Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 20 Tetor 2016
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Vjollca Braho emërohet zëvendësministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË FRANCËS, PËR PUNËSIMIN ME PAGË TË ANËTARËVE TË FAMILJEVE TË PUNONJËSVE TË MISIONEVE ZYRTARE TË SECILIT SHTET NË SHTETIN TJETËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Francës, për punësimin me pagë të anëtarëve të punonjësve të misioneve zyrtare të secilit shtet në shtetin tjetër, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E FORMATIT TË REGJISTRIT KOMBËTAR TË URGJENCËS MJEKËSORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “i”, të nenit 8, të ligjit nr.147/2014, “Për shërbimin e urgjencës mjekësore”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e formatit të Regjistrit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore, sipas tekstit të anekseve 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “SISTEMIMI I BLLOKUT TË BANIMIT NË LAGJEN “KONGRESI I LUSHNJËS”, PALLATI 31, TE ISH-KINEMAJA”, LUSHNJË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të nenit 10 të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Sistemimi i bllokut të banimit në lagjen “Kongresi i Lushnjës”, pallati 31, te ish-Kinemaja”, Lushnjë.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Lushnjë.
3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “tokë truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 1 401 137 (një milion e katërqind e një mijë e njëqind e tridhjetë e shtatë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 401 137 (një milion e katërqind e një mijë e njëqind e tridhjetë e shtatë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
5. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
6. Pronari i listës që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Lushnjë.
7. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lushnjë, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Lushnjë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasurinë e shpronësuar, në favor të shtetit.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lushnjë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
9. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Bashkia Lushnjë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIM DHE RIKONSTRUKSION I PARKUT TË DËSHMORËVE TË KOMBIT, TROTUAREVE DHE UNAZËS PERIMETRALE TË TIJ”, BERAT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të nenit 10 të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
10. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikim dhe rikonstruksion i Parkut të Dëshmorëve të Kombit, trotuareve dhe unazës perimetrale të tij”, Berat.
11. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Berat.
12. Pronari i pasurive të paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “tokë truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 4 469 745 (katër milionë e katërqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e dyzet e pesë) lekësh.
13. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 4 469 745 (katër milionë e katërqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e dyzet e pesë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
14. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
15. Pronari i listës që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Berat.
16. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Berat, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
17. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
18. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Bashkia Berat për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË BULLGARISË, NË FUSHËN E INTEGRIMIT EVROPIAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e memorandumit të bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Bullgarisë, në fushën e integrimit evropian, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES PËR KUSHTET, KRITERET, TARIFAT, AFATET DHE PROCEDURËN PËR KLASIFIKIMIN E STRUKTURAVE AKOMODUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 45, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores për kushtet, kriteret, tarifat, afatet dhe procedurën për klasifikimin e strukturave akomoduese si dhe të kritereve për klasifikimin e strukturave akomoduese, të përcaktuara në aneksin 1, të këtij vendimi.
2. Rregullorja nr.2, datë 20.3.2003, “Për kriteret, kushtet dhe procedurat për licencimin e ushtrimit të veprimtarisë turistike akomoduese, regjistrimin dhe klasifikimin e njësive akomoduese turistike”, miratuar me urdhrin nr.43, datë 20.3.2003, të ministrit të Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, shfuqizohet.
3. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 nëntor 2016.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR BARAZINË GJINORE DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT 2016-2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.9970, datë 24.7.2008, “Për barazinë gjinore në shoqëri”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe të Planit të Veprimit 2016-2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen të gjitha ministritë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.283, DATË 1.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E TIPAVE, RREGULLAVE, KRITEREVE DHE PROCEDURAVE PËR NDËRTIMIN E OBJEKTEVE PËR PRODHIMIN, RUAJTJEN DHE PËRPUNIMIN E PRODUKTEVE BUJQËSORE DHE BLEGTORALE, NË TOKË BUJQËSORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 5/2 e 5/4, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave të administrimit dhe mbrojtjes së tokës”, të ndryshuar, dhe të nenit 8, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 3, e kreut III, të vendimit nr.283, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Në kushtet e mungesës së planit të përgjithshëm vendor:
a) rregullat dhe kriteret e përcaktuara në këtë vendim janë kushtet minimale për pajisjen me leje;
b) leja e ndërtimit lëshohet pas kontrollit të përputhshmërisë së projektpropozimit nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), e cila, në bashkërendim me Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, verifikon konformitetin me dokumentet e planifikimit të territorit në fuqi;
c) AZHT-ja njofton bashkinë përkatëse dhe aplikantin për kontrollin e përputhshmërisë dhe vazhdimin e mëtejshëm të procedurave;
ç) bashkia kryen verifikimin në terren, në bazë të dispozitave ligjore në fuqi për planifikimin e territorit, përfshirë edhe rregullat dhe kriteret e përcaktuara në këtë vendim, dhe njofton AZHT-në;
d) në rast se, si pasojë e verifikimeve në terren, rezulton që propozimi është në përputhje me kriteret e përcaktuara sipas këtij vendimi dhe dokumentet e planifikimit të territorit në fuqi, kryetari i bashkisë merr vendim për miratimin e lejes së ndërtimit dhe i propozon Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të vijojë procedurat për kalimin në sipërfaqe ndërtimore të tokës bujqësore, objekt i lejes së ndërtimit. Kjo ministri, më pas, harton projektvendimin, të cilin e paraqet për miratim në Këshillin e Ministrave;
dh) pas miratimit të kalimit të tokës bujqësore në sipërfaqe ndërtimore, bashkia i dorëzon kërkuesit dokumentin e lejes dhe e boton atë në regjistrin e integruar të planifikimit të territorit.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROGRAMIT TË BASHKËPUNIMIT PËR ZHVILLIM TË QËNDRUESHËM, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE ORGANIZATËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA, 2017-2021
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të programit të bashkëpunimit për zhvillim të qëndrueshëm, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 2017-2021, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN E NATO-S “AEGEAN SEA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6, pika 5, e 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes e të kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin e NATO-s “Aegean Sea”, të përbërë nga 21 (njëzet e një) ushtarakë dhe 1 (një) anije e klasit “Iliria”.
2. Misioni i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në këtë operacion është kryerja e patrullimit detar në përbërje të grupit të gatshëm të anijeve të NATO-s, SNMG2, në detin Egje, në kuadër të operacionit të NATO-s “Aegean Sea”.
3. Kohëzgjatja e pjesëmarrjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në këtë operacion është deri në 1 (një) vit, afat i cili fillon të llogaritet nga data e dërgimit të anijes dhe kontingjentit të parë, me sistem rotacioni. Periudha e rotacionit për ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, pjesëmarrës në këtë operacion, do të jetë çdo 2 (dy) muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin e kontingjentit të radhës (marrje dhe dorëzim detyre, vonesa të transportit strategjik etj.).
4. Venddislokimi i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë do të jetë në detin Egje.
5. Ministria e Mbrojtjes, për personelin pjesëmarrës në këtë operacion dhe për anijen, të përballojë shpenzimet për:
a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) sigurimin e jetës;
c) ushqim;
ç) akomodim;
d) siguracion shëndetësor jashtë zonës së operacionit;
dh) mbështetje shëndetësore;
e) telefon, komunikim SATCOM, internet, shërbim postar;
ë) sigurimin e anijes;
f) karburant, lubrifikantë;
g)shërbime lundrimi (taksa portuale, pilot, ujë, derdhje të ujërave të zeza, akostim qëndrimi, lavanteri etj.);
gj) mirëmbajtjen teknike dhe riparime të anijes, të paparashikuara;
h) transportimin e individëve të shkëputur nga operacioni për në atdhe në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline;
i) aktivitete social-kulturore në rastet e festave kombëtare gjatë kohës së kryerjes së misionit;
j) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.
6. Transporti i personelit të anijes që do të marrë pjesë në operacion, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, lavanteria, transporti i individëve të shkëputur nga operacioni për në atdhe në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, përveç rasteve kur do të arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dy- ose shumëpalëshe ku pala/ët tjetër/e tjera merr/marrin përsipër të përballojë/përballojnë këto shpenzime.
7. Ministria e Mbrojtjes të bëjë sigurimin e jetës për ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët do të marrin pjesë në këtë operacion.
8. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
9. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E TABELAVE DHE TË SIMBOLEVE NË PIKAT E KALIMIT KUFITAR DHE ZONAT E VERIFIKIMIT KUFITAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 11, të ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Zona e verifikimit kufitar shënohet me tabela në gjuhët shqip dhe anglisht, siç paraqitet në shtojcën 1/a, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, përkatësisht në:
a) çdo hyrje të territorit të portit dhe aeroportit që është pikë e kalimit kufitar;
b) në rastin e pikave tokësore të kalimit kufitar, në të gjitha rrugët automobilistike që çojnë në pikën përkatëse të kalimit kufitar, në vendin që korrespondon me fillimin e zonës së verifikimit kufitar, sipas përcaktimit të nenit 10, të ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”.
2. Pikat e kalimit kufitar shënohen me tabela në gjuhët shqip dhe anglisht, siç tregohet në shtojcën 1/b, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Në rastin e pikave të kalimit kufitar me orar të kufizuar, nën tabelën e parashikuar në pikën 2 vendoset një tabelë shtesë që paraqet orarin zyrtar, sipas modelit të shtojcës 1/c, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Në rast të kufizimeve për personat e mjetet dhe në varësi të kufizimit përkatës, një tabelë shtesë në shqip dhe anglisht, sipas modelit të shtojcës 1/ç, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, vendoset nën tabelën e përmendur në pikën 3 ose, në mungesë të kësaj të fundit, nën tabelën e përmendur në pikën 2.
5. Zonat e transitit në aeroporte dhe porte shënohen me tabela në gjuhët shqip dhe anglisht, siç tregohet në shtojcën 1/d, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
6. Hyrja në Republikën e Shqipërisë dhe dalja nga Republika e Shqipërisë në pikat e kalimit kufitar shënohen përkatësisht me tabela në gjuhët shqip dhe anglisht, sipas përcaktimit në tabelat 1 dhe 2, të shtojcës 2/a, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
7. Për personat që, sipas parashikimeve të nenit 14, të ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, janë subjekt i verifikimit minimal, përcaktohen korsi të veçanta që shënohen në gjuhët shqip dhe anglisht, siç tregohet në tabelën 1, të shtojcës 2/b, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Personat e lartpërmendur, krahas këtyre korsive, mund të përdorin gjithashtu korsitë e parashikuara në pikat 5 dhe 6, të këtij vendimi.
8. Bazuar në nevojat praktike për të huajt, që nuk kanë nevojë për vizë dhe për të huajt që posedojnë leje qëndrimi ose vizë afatgjatë të vlefshme, mund të përcaktohen korsi të veçanta të cilat shënohen në gjuhët shqip dhe anglisht, siç tregohet në tabelën, 3 të shtojcës 2/b, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Këta persona, krahas këtyre korsive, mund të përdorin gjithashtu korsitë e parashikuara në pikën 6, të këtij vendimi.
9. Për të gjithë personat e tjerë, të cilët nuk përmenden në pikën 7 ose 8, të këtij vendimi, përcaktohen korsi të veçanta që shënohen në gjuhët shqip dhe anglisht, siç tregohet në tabelën 2, të shtojcës 2/b, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
10. Në pikat portuale dhe ato tokësore të kalimit të kufirit, në varësi të nevojave praktike, mund të përcaktohen korsi të veçanta për autovetura, kamionë dhe autobuzë. Këto korsi shënohen në gjuhët shqip dhe anglisht, siç tregohet në tabelat e shtojcës 2/c, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
11. Pika 3, e vendimit nr.1018, datë 30.9.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e standardeve dhe të kritereve të kontrollit në pikat e kalimit të kufirit, në Republikën e Shqipërisë”, shfuqizohet.
12. Në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga neni 9, i ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, ngarkohen, përkatësisht,:
a) operatorët e aeroporteve për pikat aeroportuale dhe autoritetet portuale për pikat portuale të kalimit kufitar, për sigurimin e tabelave të parashikuara në këtë vendim;
b) Autoriteti Rrugor Shqiptar për sigurimin e tabelave të parashikuara në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, për pikat tokësore të kalimit kufitar;
c) Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve të Brendshme, sipas përgjegjësisë së administrimit të territorit të pikës së kalimit kufitar, për sigurimin e tabelave të parashikuara në këtë vendim për pikat e kalimit kufitar tokësor.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2016 PËR PROJEKTIN “PROGRAM PËR MENAXHIMIN E MBETJEVE II”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2016 për projektin “Program për menaxhimin e mbetjeve II”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2011, 2013, 2014 PËR PROJEKTIN “PROGRAM PËR MENAXHIMIN E MBETJEVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2011, 2013, 2014 për projektin “Program për menaxhimin e mbetjeve”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.