Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 25 Gusht 2021

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 25 Gusht 2021:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SLLOVAKISË, PËR PUNË TË PAGUAR TË ANËTARËVE TË FAMILJEVE TË PUNONJËSVE NË MISIONET DIPLOMATIKE DHE POSTET KONSULLORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovakisë, për punë të paguar të anëtarëve të familjeve të punonjësve në misionet diplomatike dhe postet konsullore, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DHËNIEN E MBROJTJES SË PËRKOHSHME SHTETASVE AFGANË DHE PERSONAVE PA SHTETËSI ME VENDQËNDRIM TË PËRKOHSHËM OSE TË PËRHERSHËM NË REPUBLIKËN ISLAMIKE TË AFGANISTANIT DHE PËR KRIJIMIN E TASK-FORCËS PËR MENAXHIMIN E FLUKSIT TË KËRKUESVE TË MBROJTJES NDËRKOMBËTARE

Në mbështetje të neneit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 82, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve me shtetësi apo kombësi afgane dhe personave pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit, që hyjnë masivisht dhe të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë në territorin e Republikës së Shqipërisë, për arsye të luftës, situatës së ngjashme, dhunës së përgjithshme dhe konfliktit të brendshëm, të karakterizuara nga shkelje të të drejtave të njeriut dhe që kërkojnë mbrojtje nga Republika e Shqipërisë.

2. Mbrojtja e përkohshme për këta shtetas fillon nga momenti i hyrjes në Republikën e Shqipërisë për një afat 1-vjeçar.

3. Përjashtohen nga e drejta e mbrojtjes së përkohshmen të gjithë personat të cilët plotësojnë një nga kushtet e përcaktuara në nenin 83, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.

4. Autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët mund të vendosë që kërkuesit t’i kufizohet liria e lëvizjes, nëse e konsideron të nevojshme, bazuar në vlerësimin individual të secilit rast sipas përcaktimeve të neneve 46 dhe 47, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.

5. Krijimin e Task-Forcës, si një strukturë e posaçme e përkohshme, për menaxhimin e fluksit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nga shtetasit afganë dhe personat pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit.

6. Task-Forca kryesohet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ka në përbërje, si më poshtë vijon:

a) Ministrin e Brendshëm;
b) Ministrin e Mbrojtjes;
c) Ministrin e Financave dhe Ekonomisë;
ç) Ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
d) Ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
dh) Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit.

Sipas nevojave ftohen të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të tjera me kërkesë të kryetarit të Task-Forcës.

7. Task-Forca ka këto detyra:

a) Negocion me partnerët ndërkombëtare për çështjet që lidhen me objektin e këtij vendimi;
b) Harton planin e veprimit për menaxhimin e fluksit të kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare;
c) Koordinon situatën e pritjes dhe të akomodimit të shtetasve afganë dhe personave pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit;
ç) Evidenton nevojat emergjente për t’i paraprirë punës me ndryshimet e mundshme të kuadrit ligjor, nënligjor e rregullator, të cilat ndikojnë në përmirësimin në këtë funksion;
d) Analizon kërkesat shtesë buxhetore për funksionimin, shpenzimet dhe bazën e nevojshme materiale, si dhe koordinon fondet e donatorëve për këtë qëlllim.

8. Task-Forca ndihmohet nga sekretariati teknik në detyrat administrative. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ministri i Brendshëm janë përgjegjës për ngritjen e këtij sekretariati, përcaktimin e përbërjes dhe të mënyrës së funksionimit të tij.

9. Periudha e veprimit të Task-Forcës është deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nga shtetasit afganë dhe personat pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit.

10. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2021, MIRATUAR PËR MINISTRINË E MBROJTJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në buxhetin e vitit 2021, miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes, të bëhet rishpërndarje e fondeve ndërmjet programeve buxhetore, si më poshtë vijon:

a) Në programin buxhetor “Emergjencat civile” 10910 të shtohet fondi prej 33 000 000 (tridhjetë e tre milionë) lekësh në shpenzimet korente;
b) Në programin “Forcat e luftimit” 02120 të pakësohet fondi prej 33 000 000 (tridhjetë e tre milionë) lekësh në shpenzimet korente.

2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIGJENERIM URBAN I SHËTITORES BREGDETARE QENDRORE TË VLORËS, SHESHIT “ISA BOLETINI” DHE PORTIT BASHKIA VLORË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi projektit “Rigjenerim urban i shëtitores bregdetare qendrore të Vlorës, sheshit “Isa Boletini” dhe portit Bashkia Vlorë”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.

3. Pronarët të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 70 237 995.34 (shtatëdhjetë milionë e dyqind e tridhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e pesë pikë tridhjetë e katër) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 70 237 995.34 (shtatëdhjetë milionë e dyqind e tridhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e pesë pikë tridhjetë e katër) lekësh, të përballohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nga të cilat 43 400 000 (dyzet e tre milionë e katërqind mijë) lekë të përballohen nga buxheti i vitit 2021, në programin buxhetor “Planifikimi urban”, dhe 26 837 995.34 (njëzet e gjashtë milionë e tetëqind e tridhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e pesë pikë tridhjetë e katër) lekë të përballohen nga buxheti i vitit 2022.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2021 i Bashkisë Vlorë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit pranë Bashkisë Vlorë.

8. Bashkia Vlorë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Vlorë.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Vlorë.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Vlorë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.