Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 25 Mars 2021: 

 

AKT NORMATIV
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.112/2020, “PËR REGJISTRIN E PRONARËVE PËRFITUES”

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në ligjin nr.112/2020, “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Në shkronjën “c”, të pikës 2, të nenit 2, fjalët “… komunitetet fetare …” zëvendësohen me fjalët “… bashkësitë fetare …”.

Neni 2

Në pikën 3.2.1, të nenit 4, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Fjalët “… adresa e rezidencës së përhershme …” zëvendësohen me “… adresa e vendbanimit …”.

2. Në shkronjën “c”, pas paragrafit “data e lëshimit dhe data e skadimit e dokumentit të udhëtimit” shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

“- adresa e vendbanimit.”.

Neni 3

Në shkronjën “b”, të pikës 3, të nenit 5, fjalët “… brenda 30 ditëve …” zëvendësohen me “… brenda 90 ditëve …”.

Neni 4

Në pikën 1, të nenit 14, fjalët “… në pikën 5.1 …” zëvendësohen me “… në pikën 3.1…”.

Neni 5

Në nenin 15, fjalët “… jo më vonë se 60 ditë kalendarike nga krijimi i regjistrit, sipas përcaktimit të pikës 2, të këtij neni …” zëvendësohen me “… brenda datës 30.6.2021 …”.

Neni 6
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

A K T N O R M A T I V
PËR

NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.8952, DATË 10.10.2002, “PËR LETËRNJOFTIMIN ELEKTRONIK TË SHTETASVE SHQIPTARË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1

Neni 9/2, i ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 9/2
Dispozitë kalimtare

Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik të shtetasve shqiptarë, që përfundon deri në datën 25 prill 2021, zgjatet deri në datën 30 prill 2021.”.

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE “BLUE 2”, I CILI NUK PËRFITON NGA MASAT MBËSHTETËSE, NË ZONËN SHEQ-MARINAS, BASHKIA FIER, QARKU FIER, NGA BASHKIMI I PËRKOHSHËM I SHOQËRIVE “BLESSED INVESTMENT”, SH.P.K., DHE “MATRIX KONSTRUKSION”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse “Blue 2”, i cili nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën Sheq-Marinas, Bashkia Fier, Qarku Fier, nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Blessed Investment”, sh.p.k., dhe “Matrix Konstruksion”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:

a) Emri i aplikuesit: bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Blessed Investment”, sh.p.k., dhe “Matrix Konstruksion”, sh.p.k.;
b) Numri i identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS:

“Blessed Investment”, sh.p.k. – L71423028S
“Matrix Konstruksion”, sh.p.k. – J91306009Q.

c) Tipi centralit: fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 50 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë: koha për ndërtimin e vënien në operim të parkut fotovoltaik do të jetë brenda 50 (pesëdhjetë) muajve nga marrja e lejes së ndërtimit;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: centrali fotovoltaik “Blue 2”, zona Sheq-Marinas, Bashkia Fier, Qarku Fier;
e) Afati i miratimit të ndërtimit: 60 (gjashtëdhjetë) muaj nga hyrja në fuqi e këtij miratimi;
ë) Koordinatat e tokës sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucione të tjera të autorizuara prej saj kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore, gjatë realizimit e vënies në punë, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia dhe konformiteti të jenë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit e të dokumentacionit të projektit;
g) Transferimi i së drejtës për ndërtim të burimit gjenerues të energjisë elektike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën Sheq-Marinas, Bashkia Fier, Qarku Fier, e dhënë sipas këtyre rregullave, mund të transferohet te një person i tretë, tërësisht ose pjesërisht, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
gj) Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Blessed Investment”, sh.p.k., dhe “Matrix Konstruksion”, sh.p.k., ka detyrimin që:

i. të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ose institucioneve të tjera të autorizuara prej saj informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat e autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Blessed Investment”, sh.p.k., dhe “Matrix Konstruksion”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera, që lidhen me zbatimin e saj. Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Blessed Investment”, sh.p.k., dhe “Matrix Konstruksion”, sh.p.k., do të krijojë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një shoqëri për qëllime të veçanta, për ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e centralit fotovoltaik “Blue 2”; Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Blessed Investment”, sh.p.k., dhe “Matrix Konstruksion”, sh.p.k., dhe shoqëria, për qëllime të veçanta, do të jenë bashkërisht përgjegjës për detyrimet sipas këtij miratimi dhe kontratës së nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
iv. t’i japë falas, në formë “royalty”, ministrisë përgjegjëse për energjinë, sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Blessed Investment”, sh.p.k., dhe “Matrix Konstruksion”, sh.p.k., duhet t’i derdhë tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDËRTIMIT TË CENTRALIT GJENERUES TË ENERGJISË ELEKTRIKE FOTOVOLTAIKE DHE VEPRAVE NDIHMËSE “BLUE 1”, I CILI NUK PËRFITON NGA MASAT MBËSHTETËSE, NË ZONËN SHEQ-MARINAS, BASHKIA FIER, QARKU FIER, NGA BASHKIMI I PËRKOHSHËM I SHOQËRIVE “BLESSED INVESTMENT”, SH.P.K., DHE “MATRIX KONSTRUKSION”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse “Blue 1”, i cili nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën Sheq-Marinas, Bashkia Fier, Qarku Fier, nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Blessed Investment”, sh.p.k., dhe “Matrix Konstruksion”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:

a) Emri i aplikuesit: bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Blessed Investment”, sh.p.k. ,dhe “Matrix Konstruksion”, sh.p.k.;
b) Numri i identifikimit personal të zyrës së taksave NIPT/NUIS:

“Blessed Investment”, sh.p.k. – L71423028S
“Matrix Konstruksion”, sh.p.k. – J91306009Q;

c) Tipi i centralit: fotovoltaik;
ç) Kapaciteti i instaluar: 50 MW;
d) Afati i pritshëm i vënies në punë: koha për ndërtimin e vënien në operim të parkut fotovoltaik të jetë brenda 50 (pesëdhjetë) muajve nga marrja e lejes së ndërtimit;
dh) Vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë: centrali fotovoltaik “Blue 1”, zona Sheq-Marinas, Bashkia Fier, Qarku Fier;
e) Afati i miratimit të ndërtimit: 60 (gjashtëdhjetë) muaj nga hyrja në fuqi e këtij miratimi;
ë) Koordinatat e tokës sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
f) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucione të tjera të autorizuara prej saj kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore, gjatë realizimit dhe vënies në punë me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia dhe konformiteti të jenë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit;
g) Transferimi i së drejtës për ndërtim të burimit gjenerues të energjisë elektike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk përfiton nga masat mbështetëse, në zonën Sheq-Marinas, Bashkia Fier, Qarku Fier, e dhënë sipas këtyre rregullave, mund të transferohet te një person i tretë, tërësisht ose pjesërisht, vetëm me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
gj) Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Blessed Investment”, sh.p.k., dhe “Matrix Konstruksion”, sh.p.k., ka detyrimin:

i. që të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj) pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ose institucioneve të tjera të autorizuara prej saj informacion për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik;
ii. që të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare;
iii. e dorëzimit të sigurimit të kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Blessed Investment”, sh.p.k., dhe “Matrix Konstruksion”, sh.p.k., dhe ministrisë. Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat e detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera, që lidhen me zbatimin e saj. Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Blessed Investment”, sh.p.k., dhe “Matrix Konstruksion”, sh.p.k., do të krijojnë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit një shoqëri për qëllime të veçanta, për ndërtimin, shfrytëzimin e administrimin e centralit fotovoltaik “Blue 1”; Bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Blessed Investment”, sh.p.k., dhe “Matrix Konstruksion”, sh.p.k., dhe shoqëria për qëllime të veçanta do të jenë bashkërisht përgjegjës për detyrimet sipas këtij miratimi dhe kontratës së nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë;
iv. që t’i japë falas, në formë “royalty”, ministrisë përgjegjëse për energjinë, sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Blessed Investment”, sh.p.k., dhe “Matrix Konstruksion”, sh.p.k., duhet t’i derdhë tërësisht në buxhetin e shtetit;
v. të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.41, DATË 24.1.2018, “PËR ELEMENTET E PROGRAMEVE TË STUDIMIT TË OFRUARA NGA INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 71, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.41, datë 24.1.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Në pikën 2, fjalët “Elementet që përbëjnë strukturën e programeve të studimit, të ofruara nga IAL, konsistojnë në: …” zëvendësohen me “Elementet që përbëjnë strukturën e programeve të studimit, të ofruara nga IAL-të, me përjashtim të studimeve të doktoratës, konsistojnë në: … ”.
b) Shkronja “ç”, e pikës 2.7, shfuqizohet.
c) Shkronja “c”, e pikës 2.9, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“c) Me vendim të Senatit Akademik, institucioni i arsimit të lartë ka të drejtë të bëjë ndryshime profilizuese brenda programit të studimit të akredituar pa ndryshuar emërtimin e programit të studimit. IAL-ja njofton ministrinë përgjegjëse për arsimin jo më vonë se gjashtë muaj përpara fillimit të vitit akademik për ndryshimet profilizuese deri në masën 20 për qind të përmbajtjes së programit, të shprehur në kredite ECTS.”.

ç) Pika 2.10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2.10 Diploma/certifikata dhe suplementi i saj

Diplomat/certifikatat, që lëshohen në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, të dytë, si dhe ato të ciklit të tretë “Master ekzekutiv”, shoqërohen me suplementin e diplomës.”.

d) Pika 2.12 e vendimit shfuqizohet.

dh) Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:

“2/1. Elementet që përbëjnë strukturën e programeve të doktoratës konsistojnë:

a) Për studimet e doktoratës hartohen projekte kërkimore-shkencore dhe zhvillimi të aprovuara dhe me financim të siguruar nga IAL-ja. Pas aktit të hapjes/riorganizimit të programit të studimeve të doktoratës e certifikimit të kapaciteteve akademike dhe infrastrukturore, studentët e pranuar mund të përfitojnë financim sipas ligjit. Njësia bazë mund të ofrojë më shumë se një projekt kërkimor për fushën e kërkimit që mbulon;
b) Studimet e doktoratës organizohen në fusha/nënfusha kërkimi. Ato përmbajnë veprimtari kërkimore-shkencore, me qëllim garantimin e formimit në fushën/nënfushën përkatëse të studimit;
c) Në bazë të projekteve kërkimore-shkencore, njësia bazë përgjegjëse për studimet e doktoratës përcakton numrin e studentëve doktorantë dhe IAL-ja, me vendim të Senatit Akademik, deklaron numrin e doktorantëve, në përputhje me standardet shtetërore të cilësisë dhe certifikimin e kapaciteteve akademike e infrastukturore nga ministria përgjegjëse për arsimin.

Njësia përgjegjëse e programit të studimeve të doktoratës duhet të garantojë standardet akademike dhe të ofrojë infrastrukturën e domosdoshme për realizimin e projektit kërkimor-shkencor.

ç) Në rregulloren e programit të studimit të doktoratës, njësia bazë:

i. përcakton kriteret e pranimit të studentëve sipas parimit të thellimit të studimit në fushë të njëjtë apo të përafërt me studimet e ciklit të parë dhe të dytë;
ii. bashkërendon, në funksion të realizimit të projektit kërkimor-shkencor, veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe krijuese të studentëve;
iii. parashikon në mënyrë të detajuar rregullat e organizimit e të funksionimit të programit të doktoratës;
iv. parashikon në mënyrë të detajuar administrimin e të dhënave të çdo doktoranti lidhur me veprimtarinë kërkimore-shkencore e krijuese të tij dhe detyrimin për raportimin e vlerësimit të progresit të doktorantit.”.

2. Shtojca nr.1, e vendimit nr.41, datë 23.1.2018, të Këshillit të Ministrave, i ndryshuar, zëvendësohet me shtojcën me të njëjtin numër, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë, si dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË STACIONIT TË ZJARRFIKËSES DHE GODINËS SË BORDIT TË KULLIMIT, BASHKIA KAVAJË, DHE CAKTIMIN E BASHKISË KAVAJË SI NJËSI ZBATUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në vlerën 227 211 426 (dyqind e njëzet e shtatë milionë e dyqind e njëmbëdhjetë mijë e katërqind e njëzet e gjashtë) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të stacionit të zjarrfikëses dhe godinës së bordit të kullimit, Bashkia Kavajë, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Rindërtimi i stacionit të zjarrfikëses, Bashkia Kavajë, në vlerën 79 301 115 (shtatëdhjetë e nëntë milionë e treqind e një mijë e njëqind e pesëmbëdhjetë) lekë pa TVSH;
b) Rindërtimi i godinës së bordit të kullimit, Bashkia Kavajë, në vlerën 147 910 311 (njëqind e dyzet e shtatë milionë e nëntëqind e dhjetë mijë e treqind e njëmbëdhjetë) lekë pa TVSH.

2. Bashkisë Kavajë, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, i transferohet fondi në masën 45 442 285 (dyzet e pesë milionë e katërqind e dyzet e dy mijë e dyqind e tetëdhjetë e pesë) lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Për rindërtimin e stacionit të zjarrfikëses, Bashkia Kavajë, në vlerën 15 860 223 (pesëmbëdhjetë milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë mijë e dyqind e njëzet e tre) lekë pa TVSH;
b) Për rindërtimin e godinës së bordit të kullimit, Bashkia Kavajë, në vlerën 29 582 062 (njëzet e nëntë milionë e pesëqind e tetëdhjetë e dy mijë e gjashtëdhjetë e dy) lekë pa TVSH.

3. Caktimin e Bashkisë Kavajë si njësi zbatuese për rindërtimin e stacionit të zjarrfikëses dhe godinës së bordit të kullimit.

4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kavajë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE, NË BASHKITË DURRËS DHE KAVAJË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 222 267 242 (dyqind e njëzet e dy milionë e dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e dyqind e dyzet e dy) lekë, për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para sipas aktekspertizave të thelluara, në bashkitë Durrës dhe Kavajë, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Durrës i transferohet fondi, në masën 65 749 664 (gjashtëdhjetë e pesë milionë e shtatëqind e dyzet e nëntë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e katër) lekë, për rindërtimin e 22 (njëzet e dy) njësive individuale të banimit për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para;
b) Bashkisë Kavajë i transferohet fondi në masën 156 517 578 (njëqind e pesëdhjetë e gjashtë milionë e pesëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë për rindërtimin e 57 (pesëdhjetë e shtatë) njësive individuale të banimit për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe u transferohet bashkive Durrës dhe Kavajë në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Durrës e Kavajë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.212, DATË 11.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË OBJEKTEVE ARSIMORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr. 137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pas pikës 2, të vendimit nr.212, datë 11.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:

“2.1 Përdorimi i fondit, për vitin 2021, do të jetë në masën 3 928 793 173 (tre miliardë e nëntëqind e njëzet e tetë milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tre) lekë, nga i cili Bashkisë Tiranë, për vitin 2021, i transferohet fondi prej 3 928 793 173 (tre miliardë e nëntëqind e njëzet e tetë milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tre) lekë, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e rindërtimit dhe mobilimit të objekteve arsimore, në Bashkinë Tiranë.”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.186, DATË 26.2.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR CAKTIMIN E NJËSIVE ZBATUESE PËR RINDËRTIMIN E BANESAVE INDIVIDUALE DHE NDËRTIMIN E RIKONSTRUKSIONIN E INFRASTRUKTURËS PUBLIKE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “iii”, dhe 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pika 1, e vendimit nr.186, datë 26.2.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si njësi zbatuese për rindërtimin, sipas projekteve model, të banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të banesave individuale jashtë zonave të reja, të shpallura në bashkitë Durrës, Kavajë, Rrogozhinë e Shijak.”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.645, DATË 3.8.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT) DHE NDËRTESAVE PUBLIKE, NË ZONAT E REJA PËR ZHVILLIM, NË NJËSITË ADMINISTRATIVE 4 E 8, ZONA “5 MAJI”, DHE NJËSINË ADMINISTRATIVE 6, ZONA “KOMBINAT”, BASHKIA TIRANË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16, pika 3, dhe 36, pika 1, shkronja “a”, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pas pikës 2, të vendimit nr.645, datë 3.8.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:

“2.1 Përdorimi i fondit për vitin 2021 të jetë në masën 1 990 233 627 (një miliard e nëntëqind e nëntëdhjetë milionë e dyqind e tridhjetë e tre mijë e gjashtëqind e njëzet e shtatë) lekë dhe i transferohet Bashkisë Tiranë për financimin e rindërtimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat) dhe ndërtesave publike, në zonat e reja për zhvillim në njësitë administrative 4 e 8, zona “5 Maji”, dhe njësinë administrative 6, zona “Kombinat”, Bashkia Tiranë, në formën e transfertës së pakushtëzuar.”.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIFORCIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT) NË BASHKITË DURRËS DHE KAMZË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i” dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 1 058 293 376 (një miliard e pesëdhjetë e tetë milionë e dyqind e nëntëdhjetë e tre mijë e treqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekë pa TVSH, për financimin e riforcimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të cilat janë klasifikuar si objekte të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime, nga bashkitë Durrës dhe Kamzë, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Durrës i transferohet fondi në masën 835 060 995 (tetëqind e tridhjetë e pesë milionë e gjashtëdhjetë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e pesë) lekë pa TVSH;
b) Bashkisë Kamzë i transferohet fondi në masën 223 232 381 (dyqind e njëzet e tre milionë e dyqind e tridhjetë e dy mijë e treqind e tetëdhjetë e një) lekë pa TVSH.

2. Përdorimin e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, në masën 211 658 675 (dyqind e njëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekë pa TVSH, për financimin e riforcimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), të cilat janë klasifikuar si objekte të pabanueshme ose të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime, nga bashkitë Durrës dhe Kamzë, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Durrës i transferohet fondi në masën 167 012 199 (njëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e dymbëdhjetë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e nëntë) lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar;
b) Bashkisë Kamzë i transferohet fondi në masën 44 646 476 (dyzet e katër milionë e gjashtëqind e dyzet e gjashtë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Durrës e Kamzë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË OBJEKTEVE ARSIMORE NË BASHKITË MIRDITË DHE KAMZË DHE CAKTIMIN E TYRE SI NJËSI ZBATUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rikonstruksionit të objekteve arsimore në bashkitë Mirditë dhe Kamzë, në masën 466 930 089 (katërqind e gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e nëntëqind e tridhjetë mijë e tetëdhjetë e nëntë) lekë pa TVSH, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Mirditë, në masën 102 720 089 (njëqind e dy milionë e shtatëqind e njëzet mijë e tetëdhjetë e nëntë) lekë pa TVSH, për:

i. rikonstruksionin dhe sistemin e ngrohjes së godinës nr.3 (3 kate), shkolla 9-vjeçare “Pashko Vasa”, Rrëshen, Bashkia Mirditë, në masën 45 969 907 (dyzet e pesë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e shtatë) lekë pa TVSH;
ii. rikonstruksionin e kopshtit të fëmijëve (godina e vjetër), Rrëshen, Bashkia Mirditë, në masën 23 544 114 (njëzet e tre milionë e pesëqind e dyzet e katër mijë e njëqind e katërmbëdhjetë) lekë pa TVSH;
iii. rikonstruksionin e kopshtit të fëmijëve me aftësi ndryshe (ish-godina e SHIK-ut), Rrëshen, Bashkia Mirditë, në masën 33 206 068 (tridhjetë e tre milionë e dyqind e gjashtë mijë e gjashtëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH.

b) Bashkisë Kamzë, në masën 364 210 000 (treqind e gjashtëdhjetë e katër milionë e dyqind e dhjetë mijë) lekë pa TVSH, për:

i. rikonstruksionin e gjimnazit “Isa Boletini”, Bashkia Kamzë, në masën 292 810 000 (dyqind e nëntëdhjetë e dy milionë e tetëqind e dhjetë mijë) lekë pa TVSH;
ii. rikonstruksionin e kopshtit “Zall Mner”, Bashkia Kamzë, në masën 71 400 000 (shtatëdhjetë e një milionë e katërqind mijë) lekë pa TVSH.

2. Përdorimi i fondit të rindërtimit, për vitin 2021, për financimin e rikonstruksionit të objekteve arsimore, në Bashkitë Mirditë dhe Kamzë, në masën 93 386 017 (nëntëdhjetë e tre milionë e treqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëmbëdhjetë) lekë pa TVSH, detajohet, si më poshtë vijon:

a) Bashkisë Mirditë i transferohet fondi në masën 20 544 017 (njëzet milionë e pesëqind e dyzet e katër mijë e shtatëmbëdhjetë) lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar;
b) Bashkisë Kamzë i transferohet fondi në masën 72 842 000 (shtatëdhjetë e dy milionë e tetëqind e dyzet e dy mijë) lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Caktimin e bashkive Mirditë dhe Kamzë si njësi zbatuese për financimin e rikonstruksionit të objekteve arsimore, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Mirditë e Kamzë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT DHE NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKITË TIRANË, DURRËS DHE VORË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr. 97/2019, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 998 675 000 (nëntëqind e nëntëdhjetë e tetë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, për financimin e rikonstruksionit të njësive individuale të banimit dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat) për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë si pasojë e fatkeqësisë natyrore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime, në bashkitë Tiranë, Durrës dhe Vorë, sipas detajimit të mëposhtëm:

a) Bashkisë Durrës i transferohet fondi në masën 860 700 000 (tetëqind e gjashtëdhjetë milionë e shtatëqind mijë) lekë;
b) Bashkisë Vorë i transferohet fondi në masën 2 000 000 (dy milionë) lekë;
c) Bashkisë Tiranë i transferohet fondi në masën 135 975 000 (njëqind e tridhjetë e pesë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga pjesa e financuar nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe t’u transferohet bashkive Tiranë, Durrës dhe Vorë në formën e transfertës së pakushtëzuar.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë bashkitë Tiranë, Durrës e Vorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

KRIJIMIN, SHTRIRJEN TERRITORIALE DHE KLASIFIKIMIN E ZONËS DOGANORE, AEROPORTI NDËRKOMBËTAR I KUKËSIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 4, të ligjit nr.102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Krijimin e zonës doganore të përhershme, Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit, në brendësi të territorit doganor të Republikës së Shqipërisë.

2. Shtrirja e zonës doganore është në një sipërfaqe prej 781 682 m2, sipas planvendosjes, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN NGA DETYRA TË PREFEKTIT TË QARKUT TË ELBASANIT

Në mbështetje të neneve 100 e 114, të Kushtetutës, dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Klevis Xhoxhi, prefekt i Qarkut të Elbasanit, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË TIRANË TË PASURISË NR.7/291, ZONA KADASTRALE 8330, TIRANË, DHE PËR SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.568, DATË 23.8.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN E DISA MJEDISEVE NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË PUNËVE PUBLIKE, TRANSPORTIT DHE TELEKOMUNIKACIONIT, PËR AGJENCINË E LEGALIZIMIT, URBANIZIMIT DHE INTEGRIMIT TË ZONAVE/NDËRTIMEVE INFORMALE (ALUIZNI)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, 15 e 16, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, shkronja “a”, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të pasurisë 7/291, zona kadastrale 8330, Tiranë, me sipërfaqe ndërtese 708.5 (shtatëqind e tetë pikë pesë) m2 dhe sipërfaqe trualli 1 033 (një mijë e tridhjetë e tre) m2, sipas planrilevimit bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim ushtrimin e funksioneve administrative të Bashkisë Tiranë.

2. Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës përfundimtare të pjesshme të pronave të paluajtshme publike shtetërore, miratuar me vendimin nr.219, datë 21.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pjesshme (pjesa e parë + pjesa e dytë) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të njësisë administrative Tiranë, Bashkia Tiranë, të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.

3. Vendimi nr.568, datë 23.8.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për kalimin e disa mjediseve në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, për Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI)”, shfuqizohet.

4. Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.

5. Ngarkohen Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

KOMPENSIMIN E VEÇANTË TË FAMILJES SË USHTARAKUT, I CILI HUMBI JETËN GJATË KRYERJES SË DETYRËS NË MISION USHTARAK JASHTË VENDIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 28, të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kompensimin e veçantë të familjes së ushtarakut, major Xhevair Lefter Jazaj, i cili humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës në mision ushtarak jashtë vendit, në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.

2. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga buxheti i vitit 2021, miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes, në programin buxhetor “Forca e luftimit”.

3. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “RIKUALIFIKIM URBAN I BLLOKUT NR.1, LAGJJA NR.2, CËRRIK”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Rikualifikim urban i bllokut nr.1, lagjja nr.2, Cërrik”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Cërrik.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, në shumën e përgjithshme prej 545 580 (pesëqind e dyzet e pesë mijë e pesëqind e tetëdhjetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 545 580 (pesëqind e dyzet e pesë mijë e pesëqind e tetëdhjetë) lekësh, të përballohet nga Bashkia Cërrik.

5. Vlera për shpenzimet procedurale, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohet nga buxheti i vitit 2021, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, në zyrat e Bashkisë Cërrik.

8. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Cërrik.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Cërrik, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Cërrik.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Cërrik.

11. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Cërrik dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH NDËRMJET PROGRAMEVE BUXHETORE, NË BUXHETIN E VITIT 2021, MIRATUAR PËR MINISTRINË E TURIZMIT DHE MJEDISIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 17, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në buxhetin e vitit 2021, miratuar për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, të bëhet rishpërndarja e fondeve ndërmjet programeve buxhetore, si më poshtë vijon:

a) Në programin buxhetor 05320 “Për mbrojtjen e mjedisit”, shpenzimet korrente pakësohen në vlerën 17 063 000 (shtatëmbëdhjetë milionë e gjashtëdhjetë e tre mijë) lekë;
b) Në programin buxhetor 04760 “Zhvillimi i turizmit”, shpenzimet korrente shtohen në vlerën 17 063 000 (shtatëmbëdhjetë milionë e gjashtëdhjetë e tre mijë) lekë.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.568, DATË 17.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË KOMBËTARE TË MJEDISIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 59, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Pas pikës 5.4, të kreut III, të vendimit nr.568, datë 17.7.2019, të Këshillit të Ministrave, shtohen pikat 5.4/1, 5.4/2 dhe 5.4/3, me këtë përmbajtje:

“5.4/1. Në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit krijohet Komisioni i Ankimit të AKM-së, i cili drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm dhe ka në përbërje të tij:

a) Drejtuesin e njësisë përgjegjëse për inspektimin dhe kontrollin;
b) Drejtuesin e njësisë përgjegjëse për shërbimet mbështetëse;
c) Drejtuesin e njësisë përgjegjëse për ankimet;

ç) Nëpunësin përgjegjës për çështjet juridike/ligjore të agjencisë.

5.4/2. Në mungesë të anëtarëve të Komisionit të përcaktuar në pikën 5.4/1, për shkak të mosplotësimit të pozicionit të punës, drejtori i Përgjithshëm cakton zëvendësuesin e njësisë përgjegjëse respektive, deri në plotësimin e vendit vakant.

5.4/3. Mënyra e organizimit dhe funksionimit të Komisionit të Ankimit të AKM-së përcaktohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të AKM-së.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.