Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Janar 2021:
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.768, DATË 20.12.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, MARRJEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM DHE VENDOSJEN E SERVITUTIT TË KALIMIT, PËR INTERES PUBLIK, MBI DISA PASURI TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA KORRIDORI I NDËRTIMIT TË SISTEMIT TË GAZSJELLËSIT DHE RRUGËVE HYRËSE TE VALVULAT E BLLOKIMIT, NË ZONAT: KORÇË, DEVOLL, BERAT, SKRAPAR E FIER, PJESË TË PROJEKTIT TË GAZSJELLËSIT TRANS ADRIATIC (PROJEKTI TAP)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 7 e 8, pjesa e parë dhe e dytë, të shtojcës 1, të marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, të ratifikuar me ligjin nr.116/2013, dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.768, datë 20.12.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Pikat 3 dhe 4 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të paraqitur në tabelat bashkëlidhur këtij vendimi, me një vlerë totale prej 176 456 159 (njëqind e shtatëdhjetë e gjashtë milionë e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind e pesëdhjetë e nëntë) lekësh, për sipërfaqet:
a) 13 704 m², që shpronësohet;
b) 386 667 m², që merret në përdorim të përkohshëm;
c) 75 130 m², mbi të cilën vendoset servituti.
4. Vlera totale, prej 176 456 159 (njëqind e shtatëdhjetë e gjashtë milionë e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind e pesëdhjetë e nëntë) lekësh dhe të gjitha shpenzimet e tjera procedurale, përfshirë edhe ato shtesë prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekësh, të përballohen nga shoqëria TAP AG, si subjekt kërkues.”.
b) Tabelat bashkëlidhur vendimit zëvendësohen me tabelat që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqëria TAP AG, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe zyrat vendore përkatësisht: Korçë, Devoll, Berat, Skrapar e Fier për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.42, DATË 16.1.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR KRITERET DHE PROCEDURAT E DHËNIES SË LICENCAVE PROFESIONALE TË ZBATIMIT, KLASIFIKIMIT DHE DISIPLINIMIT TË SUBJEKTEVE JURIDIKE, QË USHTROJNË VEPRIMTARI NDËRTIMI”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në rregulloren “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale për individë dhe persona juridikë në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim dhe mbikëqyrje e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim”, të miratuar me vendimin nr.42, datë 16.1.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Kudo në përmbajtje të rregullores:
a) Emërtimi “Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit” zëvendësohet me fjalët “… ministria përgjegjëse për ndërtimin …”;
b) Emërtimet “Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit” dhe “ministri përgjegjës për punët publike” zëvendësohen me fjalët “… ministri përgjegjës për ndërtimin …”.
c) Emërtimi “Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit” zëvendësohet me fjalët “… ministria përgjegjëse për ndërtimin …”;
ç) Fjala “… aplikues …” zëvendësohet me “… kërkues …”;
d) Fjala “… aplikim …” zëvendësohet me “… kërkesë …”;
dh) Fjala “… fizik …” hiqet;
e) Fjala “… leje …” zëvendësohet me “… licence …”;
ë) Emërtimi “… QKR …” zëvendësohet me emërtimin “… QKB …”.
2. Shkronja “b”, e pikës 2, të kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Komisioni mblidhet jo më pas se 2 (dy) herë në muaj. Komisioni shqyrton dhe vendos për kërkesat, ankesat, informacionet, në përputhje me kërkesat e kësaj rregulloreje.”.
3. Paragrafi i fundit, i shkronjës “c”, të pikës 3, të kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Në çdo rast, zhvillimi i mbledhjes jashtë radhe nuk përjashton 2 mbledhjet e caktuara sipas kësaj rregulloreje.”.
4. Në pikën 4, të kreut II, bëhen këto ndryshime:
a) Nënndarja II, e shkronjës “a”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“II. Regjistron në regjistra të posaçëm elektronikë çdo aplikim të ndarë sipas llojit të aplikimit.”.
b) Në shkronjën “a”, të nënndarjes IV, shfuqizohet fjalia e fundit.
c) Në shkronjën “a”, të nënndarjes IX, shfuqizohet fjalia e fundit.
5. Në nënndarjen X, të pikës 4, të kreut II, pas fjalëve “… regjistrave të posaçëm …” shtohen fjalët “… si dhe publikon të gjitha vendimmarrjet për licencat për subjektet tregtare në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve.”.
6. Në pikën 5, të shkronjës “a”, të kreut II, pas fjalëve “… ndryshime në klasifikim …” shtohen fjalët “… në stafin teknik të shoqërisë …”.
7. Shkronjat “c” dhe “ç”, të nënndarjes II, të kreut III, shfuqizohen.
8. Shkronja “a”, e pikës 3, të kreut III, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Aplikimi për licencë dhe dokumentet shoqëruese të saj, sipas kësaj rregulloreje, dërgohen nëpërmjet sistemit informatik të integruar për shërbimet e licencimit në fushën e zbatimit, që funksionon pranë portalit unik të shërbimeve qeveritare e-Albania. Dokumentacioni duhet të jetë origjinal ose i njësuar me origjinalin. Në aplikim shënohet dhe adresa e saktë për komunikim ndërmjet subjektit dhe komisionit.”.
9. Në pikën 3, të kreut III, shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:
“d) Afati i vlefshmërisë së licencës, nga data e lëshimit të tyre, është sa afati i vlefshmërisë së kontratës, që ka shoqëria me drejtuesin/drejtuesit teknikë (kontrata me afatin e vlefshmërisë më të shkurtër), por jo më shumë se 5 (pesë) vjet. Për licencat që ekuivalentohen afati do të vendoset duke vlerësuar afatin e licencës në vendin e origjinës dhe afatin e kontratës me drejtuesin teknik, (data e vlefshmërisë më e shkurtër). Nëse kontrata me drejtuesin teknik prishet, para afatit të caktuar, licenca e humbet vlefshmërinë dhe subjekti duhet të aplikojë sërish për pajisje me licencë të re.”.
10. Shkronjat “a” dhe “c”, të pikës 1, të kreut IV, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“a) Drejtuesi teknik i shoqërisë është personi me arsimin universitar përkatës (përcaktuar në lidhjen nr.5) dhe me përvojë pune jo më pak se 5 (pesë) vjet pas diplomimit në ciklin e dytë të studimeve universitare. Për personat që kanë mbaruar universitetin me mesatare note nga 9.0 e lart ose ekuivalent (për studime të përfunduara në shtete të huaja) afati të jetë jo më pak se 3 (tre) vjet pas diplomimit në ciklin e dytë të studimeve universitare.
c) Marrëdhëniet e drejtuesit teknik me shoqërinë rregullohen sipas kontratës individuale të punës, me afat të përcaktuar (jo më pak se 1 (një) vit).”.
11. Paragrafi i dytë, i pikës 2, të kreut IV, shfuqizohet.
12. Nënndarja e parë, e pikës I, të shkronjës “a”, të kreut V, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ – Vitet e punës pas diplomimit në ciklin e dytë të studimeve universitare me 1 (një) pikë për çdo 5 (pesë) vjet përvojë (nga viti i diplomimit në ciklin e dytë të studimeve universitare deri në atë të aplikimit) dhe jo më shumë se 5 (pesë) pikë gjithsej.”.
13. Në pikën 1, të kreut VI, bëhen këto ndryshime:
a) Nënndarja I, e shkronjës “a”, shfuqizohet.
b) Nënndarja III, e shkronjës “a”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“III. Kur drejtuesi teknik është diplomuar me mesatare note nga 9:0 e lart ose ekuivalent dhe kërkon të vendoset si drejtues teknik 3 (tre) vjet pas diplomimit në ciklin e dytë të studimeve universitare, kopje e njësuar e listës së notave.”.
c) Nënndarja V, e shkronjës “a”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“V. Kontrata ndërmjet drejtuesit ligjor dhe drejtuesit teknik, me afat të përcaktuar (jo më pak se 1 (një) vit).”.
14. Në pikën 2, të kreut VI, bëhen këto ndryshime:
a) Nënndarja I, e shkronjës “a”, shfuqizohet.
b) Nënndarja II, e shkronjës “a”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“II. Vetëdeklarimi i drejtuesve ligjorë, nëse është në hetim apo procedim penal me cilësinë e të pandehurit për vepra penale që kanë lidhje me ushtrimin e detyrës, (sipas formatit të lidhjes nr.7/1).”.
c) Pas nënndarjes II shtohet nënndarja III, me këtë përmbajtje:
“III. Kontrata ndërmjet drejtuesit ligjor dhe drejtuesit teknik hartuar përpara noterit, me afat të përcaktuar (jo më pak se 1 (një) vit).”.
15. Në pikën 3, të kreut VI, bëhen këto ndryshime:
a) Nënndarja I, e shkronjës “a”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“I. Kopje të njësuar të diplomës së drejtuesit apo drejtuesve teknikë që shtohen në shoqëri. Kur drejtuesi teknik është diplomuar me mesatare note nga 9:0 e lartë në ciklin e dytë të studimeve universitare dhe kërkon të vendoset si drejtues teknik 3 (tre) vjet pas diplomimit në ciklin e dytë të studimeve universitare nga diplomimi, diplomës t’i bashkëlidhet kopje e njësuar e listës së notave.”.
b) Nënndarja II, e shkronjës “a”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“II. Kontrata/t ndërmjet drejtuesit ligjor dhe drejtuesit teknik të ri, me afat të përcaktuar (jo më pak se 1 (një) vit).”.
16. Në pikën 7, të kreut VI, pas nënndarjes III shtohet nënndarja III/1, me këtë përmbajtje:
“III/1. Kontrata ndërmjet drejtuesit ligjor dhe drejtuesit teknik hartuar përpara noterit, me afat të përcaktuar (jo më pak se 1 (një) vit).”.
17. Paragrafi i fundit, i nënndarjes IV, të pikës 7, të kreut VI, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Akteve të kolaudimit apo të marrjes në dorëzim të objekteve ose dokumentacion tjetër që vërteton kryerjen e punimeve (origjinale ose kopje të njësuara).”.
18. Paragrafi i katërt, i nënndarjes IV, të pikës 7, të kreut VI, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Akte kolaudimi apo të marrjes në dorëzim të objekteve ose dokumentacion tjetër që vërteton kryerjen e punimeve (origjinale ose kopje të noterizuara).”.
19. Pas pikës 8, të kreut VI, shtohet pika 9, me këtë përmbajtje:
“9. Ekuivalentimi i licencës së shoqërive të huaja:
a) Të jenë të regjistruar si degë e shoqërisë së huaj në Qendrën Kombëtare të Biznesit, sipas legjislacionit vendas ose sipas dispozitave ligjore në vendin e origjinës. Shoqëritë të cilat janë të regjistruara në vendin e origjinës, kur ushtrojnë veprimtari tregtare në Shqipëri, zbatojnë legjislacionin vendas.
Licencën (ose dokumentin që shërben si leje për ushtrimin e aktivitetit profesional respektiv), që disponon shoqëria dhe drejtuesit teknikë të shoqërisë në vendin e origjinës, të njësuar sipas dispozitave në fuqi (noter të vendit të origjinës/apostilë/ etj.) dhe të përkthyer në gjuhën shqipe, nga përkthyes të licencuar (në rast se kërkohet edhe pjesë të legjislacionit përkatës të atij vendi, i nevojshëm për të bërë njësimin). Nëse në licencën që disponon nuk përcaktohen kategoritë dhe klasifikimi, atëherë duhet të paraqesë punimet e 4 (katër) viteve të fundit të shoqërisë mëmë, me situacione dhe akte kolaudimi apo marrjes në dorëzim të objekteve ose dokumentacion tjetër që vërteton kryerjen e punimeve, (të pasqyrohen në tabelën sipas lidhjes nr.8).
b) Kontrata ndërmjet drejtuesit ligjor dhe drejtuesit teknik, hartuar përpara noterit, me afat të përcaktuar (jo më pak se 1 (një) vit).
c) Diplomën që disponon drejtuesi/drejtuesit teknik/ë i/të shoqërisë në vendin e origjinës, të njësuar sipas dispozitave në fuqi (noter të vendit të origjinës/apostilë/ etj.) dhe të përkthyer në gjuhën shqipe nga përkthyes të licencuar.
ç) Dokumentacion teknik justifikues (origjinal ose i njësuar për veprimtarinë e kryer nga drejtuesi teknik), vërtetime nga subjekte, institucione apo organizma publikë ose privatë. Kur vërtetimi lëshohet nga institucion privat bashkëshoqërohet dhe me vërtetim të subjektit publik që konfirmon faktin.
d) Vetëdeklarim i drejtuesve ligjorë, nëse është në hetim apo procedim penal me cilësinë e të pandehurit për vepra penale që kanë lidhje me ushtrimin e detyrës, (sipas formatit të lidhjes nr.7/1).
dh) Vetëdeklarim i drejtuesit/ve teknik, nëse është në hetim apo procedim penal me cilësinë e të pandehurit për vepra penale që kanë lidhje me ushtrimin e detyrës apo ka qenë i dënuar, si dhe për gjendjen në lidhje me punëmarrje të tjera, (sipas formatit të lidhjes nr.7/2).”.
20. Pa lidhjes nr.7 shtohet lidhja nr.8 “Tabela e punimeve të kryera”, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
II. Për një periudhë 6-mujore nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, aplikimet për licencimin mund të kryhen edhe fizikisht, nëpërmjet shërbimit postar dhe atij elektronik nëpërmjet e-mail¬-it. Dokumentet për licencë duhet të jenë origjinale ose fotokopje të noterizuara, në gjuhën shqipe ose të përkthyera nga përkthyes të licencuar.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.764, DATË 7.11.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË BILISHT, TË QARKUT TË KORÇËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, 5 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.764, datë 7.11.2012, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në titull dhe në përmbajtje të vendimit, fjalët “… Bashkia Bilisht …” zëvendësohen me “… njësia administrative Bilisht, Bashkia Devoll …”.
b) Në listën e inventarit, bashkëlidhur vendimit, të dhënat e pasurive 1/7 dhe 1/8, të llojit “truall”, me vendndodhje në zonën kadastrale 1187, të ndryshojnë sipas formularit gjithsej 1(një) fletë dhe hartave kadastrale, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
c) Në lidhjen 1, bashkëlidhur vendimit, pasuritë e përcaktuara në shkronjën “b”, të kësaj pike, të transferohen në pronësi të Bashkisë Devoll, për njësinë administrative Bilisht, me qëllim për t’u përdorur në fushën e strehimit dhe të shërbimeve sociale.
2. Bashkisë Devoll i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit, t’i tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve pasuritë e përcaktuara në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij vendimi.
3. Ngarkohen Bashkia Devoll dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.904, DATË 24.12.2019, TË KËSHILLIT TË MNISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE, TË KATEGORIVE PRIORITARE, MASËS SË PËRFITIMIT, AUTORITETEVE PËRGJEGJËSE DHE PROCEDURAVE PËR VLERËSIMIN DHE PËRZGJEDHJEN E PËRFITUESVE NGA DISA PROGRAME TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 18, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.904, datë 24.12.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 23 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“23. Marrëveshja paraprake dhe kontrata për kalimin e banesave/shtëpive individuale në pronësi të subjekteve përfituese të programeve të rindërtimit dhe/ose atyre në funksion të procesit të rindërtimit duhet të përmbajnë, të paktën, parashikimet e modeleve tip, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij. Kontrata duhet të shoqërohet me deklaratën noteriale të heqjes dorë nga subjektet përfituese nga çdo pretendim mbi të drejtat e pronësisë për banesën apo shtëpinë individuale të mëparshme, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë vendim ose në aktin normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, si kusht për përfitimin nga programet e procesit të rindërtimit. Regjistrimi i akteve kryhet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në emër të përfituesit.”.
2. Në pikën 25, pas emërtesës “… Enti Kombëtar i Banesave …” shtohet “… Agjencia Shtetërore e Kadastrës …”.
3. Pas shtojcës “Ç”, bashkëlidhur vendimit, shtohet shtojca “D”, “Marrëveshje paraprake për kalimin e së drejtës së pronësisë” (model tip), që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT DHE NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKITË RROGOZHINË, MIRDITË DHE KAMZË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 180 890 000 (njëqind e tetëdhjetë milionë e tetëqind e nëntëdhjetë mijë) lekë, për financimin e rikonstruksionit të njësive individuale të banimit dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ato individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë si pasojë e fatkeqësisë natyrore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime, në bashkitë Rrogozhinë, Mirditë dhe Kamzë, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Bashkisë Rrogozhinë i transferohet fondi në masën 61 270 000 (gjashtëdhjetë e një milionë e dyqind e shtatëdhjetë mijë) lekë;
b) Bashkisë Mirditë i transferohet fondi në masën 11 150 000 (njëmbëdhjetë milionë e njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë;
c) Bashkisë Kamzë i transferohet fondi në masën 108 470 000 (njëqind e tetë milionë e katërqind e shtatëdhjetë mijë) lekë.
2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga pjesa e financuar nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe t’u kalojë bashkive Rrogozhinë, Mirditë dhe Kamzë në formën e transfertës së pakushtëzuar.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Rrogozhinë, Mirditë dhe Kamzë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E DREJTËSISË TE MINISTRIA E TURIZMIT DHE MJEDISIT, TË NJË PJESE TË PRONËS SË PALUAJTSHME ME SIPËRFAQE PREJ 19 000 M2, NGA TRUALLI FUNKSIONAL I PRONËS NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE 8340, ME NUMUËR PASURIE 8/76, ME SIPËRFAQE PREJ 46 266 M2, ME EMËRTIMIN “STACION HEKURUDHOR”, TIRANË, SI DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.714, DATË 20.10.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E PUNËVE PUBLIKE DHE TRANSPORTIT TE MINISTRIA E DREJTËSISË, TË SIPËRFAQES 46 266 M², NË ZONËN KADASTRALE NR.8340, ME NUMËR PASURIE 8/76, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.120, DATË 4.3.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË TRANSPORTIT DHE TELEKOMUNIKACIONIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 dhe 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, si dhe të pikës 1, të nenit 34, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Drejtësisë te Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, të një pjese të pronës së paluajtshme me sipërfaqe prej 19 000 (nëntëmbëdhjetë mijë) m2 nga trualli funksional i pronës në zonën kadastrale 8340, me numër pasurie 8/76, me emërtim “Stacion hekurudhor”, Tiranë, me sipërfaqe 46 266 (dyzet e gjashtë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) m2, sipas planvendosjes bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim përdorimin e saj për zhvillimin e qëndrueshëm në turizëm.
2. Sipërfaqja prej 19 000 (nëntëmbëdhjetë mijë) m2 e truallit, e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.714. datë 20.10 2011, të Këshillit të Ministrave.
3. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROGRAMIT TË REFORMAVE EKONOMIKE (ERP) 2021-2023
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e Programit të Reformave Ekonomike (ERP) 2021-2023, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E HARTIMIT TË PROJEKTIT TË NDËRHYRJEVE REHABILITUESE/ PËRSHTATËSE, TË NEVOJSHME PËR KTHIMIN E STRUKTURËS SË OBJEKTEVE QË JANË KLASIFIKUAR SI OBJEKTE ME DËMTIME TË MËDHA STRUKTURORE OSE DËMTIME SHUMË TË RËNDA JOSTRUKTURORE, NË BASHKINË KAVAJË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 73 699 921 (shtatëdhjetë e tre milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e njëzet e një) lekë pa TVSH, për financimin e hartimit të projektit të ndërhyrjeve rehabilituese/përshtatëse, të nevojshme për kthimin e strukturës së objekteve që janë klasifikuar si objekte me dëmtime të mëdha strukturore ose dëmtime shumë të rënda jostrukturore, në Bashkinë Kavajë.
2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e shtetit për vitin 2021, dhe i transferohet në formën e transfertës së pakushtëzuar Bashkisë Kavajë.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Kavajë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, MBI DHURIMIN NË FUSHËN E SHËNDETËSISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, mbi dhurimin në fushën e shëndetësisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.641, DATË 7.9.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, MARRJEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM DHE VENDOSJEN E SERVITUTIT TË KALIMIT PËR INTERES PUBLIK MBI DISA PASURI TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SISTEMIT TË GAZSJELLËSIT, KORRIDORI I NDËRTIMIT, RRUGËT HYRËSE DHE VALVULAT E BLLOKIMIT PËR PROJEKTIN E GAZSJELLËSIT TRANS ADRIATIK (PROJEKTI TAP)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 7 e 8, pjesa e parë dhe e dytë, të shtojcës 1, të marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, të ratifikuar me ligjin nr.116/2013, dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.641, datë 7.9.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Pikat 3 dhe 5 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët, pasuritë e paluajtshme të të cilëve shpronësohen, merren në përdorim të përkohshëm dhe mbi të cilat vendoset servituti, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, të paraqitur në tabelat bashkëlidhur, për sipërfaqen prej 51 393 (pesëdhjetë e një mijë e treqind e nëntëdhjetë e tre) m2 që shpronësohet; për sipërfaqen prej 629 032.90 (gjashtëqind e njëzet e nëntë mijë e tridhjetë e dy pikë nëntëdhjetë) m2 që merret në përdorim të përkohshëm; për sipërfaqen prej 116 355.91 (njëqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e treqind e pesëdhjetë pesë e pikë nëntëdhjetë e një) m2 mbi të cilën vendoset servituti, me një vlerë totale prej 324 515 267.92 (treqind e njëzet e katër milionë e pesëqind e pesëmbëdhjetë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë pikë nëntëdhjetë e dy) lekësh.
5. Vlera e përgjithshme prej 324 515 267.92 (treqind e njëzet e katër milionë e pesëqind e pesëmbëdhjetë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë pikë nëntëdhjetë e dy) lekësh dhe të gjitha shpenzimet e tjera procedurale, përfshirë edhe ato shtesë prej 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekësh, të përballohen nga shoqëria “TAP AG”, si subjekt kërkues.”.
b) Lista nr.1 bashkëlidhur vendimit zëvendësohet me tabelën A, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqëria “TAP AG” dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.436, DATË 3.6.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITERIT TË NOTËS MESATARE PËR PRANIMIN E KANDIDATËVE NË PROGRAMET E STUDIMEVE TË CIKLIT TË PARË DHE NË PROGRAMET E INTEGRUARA TË STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË OSE TRANSFERIMIN E STUDIMEVE NË VITET E NDËRMJETME TË KËTYRE PROGRAMEVE, NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË, PËR VITET AKADEMIKE 2020–2021 DHE 2021–2022 E NË VIJIM”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 74, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.436, datë 3.6.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 1, pas fjalëve “… për vitin akademik 2020–2021 …” shtohen fjalët “… dhe në vijim …”.
b) Pika 2 shfuqizohet.
c) Në shtojcën nr.1, bashkëlidhur vendimit, titulli riformulohet, si më poshtë vijon:
“(Programet e studimit të gjuhëve të huaja, për vitin akademik 2020–2021 dhe në vijim)”.
ç) Shtojca nr.2, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me shtojcën me të njëjtin numër, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Qendra e Shërbimeve Arsimore, institucionet e arsimit të mesëm të lartë, institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E HARTIMIT TË PROJEKTIT TË NDËRHYRJEVE REHABILITUESE/PËRSHTATËSE TË NEVOJSHME PËR KTHIMIN E STRUKTURËS SË OBJEKTEVE QË JANË KLASIFIKUAR SI OBJEKTE ME DËMTIME TË MËDHA STRUKTURORE OSE DËMTIME SHUMË TË RËNDA JOSTRUKTURORE, NË BASHKINË KRUJË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 64 047 500 (gjashtëdhjetë e katër milionë e dyzet e shtatë mijë e pesëqind) lekë pa TVSH, për financimin e hartimit të projektit të ndërhyrjeve rehabilituese/përshtatëse të nevojshme për kthimin e strukturës së objekteve që janë klasifikuar si objekte me dëmtime të mëdha strukturore ose dëmtime shumë të rënda jostrukturore, në Bashkinë Krujë.
2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar në buxhetin e shtetit për vitin 2021, dhe i transferohet, në formën e transfertës së pakushtëzuar, Bashkisë Krujë.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Krujë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT DHE RIKONSTRUKSIONIT/RIFORCIMIT TË OBJEKTEVE NË ADMINISTRIM TË SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT, NË BASHKITË DURRËS DHE LEZHË, DHE CAKTIMIN E SHËRBIMIT INFORMATIV TË SHTETIT SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit dhe rikonstruksionit/riforcimit të objekteve në administrim të Shërbimit Informativ të Shtetit, të ndodhura në bashkitë Durrës dhe Lezhë, në masën 21 586 378 (njëzet e një milionë e pesëqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH, sipas detajimit të mëposhtëm:
a) Rindërtimi i objektit në administrim të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), të ndodhur në Bashkinë Durrës, në masën 17 402 445 (shtatëmbëdhjetë milionë e katërqind e dy mijë e katërqind e dyzet e pesë) lekë pa TVSH;
b) Rikonstruksioni/riforcimi i objektit në administrim të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), të ndodhur në Bashkinë Lezhë, në masën 4 183 933 (katër milionë e njëqind e tetëdhjetë e tre mijë nëntëqind e tridhjetë e tre) lekë pa TVSH.
2. Shërbimit Informativ të Shtetit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, i shtohet fondi në masën 7 220 733 (shtatë milionë e dyqind e njëzet mijë e shtatëqind e tridhjetë e tre) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit dhe rikonstruksionit/riforcimit të objekteve, sipas pikës 1, të këtij vendimi, i detajuar, si më poshtë vijon:
a) Në masën 5 220 733 (pesë milionë e dyqind e njëzet mijë e shtatëqind e tridhjetë e tre) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të objektit në administrim, të ndodhur në Bashkinë Durrës;
b) Në masën 2 000 000 (dy milionë) lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit/riforcimit të objektit, të ndodhur në Bashkinë Lezhë.
3. Caktimin e Shërbimit Informativ të Shtetit si njësi zbatuese për rindërtimin dhe rikonstruksionin/riforcimin e objekteve, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Shërbimi Informativ i Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PLANIN VJETOR TË PRANIMIT PËR VITIN 2021 NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, PJESË TË SHËRBIMIT CIVIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2021 është, gjithsej, 705 (shtatëqind e pesë), të ndara sipas kategorive të mëposhtme:
a) Për Trupën e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues 4;
b) Për kategorinë e mesme drejtuese 60;
c) Për kategorinë e ulët drejtuese 169;
ç) Për kategorinë ekzekutive 472.
2. Grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm në kategorinë ekzekutive janë, si më poshtë vijon:
– Shkenca juridike;
– Audit i brendshëm;
– Shkenca ekonomike;
– Shkenca ekonomike/juridike;
– Shkenca shoqërore;
– Shkenca sociale;
– Histori-filologji;
– Shkenca mjekësore;
– Veterinari;
– Agronomi;
– Shkenca biologjike dhe të ngjashme me to;
– Kimi;
– Shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme;
– Shkenca inxhinierike;
– Arkitekturë;
– Arkeologji dhe restaurime;
– Arte të bukura;
– Gjeodezi;
– Shkenca ekzakte;
– Shkenca edukimi;
– Mësuesi;
– Arsim i lartë ushtarak/policor;
– Arsim i lartë.
3. Institucionet e administratës shtetërore, ku planifikohen vendet vakante gjatë vitit 2021, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SLLOVENISË, PËR NGRITJEN E NJË NDËRTESE MODULARE PËR QËLLIME ARSIMORE, NJË DONACION I REPUBLIKËS SË SLLOVENISË PËR REPUBLIKËN E SHQIPËRISË PAS TËRMETIT TË NËNTORIT 2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Sllovenisë, për ngritjen e një ndërtese modulare për qëllime arsimore, një donacion i Republikës së Sllovenisë për Republikën e Shqipërisë pas tërmetit të nëntorit 2019, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PËRDORIMIN E FONDEVE TË MBETURA NGA PROGRAMI “MBROJTJA MJEDISORE E LIQENIT TË SHKODRËS”, PËR T’U PËRDORUR PËR FINANCIMIN E SHËRBIMIT TË BORXHIT PËR MARRËVESHJEN E HUAS PËR PROGRAMIN “INFRASTRUKTURA BASHKIAKE II”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë e të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes ndryshuese, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për përdorimin e fondeve të mbetura nga programi “Mbrojtja mjedisore e liqenit të Shkodrës”, për t’u përdorur për financimin e shërbimit të borxhit për marrëveshjen e huas, për programin “Infrastruktura bashkiake II”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË AFATMESME TË MENAXHIMIT TË BORXHIT 2021-2023
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2021-2023, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I OBJEKTIT “RIKONSTRUKSION DHE ZGJERIM I RRUGËS “MUZAK TOPIA”, SEGMENTI NGA RRETHRROTULLIMI TEK ISH-REZERVAT E SHTETIT DERI TE KISHA E SHËN ILIAS, BERAT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i objektit “Rikonstruksion dhe zgjerim i rrugës “Muzak Topia”, segmenti nga rrethrrotullimi tek ish-Rezervat e Shtetit deri te kisha e Shën Ilias, Berat”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Berat.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, për pasuritë e llojit “tokë truall” ,“ullishte” dhe “vegjetacion”, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me vlerë të përgjithshme prej 13 216 696 (trembëdhjetë milionë e dyqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 13 216 696 (trembëdhjetë milionë e dyqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2021, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin “Transporti rrugor”.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Berat.
8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, jo më vonë se 30 ditë nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Berat, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Berat.
9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Berat.
10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Berat dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.