Vendime të miratuara në mbledhjen e këshillit të ministrave, datë 22 qershor 2016
V E N D I M
PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.953, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 159, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 10, i vendimit nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 10
Përcaktimi i kategorisë së eksportuesve për qëllim të rimbursimit të TVSH-së
1. Për qëllime të rimbursimit të TVSH-së, kategoritë e eksportuesve në zbatim të pikës 3, të nenit 77, të ligjit, janë personat e tatueshëm eksportues si dhe personat e tatueshëm që rieksportojnë mallrat joshqiptare nën regjimin e përpunimit aktiv në Republikën e Shqipërisë, siç përcaktohet në Kodin Doganor, të cilët plotësojnë njëkohësisht kriteret e mëposhtme:
a) Vlera e eksporteve të kryera në periudhën/at tatimore, për të cilën/at kërkohet rimbursim, është më shumë se 70% e vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet;
b) Kanë aktivitet eksportues mbi 1vit;
c) Paraqesin si dokument prove të kryerjes së eksportit deklaratën doganore të eksportit, lëshuar sipas legjislacionit doganor në Republikën e Shqipërisë;
ç) Nuk kanë detyrime të papaguara të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
2. Personat e tatueshëm, që plotësojnë kriteret sipas pikës 1, të këtij neni, rimbursohen automatikisht brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, si persona me risk zero.
3. Personat e tatueshëm, vlera e eksporteve të të cilëve, të kryera në periudhën/at tatimore për të cilën/at kërkohet rimbursimi, përbën më shumë se 50% deri në 70% të vlerës së përgjithshme të shitjeve përfshirë eksportet, rimbursohen brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, duke iu nënshtruar më parë procedurës së analizës së riskut.
Nëse nga analiza e riskut rezulton se personi i tatueshëm që klasifikohet në këtë kategori duhet t’i nënshtrohet procesit të kontrollit tatimor, e gjithë procedura, përfshirë kontrollin, përfundon brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës. Në të kundërt, brenda afatit 30-ditor nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim kryhet rimbursimi i TVSH-së nëpërmjet sistemit të thesarit.
4. Të gjithë personat e tjerë të tatueshëm që kryejnë eksporte, por nuk klasifikohen në pikat 1 dhe 3, të këtij neni, rimbursohen brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim duke iu nënshtruar procedurës së analizës së riskut.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E FONDIT NË MBËSHTETJE TË MIKRONDËRMARRJEVE, NDËRMARRJEVE TË VOGLA DHE TË MESME QË USHTROJNË AKTIVITET NË ZONAT TURISTIKE/HISTORIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, të ndryshuar, të neneve 8 e 8/1, të ligjit nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, të neneve 5 e 7, të ligjit nr.10303, datë 15.7.2010, “Për krijimin dhe mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA)”, dhe të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e Fondit në Mbështetje të Mikrondërmarrjeve, Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, që ushtrojnë aktivitet në zonat turistike/historike, më poshtë “Fondi”, me vlerë të përgjithshme 49 000 000 (dyzet e nëntë milionë) lekë, për një kohëzgjatje zbatimi 3-vjeçare, për periudhën 2016-2018. Fondi fillon të zbatohet në vitin 2016 me këtë shtrirje kohore dhe sipas vlerave të mëposhtme:
Për vitin 2016, vlera e fondit të jetë 29 000 000 (njëzet e nëntë milionë) lekë.
Për vitin 2017, vlera e fondit të jetë 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.
Për vitin 2018, vlera e fondit të jetë 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.
2. Fondi, përveç fondeve nga buxheti i shtetit, i parashikuar në pikën 1, mund të ketë si burim financimi edhe donatorë të ndryshëm apo institucione financiare ndërkombëtare. Në këtë rast, procedurat e aplikimit dhe kriteret për përzgjedhjen e përfituesve përcaktohen në marrëveshjen që do të lidhet me donatorin apo institucionin financiar e cila miratohet bashkërisht nga ministri përgjegjës për ekonominë dhe përfaqësuesi i donatorit apo i përfaqësuesit të institucionit financiar.
3. Fondi u jep ndihmë, në formë granti të drejtpërdrejtë, mikrondërmarrjeve, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, nëpërmjet bashkëfinancimit. Në varësi të vlerësimit për projektin e dorëzuar nga aplikanti/tët, Fondi mbulon deri në 50% të kostove të pranueshme, por jo më shumë se 3 000 000 (tre milionë) lekë.
4. Përfitimi i ndërmarrjeve për të njëjtin projekt nga mbështetja e programeve apo projekteve, duke përdorur fonde nga donatorët apo institucione financiare ndërkombëtare, nuk përbën pengesë për përfitim edhe nga Fondi në Mbështetje të Mikrondërmarrjeve, Ndërmarjeve të Vogla dhe të Mesme, që ushtrojnë aktivitet në zonat turistike/historike. Në këtë rast, Fondi do të mbulojë vetëm 30% të kostove.
5. Objektivi kryesor i Fondit është stimulimi i mikrondërmarrjeve, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që ushtrojnë aktivitet në zonat turistike/historike, për t’iu mundësuar atyre mbështetje financiare për investime kapitale në ambientet e ushtrimit të aktivitetit.
6. Qëllimi i Fondit është rivitalizimi ekonomik në zonat turistike/historike.
7. Kostot e pranueshme, që mund të bashkëfinancohen, përfshijnë kostot për:
a) rikonstruksion të ambienteve të brendshme të vendit të ushtrimit të aktivitetit;
b) blerje makinerish/pajisjesh;
c) shërbime këshillimore për projektimin për ristrukturimin dhe modernizimin e ambienteve të punës.
8. Përfitojnë nga Fondi ndërmarrjet që plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a) Janë biznese të klasifikuara si mikro, të vogla apo të mesme, sipas ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, të ndryshuar.
b) Kanë selinë e tyre brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
c) Ushtrojnë aktivitetin e tyre në një nga zonat turistike/historike.
ç) Kanë një kontratë qiraje të paktën dyvjeçare për ambientet ku ushtrohet aktiviteti.
d) Janë të regjistruara në QKB dhe nuk kanë detyrime tatimore e doganore të papaguara.
dh) Nuk janë në proces falimentimi ose procedurë likuidimi;
e) Plotësojnë kriteret e legjislacionit të ndihmës shtetërore për ndihmën “De minimis”.
ë) Duhet të jenë të afta për të financuar jo më pak se 50% të vlerës së projektit.
9. Procedura e aplikimit për këtë fond është, si më poshtë vijon:
a) Aplikimi paraqitet në sportelin e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) nga vetë kërkuesi apo çdo person i autorizuar prej tij sipas formatit të aplikimit, të miratuar nga drejtori Ekzekutiv i AIDA-s. Aplikanti së bashku me formularin e aplikimit duhet të dorëzojë dokumentet e mëposhtme:
– Aktin e regjistrimit të subjektit sipas legjislacionit në fuqi (QKB);
– Pasqyrat financiare të vitit të fundit të ndërmarrjes. Në rastet kur bilanci është negativ, ndërmarrja duhet të dorëzojë një vërtetim bankar që vërteton se ndërmarrja ka në llogari bankare një shumë të barabartë me buxhetin e projektit;
– Buxhetin e projektit, së bashku me një vërtetim bankar që vërteton se mbulon në masën 50% vlerën e projektit;
– Planin e biznesit;
– dokumentin që vërteton se janë paguar të gjitha detyrimet e parashikuara nga legjislacioni doganor dhe tatimor;
– Kontratën e qirasë të paktën me një afat dyvjeçar për ambientet ku ushtrohet aktiviteti;
– Dokumentin e identifikimit, të njohur nga ligji, të personit që paraqet kërkesën në emër të subjektit;
– Autorizimin që vërteton se personi i cili paraqet kërkesën në emër të subjektit, kur ky nuk është titullari i subjektit, është i autorizuar prej këtij subjekti për të aplikuar dhe për të bërë deklarimet e kërkuara në emër të subjektit.
b) Punonjësi i AIDA-s asiston të interesuarin në plotësimin e formularit të aplikimit, verifikon identitetin dhe kërkon nënshkrimin e formularit të plotësuar.
c) Dokumentet paraqiten në origjinal, në kopje me të njëjtën fuqi provuese me origjinalin ose në kopje të panjësuara me origjinalin, nën përgjegjësinë e plotë të aplikantit për vërtetësinë e akteve të marra si kopje të vërteta të origjinalit.
ç) Kur kërkesa paraqitet nga personi i autorizuar, sipas shkronjës “a” të kësaj pike, bashkë me dokumentet paraqitet edhe dokumenti që vërteton faktin e të qenit i autorizuar.
d) Aplikimi pajiset me një numër aplikimi dhe regjistrohet në Regjistrin e Skemës së Grantit për Ndarje të Kostove.
dh) Aplikimet shqyrtohen nga Komisioni i Aprovimit të Grantit i cili përbëhet nga drejtori Ekzekutiv i AIDA-s, që është njëkohësisht edhe kryetar i këtij Komisioni, 2 anëtarë të emëruar nga drejtori Ekzekutiv i AIDA-s dhe 2 anëtarë të caktuar nga ministri përgjegjës për ekonominë.
e) Vendimi për miratimin ose refuzimin e një aplikimi bazohet vetëm mbi dokumentet e paraqitura.
ë) Vendimi për akordim të grantit merret me shumicë votash dhe nënshkruhet nga të gjithë anëtarët prezent të Komisionit.
f) Pas njoftimit, ndërmarrja, së cilës i është miratuar kërkesa, paraqitet pranë AIDA-s për të nënshkruar marrëveshjen kontraktuale për dhënien e grantit sipas formatit të miratuar nga drejtori Ekzekutiv i AIDA-s, në të cilën do të përcaktohet dhe afati për përfundimin e projektit.
Procedurat e hollësishme të aplikimit, të disbursimit si dhe mënyra e menaxhimit të fondit përcaktohen në rregulloren e funksionimit të fondit, e cila miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për ekonominë.
Kjo pikë nuk zbatohet në rastin ku përveç fondeve nga buxheti i shtetit, të parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, fondi ka si burim financimi donatorë të ndryshëm apo institucione financiare ndërkombëtare.
10. Ngarkohet Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për menaxhimin e Fondit në Mbështetje të Mikrondërmarrjeve, Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, që ushtrojnë aktivitet në zonat e mbrojtura turistike. Përjashtimisht për vitin 2016, autorizohet Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për të lidhur marrëveshje mirëkuptimi me AADF-në (Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim) për mbështetjen e sipërmarrjeve që do të ushtrojnë aktivitetin e tyre në pazarin e Korçës.
11. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen, si më poshtë vijon:
– 29 000 000 (njëzet e nëntë milionë) lekë, nga fondet e planifikuara për AIDA-n, për vitin 2016;
– 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë të planifikohen në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për ekonominë, për vitet 2017 dhe 2018, e cila krijon një zë të veçantë për këtë qëllim, për llogari të AIDA-s.
12. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Financave dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2016, MIRATUAR PËR PROKURORINË E PËRGJITHSHME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2016, miratuar për Prokurorinë e Përgjithshme, në programin “Planifikim, menaxhim dhe administrim”, zëri “Shpenzime kapitale”, të shtohet fondi prej 5 100 000 (pesë milionë e njëqind mijë) lekësh, për ngritjen e sistemit elektronik për administrimin e kërkesave për verifikimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen apo ushtrojnë funksione publike.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2016.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Prokuroria e Përgjithshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.561, DATË 16.8.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT SIPAS GRADAVE PËR PUNONJËSIT, OFICERË DHE NËNOFICERË, TË GARDËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të nenit 34, të ligjit nr.8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lidhja nr.1, “Niveli i pagës për gradë, sipas roleve për punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë”, bashkëlidhur vendimit nr.561, datë 16.8.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet buxhetore të planifikuara për vitin 2016, në buxhetin e Gardës së Republikës së Shqipërisë.
3. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 qershor 2016.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET VENDEVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR, PËR NGRITJEN E ZYRËS RAJONALE PËR BASHKËPUNIM RINOR
Në mbështetje të nenit të 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D I M :
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, për ngritjen e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor dhe të statutit të saj, sipas teksteve që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E LIQENIT TË SHKODRËS DHE LUMIT BUNA SI ZONË BASHKËMENAXHUESE PESHKIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 54, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen e liqenit të Shkodrës dhe të lumit Buna, nga grykëderdhja deri në pikën e bashkimit me liqenin e Shkodrës, si zonë bashkëmenaxhuese peshkimi, duke pasur parasysh statusin si zonë natyrore veçanërisht e mbrojtur dhe si habitat i shpendëve ujorë, të përfshirë në listën e Konventës Ramsar, për të ushtruar aktivitetin e peshkimit tradicional.
2. Plani i bashkëmenaxhimit për zonën e liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna miratohet me urdhër të ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, brenda 12 muajve nga data e miratimit të kësaj zone.
3. Plani i bashkëmenaxhimit, sipas pikës 2, të jetë në përputhje me planin e menaxhimit të basenit Drin-Buna.
4. Veprimtaritë dhe investimet që do të kryhen në zonën e bashkëmenaxhimit të liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi për zonat e mbrojtura.
5. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1093, DATË 28.12.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PROCEDURAVE, TË KRITEREVE DHE PËRPARËSIVE PËR DHËNIEN E BONUSIT TË STREHIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1/1, të nenit 14, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas pikës 9, të vendimit nr.1093, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 9/1, me këtë përmbajtje:
“9/1. Përjashtimisht për vitin 2016, edhe në rastet kur njësitë e qeverisjes vendore nuk kanë fonde të miratuara në buxhetin e tyre për bonus strehimi, buxheti i shtetit do të përballojë deri në 50% të qirasë, ndërkohë që pjesën e mbetur e përballon qytetari që përfiton bonusin e strehimit. Bashkitë paraqesin kërkesat për bonus strehimi brenda datës 30 shtator 2016.”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Zhvillimit Urban për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE FONDESH BUXHETORE PËR SHPENZIME KORENTE, NDËRMJET PROGRAMEVE BRENDA BUXHETIT TË VITIT 2016, MIRATUAR PËR MINISTRINË E MIRËQENIES SOCIALE DHE RINISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 17, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, të bëhet rishpërndarja e fondeve për shpenzime korente, ndërmjet programeve, si më poshtë vijon:
a) Programit “Përkujdesi social”, tit.10430, kap.1, art.602, “Mallra e shërbime të tjera (për pajisjen me dekodera, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.480/2015 dhe specifikimeve teknike të vendimit nr.38/2015 të Autoritetit të Mediave Audiovizive, të familjeve në nevojë, përfituese nga skema e ndihmës ekonomike)”, t’i shtohet fondi prej 180 000 000 (njëqind e tetëdhjetë milionë) lekësh.
b) Programit “Tregu i punës”, tit.10550, kap.1, art.606, “Transferta për buxhetet familjare dhe individët”, t’i pakësohet fondi prej 130 000 000 (njëqind e tridhjetë milionë) lekësh.
c) Programit “Tregu i punës”, tit.10550, kap.1, art. 602, “Mallra e shërbime të tjera”, t’i pakësohet fondi prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh.
ç) Programit “Përfshirja sociale”, tit.10460, kap.1, art.602, “Mallra e shërbime të tjera”, t’i pakësohet fondi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh.
d) Programit “Arsimi i mesëm profesional”, tit.09240, kap.1, art.602, “Mallra e shërbime të tjera”, t’i pakësohet fondi prej 20 000 000 (njëzet milionë) lekësh.
2. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË DOKUMENTIT TË NDRYSHIMIT NR.1, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF018931, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD), QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT TË SIGURUARA NGA QEVERIA E KONFEDERATËS ZVICERANE, PËRFAQËSUAR NGA SEKRETARIATI SHTETËROR ZVICERAN PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE (SECO), NË KUADËR TË FONDIT TË MIRËBESIMIT TË SECO-S PËR FUQIZIMIN E KAPACITETEVE MBIKËQYRËSE TË AUTORITETIT TË MBIKËQYRJES FINANCIARE NË SHQIPËRI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 27, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të dokumentit të ndryshimit nr.1 të marrëveshjes së grantit nr.TF018931, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga qeveria e Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), në kuadër të fondit të mirëbesimit të SECO-s, për fuqizimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në Shqipëri, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjёherё.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E ZONËS SË TEKNOLOGJISË DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK NË KOPLIK, MALËSI E MADHE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” të territorit me sipërfaqe 61 (gjashtëdhjetë e një) ha, pjesë e zonës kadastrale nr.2220, në Koplik, Malësi e Madhe, të përbërë nga parcelat me numrat e pasurive dhe sipërfaqet përkatëse, sipas listës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shtrirja, kufijtë, pikat e hyrjes dhe të daljes së kësaj zone përcaktohen në hartën treguese, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Veprimtaritë që do të zhvillohen në këtë zonë janë të llojit:
a) prodhuese, industriale dhe agropërpunimi;
b) tregtare dhe magazinimi mallrash;
c) shërbime.
4. Periudha e funksionimit të zonës është deri në 99 vjet.
5. Zona e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik jepet me qira, me çmimin 1 euro.
6. Përzgjedhja e zhvilluesit të zonës të bëhet nëpërmjet procedurës konkurruese.
7. Kriteret, në bazë të të cilave do të vlerësohen zhvilluesit, janë:
a) propozimi i projektit teknik;
b) ndikimi mjedisor;
c) ndikimi social;
ç) kohëzgjatja e punimeve;
d) kapaciteti financiar i kompanisë dhe mundësia e financimit të projektit.
8. Vendimi nr.12, datë 4.1.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës ekonomike në Koplik, Shkodër”, dhe vendimi nr.773, datë 4.6.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues, për dhënien e statusit të zhvilluesit të zonës ekonomike në Koplik, Shkodër, dhe miratimin e bonusit, në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë”, shfuqizohen.
9. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.