Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Qershor 2021

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Qershor 2021:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT PËR RIMËKËMBJEN E SEKTORIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.170/2014

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike, ratifikuar me ligjin nr.170/2014, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM NOTASH, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR ZBATIMIN E PROGRAMIT PËR PËRGATITJEN E STUDIMEVE TË FIZIBILITETIT DHE HARTIMIT NË NIVEL PËRFUNDIMTAR DHE STUDIMIN E IMPAKTIT MJEDISOR NË SEKTORIN E INFRASTRUKTURAVE, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.86/2016

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim notash, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për zbatimin e programit për përgatitjen e studimeve të fizibilitetit dhe hartimin në nivel përfundimtar dhe studimin e impaktit mjedisor në sektorin e infrastrukturave, ratifikuar me ligjin nr.86/2016, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.764, DATË 20.12.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN E LEJES PËR HAPJEN E INSTITUCIONIT ARSIMOR PRIVAT PARAUNIVERSITAR TË ARSIMIT FILLOR “SCUOLA ITALIANA A TIRANA””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 42, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.764, datë 20.12.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Titulli i vendimit ndryshohet dhe bëhet: “Për dhënien e lejes për hapjen e institucionit arsimor privat parauniversitar të arsimit bazë “Scuola Italiana a Tirana””.

2. Kudo në përmbajtje të vendimit, fjalët “arsim fillor” zëvendësohen me “arsim bazë”.

3. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Institucioni arsimor privat parauniversitar i arsimit bazë “Scuola Italiana a Tirana” ushtron veprimtarinë arsimore në adresën: rruga “Rauf Fico”, ndërtesa 11, njësia nr.5, 1022, Tiranë.”.

4. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Në institucionin arsimor privat parauniversitar të arsimit bazë “Scuola Italiana a Tirana” mësimi do të zhvillohet edhe në gjuhë të huaj (në gjuhën italiane). Lëndët “Gjuha shqipe”, “Historia e kombit shqiptar” dhe “Gjeografia e Shqipërisë” zhvillohen detyrimisht në gjuhën shqipe.”.

5. Pas pikës 11 shtohet pika 11/1, me këtë përmbajtje:

“11/1. Subjekti, para hapjes së çdo klase të arsimit të mesëm të ulët dhe fillimit të veprimtarisë për këtë nivel arsimor, deklaron në ministrinë përgjegjëse për arsimin, 3 (tre) muaj para fillimit të vitit shkollor përkatës, personelin mësimdhënës për këto klasa dhe çdo ndryshim tjetër, duke përcjellë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, sipas përcaktimeve të vendimit nr.466, datë 10.6.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për hapjen dhe mbylljen e institucioneve private të arsimit parauniversitar, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare apo ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj”.

Institucioni mund të fillojë veprimtarinë për klasat e arsimit të mesëm të ulët, për vitin shkollor, vetëm pas miratimit të ministrisë përgjegjëse për arsimin për personelin mësimdhënës dhe çdo ndryshimi tjetër.”.

II. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Durrës, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë dhe institucioni arsimor privat parauniversitar i arsimit bazë “Scuola Italiana a Tirana” për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

AKT NORMATIV
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9936, DATË 26.6.2008, “PËR MENAXHIMIN E SISTEMIT BUXHETOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në ligjin nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Në pikën 5, të nenit 4/1, fjalët “… vitit buxhetor 2023 …” zëvendësohen me “… vitit buxhetor 2024 …”.
Neni 2

Në fund të nenit 74, “Dispozita kalimtare”, shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:

“Përjashtimisht, për vitin 2021, nuk zbatohen parimet dhe rregullat fiskale të përcaktuara në pikat 1, 2, 3 dhe 4, të nenit 4/1, të këtij ligji.”.
Neni 3

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË NOTËS SË ADERIMIT/DEKLARIMIT TË SYNIMIT, PËR T’U BËRË PJESË NË MEMORANDUMIN E MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET QEVERISË SË MALIT TË ZI DHE SHTABIT SUPREM TË FUQIVE ALEATE NË EVROPË DHE SHTABIT TË KOMANDËS SUPREME ALEATE PËR TRANSFORMIMIN, NË LIDHJE ME DHËNIEN E MBËSHTETJES SË SHTETIT PRITËS PËR EKZEKUTIMIN E OPERACIONEVE/STËRVITJEVE TË ORGANIZATËS SË TRAKTATIT TË ATLANTIKUT VERIOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të notës së aderimit/deklarimit të synimit, për t’u bërë pjesë në memorandumin e mirëkuptimit, ndërmjet qeverisë së Malit të Zi dhe Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë dhe Shtabit të Komandës Supreme Aleate për Transformimin, në lidhje me dhënien e mbështetjes së shtetit pritës për ekzekutimin e operacioneve/stërvitjeve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË NOTËS SË ADERIMIT/DEKLARIMIT TË SYNIMIT, PËR T’U BËRË PJESË NË MEMORANDUMIN E MIRËKUPTIMIT (MOU), NDËRMJET QEVERISË SË DUKATIT TË MADH TË LUKSEMBURGUT DHE SHTABIT TË KOMANDËS SUPREME ALEATE PËR TRANSFORMIMIN, SI DHE SHTABIT SUPREM TË FUQIVE ALEATE NË EVROPË, NË LIDHJE ME DHËNIEN E MBËSHTETJES SË SHTETIT PRITËS PËR EKZEKUTIMIN E OPERACIONEVE/STËRVITJEVE/AKTIVITETEVE TË NGJASHME USHTARAKE TË NATO-S

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të notës së aderimit/deklarimit të synimit, për t’u bërë pjesë në memorandumin e mirëkuptimit (MoU), ndërmjet qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Shtabit të Komandës Supreme Aleate për Transformimin, si dhe Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë, në lidhje me dhënien e mbështetjes së shtetit pritës për ekzekutimin e operacioneve/stërvitjeve/aktiviteteve të ngjashme ushtarake të NATO-s, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA DREJTORIA E PËRGJITHSHME E SHËRBIMEVE TË TRANSPORTIT RRUGOR TEK AUTORITETI RRUGOR SHQIPTAR, TË PASURISË ME NR.6/30, ZONA KADASTRALE 8562, KORÇË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor tek Autoriteti Rrugor Shqiptar, të pasurisë me nr.6/30, zona kadastrale 8562, me sipërfaqe totale 560 m2, Korçë, sipas planit të rilevimit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, do të përdoret për ushtrimin e veprimtarisë së Autoritetit Rrugor Shqiptar.

3. Autoritetit Rrugor Shqiptar, sh.a., i ndalohet ta tjetërsojë apo t’ua japë në përdorim të tretëve pasurinë e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.

4. Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, hiqet nga lista e inventarit bashkëlidhur vendimit nr.226, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës”, të ndryshuar, dhe i shtohet listës së inventarit bashkëlidhur vendimit nr.3, datë 7.1.2005, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Transportit dhe të Telekomunikacionit”.

5. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I TREGUT TË GJËSË SË GJALLË”, BASHKIA KORÇË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i tregut të gjësë së gjallë”, Bashkia Korçë.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Korçë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit tokë “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 2 100 000 (dy milionë e njëqind mijë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 2 100 000 (dy milionë e njëqind mijë) lekësh, të përballohet nga Bashkia Korçë.

5. Shpenzimet procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Bashkia Korçë.

6. Shpronësimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, pranë Bashkisë Korçë.

8. Bashkia Korçë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të nisë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit, mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësive në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Korçë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Korçë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.43, DATË 15.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FUNKSIONIMIN E PROCESIT TË SHKËMBIMIT TË DOKUMENTEVE NDËRMJET INSTITUCIONEVE, NËPËRMJET SISTEMIT TË QARKULLIMIT TË DOKUMENTEVE ME NËNSHKRIM ELEKTRONIK”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 27, të ligjit nr.107/2015, “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”, të ndryshuar, dhe të nenit 24, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.43, datë 15.1.2020, Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në kreun II bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në fund të titullit të kreut shtohen fjalët “ … MONITORIMIT DHE RAPORTIMIT”.

b) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë si vijon:

“4. Nëpunësi publik është i detyruar që kërkesën për ndihmë administrative, për kryerjen e një ose disa veprimeve të nevojshme, veçanërisht për njohjen me dokumente, fakte apo mjete të tjera të provës, në administrim të organit tjetër, sipas përcaktimit të nenit 71, të Kodit të Procedurës Administrative, ta dërgojë jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga paraqitja e kërkesës nga kërkuesi. Në çdo rast, ndihma administrative, sipas kësaj pike, kërkohet nëpërmjet SQDNE-së.”.

c) Në pikën 11, fjalët “… pika 7…” zëvendësohen me “… pika 10…”.

ç) Pika 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“13. Në mënyrë që të zbatohen afatet për shërbimin ndaj qytetarit, nëpunësit, eprori apo titullari do të kenë mundësinë e monitorimit nëpërmjet sistemit për të verifikuar statusin e kërkesës. Çdo nëpunës publik duhet të vetëdeklarojë, nëpërmjet sistemit, në ofrimin e shërbimit ose statusin e kërkesës, duke përfshirë dhe datën në të cilën është ofruar ky shërbim te qytetari ose subjekti që ka bërë kërkesën.”.

d) Pas pikës 13 shtohen pikat 13/1, 13/2 dhe 13/3, me këtë përmbajtje:

“13/1. Lëvrimi i shërbimeve nga të gjitha institucionet shërbimofruese të kërkesave të bëra nga platforma e-Albania do të realizohet vetëm elektronikisht, duke siguruar lëshimin e dokumentit përfundimtar me vulë elektronike ose nënshkrim elektronik.

13/2. Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje është institucioni përgjegjës për monitorimin e raportimin e zbatimit të afateve dhe përdorimit të SQDNE-së, në rastet kur duhet të ketë shkëmbim dokumentacioni shoqërues ndërmjet institucioneve, deri në marrjen e shërbimit nga subjektet kërkuese në portalin qeveritar e-Albania, sipas afateve ligjore.

13/3. Nëpunësit publikë përgjegjës raportojnë pranë Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje për vonesat, kërkesat e refuzuara apo gabimet gjatë procesit për kërkim dokumentacioni, ofrimin e shërbimit dhe masat e marra nga institucioni në rast vonese në ofrimin e shërbimit.”.

2. Pika 16, e kreut III, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“16. Për shkelje të rënda ose të përsëritura, të ndodhura brenda një institucioni ose kur konstatohet se shkeljet janë pasojë e mosorganizimit të brendshëm të punës në institucion, eprori direkt i nëpunësit publik:

a) trajtohet sipas përcaktimeve dhe procedurave të legjislacionit për nëpunësin civil, në rastin kur ai është nëpunës civil;
b) merr masë administrative, sipas legjislacionit në fuqi që rregullon marrëdhënien e punës, në rastin kur marrëdhënia e tij e punës rregullohet në bazë të dispozitave të Kodit të Punës apo me ligj të posaçëm.”.

II. Ngarkohen Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje dhe institucionet e administratës publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.