Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 21 Mars 2018

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 21 Mars 2018:

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME VENDIN PRITËS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT TË BALLKANIT PERËNDIMOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes me vendin pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE, PËR PROGRAMIN PËR DECENTRALIZIMIN DHE ZHVILLIMIN VENDOR (DLDP), FAZA 5, 1.1.2018-30.6.2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 22, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, për programin për decentralizimin dhe zhvillimin vendor (DLDP), faza 5, 1.1.2018 – 30.6.2019, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË FINLANDËS DHE SHTABIT TË KOMANDËS SUPREME ALEATE PËR TRANSFORMIMIN, SI DHE SHTABIT SUPREM TË FUQIVE ALEATE NË EVROPË, NË LIDHJE ME DHËNIEN E MBËSHTETJES SË SHTETIT PRITËS PËR KRYERJEN E OPERACIONEVE/STËRVITJEVE DHE AKTIVITETEVE USHTARAKE TË NGJASHME TË NATO-S DHE NOTËS SË PRANIMIT PËR T’U BËRË PJESË E TIJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Finlandës dhe Shtabit të Komandës Supreme Aleate për Transformimin, si dhe Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë, në lidhje me dhënien e mbështetjes së shtetit pritës për kryerjen e operacioneve/stërvitjeve dhe aktiviteteve ushtarake të ngjashme të NATO-s dhe notës së pranimit për t’u bërë pjesë e tij, sipas tekstit të memorandumit dhe notës bashkëlidhur.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET QEVERISË SË MBRETËRISË SË SUEDISË DHE SHTABIT TË KOMANDËS SUPREME ALEATE PËR TRANSFORMIMIN SI DHE SHTABIT SUPREM TË FUQIVE ALEATE NË EVROPË, NË LIDHJE ME DHËNIEN E MBËSHTETJES SË SHTETIT PRITËS PËR EKZEKUTIMIN E OPERACIONEVE/STËRVITJEVE DHE AKTIVITETEVE USHTARAKE TË NGJASHME TË NATO-S, DHE NOTËS SË PRANIMIT PËR T’U BËRË PJESË E TIJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet qeverisë së Mbretërisë së Suedisë dhe Shtabit të Komandës Supreme Aleate për Transformimin si dhe Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë, në lidhje me dhënien e mbështetjes së shtetit pritës për ekzekutimin e operacioneve/ stërvitjeve dhe aktiviteteve ushtarake të ngjashme të NATO-s, dhe notës së pranimit për t’u bërë pjesë e tij, sipas tekstit të memorandumit dhe notës bashkëlidhur.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

METODOLOGJINË E PROCESIT TË VLERËSIMIT TË VEPRIMTARISË KËRKIMORE-SHKENCORE TË NJËSIVE BAZË TË INSTITUCIONEVE TË ARSIMIT TË LARTË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozim të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Miratimin e metodologjisë së procesit të vlerësimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore të njësive bazë të institucioneve të arsimit të lartë, mbështetur në kriteret e vlerësimit, të përcaktuara në këtë vendim.

2. Kriteret vlerësimit të njësive bazë përfshijnë një listë treguesish që përllogariten sipas kontributit katërvjeçar të njësisë bazë në fushën e kërkimit shkencor, vlerësim i cili realizohet sipas një sistemi pikëzimi, të miratuar me urdhër të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

3. Njësitë bazë të institucioneve të arsimit të lartë, për efekt të procesit të vlerësimit, grupohen sipas fushave e nënfushave kryesore natyrore, inxhinierike e teknologjike, mjekësore, bujqësore, sociale e humane, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, llojeve të IAL-ve, formës së organizimit, publike apo jopublike, si dhe sipas veprimtarisë kryesore të departamenteve, qendrave kërkimore-shkencore apo qendrave studimore ndërdisiplinore.

4. Procesi i vlerësimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore të njësive bazë realizohet çdo katër vjet nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, në përputhje me kriteret e mëposhtme:

a) Kriteri bibliometrik:

i. Lista e artikujve të botuar në revista ndërkombëtare shkencore me faktor impakti, si dhe në revista akademike ndërkombëtare të indeksuara dhe të recensionuara;

ii. Lista e artikujve të botuar brenda vendit në revista shkencore dhe buletine shkencore të njohura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;

iii. Lista e monografive shkencore të botuara në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës, të vlerësuara si punime shkencore nga njësia bazë;

iv. Lista e monografive shkencore të botuara brenda vendit, të vlerësuara si punime shkencore nga njësia bazë;

v. Lista e kapitujve të librave akademikë, të redaktuar, të recensionuar dhe të botuar në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës dhe të vlerësuar si punime shkencore nga njësia bazë;

vi. Lista e kapitujve të librave akademikë, të redaktuar, të recensionuar dhe të botuar brenda vendit, si dhe të vlerësuar si punime shkencore nga njësia bazë.

b) Kriteri i impaktit të veprimtarisë kërkimore-shkencore:

i. Lista e patentave apo e shpikjeve të regjistruara pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale apo autoriteteve të huaja;

ii. Lista e projekteve kërkimore-shkencore të fituara nga programet kuadër të BE-së për kërkim shkencor, si koordinator projekti ose si partner në projekt;

iii. Lista e sipërmarrjeve të reja, të krijuara si rezultat i punës kërkimore-shkencore të njësisë bazë të institucioneve të arsimit të lartë;

iv. Lista e kontratave të shërbimit me objekt studimor.

c) Kriteri infrastrukturor:

i. Lista e laboratorëve shkencorë të akredituar ose jo;

ii. Lista e bibliotekave të profilizuara dhe kapaciteti fizik i tyre, i shprehur në vende/poste pune-kërkimi;

iii. Lista e arkivave dhe e koleksioneve shkencore;

iv. Lista e abonimeve në revista apo e botimeve shkencore periodike, përshirë dhe ato elektronike.

ç) Kriteri i kapaciteteve njerëzore:

i. Lista e personelit akademik të njësisë bazë, me tituj akademikë “Profesor”, “Profesor i asociuar”, “Lektor” dhe “Asistent lektor” , me kohë të plotë, në momentin e deklarimit;

ii. Lista e konferencave shkencore ndërkombëtare, të organizuara nga njësia bazë në bashkëpunim me homologët e saj, në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës;

iii. Lista e konferencave shkencore kombëtare të organizuara nga njësia bazë;

iv. Lista e pjesëmarrjes së personelit akademik të njësisë bazë, me referime shkencore, në konferenca shkencore ndërkombëtare në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës;

v. Lista e pjesëmarrjes me referime shkencore të personelit akademik të njësisë bazë në konferenca shkencore kombëtare;

vi. Lista e çmimeve ndërkombëtare shkencore të fituara nga personeli akademik i njësisë bazë në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës;

vii. Lista e çmimeve kombëtare shkencore të fituara nga personeli akademik i njësisë bazë;

viii. Lista e programeve të “Master ekzekutiv”, “Specializime afatgjata në mjekësi” dhe “Doktoratë”;

ix. Lista e personelit akademik të njësisë bazë, anëtarë në komitetet ose bordet shkencore të revistave shkencore periodike në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës;

x. Lista e personelit akademik të njësisë bazë, anëtarë në komitetet ose bordet shkencore për botime shkencore joperiodike në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës;

vii. Lista e personelit akademik të njësisë bazë, anëtarë në komitetet ose bordet shkencore të revistave shkencore vendase, të njohura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;

xi. Lista e personelit akademik të njësisë bazë, anëtarë në komitetet ose bordet shkencore për botime shkencore joperiodike vendase;

xii. Lista e personelit akademik të njësisë bazë, anëtarë të komiteteve shkencore të konferencave shkencore ndërkombëtare, të organizuara në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës;

xiii. Lista e recensuesve nga personeli akademik i njësisë bazë për artikuj shkencorë të botuar në vendet e BE-së, OECD-së dhe G-20-ës.

d) Kriteri i ndërkombëtarizimit:

i. Lista e studimeve dhe e kërkimeve lëndore ose ndërdisiplinore të aplikuara me partner të vendeve të OECD-së dhe BE-së/të tjerë;

ii. Lista e personelit akademik të njësisë bazë, të angazhuar në institucionet e arsimit të lartë të vendeve të OECD-së dhe BE-së, e matur person/në javë;

iii. Lista e personelit të huaj akademik të njësisë bazë nga vendet e OECD-së dhe BE-së, të ftuar pranë njësisë bazë, e matur person/në javë;

iv. Lista e programeve të studimit për “Master i shkencave” dhe të ciklit të tretë, të përbashkëta me IAL-të e huaja nga vendet e OECD-së dhe të BE-së, që përfundojnë me lëshimin e një diplome të përbashkët ose të dyfishtë.

5. Vlerësimi për çdo tregues që përbën kriteret e vlerësimit, në nivel njësie bazë, realizohet nëpërmjet një sistemi pikëzimi algoritmik, në mënyrë automatike nga platforma elektronike, Sistemi i Shqiptar i Informacionit të Kërkimit Shkencor – ACRIS.

6. Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit organizon, administron, monitoron dhe publikon rezultatet e procesit të vlerësimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore të njësive bazë të institucioneve të arsimit të lartë.

7. Institucioni i arsimit të lartë, pas marrjes së njoftimit nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, njofton dhe vendos afate për personelin akademik të njësive bazë, që të realizojnë procesin përkatës të plotësimit të të dhënave të kërkuara, në portalin “Vlerësimi i veprimtarisë kërkimore-shkencore”, në platformën ACRIS.

8. Drejtuesi i njësisë bazë udhëzon, monitoron dhe ndjek të gjitha vetëdeklarimet e të dhënave të veprimtarisë kërkimore–shkencore të njësisë bazë të institucionit të arsimit të lartë, duke kërkuar nga të gjithë anëtarët e njësisë përgjegjshmëri në plotësimin e informacionit, sipas kritereve të përcaktuara, në portalin “Vlerësimi i veprimtarisë kërkimore-shkencore”.

II. DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË E INSTITUCIONEVE GJATË PROCESIT TË VLERËSIMIT

1. Detyrat dhe përgjegjësitë e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit janë, si më poshtë:

a) Të organizojë dhe të administrojë procesin e vlerësimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore të njësisë bazë të institucionit të arsimit të lartë, nëpërmjet portalit “Vlerësimi i veprimtarisë kërkimore-shkencore”, në Shqipëri”;

b) Të njoftojë institucionet e arsimit të lartë, nëpërmjet manualeve elektronike dhe të shkruara, për mënyrën e regjistrimit të të dhënave nga njësitë bazë në sistem, për afatet e plotësimit të formularëve të vlerësimit on-line e të tjera;

c) Të publikojë raportin përfundimtar të vlerësimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore të njësive bazë të institucioneve të arsimit të lartë dhe renditjen e tyre, në formë elektronike dhe të printuar.

2. Detyrat dhe përgjegjësitë e drejtuesit të njësisë bazë dhe të drejtuesve të njësive kryesore në institucionet e arsimit të lartë gjatë procesit të vlerësimit janë, si më poshtë:

a) Të caktojë një person kontakti brenda njësisë bazë që ndjek procesin e realizimit në afat të vlerësimit;

b) Të koordinojë, të monitorojë dhe të ndjekë procesin e hedhjes së të dhënave nga personeli akademik i njësive bazë të IAL-ve, brenda afatit të përcaktuar.

III. ORGANIZIMI I PROCESIT TË VLERËSIMIT

1. Anëtarët e personelit akademik të njësisë bazë do të kenë akses individual të përdoruesit të kodifikuar dhe të mbrojtur, për vetëdeklarimin e veprimtarisë kërkimore–shkencore të drejtimeve kryesore të fushave të kërkimit dhe të disiplinave specifike.

2. Drejtuesi i njësisë bazë ka akses individual të përdoruesit të kodifikuar dhe të mbrojtur që shërben për ndjekjen dhe monitorimin e të dhënave të deklaruara nga anëtarët e personelit akademik të njësisë bazë.

3. Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit është përgjegjëse në bashkëpunim me Qendrën Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar për administrimin e portalit “Vlerësimi i veprimtarisë kërkimore-shkencore”, sigurimin dhe ruajtjen e të dhënave të publikuara, zbatimin standardeve të përgjithshme të vlerësimit dhe certifikimin e rezultateve të vlerësimit.

IV. PLAFTFORMA ON-LINE ACRIS – ALBANIA CURRENT RESEARCH INFORMATION SISTEM–PLATFORMA ON-LINE E SISTEMIT SHQITAR TË INFORMACIONIT TË KËRKIMIT SHKENCOR

1. Për vlerësimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore të njësive bazë të institucioneve të arsimit të lartë krijohet platforma e Sistemit Shqiptar të Informacionit të Kërkimit Shkencor-ACRIS, e cila shërben si bazë kombëtare të dhënash për kërkimin shkencor, sipas përcaktimeve të nenit 13, të ligjit nr.87/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, të realizuara mbi bazën e vlerësimit të veprimtarisë kërkimore–shkencore të njësive bazë të institucioneve të arsimit të lartë.

2. Në bazë të të dhënave të hedhura në sistemin ACRIS nga njësitë bazë të institucioneve të arsimit të lartë, vlerësimi gjenerohet me pikë, automatikisht nëpërmjet algoritmit kompjuterik të sistemit të pikëzimit, për çdo kriter e indikator të përcaktuar në këtë vendim.

3. Në bazë të këtij sistemi vlerësimi, njësitë bazë të institucioneve të arsimit të lartë renditen brenda së njëjtës fushë kërkimi dhe në bazë të IAL-ve, si dhe hartohet raporti përfundimtar që i përcillet Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë.

V. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Njësitë bazë të institucioneve të arsimit të lartë, që i nënshtrohen procesit të vlerësimit, brenda dhjetorit 2019, plotësojnë dhe vetëdeklarojnë në platformën ACRIS veprimtarinë e tyre kërkimore-shkencore, sipas treguesve të kritereve të përcaktuara në këtë vendim.

2. Procesi i vlerësimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore të njësive bazë të institucioneve të arsimit të lartë fillon jo më vonë se muaji tetor 2019.

3. Urdhri i ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë për sistemin e pikëzimit të treguesve, që përbëjnë kriteret e metodologjisë së vlerësimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore të njësive bazë miratohet brenda muajit maj 2018.

4. Kriteret dhe procedurat për vlerësimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore të njësive bazë për institucionet e arsimit të lartë me drejtim ushtarak, policor, artistik dhe sportiv, përcaktohen me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave.

5. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, institucionet e arsimit të lartë, Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit dhe Rrjeti Akademik Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I ST R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

NEGOCIIMIN ME PARTNERIN PRIVAT TË PËRZGJEDHUR NGA SHOQËRIA “ALBGAZ”, SH.A., PËR KRIJIMIN E NJË SHOQËRIE TË PËRBASHKËT PËR MIRËMBAJTJEN E RRJETIT TË TRANSMETIMIT TË NDËRTUAR NGA TRANS ADRIATIC PIPELINE AG NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Nëmbeshtetje të neneve 95 dhe 100, të Kushtetutës, dhe të vendimit nr.233, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e marrëveshjes së angazhimit për zhvillimin e tregut të gazit dhe marrëveshjes për përfitimet vendase, të lidhura ndërmjet Republikës së Shqipërisë, e cila vepron nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë ecurinë e negociimit me partneritetin privat të përzgjedhur nga shoqëria “Albgaz”, sh.a., për mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit të ndërtuar nga Trans Adriatic Pipeline AG në territorin e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet krijimit të një shoqërie të përbashkët me këtë partner privat.

2. Në kuptim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) Shoqëria “Albgaz”, sh.a. është shoqëri me kapital 100 % shtetëror, që vepron si operator i kombinuar i gazit natyror duke kryer veprimtarinë e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes;

b) “Institucion përgjegjës” është shoqëria “Albgaz”, sh.a.

c) “Partner privat” është ofertuesi i shpallur fitues i procedures konkurruese për mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit të ndërtuar nga dhe nën pronësinë e Trans Adriatic Pipeline AG në territorin e Republikës së Shqipërisë, Operatori Italian i Transmetimit të Gazit Natyror, SNAM s.p.a, me të cilin shoqëria “Albgaz”, sh.a, do të krijojë një shoqëri të përbashkët të inkorporuar në formën ligjore, sipas parashikimeve të ligjit për shoqëritë tregtare.

3. Komisioni i negociimit të marrëveshjes me partnerin privat të përzgjedhur, me të cilin do të krijohet shoqëria e përbashkët e inkorporuar, ngrihet me urdhër të ministrit që përfaqëson Asamblenë e Aksionerit të Vetëm dhe përbëhet nga shtatë anëtarë. Anëtarë të këtij grupi janë dy përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, dy përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, një përfaqësues nga Avokatura e Shtetit, si dhe dy përfaqësues nga shoqëria “Albgaz”, sh.a. Kryetar i grupit është administratori i shoqërisë “Albgaz”, sh.a.

4. Brenda 5 (pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, titullarët e institucioneve dërgojnë emrat e anëtarëve përfaqësues në këtë komision në shoqërinë “Albgaz”, sh.a.

5. Nuk mund të marrin pjesë në komisionin e negociimit personat që kanë konflikt interesi me ofertuesit, sipas kuptimit të ligjit “Për konfliktin e interesit”.

6. Procedurat e negociimit përfundojnë jo më vonë se 90 (nëntëdhjetë) ditë nga data e hyrjes në fuqi e këtij vendimi.

7. Kontrata përmban kërkesat që burojnë nga legjislacioni në fuqi, kushtet kryesore të negociimit me shoqërinë TAP AG, termat e referencës së procedurës së përzgjedhjes, si dhe parashikon ato terma që vlerësohen të përshtatshëm nga palët për realizimin e qëllimit të bashkëpunimit, duke përfshirë raportin e aksioneve dhe kushtet kryesore të ushtrimit të aktivitetit.

8. Shoqëria “Albgaz”, sh.a., pas negociimit të kontratës së partnertitetit kërkon miratimin e shoqërisë Trans Adriatic Pipeline AG.

9. Pas marrjes se miratimit nga shoqëria Trans Adriatic Pipeline AG, shoqëria “Albgaz”, sh.a., paraqet për miratim te organet e shoqërisë, përkatësisht Këshilli Mbikëqyrës dhe Asambleja e Aksionerit të Vetëm, raport të detajuar për negociatat për të gjitha elementet e marrëveshjes me ofertuesin e përzgjedhur, përfshirë projektin përfundimtar të marrëveshjes për krijimin e shoqërisë të përbashkët të inkorporuar në formën ligjore të shoqërisë aksionare.

10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Avokatura e Shtetit dhe shoqëria “Albgaz”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

PAGESËN E PJESËMARRJES NË KURSET E FORMIMIT PROFESIONAL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 12, të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Punëkërkuesit e papunë, të cilëve u është ofruar dhe kanë pranuar të marrin pjesë në një kurs të formimit profesional (kurse profesionesh), mund të përfitojnë një pagesë pjesëmarrjeje në kurs, në masën 50% të së ardhurës nga papunësia, me kusht që ata të mos përfitojnë gjatë kësaj periudhe ndihmën ekonomike ose pagesën e papunësisë.

2. Pagesa jepet për ndjekjen vetëm të një kursi, gjatë gjithë kohëzgjatjes së tij.

3. Punëkërkuesit e papunë, sipas pikës 1, përfitojnë një herë të vetme nga ky program.

4. Në zyrën e punësimit ngrihet komisioni i vlerësimit, i përbërë nga, të paktën, tre persona, i cili vlerëson rast pas rasti punëkërkuesit të cilët do të marrin këtë pagesë, sipas kritereve të përcaktuara në rregulloren përkatëse, të përcaktuar në pikën 11, të këtij vendimi.

5. Pagesa kryhet nga zyra përkatëse e punësimit, pas dërgimit të një konfirmimi nga institucioni ofrues i kursit që pjesëmarrja në programin e formimit profesional është e rregullt.

6. Drejtoritë rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit informojnë çdo muaj drejtoritë rajonale të shërbimit social shtetëror për personat që kanë përfituar nga programet e formimit profesional, shoqëruar me listën emërore dhe programin, nga i cili kanë përfituar.

7. Në rastet kur vendbanimi i punëkërkuesit të papunë është mbi 2 km larg institucionit ofrues të kursit të formimit profesional, zyra e punësimit paguan një kosto mujore transporti, në masën e përcaktuar në kuadrin ligjor për tarifat e transportit të udhëtarëve.

8. Financimi i këtij programi mbulohet nga fondet vjetore të buxhetit të shtetit, zëri “Nxitja e punësimit”, miratuar për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

9. Shërbimi Kombëtar i Punësimit monitoron ecurinë e programit dhe përgatit raporte vjetore, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës, të cilat ia paraqet strukturës së ndihmës shtetërore në ministrinë përgjegjëse.

10. Programi të fillojë të zbatohet gjatë vitit 2018 dhe kohëzgjatja e tij të jetë 5 (pesë) vjet.

11. Ngarkohen ministria përgjegjëse për ҫështjet e punësimit për mbikëqyrjen e zbatimit të programit dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit për nxjerrjen e rregullores së komisionit të vlerësimit dhe të kritereve të miratimit të pagesës në zbatim të programit, nëpërmjet strukturave në varësi të tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

PAGESËN E SË ARDHURËS NGA PAPUNËSIA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 54, pikat 1 e 2, dhe 55, pika 1, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e programit të pagesës të së ardhurës nga papunësia, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

2. Përfitojnë të ardhura nga papunësia të gjithë personat e siguruar, të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara në nenin 53, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

3. Nuk përfitojnë të ardhura nga papunësia personat, të cilët:

a) ndërpresin aktivitetin si punëdhënës dhe të vetëpunësuar;

b) largohen nga puna me dëshirën e tyre;

c) plotësojnë kriteret për pension pleqërie, invaliditeti apo familjar, paaftësi të përkohshme në punë apo sëmundje profesionale.

4. Personave, të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, u paguhet e ardhura e pagesës së papunësisë në varësi të periudhës së kontributit në sigurimet shoqërore, derdhur nga punëdhënësi, si më poshtë vijon:

a) 3 (tre) muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën, 1 (një) vit;

b) 6 (gjashtë) muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën, 3 (tre) vjet;

c) 9 (nëntë) muaj, për personat me një periudhë kontributi, të paktën, 5 (pesë) vjet;

ç) 12 (dymbëdhjetë) muaj, për personat me një periudhë kontributi mbi 10 (dhjetë) vjet;

d) Personat gra mbi 55 (pesëdhjetë e pesë) vjeç dhe burra mbi 60 (gjashtëdhjetë) vjeç përfitojnë pagesë papunësie 12 (dymbëdhjetë) muaj, me kusht që të kenë kontribuar 1 (një) vit në sigurimet shoqërore, për çdo rast përfitimi.

5. Për rastet e paraqitjes së kërkesave të përsëritura për përfitim, llogaritja e periudhës së kontributeve fillon me përfitimin e fundit të pagesës të të ardhurave nga papunësia.

6. Personat, të cilët aplikojnë për të përfituar të ardhura nga papunësia, duhet të paraqesin dokumentacionin, si më poshtë vijon:

a) Kërkesë për aplikim;

b) Librezë pune;

c) Dokument identiteti (fotokopje);

ç) Vërtetim për ndjekjen e arsimit të mesëm, për fëmijët në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, dhe për personat që ndjekin arsimin e lartë apo janë të paaftë (KMCAP), deri në moshën 25 vjeç.

7. Zyrat e punësimit kanë përgjegjësinë të sigurojnë, për secilin aplikues, dokumentacionin, si më poshtë vijon:

a) Certifikatë të gjendjes familjare;

b) Vërtetim nga dega e tatim-taksave se personi nuk është subjekt i regjistruar pranë këtyre organeve;

c) Vërtetim nga dega e tatim-taksave ose e sigurimeve shoqërore se personi ka derdhur kontribute për periudhën e kërkuar, përkatësisht sipas shkronjave “a, “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 4.

8. Personave përfitues të pagesës të së ardhurës nga papunësia u ndërpritet përfitimi kur:

a) refuzojnë të punësohen ose të ndjekin një program punësimi të përshtatshëm, të ofruar nga zyra e punësimit;

b) refuzojnë të marrin pjesë në kurse trajnimi dhe kualifikimi, të ofruara nga zyra e punësimit;

c) nuk paraqiten një herë në muaj;

ç) plotësojnë kriteret për pension pleqërie, invaliditeti apo familjar.

9. Personat duhet të njoftojnë brenda 5 (pesë) ditëve zyrën përkatëse të punësimit nëse gjatë periudhës së përfitimit të pagesës të së ardhurës nga papunësia:

a) punësohen ose vetëpunësohen;

b) kanë ndryshime në gjendjen familjare (lindje apo vdekje);

c) personat që ka në ngarkim të tij kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe ata që studiojnë apo janë të paaftë (KMCAP) kanë mbushur moshën 25 vjeç.

Në të kundërt, ata duhet të kthejnë shumën e të ardhurave që kanë përfituar gjatë kësaj periudhe në mënyrë të padrejtë, në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore.

10. Masa e nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia për çdo përfitues është 50% e pagës minimale në shkallë vendi.

11. Personat, të cilët plotësojnë kushtet për përfitimin e së ardhurës nga papunësia, kanë të drejtë të marrin të ardhura shtesë familjare mbi masën e nivelit bazë, në masën 5% të të ardhurave nga papunësia, për çdo fëmijë në ngarkim, deri në moshën 18 vjeç, si dhe për personat që janë duke vazhduar studimet ose janë të paaftë (KMCAP), deri në moshën 25 vjeç. Shtesa familjare për çdo fëmijë, në masën 5% të nivelit bazë, nuk duhet të jetë më shumë se 30%.

12. Fëmijët mbi moshën 15 vjeç (mosha minimale sipas Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë), të cilët janë në ngarkim të personit përfitues të së ardhurës nga papunësia dhe që nuk janë të përfshirë në sistemin arsimor, nuk do të përfitojnë shtesën familjare prej 5%.

13. Kur prindërit janë të divorcuar me vendim gjykate, shtesën familjare e merr prindi që ka fëmijën në ngarkim.

14. Në rastet e punësimit të përkohshëm gjatë periudhës së përfitimit të pagesës të së ardhurës nga papunësia, e ardhura e papunësisë merret me ndërprerje, si më poshtë vijon:

a) Brenda 6 (gjashtë) muajve, për personat që e përfitojnë pagesën për 3 (tre) muaj;

b) Brenda 12 (dymbëdhjetë) muajve, për personat që e përfitojnë pagesën për 6 (gjashtë) muaj;

c) Brenda 18 (tetëmbëdhjetë) muajve, për personat që e përfitojnë pagesën për 9 (nëntë) muaj;

ç) Brenda 24 (njëzet e katër) muajve, për personat që e përfitojnë pagesën për 12 dymbëdhjetë) muaj.

15. Përfituesi i pagesës të së ardhurës nga papunësia është i detyruar të paraqitet në zyrën e punësimit një herë në muaj për të konfirmuar prezencën e tij ose sa herë thirret nga kjo zyrë, me qëllim punësimin e tij.

16. Rastet e përligjura, kur përfituesi është i justifikuar për mosparaqitje, janë:

a) sëmundje, e vërtetuar me dokumente (fletë-shtrimi në spital);

b) vdekja e një pjesëtari të familjes, e vërtetuar me certifikatë vdekjeje;

c) ndalimi nga organet e drejtësisë.

17. Për të gjitha rastet e përmendura në pikën 16, pagesa e së ardhurës nga papunësia nuk do të regjistrohet në listëpagesën e muajit. Kjo e ardhur do të paguhet në momentin që personi paraqitet në zyrën e punësimit me një nga dokumentet justifikuese. Në rast të kundërt, kjo pagesë do të derdhet në buxhetin e shtetit dhe është e pakthyeshme.=

18. Pagesa e së ardhurës nga papunësia është mujore dhe paguhet përpjesëtimisht me numrin e ditëve kalendarike, për kohën që përfituesi ka të drejtë ta marrë këtë të ardhur. Pagesa merret një herë në muaj, pranë bankës përkatëse.

19. Periudha, gjatë së cilës përfituesi merr pagesën e së ardhurës nga papunësia, njihet si vjetërsi pune, e siguruar për efekt pensioni pleqërie, familjar dhe invaliditeti.

20. Në rast se gjatë kohës së përfitimit të së ardhurës nga papunësia përfituesi largohet me banim (leje banimi) në një vend tjetër, zyra e punësimit dërgon zyrtarisht dosjen me dokumentacionin përkatës në zyrën e punësimit të rrethit ku ai është transferuar.

21. Punëkërkuesi i papunë, i cili qendrën e fundit të punës e ka në juridiksionin e një zyre tjetër punësimi nga vendbanimi aktual, pasi të ketë konfirmuar formularin e dyfishtë në organet e sigurimeve shoqërore, ku ka qenë qendra e fundit e punës së tij, fillon procedurën e aplikimit. Caktimi i përfitimit bëhet në zyrën e punësimit ku ka vendbanimin aktual.

22. Financimi i programit të pagesës të së ardhurës nga papunësia mbulohet nga fondet vjetore të buxhetit të shtetit, në zërin 606, “Pagesa e së ardhurës nga papunësia”, miratuar për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

23. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.223, datë 19.4.2006, “Për pagesën e së ardhurës nga papunësia”, i ndryshuar, dhe nr.192, datë 9.3.2016, “Për caktimin e nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia”, shfuqizohen.

24. Ngarkohen ministria përgjegjëse për ҫështjet e punësimit për nxjerrjen e udhëzimit “Për mënyrën e zbatimit të vendimit të Këshillit të Ministrave “Për pagesën e së ardhurës nga papunësia”” dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS SË VEÇANTË TË PËRSHPEJTUAR DHE TË KRITEREVE PËR PËRZGJEDHJEN E KONSULENTIT QË DO TË ASISTOJË KOMISIONIN PËR NEGOCIIMIN DHE LIDHJEN E KONTRATËS, NDËRMJET SHTETIT SHQIPTAR DHE SHOQËRIVE “ÇENGIZ CONSTRUCTION & KALYON & KOLIN CONSTRUCTION”, ME OBJEKT PROJEKTIMIN, NDËRTIMIN, OPERIMIN, MIRËMBAJTJEN DHE MENAXHIMIN E AEROPORTIT TË VLORËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 2, të ligjit nr.4/2018, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Çengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Aeroportit të Vlorës”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë ngarkohet me cilësinë e autoritetit kontraktor që të krijojë komisionin për ndjekjen e procedurave për përzgjedhjen me procedurë të veçantë të konsulentit për negociimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Çengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Aeroportit të Vlorës”.

2. Komisioni të përbëhet nga jo më pak se tre anëtarë, specialistë të fushave përkatëse të autoritetit kontraktor (juristë, ekonomistë dhe inxhinierë).

3. Komisioni do të kryejë identifikimin e shoqërive konsulente që ofrojnë shërbim në fushën e këshillimit juridiko-financiar e teknik, bazuar edhe në eksperiencat e mëparshme të bashkëpunimit të shtetit shqiptar me këto shoqëri, si dhe në vlerësimet e këtyre konsulentëve në publikime kombëtare dhe ndërkombëtare.

4. Ftesa për ofertë duhet të përmbajë specifikimin e objektit dhe të llojit të shërbimit të kërkuar, nevojën e kontraktimit të konsulentëve, kriteret e përgjithshme e të veçanta që duhet të plotësohen nga konsulentët dhe datën përfundimtare të pranimit të kërkesës nga të interesuarit dhe:

a) në çdo rast, numri i shoqërive të identifikuara nuk duhet të jetë më i vogël se tre;

b) komisioni fton të gjitha shoqëritë që të paraqesin dokumentacionin për të provuar kapacitetin e tyre për përmbushjen e objektit të kësaj kontrate, brenda një periudhe jo më shumë se 7 ditë nga data e dërgimit të ftesës. Ftesa dhe kriteret e përzgjedhjes duhet të përmbajnë elementet që përcaktohen në këtë vendim;

c) komisioni vlerëson kompanitë që përmbushin kriteret dhe i fton ato për paraqitjen e ofertës teknike dhe financiare;

ç) në përfundim të vlerësimit, komisioni harton një raport përmbledhës për zhvillimin e procedurës dhe ia paraqet për miratim titullarit të autoritetit kontraktor;

d) komisioni vazhdon vlerësimin edhe në rast të paraqitjes së një oferte/operatori ekonomik të vetëm, brenda afatit të fundit të paraqitur në ftesën për ofertë;

dh) në rast kualifikimi të një ose më shumë ofertave, komisioni i lë kohën e nevojshme, por jo më shumë se 10 (dhjetë) ditë pune, ofertuesit/ofertuesve për paraqitjen e ofertës tekniko-financiare.

e) pas paraqitjes së ofertave/ofertës, komisioni, brenda 5 (pesë) ditëve pune, bën vlerësimin përfundimtar dhe harton raportin përfundimtar sipas përcaktimit në shkronjën “ç”, të këtij neni.

5. Kriteret ligjore, teknike dhe financiare që duhet të plotësojnë ofertuesit/operatorët ekonomikë për pjesëmarrje dhe kualifikim janë, si më poshtë:

a) Të kenë dokumentacionin e regjistrimit në QKB ose një dokument ekuivalent për operatorët e huaj;

b) Të kenë një vetëdeklarim që operatori nuk është në proces falimentimi dhe në ndjekje penale;

c)Të kenë, të paktën, një kontratë për shërbim të ngjashëm, të realizuar brenda tri viteve të fundit. Shërbimi duhet të jetë ofruar dhe realizuar për një investim me vlerë minimale 70 000 000 (shtatëdhjetë milionë) euro;

ç) Të kenë një xhiro vjetore mesatare të tri viteve të fundit jo më pak se 50% të vlerës së investimit;

d) Të kenë një përshkrim të detajuar i metodologjisë që do të përdoret për realizimin e shërbimit të kërkuar të shoqëruar me një grafik të hapave që do të ndërmerren dhe afatet përkatëse.

6. Ofertat e kualifikuara do të vlerësohen në bazë të çmimit të ofruar. Oferta me çmimin më të ulët do të jetë oferta fituese. Fondi limit është 20 000 000 (njëzet milionë) lekë, pa përfshirë TVSH-në.

7. Operatorët duhet të paraqesin ofertat e tyre, në zarfa të mbyllur, të firmosur dhe të vulosur me shënimin:

 “Për procedurën e veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Aeroportit të Vlorës”.

 Të mos hapen para datës dhe orës së përcaktuar në ftesën për ofertë.

 Autoritetin kontraktues dhe adresën.

 Emrin e ofertuesit dhe adresën e tij, kontaktin telefonik, e-mail.

Në ofertën e tyre konsulentët mund të deklarojnë që do të bashkëpunojnë me firma lokale për çështje të ndryshme teknike.

8. Ofertat hapen nga komisioni në vendin, datën dhe orën e përcaktuar në ftesën për ofertë. Komisioni shqyrton dokumentacionin e paraqitur nëse është në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi dhe ftesës për ofertë.

Komisioni, brenda 3 (tri) ditëve pune, njofton dhe fton ofertuesit e kualifikuar për paraqitjen e ofertës teknike dhe financiare, ndërsa ofertuesit e pasuksesshëm për arsyet e skualifikimit.

9. Ofertuesi i skualifikuar ka të drejtën e ankimimit pranë titullarit të autoritetit kontraktor. Titullari i autoritetit kontraktor cakton një person për shqyrtimin e ankesës dhe i kthen përgjigje brenda 2 (dy) ditëve.

Në rast se ankesa merret në konsideratë, operatorit i lihen në dispozicion 10 (dhjetë) ditëve për përgatitjen e ofertës tekniko-financiare. Ky vendim i bëhet i ditur edhe operatorëve të tjerë të kualifikuar duke përcaktuar afatin e ri.

Ankimimi nuk e pezullon procedurën e garës.

10. Pas miratimit të raportit përmbledhës nga titullari i autoritetit kontraktor, komisioni, brenda 5 (pesë) ditëve, fton operatorin fitues të negociojë kushtet e kontratës. Çmimi si kriter i vlerësimit është kusht i panegociueshëm. Palët duhet të përfundojnë negociimin brenda 7 (shtatë) ditëve. Nëse dështojnë negociatat me operatorin fitues ose nëse ai tërhiqet, komisioni fton për negociim operatorin e radhës, nëse ka. Në rast se nuk mbetet asnjë ofertues në garë, autoriteti kontraktor do të rihapë garën.

11. Në rast të një procedure të suksesshme për negociimin dhe nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës me shoqëritë “Çengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, komisioni i negociimit të kontratës do të vendosë si kusht në kontratën e konsulencës edhe detyrimin e këtyre shoqërive për të paguar vlerën përkatëse të paguar nga autoriteti kontraktor për konsulencën e dhënë nga operatori ekonomik fitues.

12. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi me botimin në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.513, DATË 13.6.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE E TË DOKUMENTACIONIT PËR HYRJEN, QËNDRIMIN DHE TRAJTIMIN E TË HUAJVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 30, të ligjit nr.108/2013, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në aneksin nr.3, “Lista e shteteve, shtetasit e të cilave hyjnë pa viza në Republikën e Shqipërisë dhe çfarë dokumenti duhet të paraqesin”, që i bashkëlidhet vendimit nr.513, datë 13.6.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohen fjalët “… Rusi, Arabi Saudite, Bjellorusi, Gjeorgji, Katar, Oman, Tajlandë, Kinë dhe Bahrejn, me dokumentin pasaportë, për periudhën 1 prill deri më 31 tetor 2018.”.

2. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.