Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Prill 2019:
V E N D I M
PËR
HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT NË KATEGORINË E ULËT DHE TË MESME DREJTUESE EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË JASHTË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 26, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Për vitin 2019, procedura e plotësimit të pozicioneve të lira të kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese, për të cilat lëvizja paralele është mbyllur pa fitues, të jetë e hapur edhe për kandidatë të tjerë nga jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kushtet dhe kërkesat për vendet e lira.
2. Numri maksimal i pozicioneve, për të cilat do të përdoret procedura e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, është:
a) 13 pozicione për kategorinë e mesme drejtuese;
b) 38 pozicione për kategorinë e ulët drejtuese.
3. Pozicionet në të cilat mund të konkurrojnë edhe kandidatë nga jashtë shërbimit civil për nivelin e mesëm drejtues, gjithsej 13, si dhe për nivelin e ulët drejtues, gjithsej 35, përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË MBI PARCELAT E OBJEKTEVE TË LEGALIZUARA DHE KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN PREJ TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 15/1, dhe të shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 10 e 24, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, si dhe të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin e së drejtës së pronësisë, në favor të subjekteve përfituese, për 633 (gjashtëqind e tridhjetë e tre) parcela ndërtimore të objekteve të legalizuara dhe kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken prej tyre, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Numri i parcelave ndërtimore, për të cilat miratohet kalimi i pronësisë sipas qarqeve, është, si më poshtë vijon:
a) Për Qarkun Berat (ZVRPP Berat), 1 (një), me sipërfaqe të përgjithshme 239 (dyqind e tridhjetë e nëntë) m²;
b) Për Qarkun Elbasan (ZVRPP Elbasan, Peqin, Librazhd), 163 (njëqind e gjashtëdhjetë e tre), me sipërfaqe të përgjithshme 47 853 (dyzet e shtatë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e tre) m²;
c) Për Qarkun Durrës (ZVRPP Durrës), 24 (njëzet e katër), me sipërfaqe të përgjithshme 8 480 (tetë mijë e katërqind e tetëdhjetë) m²;
ç) Për Qarkun Tiranë (ZVRPP Tiranë dhe Kavajë), 174 (njëqind e shtatëdhjetë e katër), me sipërfaqe të përgjithshme 42 065 (dyzet e dy mijë e gjashtëdhjetë e pesë) m²;
d) Për Qarkun Fier (ZVRPP Lushnjë), 20 (njëzet), me sipërfaqe të përgjithshme 4 940 (katër mijë e nëntëqind e dyzet) m²;
dh) Për Qarkun Shkodër (ZVRPP Shkodër), 9 (nëntë), me sipërfaqe të përgjithshme 3 689 (tre mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e nëntë) m²;
e) Për Qarkun Vlorë (ZVRPP Vlorë dhe Sarandë), 186 (njëqind e tetëdhjetë e gjashtë), me sipërfaqe të përgjithshme 56 100 (pesëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind) m²;
ë) Për Qarkun Gjirokastër (ZVRPP Gjirokastër), 45 (dyzet e pesë), me sipërfaqe të përgjithshme 7 864 (shtatë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e katër) m²;
f) Për Qarkun Lezhë (ZVRPP Lezhë), 9 (nëntë), me sipërfaqe të përgjithshme 4 650 (katër mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) m²;
g) Për Qarkun Kukës (ZVRPP Kukës), 1 (një), me sipërfaqe të përgjithshme 478 (katërqind e shtatëdhjetë e tetë) m²;
gj) Për Qarkun Korçë (ZVRPP Korçë), 1 (një), me sipërfaqe të përgjithshme 159 (njëqind e pesëdhjetë e nëntë) m².
3. Masa e kompensimit financiar për pronarët e pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, referuar kartelave të pasurive sipas zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, është 10 993,97 (dhjetë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e tre presje nëntëdhjetë e shtatë) m² dhe vlera totale e kompensimit financiar është 105 224 873,04 (njëqind e pesë milionë e dyqind e njëzet e katër mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e tre presje zero katër) lekë.
4. Vlera e miratuar e kompensimit financiar për numrat rendorë dhe pasuritë e mëposhtme vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, sipas këtyre kushteve:
a) Për numrin rendor nr.127, pasuria nr.1/291, në zonën kadastrale 8521, dhe për numrin rendor nr.306, pasuria nr.5/644, në zonën kadastrale 8140, sipas seksionit të veçantë (kolona 17), shtojca nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas paraqitjes së miratimit apo marrëveshjes me palën kontraktore (kreditorin), sipas pikave 12 e 14, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”;
b) Për numrin rendor nr.383, pasuria nr.4/335, në zonën kadastrale 8120, sipas seksionit të veçantë (kolona 17), shtojca nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të shkakut të kufizimit, sipas pikës 15, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”;
c) Për numrin rendor nr.628, pasuria nr.36/179, në zonën kadastrale 8518, sipas seksionit të veçantë (kolona 17), shtojca nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të mbivendosjes, sipas pikës 16, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”.
5. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Berat, Elbasan, Librazhd, Durrës, Tiranë, Lushnjë, Shkodër, Korçë, Lezhë, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Kavajë dhe Kukës të regjistrojnë, brenda 5 (pesë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, kalimin e së drejtës së pronësisë së parcelave ndërtimore dhe hipotekën ligjore mbi to, në përputhje me përcaktimet e pikave 15 e 16, të vendimit nr.1095, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së, dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”.
6. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI, NGA ALBPETROL, SH.A., PATOS, TE BASHKIA PATOS, TË PASURISË 3561, ZONA KADASTRALE 1567, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.219, DATË 16.4.2004, DHE NR.443, DATË 15.6.2016
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të nenit 3, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, nga Albpetrol, sh.a., Patos, te Bashkia Patos, të pasurisë 3561, zona kadastrale 1567, për realizimin e funksioneve dhe shërbimeve me interes vendor, me numër rendor 23, sipas formularit të inventarizimit dhe kartelës së pasurisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.219, datë 16.4.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Albpetrol, sh.a.”, dhe i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.443, datë 15.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Patos, të Qarkut të Fierit, për njësinë administrative Patos”.
3. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Albpetrol, sh.a., Bashkia Patos dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës (Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme) për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KONTRATËS SË KONCESIONIT/PARTNERITETIT PUBLIK PRIVAT “PËR OFRIMIN E SHËRBIMIT LABORATORIK TË SPITALEVE UNIVERSITARE, RAJONALE DHE ATYRE BASHKIAKE TË SARANDËS DHE LUSHNJËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës” sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ADMINISTRATIVE STANDARDE PËR FONDIN E PËRSHPEJTIMIT TË ARRITJES SË OBJEKTIVAVE TË ZHVILLIMIT TË QËNDRUESHËM PËR SHQIPËRINË, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, KOORDINATORIT TË PËRHERSHËM TË KOMBEVE TË BASHKUARA DHE PROGRAMIT TË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR ZHVILLIM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes administrative standarde për fondin e përshpejtimit të arritjes së objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm (SDG Acceleration Fund) për Shqipërinë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, koordinatorit të përhershëm të Kombeve të Bashkuara dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.231, DATË 17.4.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I SEGMENTIT RRUGOR “PALLATI ME SHIGJETA – RRETHRROTULLIMI “SHQIPONJA””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 4, të vendimit nr.231, datë 17.4.2019, të Këshillit të Ministrave, fjalët “… nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë”, zëvendësohen me “… nga buxheti i viti 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.61, DATË 12.2.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I PROJEKTIT “PËRMIRËSIMI I SISTEMIT TË KANALIZIMEVE TË TIRANËS SË MADHE””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.61, datë 12.2.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
a) Në pikën 3 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
i. Sipërfaqja “… 148 971 (njëqind e dyzet e tetë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e një) m2 …” ndryshon dhe bëhet “… 208 321 (dyqind e tetë mijë e treqind e njëzet e një) m2…”.
ii. Vlera “… 66 739 008 (gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e shtatëqind e tridhjetë e nëntë mijë e tetë) lekë …”, ndryshon dhe bëhet “… 93 327 808 (nëntëdhjetë e tre milionë e treqind e njëzet e shtatë mijë e tetëqind e tetë) lekë …”.
b) Tabelës bashkëlidhur vendimit i shtohet tabela 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vlera shtesë e shpenzimeve procedurale, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohet nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.407,DATË 8.5.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NJË REGJIMI KONTROLLI PËR TË GARANTUAR RESPEKTIMIN E RREGULLAVE TË POLITIKAVE MENAXHUESE NË PESHKIM”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 72, pika 8, 74, pika 4, 77, pika 3, 82, pika 2, 101, pika 2, 112, pika 3, 113, pika 1, 116, dhe 118, pika 3, të ligjit nr.64/2012,“Për peshkimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.407, datë 8.5.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
a) Pikat 31 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“31. Në zbatim të pikës 2, të nenit 72, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, për përballimin e kostove të transmetimit satelitor apo mesazheve me sistemet e tjera, anijet e peshkimit paguajnë, në numrin e llogarisë së përcaktuar nga ministria, shumën vjetore të transmetimit satelitor apo mesazheve me sistemet e tjera.
Pagesa për vitin pasardhës mund të kryhet me një këst të vetëm, brenda datës 1 dhjetor të vitit paraardhës, ose me dy këste, përkatësisht, brenda datave 1 dhjetor të vitit paraardhës për 6-mujorin e parë dhe brenda datës 1 qershor për 6-mujorin e dytë. Mirëmbajtja e sistemit të monitorimit, e përcaktuar nga shkronja “b”, e nenit 71, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, përballohet nga buxheti i miratuar i ministrisë.”.
b) Pika 32 shfuqizohet.
c) Pika 33 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“33. Të gjitha anijet mbi 12 m, të regjistruara në Regjistrin e Anijeve të Peshkimit (RAP), blejnë dhe instalojnë në bordin e tyre pajisjen MTU (Mobile Tranceiver Unit), për identifikimin dhe lokalizimin nëpërmjet satelitit. Kjo pajisje duhet të jetë në përputhje me sistemin e instaluar në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe në ministri, si dhe duhet të plotësojë të gjitha specifikimet sipas pikës 24, të këtij vendimi.”.
ç) Pas shtojcës 11 shtohet shtojca 12, me përmbajtje sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Pajisja MTU (Mobile Tranceiver Unit), për identifikimin dhe lokalizimin nëpërmjet satelitit, jepet falas nga ministria deri më 1 dhjetor 2019, për të gjitha anijet mbi 12 m, të regjistruara në Regjistrin e Anijeve të Peshkimit. Fondi për blerjen e pajisjes që jepet falas përballohet nga buxheti i miratuar për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, për vitin 2019.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE E TË SHTESAVE MBI PAGË TË NËPUNËSVE DHE PUNONJËSVE ADMINISTRATIVË NË AGJENCINË SHTETËRORE TË KADASTRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të pikës 1, të nenit 11, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave e të shtesave mbi pagë për nëpunësit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
2. Elementet e pagës për secilën kategori, të përcaktuara në lidhjet nr.1 e nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi, si dhe vlerat për secilin element, janë të njëjta me ato të miratuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për pagat e nëpunësve civilë në institucionet e administratës shtetërore.
3. Kategoritë e pagave dhe shtesat për kushte pune të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “Specialist” deri në “Titullar institucioni”, në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Kategoritë e pagave dhe shtesat për kushte pune të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “Specialist” deri në “Titullar institucioni”, në drejtoritë vendore dhe zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, janë sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
5. Pagat dhe shtesat mbi pagë të punonjësve administrativë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës janë sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave për pagat e punonjësve mbështetës të institucioneve të administratës shtetërore.
6. Vendimi nr.217, datë 20.3.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e nivelit të pagave të Zyrës së Regjitsrimit të Pasurive të Paluajtshme”, shfuqizohet.
7. Emërtesat “Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale”, përmendur në shkronjën “a”, të pikës 1/3, dhe “Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike”, përmendur në shkronjën “b”, të pikës 1/3, dhe në pikat 9/2 e 12/3 dhe lidhjet 6/2 e 9/3, të vendimit nr.187, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve civilë/nëpunësve, zëvendësministrit dhe nëpunësve të kabineteve, në Kryeministri, aparatet e ministrive të linjës, administratën e Presidentit, Kuvendit, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme, disa institucione të pavarura, institucionet në varësi të Kryeministrit, institucionet në varësi të ministrave të linjës dhe administratën e Prefektit”, të ndryshuar, shfuqizohen.
8. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, si dhe nga buxheti i miratuar për vitin 2019, në ligjin e buxhetit për Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Agjencinë e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike. Efektet financiare fillojnë nga momenti i emërimit, transferimit të nëpunësve/punonjësve në pozicionet e reja të punës, por jo më vonë se 6 muaj, nga hyrja në fuqi e ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT TË KONSOLIDIMIT FINANCIAR TË SEKTORIT PUBLIK, ELEKTROENERGJETIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “E”, të Seksionit IV, e pikës 22, të shtojcës, që i bashkëlidhen marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike, të ratifikuar me ligjin nr.170/2014, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e planit të konsolidimit financiar të sektorit publik, elektroenergjetik, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.171, datë 25.2.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e planit të rimëkëmbjes financiare të sektorit të energjisë elektrike”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, sh.a., Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a. dhe Enti Rregullator i Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, TË PASURISË ME NUMËR 315/1, ZONA KADASTRALE 1065, BASHKIA SHKODËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të pasurisë me numër 315/1, zona kadastrale 1065, Bashkia Shkodër, sipas certifikatës së pasurisë me hartën treguese dhe lidhjes nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Qarku Shkodër, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të pasurisë me numër 315/1, zona kadastrale 1065, Bashkia Shkodër.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Shkodër dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË FUNKSIONIMIT TË KËSHILLIT DREJTUES TË AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS DHE PËR MASËN E SHPËRBLIMIT PËR VEPRIMTARINË E ANËTARËVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITË E PËRGJITHSHME
1. Objekt i këtij projektvendimi është përcaktimi i rregullave të funksionimit të këshillit drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përcaktimi i rasteve të mbarimit të mandatit dhe të shkarkimit të anëtarëve, si dhe të masës së shpërblimit financiar të anëtarëve dhe të sekretariatit teknik.
II. ANËTARËT DHE KRYETARI
2. Anëtarët e këshillit drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në vijim (ASHK), gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, udhëhiqen nga parimet e përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative dhe në nenin 5, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.
3. Mandati i anëtarit të këshillit drejtues të ASHK-së mbaron:
a) kur jep dorëheqjen;
b) kur përfundon mandati 4-vjeçar i qëndrimit në detyrë;
c) kur mbush moshën e pensionit;
ç) në rast vdekjeje të tij.
4. Rastet e shkarkimit të anëtarëve të këshillit drejtues janë, si më poshtë vijon:
a) Kur ndërpret marrëdhëniet e punës me institucionin që përfaqëson;
b) Kur zëvendësohet, sipas diskrecionit të institucionit propozues dhe të Këshillit të Ministrave;
c) Kur dënohet me vendim penal të formës së prerë;
ç) Kur bëhet i paaftë mendërisht ose fizikisht për të ushtruar detyrën;
d) Kur nuk merr pjesë në mbledhjet e këshillit drejtues, më shumë se 3 herë radhazi.
dh) Kur me veprimet e tij dëmton veprimtarinë e këshillit drejtues.
5. Në rast vakance në pozicionin e anëtarit të këshillit drejtues, ASHK-ja, brenda 5 (pesë) ditëve nga konstatimi i vakancës, njofton institucionin përkatës për propozimin e anëtarit të ri. Institucioni propozues duhet t’i përcjellë Këshillit të Ministrave anëtarin e ri, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga njoftimi i ASHK-së.
6. Zgjedhja e kryetarit të këshillit drejtues bëhet sipas përcaktimeve të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”. Kohëzgjatja në detyrë e kryetarit është 2 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
III. MBLEDHJET DHE VENDIMMARRJA
7. Këshilli drejtues mblidhet, si rregull, çdo muaj, si dhe sa herë që kërkohet nga drejtori i Përgjithshëm i ASHK-së, sipas nevojave të Agjencisë.
8. Mbledhja e këshillit drejtues është e vlefshme nëse në të janë të pranishëm, të paktën, katër anëtarë.
9. Mbledhja e këshillit drejtues të ASHK-së drejtohet nga kryetari dhe, në rast mungese të tij, nga anëtari më i vjetër në moshë.
10. Vendimet merren me shumicë të thjeshtë të anëtarëve të pranishëm. Në rastet kur nga votimi nuk arrihet shumica, vendimmarrja përcaktohet nga vota e kryetarit.
11. Këshilli drejtues, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, asistohet nga sekretariati teknik, i përbërë nga 3 (tre) punonjës të ASHK-së, të caktuar nga drejtori i Përgjithshëm.
IV. MASA E SHPËRBLIMIT
12. Kryetari i këshillit drejtues merr shpërblim mujor në masën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë.
13. Anëtarët e këshillit drejtues marrin shpërblim mujor në masën 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë.
14. Anëtarët e sekretariatit teknik të këshillit drejtues marrin shpërblim mujor në masën 5 000 (pesë mijë) lekë.
15. Shpenzimet për shpërblimin e kryetarit, të anëtarëve dhe të sekretariatit teknik të këshillit drejtues, të cilat vërtetohen kundrejt dokumentit të pjesëmarrjes në mbledhje, përballohen nga buxheti i ASHK-së.
V. DISPOZITË E FUNDIT
16. Për çështjet që nuk janë të rregulluara posaçërisht në këtë vendim, funksionimi i këshillit drejtues i nënshtrohet rregullave të parashikuara në legjislacionin për organet kolegjiale të administratës shtetërore.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES PËR TREGUESIT GJEOGRAFIKË DHE EMËRTIMET E ORIGJINËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 182 e 202, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores për treguesit gjeografikë dhe emërtimet e origjinës, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.1705, datë 29.12.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për regjistrimin e treguesve gjeografikë””, i ndryshuar, shfuqizohet.
3. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË MALËSI E MADHE, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE KOPLIK, TË PASURIVE NR.161 DHE 161/1, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 2220, PËR NDËRTIMIN OBJEKTEVE “STADIUM” DHE “QENDËR SHUMËSPORTËSHE” DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.296, DATË 12.3.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, NË BASHKINË KOPLIK, TË QARKUT TË SHKODRËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, shkronja “d”, 5, 7, 8 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Malësi e Madhe, për njësinë administrative Koplik, të pasurive nr.161 dhe 161/1, zona kadastrale 2220, sipas planimetrisë dhe formularit bashkëlidhur këtij vendimi, për ndërtimin e objekteve “Stadium” dhe “Qendër Shumësportëshe” në njësinë administrative Koplik.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.296, datë 12.3.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, në Bashkinë Koplik, të Qarkut të Shkodrës”, të shtohen pronat e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi.
3. Bashkisë Malësi e Madhe i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronave të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, t’i tjetërsojë ato ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Bashkia Malësi e Madhe dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR GRUMBULLIMIN, MENAXHIMIN E PËRDORIMIN E TË DHËNAVE NË SEKTORIN E PESHKIMIT DHE MBËSHTETJEN PËR KËSHILLIMIN SHKENCOR PËR STRATEGJINË KOMBËTARE TË PESHKIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 93, pikat 4 e 5, e 135, pika 1, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
Të përgjithshme
1. Ky vendim përcakton rregullat për mbledhjen, menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave biologjike, mjedisore, teknike dhe socio-ekonomike në sektorin e peshkimit, sipas përcaktimeve të nenit 93, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, me qëllim përmbushjen e objektivave të Strategjisë Kombëtare të Peshkimit.
2. Të gjithë termat e përcaktuar në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me ata të përcaktuar në ligjin nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar. Gjithashtu, për efekt të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:
a) Metadata”, të dhënat që japin informacione sasiore e cilësore për të dhënat parësore të grumbulluara;
b) “Rajon detar”, një zonë gjeografike e përcaktuar nga organizatat rajonale të peshkimit;
c) “Të dhëna shkencore”, të dhënat e përcaktuara nga pika 1, e kreut I, të këtij vendimi;
ç) “Të dhëna të përbëra”, të dhënat e marra nga përpunimi i të dhënave parësore ose i të dhënave të hollësishme, për qëllime të veçanta;
d) “Vëzhgues shkencor”, një person i caktuar për të vëzhguar veprimtarinë e peshkimit në kuadër të procesit të grumbullimit të të dhënave për qëllime shkencore dhe të përzgjedhur sipas përcaktimeve të nenit 125, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar.
KREU II
Grumbullimi dhe menaxhimi i të dhënave në kuadër të programit kombëtar shumëvjeçar
A
Programi i kampionimit shumëvjeçar
1. Programi kombëtar shumëvjeçar për grumbullimin, menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave biologjike, teknike, mjedisore dhe social-ekonomike hartohet për një periudhë trivjeçare.
2. Përmbajtja e programit të kampionimit shumëvjeçar është parashikuar në shtojcën B, bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Programi i kampionimit shumëvjeçar përcakton, si më poshtë vijon:
a) Një listë të detajuar të kritereve që duhet të plotësojnë të dhënat për arritjen e objektivave të Strategjisë Kombëtare të Peshkimit;
b) Një listë të fushatave kërkimore-shkencore, të detyrueshme, në det;
c) Pragjet, poshtë të cilave nuk është e nevojshme të mblidhen të dhëna për aktivitetet e peshkimit dhe të akuakulturës ose për të kryer fushata kërkimore në det.
4. Të dhënat sipas shkronjës “a”, të pikës 3, të shkronjës “A”, të kreut II, të këtij vendimi, parashikohen në shtojcën A.
5. Plani i kampionimit shumëvjeçar mban parasysh, si më poshtë vijon:
a) Nevojën për informacion për menaxhimin e peshkimit të bazuar në qasjen pro ekosistemit, për të siguruar që peshkimi të ketë një ndikim minimal në ekosistemet detare dhe të sigurojë që veprimtaritë e akuakulturës e të peshkimit të shmangin degradimin e mjedisit detar. Ky informacion duhet të mundësojë përcaktimin e objektivave të nevojshëm për zbatimin e planeve të menaxhimit dhe të zbatimit, sipas përcaktimeve të neneve 25 e 26, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar;
b) Nevojën për të dhëna të përshtatshme, të plota e të besueshme, me qëllim menaxhimin e peshkimit dhe marrjen e vendimeve për mbrojtjen e ekosistemeve, përfshirë llojet dhe habitatet e rrezikuara;
c) Nevojën dhe rëndësinë e të dhënave për zhvillimin e qëndrueshëm të akuakulturës në nivel kombëtar;
ç) Nevojën për të mbështetur vlerësimet e ndikimit të masave të ndërmarra në kuadër të politikave sektoriale;
d) Kostot dhe përfitimet, duke marrë parasysh zgjidhjet me kosto më efektive, për të arritur qëllimin e grumbullimit të të dhënave;
dh) Nevojën për të shmangur ndërprerjen e serive kohore ekzistuese;
ë) Nevojën për të thjeshtuar e shmangur dyfishimin e mbledhjes së të dhënave, të përcaktuara në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi;
e) Ku është e përshtatshme, nevojën për të dhënat për të mbuluar aktivitetet e peshkimit për të cilat ka mungesë të tyre;
f) Detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë;
gj) Mbulimin hapësirë – kohë të aktivitetit të grumbullimit të të dhënave.
6. Lista e fushatave kërkimore-shkencore, të detyrueshme, në det, sipas shkronjës “b”, të pikës 3, të kreut II, të këtij vendimi, hartohet duke mbajtur parasysh këto kërkesa:
a) Nevojat për informacion që lindin nga masat menaxhuese ndërkombëtare;
b) Nevojat për informacion për vlerësimin e planeve të menaxhimit;
c) Nevojat për informacion për monitorimin e variablave të ekosistemeve;
ç) Nevojat për informacion për mbulimin e përshtatshëm të zonave të shpërndarjes së popullatave;
d) Nevoja për të shmangur dublikimin e fushatave kërkimore në det; dhe
dh) nevojën për të shmangur ndërprerjet e serive kohore.
B
Zbatimi i programit të kampionimit shumëvjeçar
Për miratimin e planit të punës, ministria mban parasysh vlerësimin e bërë nga Komiteti për Koordinimin e Kërkimit Shkencor, Teknik dhe Ekonomik (në vijim, KKKSHTE). Kur KKKSHTE-ja vlerëson se plani i punës nuk përputhet me nenin 93, të ligjit nr.64/20l2, “Për peshkimin”, të ndryshuar, ose kur çmon se plani i punës nuk garanton interesin shkencor të të dhënave ose cilësinë e metodikave dhe procedurave të propozuara, propozon ndryshimet që i duhen bërë planit. Drejtoria përgjegjëse për peshkimin paraqet një plan pune të rishikuar.
1. Plani i punës përmban një përshkrim të detajuar të elementeve, si më poshtë vijon:
a) Të dhënat që do të mblidhen, në përputhje me programin kombëtar shumëvjeçar;
b) Shpërndarjen hapësinore e kohore dhe frekuencën me të cilën do të mblidhen të dhënat;
c) Burimin e të dhënave, procedurat dhe metodikat për mbledhjen e përpunimin e të dhënave dhe marrjen e serive të të dhënave që do t’u ofrohen përdoruesve përfundimtarë të të dhënave shkencore;
ç) Sistemin e sigurimit të cilësisë dhe kontrollit të ngritur, për të siguruar cilësi të përshtatshme të të dhënave, në përputhje me pikat 2 e 3, të shkronjës “D”, të kreut II, të këtij vendimi;
d) Formatin dhe datën, ku të dhënat duhet të vihen në dispozicion të përdoruesve fundorë të të dhënave shkencore, duke marrë parasysh nevojat e treguara nga përdoruesit përfundimtarë të të dhënave shkencore, nëse dihet;
dh) Marrëveshjet ndërkombëtare e rajonale të bashkëpunimit dhe koordinimit, duke përfshirë marrëveshjet dypalëshe e shumëpalëshe të përfunduara, për të arritur objektivat e këtij vendimi; dhe
e) Si janë marrë parasysh detyrimet ndërkombëtare.
2. Në përgatitjen e planit kombëtar të punës, brenda grupeve koordinuese rajonale të referuara në pikën 4, të shkronjës “B”, të kreut II, të këtij vendimi, bashkërendohen përpjekjet me shtetet e tjera anëtare të organizatave rajonale të menaxhimit të peshkimit dhe bashkëpunon me ta, veçanërisht me ato të të njëjtit rajon detar, në mënyrë që të garantojë mbulim të mjaftueshëm dhe efektiv e për të shmangur dublikimin e aktiviteteve të grumbullimit të të dhënave. Aty ku është e përshtatshme, një bashkëpunim dhe koordinim i tillë mund të bëhet edhe jashtë fushëveprimit të grupeve koordinuese rajonale.
3. Ministria bashkërendon punën për grumbullimin e të dhënave me shtetet e tjera të Adriatikut dhe të Mesdheut ose me shtetet ndërkufitare tokësore.
4. Për lehtësimin dhe bashkërendimin e punës në nivel rajonal, ministria merr pjesë në grupet e koordinimit rajonal, me qëllim hartimin dhe zbatimin e procedurave, metodikave, garancive të cilësisë dhe kontrollin e cilësisë për mbledhjen dhe trajtimin e të dhënave për të përmirësuar më tej besueshmërinë e këshillimit shkencor.
5. Grupet e koordinimit rajonal kanë për qëllim zhvillimin dhe përditësimin e bankës së të dhënave në nivel rajonal.
6. KKKSHTE-ja vlerëson zbatimin e programeve kombëtare dhe cilësinë e të dhënave të mbledhura.
7. Ministria vlerëson zbatimin e programeve kombëtare në bazë të:
a) vlerësimit të KKKSHTE-së;
b) konsultimeve me organizatat rajonale të menaxhimit të peshkimit, ku Shqipëria është palë.
C
Kërkesat në lidhje me procesin e grumbullimit të të dhënave
1. Ministria merr masa për të siguruar që monitoruesit e peshkimit të caktuar për marrjen e mostrave të kryejnë funksionet e tyre, duke pasur akses në të gjitha zëniet, në anije dhe të gjitha vendet e tjera të kampionimit, në të gjithë regjistrat detarë dhe të gjitha të dhënat e nevojshme.
2. Kapitenët e anijeve të peshkimit pranojnë në bord monitoruesit shkencorë dhe do të bashkëpunojnë me ta për të kryer detyrat e tyre gjatë qëndrimit në bord, si dhe aplikimin, sipas rastit, të metodikave alternative të mbledhjes së të dhënave, siç përcaktohet në planet kombëtare të punës.
3. Kapitenët e anijeve të peshkimit mund të refuzojnë të pranojnë në bord monitoruesit e peshkimit e që veprojnë në kuadër të kontrollit në det ose në ujërat e brendshme vetëm në rastet kur mungon hapësira e nevojshme akomoduese në anije ose që lidhen me sigurinë në bord, sikurse parashikohet në legjislacionin përkatës kombëtar. Në këto raste, të dhënat mblidhen nëpërmjet metodikave alternative të grumbullimit të të dhënave të përcaktuara në planin kombëtar të grumbullimit të të dhënave dhe të miratuara nga KKKSHTE-ja.
D
Procesi i menaxhimit të të dhënave
1. Ministria, në funksion të menaxhimit të të dhënave, ushtron kompetencat, si më poshtë vijon:
a) Siguron që të dhënat parësore të mbledhura në kuadër të programit kombëtar të mbahen në mënyrë të sigurt në format të kompjuterizuar dhe merr gjithashtu të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që trajtimi i tyre të jetë konfidencial;
b) Siguron që metadatat e lidhura me të dhënat parësore social-ekonomike, të mbledhura në kuadër të programit kombëtar, të mbahen në mënyrë të sigurt në një bazë të dhënash të kompjuterizuar;
c) Merr të gjitha masat teknike të nevojshme për të mbrojtur këto të dhëna ndaj çdo aksidenti ose shkatërrimi, humbjeje aksidentale, përkeqësimi, konsulence apo shpërndarjeje të paautorizuar.
2. Drejtoria përgjegjëse për peshkimin, referuar nenit 94, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, është përgjegjëse për cilësinë dhe tërësinë e të dhënave parësore të mbledhura në kuadër të programit kombëtar, sikurse edhe për të dhënat e hollësishme dhe parësore, të cilat u transmetohen përdoruesve finalë.
3. Drejtoria përgjegjëse për peshkimin sigurohet që:
a) të dhënat parësore të mbledhura sipas programit kombëtar të jenë të kontrolluara sipas procedurave të caktuara të kontrollit të cilësisë së tyre;
b) të dhënat e hollësishme dhe të përbëra, që rrjedhin nga të dhënat parësore të mbledhura në kuadër të programit kombëtar, të jenë njëvleftësuar përpara transmetimit të tyre te përdoruesit fundorë;
c) procedurat e garantimit të cilësisë, që zbatohen te të dhënat parësore të hollësishme e të përbëra, sipas shkronjave “a” e “b”, të kësaj pike, të jenë kryer në përputhje me procedurat e miratuara nga organizmat shkencorë ndërkombëtarë, organizatat e menaxhimit të peshkimit rajonal dhe KKKSHTE-ja.
KREU III
Përdorimi i të dhënave
1. Ministria merr masa që të dhënat parësore të fushatave të kërkimit të dërgohen pranë organizatave shkencore ndërkombëtare dhe organeve shkencore të përshtatshme në kuadër të organizatave rajonale të peshkimit, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë.
2. Ministria i përpunon të dhënat parësore në një seri të dhënash të detajuara ose të përbëra në përputhje me:
a) rregullat ndërkombëtare më të rëndësishme, nëse është e aplikueshme;
b) marrëveshjet e firmosura në nivel rajonal ose ndërkombëtar, nëse janë të aplikueshme.
3. Ministria vë në dispozicion të përdoruesve fundorë të dhënat shkencore, një përshkrim të metodikave të përdorura për përpunimin e të dhënave të kërkuara dhe të vetive statistikore të këtyre metodikave.
4. Ministria krijon procese dhe teknologji të përshtatshme elektronike për të siguruar zbatimin efektiv të këtij vendimi. Ministria nuk vendos kufizime të panevojshme për shpërndarjen e të dhënave të detajuara dhe të grumbulluara për përdoruesit fundorë të të dhënave shkencore dhe për palët e tjera të interesuara.
5. Ministria siguron garancitë e duhura në rast se të dhënat përfshijnë informacion lidhur me personat fizikë ose juridikë të identifikuar ose të identifikueshëm. Ministria mund të refuzojë transmetimin e të dhënave të detajuara dhe të grumbulluara përkatëse, nëse ekziston rreziku i identifikimit të personave fizikë ose juridikë; në këtë rast, për t’iu përgjigjur nevojave të identifikuara nga përdoruesit fundorë të të dhënave shkencore, ministria mund të propozojë zgjidhje alternative që garantojnë anonimitetin e subjekteve të të dhënave.
6. Në rast se të dhënat shkencore kërkohen nga përdoruesit fundorë, pasi shërbejnë si bazë për dhënien e opinionit lidhur me menaxhimin e peshkimit, ministria siguron që të dhënat përkatëse të detajuara e të grumbulluara të përditësohen dhe t’u vihen në dispozicion përdoruesve fundorë përkatës të të dhënave shkencore, brenda afatit kohor të përcaktuar në kërkesë, i cili nuk duhet të jetë jo më vonë se një muaj nga data e pranimit të kërkesës.
7. Në rast të kërkesave të ndryshme nga ato të përmendura në pikën 3, të kreut III, të këtij vendimi, ministria siguron që të dhënat përkatëse të përditësohen e të vihen në dispozicion të përdoruesve fundorë përkatës të të dhënave shkencore dhe palëve të tjera të interesuara brenda një afati të arsyeshëm kohor. Brenda dy muajve nga data e marrjes së kërkesës, ministria njofton palën kërkuese për këtë afat, që është proporcional me fushëveprimin e kërkesës, si dhe nevojën e mundshme për përpunimin e mëtejshëm të të dhënave të kërkuara.
8. Në rast të kërkesës për të dhëna të detajuara për qëllime të publikimit shkencor, për të mbrojtur interesat profesionalë të monitoruesve të të dhënave në kuadër të zbatimit të planit kombëtar të punës, ministria mund të kërkojë që të dhënat të publikohen vetëm tre vjet pas datës në të cilën kërkuesit i referohen. Ministria informon përdoruesit fundorë të të dhënave shkencore për çdo vendim për këtë qëllim dhe arsyet e një vendimi të tillë.
9. Me qëllim uljen e kostove dhe për të lehtësuar qasjen në të dhëna të detajuara e të përbëra për përdoruesit fundorë të të dhënave shkencore dhe palët e tjera të interesuara, ministria dhe përdoruesit fundorë të të dhënave shkencore në fjalë bashkëpunojnë për të zhvilluar mënyrat e mbajtjes dhe shkëmbimit të të dhënave në përputhje me njëra-tjetrën. Këto sisteme lehtësojnë gjithashtu përhapjen e informacionit te palët e tjera të interesuara. Këto sisteme mund të marrin formën e bazave të të dhënave rajonale.
10. Në rast refuzimi të dhënies së të dhënave për peshkimin sipas pikës 8, të kreut III, të këtij vendimi, përdoruesit fundorë mund të ankohen në ministri. Nëse ministria çmon se refuzimi nuk ka qenë i justifikuar, atëherë të dhënat u jepen përdoruesve fundorë brenda një muaji.
11. Përdoruesit fundorë:
a) përdorin të dhënat vetëm për qëllimet e parashikuara në kërkesën e tyre;
b) citojnë në mënyrë korrekte burimin e të dhënave;
c) janë përgjegjës për përdorimin korrekt të të dhënave lidhur me etikën shkencore sipas rregullave dhe legjislacionit në fuqi;
ç) informojnë drejtorinë lidhur me problemet që mund të kenë të dhënat;
d) u japin drejtorisë përgjegjëse për peshkimin dhe ministrisë rezultatet e nxjerra nga përdorimi i tyre;
dh) nuk u dërgojnë të dhëna palëve të treta pa miratimin e ministrisë;
e) nuk shesin të dhënat te palët e treta.
12. Kur përdoruesi fundor i të dhënave shkencore ose një palë tjetër e interesuar nuk përmbush një nga detyrimet e përcaktuara në pikën 11, të kreut III, të këtij vendimi, drejtoria përgjegjëse për peshkimin kufizon ose refuzon përdorimin e të dhënave nga këta përdorues.
KREU IV
Mbështetja për këshillimin shkencor
1. Ministria siguron që ekspertët kombëtarë të marrin pjesë në mbledhjet përkatëse të organizatave rajonale të menaxhimit të peshkimit, ku Shqipëria është palë kontraktuese ose vëzhguese, si dhe në organizmat e rëndësishëm shkencorë ndërkombëtarë.
2. Drejtoria përgjegjëse për peshkimin bashkërendon punën dhe bashkëpunon me shtetet e tjera, me qëllim përmirësimin e cilësisë e të besueshmërisë së gjykimeve shkencore, cilësisë së programeve dhe metodikave të punës, në përputhje me standardet e organizatave rajonale të menaxhimit të peshkimit, ku Shqipëria është palë kontraktuese ose vëzhguese, si dhe në organizmat e rëndësishëm shkencorë ndërkombëtarë.
3. Ky bashkëpunim zhvillohet pa përjashtuar debatet shkencore të hapura dhe që kanë për qëllim promovimin e një gjykimi shkencor të pavarur.
KREU V
Dispozitat e fundit
1. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, vendimi nr.301, datë 10.4.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave për grumbullimin, menaxhimin e përdorimin e të dhënave në sektorin e peshkimit dhe mbështetjen për këshillimin shkencor për Strategjinë Kombëtare të Peshkimit”, shfuqizohet.
2. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE