Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 23 Janar 2019: 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRIT TË SHTETIT PËR MARRËDHËNIET ME PARLAMENTIN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Miratimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, si dhe të kompetencave për realizimin e tyre, sipas këtij vendimi.

II. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin e ushtron veprimtarinë e tij në këto fusha përgjegjësie shtetërore:

1. Në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, ndjek dhe bashkërendon veprimtarinë e qeverisë me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë (në vijim, Kuvendi) për:

a) hartimin dhe miratimin e programit të punës e të kalendarit të punimeve të Kuvendit;
b) procesin e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave, si dhe dërgimin e të dhënave apo të informacioneve gjatë procesit ligjbërës të Kuvendit;
c) seancat e pyetjeve, interpelancat, peticionet, si dhe kontrollin që ushtrojnë komisionet e përhershme parlamentare mbi ministritë përgjegjëse apo autoritetet përgjegjëse të administratës shtetërore.

2. Përgatit dokumente apo mendime vlerësuese për projektaktet e propozuara për shqyrtim në Këshillin e Ministrave. Bashkërendon, nëse nevojitet, veprimtarinë e Këshillit të Ministrave, ministrive apo autoriteteve përgjegjëse shtetërore me institucionet e pavarura.

3. Përfaqëson Këshillin e Ministrave në marrëdhëniet e informimit të publikut për vendimmarrjet e Këshillit të Ministrave.

III. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, për realizimin e fushës së përgjegjësisë, sipas pikës 1, të ndarjes II, të këtij vendimi, ka këto kompetenca:

1. Merr pjesë në mbledhjen e konferencës së kryetarëve të Kuvendit.

2. Bashkërendon programin dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit me programin politik të Këshillit të Ministrave.

3. Informon vazhdimisht dhe në kohë Kryeministrin, kur është rasti, edhe Këshillin e Ministrave, për programin dhe kalendarin e procesit ligjbërës të Kuvendit, si dhe për aktivitetet e tjera të tij.

4. Ndjek në mënyrë periodike ecurinë e procesit ligjbërës në Kuvend, nëpërmjet procesverbaleve dhe relacioneve që përpunohen gjatë shqyrtimit të projektligjeve dhe informon Kryeministrin për problematikat që mund të dalin gjatë këtij procesi.

5. Bashkërendon punën për pjesëmarrjen e anëtarëve të Këshillit të Ministrave në mbledhjet e komisioneve të Kuvendit.

6. Kujdeset për dërgimin në komisionet e Kuvendit të relacioneve, të të dhënave apo dhe të informacioneve të kërkuara nga ministritë apo autoritetet përgjegjëse shtetërore gjatë procesit të:

a) shqyrtimit të një projektligji;
b) zhvillimit të një procedure pyetjesh, interpelance apo shqyrtimi të një peticioni.

7. Ndjek ecurinë në Kuvend të projektligjeve të ndërmarra me nismën e një deputeti apo njëzet mijë zgjedhësve:

a) duke bashkërenduar punën dhe duke u kujdesur për dërgimin pranë komisionit përkatës të Kuvendit të mendimeve nga ministria, në fushën e përgjegjësisë të së cilës është projektligji;
b) duke vlerësuar nëse përmbajtja e tyre harmonizohet me programin politik të Këshillit të Ministrave;
c) duke bashkërenduar punën me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për analizën për koston financiare që ka projektligji për buxhetin e shtetit, nëse do të ketë një efekt të tillë.

8. Njofton Kryeministrin për problematikat e konstatuara gjatë shqyrtimit në Kuvend të projektligjeve të ndërmarra me nismën e një deputeti apo njëzet mijë zgjedhësve.

9. Përfaqëson Këshillin e Ministrave në mbledhjet e komisioneve të Kuvendit, ku shqyrtohen projektligje apo akte normative të ndërmarra me nismën e Kryeministrit.

10. Ndjek, së bashku me drejtuesit e institucioneve të pavarura, shqyrtimin në Kuvend të projektligjeve, që trajtojnë organizimin dhe funksionimin e këtyre institucioneve.

11. Kujdeset dhe bashkërendon procesin e një kontrolli parlamentar të ndërmarrë nga komisionet e Kuvendit me ministrinë apo autoritetin përgjegjës të administratës shtetërore, i cili është subjekt i kontrollit.

12. Bashkërendon punën dhe bashkëpunon me kryetarët e grupeve parlamentare për ecurinë e procesit ligjbërës.

13. Bashkërendon punën me kryetarin e Kuvendit dhe kryetarët e grupeve parlamentare për hartimin e kalendarit të seancave për pyetje, interpelanca, mocione të besimit apo mosbesimit.

14. Përfaqëson Këshillin e Ministrave në institucionet e ndryshme për paraqitjen e programit e të kalendarit të punimeve të Kuvendit, si dhe të përparësive të politikave të qeverisë.

15. Kujdeset për kryerjen e detyrave për përcjelljen në Kuvend të projektakteve normative.

16. Kujdeset dhe ndjek procedurat për shqyrtimin dhe miratimin në Kuvend të emërimeve që paraqiten me propozimin e Këshillit të Ministrave apo të ministrave përgjegjës.

IV. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, për realizimin e fushës së përgjegjësisë, sipas pikës 2, të ndarjes II, të këtij vendimi, ka këto kompetenca:

1. Përgatit bashkërisht me ministritë e interesuara dhe paraqet për miratim në Këshillin e Ministrave mendimin me shkrim për projektligjet e ndërmarra me nismën e një deputeti apo njëzet mijë zgjedhësve.

2. Nëse e vlerëson të nevojshme, jep mendim me shkrim për projektakte të veçanta, gjatë fazës së bashkërendimit të tyre, për përputhshmërinë e tyre me:

a) Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë;
a) programin politik të Këshillit të Ministrave;
c) kërkesat apo opinionet e dokumenteve politike dhe të raporteve të institucioneve të Bashkimit Evropian, në kuadër të procesit të integrimit evropian.

3. Paraqet në Këshillin e Ministrave analiza, raporte, vlerësime apo rekomandime, të përgatitura nga grupe pune të ngritura me urdhër të Kryeministrit, në lidhje me zbatueshmërinë e normave juridike të caktuara apo për projektakte, të cilat synojnë zbatimin e reformave të rëndësishme, sipas programit të qeverisë.

4. Drejton ose bashkërendon veprimtarinë e grupeve ndërministrore apo ndërinstitucionale të punës për përgatitjen apo vlerësimin e projektakteve, sa herë që kjo i caktohet me urdhër të Kryeministrit.

5. Realizon, kur është e nevojshme, konsultime me grupe interesi, shoqërinë civile dhe/ose përfaqësues të ministrive, institucioneve të pavarura apo autoriteteve shtetërore përgjegjëse për projektligje të ndryshme dhe informon Këshillin e Ministrave në lidhje me këto konsultime.

6. Bashkërendon punën dhe trajton shqetësimet që kanë institucionet e pavarura apo institucione të tjera, në lidhje me:

a) marrëdhëniet institucionale që ato kanë me Këshillin e Ministrave, ministritë apo autoritete të ndryshme shtetërore përgjegjëse;
b) hartimin e projektakteve që trajtojnë organizimin dhe funksionimin e tyre;
c) interesa të tjerë që ato kanë për projektakte të ndryshme apo për procesin ligjbërës.

7. Kujdeset për dërgimin në Kuvend të përgjigjeve të përgatitura nga ministritë apo autoritetet shtetërore përgjegjëse për kërkesat për të dhëna dhe informacione gjatë procesit të shqyrtimit të një projektligji apo gjatë një procedure parlamentare pyetjesh apo peticioni.

8. Kujdeset për respektimin e procedurave dhe të afateve ligjore për emërimet që i propozohen Kuvendit nga Këshilli i Ministrave apo ministri përgjegjës.

9. Promovon, në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, realizimin e objektivave parësorë të qeverisë.

V. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, për realizimin e fushës së përgjegjësisë, sipas pikës 3, të ndarjes II, të këtij vendimi, ushtron kompetencat e zëdhënësit të Këshillit të Ministrave për informimin e vendimmarrjeve më të rëndësishme të tij, si dhe për ato me interes për publikun.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.654, DATË 14.9.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË ORGANIKËS SË AGJENCISË SË OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE TË INTEGRUARA”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 17, të ligjit nr.13/2016, “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.654, datë 14.9.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

1. Shtojca I, që përmendet në pikën 1, zëvendësohet me shtojcën me të njëjtin numër, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Shtojca II, që përmendet në pikën 2, zëvendësohet me shtojcën me të njëjtin numër, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Numri i punonjësve të Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) të jetë, gjithsej, 155 veta.”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIM URBAN I SHESHIT NË FSHATIN SAMATICË”, URA VAJGURORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rikualifikim urban i sheshit në fshatin Samaticë”, Ura Vajgurore.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Ura Vajgurore.

3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “Tokë arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 206 000 (dyqind e gjashtë mijë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasurinë e llojit “Tokë arë”, në masën prej 206 000 (dyqind e gjashtë mijë) lekësh, të përballohet nga fondet e Bashkisë Ura Vajgurore.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.

7. Pronari i përmendur në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Ura Vajgurore.

8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Ura Vajgurore, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të shtetit.

9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasurinë e shpronësuar.

10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat dhe Bashkia Ura Vajgurore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR BASHKËPUNIMIN, NXITJEN E BIZNESIT DHE INFORMIMIN E DIASPORËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin, nxitjen e biznesit dhe informimin e diasporës, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.1299, DATË 16.12.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS, TË ORGANIKËS DHE TË NUMRIT TË PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT TË GJENDJES CIVILE NË BASHKI/NJËSI BASHKIAKE/KOMUNA DHE NË DEGËT E QARQEVE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 62, të ligjit nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.1299, datë 16.12.2009, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

a) Kudo, në titull dhe në tekstin e vendimit, fjalët “… njësi bashkiake/komuna …” zëvendësohen me “… njësi administrative …” dhe fjalët “… zyrat e gjendjes civile në degët e qarkut/rrethi …” zëvendësohen me “… zyrat e arkivit të gjendjes civile pranë prefektit të qarkut …”;
b) Në pikën 4, numri i zyrave të gjendjes civile bëhet 394;
c) Pas pikës 4 shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:

“4/1. Dokumentet aktlindje, sipas modelit nr.1, dhe aktvdekje, sipas modelit nr.3, të lidhjes nr.1, bashkëlidhur vendimit nr.332, datë 17.3.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e formës, të elementeve përbërëse, mënyrës së mbajtjes e afatit të përdorimit të dokumenteve bazë, që mbahen dhe lëshohen nga shërbimi i gjendjes civile”, të ndryshuar, mbahen edhe nga nëpunësit e gjendjes civile të atashuar pranë institucioneve të shërbimit spitalor publik dhe privat, ku kryhet lindja (apo ndodh vdekja e foshnjës), nën juridiksionin territorial të bashkive.”.

ç) Në pasqyrën nr.2, në tabelën e organikës së shërbimit të gjendjes civile për Bashkinë Tiranë, rreshtat me numrat 19, 20 e 21 ndryshojnë, si më poshtë:

Nr. Bashkia Tiranë Z.GJ.C.
19 Njësia Administrative Dajt dhe Dajt/1 2
20 Njësia Administrative Farkë dhe Farkë/1 2
21 Njësia Administrative Kashar dhe Kashar/1 2

2. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I NJË QENDRE MULTIFUNKSIONALE PËR FËMIJËT ME AFTËSI TË KUFIZUARA”, NË FSHATIN POSHNJE, BASHKIA URA VAJGURORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndyshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Ndërtimi i një qendre multifunksionale për fëmijët me aftësi të kufizuara”, në fshatin Poshnje, Bashkia Ura Vajgurore.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Ura Vajgurore.

3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, për pasurinë e llojit “ndërtesë”, të kompensohet në vlerë të plotë sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me vlerë të përgjithshme prej 783 335 (shtatëqind e tetëdhjetë e tre mijë e treqind e tridhjetë e pesë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për pasurinë e llojit “ndërtesë”, me vlerë 783 335 (shtatëqind e tetëdhjetë e tre mijë e treqind e tridhjetë e pesë) lekë, të përballohet nga fondet e Bashkisë Ura Vajgurore.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi të fillojë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.

7. Pronari i përmendur në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidimin, pranë Bashkisë Ura Vajgurore.

8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Ura Vajgurore, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të shtetit.

9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit për pasurinë e shpronësuar.

10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Ura Vajgurore, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E BUXHETIT TË VITIT 2019 PËR ZYRËN E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të nenit 13, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, dhe të nenit 29, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e programit të shërbimit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për vitin 2019, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Miratimin e buxhetit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për vitin 2019, sipas shtojcave nr.2 e nr.3, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

3. Ngarkohet Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2019.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT
“ASFALTIM I RRUGËS “KODËRMALEKAJ”, BASHKIA LEZHË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21 të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Asfaltim i rrugës “Kodërmalekaj”, Bashkia Lezhë”.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Lezhë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë “truall”+“ndërtesë”, me vlerë të përgjithshme prej 5 844 588 (pesë milionë e tetëqind e dyzet e katër mijë e pesëqind e tetëdhjetë e tetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 5 844 588 (pesë milionë e tetëqind e dyzet e katër mijë e pesëqind e tetëdhjetë e tetë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Lezhë, planifikuar në buxhetin e saj.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia Lezhë.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e pronësisë pranë Bashkisë Lezhë.

8. Afati i përfundimit të punimeve të objektit, në Bashkinë Lezhë, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.

9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Lezhë.

10. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.

11. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë dhe Bashkia Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT
“RIKUALIFIKIM I QENDRËS SË QYTETIT ÇOROVODË”, FAZA E DYTË, BASHKIA SKRAPAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikim i qendrës së qytetit Çorovodë”, faza e dytë, Bashkia Skrapar.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Skrapar.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë “ndërtesë”, me sipërfaqe 149.1 (njëqind e dyzet e nëntë pikë një) m2, me vlerë të përgjithshme prej 2 467 950 (dy milionë e katërqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 2 467 950 (dy milionë e katërqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Skrapar, planifikuar në buxhetin e saj.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia Skrapar.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e pronësisë pranë Bashkisë Skrapar.

8. Afati i përfundimit të punimeve të objektit në Bashkinë Skrapar të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.

9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Skrapar, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Skrapar, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Skrapar.

10. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Skrapar të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.

11. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Skrapar dhe Bashkia Skrapar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË EL SALVADORIT, PËR HEQJEN E VIZAVE PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE DIPLOMATIKE, ZYRTARE, TË SHËRBIMIT DHE TË ZAKONSHME

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së El Salvadorit, për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike, zyrtare, të shërbimit dhe të zakonshme, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.