Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Shkurt 2019:

V E N D I M
PËR

EKUIVALENTIMIN E GRADAVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË ME GRADAT E POLICISË SË SHTETIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 40/1, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ekuivalentimin e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, sipas ligjit nr.59/2014, “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me gradat e Policisë së Shtetit, sipas ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DHËNIEN E LEJES PËR HAPJEN E INSTITUCIONIT ARSIMOR PRIVAT, PARAUNIVERSITAR, “SHKOLLA FINLANDEZE”, TIRANË 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 42, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e lejes për hapjen e institucionit arsimor privat, parauniversitar, “Shkolla Finlandeze”, Tiranë, shoqërisë “Kolegji Indipendent”, sh.p.k.
2. Institucioni arsimor privat, parauniversitar, “Shkolla Finlandeze”, Tiranë, do të ushtrojë veprimtarinë arsimore në adresën: Linzë, km 8, Tiranë.
3. Në institucionin arsimor privat, parauniversitar, “Shkolla Finlandeze”, Tiranë, mësimi do të zhvillohet në gjuhë të huaj (në gjuhën angleze). Në lëndët si gjuhë shqipe, letërsi shqipe, historia e kombit shqiptar dhe gjeografia e Shqipërisë, mësimi do të zhvillohet, detyrimisht, në gjuhën shqipe.
4. Institucioni arsimor privat, parauniversitar, “Shkolla Finlandeze”, Tiranë, do të ofrojë arsimim parauniversitar në nivelet:
a) arsim parashkollor;
b) arsim bazë.
5. Forma e arsimimit në institucionin arsimor privat, parauniversitar, “Shkolla Finlandeze”, Tiranë, do të jetë arsimim me kohë të plotë.
6. Institucioni arsimor privat, parauniversitar, “Shkolla Finlandeze”, Tiranë, me fillimin dhe gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij do të paraqesë në njësinë arsimore vendore, brenda afateve të përcaktuara, informacion për:
a) numrin e fëmijëve të kopshtit, numrin e nxënësve dhe listën e mësuesve të regjistruar, që do të fillojnë dhe do të mbarojnë vitin shkollor, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe statistikave të miratuara nga INSTAT-i;
b) planin mësimor, programet lëndore;
c) strukturën që do të ketë institucioni në fillim të çdo viti shkollor, e cila duhet të jetë e barasvlershme me atë të shkollave publike të të njëjtit nivel, së bashku me kalendarin e veprimtarive vjetore të institucionit;
ç) aktin e regjistrimit në organin tatimor;
d) lëndët mësimore të detyrueshme, njëlloj me ato të shkollave publike;
dh) listën e veprimtarive jashtëshkollore, që parashikohen të zhvillohen gjatë vitit shkollor;
e) adresën e institucionit, adresën elektronike (e-mail) dhe numrin e telefonit.
7. Institucioni arsimor privat, parauniversitar, “Shkolla Finlandeze”, Tiranë, duhet të miratojë në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë çdo ndryshim në planin mësimor, programet e lëndëve apo tekstet që do të përdorë, si dhe çdo projekt apo eksperimentim psiko-padagogjiko-didaktik që kërkon të kryejë, sipas rastit.
8. Ndryshimet që mund të pësojë institucioni arsimor privat, i licencuar, në vendndodhjen dhe infrastrukturën e godinës shqyrtohen dhe miratohen në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, pas miratimit të njësisë arsimore vendore, 3 (tre) muaj para fillimit të vitit shkollor përkatës.
9. Institucioni arsimor privat, parauniversitar, “Shkolla Finlandeze”, Tiranë, duhet të ketë në ruajtje dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Dokumentacionin themeltar në ruajtje të përhershme, si: regjistër amze, indeks alfabetik, regjistër të veçantë, statistika vjetore të numrit të nxënësve dhe të mësuesve;
b) Regjistra të përkohshëm, si: regjistra klase, evidenca për lëvizjen e nxënësve (të detyrueshme për institucionin arsimor privat parauniversitar);
c) Rregulloren e brendshme për funksionimin e institucionit;
ç) Kriteret për pranimin e nxënësve dhe të mësuesve;
d) Kontratat me prindërit për shërbimet arsimore apo shërbime të tjera, jashtëshkollore, që ofron;
dh) Kontratat e punës me mësuesit (për ata me kohë të plotë apo të pjesshme).
10. Dokumentacioni i paraqitur në pikat 6 e 9, në rast monitorimi dhe inspektimi, u vihet në dispozicion strukturave kompetente mbikëqyrëse.
11.Moszbatimi apo mosrespektimi i këtyre detyrimeve si dhe mosdhënia apo fshehja e informacioneve nga strukturat kompetente mbikëqyrëse e inspektuese, të cilat do të verifikojnë apo do të kontrollojnë funksionimin dhe mbarëvajtjen e këtij institucioni arsimor, përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi.
12. Në rast se institucioni arsimor privat nuk hapet gjatë dy viteve shkollore të njëpasnjëshme, nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi, subjekti e humbet të drejtën e hapjes së institucionit.
13. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, njësia arsimore vendore dhe institucioni arsimor privat, parauniversitar, “Shkolla Finlandeze”, Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E LETËRMARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF0A8666, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT TË SIGURUARA NGA DHURUES TË NDRYSHËM, NËN FONDIN E BESIMIT SHUMËDHURUES PËR MBËSHTETJEN PËR NGRITJEN E KAPACITETEVE PËR ZBATIMIN E SISTEMIT TË PLANIFIKIMIT TË INTEGRUAR 2, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT PËR NGRITJEN E KAPACITETEVE PËR ZBATIMIN E SISTEMIT TË PLANIFIKIMIT TË INTEGRUAR 2

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e letërmarrëveshjes së grantit nr.TF0A8666, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga dhurues të ndryshëm, nën Fondin e Dytë të Besimit Shumëdhurues për Mbështetjen për Ngritjen e Kapaciteteve për Zbatimin e Sistemit të Planifikimit të Integruar 2, për financimin e projektit për ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e sistemit të planifikimit të integruar 2, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), DHE KFW, FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR FINANCIMIN NGA FONDI I PËRBASHKËT EVROPIAN I BALLKANIT PERËNDIMOR (EWBJF/WBIF) TË STUDIMEVE TË FIZIBILITETIT, ANALIZAVE KOSTO-PËRFITIM, VLERËSIMEVE TË NDIKIMIT MJEDISOR, PROJEKTEVE PARAPRAKE NË KONTEKSTIN E PROGRAMIT TË PERFORMANCËS DHE INVESTIMIT NË SEKTORIN E UJIT, SHQIPËRI / INFRASTRUKTURA BASHKIAKE V

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Marrësi), dhe KfW, Frankfurt am Main (KfW), për financimin nga Fondi i Përbashkët Evropian i Ballkanit Perëndimor (EWBJF/WBIF) të studimeve të fizibilitetit, analizave kosto-përfitim, vlerësimeve të ndikimit mjedisor, projekteve paraprake në kontekstin e programit të performancës dhe investimit në sektorin e ujit, Shqipëri/infrastruktura bashkiake V, me një grant në shumën 1 400 000.00 (një milion e katërqind mijë) euro, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.245, DATË 29.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN ME QIRA, ME TARIFË TË REDUKTUAR, TË SALLËS SË KONCERTEVE TË PALLATIT TË KONGRESEVE, TEATRIT KOMBËTAR TË OPERAS, BALETIT DHE ANSAMBLIT POPULLOR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 784 e 801, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 8, të kreut III, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës së mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në pikën 3, të vendimit nr.245, datë 29.3.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, viti “… 2018 …” zëvendësohet me “… 2019 …”.
2. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.446, DATË 22.5.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR MIRATIMIN E NUMRIT TË PËRGJITHSHËM TË PERSONELIT TË POLICISË SË SHTETIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 19, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në pikën 1, të vendimit nr.446, datë 22.5.2017, të Këshillit të Ministrave, fjalët “… 10 958 (dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e tetë) punonjës …” zëvendësohen me “… 11 058 (njëmbëdhjetë mijë e pesëdhjetë e tetë) punonjës …”.
2. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PLANIN VJETOR TË PRANIMIT, PËR VITIN 2019, NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, PJESË TË SHËRBIMIT CIVIL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2019, në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil, të jetë, gjithsej, 495 veta, i ndarë sipas kategorive të mëposhtme:
a) Për trupën e nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues 8;
b) Për kategorinë e mesme drejtuese 62;
c) Për kategorinë e ulët drejtuese 190;
ç) Për kategorinë ekzekutive 235.
2. Grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm në kategorinë ekzekutive janë, si më poshtë vijon:
– Shkenca juridike;
– Audit i brendshëm;
– Shkenca ekonomike;
– Shkenca ekonomike/juridike;
– Shkenca shoqërore;
– Shkenca sociale;
– Histori-filologji;
– Shkenca mjekësore;
– Veterinari;
– Agronomi;
– Shkenca biologjike dhe të ngjashme me to;
– Kimi;
– Shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme;
– Shkenca inxhinierike;
– Arkitekturë;
– Arkeologji dhe restaurime;
– Artet e bukura;
– Gjeodezi;
– Shkenca ekzakte;
– Shkenca edukimi;
– Mësuesi;
– Arsim i lartë ushtarak/policor;
– Arsim i lartë.
3. Institucionet e administratës shtetërore ku planifikohen vendet vakante gjatë vitit 2019 janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROGRAMIT EKZEKUTIV PËR BASHKËPUNIMIN KULTUROR NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS ARABE TË EGJIPTIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të programit ekzekutiv për bashkëpunimin kulturor, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Arabe të Egjiptit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.