Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 21 Mars 2020:

 

V E N D I M

PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIN 2020, MIRATUAR PËR MINISTRINË E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE, PËR MARRJEN E MASAVE PËR PLOTËSIMIN E NEVOJAVE PARAPRAKE PËR INFEKSIONIN E SHKAKTUAR NGA COVID-19

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në programin “Planifikim, Menaxhim dhe Administrimi”, i shtohet fondi prej 400 000 000 (katërqind milionë) lekësh për marrjen e masave për plotësimin e nevojave paraprake për infeksionin e shkaktuar nga COVID-19, i ndarë, përkatësisht,:

⦁ 200 000 000 (dyqind milionë) lekë në kategorinë e shpenzimeve kapitale;
⦁ 200 000 000 (dyqind milionë) lekë në kategorinë e shpenzimeve korrente.

2. Efekti financiar, prej 400 000 000 (katërqind milionë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2020.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E KONTRATËS ME OBJEKT “BLERJE MATERIALE PËR MBROJTJEN PERSONALE (MMP) PËR COVID-19”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 1, të kreut VII, të vendimit nr.203, datë 26.2.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat që përdoren për lidhjen e kontratave që diktohen nga interesa thelbësore të shtetit” me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e kontratës me objekt “Blerje materiale për mbrojtjen personale (MMP) për COVID-19”, me palë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe bashkimin e operatorëve, shoqëria “Farma Net Albania”, sh.p.k. dhe shoqëria “Euromed”, sh.p.k., me vlerë 346 105 800 (treqind e dyzet e gjashtë milionë e njëqind e pesë mijë e tetëqind) lekë me TVSH, të zhvilluar me procedurën e drejtpërdrejtë me fond limit 307 864 333 (treqind e shtatë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e treqind e tridhjetë e tre) lekë pa TVSH, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

CAKTIMIN E INSTITUTIT KOMBËTAR TË TRASHËGIMISË KULTURORE SI NJËSI ZBATUESE, DHE PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, MIRATUAR NË BUXHETIN E VITIT 2020, PËR FINANCIMIN E RESTAURIMIT/RINDËRTIMIT TË PASURIVE KULTURORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, pika 3, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe të ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Caktimin e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), si njësi zbatuese për rindërtimin/restaurimin e pasurive kulturore në njësitë territoriale të bashkive Tiranë, Durrës, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Rrogozhinë e Vorë, dhe përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e vitit 2020, për financimin e rindërtimit/restaurimit të pasurive kulturore, gjithsej, në vlerën 236 627 069 (dyqind e tridhjetë e gjashtë milionë e gjashtëqind e njëzet e shtatë mijë e gjashtëdhjetë e nëntë) lekë, përkatësisht:

a) Vlerën prej 197 500 584 (njëqind e nëntëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind mijë e pesëqind e tetëdhjetë e katër) lekësh pa TVSH, për:

i. hartimin e projekteve të detyruara për restaurimin/rindërtimin e pasurive kulturore, të dëmtuara;
ii. rishikimin e projekteve të hartuara për restaurimin/rikonstruksionin e objekteve pasuri kulturore, të dëmtuara;
iii. realizimin e studimeve të thelluara komplekse, përfshirë studime gjeologjike, rilevime me aparatura bashkëkohore, sisteme monitorimi të strukturave, të objekteve pasuri kulturore, të dëmtuara.

b) Vlerën prej 39 126 485 (tridhjetë e nëntë milionë e njëqind e njëzet e gjashtë mijë e katërqind e tetëdhjetë e pesë) lekë pa TVSH, për realizimin e veprimtarive arkeologjike (vëzhgim sipërfaqësor, sondazhe arkeologjike dhe monitorim) në zonat e përcaktuara për hartimin e planeve të detyruara vendore.

3. Në fund të vitit buxhetor, fondet e pashpenzuara, pas përfundimit të procedurave në zbatim të këtij vendimi, kthehen në buxhetin e fondit për rindërtimin dhe trashëgohen në vitin pasardhës.

4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Kulturës dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.