Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Dhjetor 2019:

V E N D I M

PËR

KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA Gjirokastër, TË PRONËS NR.599, ME EMËRTIM “AERODROM FUSHOR”, ME VENDNDODHJE NË GJIROKASTËR, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Gjirokastër, të pronës nr.599, me emërtim “Aerodrom fushor”, me vendndodhje në Gjirokastër, sipas planrilevimit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, të hiqet prona nr.599, me emërtim “Aerodrom fushor”, me vendndodhje në Gjirokastër, sipas planrilevimit, dhe të shtohet në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kanë kaluar në pronësi ose në përdorim Bashkisë Gjirokastër.
3. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Bashkia Gjirokastër dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MËNYRËN E NJOHJES SË AUDITUESVE KLINIKË, KRYERJEN E PROCESIT TË AUDITIMIT DHE PËRCAKTIMIN E TARIFAVE TË PAGESËS SË AUDITUESVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 3 e 4, të nenit 25, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

I. Dispozita të përgjithshme

1. Projektvendim ka për qëllim përcaktimin e:

a) rregullave për mënyrën e kryerjes së procesit të auditimit klinik;
b) rregullave për mënyrën e njohjes së audituesve klinikë, vendas ose të huaj, që do të kontrollojnë e do të vlerësojnë procedurat e praktikave mjekësore të ndjekura prej institucioneve të kujdesit shëndetësor, publik dhe privat;
c) tarifës së pagesës së audituesve klinikë.

2. Auditi klinik është auditim i praktikës mjekësore, sipas protokolleve klinike dhe udhërrëfyesve të kujdesit shëndetësor, bazuar në fakte, si dhe analiza sistematike, përdorur nga profesionistët e shëndetit për të vlerësuar e përmirësuar kujdesin ndaj pacientëve, duke përfshirë procedurat e përdorura për diagnostikim e trajtim, me qëllim përmirësimin e kujdesit ndaj qytetarëve dhe të cilësisë së shërbimit të ofruar.

3. Misioni i auditimit klinik është të kontrollojë e të vlerësojë nëse procedurat mjekësore të ndjekura nga institucionet e kujdesit shëndetësor, publik dhe privat, janë në përputhje me protokollet, udhërrëfyesit, rregullat e miratuara për trajtimin e pacientëve dhe marrjen e vendimeve të sakta për shëndetin, duke krahasuar praktikën aktuale klinike të ndjekur me standardet, protokollet dhe udhëzimet ekzistuese.
4. Auditimi klinik në institucionet e kujdesit shëndetësor duhet të kryhet, si rregull, çdo dy vjet. Përjashtim nga ky rregull bëjnë institucionet e kujdesit shëndetësor që kanë kontratë me FSDKSH-në për financimin e paketave të shërbimeve të kujdesit shëndetësor, tek të cilat duhet të kryhet çdo vit.

5. Audituesit klinikë mund të jenë vendas ose të huaj, që njihen nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë, sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim.

6. Shpenzimet e auditimit mbulohen nga institucioni që auditohet.

II. Mënyra e njohjes së audituesve klinikë

1. Auditues klinik është çdo person fizik vendas që plotëson këto kritere:

a) Ka profesionin mjek/farmacist/stomatolog;
b) Ka, minimumi, 15 vjet eksperiencë profesionale në sistemin shëndetësor, të vërtetuar nga institucionet publike dhe jopublike të certifikuara dhe të akredituara sipas legjislacionit në fuqi;
c) Ka titullin Profesor, Profesor i Asociuar;
ç) Vetëdeklaron se ka njohuri për përdorimin e kodifikimit mjekësor(ICD);
d) Vetëdeklaron se ka njohuri për auditin klinik dhe manualin e procedurave të auditit klinik;
dh) Vetëdeklaron se ka njohuri mbi protokollet dhe udhërrëfyesit e praktikës mjekësore dhe standardet e akreditimit për fushën përkatëse.

2. Audituesit e huaj klinikë duhet të jenë të njohur si të tillë në vendin e tyre dhe të kenë eksperiencë si auditues klinikë të certifikuar.

3. Ministri përgjegjës për shëndetësinë ngre, me urdhër, komisionin e vlerësimit të audituesve klinikë me përfaqësues nga administrata e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

4. Personat e interesuar për t’u përzgjedhur si auditues klinikë kombëtarë aplikojnë pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, duke paraqitur një kërkesë për shprehje interesi për t’u njohur si auditues klinikë dhe të vërtetojnë, me dokumentacionin shoqërues, që plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 1, të kreut II.

5. Komisioni i vlerësimit shqyrton dokumentacionin e paraqitur dhe shpall në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë listën e personave të kualifikuar.

6. Personat e përzgjedhur si auditues klinikë do të shpallen si audituesit kombëtarë klinikë në Regjistrin Kombëtar të Audituesve Klinikë, i cili publikohet në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë. Personat që nuk janë përzgjedhur do të njoftohen nga komisioni i vlerësimit, i cili do të japë dhe arsyet e mospërzgjedhjes.

7. Të gjithë personat që nuk janë përzgjedhur për auditues klinikë kanë të drejtë të ankohen pranë ministrit përgjegjës për shëndetësinë brenda 5 ditëve nga marrja e njoftimit. Vendimi i ministrit përgjegjës për shëndetësinë është përfundimtar.

III. Mënyra e kryerjes së procesit të auditimit klinik

1. Auditimi klinik kryhet me kërkesë të ministrit përgjegjës për shëndetësinë ose vetë institucionit të kujdesit shëndetësor. Secili nga institucionet që kërkon auditimin përzgjedh audituesin nga Regjistri Kombëtar i Audituesve Klinikë.

2. Auditimi klinik do të kryhet sipas fazave dhe rregullave të parashikuara, si më poshtë vijon:

A. Përgatitja dhe planifikimi

1. Identifikimi i subjektit të auditimit

a) Subjekti i auditimit është institucioni i kujdesit shëndetësor publik dhe privat;
b) Auditimi përgatitet sipas një plani auditimi, me burime financiare, teknike dhe personel, ku përcaktimi i përparësive të auditimit bëhet prej ekipit të menaxhimit të institucionit të kujdesit shëndetësor, në bashkëpunim me ekipin e auditimit/audituesin;
c) Plani i auditimit përcaktohet në manualin e procedurave standarde operacionale të auditit klinik, të miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

2. Planifikimi

Auditimi klinik zhvillohet sipas një plani auditimi, që përfshin:

a) identifikimin e protokollit/udhëzuesit klinikë, objekt auditimi;
b) vënien në dispozicion nga institucioni i kujdesit shëndetësor të praktikës mjekësore, objekt auditimi;
c) planifikimin e burimeve financiare, njerëzore, stafit klinik, për teknikat e kontrollit teknik, mbledhjen dhe menaxhimin e të dhënave, infrastrukturën logjistike (kompjutera, hardware, software).
B. Mbledhja dhe analiza e të dhënave

1. Mbledhja e të dhënave të nevojshme për auditim përfshin:

a) të dhëna në retrospektivë, që bazohen në dokumentacionin e kaluar;
b) të dhëna në perspektivë;
c) të dhëna sasiore ose cilësore, siç janë intervistat, pyetësorët ose komentet;
ç) të dhënat mjekësore, rezultatet e vlerësimeve biokimike dhe instrumentale;
d) në rastin e mbledhjes të të dhënave drejtpërdrejt nga pacientë, gjatë auditimit, shpjegimin e procesit të mbledhjes të të dhënave dhe marrjen e pëlqimit të tyre.

2. Të dhënat e mbledhura analizohen:

a) duke përfshirë përdorimin e regjistrave mjekësorë;
b) duke respektuar dhe siguruar privatësinë e pacientit me skedarë anonimë.

3. Vlerësimi i auditimit bëhet duke u bazuar në të dhëna/statistika të mbledhura të besueshme, duke i krahasuar me parametrat e vendosur dhe të përcaktuar.

4. Audituesi klinik duhet të krahasojë standardet e paracaktuara me të dhënat aktuale të mbledhura dhe të bëjë lidhjen ndërmjet praktikës e standardeve teorike, për të treguar nëse standardi mund të arrihet ose jo. Nëse standardi nuk është përmbushur, audituesi duhet të shënojë shkaqet, nëse ato dihen.

5. Audituesi, në përfundim të procesit të auditimit klinik, duhet t’i dorëzojë, brenda 30 ditëve, raportin e auditit klinik, bashkë me rekomandimet për institucionin e kujdesit shëndetësor, ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe institucionit të kujdesit shëndetësor.

C. Veprimet korrigjuese dhe udhëzuesit

1. Audituesi klinik jep rekomandime të karakterit praktik, me synim përmirësimin dhe korrigjimin e praktikës së ndjekur prej subjektit të auditimit.

2. Rekomandimet e dhëna duhet të marrin parasysh burimet ekonomike, kohën dhe stafin e përkushtuar dhe kontekstin, në të cilin zhvillohet auditimi, duke shërbyer si referencë në të ardhmen për praktikën klinike të ndjekur prej subjektit të audituar.

3. Subjekti i auditimit zbaton rekomandimet e evidentuara nga audituesi klinik ose paraqet kundërshtimet e tij, duke provuar zbatimin e praktikës së ndjekur sipas protokolleve mjekësore dhe të miratuara nga ministri përgjegjës për shëndetësinë.

4. Gjetjet nga auditimi klinik shpërndahen te të gjitha institucionet e kujdesit shëndetësor, nëpërmjet organizimit të mbledhjeve apo konferencave të përbashkëta me audituesin, me qëllim gjithëpërfshirjen dhe shpërndarjen e njohurive për rregullat që duhet të ndiqen gjatë praktikës klinike.

5. Një kopje e raportit të auditit klinik përcillet në ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë.

Ç. Riauditimi dhe sigurimi i përmirësimeve

1. Audituesit klinikë kanë të drejtë të bëjnë verifikime periodike dhe riauditim për efektet e ndryshimeve që mund të kenë zbatuar subjeket e audituara.

2. Riauditimi i një subjekti të audituar bëhet 3 muaj pas auditimit klinik më të fundit të ushtruar.

3. Riauditimi bëhet duke mbledhur të dhëna sipas rregullave të përcaktuara në pjesën “Ç”, të këtij kreu, dhe synon që të sigurojë se ndryshimet në praktikën klinike janë futur dhe janë zbatuar.

IV. Etika profesionale dhe papajtueshmëria

1. Auditimet klinike duhet të udhëhiqen nga parimet e mëposhtme:

a) Ruajtja e privatësisë të të dhënave të pacientit, përfshirë edhe ato klinike;
b) Ruajtja e anonimitetit të personave të pyetur gjatë procesit të investigimit;
c) Kryerja e auditimit klinik brenda fushës së përcaktuar.

2. Gjatë kryerjes së auditimit klinik, të gjithë përdoruesve të shërbimit/kujdestarëve, stafit mjekësor dhe jomjekësor, që do të përfshihen në proces, duhet t’u bëhet me dije, me shkrim, qëllimi i auditimit klinik, ruajtja e konfidencialitetit të të dhënave dhe duhet t’u merret pëlqimi me shkrim.
3. Nëse audituesi klinik i përzgjedhur për të kryer auditim klinik refuzon kryejen e auditit tri herë radhazi, përjashtuar rastet kur ai refuzon se gjendet në kushtet e konfliktit të interesit, atëherë ai humbet të drejtën për të qenë auditues klinik dhe hiqet nga Regjistri Kombëtar i Audituesve Klinikë.

V. Tarifat e pagesës së audituesve klinikë

1. Audituesit klinikë, të zgjedhur nga lista e audituesve dhe që do të kryejnë procesin e auditimin klinik, paguhen sipas tarifës prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh në ditë, por jo më shumë se 10 (dhjetë) ditë, për një proces auditimi klinik.

2. Pagesa do të kryhet prej institucionit të kujdesit shëndetësor, subjekt i auditimit, në përfundim të procesit të auditimit, në llogarinë e deklaruar bankare të audituesit.

VI. Hyrja në fuqi

1. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe institucionet e kujdesit shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

2. Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 janar 2020.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

FUNKSIONIMIN, KOHËZGJATJEN, ORGANIZIMIN DHE DETYRAT E KOMISIONIT PËR SKEMAT E CILËSISË SË PRODUKTEVE BUJQËSORE DHE USHQIMORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 5, të ligjit nr.8/2019, “Për skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Organizimi i Komisionit të Skemave të Cilësisë

1. Anëtarët e Komisionit të Skemave të Cilësisë (KSC) të produkteve bujqësore dhe ushqimore emërohen dhe shkarkohen me urdhër të ministrit. Emërimi i anëtarëve të KSC-së bëhet për një periudhë 3-vjeçare, me të drejtë riemërimi. Propozimet për ministrin lidhur me emërimin e anëtarëve të KSC-së bëhen në vijim të një procedure konkurrimi, bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët në ministri, si më poshtë vijon:

a) Kërkesa për kandidim si anëtar i KSC-së;
b) Dokumenti i identifikimit;
c) Master shkencor ose të barazvlefshëm me të sipas legjislacionit të arsimit të lartë;
ç) Libreza, e cila vërteton eksperiencën në punë;
d) Jetëshkrimi;
dh) Certifikata trajnimi dhe çdo dokument tjetër që provon kontributin dhe njohuritë në fushën e skemave të cilësisë të produkteve bujqësore e ushqimore.

Dokumentacioni duhet të shoqërohet me informacion mbi adresën, si dhe çdo mjet tjetër kontakti.
Dokumentet e përcaktuara në shkronjat “b”, “c” “ç” dhe “dh”, të kësaj pike, duhet të jenë origjinale ose të noterizuara.

2. Në rast të mungesës së ndonjë dokumenti, struktura përgjegjëse për skemat e cilësisë (më poshtë struktura përgjegjëse) në ministri, njofton kandidatin, i cili brenda 5 (pesë) ditëve pune nga marrja e njoftimit, plotëson kërkesën. Nëse edhe pas kërkesës për plotësim ka mungesa në dokumentacion, kërkesa nuk do të shqyrtohet.

3. Struktura përgjegjëse përgatit një raport për kandidatët për anëtarë të KSC-së, që plotësojnë kërkesat e pikës 1, të këtij vendimi, dhe ia dërgon për miratim ministrit, i cili miraton me urdhër anëtarët e KSC-së.

4. Shkarkimi i anëtarit të KSC-së, përpara mbarimit të mandatit, bëhet me urdhër të ministrit, për një nga arsyet e mëposhtme:

a) Nëse nuk paraqitet në tre mbledhje të njëpasnjëshme të KSC-së dhe nuk paraqet justifikime të provuara për këto mungesa;
b) Kur i është ndaluar ushtrimi i profesionit me vendim gjyqësor të formës së prerë.

5. Mandati i anëtarit të KSC-së mbaron kur:

a) përfundon mandati;
b) jep dorëheqjen.

6. Anëtari i KSC-së që jep dorëheqjen është i detyruar të paraqesë kërkesën me shkrim për dorëheqje dhe arsyet e dorëheqjes, të paktën një muaj përpara datës së shkarkimit nga detyra, përveç rastit kur provon ose vërtetohet se kjo nuk ka qenë e mundur.

7. Struktura përgjegjëse merr masa për zëvendësimin sa më shpejt të anëtarit të shkarkuar nga detyra, duke bërë njoftimin në faqen e internetit të ministrisë. Për këtë qëllim, kjo strukturë përgatit një raport për kandidatët për anëtarë të KSC-së, që plotësojnë kërkesat e pikës 1, të këtij vendimi, dhe ia dërgon për miratim ministrit. Mandati i anëtarit të ri është trevjeçar, me të drejtë riemërimi.

II. Funksionimi i Komisionit të Skemave të Cilësisë

1. Mbledhjet e KSC-së thirren nga kryetari, si rregull 1 herë në muaj, në bazë të informacionit të marrë nga struktura përgjegjëse. Komisioni mund të mblidhet edhe kur shumica e anëtarëve paraqesin kërkesë me shkrim duke përcaktuar çështjet për të cilat thirret kjo mbledhje.

2. Kryetari dhe sekretari zëvendësohen përkohësisht, përkatësisht, nga anëtari më i vjetër dhe nga anëtari më i ri në detyrë, që të dy me të drejtë vote.

3. Anëtarët e KSC-së njoftohen nga sekretari i KSC-së, nëpërmjet postës elektronike, për datën dhe agjendën paraprake të mbledhjes, të paktën 7 (shtatë) ditë pune përpara ditës së mbledhjes.

4. Në raste urgjente dhe të jashtëzakonshme, kryetari mund të thërrasë një mbledhje të KSC-së brenda një periudhe më pak se 7 (shtatë) ditë pune nga dita e mbledhjes së KSC-së.

5. Kryetari mund të paraqesë në rendin e ditës të mbledhjes çështje të tjera që nuk janë të përfshira në agjendën e paraqitur paraprakisht, nëse të gjithë anëtarët janë të pranishëm.

6. Kuorumi i nevojshëm për realizimin e mbledhjes së KSC-së realizohet kur marrin pjesë të paktën 4 prej anëtarëve, përfshirë dhe kryetarin.

7. Mbledhjet e KSC-së nuk janë publike.

8. Kryetari dhe anëtarët janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin e informacionit rreth kërkesave për regjistrim, kërkesave për ndryshimin e specifikimeve, vërejtjeve dhe kundërshtimeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

9. Vendimet e KSC-së i dërgohen ministrit për miratim, sipas afateve të përcaktuara në ligj.

10. Procedura për mbledhjen e KSC-së është, si më poshtë vijon:

a) Çelet nga kryetari, i cili kërkon aprovimin e agjendës paraprake me ndryshimet (nëse ka);
b) Sekretari paraqet verbalisht përpara KSC-së një pasqyrë të përmbledhur të kërkesave të palëve, të fakteve dhe të provave të depozituara, para fillimit të shqyrtimit të çështjeve dhe mban procesverbalin e mbledhjes dhe të diskutimeve të anëtarëve;
c) KSC-ja, nën drejtimin e kryetarit, shtron për diskutim me radhë të gjitha çështjet që janë vendosur në agjendë;
ç) Kryetari i fton anëtarët të votojnë, në përfundim të të gjithë procedurës së shqyrtimit dhe të shkëmbimit të opinioneve. Asnjë nga anëtarët nuk mund të abstenojë nga vendimmarrja. Votimi është i hapur në të gjitha rastet. Mendimi i anëtarit të mbetur në pakicë, i parashtruar me shkrim, bashkohet me vendimin dhe nënshkruhet me fjalën “kundër”;
d) Vendimet e KSC-së miratohen me shumicë të thjeshtë të votave, të anëtarëve të pranishëm;
dh) Në rast se rreth një çështjeje votimi është i barabartë, vota e kryetarit është vendimtare;
e) Vendimi i KSC-së bëhet publik në faqen e internetit të ministrisë;
ë) Kryetari merr masa që në fund të takimit të përgatisë vendimin e arsyetuar, i cili nënshkruhet nga të gjithë anëtarët që kanë marrë pjesë në votimin e tij. Një kopje e vendimit i dorëzohet sekretarit për t’ia bashkëlidhur dosjes së çështjes;
f) Procesverbali, mbasi u bëhet i ditur anëtarëve të KSC-së, firmoset nga kryetari dhe sekretari, brenda dy ditëve nga data e mbledhjes;
g) Dokumentacioni i prodhuar gjatë gjithë procedurës i nënshtrohet rregullave në fuqi për arkivën.

III. Detyrat e Komisionit të Skemave të Cilësisë

1. Detyrat e kryetarit të KSC-së, (më poshtë kryetari), përfshijnë:

a) organizimin dhe drejtimin e punës së KSC-së;
b) thirrjen e mbledhjeve të KSC-së;
c) kryesimin e mbledhjeve të KSC-së;
ç) përcaktimin e agjendës paraprake të mbledhjeve të KSC-së;
d) monitorimin e afateve procedurale dhe në bashkëpunim me strukturën përgjegjëse, monitorimin e afateve lidhur me aplikimet në zbatim të ligjit dhe të këtij vendimi;
dh) përfaqësimin e KSC-së.

2. Detyrat e antarëve të KSC-së përfshijnë:

a) vlerësimin e aplikimeve për regjistrim të emërtimit STG;
b) vlerësimin për aplikimet për ndryshimin e specifikimeve të produktit me emërtimin STG;
c) vlerësimin për kundërshtimet e aplikimeve, për regjistrim për emërtimin STG dhe kundërshtimet për specifikimet e produktit, për emërtimet EOM, TGJM;
ç) vlerësimin e përputhshmërinë me specifikimet e produktit, për kërkesat për regjistrim të EO-ve dhe TGJ-ve, për produktet bujqësore dhe ushqimore.
d) vlerësimin për kundërshtimet e ndërsjella në BE;
dh) pjesëmarrjen në mbledhjet e KSC-së;
e) pjesëmarrjen në diskutimin e çështjeve, sipas agjendës së paraqitur në njoftimin e mbledhjes;
ë) marrjen e vendimeve.

3. Struktura përgjegjëse, në zbatim të këtij vendimi, me qëllim mbarëvajtjen e KSC-së, përveç detyrave të përcaktuara në ligj, kryen edhe detyrat, si më poshtë vijon:

a) Merr masat për sigurimin e logjistikës së nevojshme për realizimin e mbledhjeve të KSC-së;
b) Ndjek ekzekutimin e vendimeve të KSC-së dhe dërgimin zyrtar të vendimeve në adresat përkatëse, duke njoftuar KSC-në, lidhur me dërgimin zyrtar të vendimeve në destinacion;
c) Përgatit njoftimet e KSC-së, që nënshkruhen nga kryetari për palët, lidhur me paraqitjen e argumenteve, prapësimeve dhe çdo dokumenti tjetër të nevojshëm të përcaktuar në ligj dhe në këtë vendim.

4. Mbledhjet e KSC-së asistohen nga sekretari, i cili është anëtar i komisionit dhe ushtron këto detyra:

a) Është përgjegjës për dosjet e kërkesave të depozituara nga struktura përgjegjëse, për shqyrtim pranë Komisionit, si kërkesat për regjistrim, kërkesat për të ndryshuar specifikimet, për vërejtjet ose kundërshtimet;
b) U komunikon anëtarëve me e-mail, orën dhe datën e mbledhjes së bashku me rendin e ditës;
c) Mban procesverbalin e mbledhjes dhe kryen detyra të tjera të ngarkuara nga KSC-ja;
ç) Mban të gjithë dokumentacionin e KSC-së, ku përfshihen edhe kërkesat për regjistrim, kërkesat për të ndryshuar specifikimet, për vërejtjet ose kundërshtimet.

IV. Dispozitë e fundit

Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TЁ CIRKUT KOMBËTAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 3, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Ilirjan Gjini emërohet drejtor i Cirkut Kombëtar.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË DOKUMENTIT TË NDRYSHIMIT NR.1 TË KONTRATËS FINANCIARE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE TË INVESTIMEVE, PËR BY-PASS-IN E VLORËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të dokumentit të ndryshimit nr.1 të kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për by-pass-in e Vlorës, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2020 –2022, TË RISHIKUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 28, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e dokumentit të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2020-2022, të rishikuar, sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E DOKUMENTIT POLITIK KOMBËTAR PËR MOSHIMIN 2020-2024 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT PËR ZBATIMIN E TIJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e dokumentit politik kombëtar për moshimin 2020-2024 dhe të planit të veprimit për zbatimin e tij, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe institucionet e varësisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet e varësisë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Brendshme dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRBËRJEN, FUNKSIONIMIN, ORGANIZIMIN DHE DETYRAT E KOMISIONIT PËR PRODHIMIN BIOLOGJIK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 32, të ligjit nr.106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Përbërja e Komisionit për Prodhimin Biologjik

1. Komisioni për Prodhimin Biologjik (në vijim KPB) përbëhet nga 9 (nëntë) anëtarë, kryesohet nga zëvendësministri i ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe ka këtë përbërje:

a) Drejtori i drejtorisë së përgjithshme, përgjegjëse për prodhimin biologjik, në ministrinë përgjegjëse për bujqësinë;
b) Drejtori i drejtorisë, përgjegjëse për prodhimin biologjik, në ministrinë përgjegjëse për bujqësinë;
c) Përgjegjësi i sektorit, përgjegjës për prodhimin biologjik, në ministrinë përgjegjëse për bujqësinë;
ç) Një përfaqësues nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;
d) Një përfaqësues nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit;
dh) Një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit;
e) Një përfaqësues nga institucionet jopublike në fushën e bujqësisë biologjike;
ë) Një përfaqësues nga Universiteti Bujqësor i Tiranës.

2. Anëtarët e Komisionit propozohen nga institucionet përkatëse dhe emërohen me urdhër të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (në vijim, ministri).

II. Organizimi dhe funksionimi i Komisionit për Prodhimin Biologjik

1. Komisioni për Prodhimin Biologjik (KPB) në mbledhjen e parë zgjedh sekretarin.

2. Mbledhjet e KPB-së thirren nga kryetari minimalisht 4 (katër) herë në vit, bazuar në kërkesat e paraqitura për miratim dhe sipas informacionit të marrë nga njësia për prodhimin biologjik për shqyrtimin e raporteve të mbikëqyrjes së trupave të kontrollit të miratuara.

3. Mbledhjet e jashtëzakonshme thirren nga kryetari.

4. Çdo anëtar i KPB-së duhet të deklarojë që nuk ka konflikt interesi, sipas legjislacionit në fuqi për konfliktin e interesit, dhe deklaratën ia paraqet kryetarit të KPB-së.

5. Anëtarët e KPB-së janë të detyruar të ruajnë sekretin profesional dhe konfidencialitetin e diskutimeve, të dokumenteve dhe të çdo informacioni që u vihet në dispozicion, gjatë zbatimit të procedurave të miratimit dhe mbikëqyrjes së trupave të kontrollit, sipas legjislacionit në fuqi për ruajtjen e të dhënave personale dhe për të drejtën e informimit.

6. Anëtarët e KPB-së njoftohen nga sekretari nëpërmjet postës elektronike për datën dhe rendin e ditës të mbledhjes, të paktën 5 (pesë) ditë pune, para ditës së mbledhjes.

7. Kryetari mund të paraqesë çështje të tjera që nuk janë të përfshira në rendin e ditës të paraqitur paraprakisht, nëse 2/3 e anëtarëve vendosin për shqyrtimin dhe marrjen e vendimeve për këto çështje.

8. Kuorumi i nevojshëm për realizimin e mbledhjes së KPB-së realizohet kur në të marrin pjesë të paktën 5 (pesë) prej anëtarëve, përfshirë dhe kryetarin.

9. Në rast mungese, kryetari dhe sekretari zëvendësohen përkohësisht përkatësisht nga anëtari më i vjetër dhe nga anëtari më i ri në detyrë, që të dy me të drejtë vote.

10. Largimi i anëtarit të KPB-së bëhet me urdhër të ministrit për njërën nga arsyet e mëposhtme:

a) nëse nuk paraqitet në tri mbledhje të njëpasnjëshme të KPB-së dhe nuk paraqet justifikime të provuara për këto mungesa;
b) kur i është ndaluar ushtrimi i profesionit me vendim gjyqësor të formës së prerë;
c) kur nuk gëzon funksionin për të cilin është emëruar.

11. Anëtari i KPB-së që jep dorëheqjen është i detyruar të paraqesë kërkesën me shkrim për dorëheqje dhe arsyet e dorëheqjes, të paktën 1 (një) muaj përpara datës së largimit nga detyra, përveç rastit kur provon ose vërtetohet se kjo nuk ka qenë e mundur.

12. KPB-ja merr masa për zëvendësimin sa më shpejt të anëtarit të larguar nga detyra ose të dorëhequr, duke u dërguar institucioneve përkatëse kërkesën për caktim të përfaqësuesit.

13. Procedura për zhvillimin e mbledhjes së KPB-së është, si më poshtë vijon:

a) çelet nga kryetari, i cili kërkon aprovimin paraprak të rendit të ditës me ndryshimet (nëse ka);
b) sekretari paraqet verbalisht përpara KPB-së një pasqyrë të përmbledhur të çështjeve për diskutim;
c) KPB-ja, nën drejtimin e kryetarit, shtron për diskutim me radhë të gjitha çështjet që janë vendosur në rendin e ditës;
ç) kryetari i fton anëtarët të votojnë në përfundim të të gjithë procedurës së shqyrtimit të kërkesës e dokumentacionit për miratim ose të raportit të mbikëqyrjes të paraqitur nga Njësia për Prodhimin Biologjik. Asnjë nga anëtarët nuk mund të abstenojë nga vendimmarrja. Votimi është i hapur në të gjitha rastet. Mendimi i anëtarit të mbetur në pakicë, i parashtruar me shkrim, bashkohet me vendimin dhe nënshkruhet me fjalën “kundër”;
d) vendimet e KPB-së miratohen me shumicë të thjeshtë të votave të anëtarëve të pranishëm;
dh) në rast se votimi është i barabartë, vota e kryetarit është vendimtare;
e) procesverbali mbahet nga sekretari dhe u paraqitet për miratim të gjithë anëtarëve në fillim të mbledhjes pasuese dhe, pas miratimit, firmoset nga kryetari e sekretari.
ë) dokumentacioni i prodhuar gjatë gjithë procedurës u nënshtrohet rregullave në fuqi për arkivin.

14. Vendimet e KPB-së për miratimin, refuzimin apo shfuqizimin e vendimit për miratimin e trupave të kontrollit i dërgohen ministrit për miratim.

15. KPB-ja njofton me shkrim trupat e kontrollit për miratimin, refuzimin apo shfuqizimin e vendimit të miratimit, duke argumentuar arsyet e refuzimit të kërkesës për miratim ose të shfuqizimit të vendimit të miratimit.

III. Detyrat e Komisionit për Prodhimin Biologjik dhe të Njësisë për Prodhimin Biologjik

A. Detyrat e KPB-së janë:

1. Shqyrton kërkesën për miratim së bashku me dokumentacionin e paraqitur nga trupa e kontrollit. Nëse pas verifikimit të këtij dokumentacioni rezulton se ka mangësi, komisioni i kërkon trupës së kontrollit që, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh pune, të plotësojë mangësitë. Në rastin e mosplotësimit në afat të mangësive, komisioni njofton trupën e kontrollit që kërkesa nuk do të shqyrtohet.

2. Miraton ose refuzon kërkesat e trupave të kontrollit, vendase apo të huaja, për të ushtruar aktivitetin e inspektimit dhe të certifikimit të operatorëve biologjikë në territorin e Shqipërisë.

3. Shfuqizon vendimin e miratimit të trupave të kontrollit, që ushtrojnë aktivitetin e inspektimit dhe të certifikimit të operatorëve biologjikë në territorin e Shqipërisë, të cilat nuk vazhdojnë të përmbushin kërkesat e ligjit nr.106/2016, “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre” (në vijim, ligji).

4. Vlerëson raportin e paraqitur nga njësia për prodhimin biologjik, pas kryerjes së mbikëqyrjes së aktivitetit të trupave të kontrollit, të miratuara sipas përcaktimit të nenit 32/2, të ligjit, dhe merr vendim lidhur me vlerësimin e aktivitetit të trupës së kontrollit.

B. Detyrat e Njësisë për Prodhimin Biologjik janë:

1. Harton e mirëmban regjistrin e trupave të kontrollit, të miratuara nga KPB-ja, dhe e publikon në faqen zyrtare të internetit të ministrisë. Regjistri përmban:

a) emrin, adresën, numrin kodues të trupës së kontrollit, adresën e e-mail-it dhe faqen zyrtare të internetit;
b) fushën dhe kategoritë e produkteve të certifikuara;
c) faqen zyrtare të internetit, ku gjendet lista e përditësuar e operatorëve në sistem certifikimi, e cila përmban statusin e certifikimit, kategoritë e produkteve dhe pikën e kontaktit për të marrë informacionin në rast pezullimi apo heqjeje certifikimi të operatorit apo të produktit;
ç) faqen zyrtare të internetit ku gjendet informacioni për standardin dhe masat e kontrollit të zbatuara nga trupa e kontrollit.

2. Publikon në faqen zyrtare të internetit të ministrisë listën e përditësuar të të gjithë operatorëve të prodhimit, përpunimit e tregtimit të produkteve biologjike.

3. Kryen mbikëqyrjen e trupave të kontrollit për llogari të KPB-së, që konsiston në vlerësimin e aktivitetit të trupave të kontrollit të miratuara, duke marrë në konsideratë edhe raportin e rezultatet e auditimit nga organi akreditues. Gjatë mbikëqyrjes, kryen kontrollin e dokumentacionit dhe inspektimin vjetor, nëse zbatohen procedurat e dokumentuara dhe, në veçanti, verifikon:

a) përputhshmërinë e procedurave standarde të kontrollit të zbatuara me ato të paraqitura nga trupa e kontrollit te KPB-ja në momentin e miratimit;
b) menaxhimin dhe ekzaminimin e dosjeve të kontrollit të operatorëve biologjikë në përputhje me kërkesat e ligjit;
c) nëse trupa e kontrollit ka numër të mjaftueshëm stafi të kualifikuar dhe me përvojë të përshtatshme, në përputhje me nenin 31, të ligjit, dhe nëse janë zbatuar trajnime lidhur me rreziqet që ndikojnë në statusin organik të produkteve;
ç) trajtimin e jokonformiteteve të konstatuara gjatë inspektimit dhe kontrollit;
d) trajtimin e ankesave dhe të apelimeve të operatorëve biologjikë;
dh) nëse trupa e kontrollit ka dhe ndjek procedura e modele formulari të dokumentuara për:
i. analizën vjetore të rrezikut, në përputhje me pikën 3, të nenit 30, të ligjit;
ii. përgatitjen e një plani menaxhimi me bazë risku për marrjen e mostrave dhe analizat laboratorike;
iii. shkëmbimin e informacionit me trupat e tjera të kontrollit dhe autoritetin kompetent;
iv. kontrollet fillestare dhe në vijim të operatorëve nën sistemin e saj të kontrollit;
v. zbatimin dhe vijueshmërinë e masave që duhen marrë në rast shkeljeje apo parregullsie;
vi. zbatimin e kritereve për mbrojtjen e të dhënave personale të operatorëve nën kontrollin e saj në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.

e) nëse zbaton rregullat për rotacionin e inspektorëve;
ë) nëse zbaton sistemin e gjurmueshmërinë për çdo produkt në të gjitha stadet e prodhimit, të përgatitjes dhe të shpërndarjes.

Për të kryer mbikëqyrjen e trupave të kontrollit, Njësia e Prodhimit Biologjik mund të bashkëpunojë me specialistë të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë, që caktohen me urdhër ministri.

4. Mban raportin pas çdo kontrolli dhe inspektimi të kryer, i cili firmoset nga përfaqësuesi i trupës së kontrollit dhe grupi i kontrollit e ia paraqitet KPB-së për vlerësim.

IV. Dispozita të fundit

1. Shpërblimi për pjesëmarrje në mbledhje, për anëtarët e KPB-së, bëhet sipas legjislacionit përkatës në fuqi.

2. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 3, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese të zëna nga ndërtimet informale në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Durrës, Elbasan, Kamzë-Vorë, Tirana Rurale 1, Vlorë, Fier dhe Zonat e Stimuluara.

2. Masa e kompensimit është 45 991,2 (dyzet e pesë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e një presje dy) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 484 740 576,16 (katërqind e tetëdhjetë e katër milionë e shtatëqind e dyzet mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e gjashtë presje gjashtëmbëdhjetë) lekë, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet pa leje, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, do të veprohet, si më poshtë vijon:

a) Për pronat me numrat rendorë sipas kolonës 13, përkatësisht, nr.1, nr.16, nr.20, nr.21, nr.24, nr.37, nr.84, nr.85, dhe nr.190, sipas seksionit të veçantë (kolona 18), shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të shkakut të kufizimit, sipas pikës 15, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”, të ndryshuar.

b) Për pronat me numrat rendorë sipas kolonës 13, përkatësisht, nr.45, nr.103 dhe nr.106, sipas seksionit të veçantë (kolona 18), shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të mbivendosjes, sipas pikës 16, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”, të ndryshuar.

4. Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.

5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Durrës, Elbasan, Kamzë-Vorë, Tirana Rurale 1, Vlorë, Fier dhe Zonat e Stimuluara të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM NOTASH, TË MARRËVESHJES SË HUAS, TË DATËS 25 KORRIK 2014, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN E SHËRBIMEVE MJEDISORE, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.151/2014

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 12, 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.151/2014, “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e shërbimeve mjedisore”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim notash, të marrëveshjes së huas, të datës 25 korrik 2014, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e shërbimeve mjedisore, ratifikuar me ligjin nr.151/2014, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM NOTASH TË MARRËVESHJES SË GRANTIT (GRANT NR. TF017364), NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM , QË VEPRON SI AGJENCI ZBATUESE PËR FONDIN GLOBAL TË MJEDISIT (GEF), PËR PROJEKTIN E SHËRBIMEVE MJEDISORE, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.152/2014

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash të marrëveshjes së grantit (grant nr.TF017364), ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si agjenci zbatuese për Fondin Global të Mjedisit (GEF), për projektin e shërbimeve mjedisore, ratifikuar me ligjin nr.152/2014, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, KOSOVËS DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR IPA II, SHQIPËRI-KOSOVË 2014-2020, ALOKIMET E VITIT 2018

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Kosovës dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Shqipëri-Kosovë 2014-2020, alokimet e vitit 2018, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, QEVERISË SË MALIT TË ZI DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR IPA II, MALI I ZI – SHQIPËRI 2014-2020, ALOKIMET E VITIT 2018

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, qeverisë së Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Mali i Zi – Shqipëri 2014-2020, alokimet e vitit 2018, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM NOTASH TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT TË SIGURUARA NGA AGJENCIA SUEDEZE PËR ZHVILLIMIN E BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR (SIDA), NËN FONDIN SUEDEZ TË BESIMIT, PËR FONDIN E BESIMIT NR.TF072239, PËR PROJEKTIN E SHËRBIMEVE MJEDISORE ME SHQIPËRINË, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.64/2015

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga Agjencia Suedeze për Zhvillimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar (SIDA), nën Fondin Suedez të Besimit, për fondin e besimit nr.TF072239, për projektin e shërbimeve mjedisore me Shqipërinë, ratifikuar me ligjin nr.64/2015, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF013972, NDЁRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM/SHOQATËS NDËRKOMBËTARE PËR ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT TË SIGURUARA NGA DHURUES TË NDRYSHËM, NËN FONDIN E DYTË TË BESIMIT SHUMËDHURUES PËR SHQIPËRINË, PËR MBËSHTETJEN PËR NGRITJEN E KAPACITETEVE PËR ZBATIMIN E SISTEMIT TË PLANIFIKIMIT TË INTEGRUAR (SPI) 2, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.243, DATË 3.4.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së grantit nr.TF013972, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim/Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga dhurues të ndryshëm, nën Fondin e Dytë të Besimit Shumëdhurues për Shqipërinë, për mbështetjen për ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e sistemit të planifikimit të integruar (SPI)2, miratuar me vendimin nr.243, datë 3.4.2013, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT FINANCIAR USHTARAK, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROTOKOLLIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, PËR TRAJNIMIN DHE BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E SHËNDETIT USHTARAK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 11, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin, në parim, të protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për trajnimin dhe bashkëpunimin në fushën e shëndetit ushtarak, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Vendimi nr.569, datë 3.8.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin, në parim, të protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për trajnimin dhe bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë ushtarake”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.607, DATË 27.10.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN E MJEDISEVE TË NDËRTESËS “GODINA E INOVACIONIT” NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË AGJENCISË KOMBËTARE TË SHOQËRISË SË INFORMACIONIT (AKSHI)”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në pikën 3, të vendimit nr.607, datë 27.10.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, fjalët “… deri më 31 dhjetor 2019…” zëvendësohen me “… deri më 31 dhjetor 2021 …”.

2. Ngarkohen Kryeministria, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.327, DATË 27.4.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I LINJËS 110 KV RRASHBULL–GOLEM – KAVAJË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.327, datë 27.4.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në pikën 3, vlera nga 967 956.8 (nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e gjashtë pikë tetë) lekë, ndryshohet në 957 814.52 (nëntëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e tetëqind e katërmbëdhjetë pikë pesëdhjetë e dy) lekë.

b) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Vlera e përgjithshme e kompensimit dhe vlera e shpenzimeve për botimin në gazetë të përballohen nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., si subjekti kërkues i këtij shpronësimi, ndërsa shpenzimet procedurale, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.”.

c) Nënndarjet me nr. rendorë 36, 37, 38, 39, 40, 41, 42, 43 dhe 44 ndryshohen sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a. dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kavajë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M 

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.387, DATË 25.5.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËRMIRËSIMI I SHTRESAVE RRUGORE FUSHË-KRUJË-THUMANË””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.387, datë 25.5.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

a) Në pikën 3, nënndarja “- tokë “arë” dhe “truall” me sipërfaqe 12 648 m2, me vlerë 5 409 102 (pesë milionë e katërqind e nëntë mijë e njëqind e dy) lekë zëvendësohet me “- tokë “arë” dhe “truall” me sipërfaqe 11 745 m2 me vlerë 5 180 643 (pesë milionë e njëqind e tetëdhjetë mijë e gjashtëqind e dyzet e tre) lekë.
b) Në pikat 3 dhe 4, vlera “… 16 686 204 (gjashtëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e dyqind e katër) lekë …” zëvendësohet me “… 16 457 745 (gjashtëmbëdhjetë milionë e katërqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e shtatëqind e dyzet e pesë) lekë …”.
c) Në tabelën bashkëlidhur vendimit, nënndarjet me numra rendorë 5, 6, 7, 8 dhe 9 ndryshohen dhe në fund të tabelës shtohen nënndarjet me numra rendorë 42, 43 dhe 44, përkatësisht, sipas tabelave “B” dhe “A” që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Shpenzimet procedurale, me vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

3. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.

4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Krujë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN DHE PUBLIKIMIN ZYRTAR TË NOMENKLATURËS SË KOMBINUAR TË MALLRAVE, 2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 1 e 12, të ligjit nr.9461, datë 21.12.2005, “Për Nomenklaturën e Kombinuar të Mallrave dhe tarifën e integruar doganore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin dhe publikimin zyrtar të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave 2020, sipas lidhjes nr.1 që i, bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Vendimi nr.775, datë 26.12.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin dhe publikimin zyrtar të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, 2019”, si dhe çdo dispozitë tjetër që bie në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohen.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi më 1 janar 2020 dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE DHE TË KRITEREVE TË KONKURRIMIT, FORMËN E KOHËZGJATJEN E KONTRATËS DHE METODOLOGJINË E CAKTIMIT TË TARIFAVE PËR DHËNIEN NË PËRDORIM TË PASURIVE KULTURORE PUBLIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 178, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i procedurave dhe i kritereve të konkurrimit, i formës e kohëzgjatjes së kontratës për dhënien në përdorim të pasurisë kulturore publike, si dhe i metodologjisë së caktimit të tarifave.

2. Ky vendim nuk zbatohet në rastin e dhënies në përdorim të pasurive kulturore publike të administruara nga ana e fondacioneve, sipas parashikimeve të neneve 171 e 172, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.

3. Ky vendim nuk zbatohet në rastin e veprimtarive kulturore dhe të veprimtarive tregtare të rregulluara përkatësisht nga nenet 100 e 102, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.

II. KRITERET E KONKURRIMIT

1. Institucioni publik, për realizimin e politikave dhe të projekteve të tij për zhvillimin e qëndrueshëm të pasurisë kulturore, jep në përdorim pasurinë kulturore publike që ka në administrim.

2. Dhënia në përdorim e pasurisë kulturore publike nga institucioni publik që e ka në administrim bëhet në përputhje me destinacionin kulturor të pasurisë dhe miratohet me vendim të Këshillit Kombëtar të Menaxhimit të Pasurisë Kulturore (në vijim, KKMPK). Dhënia në përdorim miratohet kur nuk cenohet ruajtja dhe mbrojtja e saj.

3. Vendimi i KKMPK-së përcakton pasuritë që jepen në përdorim sipas kreut III, të titullit V, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.

4. Kriteret për dhënien në përdorim të pasurive kulturore publike janë, si më poshtë vijon:

a) Pasuria kulturore publike jepet në përdorim të drejtpërdrejtë kur veprimtaria për të cilën jepet në përdorim:

i. është në përputhje me funksionin dhe vlerat kulturore të pasurisë së miratuar sipas vendimit të KKMPK-së;
ii. promovon vlerat kulturore të pasurisë;
iii. garanton shfrytëzimin e pasurisë kulturore në kuptim të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kultuore dhe muzetë”, si dhe aksesin nga publiku;
iv. ofron shërbime cilësore për publikun.

b) Për dhënien në përdorim të pasurisë kulturore publike që jepet me qëllim rijetësimi, përveç kritereve të përcaktuara në shkronjën “a”, të pikës 4, të këtij kreu, vlerësohet edhe:

i. plani i kryerjes së ndërhyrjeve ruajtëse dhe mbrojtëse në varësi të objektit të veprimtarisë (plani i veprimit);
ii. niveli i investimit në raport me ruajtjen e promovimin e pasurisë kulturore;
iii. cilësia e projektit të rijetësimit të propozuar, hartuar sipas parashikimeve të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.

5. Personi fizik ose juridik, që kërkon të marrë në përdorim një pasuri kulturore publike, përmbush kriteret, si më poshtë vijon:

a) Personi fizik:

i. të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën e trashëgimisë kulturore;
ii. të jetë i regjistruar në regjistrat publikë;
iii. të mos jetë në procedura likuidimi dhe falimentimi;
iv. të ketë burimet e mjaftueshme financiare për marrjen në përdorim të pasurisë kulturore publike, duke vërtetuar disponimin e kapaciteteve financiare për mbulimin e shpenzimeve për realizimin e projektit;
v. të disponojë kapacitetet teknike dhe ligjore për të marrë përsipër përdorimin e pasurisë kulturore;
vi. të disponojë personelin e specializuar ose të sigurojë bashkëpunimin me persona të specializuar.

b) Personi juridik:

i. drejtuesi dhe/ose administratori të mos jenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën e trashëgimisë kulturore;
ii. të ketë fituar personalitet juridik nëpërmjet regjistrimit në regjistrat publikë;
iii. të mos jetë në procedura likuidimi dhe falimentimi;
iv. të ketë burimet e mjaftueshme financiare për marrjen në përdorim të pasurisë kulturore publike, duke vërtetuar disponimin e kapaciteteve financiare për mbulimin e shpenzimeve për realizimin e projektit;
v. të disponojë kapacitetet teknike dhe ligjore për të marrë përsipër përdorimin e pasurisë kulturore të paluajtshme, sipas formës së përdorimit të kërkuar;
vi. të disponojë personelin e specializuar ose të sigurojë bashkëpunimin me persona të specializuar.

6. Në rastin e procedurave për dhënie në përdorim me qëllim rijetësimi, subjektet e interesuara përmbushin edhe kriteret e parashikuara në pikën 5, të nenit 184, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.

7. Në rastin kur subjekti i interesuar merr në përdorim pasurinë kulturore publike, e cila është pjesë e sistemit të zonave të mbrojtura mjedisore, bashkërendon punën me administratën rajonale të zonave të mbrojtura për ruajtjen dhe mirëmenaxhimin e pasurisë natyrore që administrohet nga kjo administratë.

III. PROCEDURA PUBLIKE PËR DHËNIEN NË PËRDORIM

A. Procedura publike për dhënien në përdorim me iniciativë të institucionit publik administrues të pasurisë kulturore

1. Procedura për dhënien në përdorim të pasurisë kulturore publike personave fizikë apo juridikë privatë fillon me iniciativë të institucionit publik administrues të pasurisë kulturore ose me kërkesë të subjektit të interesuar.
2. Në rastin kur procedura fillon me iniciativë të institucionit publik administrues të pasurisë kulturore publike, titullari i institucionit përkatës urdhëron hapjen e procedurës së konkurrimit për dhënien në përdorim të pasurisë kulturore publike, i cili përmban:

a) planvendosjen e pasurisë, hartuar nga një subjekt i licencuar ose hartën treguese të regjistrimit;
b) llojin e veprimtarisë që ushtrohet në pasurinë kulturore;
c) formën e dhënies në përdorim, si dhe mënyrën e destinacionin e përdorimit sipas vendimit të KKMPK-së;
ç) përbërjen e komisonit;
d) vlerën dysheme të kontratës për përdorimin e pasurisë;
dh) kriteret e konkurrimit dhe pikët vlerësuese;
e) kriteret e vlerësimit të konkurrimit (me pikë);
ë) afatin e lidhjes së kontratës;
f) datën, orën dhe vendin për paraqitjen e dokumenteve.

3. Për dhënien në përdorim të pasurisë kulturore publike me qëllim rijetësimi, hapja e procedurës së konkurrimit dhe përbërja e komisionit të dhënies në rijetësim kryhet në përputhje me nenin 184, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.

4. Komisioni i dhënies në përdorim, me përjashtim të rastit të rijetësimit, sipas pikës 3, të këtij kreu, përbëhet nga kryetari dhe 4 (katër) anëtarë. Titullari i institucionit publik administrues të pasurisë kulturore cakton në komision nëpunës të institucionit që përmbushin këto kritetere:

a) zotërojnë diplomë universitare të ciklit të parë dhe të dytë në fushën juridike, ekonomike ose të shkencave sociale;
b) kanë përvojë pune profesionale me pasuritë kulturore, sipas tipologjisë dhe klasifikimit të pasurisë kulturore që jepet në përdorim.

5. Njoftimi për botim publikohet në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare dhe në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe përmban elementet e parashikuara në pikën 2, të këtij kreu, me përjashtim të shkronjës “ç”.

6. Dokumentacioni i kërkuar paraqitet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e botimit të njoftimit.

7. Njoftimi për botim përmban dokumentacionin e kërkuar për plotësimin e kritereve të përgjithshme. Për të provuar plotësimin e kritereve të përgjithshme, subjektet e interesuara dorëzojnë dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Vetëdeklarim për gjendjen gjyqësore;
b) Ekstrakt historik të regjistrimit të subjektit në regjistrat publikë;
c) Dokumentacion financiar (vërtetim bankar i 3 (tre) muajve të fundit);
ç) Dokumentacion tatimor, sipas përcaktimeve të komisionit në varësi të projektit;
d) Dokumentacion teknik, sipas përcaktimeve të komisionit në varësi të projektit;
dh) Vërtetim nga tatimet për numrin e punonjësve.

8. Dosja e dorëzuar, përveç dokumentacionit të përcaktuar në pikën 7, të këtij kreu, përmban dhe dokumentet specifike në varësi të formës së dhënies në përdorim, si më poshtë vijon:

a) Për dhënien në përdorim të drejtpërdrejtë:

i. propozimin për marrjen në përdorim të pasurisë kulturore publike;
ii. projektin për veprimtarinë;
iii. planin e menaxhimit të pasurisë kulturore publike që kërkohet të merret në përdorim;
iv. tipologjinë e shërbimeve që mendohet të ofrohen;
v. garancinë për mirëadministrimin e pronës, në formën e një vërtetimi bankar, i 3 (tre) muajve të fundit nga data e dorëzimit të dokumentacionit, në vlerën jo më pak se 10 (dhjetë) % të projektit të propozuar;
vi. vërtetim për xhiron mesatare vjetore të 3 (tri) viteve të fundit, në vlerën prej minimalisht 50 (pesëdhjetë) % të vlerës së investimit të parashikuar në projektin e propozuar.

b) Për dhënien në përdorim me qëllim rijetësimi:

i. propozimin për marrjen në përdorim të pasurisë kulturore;
ii. projektin e rijetësimit, sipas nenit 185, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”;
iii. analizën e detajuar të projektit;
iv. planin e zhvillimit të territorit;
v. dokumentacionin për pjesëmarrje në projekte të mëparshme;
vi. garancinë për mirëadministrimin e pronës, në formën e një vërtetimi bankar, i 3 (tre) muajve të fundit nga data e dorëzimit të dokumentacionit, në vlerën jo më pak se 10 (dhjetë) % të projektit të propozuar;
vii. vërtetim për xhiron mesatare vjetore të 3 (tri) viteve të fundit, në vlerën prej minimalisht 50 (pesëdhjetë) % të vlerës së investimit të parashikuar në projektin e propozuar.
9. Dokumentacioni i mësipërm paraqitet në gjuhën shqipe, origjinal ose i njësuar me origjinalin. Dokumentet nga shtetet e huaja paraqiten të legalizuara, të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të noterizuara sipas legjislacionit në fuqi.

10. Subjektet e interesuara për të marrë pjesë në konkurrimin publik dorëzojnë dokumentacionin e mësipërm pranë protokollit të institucionit publik që zhvillon procedurën ose me postë fizike, ose elektronike, në adresën, datën dhe orën e përcaktuar në njoftimin për botim.

11. Komisioni shqyrton e vlerëson dokumentacionin e paraqitur brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga përfundimi i afatit të dorëzimit.

12. Mungesa e dokumenteve që vërtetojnë plotësimin e ndonjërit prej kritereve të përcaktuara në kreun II, të këtij vendimi, sjell skualifikimin e subjektit të interesuar. Ky fakt konstatohet në relacionin përfundimtar të komisionit.

13. Procesi i vlerësimit vazhdon edhe kur është paraqitur së paku një propozim i vlefshëm. Propozim i vlefshëm konsiderohet propozimi që nuk mund të skualifikohet sipas parashikimeve të këtij vendimi.

14. Komisioni bën vlerësimin e projektit dhe të elementeve të tjera të konkurrimit sipas kritereve të përcaktuara në këtë vendim.

15. Në përfundim të procesit, brenda afatit të përcaktuar në pikën 11, të këtij kreu, komisioni, pasi shqyrton ofertat dhe dokumentacionin e paraqitur, harton relacionin përfundimtar për vlerësimin e subjekteve të interesuara.

16. Komisioni bën renditjen e subjekteve të interesuara të kualifikuara sipas pikëve të përfituara, si dhe përcakton listën e subjekteve të skualifikuara, për shkak të mungesës së dokumentacionit, në relacionin përfundimtar.

17. Relacioni përfundimtar i komisionit i përcillet për miratim titullarit të institucionit publik, i cili, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike, nxjerr vendimin përkatës.

18. Vendimi i titullarit u njoftohet subjekteve të interesuara brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga marrja e tij.

19. Subjektet e interesuara, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga njoftimi i vendimit, kanë të drejtën e ankimit te titullari i institucionit, i cili, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike, i kthen përgjigje me shkrim ankuesit.

20. Subjektet e interesuara mund të ankimojnë vendimin përfundimtar të titullarit të institucionit në gjykatën kompetente, sipas legjislacionit në fuqi për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative.

21. Pas përfundimit të procedurave të lartpërmendura fillojnë procedurat për hartimin dhe lidhjen e kontratës.

22. Fituesi, përpara lidhjes së kontratës, paraqet garancinë e kontratës në masën 5 (pesë) % të investimit, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga data e njoftimit të vendimit të titullarit të institucionit publik.

23. Garancia lëshohet nga një institucion financiar bankar ose jobankar që ushtron aktivitet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

24. Në rast se subjekti fitues tërhiqet përpara afatit të përcaktuar në pikën 22, të këtij kreu, fitues shpallet subjekti pasardhës, i cili njoftohet zyrtarisht.

25. Institucioni publik njofton fituesin për lidhjen e kontratës për dhënien në përdorim të pasurisë kulturore publike brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja e njoftimit.

26. Subjekti që merr në përdorim pasurinë kulturore publike ndërmerr të gjitha masat ruajtëse e mbrojtëse, si dhe masat e menjëhershme, në rast rreziku të kësaj pasurie, në përputhje me kontratën e lidhur dhe legjislacionin në fuqi për trashëgiminë kulturore dhe muzetë.

B. Procedura publike për dhënien në përdorim me kërkesë të subjektit të interesuar

1. Procedura për dhënien në përdorim të pasurisë kulturore publike personave fizikë apo juridikë privatë fillojnë edhe me kërkesë të subjektit të interesuar.

2. Subjekti i interesuar paraqet, pranë institucionit që administron pasurinë kuturore publike, kërkesën për shprehjen e interesit të shoqëruar nga dokumentacioni, si më poshtë vijon:

a) Kërkesë për shprehje interesi, në të cilën identifikohet pasuria kulturore publike, e cila kërkohet të merret në përdorim;
b) Projekt për veprimtarinë që do të zhvillohet, ku, ndër të tjera, duhet të përfshihet lloji i veprimtarisë, koha kur do të zhvillohet, argumentet për përputhshmërinë e projektit të veprimtarisë me destinacionin kulturor të pasurisë dhe masat e planifikuara për sigurimin e aksesit të publikut në pasurinë kulturore në varësi të projektit të propozuar.

3. Në rastin e kërkesës për marrjen në përdorim me qëllim rijetësimi, dokumentacioni i parashikuar në pikën 6, të nenit 184, të ligjit 27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, shoqërohet edhe nga dokumentacioni, si më poshtë vijon:

a) Plan biznesi përkatës i detajuar për vënien në funksionim të pasurisë kulturore, ku të përshkruhet qartë plani i punësimit, i investimit dhe treguesit e tjerë që do të realizohen;
b) Një deklaratë në të cilën pranohet plani i menaxhimit për këtë pasuri ose, në rastin kur ky plan nuk ekziston, deklaratë për bashkëpunimin me autoritetet kompetente për hartimin e planit të menaxhimit para marrjes në përdorim të pasurisë kulturore përkatëse;
c) Dokument që vërteton zotërimin e mjeteve financiare për të zhvilluar projektin e marrjes në administrim të pasurisë kulturore të paluajtshme.

4. Institucioni publik që administron pasurinë kulturore publike shqyrton kërkesën brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike nga data e depozitimit të dokumentacionit në protokoll. Në rastin kur shprehja e interesit miratohet nga institucioni publik, ky i fundit procedon me hapjen e konkurrimit publik, sipas këtij kreu. Në rastin kur kërkesa nuk miratohet, institucioni publik i kthen subjektit letrën për shprehje interesi së bashku me dokumentacionin shoqërues si më sipër.

IV. FORMA DHE KOHËZGJATJA E KONTRATËS PËR DHËNIEN NË PËRDORIM TË PASURISË KULTURORE PUBLIKE

Kontrata për dhënien në përdorim të pasurisë kulturore publike lidhet me shkrim, në formën e qirasë ose të enfiteozës, sipas parashikimeve të Kodit Civil. Kontrata përmban të paktën elementet e mëposhtme:

a) gjenealitetet e palëve;
b) formën e dhënies në përdorim (të drejtpërdrejtë ose me qëllim rijetësimi);
c) objektin e dhënies në përdorim të pasurisë;
ç) destinacionin e dhënies në përdorim;
d) shërbimet që do të garantohen për të siguruar shfrytëzimin publik të pasurisë në varësi të projektit;
dh) nivelet cilësore të aktiviteteve dhe të shërbimeve që do të ofrohen;
e) kohëzgjatjen e kontratës. Kohëzgjatja e dhënies në përdorim përcaktohet në përputhje me kohëzgjatjen e projektit dhe përmbushjen e qëllimit për të cilin është dhënë në përdorim;
ë) të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e palëve;
f) format e shpërblimit të dëmit dhe penalitetet;
g) çmimin/tarifat dhe mënyrën e pagesës së tyre;
gj) procedurat për zgjidhjen e kontratës;
h) procedurat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

V. METODOLOGJIA E CAKTIMIT TË TARIFAVE TË DHËNIES NË PËRDORIM TË PASURISË KULTURORE PUBLIKE

1. Parimet e përgjithshme të metodologjisë janë:

a) parimi i efiçencës në menaxhimin e pasurive kulturore;
b) parimi i transparencës në përcaktimin e tarifave të dhënies në përdorim.

2. Llojet e tarifave për dhënien në përdorim të pasurive kulturore:

a) tarifat për përdorim të drejtpërdrejtë;
b) tarifat për përdorim me qëllim rijetësimi.

3. Caktimi i tarifave për dhënien në përdorim të pasurive kulturore publike bazohet në këto tipologji të pasurive kulturore:

a) pasuritë e luajtshme;
b) pasuritë e paluajtshme.

4. Caktimi i tarifave për pasuritë kulturore materiale bazohet në klasifikimin e pasurive kulturore në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, në nënkategoritë e tyre sipas neneve 53 e 54, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, dhe ndërveprimit me secilin prej elementeve të mëposhtme:

a) Për pasuritë kulturore të paluajtshme tarifa përcaktohet duke marrë në konsideratë:

i. formën e dhënies në përdorim (të drejtpërdrejtë ose me qëllim rijetësimi). Rëndësia e këtij kriteri duket veçanërisht në rastin e dhënies në përdorim të drejtpërdrejtë dhe të dhënies më qëllim rijetësimi. Dhënia në përdorim me qëllim rijetësimi përfshin kryerjen nga ana e përdoruesit të një sërë përmirësimesh dhe kohëzgjatjeje të kontratës deri në 20 (njëzet) vjet me të drejtë rinovimi. Të dyja këto elemente (kryerja e përmirësimeve e kohëzgjatja) ndikojnë thellësisht në elementet e tjera të sipërpërmendura. Konkretisht, lloji i veprimtarisë që do zhvillohet, kohëzgjatja e kontratës, llojet e përmirësimit dhe projekti që do të kryhet ndikojnë në nivelin e vizitueshmërisë së pasurisë;
ii. sipërfaqen e pasurisë; ky kriter është i lidhur edhe me vlerën e pasurisë kulturore;
iii. klasifikimin e pasurisë kulturore;
iv. vlerën e pasurisë kulturore të përcaktuar nga një ekspert vlerësues i pasurisë së paluajtshme nga lista e publikuar nga IKRTK-ja/IKTK-ja. Ky kriter mund të ndikojë në caktimin e tarifës së përdorimit, duke i llogaritur amortizimin;
v. kapacitetin e pasurisë; ky element ndikon drejtpërdrejt në sasinë e biletave që do të porositen nga organizatori dhe në bazë të së cilës do bëhet planifikimi i të ardhurave nga veprimtaria që do organizohet;
vi. nivelin e vizitueshmërisë së pasurisë; nëse pasuria e paluajtshme ka një nivel të lartë vizitueshmërie, ky kriter ndikon në pritshmëritë e përdoruesit në vizitueshmërinë e aktivitetit dhe, në rast se pjesëmarrja në aktivitet është me pagesë, ky fakt pasqyrohet në sasinë e biletave që shet përdoruesi;
vii. vlerësimin e lehtësirave që kanë ose jo pasuritë kulturore publike; nëse në hapësirën që do të jepet në përdorim nuk ka tualete funksionale ose lehtësira të tjera që janë të nevojshme për zhvillimin e aktivitetit, do të merret në konsideratë për përjashtimin nga tarifa e dhënies në përdorim të shpenzimeve që përdoruesi do të bëjë për sigurimin e këtyre lehtësirave;
viii. qarkun ku ndodhet pasuria kulturore, me qëllim edhe shqyrtimin e nivelit të zhvillimit ekonomik të qarkut përkatës.

b) Për pasuritë kulturore të luajtshme tarifa përcaktohet duke marrë në konsideratë:

i. formën e dhënies në përdorim;
ii. vlerën e pasurisë kulturore, përcaktuar nga një ekspert vlerësues i pasurisë së luajtshme kulturore nga lista e publikuar nga IKRTK-ja/IKTK-ja;
iii. klasifikimin e pasurisë;
iv. llojin e veprimtarisë që do të zhvillohet;
v. përmasat dhe peshën;
vi. shpenzimet për lëvizjen e pasurisë;
vii. shpenzimet për kushtet atmosferike ku ruhet;
viii. numrin e punonjësve në dispozicion të aktivitetit, duke përfshirë këtu edhe punonjësit e sigurisë.

c) Në rastin e pasurive të paluajtshme, vlerësimi për secilin prej kritereve të sipërpërmendura ndryshon në varësi të formës së dhënies në përdorim dhe të kategorisë së pasurisë së paluajtshme që merret në përdorim.

5. Në rastin e dhënies në përdorim me qëllim rijetësimi të një pasurie kulturore publike të paluajtshme merret në konsideratë:

a) sipërfaqja e pasurisë;
b) kapaciteti;
c) vlera e pasurisë kulturore;
ç) lloji i veprimtarisë që do të zhvillohet;
d) projekti i rijetësimit, veçanërisht për sa u përket përmirësimeve dhe kohëzgjatjes së kontratës, pasi këta dy faktorë ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në elementet e tjera, si: në nivelin e vizitueshmërisë së pasurisë, në vlerësimin e lehtësirave që kanë ose jo pasuritë, numri i punonjësve të administratorit ose të pronarit që do vihen në dispozicion të veprimtarisë, duke përfshirë këtu edhe punonjësit e sigurisë.

6. Në rastin e dhënies në përdorim të drejtpërdrejtë, bëhet një vlerësim individual i secilit prej kritereve të mëposhtme:

a) Klasifikimi i pasurisë kulturore, sipas nenit 53, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”;
b) Vlera e pasurisë kulturore, sipas vlerësimit të bërë nga një ekspert vlerësues i pasurisë kulturore;
c) Kapaciteti; për sa i përket kapacitetit, merret në konsideratë edhe lloji i aktivitetit, i cili mund të jetë i tillë që mund të mos plotësojë të gjithë kapacitetin maksimal të pasurisë ose, për arsye të ruajtjes e të mbrojtjes, nuk mund të shfrytëzohet i gjithë kapaciteti maksimal. Në këtë rast merret në konsideratë niveli i vizitueshmërisë së vetë pasurisë;
ç) Numri i punonjësve që do të vihet në dispozicion të përdorimit dhe lloji i veprimtarisë që do të zhvillohet, nëse është fitimprurës ose jo.

7. Rëndësia apo vlerësimi i secilit prej kritereve të lartpërmendura ndryshon rast pas rasti në varësi të llojit të pasurisë që është objekt dhënieje në përdorim.

8. Në rastin e dhënies në përdorim të pasurive të luajtshme, elementet që ndikojnë në caktimin e tarifës janë:

a) vlera e pasurisë kulturore;
b) klasifikimi i pasurisë kulturore;
c) shpenzimet për lëvizjen e pasurisë dhe për kushtet atmosferike të transportit dhe vendit ku do të zhvendoset e do të qëndrojë;
ç) numri i punonjësve që do të angazhohen në lëvizjen ose çdolloj shërbimi tjetër që nuk mund të kryhet nga punonjës të marrësit në përdorim;
d) lloji i aktivitetit për të cilin do të përdoret, që ndikon indirekt në përcaktimin e shpenzimeve për kushte atmosferike, në të cilat do të qëndrojë pasuria kulturore, si dhe fakti nëse është fitimprurës ose jo.

VI. DISPOZITAT E FUNDIT

1. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe të gjitha institucionet që kanë në administrim pasuri kulturore publike për zbatimin e këtij vendimi.

2. Çdo akt nënligjor që bie në kundërshtim me këtë vendim shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË SHOQËRISË ALBGAZ, SH.A., TË PASURIVE ME NR.181/80 DHE NR.181/81, ZONA KADASTRALE 2631, KORÇË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të shoqërisë Albgaz, sh.a., të pasurive me nr.181/80 dhe nr.181/81, zona kadastrale 2631, me sipërfaqe, përkatësisht, 448,7 m2 dhe 25,551.30 m2, sipas planeve të rilevimit bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Pasuritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimit, do të përdoren për ndërtimin e Qendrës së Mirëmbajtjes Korçë.

3. Shoqërisë Albgaz, sh.a. i ndalohet t’i tjetërsojë apo t’ua japë në përdorim të tretëve pasuritë e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqëria Albgaz, sh.a., dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E PROGRAMIT TË PËRGJITHSHËM ANALITIK TË PROJEKTAKTEVE, QË DO TË PARAQITEN PËR SHQYRTIM NË KËSHILLIN E MINISTRAVE GJATË VITIT 2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 27, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e programit të përgjithshëm analitik të projektakteve, që do të paraqiten për shqyrtim në Këshillin e Ministrave gjatë vitit 2020, sipas tabelave që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NJË RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2019, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË DHE MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “b”, të nenit 8, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në buxhetin e miratuar për vitin 2019 të bëhet rishpërndarja e fondeve, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si më poshtë vijon:

a) Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë t’i pakësohet fondi prej 300 000 000 (treqind milionë) lekësh në programin buxhetor “Sigurimi shoqëror”, të buxhetit të shtetit, për shpenzime korrente, në artikullin 604, “Transfertë nga buxheti i shtetit në buxhetin Institutit të Sigurimeve Shoqërore”;
b) Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale t’i shtohet fondi prej 300 000 000 (treqind milionë) lekësh në programin buxhetor “Përkujdesi social”, për shpenzime korrente, në artikullin 606, “Transfertë për buxhetet familjare dhe individët”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.343, DATË 8.4.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MËNYRAT DHE PROCEDURAT E RAPORTIMIT TË AUTORITETEVE LICENCUESE DHE/OSE MBIKËQYRËSE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 24, pika 5, e 28, pika 1, të ligjit nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.343, datë 8.4.2009, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në pikën 1 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

i. Pas nënndarjes “iii”, të shkronjës “b”, shtohen nënndarjet “iv” dhe “v”, me këtë përmbajtje:

“iv. shoqëritë administruese të sipërmarrjeve të investimeve kolektive dhe fondeve të pensioneve, si dhe agjentët e tyre;
v. çdo person fizik ose juridik, i cili merret me ofrimin e shërbimeve të mjeteve virtuale.”;

ii. Në shkronjën “c”, emërtesa “Ministria e Financave” zëvendësohet me fjalët “ministria përgjegjëse për financat”;
iii. Në shkronjën “e” emërtesa “Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit” zëvendësohet me fjalët “ministria përgjegjëse për infrastrukturën”;
iv. Nënndarja “ii”, e shkronjës “e”, shfuqizohet;
v. Në shkronjën “f” emërtesa “Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve” zëvendësohet me fjalët “ministria përgjegjëse për kulturën”;
vi. Shkronja “g” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“g. Organet tatimore për organizatat jofitimprurëse.”.

b) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Autoritetet licencuese dhe/ose mbikëqyrëse mbikëqyrin, nëpërmjet inspektimeve, përputhshmërinë e veprimtarisë së subjekteve me detyrimet e përcaktuara në ligjin nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit.”.

2. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe autoritetet licencuese dhe/ose mbikëqyrëse për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletore zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.666, DATË 10.10.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KUOTAT FINANCIARE TË USHQIMIT NË MENSA E KONVIKTE DHE PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR PËRFITIMIN E BURSAVE E TË PAGESAVE PËR NXËNËSIT E ARSIMIT PARAUNIVERSITAR NË INSTITUCIONET ARSIMORE PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 19, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të nenit 2, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidëve të punës”, të ndryshuar, të nenit 6, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të nenit 12, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në vendimin nr.666, datë 10.10.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Pas pikës 10 shtohet pika 10.1, me këtë përmbajtje:

“10.1. Bursat e nxënësve për vitin e dytë e lart rishqyrtohen dhe miratohen çdo vit nga këshilli bashkiak, sipas vendndodhjes territoriale e administrative të shkollave profesionale apo konvikteve ku janë vendosur nxënësit, përfitues të bursës/kuotës ushqimore, sipas planit të bursave të miratuara në vitin paraardhës nga këshilli bashkiak i njësive të vetëqeverisjes vendore.”.

b) Pas pikës 14 shtohet pika 14.1, me këtë përmbajtje:

“14.1. Vetëm për vitin shkollor 2019-2020, njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet t’u dërgojnë zyrtarisht, jo më vonë se muaji janar i vitit 2020, drejtorive të shkollave të arsimit profesional dhe zyrave vendore të arsimit parauniversitar vendimet për dhënien e bursave, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës.”.

c) Fjalia e parë, e pikës 31.1, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“31.1. Përfitojnë bursë në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj nxënësit, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar dhe arsimin e mesëm profesional në institucionet arsimore publike, anëtarë të familjes së personave që kanë humbur jetën ose janë shpallur të zhdukur në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë, si pasojë e tërmetit të datës 26.11.2019.”.

2. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, njësitë e vetëqeverisjes vendore, institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, si dhe ofruesit e arsimit të mesëm profesional publik për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE TË MBROJTJES SOCIALE 2020-2023 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT NË ZBATIM TË SAJ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes Sociale 2020-2023 dhe të planit të veprimit në zbatim të saj.

2. Vendimi nr.1071, datë 23.12.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes Sociale 2015-2020 dhe të planit të veprimit, për zbatimin e saj”, shfuqizohet.

3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Shërbimi Social Shtetëror, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, inspektorati përgjegjës për shërbimet shoqërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË AFATMESME TË MENAXHIMIT TË BORXHIT 2020-2022

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2020-2022, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R i

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

CAKTIMIN E DITËS SË PREMTE, DATË 3.1.2020, DITË PUSHIMI

Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Caktimin e ditës së premte, datë 3.1.2020, ditë pushimi për punonjësit e administratës shtetërore.

2. Dita e punës e datës 3.1.2020 do të zëvendësohet në një nga ditët e pushimit brenda muajit janar.

3. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

 

***

 

V E N D I M

PËR

MËNYRËN E KRYERJES SË PROCESIT TË AKREDITIMIT TË INSTITUCIONEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR E PËRCAKTIMIN E TARIFAVE DHE AFATEVE KOHORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 26, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Të gjitha institucionet e kujdesit shëndetësor, përjashtuar laboratorët mjekësorë, duhet të plotësojnë standardet bazë për akreditim.

2. Procesi i akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor realizohet nga këto struktura përgjegjëse:

a) Ministri përgjegjës për shëndetësinë (në vijim, ministri);
b) Institucioni përgjegjës për akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor;
c) Bordi i akreditimit.

3. Pas licencimit të veprimtarisë përkatëse, të gjitha institucionet e kujdesit shëndetësor i nënshtrohen verifikimit nga struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e shëndetësisë të përmbushjes së standardeve bazë për akreditim.

4. Grupet e inspektimit verifikojnë pranë institucioneve të kujdesit shëndetësor përmbushjen e standardeve bazë të akreditimit të miratuara nga ministri dhe hartojnë raportin përkatës me institucionet që kanë përmbushur ose jo standardet bazë të akreditimit. Ky raport dërgohet pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionit përgjegjës për akreditimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor.

5. Institucioni përgjegjës për akreditimin, pas marrjes së raportit, njofton institucionin e kujdesit shëndetësor që ka plotësuar standardet bazë të akreditimit dhe e fton të vijojnë procesin e akreditimit.

6. Ministri, pas marrjes së raportit për institucionet e kujdesit shëndetësor publik, që nuk përmbushin standardet bazë të akreditimit, vendos, me urdhër, masat përkatëse për këtë institucion.

7. Ministri, pas marrjes së raportit për institucionet e kujdesit shëndetësor, jopublike, që nuk përmbushin standardet bazë të akreditimit, vendos pezullimin e licencës për një periudhë 30- (tridhjetë-) ditore. Nëse edhe pas kësaj periudhe institucioni i kujdesit shëndetësor nuk i ka përmbushur standardet bazë të akreditimit, atëherë ministri vendos revokimin e licencës.

8. Vendimi i ministrit për pezullimin e shfuqizimin e licencës së institucionit të kujdesit shëndetësor jopublik publikohet nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve dhe i përcillet për njoftim Qendrës Kombëtare të Biznesit.

9. Institucioni i kujdesit shëndetësor, që ka plotësuar standardet bazë të akreditimit, pas ftesës së marrë nga institucioni përgjegjës për akreditim, mund të vijojë procesin e akreditimit sipas procedurës së përcaktuar në këtë vendim.

10. Institucioni përgjegjës për akreditimin i jep institucionit të kujdesit shëndetësor standardet optimale për akreditim, formularët që duhet të plotësohen, si dhe dokumentacionin bashkëshoqërues ndihmës për vetëvlerësim.

11. Institucioni i kujdesit shëndetësor, pas pajisjes nga institucioni përgjegjës për akreditimin me dokumentacionin e sipërcituar, merr masat për kryerjen e vetëvlerësimit. Institucioni i kujdesit shëndetësor vlerëson vetveten përkundrejt standardeve të akreditimit dhe harton raportin/et e vetëvlerësimit, të cilat dorëzohen, brenda dy muajve pas marrjes së ftesës, pranë institucionit përgjegjës, si dhe plotëson dokumentacionin e nevojshëm për akreditim.

12. Në përfundim të vetëvlerësimit, institucioni i kujdesit shëndetësor dorëzon raportin e fundit të vetëvlerësimit dhe bën kërkesën për vlerësim të jashtëm nga ekspertët e përcaktuar nga institucioni përgjegjës për akreditim.

13. Pas dorëzimit të raportit të vetëvlerësimit, institucioni përgjegjës për akreditim dakordëson me institucionin e kujdesit shëndetësor datën e vlerësimit të jashtëm brenda një afati 10- (dhjetë-) ditor.

14. Kohëzgjatja nga momenti i marrjes së ftesës për akreditim deri në vizitën përfundimtare të ekspertëve të vlerësimit të jashtëm nuk duhet të kalojë periudhën 6- (gjashtë-) mujore.

15. Institucioni përgjegjës për akreditimin harton programin e vlerësimit të jashtëm akreditues dhe njofton paraprakisht titullarin e institucionit shëndetësor për programin që do të ndjekë ekipi i vlerësuesve të jashtëm dhe përbërjen e tij. Njëri nga anëtarët e ekipit zgjidhet si drejtues i ekipit. Ekspertët e përzgjedhur për të kryer vlerësimin e jashtëm trajnohen nga institucioni përgjegjës për akreditim sipas një programi të miratuar nga Bordi i Akreditimit dhe plotësojnë një deklaratë që nuk janë në kushtet e konfliktit të interesit, sipas legjislacionit në fuqi.

16. Vizita e ekspertëve të vlerësimit të jashtëm akreditues kryhet në datat e paracaktuara nga institucioni përgjegjës për akreditimin dhe institucioni i kujdesit shëndetësor. Institucioni duhet t’i ofrojë ekipit kushte optimale pune, pavarësi, mbrojtje dhe mbështetje nga çdo ndikim.

17. Grupi i ekspertëve të vlerësimit të jashtëm harton brenda 2 (dy) javësh draftraportin e vlerësimit lidhur me përmbushjen me standardet dhe ia paraqet institucionit të kujdesit shëndetësor dhe institucionit të vetëvlerësuar për komente e sugjerime të mundshme.

18. Grupi i ekspertëve të vlerësimit të jashtëm mund të marrë parasysh ose jo vërejtjet e institucionit të kujdesit shëndetësor dhe, brenda një jave, dorëzon raportin final të vlerësimit të firmosur nga të gjithë anëtarët e ekipit pranë institucionit përgjegjës për akreditimin, i cili i jep një kopje të këtij raporti institucionit të kujdesit shëndetësor.

19. Pas marrjes në dorëzim të raportit final nga grupi i ekspertëve të vlerësimit të jashtëm, institucioni përgjegjës për akreditimin përgatit për mbledhjen e ardhshme të bordit të akreditimit dosjen e plotë të akreditimit.

20. Ekspertët e vlerësimit të jashtëm paguhen me një tarifë ditore prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh, të cilat përballohen nga institucioni përgjegjës për akreditimin.

21. Ministri vendos për akreditimin ose jo të institucionit të kujdesit shëndetësor, pasi shqyrton rekomandimet e bordit të akreditimit dhe vendos të miratojë atë ose ta kthejë për rivlerësim nëse e gjykon të arsyeshme brenda një afati 30- (tridhjetë-) ditor.

22. Bordi i akreditimit të institucioneve shëndetësore ngrihet pranë ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë:

a) një përfaqësues i ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë;
b) dy përfaqësues të institucionit përgjegjës për akreditimin;
c) një profesionist shëndetësor me gradë shkencore ose titull akademik i përzgjedhur nga ministri;
ç) një përfaqësues i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

23. Emërimi dhe shkarkimi i kryetarit dhe i anëtarëve të bordit të akreditimit bëhen me urdhër të ministrit.

24. Bordi i akreditimit mblidhet jo më pak se 6 (gjashtë) herë në vit. Anëtari i këtij bordi, i cili mungon pa arsye në 1/3 e mbledhjeve, zëvendësohet.

25. Anëtarët e bordit të akreditimit duhet të respektojnë aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë konfliktin e interesit.

26. Mbledhja e bordit të akreditimit zhvillohet kur marrin pjesë jo më pak se 3 (tre) anëtarë.

27. Bordi i akreditimit miraton rregulloren e funksionimit të tij të brendshëm.

28. Bordi i akreditimit mbështetet nga sekretariati teknik, i përbërë nga nëpunës të institucionit përgjegjës për akreditim, të caktuar nga titullari.

29. Bordi i akreditimit ka të drejtë që të thërrasë specialistë të fushave shëndetësore, rast pas rasti, në varësi të profilit të institucionit shëndetësor që do të akreditohet.

30. Bordi i akreditimit ka këto detyra dhe përgjegjësi:

a) Shqyrton raportet përfundimtare të vlerësimit të jashtëm të cilësisë për akreditim të parë dhe periodik;
b) Harton e dërgon rekomandimin për ministrin, bazuar në raportin e vlerësuesve të jashtëm;
c) Kërkon të dhëna e dokumente të mëtejshme nga institucioni përgjegjës për akreditimin dhe institucioni i kujdesit shëndetësor që është në vlerësim;
ç) Dëgjon e shqyrton ankesat e mundshme të institucioneve që i janë nënshtruar vlerësimit të jashtëm dhe vendos për to;
d) Miraton kriteret specifike të përzgjedhjes së ekspertëve të vlerësimit;
dh) Miraton listën vjetore të ekspertëve të përzgjedhur si vlerësues;
e) Miraton programin e trajnimit të ekspertëve të vlerësimit.

31. Anëtarët e bordit të akreditimit shpërblehen sipas legjislacionit në fuqi për shpërblimin e anëtarëve të bordeve/komiteteve/komisioneve.

32. Bordi i akreditimit merr në shqyrtim dokumentacionin përkatës të dosjes të sipërpërmendur dhe, me shumicë votash, rekomandon:

a) akreditimin e plotë për 5 (pesë) vjet kur realizimi i standardeve optimale është >85%;
b) Akreditimin e pjesshëm 1 (një) – 3 (tre) vjet kur realizimi i standardeve optimale është >70%;
c) mosdhënien e akreditimit kur realizimi i standardeve optimale është <70%.

33. Institucioni përgjegjës për akreditimin i dërgon rekomandimin e bordit të akreditimit ministrit, i cili, bazuar në rekomandimin e bordit të akreditimit, merr vendimin për akreditimin ose jo të institucionit të kujdesit shëndetësor, brenda një afati 30- (tridhjetë-) ditor.

34. Kundër vendimit të ministrit bëhet ankim në gjykatë brenda 30 (tridhjetë) ditëve.

35. Institucioni përgjegjës për akreditimin bën publike certifikatën dhe emblemën e akreditimit, të cilat institucioni i kujdesit shëndetësor ka të drejtë t’i afishojë në një vend të dukshëm për publikun.

36. Formati i certifikatës së akreditimit dhe i emblemës miratohen me urdhër të ministrit.

37. Ministria përgjegjëse për shëndetësinë shpall publikisht listën e institucioneve të akredituara dhe të atyre që nuk kanë përmbushur standardet bazë për akreditim.
38. Tarifat për kryerjen e gjithë procesit të akreditimit janë sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Të ardhurat e mbledhura nga tarifat për procesin e akreditimit derdhen 50 (pesëdhjetë) % në buxhetin e institucionit përgjegjës për akreditim dhe 50 (pesëdhjetë) % në buxhetin e shtetit. Të ardhurat dytësore të realizuara nga aplikimi i tarifave të procesit të akreditimit, që derdhen për llogari të institucionit përgjegjës për akreditim, klasifikohen si të ardhura jashtë limitit (kapitulli VI). Kriteret dhe mënyra e përdorimit të tyre përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

39. Vendimi nr.315 datë 23.3.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave dhe për mënyrën e realizimit të procesit të akreditimit të institucioneve shëndetësore”, i ndryshuar, shfuqizohet.

40. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

 

***

 

V E N D I M

PËR

KËRKESAT MINIMALE TË MBROJTJES SË SHËNDETIT DHE TRAJTIMIN MJEKËSOR NË BORDIN E MJETEVE LUNDRUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 23, të ligjit nr.10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Qëllimi dhe fusha e zbatimit

1. Ky vendim rregullon kërkesat minimale të mbrojtjes së sigurisë dhe të shëndetit, si dhe të ofrimit të kujdesit shëndetësor për punëmarrësit në bordin e mjeteve që lundrojnë me flamur shqiptar ose që janë të regjistruara në Regjistrin e Mjeteve Lundruese Shqiptare.

2. Kërkesat e këtij vendimi nuk zbatohen për mjetet e lundrimit të listuara, si më poshtë vijon:

a) Anijet luftarake;
b) Mjetet e kënaqësisë për qëllime jotregtare dhe që nuk drejtohen nga një ekuipazh i kualifikuar;
c) Mjetet lundruese për shërbime portuale;
ç) Anijet që lundrojnë në ujërat e brendshme.

3. Për qëllime të këtij vendimi, me termat e mëposhtëm nënkuptojmë:

a) “Mjet lundrimi”, përfshin çdo mjet që lundron me flamur shqiptar ose është regjistruar nën juridiksionin e tij të plotë, me përjashtim të mjeteve lundruese të listuara në pikën 2, të seksionit I, të këtij vendimi. Mjetet lundruese klasifikohen në tri kategori, të përcaktuara në shtojcën I, të këtij vendimi.
b) “Punëmarrës”, përfshin çdo person që ka një detyrë në bordin e mjetit lundrues, duke përfshirë kursantët dhe stazhierët, por me përjashtim të pilotit portual dhe të personelit në tokë, që kryen punë në bordin e një mjeti lundrues në mol.
c) “Pronar”, përfshin pronarin e regjistruar të një mjeti lundrues, përveç rasteve kur mjeti është marrë me qira apo menaxhohet, tërësisht apo pjesërisht, nga një person fizik apo juridik, i ndryshëm nga pronari i regjistruar, sipas parashikimeve të marrëveshjes së menaxhimit. Në këtë rast pronari është marrësi me qira, personi fizik apo juridik, që menaxhon mjetin lundrues.
ç) “Materiale për konsum mjekësor”, përfshin barnat, pajisjet mjekësore dhe kundërhelmet. Një listë joshteruese e materialeve për konsum mjekësor përcaktohet në shtojcën II, të këtij vendimi.
d) “Kundërhelm”, përfshin çdo substancë të përdorur për parandalimin apo trajtimin e efektit apo të efekteve të dëmshme, të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë, të një apo më shumë substancave të përfshira në listën e substancave të rrezikshme, të përcaktuara në shtojcën III, të këtij vendimi.
dh) “Mjet shpëtimi”, përfshin zadrat dhe barkat e shpëtimit që ndodhen në bordin e mjetit lundrues, që shërbejnë për evakuimin e personave në bordin e mjetit lundrues, në raste rreziku.
e) “Tepricat nga ngarkesat”, përfshin tepricat nga ngarkesat detare, përfshirë mbetjet e çdo lloji të ngarkesës në bord, nga mbajtëset e ngarkesave ose cisternat, të cilat teprojnë pas përfundimit të procedurave të shkarkimit dhe pastrimit.
ë) “GT – Gross Tonage”, përfshin tonazhin bruto të mjetit lundrues, sipas Konventës Ndërkombëtare të Tonazhit, aderuar nga Republika e Shqipërisë me ligjin nr.8989, datë 23.1.2003.
f) “Kontrolli shtetëror i flamurit”, strukturë në përbërje të administratës detare, në zbatim të ligjit për administratën detare.

II. Materialet për konsum mjekësor dhe trajtimi mjekësor

1. Çdo mjet që lundron me flamur shqiptar ose është i regjistruar në Regjistrin e Mjeteve Lundruese Shqiptare, mban gjithmonë në bord materiale mjekësore, të cilat përmbushin, të paktën, nga pikëpamja cilësore, specifikimet e përcaktuara në shtojcën II, seksionet I e II, sipas kategorisë së mjetit lundrues që i përket.

2. Sasia e nevojshme e materialeve mjekësore, që disponohen në bordin e mjeteve lundruese, përcaktohen nga:

a) natyra e lundrimit;
b) portet e destinacionit;
c) kohëzgjatja e lundrimit;
ç) lloji i ngarkesës;
d) lloji i punës që do të kryhet gjatë udhëtimit;
dh) numri i punëmarrësve dhe/ose numri i pasagjerëve.

3. Përmbajtja e listës së materialeve për konsum mjekësor në bordin e mjetit lundrues hartohet sipas formatit të përcaktuar në shtojcën II, të këtij vendimi.

4. Lista miratohet nga kapiteni i mjetit lundrues dhe afishohet në një vend të dukshëm të mjetit lundrues dhe mbahet e disponueshme, në çdo kohë.

5. Materialet për konsum mjekësor mbahen të disponueshme për përdorim dhe, nëse është e nevojshme, zëvendësohen e plotësohen sipas nevojës.

6. Çdo mjet shpëtimi në bordin e mjetit lundrues, që mban flamurin shqiptar apo është regjistruar në Regjistrin e Mjeteve Lundruese Shqiptare, pajiset me një kuti të ndihmës së parë, të papërshkueshme nga uji.

7. Kjo kuti përmban, të paktën, materiale të destinuara për konsum mjekësor që përfshihen në kutinë e ndihmës së parë, të përcaktuara sipas shtojcës II, seksionet I e II, të këtij vendimi, për kategorinë e mjeteve lundruese të tipit C.

8. Çdo mjet lundrues, që transporton ngarkesa të rrezikshme, të përcaktuara në Kodin Ndërkombëtar të Mallrave të Rrezikshme Detare (IMDG), pavarësisht tipit të ngarkesës, duke përfshirë transportimin e tyre si teprica ose teprica nga ngarkesa, pajiset me materiale të konsumit mjekësor.

9. Lista, sasia dhe cilësia e materialeve të konsumit mjekësor, përfshirë edhe kundërhelmet që disponohen në bordin e mjetit lundrues që transporton ngarkesa të rrezikshme, përcaktohen në përputhje me Kodin Ndërkombëtar të Mallrave të Rrezikshme Detare (IMDG) dhe shtojcën III, të këtij vendimi.

10. Çdo mjet lundrues me flamur shqiptar apo i regjistruar në Regjistrin e Mjeteve Lundruese Shqiptare, me peshë bruto më tepër se 500 GT, me një ekuipazh jo më pak se 15 punëmarrës dhe që kryen një lundrim më të gjatë se tri ditë, duhet të ketë në dispozicion një zonë të posaçme dhe të përshtatshme për ofrimin e kujdesit shëndetësor, të shenjuar dhe të dallueshme qartë. Kjo zonë përmbush standardet e cilësisë dhe të ofrimit të shërbimit të kujdesit shëndetësor, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për kujdesin shëndetësor dhe detarinë në Republikën e Shqipërisë.

11. Çdo mjet lundrues me flamur shqiptar apo i regjistruar në Regjistrin e Mjeteve Lundruese Shqiptare, me ekuipazh jo më pak se 100 detarë dhe që ndërmerr një lundrim ndërkombëtar më të gjatë se tri ditë, duhet të ketë në bord një mjek të licencuar nga Urdhri i Mjekut të Shqipërisë, i cili është përgjegjës për kujdesin shëndetësor në punë të punëmarrësve.

III. Kundërhelmet

1. Institucionet përgjegjëse marrin masat e nevojshme për të siguruar që:

a) çdo mjet lundrues, që mban flamurin shqiptar ose që është i regjistruar në Regjistrin e Mjeteve Lundruese Shqiptare dhe transporton ndonjë prej substancave të rrezikshme të listuara në shtojcën III, duhet të mbajë në bord materiale për konsum mjekësor, duke përfshirë, të paktën, kundërhelmet e listuara në pikën 2, të shtojcës II;
b) çdo mjet lundrues i tipit traget, që mban flamurin shqiptar ose që është i regjistruar në Regjistrin e Mjeteve Lundruese Shqiptare, kushtet e funksionimit të të cilit jo gjithmonë lejojnë që të dihet paraprakisht natyra e substancave të rrezikshme që transporton, duhet të ketë në bord materiale të konsumit mjekësor, duke përfshirë, të paktën, kundërhelmet e listuara në shtojcën II, të këtij vendimi;
c) në rastet kur udhëtimi parashikohet të zgjasë më pak se dy orë, kundërhelmet mund të përfshijnë vetëm ato që duhet të administrohen në raste urgjence ekstreme, brenda një periudhe kohe, që nuk tejkalojnë kohëzgjatjen normale të udhëtimit;
ç) përmbajtja e listës së materialeve për konsum mjekësor lidhur me kundërhelmet hartohet sipas një formati që korrespondon, të paktën, me kornizën e përgjithshme të përcaktuar në shtojcën IV, seksionet I, II e III, të këtij vendimi.

IV. Ndarja e detyrave dhe e përgjegjësive

1. Pronari i mjetit lundrues është përgjegjës për sigurimin e materialeve për konsum mjekësor në mjetet e lundrimit dhe zëvendësimin e tyre. Kostot financiare për furnizimin dhe zëvendësimin e materialeve mjekësore, që disponohen në bordin e mjetit lundrues, përballohen nga pronari i mjetit lundrues.

2. Pronari i mjetit lundrues siguron që udhëzuesit e përdorimit të materialeve për konsum mjekësor të disponohen bashkëlidhur paketimit, në gjuhën shqipe ose në një nga gjuhët e përdorura nga punëmarrësit e mjeteve lundruese.

3. Kapiteni i mjetit lundrues është përgjegjës për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e barnave, të kundërhelmeve dhe të materialeve mjekësore që disponohen në bordin e mjetit lundrues.

4. Kapiteni i mjetit lundrues mund të delegojë përgjegjësinë për përdorimin dhe mirëmbajtjen e materialeve mjekësore të një ose disa punëmarrësve, të caktuar posaçërisht për shkak të kompetencës së tyre.

5. Kapiteni i mjetit lundrues dhe/ose punëmarrësit të cilëve iu është deleguar përgjegjësia e ruajtjes dhe e mirëmbajtjes së materialeve për konsum mjekësor, i nënshtrohen një formimi profesional të posaçëm të kujdesit shëndetësor në mjetet e lundrimit, sipas Konventës Ndërkombëtare mbi Standardet e Trajnimit, Kualifikimit dhe Vrojtimit për Detarët, 1978 (STCW 78).

6. Materialet për konsum mjekësor mirëmbahen sipas kërkesave specifike të përcaktuara në fletëudhëzuesit e tyre dhe plotësohen dhe/ose zëvendësohen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe, në çdo rast, si pjesë prioritare e procedurave normale të rishikimit.

7. Në çdo kohë dhe veçanërisht pas çdo rasti emergjence në bordin e mjetit lundrues, kapiteni, me sugjerim të mjekut, siguron plotësimin dhe zëvendësimin, sa më shpejt të jetë e mundur, të materialeve mjekësore që mungojnë.

V. Trajnimi dhe konsultimet mjekësore

1. Materialet mjekësore, që disponohen në bordin e mjetit lundrues dhe në mjetet e shpëtimit, janë të shoqëruara me udhëzuesit e përdorimit të tyre, duke përfshirë edhe udhëzimet për përdorimin e, të paktën, atyre kundërhelmeve të listuara në pikën 2, të shtojcës II, të këtij vendimi.

2. Të gjithë personat, të cilët kanë formim profesional detar dhe që synojnë të punojnë në bordin e mjeteve lundruese, duhet të kenë marrë një trajnim të përgjithshëm mbi dhënien e ndihmës së parë dhe kujdesin shëndetësor në rast të aksidenteve, incidentit dhe/ose ngjarjeve në bordin e mjetit lundrues.

3. Kapiteni dhe çdo detar të cilit i është deleguar përgjegjësia e ruajtjes dhe e mirëmbajtjes së materialeve mjekësore paraprakisht, trajnohen në mënyrë të rregullt, çdo pesë vjet, në përputhje me rreziqet dhe nevojat specifike sipas klasifikimit të mjeteve lundruese. Trajnimi i kapitenit dhe i detarëve për kujdesin shëndetësor në bordin e mjeteve të lundrimit përcaktohen në shtojcën V, të këtij vendimi.

4. Ministri përgjegjës për shëndetësisë përcakton qendrën ose qendrat e konsultimit mjekësor, që do të ofrojnë konsultime lidhur me ndihmën mjekësore për punëmarrësit e mjetit lundrues në det. Mjekët në këto qendra konsultimi duhet të jenë të formuar mbi çështjet të kujdesit shëndetësor në det.

5. Qendrat e konsultimit mjekësor që do të kryejnë vizita ndaj punëmarrësve që punojnë në bordin e mjeteve lundruese, në zbatim të Konventës Ndërkombëtare mbi Standardet e Trajnimit, Kualifikimit dhe Vrojtimit për Detarët, 1978 (STCW 78), do të lidhin një aktmarrëveshje me administratën detare për njohjen e dokumentacionit të lëshuar pas vizitave mjekësore.

6. Qendrat e konsultimit mjekësor mbajnë regjistra mjekësorë të punëmarrësve që punojnë në bordin e mjeteve lundruese, me pëlqimin e tyre dhe në përputhje me kërkesat për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të dhënave mjekësore.

7. Sigurimi i kujdesit shëndetësor për punëmarrës, në rastet e emergjencës, përfshin masat e mëposhtme:

a) Krijimin e një apo më shumë qendrave të specializuara për këshillimin shëndetësor, nëpërmjet mjeteve të komunikimit në distancë;
b) Profesionistët e kujdesit shëndetësor që punojnë pranë qendrave të përcaktuara në shkronjën “a”, të kësaj pike, paraprakisht janë formuar për ofrimin e kujdesit shëndetësor në rastet e emergjencave dhe urgjencave në bordin e mjeteve lundruese.

8. Dokumentacioni për këshillimin dhe kujdesin shëndetësor, nëpërmjet mjeteve të komunikimit në distancë, ruhet në përputhje me parimet e konfidencialitetit, të përcaktuar në legjislacionin në fuqi për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë.

VI. Inspektimi i materialeve për konsum mjekësor

1. Kontrolli shtetëror i flamurit merr masat e nevojshme për të kryer inspektimin vjetor, më qëllim verifikimin nëse materialet për konsum mjekësor në bordin e mjeteve lundruese dhe të mjeteve të shpëtimit:

a) përmbushin kërkesat minimale të përcaktuara në këtë vendim;
b) janë në përputhje me listat e përcaktuara në shtojcat e këtij vendimi;
c) ruhen sipas përcaktimeve ligjore në fuqi për barnat dhe pajisjet mjekësore dhe fletëudhëzuesit e përdorimit;
ç) janë brenda afatit të përdorimit.

2. Inspektimet e materialeve të konsumit mjekësor, të destinuara për përdorim në mjetet e shpëtimit, kryhen në të njëjtën kohë me mirëmbajtjen vjetore të tyre, në përputhje me përcaktimet e Konventës SOLAS.

3. Në kushte të jashtëzakonshme (në rast të forcave madhore) inspektimi i materialeve mjekësore në bordin e mjetit lundrues mund të shtyhet deri në 5 muaj nga koha e inspektimit vjetor.

VII. Dispozitë përfundimtare

Ngarkohen ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe ministria përgjegjëse për infrastrukturën për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 janar 2021.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E BRENDSHËM TË ARKIVIT ELEKTRONIK TË AKTEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 15, ligjit nr.78/2014, “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e rregullores për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të Arkivit Elektronik të Akteve, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohet Qendra e Botimeve Zyrtare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E FORMËS, TË ELEMENTEVE PËRBËRËSE DHE TË AFATIT TË PËRDORIMIT TË CERTIFIKATËS ELEKTRONIKE TË GJENDJES GJYQËSORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9614, datë 21.6.2006, “Për certifikatat elektronike të gjendjes gjyqësore”, dhe të ligjit nr.10273, datë 29.4.2010, “Për dokumentin elektronik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e formës dhe të elementeve përbërëse të certifikatës së gjendjes gjyqësore, të ofruar përmes shërbimit publik elektronik, në përputhje me legjislacionin që rregullon nënshkrimin elektronik, identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara, sipas variantit elektronik të shtojcave nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi si pjesë përbërëse e tij, përkatësisht:

a) shtojca nr.1, për rezultatin “i dënuar”;
b) shtojca nr.2, për rezultatin “i padënuar”.

2. Certifikata elektronike e gjendjes gjyqësore lëshohet me nënshkrimin dhe/ose vulën elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

3. Certifikata e gjendjes gjyqësore ofrohet përmes shërbimit publik elektronik për të gjithë shtetasit shqiptarë e të huaj, brenda dhe jashtë vendit, që janë të pajisur me kartë identiteti.

4. Certifikata elektronike e gjendjes gjyqësore për përdorim brenda vendit ka numër serial progresiv.

5. Dokumentet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, lëshohen on-line nga nëpunësit e Zyrës së Gjendjes Gjyqësore nëpërmjet regjistrit elektronik të gjendjes gjyqësore.

6. Përmasat e fletëve të dokumenteve të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, janë të formatit A-4.

7. Afati i përdorimit të certifikatës elektronike të gjendjes gjyqësore është 3 (tre) muaj nga data e lëshimit nga Zyra e Gjendjes Gjyqësore në Ministrinë e Drejtësisë.

8. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE. 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.