Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Shkurt 2021

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Shkurt 2021:

 

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.80, DATË 31.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM NË NJËSINË ADMINISTRATIVE 6, ZONA KOMBINAT, BASHKIA TIRANË, DHE CAKTIMIN E BASHKISË TIRANË SI NJËSI ZBATUESE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “iii” e “iv”, dhe 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Harta dhe koordinatat bashkëlidhur vendimit nr.80, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, ndryshohen, përkatësisht, me hartën dhe koordinatat që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR 587, DATË 22.7.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), TË DËMTUARA, NË ZONAT E SHPALLURA PËR ZHVILLIM TË DETYRUAR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.587, datë 22.7.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 17 572 719 126 (shtatëmbëdhjetë miliardë e pesëqind e shtatëdhjetë e dy milionë e shtatëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e njëqind e njëzet e gjashtë) lekë pa TVSH, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për rindërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të dëmtuara në zonat e shpallura për zhvillim të detyruar, në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë.”.

b) Pas pikës 2 shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:

“2.1 Përdorimin e fondit, miratuar në buxhetin e vitit 2021, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në masën 274 877 807 (dyqind e shtatëdhjetë e katër milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e tetëqind e shtatë) lekë pa TVSH, për rindërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të dëmtuara, në zonat e shpallura për zhvillim të detyruar në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë.”.

c) Pas pikës 3 shtohet pika 3.1, me këtë përmbajtje:

“3.1 Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm” të programit 06210 “Programe zhvillimi“, i shtohet fondi prej 274 877 807 (dyqind e shtatëdhjetë e katër milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e tetëqind e shtatë) lekësh, për rindërtimin e njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të dëmtuara, në zonat e shpallura për zhvillim të detyruar në bashkitë Durrës, Kavajë, Kamzë, Krujë, Kurbin, Mirditë, Lezhë, Shijak dhe Vorë.”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE, NË BASHKITË SHIJAK DHE LEZHË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 563 607 000 (pesëqind e gjashtëdhjetë e tre milionë e gjashtëqind e shtatë mijë) lekë, për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para, në bashkitë Shijak dhe Lezhë, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Shijak i transferohet fondi, në masën 200 049 812 (dyqind milionë e dyzet e nëntë mijë e tetëqind e dymbëdhjetë) lekë, për rindërtimin e 69 (gjashtëdhjetë e nëntë) njësive individuale të banimit, për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para;
b) Bashkisë Lezhë i transferohet fondi, në masën 363 557 188 (treqind e gjashtëdhjetë e tre milionë e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e njëqind e tetëdhjetë e tetë) lekë, për rindërtimin e 125 (njëqind e njëzet e pesë) njësive individuale të banimit për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe u transferohet bashkive Shijak dhe Lezhë në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Shijak dhe Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT DHE NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKINË VORË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 5 350 000 (pesë milionë e treqind e pesëdhjetë mijë) lekë, për financimin e rikonstruksionit të njësive individuale të banimit dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat) për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë si pasojë e fatkeqësisë natyrore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime, në Bashkinë Vorë.

2. Efekti financiar sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe t’i transferohet Bashkisë Vorë në formën e transfertës së pakushtëzuar.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Vorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, ME SHKËMBIM NOTASH, NDЁRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË JAPONEZE, MBI NDIHMËN GRANT TË JAPONISË “PROGRAMI I ZHVILLIMIT EKONOMIK DHE SOCIAL” (SIGURIMI I PAJISJEVE MJEKËSORE)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes, me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë japoneze, mbi ndihmën grant të Japonisë “Programi i zhvillimit ekonomik dhe social” (Sigurimi i pajisjeve mjekësore), që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, PËR BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E ARSIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për bashkëpunimin në fushën e arsimit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR SHTESËN E DYTË TË FINANCIMIT PËR PROJEKTIN E SIGURISË SË DIGAVE, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.61/2018

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e dytë të financimit për projektin e sigurisë së digave, ratifikuar me ligjin nr.61/2018, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT SAUDIT PËR ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN E REHABILITIMIT DHE NDËRTIMIT TË OBJEKTEVE NË AFËRSI TË RRUGËS BREGDETARE (VLORË-ORIKUM)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për projektin e rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum), në shumën prej 112 500 000 (njëqind e dymbëdhjetë milionë e pesëqind mijë) rialësh sauditë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Vendimi nr.745, datë 23.9.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për projektin e rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.717, DATË 23.6.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT E PUNONJËSVE MBËSHTETËS TË INSTITUCIONEVE BUXHETORE DHE TË NËPUNËSVE TË DISA INSTITUCIONEVE BUXHETORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në lidhjen nr.I/1, bashkëlidhur vendimit nr.717, datë 23.6.2009, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, në numrin rendor 6, pas emërtesës “Fotograf në ATSH” shtohet emërtesa “Vëzhgues terreni në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve”.

2. Efektet financiare për paga e sigurime shoqërore, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2021, të përballohen nga buxheti i miratuar për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

3. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare“.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.187, DATË 8.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE CIVILË/NËPUNËSVE, ZËVENDËSMINISTRIT DHE NËPUNËSVE TË KABINETEVE NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në shkronjën “b”, të pikës 1/3, të vendimit nr.187, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet emërtesa “Drejtoria e Përgjithshme për Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve”.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet e institucionit dhe të fillojnë nga momenti i emërimit të nëpunësve në detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.