Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 21 Dhjetor 2016
V E N D I M
PËR
HEQJEN NGA FONDI PYJOR TË SIPËRFAQES NË NGASTRAT E EKONOMISË PYJORE “MALI I MOLISHTIT”, TË RRETHIT BERAT, QË DO TË PËRDORET NGA SHOQËRIA “SALILLARI”, SH.P.K. PËR USHTRIMIN E AKTIVITETIT MINERAR NË SHFRYTËZIMIN E MINERALIT TË GURIT GËLQEROR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe të ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Sipërfaqja pyjore prej 16.2 ha, në ngastrat 172a, 173a, 174a dhe 175a, të ekonomisë pyjore “Mali i Molishtit”, objekt i aktivitetit minerar për shfrytëzimin e mineralit të gurit gëlqeror nga shoqëria “Salillari”, sh.p.k., të hiqet nga fondi pyjor dhe kullosor publik dhe të çregjistrohet nga Kadastra Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave. Sipërfaqja, sipas ngastrave pyjore dhe kullosore, jepet në tabelën nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Vlerat përkatëse të pakësimit të volumit të lëndës drusore, të produkteve të tjera pyjore e jopyjore, të sipërfaqes së hequr dhe infrastrukturës së saj, paguhen nga subjekti “Salillari”, sh.p.k., në bazë të lidhjes 4, të vendimit nr.391, datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”, të ndryshuar.
3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shoqëria “Salillari”, sh.p.k., detyrohet të rehabilitojë sipërfaqen e marrë në shfrytëzim sipas kushteve të lejes mjedisore dhe, brenda 5 viteve të para, të pyllëzojë, me fondet e veta, një sipërfaqe prej 48.6 ha fond pyjor në ngastrat e përcaktuara në marrëveshjen me bashkinë Ura Vajgurore.
4. Bashkia Ura Vajgurore dhe shoqëria “Salillari”, sh.p.k. të nënshkruajnë marrëveshje të përbashkët për hapat, afatet dhe procedurat për hartimin dhe realizimin e projekteve teknike lidhur me detyrimet sipas pikës 3, të këtij vendimi.
5. Sipërfaqet pyjore, sipas pikës 1, të këtij vendimi, mbeten pronë publike e shtetit dhe regjistrohen në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, në funksion të lidhjes së marrëveshjes me shoqërinë “Salillari”, sh.p.k.
6. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bën çregjistrimin e sipërfaqeve pyjore të identifikuara sipas pikës 1, të këtij vendimi, nga kategoria “Tokë pyjore/kullosore” dhe e regjistron në kategorinë “Tokë e zënë, objekt shfrytëzimi për aktivitet minerar”.
7. Me përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në planin e rehabilitimit të sipërfaqes, sipas lejes mjedisore, nga shoqëria “Salillari”, sh.p.k., sipërfaqja e rehabilituar të regjistrohet fond pyjor dhe kullosor.
8. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, bashkia Ura Vajgurore dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M 
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR PËRFITIMIN E BURSAVE NGA FONDI I MBËSHTETJES STUDENTORE PËR STUDENËT E SHKËLQYER, STUDENTËT QË STUDIOJNË NË PROGRAME STUDIMI NË FUSHAT PRIORITARE DHE STUDENTËT NË NEVOJË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 112, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 1 e 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të nenit 2, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, nenit 6, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, nenit 8, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, nenit 8, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, nenit 12, të ligjit nr.7748, datë 29.7.1993, “Për statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”, të ndryshuar, dhe të nenit 32, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Studentët e shkëlqyer, me notë mesatare maksimale nga sistemi i arsimit të mesëm të lartë, që ndjekin studimet në një program studimi të ciklit të parë, në programet e studimeve me karakter profesional dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet publike të arsimit të lartë, përfitojnë bursë në masën e parashikuar në aneksin 1, bashkëlidhur këtij vendimi. Notë mesatare maksimale do të konsiderohet nota 10 (dhjetë), e përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha viteve të arsimit të mesëm të lartë, përfshirë dhe rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore. Lista e studentëve të shkëlqyer hartohet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve.
2. Për studentët e regjistruar në vitet pas të parit, notë mesatare maksimale do të konsiderohet nota 10 (dhjetë), e përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha provimeve/detyrimeve të shlyera dhe të parashikuara për programin përkatës të studimit për vitet pararendëse. Këta studentë duhet të kenë shlyer të gjitha detyrimet akademike të parashikuara për vitet e mëparshme të programit të studimit përkatës, brenda përfundimit të vitit akademik paraardhës.
3. Bursat e studimit për studentët, të cilët kanë zgjedhur të ndjekin programet e studimit që përbëjnë prioritet kombëtar në institucionet publike të arsimit të lartë, të shpallura të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave, u shpërndahen studentëve që studiojnë në këto programe dhe institucione, sipas masës së përcaktuar në aneksin 1, bashkëlidhur këtij vendimi. Studentët që frekuentojnë këto programe studimi e përfitojnë bursën vetëm për periudhën që ndjekin studimet në fushat prioritare dhe për kohëzgjatjen normale të programit të studimit.
4. Studentëve të regjistruar në programet e ciklit të parë të studimeve në programet e studimeve me karakter profesional dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë publik dhe që u përkasin shtresave sociale në nevojë, u akordohen bursa kur ata plotësojnë kriteret për t’u konsideruar si studentë në nevojë. Masa e përfitimit të bursës është e përcaktuar në aneksin 1, bashkëlidhur këtij vendimi.
5. Studentë në nevojë konsiderohen:
5.1 Sipas kriterit ekonomik:
a) Studentët që ndjekin studimet në largësinë mbi 10 (dhjetë) km nga vendbanimi i përhershëm i tyre, familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike nga njësia e vetëqeverisjes vendore;
b) Secili nga studentët, i cili rezulton bashkëshort me fëmijë, dhe kur familja e tij trajtohet me ndihmë ekonomike nga njësia e vetëqeverisjes vendore;
c) Personat me aftësi të kufizuar, të vërtetuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punës, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar.
5.2 Jashtë kriterit ekonomik:
a) Studentët që kanë përfituar statusin e jetimit;
b) Studentët që kanë humbur përgjegjësinë prindërore, me vendim gjykate të formës së prerë;
c) Studentët që janë identifikuar e trajtuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë humbur kujdesin prindëror;
ç) Studentët që rezultojnë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.
5.3 Studentët nuk përfitojnë bursë apo humbasin të drejtën e përfitimit në rast se:
a) janë ndarë nga trungu familjar;
b) familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private;
c) vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi;
ç) shpallen ngelës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese;
d) nuk kanë përfunduar programin e studimit brenda kohëzgjatjes normale të tij, të përcaktuar në aktin e hapjes së programit përkatës të studimit.
6. Bursat për vitet e tjera, pas vitit të parë të studimeve, rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit nga institucionet publike të arsimit të lartë, për çdo student që rezulton student në nevojë. Njësia e qeverisjes vendore pajis studentët me dokumentacionin ligjor që vërteton gjendjen për t’u konsideruar student në nevojë.
7. Studentët që ndjekin studimet në IAL publike në vitet e tjera, pas vitit të parë të studimeve, që nuk kanë përfituar bursë në vitin e parë akademik dhe plotësojnë kriteret e parashikuara në pikën 5, të këtij vendimi, mund të përfitojnë bursë brenda numrit të bursave të planifikuara dhe që administrohen nga institucionet publike të arsimit të lartë.
8. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat si dhe numri i bursave për studentët administrohen nga institucionet publike të arsimit të lartë. Bursa përllogaritet si shpenzim mesatar ditor për lekë në ditë (lekë/ditë) dhe paguhet çdo muaj, me kalim në numrin e llogarisë bankare të çdo studenti. Drejtuesit e njësive kryesore të institucioneve publike të arsimit të lartë dërgojnë zyrtarisht, çdo muaj, pranë njësisë së financës në institucionin e arsimit të lartë, të dhënat për shlyerjen e detyrimeve për frekuentimin e programit përkatës të studimit, që rrjedhin si pasojë e regjistrimit si student në atë program studimi, për të gjithë studentët që përfitojnë bursë.
9. Ministria e Arsimit dhe Sportit, mbështetur në numrin e studentëve që ndjekin vitin e parë akademik 2016-2017, harton planin e shpërndarjes së bursave, të cilat i përcjell për vlerësim dhe miratim në njësitë e vetëqeverisjes vendore. Këshillat bashkiakë, mbështetur në planin e dërguar nga MAS, shqyrtojnë dhe miratojnë kërkesat për bursë.
10. Kopje e vendimit të Këshillit Bashkiak për miratimin e bursave përcillet zyrtarisht pranë IAL-ve publike dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit  nga njësitë e qeverisjes vendore.
11. Fondi përkatës për bursat transferohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në formën e transfertës së pakushtëzuar ose transfertës për individët te çdo IAL publike.
12. Për vitin akademik 2016-2017, Ministria e Arsimit dhe Sportit harton planin e shpërndarjes për 1 800 (një mijë e tetëqind) bursa dhe ndjek procedurat e sipërcituara. Për vitet në vijim, numri dhe plani i shpërndarjes së bursave miratohet me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Sportit.
13. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave, për studentët e regjistruar në vitin e parë të studimeve për vitin akademik 2016-2017, është data 31 Janar 2017. Për të gjitha kategoritë tjera të studentëve të regjistruar në vitet e tjera, pas vitit të parë të studimeve në IAL-të publike, është data 30 dhjetor 2016. Për vitet akademike në vijim, afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për të gjitha kategoritë, për sa më sipër, është jo më vonë se muaji dhjetor i vitit përkatës akademik.
14. Vendimet e institucioneve publike të arsimit të lartë dhe të njësive të vetëqeverisjes vendore për miratimin e bursave të studentëve bëhen publike nga këto institucione, nëpërmjet publikimit në faqet e tyre web si dhe në ambientet e institucioneve përkatëse.
15. Efektet financiare për mbulimin e shpenzimeve për bursa për një vit të caktuar akademik përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, të miratuara për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për periudhat përkatëse buxhetore.
16. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, institucionet publike të arsimit të lartë dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NЁ PARIM, TЁ MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR HUAN E POLITIKËS SË ZHVILLIMIT TË KONKURRUESHMËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për huan e politikës së zhvillimit të konkurrueshmërisë, me një shumë prej 65 800 000 (gjashtëdhjetë e pesë milionë e tetëqind mijë) eurosh, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “FURNIZIMI ME UJË I PLAZHEVE DURRËS-KAVAJË NGA PUSSHPIMET E ÇERMËS (LOTI I)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë.22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Furnizimi me ujë i plazheve Durrës-Kavajë nga pusshpimet e Çermës (loti 1)”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës- Kanalizimeve.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “arë”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi 1 752 912 (një milion e shtatëqind e pesëdhjetë e dy mijë e nëntëqind e dymbëdhjetë) lekë.
4. Vlera përgjithshme e shpronësimit për pasuritë “arë”, prej 1 752 912 (një milion e shtatëqind e pesëdhjetë e dy mijë e nëntëqind e dymbëdhjetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i investimeve të vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime për objektet buxhetore”, për programin furnizimi me ujë dhe kanalizime, me kod projekti M063141.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve.
6. Likuidimi i pronarëve do të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të përmendur në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, “Vërtetim hipotekor”, “Certifikatë  pronësie”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë, që do të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve.
8. Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6, dhe 7, të këtij vendimi.
9. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kavajë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’u vihet në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kavajë, të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen  Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra  Vendore e  Regjistrimit të Pasurive  të  Paluajtshme Kavajë, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës dhe Këshilli i Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR 
DISA NDRYSHIME  NË VENDIMIN NR.206, DATË 9.4.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “FURNIZIMI ME UJË I PLAZHEVE DURRËS-KAVAJË NGA PUSSHPIMET E ÇERMËS, LOTI III”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të   ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.206, datë 9.4.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Pikat 3, 4, 5 dhe 6 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë “arë”, me sipërfaqe 5003.5 “pesë mijë e tre pikë pesë) m2, me vlerë 1 696 186.5 (një milion e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind e tetëdhjetë e gjashtë pikë pesë) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës – Kanalizimeve.
5. Vlera e përgjithshme, prej 1 696 186.5 (një milion e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind e tetëdhjetë e gjashtë pikë pesë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2016, zëri “ivestime”, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, për programin “Furnizimi me ujë dhe kanalizime, zëri “Shpronësime” për objektet buxhetore, me kod projekti M063141.
6.   Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 5, të këtij vendimi.”.
2. Në tabelën e të shpronësuarve, bashkëlidhur vendimit, të dhënat ndryshohen sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR 
NGRITJEN E KOMISIONIT NDËRINSTITUCIONAL PËR IDENTIFIKIMIN E PRONËS SHTETËRORE QË MUND TË KALOJË DHE TË BËHET PJESË E FONDIT TË TOKËS PËR KOMPENSIMIN E PRONAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 26, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngritjen e Komisionit Ndërinstitucional për bashkërendimin e punës për identifikimin e pronës shtetërore që mund të kalojë dhe të bëhet pjesë e fondit për kompensimin e pronave.
2. Komisioni Ndërinstitucional kryesohet nga Zëvendëskryeministri, me përfaqësim nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit. Niveli i përfaqësimit në Komision është të paktën në nivel zëvendësministri.
3. Komisioni Ndërinstitucional ka këto përgjegjësi dhe detyra:
a) I kërkon institucioneve shtetërore vënien në dispozicion të të gjitha informacioneve për pronat, pjesë e listës së inventarit të tyre, si dhe për pronat që janë nxjerrë jashtë funksionit;
b) Identifikon pronat që mund të kalojnë në fondin e tokës;
c) Kërkon nga institucionet shtetërore përkatëse verifikimin e pronave shtetërore që mund të kalojnë në fondin e tokës për kompensim fizik;
ç) I propozon Këshillit të Ministrave kalimin e pronës shtetërore të identifikuar dhe të verifikuar në fondin e tokës.
4. Komisioni Ndërinstitucional për identifikimin e pronës shtetërore mblidhet një herë në muaj, ose në çdo kohë, me kërkesë të kryetarit.
5. Në mbledhjet e Komisionit Ndërinstitucional për identifikimin e pronës shtetërore, mund të ftohen të marrin pjesë përfaqësues të organeve të qeverisjes vendore dhe institucioneve të tjera të interesuara, kur çmohet se pjesëmarrja e tyre është e vlefshme për përmbushjen e detyrimeve të Komisionit.
6. Kryetari i Komisionit Ndërinstitucional për identifikimin e pronës shtetërore, i raporton Kryeministrit për ecurinë e realizimit të punës së Komisionit të ngritur, problematikat e hasura, masat e ndërmarra dhe rezultatet konkrete të arritura.
7. Komisioni Ndërinstitucional për identifikimin e pronës shtetërore mbështetet nga Agjencia e Trajtimit të Pronës (ATP), në rolin e sekretariatit teknik. ATP-ja ka këto detyra kryesore:
a) Përgatitjen e takimeve të këtij Komisioni;
b) Raportimin periodik në mbledhjet e këtij Komisioni, mbi realizmin e detyrave të përcaktuara në mbledhjet e mëparshme;
c) Bashkërendimin e punës ndërmjet institucioneve për zbatimin e detyrave të këtij Komisioni;
ç)  Monitorimin e zbatimit të detyrave të Komisionit;
d)  Kryerjen e detyrave që përcaktohen nga kryetari i Komisionit.
8. Të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces dhe ato të cilave do t’u kërkohet informacion dhe bashkëpunim nga ana e Komisionit, detyrohen të përgjigjen brenda afateve të kërkuara nga Komisioni. Në rast mosbashkëpunimi, brenda afateve të përcaktuara, i raportohet me shkrim kabinetit të Kryeministrit për marrjen e masave përkatëse si dhe të masave të referuara në ligjin nr.119/2014, “Për të drejtën e informimit”.
9. Ngarkohen institucionet e përfaqësuara në Komisionin Ndërinstitucional për identifikimin e pronës shtetërore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.36, DATË 16.1.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR CAKTIMIN E ANËTARËVE TË BORDIT DREJTUES TË ZYRËS SË REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 12, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, dhe të pikës 5, të kreut II, të vendimit nr.752, datë 2.11.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurës dhe të kritereve për caktimin e anëtarëve të bordit drejtues të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si dhe të masës së shpërblimit të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shkronja “c”, e pikës 1, të vendimit nr.36, datë 16.1.2013, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) znj. Juliana Hoxha, përfaqësuese e ministrit të Drejtësisë;”.
2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe bordi drejtues i saj për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
ÇËSHTJET, OBJEKT KONSULTIMI, DHE STUKTURËN, PROCEDURËN, FORMËN, MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË KËSHILLIT KONSULTATIV TË QEVERISJES QENDRORE ME VETËQEVERISJEN VENDORE 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të paragrafit të tretë, të  nenit 12, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
QËLLIMI DHE NATYRA E ÇËSHTJEVE PËR KONSULTIM
1. Qëllimi i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Këshillit Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore, përbërjen dhe funksionimin e tij, natyrën e çështjeve, objekt konsultimi, dhe procesin e konsultimit mes qeverisjes vendore dhe qeverisjes qendore. Kuptimi i njësive të vetëqeverisjes vendore përcaktohet në nenin 5, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”.
2. Objekt i konsultimit mes qeverisjes qendrore dhe vetëqeverisjes vendore, sipas këtij vendimi, janë edhe funksionet dhe/ose kompetencat e deleguara pushtetit vendor, transferimi i funksioneve ose kompetencave të reja dhe propozimet e politikave për çështje që prekin interesat e pushtetit vendor, në përputhje me legjislacionin përkatës.
3. Njësitë e vetëqeverisjes vendore konsultohen gjatë vitit kalendarik për financat e  tyre, mjaftueshmërinë dhe stabilitetin e burimeve të tyre për arritjen e qëllimeve dhe kryerjen e shërbimeve të përcaktuara për to në ligjin nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, dhe ligjet e tjera në fuqi.
4. Çështjet, të cilat janë objekt konsultimi mes qeverisjes qendrore dhe vetëqeverisjes vendore, sipas këtij vendimi, janë:
a) hartimi dhe zbatimi i politikave të decentralizimit dhe monitorimi i realizimit të tyre;
b) hartimi dhe zbatimi i politikave fiskale dhe financiare vendore, përfshirë transfertat ndërqeveritare dhe financimi i qeverisjes vendore nga buxheti i shtetit;
c) funksionet e bashkive në fushat e mëposhtme:
i. Infrastrukturë dhe shërbimet publike;
      ii. Shërbimet sociale;
iii. Arsim, kulturë, sport dhe shërbime argëtuese;
      iv. Mbrojtjen e mjedisit;
             v. Bujqësi dhe zhvillim rural, pyje e kullota, natyrë dhe biodiversitet si dhe administrim të burimeve ujore;
    vi. Zhvillim ekonomik e vendor;
           vii. Siguri publike;
           viii. Mbrojtjen e konsumatorëve;
ç) hartimi dhe zbatimi i politikave rajonale;
d) hartimi dhe zbatimi i politikave rajonale dhe harmonizimi i tyre me politikat shtetërore në nivel qarku;
dh) funksionet dhe kompetencat e këshillit të qarkut dhe çdo funksion tjetër i dhënë me ligj;
e) nxitja e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkufitar, me objekt zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të zonave ndërkufitare;
ë) çdo çështje tjetër që është në interesin e ndërsjellë të qeverisjes qendrore dhe/ose qeverisjes vendore.
KREU II
PARIMET E PROCESIT TË KONSULTIMIT
5. Procesi i konsultimit në Këshillin Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore bazohet në:
a) parimin e informimit, nëpërmjet njoftimit dhe vënies në dispozicion të anëtarëve të Këshillit Konsultativ, shoqatave përfaqësuese të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe, nëpërmjet tyre, të gjitha njësive të vetëqeverisjes vendore të projektligjeve, projektvendimeve, projektpolitikave ose projektstrategjive  që propozohen nga qeverisja qendrore;
b) parimin e konsultimit, nëpërmjet shkëmbimit të mendimeve, komenteve, vërejtjeve dhe propozimeve për projektligjet, projektaktet nënligjore, projektpolitikat  ose projektstrategjitë te propozuara nga qeverisja qendrore dhe që kanë ndikim në ushtrimin e të drejtave dhe funksioneve të njësive të vetëqeverisjes vendore;
c) parimin e angazhimit të shoqatave përfaqësuese të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe të vetë këtyre njësive si dhe rritjen e transparencës, nëpërmjet përfshirjes së tyre në procesin e formulimit e të miratimit të projektakteve, politikave dhe zgjidhjeve konkrete;
ç) parimin e bashkëpunimit dhe dialogut konstruktiv me të gjitha shoqatat përfaqësuese të njësive të vetëqeverisjes vendore.
KREU III
KRIJIMI, PËRBËRJA DHE DREJTIMI I KËSHILLIT KONSULTATIV TË QEVERISJES QENDRORE ME VETËQEVERISJEN VENDORE
6. Me qëllim arritjen dhe institucionalizimin e procesit të konsultimit mes qeverisjes qendrore dhe vetëqeverisjes vendore krijohet Këshilli Konsultativ  i Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore, i cili është forumi kryesor ku qeverisja qendrore konsultohet me njësitë e vetëqeverisjes vendore për projektligjet, projektvendimet e Këshillit të Ministrave, projektpolitikat dhe projektstrategjitë që rregullojnë ose kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ushtrimin e të drejtave dhe detyrimeve të njësive të vetëqeverisjes vendore.
7. Përbërja e Këshillit Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore është në përfaqësim të barabartë anëtarësh, 6 përfaqësues të qeverisjes qendrore dhe 6 përfaqësues të vetëqeverisjes vendore, si më poshtë vijon:
– Ministri përgjegjës për çështjet vendore;
– Zëvendësministri përgjegjës për fushën e financave;
– Zëvendësministri përgjegjës për çështjet e brendshme;
– Zëvendësministri përgjegjës për planifikimin dhe zhvillimin urban;
– Zëvendësministri përgjegjës për çështjet e transportit dhe infrastrukturës;
– Zëvendësministri përgjegjës për çështjet sociale;
– Zëvendësministri përgjegjës për integrimin evropian;
– Zëvendësministri përgjegjës për bujqësinë dhe zhvillimin rural;
– Zëvendësministri përgjegjës për mjedisin;
– Kryetari i Shoqatës  për Autonomi Vendore dhe 2 kryetarë bashkie, përfaqësues të Shoqatës për Autonomi Vendore;
– Kryetari i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë dhe 2 kryetarë bashkie, përfaqësues të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë;
– Kryetari i Shoqatës së Qarqeve dhe 2 kryetarë qarku, përfaqësues të Shoqatës së Qarqeve.
Anëtarët që përfaqësojnë njësitë e vetëqeverisjes vendore caktohen me vendim të vetë shoqatave dhe duhet që sa më shumë të jetë e mundur të pasqyrojnë shumëllojshmërinë e njësive vendore në Shqipëri, në kuptim të numrit të popullsisë dhe të gjeografisë. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet sigurimit të një përfaqësimi të balancuar gjinor, siç parashikohet në legjislacionin e brendshëm.
8. Në mbledhjet e Këshllit Konsultativ mund të ftohen të marrin pjesë kryesia e Komisionit Përgjegjes për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë, kryetari i Nënkomisionit të Përhershëm Parlamentar për Qeverisjen Vendore, anëtarë të tjerë të Këshillit të Ministrave apo përfaqësues të tyre, përfaqësues të sektorit të kontrollit të ndihmës shtetërore pranë ministrisë përgjegjëse të ekonomisë, përfaqësues të organizmave dhe programeve ndërkombëtare me fokus veprimtarinë e qeverisjes vendore si dhe drejtues të institucioneve kushtetuese ose institucioneve të tjera qendrore që kanë lidhje me çështjet, objekt konsultimi.
9. Mbledhjet e Këshillit Konsultativ bashkëdrejtohen nga ministri përgjegjës për çështjet vendore dhe një nga drejtuesit e shoqatave përfaqësuese të pushtetit vendor. Drejtuesit e shoqatave përfaqësuese të pushtetit vendor drejtojnë Këshillin Konsultativ mbi bazën e rotacionit, për një vit kalendarik, duke filluar nga shoqata përfaqësuese me numrin më të madh të anëtarëve.
10. Në veçanti, mbledhjet e Këshillit Konsultativ për çështjet e financave vendore, sipas shkronjës “b”, të pikës 4, bashkëkryesohen nga ministri i Financave dhe/ose zëvendësministri i Financave me delegim të ministrit të Financave dhe në të përveç anëtarëve të përhershëm të këshillit marrin pjesë edhe përfaqësues të tjerë nga stafi teknik i Ministrisë së Financave. Ministria e Financave luan rolin e sekretariatit teknik për çështjet e financave vendore.
11. Mbledhjet e Këshillit Konsultativ si rregull zhvillohen të hapura. Në raste të veçanta, mbledhjet e këshillit mund të zhvillohen edhe të mbyllura, kur për këtë bien dakord dy bashkëkryetarët.
KREU IV
PROCEDURA E KONSULTIMIT TË AKTEVE DHE MBLEDHJET E KËSHILLIT
12. Projekligjet, projektvendimet, projektpolitikat ose projektstrategjitë, që lidhen me fushën e funksioneve të vetëqeverisjes vendore sipas neneve 12, 23, 24, 25, 26, 27, 28, 29, 30, 31, 32, 33, 34-43, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, si dhe çdo projektakt tjetër që përfshihet në fushën e veprimit të këtij vendimi, i dërgohen në formë elektronike e të shkruar Sekretariatit Teknik të Këshillit Konsultativ prej sekretarëve të përgjithshëm të institucioneve propozuese të projektaktit.
13. Me marrjen e tyre, Sekretariati Teknik i shfaq ato brenda tri ditësh pune në faqen zyrtare të internetit të Këshillit Konsultativ dhe në formë elektronike e të shkruar ia dërgon çdo anëtari të Këshillit Konsultativ.
14. Afati brenda të cilit anëtarët e Këshillit Konsultativ dhe njësitë e tjera të vetëqeverisjes vendore mund të paraqesin vërejtjet, mendimet, komentet dhe propozimet e tyre, është 15 ditë kalendarike nga e nesërmja e dërgimit të projektaktit anëtarëve të Këshillit Konsultativ.
15. Në përfundim të këtij afati, brenda 7 ditësh, Sekretariati Teknik organizon punën për përgatitjen e përmbledhjes sipas mendimeve, komenteve, vërejtjeve dhe propozimeve të paraqitura dhe ia dërgon ato propozuesit të projektaktit dhe anëtarëve të Këshillit Konsultativ. Një kopje e tyre shfaqet në faqen zyrtare të internetit të Këshillit Konsultativ.
16. Institucioni propozues nuk vijon procedurën e miratimit të projektaktit deri në marrjen e komenteve, mendimeve, vërejtjeve dhe propozimeve nga Sekretariati Teknik i Këshillit Konsultativ ose mbarimit të afatit për paraqitjen e tyre.
17. Këshilli Konsultativ zhvillon aktivitetin e tij nëpërmjet:
a) konsultimit dhe komunikimit on-line, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim;
b) mbledhjeve të punës;
c) mbledhjeve plenare.
18. Bashkëkryetarët e Këshillit Konsultativ kujdesen për organizimin dhe funksionimin e Këshillit dhe kryerjen e detyrave të tij sipas këtij vendimi. Rendi i ditës së mbledhjes së Këshillit Konsultativ dhe materialet shoqëruese të tyre bëhen kurdoherë publike në faqen e internetit të Këshillit.
19. Në bashkëpunim me Sekretariatin Teknik, bashkëkryetarët e Këshillit Konsultativ mund të thërrasin mbledhje pune të tij, e cila zhvillohet jo më herët se 7 ditë nga data e marrjes së njoftimit të mbledhjes nga anëtarët e Këshillit.
20. Bashkëkryetarët e Këshillit Konsultativ janë të detyruar të thërrasin mbledhjen e Këshillit në rast se jo më pak se 8 anëtarë të tij e kërkojnë me shkrim këtë gjë. Kërkuesit duhet të paraqesin në këtë rast rendin e ditës dhe materialet shoqëruese të tij. Mbledhja e punës zhvillohet jo më herët se 7 ditë nga data e depozitimit të kërkesës për thirrjen e mbledhjes.
21. Mbledhjet plenare të Këshillit Konsultativ zhvillohen në muajin mars dhe muajin tetor të çdo viti kalendarik. Rendi i ditës së mbledhjes plenare të Këshillit Konsultativ përcaktohet nga ministri përgjegjës për çështjet vendore në bashkëpunim me shoqatat përfaqësuese të njësive të vetëqeverisjes vendore.
22. Rendi i ditës së mbledhjes plenare të muajit tetor si rregull është vetëm për projektligjin e buxhetit të shtetit dhe projekligjet financiare që lidhen drejtpërdrejt me buxhetin e njësive të vetëqeverisjes vendore.
23. Me vendim të bashkëkryetarëve të Këshillit Konsultativ ose me vendim të Këshillit Konsultativ mund të krijohen komisione këshillimi, si struktura ad hoc për të mbuluar fusha dhe sektorë specifikë. Komisionet e këshillimit janë të përkohshme dhe përfundojnë funksionimin e tyre me kryerjen e detyrave që u janë ngarkuar. Në aktin e krijimit të komisioneve të këshillimit përcaktohen kryesuesi i tij dhe detyrat e ngarkuara.
24. Në mbledhjet e punës dhe mbledhjet plenare të Këshillit Konsultativ vendimet merren me konsensus. Në përfundim të mbledhjeve, Këshilli Konsultativ mund të miratojë rekomandime konkrete drejtuar institucioneve të qeverisjes qendrore apo institucioneve të tjera publike. Në rastet kur nuk arrihet konsensusi, mendimet e përfaqësuesve të njësive të vetëqeverisjes vendore, në mbështetje ose jo të projektakteve të propozuara të qeverisjes qendrore, i bashkëlidhen praktikës dokumentare që shoqëron procesin vijues të vendimmarrjes përkatëse në Këshillin e Ministrave ose në Kuvend.
25. Projektaktet që propozohen për miratim duhet të përshkruajnë zbatimin e procedurës së konsultimit sipas këtij vendimi dhe arsyet e mosreflektimit të vërejtjeve të paraqitura në përfundim të këtij konsultimi.
KREU V
SEKRETARIATI TEKNIK
26. Pranë Këshillit Konsultativ funksionon Sekretariati Teknik që kryen funksione ndihmëse dhe administrative. Rolin e Sekretariatit Teknik të Këshillit Konsultativ e kryen Agjencia e Zbatimit të Reformës Territoriale. Për kryerjen e funksioneve të sekretariatit teknik, AZRT-ja mund të mbështetet edhe nga donacione e ndryshme si dhe nga çdo burim tjetër i ligjshëm.
27.  Sekretariati Teknik kryen këto detyra:
a) Administron faqen zyrtare të internetit të Këshillit Konsultativ dhe përcakton rregullat e aksesit në këtë faqe;
b) Grumbullon dhe përpunon komentet, vërejtjet, sugjerimet dhe propozimet e anëtarëve të Këshillit Konsultativ dhe njësive të tjera të vetëqeverisjes vendore në procesin e konsultimit;
c) U dërgon anëtarëve të Këshillit Konsultativ, Këshillit të Ministrave, ministrive përkatëse ose institucioneve të tjera shtetërore informacionin e përpunuar dhe dokumentacionin shoqërues;
ç) Monitoron dhe zbaton rekomandimet e Këshillit Konsultativ;
d) Ndihmon dhe mbështet Këshillin Konsultativ në punën dhe mbarëvajtjen e takimeve;
dh) Me kërkesë të bashkëkryetarëve ose të Këshillit Konsultativ përgatit raporte dhe studime për çështje që lidhen me fushën e veprimtarisë së Këshillit;
e) Kujdeset për mbajtjen e procesverbaleve të mbledhjeve të punës dhe mbledhjeve plenare të Këshillit Konsultativ dhe i publikon ato në faqen e internetit;
ë) Përgatit informacion periodik për veprimtarinë e Këshillit Konsultativ;
f) Është përgjegjës për kryerjen e njoftimeve për anëtarët e Këshillit Konsultativ;
g) Me propozim të Këshillit Konsultativ, njofton dhe merr miratimin paraprak të çdo financimi me fonde publike apo lehtësi tjetër e dhënë nga njësitë e vetëqeverisjes vendore nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore pranë ministrisë përgjegjëse për ekonominë, në përputhje me legjislacionin për ndihmën shtetërore, përpara se skemat e ndihmës shtetërore të vihen në zbatim;
gj) Kryen detyra të tjera të përcaktuara nga Këshilli Konsultativ ose në këtë vendim.
KREU VI
DISPOZITA TË FUNDIT
29. Këshilli Konsultativ i Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore miraton me konsensus rregulloren e brendshme të organizimit dhe funksionimit.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.632, DATË 7.9.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT ‘ABAZ BEJ LUSHNJA’”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.632, datë 7.9.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Lista e pasurive të prekura ndryshohet sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Pika 3 ndryshohet si më poshtë:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë të përgjithshme të shpronësimit 10 969 849.29 (dhjetë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e dyzet e nëntë pikë njëzet e nëntë) lekë.”.
3. Pika 4 ndryshohet si më poshtë:
“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 10 969 849.29 (dhjetë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e dyzet e nëntë pikë njëzet e nëntë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.”.
   Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.577, DATË, 3.8.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “RIKONSTRUKSION I RRUGËS ‘MUJO ULQINAKU’ (SEG. DYTË) DHE RRUGËS ‘JAKOV MILE’, FIER””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.577, datë 3.8.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhet ky ndryshim:
– Numri rendor 2 i tabelës, që i bashkëlidhet vendimit në fuqi, ndryshohet, si më poshtë:
 

 

Nr.

 

 

Emër Mbiemër

 

Zona kadastrale

 

Nr. Pasurisë

 

Sip.përgj. Trualli m2

 

Sip. Prekur trualli m2

 

Çmimi për truallin lekë/m2

 

Vlera e truallit lekë

 

Vlera e përgj. lekë

 

Gjendja juridike e pasurisë

 

 

 

 

2

 

Kostandin Jani Boçova, Leonora Jani Shkurta, Theodhor Jani Boçova, Zhaneta Jani Mone, Virgjina Jani Petani, Sofie Jani Kule, Vasillaq Jani Boçova, Arsino Jani Boçova.

 

 

 

 

 

8533

 

 

 

 

7/929

 

 

 

 

410

 

 

 

 

10

 

 

 

 

11,026

 

 

 

 

110,260

 

 

 

 

110,260

 

 

 

Konfirmuar nga ZVRPP

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR 
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.914, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË PROKURIMIT PUBLIK”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 75, të ligjit nr.9643, datё 20.11.2006, “Pёr prokurimin publik”, tё ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 3, të nenit 76, të kreut IX, “Ekzekutimi dhe mbikëqyrja e kontratës”, të tekstit të rregullave të prokurimit publik, bashkëlidhur vendimit nr.914, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet nënpika, me këtë përmbajtje:
“-objekti i tyre është furnizim me karburant, gazoil, benzol dhe karburant për ngrohje, në varësi të kërkesës së autoritetit kontraktor, të sasisë së pacaktuar të kërkuar si dhe të çmimit të bursës, sipas Reuters, lëvruar sipas kushtit CIF-Shqipëri.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT NR.1 TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT, TË SIGURUARA NGA AGJENCIA SUEDEZE PËR ZHVILLIMIN E BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR (SIDA), NËN FONDIN SUEDEZ TË BESIMIT, PËR FONDIN E BESIMIT NR.TF072239, PËR PROJEKTIN E SHËRBIMEVE MJEDISORE ME SHQIPËRINË 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të  ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të ndryshimit nr.1 të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant, të siguruara nga Agjencia Suedeze për Zhvillimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar (SIDA), nën Fondin Suedez të Besimit, për Fondin e Besimit nr.TF072239, për projektin e shërbimeve mjedisore me Shqipërinë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M 
PER
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.555, DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË PUNONJËSVE ME ARSIM TË LARTË NË SISTEMIN E MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE SPITALIN USHTARAK QENDROR UNIVERSITAR, NË SISTEMIN E MINISTRISË SË MBROJTJES, TË PUNONJËSVE TË INFERMIERISTIKËS NË SISTEMIN E MINISTRISË SË SHËNDETËSISË E MINISTRISË SË MBROJTJES, SI DHE PËR TRAJTIMIN E MJEKËVE NË STRUKTURAT E FORCAVE TË ARMATOSURA”, TË NDRYSHUAR  
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të ligjit nr.147/2014, “Për shërbimin e urgjencës mjekësore”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
Në vendimin nr.555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Lidhja nr.1 (kreu 1.8), e përmendur në pikën 2, zëvendësohet me lidhjen nr.1 (kreu 1.8), që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Lidhja nr.2 (kreu 2.7), e përmendur në pikën 3, zëvendësohet me lidhjen nr.2 (kreu 2.7), që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Pas pikës 18 shtohet pika 19, me këtë përmbajtje:
“19. Trajnimi i personelit mjekësor, personelit paramedikal dhe publikut të gjerë kryhet nëpërmjet veprimtarive të trajnimit që organizohen nga vetë Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ose/dhe në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë apo qendrat spitalore.
Në rastet kur punonjësit e personelit mjekësor (me arsim të lartë) të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore marrin pjesë në veprimtaritë e trajnimit, (si për personelin mjekësor ashtu edhe për personelin paramedikal dhe publikun e gjerë), të cilat organizohen nga vetë qendra, për çdo orë mësimi 60-minutëshe përfitojnë trajtim me pagesë, si më poshtë vijon:
a) Trajnerët me më pak se 10 (dhjetë) vite punë në profesion përfitojnë një pagesë 750 (shtatëqind e pesëdhjetë) lekë për orë;
b) Trajnerët me më shumë se 10 vite punë në profesion përfitojnë një pagesë 1 500 (një mijë e pesëqind) lekë për orë.
Trajnerët të cilët janë punonjës të personelit mjekësor (me arsim të lartë) të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore e përfitojnë këtë pagesë deri në 200 (dyqind) orë në vit.
Në rastet kur trajnerët janë bashkëpunëtorë të jashtëm nga Universiteti i Mjekësisë apo nga qendrat spitalore, pagesa për orë do të jetë e njëjtë me trajnerët e brendshëm të qendrës.”.
4. Efektet financiare për paga e sigurime shoqërore përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë, për Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2017.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
KRITERET E ECURISË DHE FITIMIT TË GRADAVE, NJËSIMIN E FUNKSIONEVE KORRESPONDUESE PËR ÇDO GRADË, PARAQITJEN, FORMËN DHE SPECIFIKIMET TEKNIKE TË GRADAVE TË SHËRBIMIT TË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE SHPËTIMIN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 22, të ligjit nr.152/2015, “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Funksionet korresponduese për çdo gradë, sipas ligjit nr.152/2015, “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, si dhe ekuivalentimi i tyre me gradat e marra sipas ligjit nr.8643, datë 20.7.2000, “Për gradat në Policinë e Shtetit”, përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërese e tij.
2. Punonjësi i shërbimit të MZSH-së merr gradën e nivelit bazë, që i korrespondon funksionit që kryen, vetëm nëse në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi ka vjetërsi shërbimi në strukturat e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, jo më pak se:
a) 1 muaj për gradën “Asistent zjarrfikës”, ku përfshihet edhe periudha e trajnimit për këtë gradë;
b) 5 vjet për gradën “Zjarrfikës”;
c) 10 vjet për gradën “Kryezjarrfikës”.
3. Punonjësi i shërbimit të MZSH-së merr gradën e nivelit të mesëm, që i korrespondon funksionit që kryen, vetëm nëse në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi ka vjetërsi shërbimi në strukturat e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, jo më pak se:
a) 1 muaj për gradën “Inspektor zjarrfikës”, ku përfshihet edhe periudha e trajnimit; 1 muaj për gradën “Inspektor Zjarrfikës”, ku përfshihet edhe periudha e trajnimit për këtë gradë;
b) 4 vjet për gradën “Kryeinspektor zjarrfikës”;
c) 6 vjet për gradën “Komisar zjarrfikës”.
6 vjet gradën “Komisar Zjarrfikës”.
4. Punonjësi i shërbimit të MZSH-së merr gradën e nivelit të lartë, që i korrespondon funksionit që kryen, vetëm nëse në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi ka vjetërsi shërbimi në strukturat e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, jo më pak se:
a) 8 vjet për gradën “Drejtues zjarrfikës”;
b) 12 vjet për gradën “Drejtues i parë zjarrfikës”.
5. Punonjësi i shërbimit të MZSH-së merr gradën e nivelit madhor, që i korrespondon funksionit të drejtorit të Përgjithshëm të MZSH-së, vetëm nëse në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi ka vjetërsi shërbimi në strukturat e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, jo më pak se 14 vjet.
6. Punonjësi i shërbimit të MZSH-së, që nuk plotëson kriteret e vjetërsisë së shërbimit sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim, trajtohet me gradën paraardhëse për nivelin përkatës, për efekt të zbatimit të këtij vendimi.
7. Pas kalimit në sistemin e ri të gradave, fitimi dhe ngritja në gradën pasardhëse bëhen sipas afateve dhe kritereve të përcaktuara në nenet 25 dhe 26, të ligjit nr.152/2015, “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”.
8. Paraqitja, forma dhe specifikimet teknike të gradave janë përcaktuar në lidhjen nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
9. Vendimi nr.64, datë 2.2.2001, i Këshillit të Ministrave, “Për inkuadrimin e gradave ushtarake në gradat e Policisë së Shtetit dhe për përcaktimin e funksioneve, që do të ushtrohen sipas tyre”, i ndryshuar, nuk zbatohet për punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin.
10. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR 
PËRCAKTIMIN E FUNKSIONEVE KORRESPONDUESE DHE KATEGORIZIMI PËR GRADAT NË POLICINË E SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 61, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Funksionet korresponduese dhe kategorizimi për çdo gradë, në Policinë e Shtetit, përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Studenti që përfundon arsimin e lartë policor në një institucion jashtë vendit, të barazvlefshëm me Akademinë e Sigurisë, sipas marrëveshjeve të lidhura me shtetin ku studentët kanë përfunduar arsimin, si dhe kanë kryer njohjen dhe njehsimin e diplomave në Republikën e Shqipërisë, konform përcaktimeve në kuadrin ligjor në fuqi për arsimin e lartë, në momentin e emërimit për herë të parë në detyrë i jepet grada “Nënkomisar” dhe i nënshtrohen trajnimit në Akademinë e Sigurisë.
3. Punonjësit e Policisë së Shtetit, të emëruar në bazë të vendimit nr.917, datë 4.10.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.803, datë 21.11.2007, të Këshillit të Ministrave, ‘Për përcaktimin e funksioneve korresponduese për gradat në Policinë e Shtetit dhe ekuivalentimin e tyre’”, të ndryshuar, në funksione të njëjta apo të barazvlefshme me ato të parashikuara në këtë vendim, vazhdojnë të qëndrojnë në këto detyra, duke mbajtur gradën ekzistuese për një periudhë deri në 1 vit. Nëse gjatë kësaj periudhe këta punonjës nuk fitojnë gradën korresponduese të funksionit që mbajnë, emërohen në një funksion tjetër, në përputhje me gradën që kanë.
4. Vendimi nr.803, datë 21.11.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e funksioneve korresponduese për gradat në Policinë e Shtetit dhe ekuivalentimin e tyre”, i ndryshuar, shfuqizohet.
5. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M 
PER
KUFIZIMIN E SHKARKIMEVE TË PËRBËRËSVE ORGANIKË TË AVULLUESHËM NGA PËRDORIMI I TRETËSVE ORGANIKË NË DISA BOJËRA, LLAQE DHE PRODUKTE PËR LUSTRIMIN E MJETEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të nenit 15, të ligjit nr.162/2014, “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Qëllimi i këtij vendimi është të parandalojë ose të pakësojë ndotjen e ajrit nga ozoni troposferik, që formohet nga kontributi i përbërësve organikë të avullueshëm, nëpërmjet kufizimit të përmbajtjes totale të përbërësve organikë të avullueshëm në disa bojëra, llaqe dhe produkte për lustrimin e mjeteve.
2. Ky vendim përcakton specifikimet teknike për disa bojëra, llaqe dhe produkte për lustrimin e mjeteve, sipas shtojcës I bashkëlidhur këtij vendimi. Për produktet e sipërpërmendura janë gjithashtu të aplikueshme kërkesat dhe masat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve e të punonjësve si dhe mjedisin e tyre të punës, përfshirë kërkesat që lidhen me etiketimin e këtyre produkteve.
3. Të gjithë termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me termat e ligjit nr.162/2014, “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit të mjedisit”, dhe vendimit në fuqi të Këshillit të Ministrave për masat për kufizimin e shkarkimit të përbërësve organikë të avullueshëm nga përdorimi i tretësve organikë në disa veprimtari dhe instalime, ndërsa me termat e mëposhtëm nënkuptohen:
a) “Bojëra dhe llaqe”, produktet e listuara në nënkategorinë 1 të shtojcës I të këtij vendimi, me përjashtim të aerosolëve. Këto janë veshje që përdoren në ndërtesat, finiturat dhe stukimet si dhe në strukturat shoqëruese për qëllime mbrojtjeje, funksionimi dhe dekorimi;
b) “Përmbajtje VOC”, masa e përbërësve organikë të avullueshëm, e shprehur në gramë/litër (g/l), në përbërje të produktit të gatshëm për përdorim. Masa e përbërësve organikë të avullueshëm në një produkt të dhënë, i cili reagon kimikisht gjatë tharjes për të formuar pjesë të veshjes nuk konsiderohet pjesë e përmbajtjes së VOC-së;
c) “Produktet për lustrimin e mjeteve”, produktet e listuara në nënkategoritë 2 të shtojcës I këtij vendimi. Ato përdoren për lyerjen e mjeteve rrugore me motor, sipas përkufizimit në nenin 47, të                         ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar;
ç) “Shtresë”, një shtresë e pandërprerë që rezulton nga përdorimi i një ose më shumë veshjeve në një nënshtresë;
d) “Tretës organik”, çdo VOC i cili përdoret vetëm ose në kombinim me agjentë të tjerë për të tretur ose holluar lëndët e para, produktet ose mbetjet e materialeve. Tretësi organik përdoret edhe si agjent pastrimi për të tretur lëndët ndotëse, si shpërndarës mesatar, rregullues i viskozitetit, rregullues i tensionit sipërfaqësor, plastifikues ose si lëndë konservuese;
dh) “Veshje”, çdo përzierje, përfshirë të gjithë tretësit organikë ose përzierjet që përmbajnë tretës organikë të nevojshëm për përdorimin e tyre të përshtatshëm, e cila përdoret për të siguruar një shtresë me efekte dekoruese, mbrojtëse ose funksione të tjera në një sipërfaqe;
e) “Veshje me hollues uji (HU)”, veshjet, viskoziteti i të cilave rregullohet nga përdorimi i ujit;
ë) “Veshje me hollues tretës (HT)”, veshjet, viskoziteti i të cilave rregullohet nga përdorimi i tretësit organik;
f) “Vendosje në treg” ka të njëjtin kuptim me përkufizimin e dhënë në nenin 5, të ligjit nr. 27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”.
4. Shtojcat e mëposhtme i bashkëlidhen këtij vendimi dhe dhe janë pjesë përbërëse të tij:
a) Shtojca I “Produktet e listuara sipas nënkategorisë 1 dhe nënkategorisë 2”;
b) Shtojca II “Vlerat kufi të përmbajtjes maksimale të VOC-së për bojëra, llaqe dhe produktet për lustrimin e mjeteve”;
c) Shtojca III “Metodat analitike të testimit”.
KREU II
KËRKESAT PËR PRODUKTET QË VENDOSEN NË TREG
1. Ndalohen të vendosen në treg në territorin e Republikës së Shqipërisë produktet e listuara në shtojcën I, të cilat kalojnë vlerat kufi të përmbajtjes maksimale të VOC-së,  pas datave  të përcaktuara në shtojcën II.
2. Për të përcaktuar përputhshmërinë e produkteve me vlerat kufi të përmbajtjes së VOC-së sipas shtojcës II, përdoren metodat analitike të testimit në përputhje me përcaktimin e shtojcës III.
3. Për produktet e përcaktuara në shtojcën I, në të cilat shtohen tretës ose përbërës të tjerë që përmbajnë tretës për ta bërë produktin të gatshëm për përdorim, vlerat kufi të përcaktuara në shtojcën II zbatohen për përmbajtjen e VOC-së në produktin e gatshëm për përdorim.
4. Kërkesat e pikave 1 deri në 3, të këtij kreu, nuk zbatohen për tretësit organikë që përdoren në disa veprimtari dhe instalime industriale, të cilat mbulohen nga legjislacioni në fuqi për kufizimin e shkarkimit të përbërësve organikë të avullueshëm nga përdorimi i tretësve organikë në disa veprimtari dhe instalime.
5. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në raste përjashtimore, autorizon shitjen dhe blerjen në sasi të kufizuara strikte të produkteve që nuk arrijnë vlerat kufi të VOC-së, të përcaktuara në shtojcën II, vetëm për qëllime restaurimi dhe mirëmbajtjeje të ndërtesave e të mjeteve motorike me vlera muzeale kulturore dhe historike, të përcaktuara nga ministria përgjegjëse për kulturën.
6. Produktet, që janë objekt i këtij vendimi, të cilat janë prodhuar përpara datave të përcaktuara në shtojcën II dhe që nuk përmbushin vlerat kufi të përmbajtjes maksimale, mund të vendosen në treg për një periudhë 12-mujore nga data kur kërkesat që zbatohen për produktin në fjalë hyjnë në fuqi sipas përcaktimit të shtojcës II.
KREU III
ETIKETIMI DHE LËVIZJA E LIRË E PRODUKTEVE
1. Kur produktet e përcaktuara në shtojcën I vendosen në treg, duhet të jenë të pajisura me etiketë. Etiketa tregon:
a) nënkategorinë e produktit dhe vlerat kufi përkatëse të VOC-së në g/l, të referuara në shtojcën II;
b) përmbajtjen maksimale të VOC-së në g/l të produktit të gatshëm për përdorim.
2. Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial në ministrinë përgjegjëse për industrinë ndalon vendosjen në treg të produkteve që janë objekt i këtij vendimi, të cilat, në kushtet kur janë të gatshme për përdorim, nuk përputhen me kërkesat e këtij vendimi.
KREU IV
MONITORIMI DHE RAPORTIMI
1. Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial në ministrinë përgjegjëse për industrinë harton dhe zbaton programin e inspektimit për monitorimin e produkteve të vendosura në treg për të verifikuar përputhshmërinë me kërkesat e këtij vendimi.
2. Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial në ministrinë përgjegjëse për industrinë (ISHTI) dhe AKM-ja raportojnë në ministri përkatësisht për:
a) rezultatet e programit të monitorimit, referuar pikës 1, të këtij kreu;
b) kategoritë dhe sasitë e produkteve të autorizuara, në përputhje me kërkesat e pikës 5, të kreut II, të këtij vendimi.
3. Dy raportet e para paraqiten 18 muaj pas datës së parashikuar për përputhshmëri me vlerat kufi të përmbajtjes të VOC-së sipas përcaktimit të shtojcës II. Raportet vijuese paraqiten çdo 5 vjet.
4. Formati për paraqitjen e të dhënave nga monitorimi miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për mjedisin dhe ministrit përgjegjës për industrinë.
5. Në rastet e konstatimit të mospërputhshmërisë, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial zbaton sanksionet e përcaktuara në pikën 3, të nenit 35, të      ligjit nr.10489, datë 15.12.2011, “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, të ndryshuar.
KREU V
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE 
Ngarkohen Ministria e Mjedisit, ministria përgjegjëse për industrinë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet juridike me hyrjen në fuqi të ligjit nr.162/2014, “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”.
K R Y E M I N I S T R I  
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PER
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KABINETIT TË MINISTRAVE TË UKRAINËS, PËR HEQJEN E NDËRSJELLË TË KËRKESAVE PËR VIZË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kabinetit të Ministrave të Ukrainës, për heqjen e ndërsjellë të kërkesave për vizë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M 
PËR 
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.787, DATË 22.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN E KOMISIONEVE EPRORE TË CAKTIMIT TË AFTËSISË PËR PUNË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1, 2 e 3, të nenit 39/2, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministrit të Financave dhe ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në aneksin nr.1, që i bashkëlidhet vendimit nr.787, datë 22.9.2015, të Këshillit të Ministrave, numri 22, Dr.Afrim Dangëllia, mjek psikiatër, anëtar në Komisionin Epror Psikiatri-Okulistikë, në mbështetje të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 39/3, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, zëvendësohet me Dr.Anila Hashorva, mjeke psikiatre në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, anëtar në Komisionin Epror Psikiatri-Okulistikë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, deri në përfundimin e afatit të anëtarit të zëvendësuar.
2. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Shërbimi Social Shtetëror për zbatimin e këtij vendimi.
        Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
* * *
V E N D I M
PËR
RIKUPERIMIN E AVUJVE TË BENZINËS NË FAZËN E DYTË, GJATË MBUSHJES SË MJETEVE MOTORIKE NË STACIONET E SHITJES SË KARBURANTEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “ç”, të nenit 15, të ligjit nr.162/2014, “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave,
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Qëllimi i këtij vendimi është të përcaktojë masat për reduktimin e sasisë së avullit të benzinës të lëshuar në atmosferë gjatë mbushjes së mjeteve motorike në stacionet e shitjes së karburanteve.
2. Ky vendim zbatohet për të gjitha stacionet e shitjes së karburanteve.
3. Të gjithë termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me termat e ligjit nr.162/2014, “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit të mjedisit”, ndërsa termat e mëposhtëm nënkuptojnë:
a) “Avulli i benzinës”, çdo përbërës i gaztë, që avullon nga benzina;
b) “Benzinë”, benzina, sipas përcaktimit në vendimin nr.1075, datë 23.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për masat për kontrollin e shkarkimeve të përbërësve organikë të avullueshëm (VOC), që rezultojnë nga magazinimi dhe shpërndarja e benzinës nga terminalet në stacionet e shitjes së karburanteve”;
c) “Efiçenca e kapjes së avujve të benzinës”, vlera e shprehur në përqindje e raportit  të sasisë  së avujve të benzinës, të kapur nga faza II e sistemit të rikuperimit të avujve të benzinës, e krahasuar me sasinë e avujve të benzinës që, përndryshe, do të ishte lëshuar në atmosferë, në mungesë të një sistemi të tillë;
ç) “Sistem i rikuperimit të avujve të benzinës gjatë fazës II të mbushjes së mjetit motorik”, pajisja që ka si qëllim rikuperimin e avujve të benzinës të zhvendosur nga depozita e karburantit të mjetit motorik gjatë mbushjes në stacionin e shitjes së karburanteve, e cila i tranferon ato në depozitën e magazinimit në stacionin e shitjes së karburantit ose e kthen në automatin shpërndarës të benzinës për t’u rishitur;
d) “Organ i miratuar i vlerësimit të konformitetit”, ka të njëjtin kuptim sipas përcaktimit të ligjit nr.10489, datë 15.12.2011, “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, të ndryshuar”;
dh) “Raporti avull/benzinë”, raporti ndërmjet vëllimit në presion atmosferik të avujve të benzinës, që kalon nëpërmjet sistemit të  rikuperimit të avujve të benzinës gjatë fazës II të mbushjes së mjetit motorik dhe vëllimit të benzinës të shpërndarë;
e) “Rendiment”, sasia totale vjetore e benzinës së shkarkuar nga konteJnerët e lëvizshëm në stacionin e shitjes së karburanteve;
ë) “Stacion shitjeje karburanti”, stacioni i shitjes së karburanteve sipas përcaktimit në vendimin nr.1075, datë 23.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për masat për kontrollin e shkarkimeve të përbërësve organikë të avullueshëm (VOC) që rezultojnë nga magazinimi dhe shpërndarja e benzinës nga terminalet në stacionet e shitjes së karburanteve”;
f) “Stacion ekzistues për shitje karburantesh”, stacioni i shitjes së karburantit që është vënë në funksionim  përpara datës 1 janar 2019;
g) “Stacion i ri për shitje karburantesh”, stacioni i shitjes së karburanteve që është vënë në funksionim pas datës 1 janar 2019.
KREU II
STACIONET E SHITJES SË KARBURANTEVE
1. Operatori ekonomik i çdo stacioni të ri për shitjen e karburanteve e pajis atë me sistemin e  rikuperimit të avujve të benzinës gjatë fazës II të mbushjes së mjetit motorik, në qoftë se rendimenti i tij aktual ose i synuar është më i madh se:
a) 500 m3/në vit;
b) 100 m3/në vit dhe është vendosur në zona të banuara të përhershme/të përkohshme.
2. Operatori ekonomik i çdo stacioni ekzistues për shitjen e karburanteve, që i nënshtrohet një rinovimi të konsiderueshëm, e pajis atë me sistemin e  rikuperimit të avujve të benzinës gjatë fazës II të mbushjes së mjetit motorik gjatë kohës së rinovimit, në qoftë se rendimenti i tij aktual ose i synuar është më i madh se:
a) 500 m3/në vit;
b) 100 m3/në vit dhe është vendosur në zona të banuara të përhershme/të përkohshme.
3. Operatori ekonomik i çdo stacioni ekzistues për shitjen e karburanteve me rendiment mbi 3000 m3/në vit e pajis atë me sistemin e  rikuperimit të avujve të benzinës gjatë fazës II të mbushjes së mjetit motorik jo më vonë se data 31 dhjetor 2026.
4. Dispozitat e parashikuara në pikat 1, 2 dhe 3, të këtij kreu, nuk zbatohen për stacionet e shitjes të karburanteve që përdoren ekskluzivisht si shoqëruese të ndërtimit dhe të shpërndarjes së mjeteve të reja motorike.
5. Operatori ekonomik i stacionit të shitjes së karburanteve instalon një sistem monitorimi automatik, për të zbuluar automatikisht defektet e funksionimit të sistemit të rikuperimit të avujve të benzinës gjatë fazës II të mbushjes së mjetit motorik dhe të vetë sistemit të monitorimit automatik. Sistemi i monitorimit automatik i tregon operatorit ekonomik defektet në stacionet e shitjes së karburanteve dhe ndalon, automatikisht, rrjedhjen e benzinës nga shpërndarësi që ka defekt, në qoftë se defekti nuk zbuluar brenda 7 ditëve.
KREU III
NIVELI MINIMAL I RIKUPERIMIT TË AVUJVE TË BENZINËS
1. Nga data 31 dhjetor 2026, e përcaktuar në kreun II, për fillimin e zbatimit të sistemit të  rikuperimit të avujve të benzinës gjatë fazës II të mbushjes së mjetit motorik, efiçenca e kapjes së avujve të benzinës e sistemeve të tilla duhet të jetë e barabartë ose më e madhe se 85%, sipas certifikimit nga fabrikuesi, në përputhje me standartin EN 16321-1:2013.
2. Nga data 31 dhjetor 2026, e përcaktuar në kreun II, për fillimin e zbatimit të sistemit të  rikuperimit të avujve të benzinës gjatë fazës II të mbushjes së mjetit motorik, kur avujt e rikuperuar të benzinës transferohen në depozitën e magazinimit në stacionin e shitjes së karburanteve, raporti avull/benzinë duhet të jetë i barabartë ose më i madh se 0,95 dhe më i vogël ose i barabartë me 1,05.
KREU IV
INSPEKTIMET PERIODIKE 
1. Operatori ekonomik ia nënshtron sistemin e  rikuperimit të avujve të benzinës gjate fazës II të mbushjes së mjetit motorik një organi të miratuar sipas procedurave të ligjit nr.10489/2011 dhe në përputhje me standardin S SH EN 16321-1:2013;
2. Operatori ekonomik ia nënshtron testimin e sistemit automatik të monitorimit një organi të miratuar të vlerësimit të konformitetit, të paktën një herë në çdo 3 vjet.
3. Operatorët ekonomikë kryejnë kontrolle periodike, në lidhje me nivelin e shkarkimeve në ajër të avujve të benzinës, të cilët janë objekt inspektimi nga ana e inspektoratit përgjegjës për mjedisin.
4. Operatorët ekonomikë kryejnë kontrolle periodike të sistemit të  rikuperimit të avujve të benzinës gjatë fazës së II të mbushjes së mjetit motorik dhe të sistemit automatik të monitorimit, të cilët janë objekt inspektimi nga ana e inspektoratit përgjegjës për industrinë.
5. Inspektimi periodik dhe, sipas rastit, joperiodik i sistemeve të rikuperimit dhe të sistemeve automatike të monitorimit kryet nga organet e vlerësimit të konformitetit, të miratuara nga ministri përgjegjës për industrinë.
6. Kur operatori ekonomik i stacionit të shitjes së karburanteve instalon sistemin e  rikuperimit të avujve të benzinës gjatë fazës II të mbushjes së mjetit motorik, ai vendos një shenjë, shpallje apo njoftim tjetër mbi shpërndarësin e benzinës ose në afërsi të tij, për të informuar konsumatorin për këtë fakt.
7. Për mospërputhshmëri me kërkesat e këtij vendimi, inspektorati përgjegjës për mjedisin zbaton kërkesat e pikës 1, të nenit 20, të ligjit për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis.
KREU V
DISPOZITA PËRFUNDIMTARE 
Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Energjisw dhe Industrisë, inspektorati përgjegjës për mjedisin dhe inspektorati përgjegjës për industrinë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet juridike me hyrjen në fuqi të ligjit nr.162/2014, “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.