Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 23 Nëntor 2016
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.418, DATË 27.6.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË KËSHILLAVE, BORDEVE OSE KOMISIONEVE TË NJËSIVE TË QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 3, të vendimit nr.418, datë 27.6.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, në ndarjen “Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës”, për emërtesat “Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha” dhe “Këshilli Teknik i Përhershëm i Digave”, numri maksimal i pagesave në një vit buxhetor bëhet 12.
2. Efektet financiare të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Transportit dhe të Infrastrukturës.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
 EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZBATIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I STACIONIT TË POMPIMIT TRUSH (SHTESA)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i projektit “Rehabilitimi i stacionit të pompimit Trush (shtesa)”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të ndërmarrjes “Ujësjellës fshat”, sh.a., Shkodër.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “arë”, me sipërfaqe 2 960 (dy mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme të shpronësimit 799 200 (shtatëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e dyqind) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 799 200 (shtatëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e dyqind) lekësh, të përballohet nga buxheti i ndërmarrjes “Ujësjellës fshat”, sh.a., Shkodër.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i ndërmarrjes “Ujësjellës fshat”, sh.a., Shkodër.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga  ZVRPP-ja”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë ndërmarrjes “Ujësjellës fshat”, sh.a., Shkodër.
8. Ndërmarrja “Ujësjellës fshat”, sh.a., Shkodër, të kryejë likuidimet për efekt shpronësimi në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me ndërmarrjen “Ujësjellës fshat”, sh.a., Shkodër, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’u vihet në dispozicion nga ndërmarrja “Ujësjellës fshat”, sh.a., Shkodër, dhe  me fillimin e procesit të likuidimit të fillojë dhe procesi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së trupit të rrugës në hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, ndërmarrja “Ujësjellës fshat”, sh.a., Shkodër, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër për zbatimin e këtij  vendimi.
      Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.914, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE TË PROKURIMIT PUBLIK”, TË NDRYSHUAR 
Nё mbёshtetje tё nenit 100 tё Kushtetutёs dhe të nenit 75, të ligjit nr.9643, datё 20.11.2006, “Pёr prokurimin publik”, tё ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Kёshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin e rregullave të prokurimit publik, bashkëlidhur vendimit nr.914, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në nenin 60, “Urdhri i prokurimit”, fjalët “…të vitit ushtrimor…” zëvendësohen me “…të vitit buxhetor…”.
2. Në neni 76, “Kohëzgjatja e kontratës”, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 1 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“1. Autoriteti kontraktor, për fondet buxhetore, prokuron kontratat për një periudhë deri në mbylljen e vitit buxhetor, përveç rasteve kur lidhen kontrata shtesë, në përputhje me shkronjat “b”, të pikave 3 e 5, të nenit 33, të LPP-së.
Në çdo rast, financimi i kontratave të prokurimit bëhet në përputhje me parashikimet e legjislacionit përkatës për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë.”.
b) Në nënndarjen e dytë, të pikës 3, fjalët “…brenda vitit ushtrimor…” zëvendësohen me “…brenda vitit buxhetor…”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJEN E FONDEVE, BRENDA PROGRAMEVE,  NË BUXHETIN E VITIT 2016, MIRATUAR PËR MINISTRINË E PUNËVE TË BRENDSHME
Në  mbështetje të  nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 17, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme, bëhet rishpërndarja e fondeve, brenda programeve buxhetore, si më poshtë vijon:
a) Për programin “Policia e Shtetit”, në artikullin 231 “Shpenzime për investime”, shtohet fondi 63 000 000 (gjashtëdhjetë e tre milionë) lekë, për mbulimin e shpenzimeve në investime për projektin “Sistemi i transmetimit të të dhënave DATACOM”;
b) Për programin “Emergjenca Civile”, në artikullin 602 “Mallra e shërbime”, shtohet fondi 14 400 000 (katërmbëdhjetë milionë e katërqind mijë) lekë për mbulimin e shërbimeve të kryera në territorin e Republikës së Shqipërisë për fikjen e zjarreve në pyje gjatë muajit gusht-shtator 2016.
2. Fondi prej 77 400 000 (shtatëdhjetë e shtatë milionë e katërqind mijë) lekësh, i përcaktuar në shkronjat “a” dhe “b”, të këtij vendimi, përballohet nga pakësimi i buxhetit për programin “Gjendja civile”, zëri “Shpenzime për investime”, dhe për programin “Planifikim menaxhimi”, zëri “Shpenzime korrente”.
3. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme dhe ministri i Financave për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “KOMPLEKSI SPORTIV LUSHNJA”  
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21,  të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.160/2014, datë 27.11.2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Kompleksi Sportiv Lushnja”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Lushnjë.
3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë “tokë truall”, me një vlerë të përgjithshme të shpronësimit prej 37 964 960 (tridhjetë e shtatë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 37 964 960 (tridhjetë e shtatë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren    zyrtare”.
7. Pronari i përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Lushnjë.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lushnjë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Lushnjë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lushnjë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasurinë e shpronësuar.
10. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lushnjë dhe Bashkia Lushnjë për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE TË AFATEVE PËR KALIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË, PA PAGESË, MBI TRUALLIN DHE OBJEKTET E NDËRTUARA PËR FAMILJET E SHPËRNGULURA NGA NDËRTIMI I UJËMBLEDHËSIT TË BOVILLËS 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/1, të nenit 39/1, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi truallin dhe ndërtimet e subjekteve të shpërngulura nga ndërtimi i Ujëmbledhësit të Bovillës, kryhet, pa pagesë, sipas listave të hartuara në bazë të vendimit nr.85, datë 2.3.1994, të Këshillit të Ministrave, “Për vënien në dispozicion të zonave të banimit për familjet që shpërngulen nga Ujëmbledhësi i Bovillës dhe ato që kanë ndërtuar pa leje përreth qytetit të Tiranës”.
2. Titulli i pronësisë për objektin dhe truallin fitohet nëpërmjet lejes së legalizimit, e cila është e vlefshme për regjistrim në regjistrin e pasurive të paluajtshme.
3. Procedurat për dhënien e lejes së legalizimit kryhen sipas gjendjes ndërtimore faktike, të evidentuar në terren, përfshirë ndryshimet apo shtesat informale të realizuara në objekt.
4. Drejtoria përkatëse e ALUIZNI-t i kërkon njësisë së qeverisjes vendore listat e plota të subjekteve të shpërngulura nga ndërtimi i Ujëmbledhësit të Bovillës, brenda 5 (pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Njësia e qeverisjes vendore përcjell listat e subjekteve brenda 10 (dhjetë) ditëve nga administrimi i kërkesës.
5. Brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, Drejtoria përkatëse e ALUIZNI-t kryen evidentimin në terren të objekteve dhe verifikimin nëse ka aplikime për legalizim duke plotësuar dokumentacionin e përcaktuar në pikën 1, të vendimit nr.589, datë 10.9.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të evidentimit faktik, në terren, të ndërtimeve pa leje/shtesave në ndërtime me leje, të organeve dhe dokumentacionit për propozimin dhe miratimin e zonave informale”, të ndryshuar.
6. Drejtoria e ALUIZNI-t, gjatë procedurës së evidentimit në terren, sipas rastit, administron dhe dokumentacionin si më poshtë vijon:
a) Kopje të dokumentit të identifikimit;
b) Certifikatën e përbërjes familjare në datën 2.3.1994;
c) Deklaratën sipas pikës 2, të vendimit nr.589, datë 10.9.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar;
ç) Dëshminë e trashëgimisë (nëse subjekti nuk jeton më);
d) Çdo dokument tjetër ligjor për të drejtat civile mbi ndërtimin, nëse subjekti e disponon.
7. Konfigurimi i sipërfaqes së truallit përcaktohet nga ALUIZNI, duke i pasqyruar në genplanin përkatës. Sipërfaqja e truallit që përfitohet, pa pagesë, është sipas masës së vënë në dispozicion në zbatim të  vendimi nr.317, datë 19.6.1995, të Këshillit të Ministrave, “Për sistemimin me tokë bujqësore dhe truall ndërtimi të fshatrave Zallmner, Bulcesh dhe Brurëz”, të ndryshuar.
Mosmarrëveshjet dhe pretendimet mbi masën e sipërfaqes së truallit ose konfigurimin e tij, shqyrtohen nga gjykata kompetente.
8. Objektet dhe trojet që kalohen në pronësi sipas këtij vendimi, nuk i nënshtrohen kritereve dhe procedurave kualifikuese të përcaktuara në vendimin nr.280, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje”.
9. Brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga përfundimi i procedurave sipas pikave 5 dhe 6, të këtij vendimi, Drejtoria e ALUIZNI-t miraton lejen e legalizimit, në favor të subjekteve në moshë madhore në kohën e shpërnguljes, sipas certifikatës së përbërjes familjare të datës 2.3.1994, ose të trashëgimtarëve të tyre.
10. Aplikimi për regjistrimin e pasurisë kryhet sipas vendimit nr.1095,  datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së, dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”. ZVRPP-ja Tiranë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga paraqitja e kërkesës për regjistrim nga ALUIZNI, kryen regjistrimin përfundimtar të pronësisë mbi truallin dhe ndërtesën për të cilën është lëshuar leja e legalizimit.
11. Për efekt të pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë, Drejtoria e ALUIZNI-t zbaton përcaktimet e pikës 5, të vendimit nr.860, datë 10.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrës së mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave për ndërtimet pa leje dhe vlerave të zbatueshme për legalizim”, të ndryshuar.
12. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, Bashkia Kamëz dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * * 
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E FORMATIT E TË SPECIFIKIMEVE TEKNIKE TË VULAVE TË VERIFIKIMIT KUFITAR DHE TË RREGULLAVE TË VENDOSJES SË TYRE NË DOKUMENTET E UDHËTIMIT GJATË HYRJE-DALJEVE NË KUFIRIN SHTETËROR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 16, të ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Vulat që përdoren nga rojat kufitare, për efekt të verifikimeve kufitare në hyrje dhe në dalje të kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, në vijim të këtij vendimi “vulat e hyrje-daljes”, kategorizohen si mall me natyrë të veçantë dhe prokurohen në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar.
2. Trupi dhe gjurma e vulave të hyrje-daljes është prej materiali metalik, i cili i reziston përdorimit të shpeshtë dhe për një kohë të gjatë.
3. Trupi i vulave të hyrje-daljes përmban mekanizëm të lëvizshëm, që mundëson ndërrimin e datarit dhe të kodit të sigurisë.
4. Specifikimet e gjurmës së vulave të hyrje-daljes klasifikohen “konfidenciale”.
5. Gjurma e vulave të hyrje-daljes përmban kodin e personalizuar, emrin e pikës përkatëse të kalimit kufitar, simbolin përkatës të mjetit të udhëtimit, në varësi të pikës së kalimit kufitar, dhe, në zonën ku vendosen shkronjat e simbolit të shtetit, përmban simbolin “AL”, të rrethuar nga një rreth.
6. Mënyra e përcaktimit të kodit të sigurisë së vulave të hyrje-daljes për secilën pikë të kalimit kufitar, mënyra e magazinimit, e ruajtjes, e sigurimit dhe e dorëzimit të vulave, për secilin turn dhe roja kufitare në pikat e kalimit kufitar, si dhe formati i informacionit në lidhje me vulat e hyrje-daljes të dëmtuara, të humbura apo të vjedhura, rregullohen në Procedurat Standarde të Punës së Policisë Kufitare dhe Migracionit.
7. Kodi i sigurisë së vulave të hyrje-daljes ndërrohet në intervale të rregullta, jo më të gjata se një muaj.
8. Me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit përcaktohet një Pikë Kombëtare Kontakti, përgjegjëse për shkëmbimin e informacionit për kodet e sigurisë së vulave të hyrje-daljes. Pika Kombëtare e Kontaktit ka akses të menjëhershëm në informacionin për këto vula dhe, veçanërisht, për:
a) pikën e kalimit kufitar, në të cilën është dorëzuar një vulë e caktuar, dhe gjendjen fizike të saj;
b) identitetin e rojës kufitare, të cilit i është dhënë në dorëzim një vulë e caktuar, në një kohë të caktuar;
c) kodin e sigurisë së një vule të caktuar, në një kohë të caktuar.
9. Kërkimi i informacionit për vulat e hyrje-daljes, në përputhje me parashikimet e pikës 8, të këtij vendimi, kryhet nëpërmjet Pikës Kombëtare të Kontaktit.
10. Vulosja e pasaportës që nuk përmban vizë kryhet duke vendosur vulën e hyrjes në anën e majtë të faqes së parë të lirshme të pasaportës, duke filluar nga lart. Vula e daljes vendoset, parimisht, në të njëjtën faqe, përbri vulës së hyrjes.
11. Vulosja e pasaportës që ka një vizë, me të cilën personit i jepet e drejta e hyrjes, kryhet sipas parashikimit të pikës 10, të këtij vendimi, por vulosja fillon në faqen përballë faqes ku është vendosur viza. Nëse kjo faqe është e zënë, vulosja kryhet në faqen e lirë vijuese.
12. Vulat e hyrje-daljes në pasaportë nuk vendosen në faqet në të cilat pasqyrohen ose kërkohen shënime të tjera dhe në zonën e lexueshme nga aparaturat.
13. Në dokumentet e tjera, që janë përcaktuar për t’u vulosur sipas ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, vulat e hyrje-daljes vendosen në hapësirën e posaçme për vulosje ose në një pjesë të dukshme të dokumentit, kur nuk ka një hapësirë të tillë të posaçme.
14. Në rastet e refuzimit të hyrjes, në faqen e parë të lirshme të pasaportës vendoset një vulë hyrjeje, e cila anulohet me një kryq, që shkruhet me bojë që nuk del, siç tregohet në shtojcën 1/a, bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e tij këtij vendimi, dhe përbri saj, në anën e dorës së djathtë, po me këtë lloj boje, shënohet shkronja ose shkronjat korresponduese për refuzimin e hyrjes, sipas formularit të refuzimit të hyrjes.
15. Kur vula e hyrjes ose e daljes vendoset gabimisht në një dokument apo paraqet të dhëna jo të sakta, ajo revokohet me dy viza paralele, me bojë që nuk del, të vendosura në këndin e sipërm të vulës, në anën e dorës së majtë, siç tregohet në shtojcën 1/b, bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e këtij vendimi.
16. Personat që kanë hyrë ose kanë dalë në mënyrë të ligjshme, por të cilëve u mungon vula në dokumentin e udhëtimit apo shënimet zyrtare përkatëse në sistemet elektronike, pajisen me formularin që vërteton hyrjen ose daljen e ligjshme, sipas shtojcës 2, bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e këtij vendimi, nga struktura e Policisë Kufitare dhe Migracionit, që evidenton e para rastin. Kjo strukturë kryen verifikimin e ligjshmërisë së hyrjes ose daljes së personit me anë të dokumenteve ndihmëse, si: bileta udhëtimi, lista udhëtarësh, shënime të tjera zyrtare, arkiva të ndryshme, etj., dhe bën, gjithashtu, shënimin për datën, vendin dhe drejtimin e kalimit të kufirit në dokumentin e udhëtimit të personit.
17. Drejtoria e Përgjithshme për Kufirin dhe Migracionin, në bazë të nevojave të secilës pikë kalimi kufitar, harton listën e plotë të kërkesës për vula hyrjeje dhe daljeje, duke përfshirë kodet e personalizuara dhe simbolet përkatëse të mjetit të transportit për secilën vulë.
18. Vulat e nxjerra jashtë përdorimit ruhen dhe administrohen sipas rregullave të përcaktuara në ligjin nr.9154, datë 6.11.2003, “Për arkivat”.
19. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.538, DATË 26.5.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LICENCAT DHE LEJET QË TRAJTOHEN NGA APO NËPËRMJET QENDRËS KOMBËTARE TË LICENCIMIT (QKL) DHE DISA RREGULLIME TË TJERA NËNLIGJORE TË PËRBASHKËTA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 15 e 36, të ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 48, 51, 75, të ligjit nr.93/2015, “Për turizimin”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, bëhet shtesa, si më poshtë vijon:
1. Pas fushës XII shtohet fusha XIII, me këtë përmbajtje:
“FUSHA XIII
TURIZMI
KATEGORIA XIII.1
AGJENCI UDHËTIMI DHE/OSE OPERATOR TURISTIK
I.  NDARJA E KATEGORISË DHE RREGULLA TË PËRGJITHSHME
1. Veprimtaria “Agjenci udhëtimi dhe/ose Operator turistik” është kategoria XIII.1, e shtojcës së ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”.
2. Kategoria e kësaj veprimtarie ndahet në dy nënkategori, si më poshtë vijon:
a) “Agjenci udhëtimi”, me kodin XIII.1.A;
b) “Operator turistik”, me kodin XIII.1.B.
3. Licencat e të dy nënkategorive janë pa afat.
II.   LICENCIMI I VEPRIMTARIVE TË NËNKATEGORISË XIII.1.A 
1. Kriteret e posaçme të licencimit si dhe llojet e dokumenteve provuese e shoqëruese përkatëse, për nënkategorinë A, jepen në tabelën 1, më poshtë
2. Licencimi i veprimtarisë së nënkategorisë bëhet sipas grupit II.

III.  LICENCIMI I VEPRIMTARIVE TË NËNKATEGORISË XIII.1.B 

1.    Kriteret e posaçme të licencimit si dhe llojet e dokumenteve provuese e shoqëruese përkatëse, për nënkategorinë B, jepen në tabelën 2, më poshtë
2.    Licencimi i veprimtarisë së nënkategorisë bëhet sipas grupit II.

IV. DATA E FILLIMIT TË LICENCIMIT SIPAS KËTIJ VENDIMI
Data e fillimit të licencimit të veprimtarive të kategorisë XIII.1 është data e hyrjes në fuqi e këtij vendimi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2016, MIRATUAR PËR MINISTRINË E DREJTËSISË, PËR PAGESËN E KOSTOVE DHE SHPENZIMEVE ADMINISTRATIVE PËR ÇËSHTJEN E ARBITRAZHIT NDËRKOMBËTAR NR.ARB/14/26, “ALBANIABEG AMBIENT SH.P.K., M. ANGELO NOVELLI DHE COSTRUZIONI S.R.L. KUNDËR REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe të nenit 13, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Drejtësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2016, t’i shtohet fondi 125 000 (njëqind e njëzet e pesë mijë) dollarë, për të përballuar kostot dhe shpenzimet administrative për çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar nr.ARB/14/26, “Albaniabeg Ambient sh.p.k., M. Angelo Novelli dhe Costruzioni S.R.L. kundër Republikës së Shqipërisë”, që zhvillohet në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimit (ICSID).
2. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, t’i transferohet Ministrisë së Drejtësisë për të bërë pagesën, i konvertuar në lekë me kursin e këmbimit të Bankës së Shqipërisë, në datën kur do të kryhet pagesa.
3. Ky efekt financiar të përballohet nga fondi i kontingjencës i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2016.
4. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.1068, DATË 23.12.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E BONUSIT  NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE, QË I JEPET SHOQËRISË, PËR NDËRTIMIN E HIDROCENTRALIT “KATUNDI I RI” MBI LUMIN DRINI I ZI”  
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 113, të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, dhe të nenit 25, të ligjit nr.125/2013, “Për  koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shfuqizimin e vendimit nr.1068, datë 23.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë, për ndërtimin e hidrocentralit “Katundi i Ri” mbi lumin Drini i Zi”.
2. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.