Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Korrik 2020

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Korrik 2020:

 

V E N D I M

PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), TË DËMTUARA, NË ZONAT E SHPALLURA PËR ZHVILLIM TË DETYRUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16, pika 3, dhe 36, shkronja “a”, pika 1, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 16 198 330 089 (gjashtëmbëdhjetë miliardë e njëqind e nëntëdhjetë e tetë milionë e treqind e tridhjetë mijë e tetëdhjetë e nëntë) lekë pa TVSH, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për rindërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të dëmtuara, në zonat e shpallura për zhvillim të detyruar në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë.

2. Përdorimin e fondit, të miratuar në buxhetin e vitit 2020, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në masën 3 239 666 018 (tre miliardë e dyqind e tridhjetë e nëntë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e tetëmbëdhjetë) lekë pa TVSH, për rindërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të dëmtuara, në zonat e shpallura për zhvillim të detyruar në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë.

3. Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm” të programit 06210 “Programe zhvillimi“, i shtohet fondi prej 3 239 666 018 (tre miliardë e dyqind e tridhjetë e nëntë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e tetëmbëdhjetë) lekë pa TVSH.

4. Fondet e mbetura të papërdorura, pas përfundimit të procedurave të prokurimit në zbatim të këtij vendimi, kthehen në zërin “Fondi për rindërtim”, të buxhetit të shtetit.

5. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT ME SHKËMBIM NOTASH, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PROJEKTIN “EU4SCHOOLS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 12, të  ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së bashkëpunimit me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për projektin “EU4schools”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.953, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË””, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 159, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

Neni 1

Neni 10/1 shfuqizohet.

Neni 2

Në nenin 11 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh në një vit kalendarik. Personi i tatueshëm ka të drejtë të zgjedhë të zbatojë regjimin normal të TVSH-së, në përputhje me përcaktimet e nenit 120, të ligjit, nëse qarkullimi vjetor është më i madh se 5 000 000 (pesë milionë) lekë.”.

2. Pikat 2 dhe 3 shfuqizohen.

Neni 3

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet në datën 1.1.2021.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E INSTITUCIONEVE PUBLIKE QË ADMINISTROJNË STREHËT, TË KRITEREVE, PROCEDURAVE DHE KAPACITETEVE TË MJAFTUESHME PËR TË MENAXHUAR ÇËSHTJET SOCIALE, FINANCIARE E TEKNIKE, SI DHE TË PROCEDURAVE TË ADMINISTRIMIT E TË MIRËMBAJTJES SË STREHËVE TË PËRKOHSHME, KOMPETENCAVE TË SUBJEKTEVE PËRGJEGJËSE DHE BASHKËPUNIMIT NDËRMJET TYRE

Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të pikave 2 e 4, të nenit 57, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

1. Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë:

a) kompetencat e subjekteve përgjegjëse për strehët e përkohshme;
b) mënyrën e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve përgjegjëse për strehët e përkohshme;
c) procedurat e administrimit e të mirëmbajtjes së strehëve të përkohshme.

2. Administrimi i strehëve të përkohshme mund të kryhet nga njëri prej subjekteve, si më poshtë vijon:

a) Një strukturë e njësisë së vetëqeverisjes vendore;
b) Një ndërmarrje dhe/ose agjenci në varësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore;
c) Institucionet publike sipas shkronjave “a” dhe “b”, të kësaj pike, përmes një kontrate me subjekte publike ose subjekte private fitimprurëse ose jofitimprurëse.

3. Struktura përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore është përgjegjëse për mbikëqyrjen e administrimit dhe të mirëmbajtjes së strehëve të përkohshme.

4. Administrimi i strehëve përfshin aktivitetet, si më poshtë vijon:

a) Menaxhimi financiar, ku përfshihen planifikimi i buxhetit dhe monitorimi i zbatimit të tij;
b) Punime mirëmbajtjeje, ku përfshihen:

i. mirëmbajtja e mjediseve të përbashkëta dhe hapësirave të jashtme;
ii. mirëmbajtja e objekteve dhe eliminimi i problemeve që lindin nga të meta të ndërtimit dhe ato që lindin nga shfrytëzimi;
iii. pastrim dhe dezinfektim;
c) Kujdesi social dhe shëndetësor, në përputhje me udhëzimin e përbashkët të ministrit përgjegjës për strehimin dhe ministrave të linjës sipas nenit 12, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, ku përfshihen:

i. adresimi dhe menaxhimi i problemeve dhe konflikteve sociale;
ii. adresimi dhe menaxhimi i çështjeve të shërbimeve sociale;
iii. kujdesi shëndetësor për persona me HIV/AIDS, personat e pastrehë, të moshuar, si dhe kategori të tjera që përfitojnë strehim në këto objekte;
iv. kujdesi psikosocial për viktima të dhunës në familje, viktimat e trafikimit, viktima të mundshme të trafikimit, fëmijët në nevojë për mbrojtje, fëmijët e mitur në fazë rehabilitimi, personat të cilët kanë fituar statusin e refugjatit dhe për grupe të tjera sipas nevojave të identifikuara për shërbime sociale;
v. trajnim dhe aftësim profesional të punonjësve që ofrojnë shërbim shëndetësor e social në strehët e përkohshme.

5. Mirëmbajtja e strehëve të përkohshme duhet të sigurojë kushte dhe mjedis të përshtatshëm për banim, ku nuk duhet të mungojë: furnizimi me energji elektrike; uji i pijshëm; largimi i ujërave të zeza; masat mbrojtëse kundër zjarrit dhe shpëtimin; si dhe çdo kusht tjetër i përcaktuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për strehimin, në përputhje me nenin 55, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”.
6. Njësia e vetëqeverisjes vendore ose subjekti i ngarkuar me administrimin e strehëve të përkohshme siguron cilësinë e administrimit, duke përcaktuar kushtet minimale që duhet të plotësojë:

a) mirëmbajtja e strehëve të përkohshme, në përputhje me planin përkatës të miratuar për këtë qëllim, ku përfshihen:

i. kryerja e rinovimeve dhe periodiciteti i tyre;
ii. afati kohor për ndreqjen e defekteve;
iii. vazhdimësia dhe intensiteti i pastrimit dhe dezinfektimit;
b) Kujdesi social dhe shëndetësor, në përputhje me planin përkatës të miratuar për këtë qëllim, ku përfshihen:

i. lloji i shërbimeve shëndetësore që duhet të kryhen;
ii. numri dhe lloji i trajnimeve dhe i kurseve të aftësimit profesional që duhet të zhvillohen;
iii. lloji dhe frekuenca e aktiviteteve të tjera.

7. Në rastet e administrimit dhe/ose mirëmbajtjes së strehëve të përkohshme nga subjekte të tjera, parashikuar në pikën 2, të këtij vendimi, njësia e vetëqeverisjes vendore lidh kontratë me to. Kontrata parashikon:

a) objektin e bashkëpunimit;
b) tërësinë e shërbimit/ve që ofrohen;
c) afatin e kryerjes së shërbimit;
ç) të drejtat dhe detyrimet e parashikuara nga ky vendim dhe aktet e tjera nënligjore që lidhen me të;
d) kushte ndëshkuese për subjektin që nuk respekton rregullat e administrimit të përmbushjes së shërbimit të kontraktuar;
dh) zgjidhjen e kontratës para afatit në rast të shkeljes së rregullave të administrimit dhe/ose mirëmbajtjes, si dhe të mospërmbushjes së detyrimeve thelbësore, të parashikuara nga palët, duke përfshirë edhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga zgjidhja e parakohshme e saj.

8. Struktura përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore inspekton çdo muaj, si dhe në mënyrë të befasishme, strehët e përkohshme kur është nënshkruar kontratë me subjekte private, sipas pikës 2, të këtij vendimi. Struktura përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore harton një raport për zbatimin e kushteve të administrimit dhe problematikave që ka ndeshur si dhe merr masat përkatëse në rast mosrespektimi të rregullave përkatëse.
9. Subjekti privat i kontraktuar për administrimin e strehës së përkohshme raporton çdo muaj pranë strukturës përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore. Kjo strukturë, në çdo rast, i raporton kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore për zbatimin e kushteve të administrimit dhe problematikave që ka ndeshur. Në fund të vitit, subjekti administrues harton një raport përmbledhës për aktivitetin e mirëmbajtjes dhe kujdesit social e shëndetësor të strehës së përkohshme.

10. Për administrimin e strehëve të përkohshme, njësia e vetëqeverisjes vendore ose subjekti që administron strehët e përkohshme mbështetet nga:

a) ministria përgjegjëse për çështjet sociale për ofrimin e shërbimeve sociale, sipas nevojave të grupeve sociale të akomoduara në strehët e përkohshme, të identifikuara nga punonjësi social, pranë strukturave të posaçme të shërbimeve të kujdesit shoqëror, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi;
b) ministria përgjegjëse për shëndetësinë për ofrimin e shërbimeve bazë shëndetësore, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi;
c) ministria përgjegjëse për arsimin për ofrimin e shërbimeve arsimore të nevojshme, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi;
ç) ministria përgjegjëse për strehimin, përmes mbështetjes financiare për sigurimin dhe, kur njësia e vetëqeverisjes vendore nuk siguron të ardhura të mjaftueshme, edhe për mirëmbajtjen e administrimin e strehëve të përkohshme nëpërmjet fondeve publike.

11. Njësia e vetëqeverisjes vendore informon menjëherë me rastin e ngritjes së një strehe të përkohshme ministritë e përmendura në pikën 10, të këtij vendimi. Këto të fundit ngarkojnë strukturat përkatëse në varësi të tyre për identifikimin dhe ofrimin e shërbimeve të nevojshme, sipas fushave të tyre të përgjegjësisë, në përputhje me parashikimet e këtij vendimi.

12. Për individët/familjet që jetojnë në një strehë të përkohshme njësia e vetëqeverisjes vendore mban një dosje personale, të cilën e përditëson sipas rastit. Njësia e vetëqeverisjes vendore garanton ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave të dosjeve në përputhje me legjislacionin në fuqi për të dhënat personale.

13. Strehët e përkohshme janë funksionale gjatë gjithë ditës (24 orë/24) dhe gjatë gjithë javës (7/7 ditë). Individët që jetojnë në një strehë të përkohshme kanë të drejtë të paraqesin ankesat pranë kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore në rast se kushtet e parashikuara në këtë vendim nuk garantohen. Kryetari ngre menjëherë grupe pune për verifikimin e ankesave dhe merr masat e nevojshme për përmirësimin e kushteve në përputhje me këtë vendim.
14. Ngarkohen ministria përgjegjëse për strehimin, ministria përgjegjëse për arsimin, ministria përgjegjëse për shëndetësinë, ministria përgjegjëse për çështjet sociale, policia e njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe Policia e Shtetit, institucionet e ofrimit të shërbimeve publike dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E KUADRIT MAKROEKONOMIK E FISKAL, TËRISHIKUAR, PËR PERIUDHËN 2021-2023

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 23 e 27, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e kuadrit makroekonomik e fiskal, të rishikuar, për periudhën 2021-2023, si dhe lidhjen nr.1 “Treguesit kryesorë makroekonomikë” dhe lidhjet nr.2/1 e nr.2/2, “Treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar”, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E TAVANEVE PËRFUNDIMTARE TË SHPENZIMEVE TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2021 – 2023

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 25, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e tavaneve përfundimtare të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm 2021-2023, sipas lidhjes nr.1 “Tavanet e ministrive dhe institucioneve buxhetore”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E LISTËS SË PROFESIONEVE ZEJTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8, të ligjit nr.70/2016, “Për zejtarët në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e listës së profesioneve zejtare, sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Dhoma Kombëtare e Zejtarisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

KRIJIMIN E BAZËS TË TË DHËNAVE TË SISTEMIT TË KRAHASIMIT DHE VLERËSIMIT TË SIGURT TË IDENTIFIKIMIT PERSONAL (PISCES) DHE SHKËMBIMIN E TË DHËNAVE ME SISTEMIN TOTAL TË MENAXHIMIT (TIMS)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, të ligjit nr.42/2018, “Për ratifikimin e memorandumit të qëllimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për instalimin dhe përdorimin e sistemit për krahasimin dhe vlerësimin e sigurt të identifikimit personal (PISCES)”, dhe të ligjit nr.72/2016, “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkëmbimin e informacionit për verifikimin e terrorizmit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Krijimin në Ministrinë e Brendshme të sistemit të krahasimit dhe vlerësimit të sigurt të identifikimit personal (PISCES) dhe të shkëmbimit të bazës të të dhënave të këtij sistemi me sistemin total të menaxhimit të informacionit (TIMS).

2. Ministria e Brendshme është institucioni përgjegjës për administrimin e bazës të të dhënave të sistemit “PISCES” dhe ndërveprimin e tij me sistemet e tjera të informacionit, nëpërmjet teknologjisë së shërbimit standard “web-service”.

3. Ministria e Brendshme përcakton politikat e sigurisë për administrimin e pajisjeve dhe të dhënave të këtij sistemi.
4. Sistemi “PISCES” ka për qëllim regjistrimin e hyrje-daljeve në Republikën e Shqipërisë të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në pikat e kalimit kufitar ku ky sistem do të implementohet, si dhe shkëmbimin e informacionit për verifikimin e terorrizmit dhe të kalimit të paligjshëm të kufirit.

5. Dhënësi i informacionit për sistemin “PISCES” është Policia e Shtetit.

6. Sistemi i menaxhimit total të informacionit “TIMS” do të ndërveprojë me sistemin e krahasimit dhe vlerësimit të sigurt të identifikimit personal “PISCES”, si plotësues të njëri-tjetrit, në përputhje me nevojat e Policisë së Shtetit.

7. Importimi i të dhënave historike nga sistemi “TIMS” në sistemin “PISCES” do të bëhet për, të paktën, 5 (pesë) vitet e fundit.

8. Të dhënat që do të importohen nga sistemi “TIMS” në sistemin “PISCES” do të jenë hyrjet dhe daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në pikat e kalimit kufitar, sipas kategorive INAD/Deportiv/Refuzuar.

9. Procedurat për funksionimin dhe përdorimin nga Policia e Shtetit të sistemit “PISCES” përcaktohen me udhëzim të ministrit të Brendshëm.

10. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KONFEDERATËS ZVICERANE, PËR PROJEKTIN “AFTËSI PËR PUNË”, FAZA 2, 2019-2023

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit së Financave dhe Ekonomisë, Këshilli Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, për projektin “Aftësi për punë”, faza 2, 2019-2023, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, DHE KONFEDERATËS ZVICERANE, PËRFAQËSUAR NGA SEKRETARIATI I SHTETIT ZVICERIAN PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE, TË DEPARTAMENTIT FEDERAL TË ÇËSHTJEVE EKONOMIKE, ARSIMIT DHE KËRKIMIT, PËR DHËNIEN E ASISTENCËS TEKNIKE DHE FINANCIARE PËR PROJEKTIN E “MENAXHIMIT TË MBETJEVE TË NGURTA NË QARKUN E BERATIT”, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.460, DATË 10.6.2020, TË KËSHILLT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike, të Departamentit Federal të Çështjeve Ekonomike, Arsimit dhe Kërkimit, për dhënien e asistencës teknike dhe financiare për projektin e “Menaxhimit të mbetjeve të ngurta në Qarkun e Beratit”, miratuar me vendimin nr.460, datë 10.6.2020, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.446, DATË 22.5.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E NUMRIT TË PËRGJITHSHËM TË PERSONELIT TË POLICISË SË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 6, të nenit 19, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, dhe të aktit normativ nr.28, datë 2.7.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në ligjin nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në pikën 1, të vendimit nr.446, datë 22.5.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, fjalët “… 11 058 (njëmbëdhjetë mijë e pesëdhjetë e tetë) punonjës …” zëvendësohen me “… 11 645 (njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e dyzet e pesë) punonjës …”.

2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.117, DATË 13.2.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E BUXHETIT TË VITIT 2020 TË AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 4, të nenit 8, ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe të nenit 29, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.117, datë 13.2.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a) Shtojca 1, e përmendur në pikën 1, zëvendësohet me shtojcën me të njëjtin numër, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

b) Shtojcat 2 dhe 3, të përmendura në pikën 2, zëvendësohen me shtojcat me të njëjtin numër, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.441, DATË 3.6.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, MIRATUAR NË BUXHETIN E VITIT 2020, PËR FINANCIMIN E HARTIMIT TË PROJEKTEVE PËR MIRATIMIN E LEJEVE TË NDËRTIMIT, PËR NDËRTIMIN E NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), NË ZONAT E SHPALLURA PËR ZHVILLIM TË DETYRUAR, NË BASHKITË DURRËS, KAVAJË, KRUJË, KURBIN, LEZHË, SHIJAK DHE VORË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Në vendimin nr.441, datë 3.6.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Titulli i vendimit ndryshohet dhe bëhet “Për përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e vitit 2020, për financimin e hartimit të projekteve për miratimin e lejeve të ndërtimit, për ndërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), në zonat e shpallura për zhvillim të detyruar, në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Mirditë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Shijak dhe Vorë”.

2. Pikat 1 dhe 2 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e vitit 2020, për financimin e hartimit të projektit për miratimin e lejeve të ndërtimit, përfshirë kostot për shërbime të rilevimeve topografike, vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe të shërbimeve gjeologjike që i takojnë nëntokës e punimeve në themel, për ndërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), në zonat e shpallura për zhvillim të detyruar, në bashkitë Durrës, Kamzë, Mirditë Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Shijak dhe Vorë, në masën 254 159 368 (dyqind e pesëdhjetë e katër milionë e njëqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH.

2. Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”, të programit 06210 “Programe zhvillimi”, i kalohet fondi në masën në masën 254 159 368 (dyqind e pesëdhjetë e katër milionë e njëqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH, për financimin e hartimit të projekteve sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi.”.

II. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.445, DATË 22.5.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS, TË LIMITIT ORGANIK DHE PËRCAKTIMIN E FUNKSIONEVE KORRESPONDUESE PËR ÇDO GRADË NË GARDËN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të pikës 1, të nenit 26, të ligjit nr.9366, datë 31.3.2005, “Për gradat dhe karrierën në Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.445, datë 22.5.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a) Në pikën 4, shifra “1408” zëvendësohet me shifrën “1435”.

b) Lidhjet nr.1, nr.2, dhe nr.3, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me lidhjet me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E PLANIT TË MENAXHIMIT TË INTEGRUAR TË PARKUT KOMBËTAR TË BUTRINTIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 47, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës dhe të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e planit të menaxhimit të integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohet Ministria e Kulturës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PROCEDURAT E BLERJES NGA TREGU, TË VLERËSIMIT E TË SHITJES, SI DHE KRITERET E PËRCAKTIMIT TË ÇMIMIT TË SHITJES SË TRUALLIT FAMILJEVE QË PËRFITOJNË BANESA ME KOSTO TË ULËT, NË VARËSI TË NIVELIT TË TË ARDHURAVE TË TYRE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 45, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Blerja e banesave me kosto të ulët në tregun e lirë mund të kryhet nga:

a) vetë individët/familjet në tregun e lirë, të cilët më pas financohen për të siguruar shlyerjen e çmimit të blerjes së banesave me kosto të ulët, nëpërmjet përfitimit nga programi i subvencionimit të kredisë;
b) njësitë e vetëqeverisjes vendore ose Enti Kombëtar i Banesave, me pjesëmarrjen e përfituesve të programit të banesave me kosto të ulët, kur çmimi i tyre në treg është më i ulët se kostoja e ndërtimit të banesave nga shteti dhe/ose njësitë e vetëqeverisjes vendore.

2. Banesat që blihen për t’iu shtuar fondit të banesave sociale me qira, duhet të plotësojnë normat dhe kushtet e parashikuara në legjislacionin në fuqi që përcakton kushtet, normat dhe standardet e banesave me kosto të ulët në programet përkatëse të strehimit.

3. Me disponimin e fondeve për blerjen e banesave me kosto të ulët në treg, subjekti, që zbaton programin e banesave me kosto të ulët, përcakton numrin dhe strukturën e banesave që mund të blihen për llogari të familjeve/individëve përfitues nga ky program.

4. Njësia përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore ose Enti Kombëtar i Banesave, përpara fillimit të procedurës me shpalljen e ftesës publike për marrjen e ofertave për shitblerjen e banesave me kosto të ulët, kryen këto veprime:

a) Formulon shpalljen e ftesës publike për marrjen e ofertave;
b) Përcakton dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin e ofertave, duke listuar kërkesat dhe kriteret ligjore e teknike.

5. Shpallja e ftesës publike për marrjen e ofertave për shitblerjen e banesave me kosto të ulët bëhet përmes publikimit për tri ditë rresht në median e shkruar dhe vizive me shikueshmërinë ose tirazhin më të lartë të botimit, në faqen e internetit të njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe Entit Kombëtar të Banesave, në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare vendore dhe Buletinin e Njoftimeve Publike, si dhe në ambiente me frekuentim të lartë, si postat, vendet e pagesave të energjisë elektrike, të marrjes së pensionit etj. Njoftimi përmban:

a) çmimin tavan për blerjen e banesës, i cili nuk duhet të jetë më i lartë se kostoja e ndërtimit në atë njësi të vetëqeverisjes vendore, e përcaktuar sipas çmimeve të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
b) numrin e apartamenteve që do të blihen;
c) strukturat e apartamenteve dhe sipërfaqet e tyre, sipas normave përkatëse të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
ç) vendndodhjen e dëshiruar;
d) kushtet dhe standardet që duhet të plotësojë banesa në respektim të kushteve e të standardeve të banesave sociale, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

6. Afati, brenda të cilit priten të depozitohen ofertat për banesat me kosto të ulët që mund të blihen nga tregu i lirë, është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë duke filluar nga e nesërmja pas ditës së tretë të publikimit të ofertave në median e shkruar dhe atë vizive.

7. Me shpalljen e njoftimit, me urdhër të kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose të titullarit të Entit Kombëtar të Banesave ngrihet komisioni i shqyrtimit të ofertave, i cili përbëhet nga tre veta, një nënkryetar i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose një drejtor i Entit Kombëtar të Banesave në rolin e kryetarit të komisonit, një ekonomist dhe një inxhinier ndërtimi ose arkitekt në rolin e anëtarit të caktuar përkatësisht nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose drejtori i Përgjithshëm i Entit Kombëtar të Banesave. Anëtarë të komisionit caktohen persona të cilët nuk ndodhen në kushtet e konfliktit të interesit.

8. Ofertat e depozituara duhet të përmbajnë:

a) Informacionin sipas formatit në shtojcën “A”, që i bashkëlidhet këtij vendimi, që përmban:

i. adresën e objektit/eve ku ndodhet apartamenti/et;
ii. vitin e ndërtimit të objektit;
iii. katin në të cilin ndodhet apartamenti/et;
iv. orientimin;
v. sipërfaqen e aparatmentit/eve dhe të mjediseve të përbashkëta,
vi. praninë e problemeve teknike, të tilla si: funksionimi i rrjetit të ujësjellësit dhe shkarkimit të ujërave të zeza, praninë e lagështirës e të tjera të ngjashme me to;
vii. çmimin e ofruar për shitje, të shprehuar në lekë, për apartament.

b) Planimetrinë e aparatmentit/eve;
c) Certifikatën e pronësisë;
ç) Vërtetim, të lëshuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, për të vërtetuar se prona nuk është e rënduar me ndonjë barrë.

9. Subjektet e përzgjedhura mund të angazhohen vetë për gjetjen e banesës me kosto të ulët, për të siguruar sa më shumë përputhjen e kostos më të ulët për ta dhe vendndodhjen e preferuar prej tyre.

10. Me mbarimin e afatit të parashikuar në pikën 6, të këtij vendimi, komisioni i vlerësimit të ofertave hap ofertat ekonomike në prani të ofertuesve dhe të subjekteve të përzgjedhura për t’u trajtuar dhe bën renditjen e subjekteve. Me hapjen e ofertave, komisioni i vlerësimit të ofertave ushtron këto detyra:

a) Vlerëson ofertat e depozituara, çmimet përkatëse për çdo banesë me kosto të ulët të ofruar për blerje, si dhe nga pikëpamja teknike nëse oferta është në përputhje me normat, kushtet dhe standardet e kërkuara, duke shkualifikuar çdo ofertë që dukshëm, bazuar në dokumentet e depozituara, nuk plotëson kushtet e përcaktuara në ftesën për ofertë. Kur konstatohen mangësi në dokumentacionin e nevojshëm të ofertave, i kërkohet ofertuesve t’i plotësojnë ato brenda 7 (shtatë) ditëve;
b) Përzgjedh ofertën/ofertat me vlerën më të ulët të banesave, ndërmjet banesave që plotësojnë kushtet, normat dhe standardet në fuqi;
c) Kryen, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga hapja e ofertave, këqyrjen e banesave me kosto të ulët të ofruara për blerje, të cilat inspektohen nga inspektorë të higjienës dhe inxhinierë civilë për të parë nëse plotësojnë kushtet dhe standardet e përcaktuara për banesat sociale që blihen në treg, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave dhe plotësojnë një formular për rezultatet e inspektimit, sipas modelit të parashikuar në shtojcën B, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
ç) Njofton me shkrim subjektin/et e përzgjedhur/a për t’iu blerë banesën me kosto të ulët;
d) Shpall listën e subjekteve nga të cilat do të bëhet blerja e banesave me kosto të ulët në faqen e internetit të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose të Entit Kombëtar të Banesave.

11. Subjekti/et e vlerësuar/a për blerjen e banesave me kosto të ulët në treg të lirë njoftohet/n me shkrim. Njoftimi përmban:

a) emrin, adresën e subjektit;
b) identifikimin e banesës, vendndodhjen, parcelën, sipërfaqen;
c) çmimin për apartament dhe vlerën e kontratës;
ç) ftesën për të nënshkruar kontratën.

12. Në çmimin e shitjes së banesës me kosto të ulët që është blerë në treg përfshihen, si më poshtë vijon:

a) Vlera e apartamentit të blerë sipas kontratës së shitblerjes;
b) Shpenzimet noteriale, ato të regjistrimit të pronës dhe pagesa e taksave dhe e tatimeve, sipas rastit;
c) Shpenzime administrative, të cilat, në rastin e Entit Kombëtar të Banesave janë 4% e vlerës së apartamentit të blerë, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike, ndërsa në rastin e njësive të vetëqeverisjes vendore miratohen me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Shpenzimet administrative mbulojnë kostot e punës së kryer nga personeli i subjektit që zbaton programin për blerjen dhe shitjen e banesës me kosto të ulët.

13. Kur banesat me kosto të ulët janë siguruar përmes ndërtimit, në përllogaritjen e çmimit të shitjes së tyre përfshihen, si më poshtë vijon:

a) Kostoja e ndërtimit të banesës ku përfshihen vlera e investuar për ndërtimin e saj, kostot për mbikëqyrjen dhe për kolaudimin, kostot e projektit, kostot e marrjes së lejeve përkatëse për ndërtim;
b) Çmimi i truallit, i cili përcaktohet sipas vendimit të qeverisë për efekt kompensimi të pronave;
c) Shpenzimet e regjistrimit për kalimin e së drejtës së pronësisë në favor të përfituesit në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, shpenzimet noteriale dhe çdo shpenzim i kryer për pagesën e taksave dhe tatimeve;
ç) Shpenzimet administrative, të cilat, në rastin e objekteve të ndërtuara nga Enti Kombëtar i Banesave llogariten 4% e kostos së ndërtimit, sipas shkronjës “a”, të kësaj pike.

14. Në rastin kur banesat me kosto të ulët janë siguruar nëpërmjet ndërtimeve të reja me financime nga të ardhurat e veta të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose nga buxheti i shtetit, në çmimin e shitjes së banesës me kosto të ulët nuk përfshihen kostot e investimit për lidhjen e banesës me infrastrukturën ekzistuese, për furnizimin e banesës me rrjetin kryesor të ujësjellësit, të kanalizimeve, të furnizimit me energji e shërbim telefonie.

15. Trualli funksional i banesës shitet si pjesë përbërëse dhe e pandarë me banesën. Me truall funksional, kur nuk është specifikuar ndryshe në lejen e ndërtimit dhe/ose në kontratën e shitblerjes së banesës me kosto të ulët, kuptohet sipërfaqja e truallit nën objekt, plus 1 metër trotuar rreth objektit.

16. Me qëllim arritjen e nivelit të kësteve të përballueshme, sipas përcaktimeve të nenit 3, të ligjit nr.22/2018, për familjet me të ardhura të ulëta e shumë të ulëta, sipas përcaktimeve të shkronjave “b” e “c”, të pikës 45, të nenit 2, të ligjit, këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore, në përputhje me kuadrin ligjor për sistemin e taksave vendore, mund të vendosë uljen ose përjashtimin e kategorive të caktuara nga pagesa e çmimit të truallit, pronë shtetërore, mbi të cilin është ndërtuar banesa me kosto të ulët dhe/ose e taksave e tarifave që janë kompetencë e këshillit të vetëqeverisjes vendore.

17. Përjashtimisht, kur banesat me kosto të ulët janë siguruar nëpërmjet ndërtimeve të reja me financime nga të ardhurat e veta të Entit Kombëtar të Banesave dhe kur investimet për zërat e përmendur në pikën 13, të këtij vendimi, janë realizuar nga të ardhurat e veta të EKB-së, këto kosto përfshihen në çmimin e shitjes, nëse nuk janë marrë përsipër nga njësia e vetëqeverisjes vendore në marrëveshjen që nënshkruhet ndërmjet tyre.

18. Njësia e vetëqeverisjes vendore, për transparencë, fillimisht përcakton koston reale që rezulton sipas pikave 12 dhe 13, të këtij vendimi, dhe krahas saj vendos çmimin pas uljeve që janë bërë me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Ulja e çmimit të shitjes së truallit është individuale për çdo familje, në përputhje me nivelin e të ardhurave dhe aftësinë për të përballuar. Në rastet kur familja/individi nuk përballon dot kostot për blerjen e një banese me kosto të ulët edhe pas uljeve, sipas pikës 16, të këtij vendimi, atëherë ajo kalon në një program tjetër strehimi.
19. Shitja e banesës me kosto të ulët mund të bëhet në format e mëposhtme:

a) Me shitje me pagesë të menjëhershme nga blerësi, nëse ka një marrëveshje kreditimi të lehtësuar me bankat e nivelit të dytë, interesat e të cilave subvencionohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore ose buxheti i shtetit;
b) Me shlyerje ndaj njësisë së vetëqeverisjes vendore ose Entit Kombëtar të Banesave, me këste të përballueshme, sipas përcaktimeve në nenin 3, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, dhe me interes jo më të lartë se 3%. Kthimi i investimit në këtë rast sigurohet nëpërmjet vendosjes së barrës hipotekore që vihet mbi banesën deri në shlyerjen e plotë të vlerës kontraktuale.

20. Kalimi i pronësisë bëhet me kontratë shitjeje, të lidhur me akt noterial në formën e shitjes me rezervë pronësie, sipas dispozitave të Kodit Civil.

21. Kontrata për shitblerjen e banesave me kosto të ulët i dërgohet Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për regjistrimin e kalimit të së drejtës së pronësisë me rezervë pronësie në favor të përfituesit. Pronësia mbi banesën me kosto të ulët i kalon familjes/individit blerës, kur blerja është kryer prej saj/tij, pas shyerjes së këstit të fundit të çmimit të shitjes.

22. Verifikimi i nivelit të të ardhurave bëhet në përputhje me vendimin nr.384, datë 12.6.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e dokumentacionit për të përfituar strehim sipas çdo programi social të strehimit dhe të afateve e të procedurave të miratimit nga organet e vetëqeverisjes vendore”.

23. Nëse gjatë periudhës së shlyerjes së vlerës së banesës me kosto të ulët familja, për shkaqe ekonomike, nuk mund të vazhdojë më pagesën e kësteve mujore, njofton menjëherë njësinë e vetëqeverisjes vendore, Entin Kombëtar të Banesave dhe/ose institucionin financiar me të cilin është kontraktuar marrja e kredisë për blerjen e banesës. Në rastin kur kontrata për shlyerjen e vlerës së banesës është lidhur ndërmjet përfituesit dhe njësisë së vetëqeverisjes vendore, banesa mund të kalojë në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe familja kalon me kontratë qiraje sociale me njësinë e vetëqeverisjes vendore. Në rastin kur familja/individi ka marrë një kredi nga një bankë e nivelit të dytë, me të cilën ka një marrëveshje për subvencionimin e interesave nga njësia e vetëqeverisjes vendore ose buxheti i shtetit, veprohet sipas parashikimeve të vendimit nr.453, datë 3.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për masën e subvencionit të interesave të kredisë dhe procedurën e dhënies së tij për familjet që përfitojnë banesë me kosto të ulët, me kredi të lehtësuara nga shteti”.

24. Ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore, Enti Kombëtar i Banesave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.570, DATË 17.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË PYJEVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Pas pikës 2, të kreut IV, të vendimit nr.570, datë 17.7.2019 të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:

“2/1. Për nëpunësit e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit, të cilët kanë kryer funksione të lidhura me monitorimin dhe kontrollin në fushën e pyjeve, zbatohen dispozitat e nenit 67, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.591, DATË 5.9.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PERSONALITETEVE TË TJERA TË LARTA SHTETËRORE TË VENDIT, QË DO TË RUHEN DHE MBROHEN NGA GARDA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Pas shkronjës “e”, të pikës 1, të vendimit nr.591, datë 5.9.2007, të Këshillit të Ministrave, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:

“ë) Kryenegociatorin për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, me truprojë–shofer, gjithsej 2 nënoficerë.”.

2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR DIASPORËN DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT 2021–2025

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e Strategjisë̈ Kombëtare për Diasporën dhe të planit të veprimit 2021-2025, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Vendimi nr.259, datë 9.5.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2018-2024 dhe të planit të veprimit”, shfuqizohet.

3. Ngarkohen të gjitha ministritë e linjës dhe institucionet qendrore, për të cilat në strategji dhe në planin e veprimit janë përcaktuar detyra të veçanta, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2021 dhe deri në këtë datë do të zbatohet vendimi nr.259, datë 9.5.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2018-2024 dhe të planit të veprimit”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.