, për të ushtruar aktivitetin e peshkimit tradicional.
2. Plani i bashkëmenaxhimit për lagunën e Nartës miratohet me urdhër të ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, brenda 12 muajve nga data e miratimit të kësaj zone.
3. Veprimtaritë dhe investimet që do të kryhen në lagunën e Nartës të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi për zonat e mbrojtura dhe me objektivat e planit të menaxhimit të zonës së mbrojtur të lagunës së Nartës.
4. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF0A1769, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE TË GRANTIT TË AKORDUAR NGA FONDI I MIRËBESIMIT ME SHUMË DONATORË, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË ZBATIMIT TË NISMËS PËR TRANSPARENCË NË INDUSTRINË NXJERRËSE NË SHQIPËRI (EITI)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit nr.TF0A1769, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve të grantit të akorduar nga Fondi i Mirëbesimit me Shumë Donatorë, për financimin e projektit të Zbatimit të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse në Shqipëri (EITI), me një shumë prej 400 000 (katërqind mijë) USD, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
P Ë R
MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETIT TË KUVAJTIT, PËR BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E MBROJTJES SË MJEDISIT, RUAJTJES SË BURIMEVE NATYRORE DHE ZHVILLIMIT TË QËNDRUESHËM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së shtetit të Kuvajtit, për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes së mjedisit, ruajtjes së burimeve natyrore dhe zhvillimit të qëndrueshëm, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME TE AGJENCIA E OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE TË INTEGRUARA (ADISA), TË MJEDISEVE TË KATIT PËRDHE TË PRONËS ME EMËRTIMIN “SHTËPIA E USHTARAKËVE”, FIER, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.250, DATË 24.4.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË RENDIT PUBLIK”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Punëve të Brendshme te Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), të mjediseve të katit përdhe, me sipërfaqe 396 (treqind e nëntëdhjetë e gjashtë) m², të pronës me emërtimin “Shtëpia e Ushtarakëve”, me vendndodhje në Fier, për t’u përdorur si mjedise pune për ushrimin e veprimtarisë administrative të ADISA-s, sipas formularit dhe planimetrisë që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Sipërfaqja prej 396 (treqind e nëntëdhjetë e gjashtë) m², e ndodhur në katin përdhe, pjesë e pronës me emërtimin “Shtëpia e Ushtarakëve”, me vendndodhje në Fier, e përcaktuar në pikën 1, të këtij projektvendimi, të hiqet nga listat e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore që i bashkëlidhet vendimit nr.250, datë 24.4.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Rendit Publik”, të ndryshuar.
3. Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta japë me qira ose ta tjetërsojë atë.
4. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI, NGA DREJTORIA E SHËRBIMEVE QEVERITARE TE BASHKIA SARANDË, TË PRONËS ME EMËRTIMIN “REZIDENCË QEVERITARE”, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 8642, SARANDË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1058, DATË 16.7.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI KËSHILLIT TË MINISTRAVE, PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, shkronja “b”, 5, 7, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare te Bashkia Sarandë, të pronës me emërtimin “Rezidencë Qeveritare”, me vendndodhje në zonën kadastrale 8642, sipas formularit dhe planimetrisë që i bashkëlidhet këtij vendimi, për ta përdorur për realizimin e programeve arsimore parauniversitare dhe ndërtimin e një Eko-Kampusi.
2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, hiqet nga lista e inventarit që i bashkëlidhet vendimit nr.1058, datë 16.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Këshillit të Ministrave, për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare”.
3. Bashkisë Sarandë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë atë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, kryetari i Bashkisë Sarandë dhe kryeregjistruesi i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRDORIM TË BASHKISË TIRANË TË PRONËS ME NR.619, PASURIA 7/187, TË NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE 8380, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, shkronja “i”, 5, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përdorim të Bashkisë Tiranë të pronës me nr.619, pasuria 7/187, të ndodhur në zonën kadastrale 8380, me sipërfaqe 28 897 (njëzet e tetë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e shtatë) m2, për Njësinë Administrative Tiranë, për ndërtimin e një parkimi nëntokësor, sipas formularit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, kryetari i Bashkisë Tiranë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI KONTROLLIT TË LARTË TË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10, 12 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Lista me 1 (një) fletë, që i bashkëlidhet këtij vendimi, përfundon me numrin rendor 1 (një) dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË NDRYSHIMIT TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, TË MIRATUAR ME VENDIMIN NR.636, DATË 31.7.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT SUEDEZ, NR.TF014255, NDËRMJET SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD), QË VEPRON SI ADMINISTRATOR I FONDEVE GRANT TË SIGURUARA NGA SUEDIA, E PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA SUEDEZE PËR BASHKËPUNIM DHE ZHVILLIM NDËRKOMBËTAR (SIDA), PËR BASHKËFINANCIMIN E PROJEKTIT TË BURIMEVE UJORE DHE UJITJES”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e dokumentit të ndryshimit të marrëveshjes së grantit, të miratuar me vendimin nr.636, datë 31.7.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e marrëveshjes së grantit suedez nr.TF014255, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), që vepron si administrator i fondeve grant të siguruara nga Suedia, e përfaqësuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtare (SIDA), për bashkëfinancimin e projektit të burimeve ujore dhe ujitjes”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN NË DETYRË TË KRYETARIT TË KOMISIONIT KOMBËTAR RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE TË LARGIMIT E TË PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit e të përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Emërimin e z. Ndriçim Shani në detyrën e kryetarit të Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe të Largimit e të Përpunimit të Ujërave të Ndotura.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.