Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Korrik 2024:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË METODOLOGJISË DHE STANDARDET TEKNIKE PËR PËRDORIMIN E INTELIGJENCËS ARTIFICIALE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 39, të ligjit nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentit të metodologjisë dhe standardet teknike për përdorimin e inteligjencës artificiale në Republikën e Shqipërisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ministritë dhe institucionet e tjera publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Durrës, Dibër, Vlorë, Korçë dhe Tiranë Rurale 1.
2. Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 206 438 071,87 (dyqind e gjashtë milionë e katërqind e tridhjetë e tetë mijë e shtatëdhjetë e një presje tetëdhjetë e shtatë) lekë, për sipërfaqen 10 636,4 (dhjetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë presje katër) m², sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë me numrat rendorë sipas kolonës nr.14, të shtojcës nr.1, përkatësisht, nr.1, nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.7, nr.9, nr.11, nr.20, nr.25, nr.30, nr.40, nr.41, sipas seksionit të veçantë (kolona 19), të shtojcës nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
4. Të ardhurat, që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen, përdoren për kompensimin e pronarëve.
5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Durrës, Dibër, Vlorë, Korçë dhe Tiranë Rurale 1 të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË TË KANDIDATURËS PËR KOMISIONER PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT DHE MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 33, të ligjit nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të kandidaturës së z. Besnik Dervishi për Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË QENDRËS KOMBËTARE TË KULTURËS PËR FËMIJË DHE TEATRIT TË KUKULLAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.10 352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Agim Bajko lirohet nga detyra e drejtorit të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave.
2. Znj. Melsi Qirici emërohet drejtor i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË BARNAVE, QË RIMBURSOHEN NGA FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR, DHE TË MASËS SË MBULIMIT TË ÇMIMIT TË TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 37, të ligjit nr.105/2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, dhe të pikave 2, shkronja “b”, dhe 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës I të barnave të rimbursueshme, që tregtohen në farmacitë e spitaleve, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Miratimin e listës II të barnave, që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Miratimin e masës së mbulimit të çmimeve të barnave të rimbursueshme, të renditur sipas klasifikimit ATC, në masën 50% – 100%, sipas grupeve terapeutike dhe barnave të dhëna në pasqyrën I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Miratimin e marzheve të tregtimit për barnat e listës së rimbursueshme, përkatësisht, në masën 8%, për tregtimin me shumicë, dhe 24%, për tregtimin me pakicë.
5. Miratimin e marzheve të diferencuara të tregtimit me shumicë dhe me pakicë të disa barnave të listës I dhe të listës II, të përcaktuara në pasqyrën II, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
6. Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të përcaktojë kufizimet në përdorim, në sasi dhe në kohëzgjatje të trajtimit me barnat e kësaj liste, duke u bazuar në kritere ekonomike, mjekësore dhe sociale.
7. Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të lidhë marrëveshje për reduktimin e çmimit të përcaktuar në këtë vendim me mbajtësit e autorizimit për tregtim.
8. Nëse gjatë periudhës, kur ky vendim është në fuqi, ulen çmimet për barnat e paregjistruara të listës ose barnat, alternativë e vetme, që tregtohen në farmacitë e spitalit dhe në farmacitë e rrjetit të hapur, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, me njoftim të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, reflekton uljen e çmimit të barit në listë. Pulla e kontrollit të barit do të lëshohet pas miratimit të çmimit nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
9. Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor që, brenda muajit janar të çdo viti, të përditësojë listën e barnave të rimbursuara me çmimet dhe alternativat tregtare për principet aktive ekzistuese, bazuar në listën e përgjithshme me çmimet CIF/EXW të miratuara brenda datës 31 dhjetor nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
10. Efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2024.
11. Vendimi nr.489, datë 30.7.2021, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së barnave, që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe masën e mbulimit të çmimit të tyre”, i ndryshuar, shfuqizohet.
12. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe fillon efektin e tij në datën 1.8.2024.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE KONFEDERATËS ZVICERANE, PËRFAQËSUAR NGA SEKRETARIATI SHTETËROR PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE, QË VEPRON NËPËRMJET AMBASADËS SË ZVICRËS NË SHQIPËRI, PËR OFRIMIN E ASISTENCËS TEKNIKE PËR FORCIMIN E MENAXHIMIT TË FINANCAVE PUBLIKE NË NIVEL VENDOR NË SHQIPËRI, FAZA 2
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike, që vepron nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, për ofrimin e asistencës teknike për forcimin e menaxhimit të financave publike në nivel vendor në Shqipëri, faza 2, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E MASËS SË SHTESËS PËR NATYRË TË VEÇANTË PUNE PËR DREJTORIN E PËRGJITHSHËM DHE NËPUNËSIT NË NJËSITË TEKNIKE TË PËRMBAJTJES SË AUTORITETIT KOMBËTAR PËR SIGURINË KIBERNETIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, dhe të pikës 5, të nenit 7, të ligjit nr.25/2024, “Për sigurinë kibernetike”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Masa e shtesës për natyrë të veçantë pune për drejtorin e Përgjithshëm dhe nëpunësit e njësive teknike të përmbajtjes së Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike është sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vendimi nr.763, datë 12.12.2022, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së shtesës për natyrë të veçantë pune për drejtorin e Përgjithshëm dhe nëpunësit në njësitë teknike të përmbajtjes së Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike”, i ndryshuar, shfuqizohet.
3. Efektet financiare të këtij vendimi, për vitin 2024, fillojnë nga data e emërimit të nëpunësve në detyrë dhe përballohen nga fondet e miratuara për këtë vit për Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
4. Ngarkohet Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.61, DATË 3.2.2017,TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PAKETAVE TË PAJISJEVE MJEKËSORE TË RIMBURSUESHME”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 9.1, e vendimit nr.61, datë 3.2.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e paketave të pajisjeve mjekësore të rimbursueshme”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9.1. Lista e pajisjeve mjekësore (fisha diabeti), që do të rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për pacientët e grup-moshës 0-25 vjeç dhe nga 65 vjeç e më shumë, si dhe invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar të grup-moshës 25-65 vjeç është sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për vitin 2024.
3. Ngarkohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.272, DATË 4.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE, I CILI NUK ËSHTË OBJEKT KONCESIONI, NË ZONËN KADASTRALE NR.1020, FSHATI ALLPRENAJ, NJËSIA ADMINISTRATIVE GOLEM, BASHKIA LUSHNJË, QARKU FIER, NGA SHOQËRIA “5GX ENERGY”, SH.P.K.”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Aneksi 1, bashkëlidhur vendimit nr.272, datë 4.5.2023, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe shoqëria “5GX ENERGY”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1117, DATË 16.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE TË MENAXHIMIT TË INTEGRUAR TË KUFIRIT 2021 – 2027 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT 2021 – 2023”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.1117, datë 16.12.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Menaxhimit të Integruar të Kufirit 2021 – 2027 dhe të planit të veprimit 2021 – 2023”, bëhen këto ndryshime:
1. Në titull dhe në pikën 1 të vendimit, periudha “2021 – 2023” zëvendësohet me “2024 – 2025”.
2. Plani i veprimit 2021 – 2023, në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale të Menaxhimit të Integruar të Kufirit 2021 – 2027, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me planin e veprimit 2024-2025, në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale të Menaxhimit të Integruar të Kufirit 2021 – 2027.
3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe ministritë e institucionet përgjegjëse të përmendura në planin e veprimit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRUKTURËS SË PAGËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË POZICIONEVE “KOORDINATOR KUNDËR KORRUPSIONIT” NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në fushën e veprimit të këtij vendimi përfshihen:
a) institucione të administratës shtetërore në varësi të Kryeministrit apo të ministrave të linjës, ku, për efekt të këtij vendimi, bëjnë pjesë: Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në nivel qendror e vendor, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, Instituti i Shëndetit Publik, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, Shërbimi Social Shtetëror, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave.
b) Institucione në nivel qendror të sistemit shëndetësor, ku, për efekt të këtij vendimi, bëjnë pjesë: Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, Spitali Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, Spitali Universitar i Traumës, Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, Qendra Spitalore Rajonale e Tiranës “Shefqet Ndroqi” dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
2. Klasat e pagës dhe shtesat për kushte pune (natyrë të veçantë pune) për pozicionet “koordinator kundër korrupsionit”, në institucionet e përcaktuara në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Elementet përbërëse të pagës bruto mujore (paga për pozicion, shtesa për vjetërsi në punë dhe shtesa e nivelit të kualifikimit) për secilën klasë të përcaktuar në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si dhe vlerat për secilin element janë të njëjta me ato të miratuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për pagat e nëpunësve civilë në institucionet e administratës shtetërore.
4. Paga bruto mujore për pozicionet “koordinator kundër korrupsionit”, në institucionet e përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij vendimi, është sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
5. Vlera e shtesës së nivelit të kualifikimit dhe shtesa për vjetërsi të përcaktuara në lidhjen nr.2, të këtij vendimi, kanë të njëjtën vlerë dhe mënyrë llogaritjeje me atë të miratuar në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për pagat e personelit mjekësor dhe të punonjësve të tjerë më arsim të lartë në sistemin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.
6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2024, përballohen nga fondet buxhetore të miratuara dhe fondi i kontingjencës për rritjen e pagave, sipas përcaktimeve në ligjin nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar.
7. Koordinatorët e Rrjetit të Koordinatorëve kundër Korrupsionit në institucionet e administratës shtetërore, që nuk janë më pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, deri në ndërprerjen e marrëdhënies së tyre të punës, sipas përcaktimeve të vendimit nr.436, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin e funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit”, do të vijojnë të përfitojnë pagën bruto mujore të përcaktuar në vendimin nr.323, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagave dhe të niveleve të pagave të pozicioneve “koordinator të Rrjetit të Koordinatorëve kundër Korrupsionit” në disa institucione të administratës shtetërore”.
8. Vendimi nr.323, datë 31.5.2023, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagave dhe të niveleve të pagave të pozicioneve koordinator të Rrjetit të Koordinatorëve kundër Korrupsionit në disa institucione të administratës shtetërore”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2024.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE TE KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE, TË PRONËS SË NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE 3426, PJESË E PASURIVE ME NR.520 DHE NR.966, ME VENDNDODHJE NË SHISHTUFINË, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të pronës së ndodhur në zonën kadastrale 3426, pjesë e pasurive me nr.520 dhe nr.966, me sipërfaqe të përgjithshme 12 300 (dymbëdhjetë mijë e treqind) m2 dhe sipërfaqe ndërtimore 1 625,9 (një mijë e gjashtëqind e njëzet e pesë presje nëntë) m2, me vendndodhje në Shishtufinë, Tiranë, sipas formularit dhe planrilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, për nevoja të ushtrimit të aktivitetit administrativ.
2. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ia japë atë në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TE FONDI SHQIPTAR I ZHVILLIMIT TË PASURIVE ME NR.1/164, NR.1/165, NR.1/452 DHE PJESË TË PASURIVE ME NR.1/158, NR.1/166, NR.1/167, NR.1/168, NR.1/453, NR.1/470, NR.1/471, NË ZONËN KADASTRALE 8130, ME VENDNDODHJE NË QENDRËN SPITALORE UNIVERSITARE “NËNË TEREZA”, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi te Fondi Shqiptar i Zhvillimit të pasurive me nr.1/164, nr.1/165, nr.1/452 dhe pjesë të pasurive me nr.1/158, nr.1/166, nr.1/167, nr.1/168, nr.1/453, nr.1/470, nr.1/471, në zonën kadastrale 8130, me vendndodhje në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, sipas formularit dhe planrilevimit, bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim realizimin e objektit të parkimit multifunksional me shumë nivele.
2. Fondit Shqiptar të Zhvillimit i ndalohet ndryshimi i destinacionit të përdorimit të pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, si dhe tjetërsimi i saj.
3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJEN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ORGANIKË NË INSTITUCIONET QENDRORE PËR VITIN 2024
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i punonjësve të Ministrisë së Financave reduktohet me 6 (gjashtë) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve 3 232 (tre mijë e dyqind e tridhjetë e dy) veta.
2. Numri i punonjësve të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shtohet me 6 (gjashtë) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve 4 008 (katër mijë e tetë) veta.
3. Rishpërndarja e numrit të punonjësve bëhet efektive pas miratimit të strukturave përkatëse.
4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që, brenda datës 1 tetor, të miratojnë ndryshimet strukturore.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.322, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS SË PAGËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE DHE PUNONJËSVE ADMINISTRATIVË NË AGJENCINË SHTETËRORE TË KADASTRËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, dhe të pikës 1, të nenit 11, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.322, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve dhe punonjësve administrativë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Pas pikës 5 shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:
“5/1. Klasat e pagave dhe shtesat për kushte pune (natyrë të veçantë pune) të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “specialist” deri në “titullar institucioni”, në Drejtorinë e Pronës Shtetërore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, janë sipas lidhjes nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.
b) Në lidhjen nr.1, emërtesa “Drejtor njësie” shfuqizohet.
c) Lidhja nr.2 “Klasat e pagave dhe shtesat për kushte pune (natyrë të veçantë pune) të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “specialist” deri në “titullar institucioni”, në drejtoritë vendore dhe zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës” zëvendësohet me lidhjen nr.2 me të njëjtin emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2024, fillojnë nga momenti i emërimit/transferimit të nëpunësve në detyrë dhe përballohen nga buxheti i miratuar për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për vitin 2024, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.325, DATË 31.5.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS SË PAGAVE, NIVELEVE TË PAGAVE DHE SHTESAVE TË TJERA MBI PAGË TË ZËVENDËSMINISTRIT, FUNKSIONARËVE TË KABINETEVE, PREFEKTIT, NËNPREFEKTIT, NËPUNËSVE CIVILË DHE NËPUNËSVE NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të shkronjës “h”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të neneve 7 e 9, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.325, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave dhe shtesave të tjera mbi pagë të zëvendësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe nëpunësve në disa institucione të administratës publike”, të ndryshuar, bëhen shtesat e mëposhtme:
a) Në shkronjën “ç”, të pikës 1, të kreut I, pas emërtesës “Komiteti Shtetëror i Kulteve” shtohet “Drejtoria e Përgjithshme e Antikorrupsionit”;
b) Në lidhjen nr.10:
i. Pas emërtesës “Përgjegjës i sektorëve të përmbajtjes në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile” shtohet emërtesa “Përgjegjës i sektorëve të përmbajtjes në Drejtorinë e Përgjithshme të Antikorrupsionit”;
ii. Pas emërtesës “Menaxher trajnimi në Shkollën Shqiptare të Administratës publike (ASPA)” shtohet emërtesa “Specialist në njësitë organizative të përmbajtjes në Drejtorinë e Përgjithshme të Antikorrupsionit”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, fillojnë nga data e emërimit/transferimit të nëpunësit në detyrë dhe për vitin 2024 përballohen nga fondet e miratuara për institucionin për këtë vit.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU