Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 23 Tetor 2019:
V E N D I M
PËR

DHËNIEN ME QIRA, ME TARIFË TË REDUKTUAR, TË SALLËS B, KATI 0, (UNDERGROUND) NË AMBIENTET E PALLATIT TË KONGRESEVE, KOMISIONIT TË JASHTËM TË VLERËSIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 784 e 801, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 8, të kreut III, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Lejimin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për dhënien me qira, me tarifë të reduktuar, të sallës B, kati 0 (underground), me sipërfaqe 243 (dyqind e dyzet e tre) m2, të ndodhur në ambientet e Pallatit të Kongreseve, Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, me qëllim zhvillimin e seancave dëgjimore.

2. Tarifa e qirasë së sallës B, kati 0 (underground) do të jetë në masën ekuivalente të shpenzimeve operative të kryera respektivisht për çdo aktivitet, gjatë gjithë periudhës së dhënies me qira.

3. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

 

MIRATIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE TË SHPALLJES SË KURORËS SË GJELBËR DHE PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE E TË PËRGJEGJËSIVE NË LIDHJE ME ADMINISTRIMIN, MBROJTJEN DHE RUAJTJEN E SAJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 23, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Miratimin e kritereve dhe të procedurave të shpalljes së kurorës së gjelbër dhe përcaktimin e rregullave e të përgjegjësive në lidhje me administrimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e saj.

2. Kurora e gjelbër përbëhet nga territore ose zona relativisht të vogla në zonat periferike urbane, që përfshijnë pjesë toke, si sipërfaqe pyjore apo tokë me bimësi pyjore, pemëtore, ullishte, rezervuarë apo trupa të tjerë ujorë, si pjesë e sipërfaqeve të mësipërme, të destinuara për çlodhjen, argëtimin, aktivitetet ndërgjegjësuese dhe edukuese për publikun, turistët, apo individë të ndryshëm.

3. Territori që përbën kurorën e gjelbër është pronë e bashkisë dhe pjesë e planit të përgjithshëm vendor të saj.

II. KRITERET DHE PROCEDURAT E SHPALLJES SË KURORËS SË GJELBËR

1. Shpallen “Kurorë e gjelbër” sipërfaqet e përmendura në pikën 2, të kreut I, të këtij vendimi, që plotësojnë kriteret, si më poshtë vijon:

a) Kanë sipërfaqe që nuk kalon 20% të sipërfaqes së gjelbër të bashkisë;
b) Nuk janë të përfshira në rrjetin ekzistues kombëtar të zonave të mbrojtura mjedisore;
c) Kanë zhvillim të konsideruar pyjor, pemëtar apo të ullishtave, që plotëson masën e gjelbër të qyteteve;
ç) Janë të populluara me lloje të florës dhe faunës, kryesisht të karakterit lokal;
d) Sigurojnë ruajtjen dhe konservimin e mjedisit natyror e të vlerave të biodiversitetit;
dh) Janë, kryesisht, zona natyrore, të pyllëzuara ose të kultivuara, ku mund të kryhen veprimtari të ndryshme rekreative;
e) Nxisin ruajtjen e mjedisit, të peizazhit dhe mirëmbajtjen e integritetit ekologjik;
ë) Ofrojnë përfitime në përtëritjen e shëndetit të njeriut dhe ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës urbane;
f) Ofrojnë mundësi çlodhjeje për komunitetin, për veprimtari shoqërore, tradicionale, edukative, argëtuese, sportive, kulturore, turistike, zbavitjeje familjare, marrjen e ajrit të pastër, shëtitjen në natyrë.

2. Procesi i shpalljes së një kurore të gjelbër iniciohet nga njësia e vetëqeverisjes vendore (bashkia), kur janë siguruar burimet financiare dhe njerëzore-profesionale për këtë qëllim.

3. Procesi i shpalljes “Kurorë e gjelbër” paraprihet nga propozimi, i cili kryhet brenda 6 (gjashtë) muajve, nga ndërmarrja e iniciativës për shpalljen e zonës “Kurorë e gjelbër”, bazuar në procedurën, si më poshtë vijon:

a) Propozimi, për sipërfaqen që planifikohet të shpallet “Kurorë e gjelbër”, hartohet brenda 4 (katër) muajve, nëpërmjet bashkëpunimit të strukturave përkatëse të bashkisë me organet shtetërore vendore të interesuara, me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, shoqatat mjedisore vendore, institucionet kërkimore-shkencore, institucionet e specializuara të trashëgimisë kulturore dhe palë të tjera të interesuara;
b) Propozimi përmban të dhëna për territorin që synohet të shpallet “Kurorë e gjelbër”, vendndodhjen, kufijtë dhe objektivat e administrimit e të zhvillimit të synuar;
c) Propozimi hartohet në përputhje me strategjitë sektoriale të veprimtarive që parashikohen të zhvillohen, planet e veprimit dhe programet e zhvillimit të bashkisë, planin e përgjithshëm vendor dhe kërkesat e Dokumentit Strategjik të Politikave për Mbrojtjen e Biodiversitetit në Shqipëri;
ç) Propozimi publikohet në një vend të dukshëm në qendër të bashkisë si dhe në një ose disa mjete tradicionale të informimit publik, për të cilin komuniteti, bizneset, OJF-të dhe të interesuarit bëjnë vërejtje e sugjerime që i paraqiten kryetarit të bashkisë. Kryetari i bashkisë organizon, të paktën, një dëgjesë me publikun dhe gjithë procesi i publikimit dhe konsultimit përfundon brenda 2 (dy) muajve, nga publikimi i propozimit;
d) Me përfundimin e këtij afati, duke marrë në konsideratë për aq sa është e mundur sugjerimet dhe komentet e bëra, bashkia, nëpërmjet një grupi pune, fillon përgatitjen e studimit, mbi bazën e të cilit do të realizohen procedurat për shpalljen e kurorës së gjelbër.

4. Studimi, mbi bazën e të cilit do të realizohen procedurat për shpalljen e kurorës së gjelbër, realizohet brenda 6 (gjashtë) muajve, nga një grup pune me përbërje ekspertësh të fushave kryesore, të OJF-ve, përfaqësues të administratës rajonale të zonave të mbrojtura dhe të ministrisë përgjegjëse për mjedisin. Kur në brendësi të territorit të propozuar për studim ndodhen pasuri kulturore, në grupin e punës përfshihen edhe ekspertë të fushës së trashëgimisë kulturore. Gjatë kësaj kohe, studimi shqyrtohet dhe merr miratimet përkatëse në strukturat përgjegjëse, sipas legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore. Përbërja e grupit të punës dhe drejtuesi i tij miratohen nga Këshilli Bashkiak, me propozimin e kryetarit të Bashkisë.

5. Studimi i kryer nga grupi i punës mbështetet dhe përfshin:

a) grumbullimin e informacionit të nevojshëm, duke bashkëpunuar në vazhdimësi me strukturat bashkiake, institucionet qendrore, administratën rajonale të zonave të mbrojtura (AdRZM), banorët, shoqatat mjedisore, shkollat si dhe rrethet shkencore apo akademike;
b) shqyrtimin e planit të përgjithshëm vendor, strategjitë sektoriale që parashikohen të zhvillohen, planet e veprimit, programet e zhvillimit të bashkisë, si dhe Dokumentin Strategjik të Politikave për Mbrojtjen e Biodiversitetin në Shqipëri;
c) ndërmarrjen e vëzhgimeve në terren, të cilat do të ndihmojnë në analizat e nevojshme për studimin e zonës mjedisore, të biodiversitetit e peizazhit, mjedisit në tërësi apo infrastrukturës si dhe të modeleve të përgjithshme të zhvillimit social-ekonomik e turistik;
ç) argumentimin për krijimin e kurorës së gjelbër, propozimin e emrit të saj dhe objektivat e ruajtjes, të administrimit e menaxhimit të kurorës;
d) paraqitjen e rezultateve të procesit të këshillimit me komunitetin dhe grupet e interesuara, duke përfshirë komentet e bëra dhe reflektimin e propozimeve;
dh) paraqitjen e sipërfaqes së përgjithshme dhe kufijtë e zonës së propozuar “Kurorë e gjelbër”, përshkrimin fizik e biologjik të sipërfaqes së propozuar dhe ndarjen sipas mbulesës së tokës;
e) paraqitjen e rëndësisë së habitateve, ekosistemeve, llojeve të florës e të faunës, vlerave historike e kulturore dhe të zonave ekoturistike;
ë) përshkrimin e masave e të investimeve që do të bëhen për mirëmbajtjen e kurorës së gjelbër;
f) paraqitjen e hartës së zonimit dhe koordinatat gjeografike të kufijve të sipërfaqes që do të propozohet kurorë e gjelbër.

6. Pas përfundimit të studimit dhe mbi bazën e tij, brenda 1 (një) muaji përgatitet nga strukturat përkatëse të bashkisë projektvendimi i Këshillit Bashkiak, që propozon shpalljen “Kurorë e gjelbër”. Projektvendimi, së bashku me studimin, i cili është pjesë përbërëse e tij, shqyrtohet në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak.

7. Projektvendimi përmban emërtimin e kurorës së gjelbër, sipërfaqen e përgjithshme, kufijtë dhe hartën e zoonimit, koordinatat gjeografike të kufijve si dhe objektivat e ruajtjes, të administrimit e menaxhimit të saj.

8. Vendimi që propozon shpalljen e kurorës së gjelbër, i miratuar nga Këshilli Bashkiak, brenda 30 ditëve i dërgohet për shqyrtim dhe miratim Këshillit Kombëtar të Territorit.

III. RREGULLAT DHE PËRGJEGJËSITË LIDHUR ME ADMINISTRIMIN, MBROJTJEN DHE RUAJTJEN E KURORËS

1. AKZM-ja dhe drejtoria rajonale e zonave të mbrojtura, si organi lokal përgjegjës për zonat e mbrojtura, bashkëpunojnë me bashkinë për vendimmarrjet që lidhen me kurorën e gjelbër, ndërsa administrimi, mbrojtja dhe ruajtja e kurorës kryhen nga njësia përgjegjëse e mjedisit pranë bashkisë, në vijim njësia përgjegjëse.

2. Njësia përgjegjëse zbaton planin e menaxhimit të kurorës së gjelbër dhe zbaton masat, si më poshtë vijon:

a) Përcakton vendet e vendosjes në terren të shenjave kufizuese, për të bërë shënimin e kufirit të kurorës së gjelbër;
b) Përcakton formën e sinjalistikës së kurorës dhe vendet e vendosjes së tabelave, shenjave treguese e të shtigjeve të kalimit për vizitorët;
c) Bën planifikimet e nevojshme lidhur me:

i. infrastrukturën e nevojshme në shërbim të vizitorëve të kurorës së gjelbër, si stola, belvedere, çezma dhe shtigje të ndryshme;
ii. infrastrukturën për ngritjen e strukturave të shërbimeve shëndetësore e të nyjave sanitare dhe atyre të shërbimeve të tjera për vizitorët;
iii. zonat e veçanta për argëtim dhe veprimtari sportive;
iv. zonat e kufizuara për parkimin e mjeteve të ndryshme;
v. masat për rigjallërimin e pyjeve, të ripyllëzimit me lloje vendase dhe dekorative, në përputhje me funksionet e kurorës së gjelbër.

ç) Ndalon kryerjen e ndërhyrjeve dhe të veprimtarive në kurorë, të cilat nuk janë në përputhje me parashikimet e planit të menaxhimit;
d) Merr masat e nevojshme për pezullimin apo kufizimin e të gjitha veprimtarive që cenojnë qëllimin dhe objektivat e menaxhimit;
dh) Organizon kontrolle që evidentojnë gjendjen reale të kurorës gjelbër;
e) Bashkëpunon dhe vë në dijeni strukturat përgjegjëse për inspektimin vendor, kur gjatë veprimtarisë së saj konstaton mosrespektim të kërkesave ligjore;
ë) Mban dhe plotëson regjistrin/skedarin e kurorës së gjelbër;
f) Dokumenton veprimtaritë, investimet dhe kërkimet shkencore të kryera;
g) Organizon, në bashkëpunim me strukturat të tjera, veprimtari ndërgjegjësuese për të bërë të njohura vlerat e kurorës gjelbër;
gj) Bashkërendon veprimtaritë me palët e treta, si shoqatat mjedisore, biznesin, vizitorët, kërkuesit shkencorë si dhe çdo palë tjetër të interesuar;
h) Monitoron, në bashkëpunim me institucionet e specializuara në fushën e trashëgimisë kulturore, edhe objektet kulturore, historike, arkitektonike dhe arkeologjike, që ndodhen brenda kurorës gjelbër.

3. Të gjithë masat dhe rregullat për njësinë përgjegjëse të kurorës së gjelbër, të paraqitura më lart, përfshihen në “Rregulloren e administrimit, të mbrojtjes dhe ruajtjes së kurorës së gjelbër”, e cila hartohet nga Drejtoria Rajonale e Zonave të Mbrojtura në bashkëpunim me bashkinë dhe miratohet nga drejtori i përgjithshëm Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, jo më vonë se 8 (tetë) muaj nga shpallja e kurorës së gjelbër. Kur në brendësi të kurorës së gjelbër ndodhen pasuri kulturore, rregullorja dërgohet për mendim pranë strukturave përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, e cila jep mendimet përkatëse, por pa cenuar kufijtë e miratuar të kurorës së gjelbër.

4. Për veprimtarinë e saj lidhur me administrimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kurorës së gjelbër, njësia përgjegjëse informon rregullisht, por jo më pak se një herë në vit, kryetarin e Bashkisë dhe Këshillin Bashkiak.

5. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

LARGIMIN NGA DETYRA TË NJË ANËTARI TË KOMISIONIT KOMBËTAR RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të pikës 1, të nenit 5, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Eltar Deda, anëtar i Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura, largohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH, TЁ MARRЁVESHJES, NDЁRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKЁS SЁ SHQIPЁRISЁ DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR KONVERTIMIN E BORXHIT PËR ZHVILLIM, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10473, DATË 27.10.2011, DHE SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.456, DATË 3.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME SHKËMBIM LETRASH, TЁ MARRЁVESHJES, NDЁRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKЁS SЁ SHQIPЁRISЁ DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR KONVERTIMIN E BORXHIT PËR ZHVILLIM”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.94/2016

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 11, pika 2, 12 dhe 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për konvertimin e borxhit për zhvillim, të ratifikuar me ligjin nr.10473, datë 27.10.2011, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Vendimi nr.456, datë 3.7.2019, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për konvertimin e borxhit për zhvillim”, ratifikuar me ligjin nr.94/2016, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA DREJTORIA E PËRGJITHSHME E ARKIVAVE TEK AGJENCIA SHTETËRORE E KADASTRËS, TË PASURISË NR.3/200, ZONA KADASTRALE 8561, ME EMËRTIMIN “ISH-DREJTORIA RAJONALE E SHËRBIMIT KOMBËTAR TË PUNËSIMIT, KORÇË”, NJËSIA ADMINISTRATIVE KORÇË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.660, DATË 4.8.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË ARKIVAVE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës, të pasurisë nr.3/200, zona kadastrale 8561, me emërtimin “Ish-Drejtoria Rajonale e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Korçë”, njësia administrative Korçë, sipas hartës kadastrale, që i bashkëlidhet këtij vendimi, me qëllim ushtrimin e funksioneve administrative të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Korçë.

2. Pasuria e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.660, datë 4.8.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave”, të ndryshuar.
3. Agjencisë Shtetërore të Kadastrës i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.

4. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

KRYERJEN E PRAKTIKËS PROFESIONALE PËR PROFESIONIN E RREGULLUAR TË MËSUESIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 57, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 11, të ligjit nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e numrit të praktikantëve për kryerjen e praktikës profesionale për profesionin e rregulluar të mësuesit, me kontratë të përkohshme, për sistemin arsimor parauniversitar, i cili është 1 500 (një mijë e pesëqind) praktikantë për të gjitha institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, për një vit shkollor.

2. Institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, i paguan praktikantit, çdo muaj, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.

3. Shpërndarja e numrit të praktikantëve për kryerjen e praktikës profesionale, me kontratë të përkohshme, për të gjitha institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, për secilin vit shkollor, bëhet me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin, bazuar në kërkesat e institucioneve arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar.

4. Efektet financiare për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2019 mbulohen nga fondet e miratuara për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në buxhetin e vitit 2019, sipas numrit të praktikantëve të pranuar nga institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar.

5. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT, ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES SË HUAS (DATË 30 QERSHOR 2008, MARRËVESHJE HUAJE NR.ABA-P3), NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS JAPONEZE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR (TË ZËVENDËSUAR NGA AGJENCIA JAPONEZE E BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR, NË TETOR 2008), PËR PROJEKTIN “PËRMIRËSIMI I SISTEMIT TË KANALIZIMEVE PËR TIRANËN E MADHE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të ndryshimit, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së huas (datë 30 qershor 2008, marrëveshje huaje nr.ABA-P3), ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (të zëvendësuar nga Agjencia Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, në tetor 2008), për projektin “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e madhe”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M

P Ë R

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I NËNSTACIONIT 400 KV FIER”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i nënstacionit 400 kV Fier”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (O.S.T.), sh.a.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, në shumën e përgjithshme 12 850 972 (dymbëdhjetë milionë e tetëqind e pesëdhjetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e dy) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 12 850 972 (dymbëdhjetë milionë e tetëqind e pesëdhjetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e dy) lekësh, do të përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (O.S.T.), sh.a., si subjekti kërkues i këtij shpronësimi.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (O.S.T.), sh.a.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim në zyrat e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (O.S.T.), sh.a.

8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria Vendore Fier, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST), sh.a., të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të O.S.T., sh.a.-së.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria Vendore Fier të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale.

10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit (O.S.T.), sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria Vendore Fier për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E ZONËS ARKEOLOGJIKE “A” TË QYTETIT TË ELBASANIT DHE TË PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E SAJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 3, të nenit 9, dhe të nënndarjes “iv”, të shkronjës “b”, të pikës 3, të nenit 53, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e zonës arkeologjike “A” të qytetit të Elbasanit, sipas koordinatave dhe hartës së zonifikimit, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e zonës arkeologjike “A”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

3. Vendimi nr.445, datë 9.6.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës arkeologjike “A” të qytetit të Elbasanit dhe miratimin e rregullores së administrimit”, shfuqizohet.

4. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.