Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Janar 2020:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR MOSPËRHAPJEN E ARMËVE TË DËMTIMIT NË MASË DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT PËR ZBATIMIN E SAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Mospërhapjen e Armëve të Dëmtimit në Masë dhe të planit të veprimit për zbatimin e saj, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Shërbimi Informativ i Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN, PËRBËRJEN, FUNKSIONIMIN DHE STATUSIN E AUTORITETIT TË KONTROLLIT SHTETËROR TË EKSPORTEVE, PËRCAKTIMIN E AFATEVE, TË MËNYRËS DHE TË PROCEDURËS PËR SHKËMBIMIN E INFORMACIONIT DHE TË MARRJES SË MENDIMIT NGA INSTITUCIONET E TJERA TË PËRFSHIRA NË TRANSFERIMET NDËRKOMBËTARE TË MALLRAVE TË KONTROLLUARA, SI DHE PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE PËR LËSHIMIN E GARANCIVE DHE KRYERJEN E KONTROLLIT SHTETËROR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 9, pika 4, dhe 35, pika 8, të ligjit nr.46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, dhe të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim synon miratimin e:
a) statusit, të organizimit, të përbërjes e të funksionimit të Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve;
b) afateve, të mënyrës dhe të procedurës për shkëmbimin e informacionit dhe marrjes së mendimit nga institucionet e tjera të përfshira në transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara;
c) procedurave për lëshimin e garancive dhe kryerjen e kontrollit shtetëror.
II. STATUSI, ORGANIZIMI, PËRBËRJA DHE FUNKSIONIMI I AUTORITETIT TË KONTROLLIT SHTETËROR TË EKSPORTEVE
2. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (këtu e në vijim AKSHE) është institucion qendror, me statusin e personit juridik, publik, buxhetor, në varësi të ministrit të Mbrojtjes (këtu e në vijim ministri), me seli në Tiranë.
3. AKSHE-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe të ardhura të tjera të ligjshme.
4. AKSHE-ja mund të marrë dhurime e financime nga organizma, brenda dhe jashtë vendit, për të cilat nuk ka detyrim për t’i kthyer e që hyjnë në buxhetin e saj dhe përdoren në përputhje me qëllimin për të cilin janë dhënë.
5. AKSHE-ja është përgjegjëse për transferimet ndërkombëtare të mallrave ushtarake, të artikujve dhe të teknologjive me përdorim të dyfishtë.
6. AKSHE-ja mund të nënshkruajë, sipas ligjit për prokurimin publik, kontrata me persona, fizikë e juridikë, duke pasur si objekt kryerjen e shërbimeve të konsulencës së nevojshme për realizimin e objektivave brenda fushës së përgjegjësisë.
7. AKSHE-ja ka këto përgjegjësi:
a) Të sigurojë regjistrimin e personave, fizikë e juridikë, përfshirë edhe autoritetet publike, për kryerjen e veprimtarive me mallra ushtarake;
b) Të organizojë punën për licencimin e veprimtarive të transferimit ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara dhe pajisjen e personave të interesuar me licenca, certifikata regjistrimi, certifikata ndërkombëtare të importit, certifikata të shpërndarjes së mallit si dhe dokumente të tjera të parashikuara në legjislacionin përkatës në këtë fushë;
c) Të zhvillojë procesin e kontrollit të të gjitha fazave të licencimit, të regjistrimit, të njoftimit, të lëvrimit, të paslëvrimit, si dhe, sipas rastit, në të gjitha fazat e paralicencimit.
8. AKSHE-ja e ushtron veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ajo organizohet në nivel qendror, në formën e drejtorisë së përgjithshme.
9. AKSHE-ja drejtohet nga kryetari, i cili përgjigjet për zhvillimin e veprimtarisë së këtij autoriteti, në përputhje me këtë vendim dhe me kërkesat e legjislacionit në fuqi për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë.
10. Kryetari i AKSHE-së, përveç detyrave të tjera,:
a) siguron drejtimin e veprimtarisë së autoritetit për licencimin e veprimtarive me mallra ushtarake dhe mallra e teknologji me përdorim të dyfishtë;
b) bashkërendon veprimtarinë e autoritetit me institucione të tjera të fushës;
c) nxjerr urdhra e udhëzime në përputhje me legjislacionin në fuqi për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë. Urdhrat e udhëzimet e kryetarit bëhen të njohura për publikun dhe personat e interesuar, nëpërmjet instrumenteve të përcaktuara në rregulloren për metodat e brendshme të punës dhe të sjelljes së personelit të AKSHE-së.
11. Emërimi, lirimi ose shkarkimi nga detyra i kryetarit të AKSHE-së bëhen nga ministri, në përputhje me legjislacionin në fuqi për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
12. Emërimi, lirimi ose shkarkimi nga detyra i nëpunësve të AKSHE-së bëhen nga ministri, në përputhje me legjislacionin në fuqi për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, me propozimin e kryetarit.
13. Marrëdhëniet e punës së kryetarit, të nëpunësve dhe të punonjësve të AKSHE-së rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
14. Struktura dhe organika e AKSHE-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, pas propozimit të ministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
15. AKSHE-ja, për zbatimin e detyrimeve e të përgjegjësive të përcaktuara në legjislacionin për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë, kryen edhe detyrat, si më poshtë vijon:
a) Asiston Ministrinë e Mbrojtjes për hartimin e politikave dhe të strategjisë kombëtare në fushën e kontrollit të veprimtarive me mallrat e kontrolluara, duke mbajtur në konsideratë harmonizimin e legjislacionit kombëtar me atë të Bashkimit Evropian dhe me detyrimet ndërkombëtare, të marra përsipër nga Republika e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe konventat ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë;
b) Bashkërendon sistemin kombëtar të kontrollit të veprimtarive me mallrat e kontrolluara dhe zhvillon veprimtari periodike për informimin dhe përgatitjen e institucioneve të tjera shtetërore, që kanë kompetenca në kontrollin e transferimeve ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara;
c) Nënshkruan, sipas ligjit, marrëveshje, urdhra, memorandume, protokolle bashkëpunimi, programe të përbashkëta e veprimtari me institucione dhe autoritete të tjera shtetërore, vendase apo të huaja;
ç) Raporton, në mënyrë periodike, te ministri i Mbrojtjes, për veprimtarinë e saj;
d) Përgatit raportin vjetor për raportimin e ministrit të Mbrojtjes në Këshillin e Ministrave, mbi zhvillimet thelbësore vjetore në fushën e kontrollit të transferimeve ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara. Raporti vjetor duhet të përmbajë:
i. raportin e punës së AKSHE-së, për vitin e mëparshëm;
ii. programin vjetor të punës për vitin në vazhdim;
iii. realizimet e licencave të lëshuara për transferimin ndërkombëtar të mallrave të kontrolluara.
Ky raport përbën informacion të klasifikuar, sipas legjislacionit në fuqi, për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”.
dh) Përgatit raport vjetor të hapur për publikun dhe në përputhje me legjislacionin shqiptar për të drejtën e informimit;
e) Asiston Ministrinë e Mbrojtjes për hartimin e projektakteve në përputhje me fushën e përgjegjësisë;
ë) Miraton norma metodologjike, mekanizma, procedura dhe udhëzime të nevojshme për zbatimin e regjimit të kontrollit të transferimeve ndërkombëtare me mallra të kontrolluara;
f) Regjistron personat fizikë e juridikë, përfshirë edhe autoritetet publike, për kryerjen e transferimeve ndërkombëtare me mallra ushtarake;
g) Licencon veprimtaritë e eksportit, të eksportit të përkohshëm, të importit, të importit të përkohshëm, të rieksportit, të ndërmjetësimit, të transitit ose të transship-it nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë, asistencës teknike, transferimeve të software-ve dhe çdo transferim tjetër, jashtë apo brenda këtij territori, në të cilën janë përfshirë subjekte të ndryshme dhe mallrat e kontrolluara;
gj) Aprovon me kushte, refuzon, ndryshon, kufizon, revokon apo shfuqizon licenca, autorizime apo certifikata të lëshuara;
h) Kryen veprimtari kontrolli në të gjitha fazat e licencimit, të autorizimit, të regjistrimit, të certifikimit, të njoftimit, të lëvrimit, të postlëvrimit, si dhe, sipas rastit, në të gjitha fazat e paralicencimit;
i) Ushtron veprimtaritë e kontrollit në të gjitha fazat e procesit, nëpërmjet specialistëve të punësuar pranë AKSHE-së ose nëpërmjet ekspertëve të jashtëm, ose institucioneve akademike, në rastet kur nevojitet ekspertizë teknike për klasifikimin e mallrave ushtarake apo mallrave me përdorim të dyfishtë. Shpenzimet që mund të nevojiten për një ekspertizë teknike të specializuar në laboratorë, institute kërkimi ose institucione të tjera të specializuara, për klasifikimin e mallrave ushtarake apo mallrave me përdorim të dyfishtë, mbulohen nga subjekti, privat apo publik, i interesuar për klasifikimin e këtyre mallrave;
j) Shkëmben informacion, të përgjithshëm dhe të veçantë, për transferimet dhe refuzimet e licencave të eksportit, në kuadër të regjimeve ndërkombëtare të parandalimit të mospërhapjes së armëve dhe të kontrollit të transferimeve ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë;
k) Bashkëpunon, sipas kompetencave, në zhvillimin e veprimtarive të monitorimit dhe të zbatimit të embargove e të regjimeve shtrënguese, për eksportet e mallrave të kontrolluara dhe të detyrimeve, të cilat rrjedhin nga zbatimi i embargove për transferimin e mallrave të kontrolluara, të vendosura nëpërmjet një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të një rregulloreje të miratuar nga BE-ja, të një vendimi të OSBE-së, të vendimit të disa shteteve të NATO-s ose në zbatim të një akti ligjor të autoriteteve përkatëse të Republikës së Shqipërisë;
l) Ndërmerr veprimtari për promovimin e interesave të veçanta të Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet me organizatat dhe organizmat ndërkombëtarë të mospërhapjes së armëve dhe të kontrollit të transferimeve ndërkombëtare të mallrave e kontrolluara;
ll) Jep këshillim të specializuar dhe organizon programe informimi e fushata ndërgjegjësimi për personat, fizikë dhe juridikë, përfshirë dhe autoritetet publike, mbi përparimet, objektivat, normat, procedurat dhe kufizimet e veprimtarisë me mallrat të kontrolluara;
m) Merr pjesë në ekspozitat kombëtare dhe, sipas rastit, në ekspozitat ndërkombëtare të teknikës ushtarake dhe të teknologjisë së lartë;
n) Ndërton dhe administron faqen zyrtare të internetit, të destinuar për informimin e operatorëve ekonomikë, të autoriteteve të tjera të interesuara dhe të shoqërisë civile për legjislacionin në fuqi dhe procedurat e licencimit.
16. Rregullorja që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të AKSHE-së miratohet nga ministri, me propozimin e kryetarit.
17. AKSHE-ja ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria … (emri i ministrisë nga varet AKSHE-ja), Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
18. Vula e AKSHE-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e përdorimit, të administrimit, të kontrollit dhe të ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
III. AFATET, MËNYRA DHE PROCEDURA PËR SHKËMBIMIN E INFORMACIONIT DHE MARRJES SË MENDIMIT NGA INSTITUCIONET E TJERA TË PËRFSHIRA NË TRANSFERIMET NDËRKOMBËTARE TË MALLRAVE TË KONTROLLUARA
19. AKSHE-ja, për përmbushjen e detyrimeve ligjore, ka të drejtë të kërkojë të dhëna për transferimet ndërkombëtare të mallrave nga organet shtetërore dhe subjektet e tjera.
20. Me qëllim bashkërendimin e punës, hartimin e politikave, vlerësimin dhe dhënien e opinioneve për transferimet ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë, AKSHE-ja shkëmben dhe merr informacion nga:
a) ministria përgjegjëse për punët e jashtme;
b) ministria përgjegjëse për punët e brendshme/Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit;
c) ministria përgjegjëse për financat/Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
ç) Shërbimi Informativ i Shtetit;
d) Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;
dh) Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
AKSHE-ja mund të lidhë marrëveshje me institucionet e sipërpërmendura si dhe me institucione të tjera, lidhur me përcaktimin e procedurave, të afateve dhe të modaliteteve për shkëmbimin e informacionit për transferimet ndërkombëtare të mallrave ushtarake e teknologjive me përdorim të dyfishtë.
21. Institucionet e përmendura në pikën 20, të këtij kreu, shqyrtojnë raste të veçanta të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë, të cilat adresohen nga AKSHE-ja, sipas fushës së përgjegjësisë së tyre.
22. Institucionet e përmendura në pikën 20, të këtij kreu, shkëmbejnë informacion me AKSHE-në, sipas fushave të përgjegjësisë, si dhe bazuar në kriteret e vendosura në nenin 12, të ligjit nr.46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”.
23. AKSHE-ja, për përmbushjen e detyrimeve ligjore, ka të drejtë të kërkojë informacione edhe nga institucionet e tjera shtetërore, vetëm në funksion të ushtrimit të veprimtarisë. Institucionet e përmendura në pikën 20, të këtij kreu, si dhe institucionet e tjera që mund të angazhohen në kontrollin e transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë, kthejnë përgjigje brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pune. Në rast se informacioni nuk mund t’i vihet në dispozicion, brenda këtij afati, në mënyrë të justifikuar, palët bien dakord për shtyrjen e tij.
24. Informacioni i dërguar nga institucionet shtetërore dhe subjektet e tjera bëhet pjesë përbërëse e vlerësimit përfundimtar nga AKSHE-ja, mbi bazën e të cilit merret vendimi për miratim, refuzim të aplikimit apo shfuqizim të licencave, certifikatave dhe autorizimeve.
25. AKSHE-ja, gjatë ushtrimit të veprimtarisë, është e detyruar të ruajë informacionin e klasifikuar, konfidencialitetin e të dhënave dhe sekretet tregtare të subjekteve të përfshira në licencim, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi.
26. AKSHE-ja mund të angazhojë organizma të tjerë shtetërorë gjatë zbatimit të masave të marra në procesin e kontrollit të eksportit, si përfaqësitë diplomatike e konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, me pëlqimin e institucionit të varësisë, si dhe shërbimet e inteligjencës ose struktura të tjera të specializuara.
27. Afatet e komunikimit dhe të bashkëpunimit me institucionet e tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, të përfshira në transferimet ndërkombëtare të mallrave të kontrolluara, janë ato të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative, si dhe në legjislacionin për të drejtën e informimit, me përjashtim të rasteve kur respektimi i këtyre afateve është objektivisht i pamundur.
IV. PROCEDURAT PËR LËSHIMIN E GARANCIVE DHE KRYERJEN E KONTROLLIT SHTETËROR, NË PËRPUTHJE ME DETYRIMET PËR PËRDORIMIN E FUNDIT TË MALLIT
28. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve jep garanci shtetërore në lidhje me përdorimin e fundit të mallrave nëpërmjet lëshimit të certifikatës:
a) së përdoruesit të fundit;
b) ndërkombëtare të importit;
c) së mbërritjes së mallit në destinacion.
29. Certifikatat e përcaktuara në pikën 28, të këtij kreu, i lëshohen subjekteve të interesuara, sipas kërkesës së vendit eksportues dhe do të konsiderohen të vlefshme kur paraqiten brenda 6 muajve nga data e lëshimit. Kriteret për lëshimin e certifikatave përcaktohen me urdhër të kryetarit të AKSHE-së, në përputhje me pikën 3, të nenit 26, të ligjit nr.46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”.
30. Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve konfirmon edhe certifikata të përdoruesit të fundit të lëshuara nga autoritetet e huaja, sipas kërkesës së subjekteve të interesuara. Procedurat për konfirmimin e këtyre certifikatave janë të njëjta me procedurat kur lëshohen nga vetë AKSHE-ja.
31. Për lëshimin e garancive shtetërore, AKSHE-ja dhe organet e tjera shtetërore të autorizuara kanë të drejtën të kontrollojnë dhe të inspektojnë ambientet, dokumentet e mbërritjes së mallrave në destinacion dhe përdorimin e mallrave në të gjitha fazat e transferimit ndërkombëtar edhe pas mbërritjes te përdoruesi i fundit vendas.
32. Inspektimi i përcaktuar në pikën 31, të këtij kreu, kryhet në përputhje me ligjin nr.46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, dhe ligjin nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
V. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
33. Vendimet e Këshillit të Ministrave, nr.43, datë 16.1.2008, “Për organizimin, funksionimin dhe statusin e Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve”, të ndryshuar, nr.304, datë 25.3.2009, “Për përcaktimin e procedurave për kryerjen e ekspertizave dhe të kontrollit nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE)”, dhe nr.305, datë 25.3.2009, “Për përcaktimin e procedurës së lëshimit të dokumenteve ligjore të garancisë në fushën e kontrollit shtetëror të veprimtarisë së import-eksportit të mallrave ushtarake dhe të mallrave e teknologjive, me përdorim të dyfishtë”, shfuqizohen.
34. Punonjësit e emëruar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi nuk i nënshtrohen rishtazi procedurave të emërimit në detyrë.
35. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes dhe Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA DREJTORIA E SHIFRËS SË MINISTRISË SË MBROJTJES, DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, TË PËRFAQËSUAR NGA DEPARTAMENTI I MBROJTJES, AGJENCIA E SHPËRNDARJES DHE KONTABILITETIT TË KOMISIONIT USHTARAK, NATO (DACAN), NË LIDHJE ME DHËNIEN E PAJISJEVE DHE TË SHËRBIMEVE TË SIGURISË PËR KOMUNIKIMIN, NË KUADRIN E INFRASTRUKTURËS SË MENAXHIMIT TË ÇELËSAVE KRIPTOGRAFIKË, TË KODUAR, NË ORGANIZATËN E TRAKTATIT TË ATLANTIKUT VERIOR (NATO KMI)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Drejtoria e Shifrës së Ministrisë së Mbrojtjes, dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuar nga Departamenti i Mbrojtjes, Agjencia e Shpërndarjes dhe Kontabilitetit të Komisionit Ushtarak, NATO (DACAN), në lidhje me dhënien e pajisjeve dhe të shërbimeve të sigurisë për komunikimin, në kuadrin e infrastrukturës së menaxhimit të çelësave kriptografikë, të koduar, në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO KMI), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, TË PASURISË ME NUMËR 56/50, ZONA KADASTRALE 2946, BASHKIA PËRMET
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndryshimit të statusit nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të pasurisë me numër 56/50, zona kadastrale 2946, Bashkia Përmet, sipas certifikatës së pasurisë, hartës treguese dhe lidhjes nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Gjirokastër, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të pasurisë me numër 56/50, zona kadastrale 2946, Bashkia Përmet.
3. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të bëjë ndryshimin e llojit të pasurisë në certifikatën e pasurisë, sipas të dhënave për pasurinë e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Qarkut Gjirokastër dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E TARIFAVE PËR SHËRBIMET ELEKTRONIKE TË AGJENCISË KOMBËTARE TË SHOQËRISË SË INFORMACIONIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në vijim të pikave 5, shkronja “ë”, dhe 6, shkronja “e”, të kreut II, të vendimit nr.673, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për riorganizimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shërbimet elektronike në favor të organeve dhe institucioneve të administratës publike dhe subjekteve private ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, kundrejt aplikimit të tarifave përkatëse.
2. Për organet dhe institucionet e administratës publike, shërbimi elektronik për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike, transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG), ofrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën zero lekë.
3. Për subjektet private, shërbimi elektronik për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike, transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG), ofrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit me tarifat, si më poshtë vijon:
a) 4 800 (katër mijë e tetëqind) lekë, përfshirë TVSH-në, për nënshkrimin elektronik, me afat vlefshmërie 1 vit;
b) 20 (njëzet) lekë, përfshirë TVSH-në, për shërbimin e vulosjes së dokumenteve vulë elektronike/për transaksion;
c) 4 000 (katër mijë) lekë, përfshirë TVSH-në, për certifikata elektronike për sistemin fiskal, me afat vlefshmërie 1 vit;
ç) 15 (pesëmbëdhjetë) lekë, përfshirë TVSH-në, për transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG).
4. Pagesa e tarifave kryhet nga subjektet private në momentin e aplikimit on-line për kryerjen e veprimeve dhe të procedurave, nëpërmjet pagesës elektronike në portalin e-Albania.
5. Të ardhurat e realizuara derdhen 100% në buxhetin e shtetit, në përputhje me vendimin nr.432, datë 28.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave, që krijohen nga institucionet buxhetore”.
6. Vendimi nr.15, datë 12.1.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tarifave për shërbimet elektronike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë të Informacionit”, shfuqizohet.
7. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PËR VITIN 2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Financimin nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore të paketës së shërbimeve të ofruara në spitalet publike, sipas listës së shërbimeve, dhënë në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Spitali është person juridik, publik, me buxhet të pavarur, me cilësinë e autoritetit kontraktor, i cili organizohet, administrohet dhe vepron sipas ligjit nr.9106, datë 17.7.2003, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
3. Spitali e ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me standardet, treguesit e cilësisë e të performancës, protokollet e diagnozës e të trajtimit, të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
4. Buxheti për mbulimin e paketës së shërbimeve spitalore, sipas listës së shërbimeve që ofron çdo spital, ndahet sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratat me spitalet për financimin e paketave të shërbimeve shëndetësore të ofruara prej tyre.
6. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor financon paketën e shërbimeve spitalore të kontraktuara me këto metoda:
a) Buxhetim me zëra shpenzimesh, për:
i. paga dhe shpenzime të tjera lidhur me pagën e personelit;
ii. kontribute për sigurime shëndetësore e shoqërore të personelit;
iii. mallra e shërbime të tjera.
b) Buxhetim global për pagesën e paketave të shërbimeve me çmime të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Buxhetimi global detajohet për çdo spital në zëra shpenzimesh me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor;
c) Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor financon spitalet, në zbatim të vendimit nr.258, datë 24.4.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kontratës së koncensionit/partneritetit publik privat “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës””. Fondi rishikon financimin e spitaleve për këtë kontratë gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale dhe/ose të strukturës së saj përgjegjëse.
7. Spitali është përgjegjës për zbatimin e buxhetit të kontraktuar, sipas zërave të përcaktuar të buxhetit.
8. Rishpërndarja e buxhetit ndërmjet spitaleve bëhet brenda një kufiri prej 3% të buxhetit të spitaleve, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
9. Një fond jo më i madh se 32% e buxhetit vjetor, i planifikuar për shërbimet spitalore, mbahet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për ta shpërndarë gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, përkatësisht, për:
a) financimin e shërbimit spitalor gjatë vitit;
b) pagesat e paketave të shërbimeve të veçanta, të ofruara nga shërbimet spitalore, publike e jopublike, brenda e jashtë vendit, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
c) pagesat për kujdes shëndetësor në institucione jopublike, brenda e jashtë vendit, sipas miratimit, rast pas rasti, me vendim të Këshillit të Ministrave;
ç) pagesat për kujdes shëndetësor, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara;
d) pagesa të shërbimeve të kryera për llogari të spitaleve publike nga operatorë të kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, sipas legjislacionit për partneritetin publik privat;
dh) transferta për individët (mjekë specialistë).
10. Shpenzimet kapitale për investimet në spitale mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor vlerëson kërkesat e spitaleve (rajonale/bashkiake) për investimet dhe ia paraqet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për miratim. Spitalet universitare e paraqesin kërkesën për investime në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
11. Burime të tjera financimi për spitalet janë fondet e krijuara nga të ardhurat e realizuara gjatë veprimtarisë së tyre dhe nga dhurimet. Përdorimi i tyre bëhet tërësisht nga vetë spitali, si pjesë e kostos së shërbimit, bazuar në procedurat e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Këto të ardhura vlerësohen si të ardhura jashtë limitit.
12. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për raste të vlerësuara nga ajo ose me kërkesë të autoriteteve kontraktuese (spitaleve), mund të zhvillojë procedura të përqendruara prokurimi për disa mallra, shërbime dhe investime.
13. Spitali zbaton sistemin e referimit dhe tarifat për shërbimet me pagesë, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
14. Mënyra e pagesës dhe e shpërblimit të punës së punonjësve të spitaleve, që kanë lidhur kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, sipas këtij vendimi, përcaktohet me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
15. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale auditon spitalin, nëpërmjet strukturës së saj audituese, për zbatimin e standardeve të miratuara prej saj dhe për raste të tjera me urdhër të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
16. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor kontrollojnë, monitorojnë buxhetin spitalor, vlerësojnë aktivitetin vjetor të spitaleve dhe treguesit e performancës nëpërmjet strukturave të tyre audituese dhe kontrolluese, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e financimit. Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor monitoron dhe vlerëson performancën e punonjësve të spitaleve rajonale dhe bashkiake, sipas treguesve të kontratës së financimit.
17. Marrëdhëniet juridike të punës në spitale rregullohen në përputhje me ligjin nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
18. Numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve është 12 016 (dymbëdhjetë mijë e gjashtëmbëdhjetë) veta, nga të cilët 141 (njëqind e dyzet e një) punonjës në Spitalin Universitar të Traumës për Shërbimin e Urgjencës Ambulatore dhe Shërbimin e Ortopedi-Traumatologjisë. Numri dhe struktura e punonjësve për çdo spital miratohen nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
19. Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale e bashkiake, ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë, sipas nevojave. Këta mjekë të specialiteteve të ndryshme, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus deri në 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë në muaj. Vlera e bonusit përcaktohet, rast pas rasti, nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ky bonus, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, trajtohet sipas shkronjës “e”, të pikës 2, të kreut II, të vendimit nr.77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, të ndryshuar.
20. Mjekët e kontraktuar, sipas pikës 19, të këtij vendimi, nuk e përfitojnë shpërblimin sipas shkronjave “a” e “b”, të pikës 9/1, të vendimit nr.555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe nivelit të pagave të punonjësve me arsim të lartë në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalin Ushtarak Qendror Universitar, në sistemin e Ministrisë së Mbrojtjes, të punonjësve të infermieristikës në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë e Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për trajtimin e mjekëve në strukturat e Forcave të Armatosura”, të ndryshuar.
21. Numri i pedagogëve me kontratë shërbimi për spitalet universitare miratohet nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Pagesa e tyre bëhet nga buxheti i spitalit.
22. Financimi i institucioneve dhe i shërbimeve, të përcaktuara në shtojcën nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, bëhet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, vetëm kundrejt shtesave përkatëse në buxhet, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
23. Vendimi nr.46, datë 30.1.2019, i Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2019”, i ndryshuar, shfuqizohet.
24. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2020.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “SV MEGA”, SH.P.K., SI QIRAMARRËS, PËR PASURITË SHTETËRORE NR.1/82, ME SIPËRFAQE TOTALE 554 M2 DHE NR.1/83, TRUALL I LIRË ME SIPËRFAQE TË PËRGJITHSHME 4246 M2, ZONA KADASTRALE 2646, PJESË E STACIONIT HEKURUDHOR TË LIBRAZHDIT, E PËRBËRË NGA DY PASURI, NË ADMINISTRIM TË SHOQËRISË “HEKURUDHA SHQIPTARE”, SH.A., DURRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9967, datë 24.7.2008, “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore, të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve””, dhe të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe shoqërisë “SV MEGA”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasuritë nr.1/82, me sipërfaqe totale 554 m2, nga ku sipërfaqe ndërtimore 34 m2 dhe sipërfaqe funksionale 520 m2 dhe nr.1/83, truall i lirë me sipërfaqe të përgjithshme 4246 m2, zona kadastrale 2646, në total sipërfaqe të përgjithshme 4 800 m², pjesë e stacionit hekurudhor të Librazhdit, në administrim të shoqërisë “Hekurudha shqiptare”, sh.a., Durrës, për një periudhë 20 (njëzet) vjet, sipas genplanit dhe tekstit të projektkontratës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT TË KUVAJTIT PËR ZHVILLIMIN EKONOMIK ARAB, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “REHABILITIMI I RRUGËS SË LUMIT TË VLORËS”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.50/2016
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, për financimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës së lumit të Vlorës”, ratifikuar me ligjin nr.50/2016, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT NR.3 TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT TË BASHKIMIT EVROPIAN, NË LIDHJE ME PROGRAMIN KOMBËTAR PËR SHQIPËRINË, NË KUADRIN E KOMPONENTIT IPA “ASISTENCA E TRANZICIONIT DHE MBËSHTETJA INSTITUCIONALE” PËR VITIN 2013 (MENAXHIM I CENTRALIZUAR)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të ndryshimit nr.3 të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, në lidhje me programin kombëtar për Shqipërinë, në kuadrin e komponentit IPA “Asistenca e tranzicionit dhe mbështetja institucionale” për vitin 2013 (menaxhim i centralizuar), sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.452, DATË 27.5.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NGRITJEN E VARREZAVE PRIVATE NË NJËSINË ADMINISTRATIVE “PASKUQAN”, QARKU TIRANË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 113, të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shfuqizimin e vendimit nr.452, datë 27.5.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen e varrezave private në njësinë administrative “Paskuqan”, Qarku Tiranë”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet ne “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.699, DATË 5.10.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “BY-PASS VLORË” (SHTESA)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.699, datë 5.10.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
a) Pikat 3, 4 dhe 5 ndryshohen, me këtë përmbajtje
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “truall”, “arë”, “kullotë”, “pyll” dhe “drufrutorë”, me vlerë të përgjithshme 245 827 297 (dyqind e dyzet e pesë milionë e tetëqind e njëzet e shtatë mijë e dyqind e nëntëdhjetë e shtatë) lekë, si më poshtë vijon:
– truall, me sipërfaqe 22 141 (njëzet e dy mijë e njëqind e dyzet e një) m², me vlerë 230 691 978 (dyqind e tridhjetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e një mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë;
– arë, me sipërfaqe 55 316 (pesëdhjetë e pesë mijë e treqind e gjashtëmbëdhjetë) m², me vlerë 11 284 464 (njëmbëdhjetë milionë e dyqind e tetëdhjetë e katër mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e katër);
– kullotë, me sipërfaqe 11 800 (njëmbëdhjetë mijë e tetëqind) m2, me vlerë 2 360 000 (dy milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë;
– pyll, me sipërfaqe 4 187 (katër mijë e njëqind e tetëdhjetë e shtatë) m2, me vlerë 690 855 (gjashtëqind e nëntëdhjetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë);
– drurë frutorë, me vlerë 800 000 (tetëqind mijë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë e llojit “truall”, “arë”, “kullotë” “pyll” dhe “drurë frutorë”, në shumën 245 827 297 (dyqind e dyzet e pesë milionë e tetëqind e njëzet e shtatë mijë e dyqind e nëntëdhjetë e shtatë) lekë, të përballohet, si më poshtë vijon:
⦁ 234 237 718 (dyqind e tridhjetë e katër milionë e dyqind e tridhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e tetëmbëdhjetë) lekë, nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë;
⦁ 11 589 579 (njëmbëdhjetë milionë e pesëqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekë, nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë, të përballohen si më poshtë vijon:
⦁ 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar;
⦁ 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.”.
b) Pas tabelës bashkëlidhur vendimit shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.856, DATË 10.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM, PA SHPËRBLIM, NGA DREJTORIA E SHËRBIMIT TË TRUPIT DIPLOMATIK, PËR MINISTRINË E PUNËVE TË JASHTME, TË PASURISË NR.1/586/5, ZONA KADASTRALE NR.8380, TIRANË, PËR T’U PËRDORUR SI SELI E SEKRETARIATIT TË FONDIT TË BALLKANIT PERËNDIMOR”
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, të nenit 2, të marrëveshjes me vendin pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor, ratifikuar me ligjin nr.44/2018, të neneve 10 e 12, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.856, datë 10.12.2014, të Këshillit të Ministrave, afati “… dhjetor 2014 – dhjetor 2019 …” zëvendësohet me “… dhjetor 2014 – dhjetor 2024.”.
2. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM NOTASH, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIMIN TEKNIK 2017 PËR PROJEKTIN “ZHVILLIM I QËNDRUESHËM I ZONAVE RURALE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim notash, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin teknik 2017 për projektin “Zhvillim i qëndrueshëm i zonave rurale”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.886, DATË 3.11.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË BELSH, TË QARKUT TË ELBASANIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.886, datë 3.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të dhënat e pronës me numër rendor 361 (treqind e gjashtëdhjetë e një) zëvendësohen me të dhënat e përcaktuara në formularët, gjithsej 3 (tre) fletë, dhe planvendosjet, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Bashkia Belsh dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA