Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Mars 2019: 

V E N D I M

PËR

INDEKSIMIN E PENSIONEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 61 e 88, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 17, të ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar, të nenit 24, të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar, të nenit 8, të ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të nenit 6/1, të ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar, të nenit 1, të ligjit nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe palombarëve të forcave detare në pension”, të nenit 8, të ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar, dhe të nenit 4, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave,

 

V E N D O S I:

 

1. Indeksimin, në masën 2.8 për qind, të:

a) pensioneve të caktuara sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
b) pensioneve sociale, të caktuara në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
c) shtesës mujore, të përfituar me vendimin nr.326, datë 21.6.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e trajtimit të invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”;
ç) pensioneve të caktuara me dekretin nr.758, datë 1.2.1994, të Presidentit të Republikës, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”;
d) shtesës mbi pension, të dhënë sipas nenit 33, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
dh) shtesave mbi pension, të dhëna sipas neneve 38, 39 dhe 48, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 24, të ligjit nr.4171, datë 13.6.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
e) pensioneve të caktuara dhe të rillogaritura me ligjin nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara me nenin 21, të këtij ligji;
ë) trajtimeve të veçanta financiare të familjeve të pilotëve fluturues, të caktuara sipas ligjeve nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, dhe nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar;
f) trajtimeve të veçanta financiare, të caktuara sipas ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe palombarëve të forcave detare në pension”;
g) trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve të minierave, të caktuara sipas ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar,
gj) pensioneve të pleqërisë të punonjësve të minierave, të caktuara me ligjin nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”;
h) trajtimeve të veçanta financiare të caktuara sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”;
i) pensioneve suplementare të caktuara sipas ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”;
j) pensioneve suplementare të caktuara sipas ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar;
k) shpërblimit të caktuar sipas ligjit nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”, të ndryshuar;
l) pensioneve shtetërore të posaçme të caktuara në përputhje me nenin 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

2. Indeksimin, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, e përfitojnë edhe pensionet që do të caktohen nga data 1.4.2019 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 31.3.2019, përfshirë edhe këtë datë.

3. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në mbështetje të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të këtij ligji, si dhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, të caktuara me ligjin nr.150/2014, që kanë datë fillimi të të drejtës deri më 31.12.2014, pas datës 1.4.2019 nuk do të jenë më pak se 13 753 (trembëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e tre) lekë në muaj dhe më shumë se 27 506 (njëzet e shtatë mijë e pesëqind e gjashtë) lekë në muaj.

4. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës 1.4.2019 nuk do të jenë më pak se 9 418 (nëntë mijë e katërqind e tetëmbëdhjetë) lekë në muaj, por jo më shumë se 13 753 (trembëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjete e tre) lekë në muaj.

5. Pensionet e parakohshme, të caktuara sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, me datë fillimi nga 1.4.2019 e në vazhdim, nuk do të jenë më pak se 13 753 (trembëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e tre) lekë në muaj.

6. Përfituesit e pensioneve, sipas ligjeve nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nr.4171, datë 13.9.1966,“Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, si dhe nr.150/2014, të caktuara pas datës 1.7.2018, por me datë të fillimit të pensionit deri më 31.12.2014, përfshi edhe këtë datë, përveç pensionit, do të përfitojnë edhe kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, nr.763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”, nr.415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”, nr.477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, dhe nr.17, datë 20.1.2007, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”, me kusht që shuma e pensionit mujor plus kompensimin e të ardhurave, pas indeksimit të pensioneve sipas pikës 1, të këtij vendimi, të jetë:

a) deri në 15 403 (pesëmbëdhjetë mijë e katërqind e tre) lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, përfshirë edhe përfituesit e pensioneve sipas ligjit nr.150/2014;
b) deri në 14 903 (katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e tre) lekë në muaj, për pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare;
c) deri në 10 108 (dhjetë mijë e njëqind e tetë) lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare, të caktuara sipas paragrafit të katërt të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

7. Kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, nr.763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”, nr.415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”, dhe nr.477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, do t’i marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione të parakohshme, sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, me datë fillimi nga 1.4.2019 e në vazhdim, me kusht që shuma e pensionit mujor të parakohshëm plus kompensimin e të ardhurave të jetë deri në 15 403 (pesëmbëdhjetë mijë e katërqind e tre) lekë në muaj.

8. Përfituesit e pensioneve, sipas shkronjave “a”, “e”, “gj”, të pikës 1, të këtij vendimi, me datë fillimi të pensionit deri në 31.12.2014 dhe përfituesit e pensioneve të parakohshme sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, krahas pensionit dhe kompensimeve, sipas përcaktimeve në pikat 6 dhe 7, të këtij vendimi, do të marrin edhe kompensimet sipas masës dhe kritereve të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave, nr.138, datë 31.3.1994, “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”, dhe nr.471, datë 15.7.1996, “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”.

9. Shuma bazë e pensionit e përcaktuar sipas pikës 2, të nenit nr 32, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, duke filluar nga data 1.4.2019 e në vazhdim të jetë 7 465 (shtatë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e pesë) lekë.

10. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përllogariten në shumën 2 390 000 000 (dy miliard e treqind e nëntëdhjetë milionë) lekë, dhe përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, i parashikuar në buxhetin e ISSH-së të vitit 2019, të cilat ndahen:

a) 2 376 000 000 (dy miliard e treqind e shtatëdhjetë e gjashtë milionë) lekë, për mbulimin e pagesave të përfitimeve;
b) 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, për procedurat teknike të zbatimit të këtij vendimi dhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga Posta Shqiptare, sh.a.

11. Ngarkohet Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi dhe për nxjerrjen e udhëzimit teknik të zbatimit të tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.4.2019.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E BRENDSHME DHE ZYRA QENDRORE E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME TEK AGJENCIA E OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE TË INTEGRUARA (ADISA), TË SIPËRFAQEVE 77 M2 E 125 M2, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.1691, DATË 10.10.2007, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË BRENDSHME, PËR PREFEKTËT NË QARQE DHE NËNPREFEKTËT, ADMINISTRATËN E TYRE, PËR DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË EMERGJENCAVE CIVILE, (DREJTORINË E PMNZSH-SË)”, TË NDRYSHUAR, DHE NR.448, DATË 16.6.2005, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI ZYRËS QENDRORE TË REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I: 

 

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Brendshme tek Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), të një sipërfaqeje prej 77 m2, të pronës me numër pasurie 16/51 – 1, zona kadastrale 8571, lagjja “Kongresi”, Lushnjë, për t’u përdorur si mjedise pune për ushtrimin e veprimtarisë administrative të ADISA-s, sipas formularit të inventarizimit dhe planimetrisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme tek Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), të një sipërfaqeje prej 125 m2, të pronës me numër pasurie 16/51 – 2, zona kadastrale 8571, lagjja “Kongresi”, Lushnjë, për t’u përdorur si mjedise pune për ushtrimin e veprimtarisë administrative të ADISA-s, sipas formularit të inventarizimit dhe planimetrisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

3. Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pronave të përcaktuara sipas pikave 1 e 2, të këtij vendimi, t’i tjetërsojë ato dhe/ose t’ua japë në përdorim të tretëve.

4. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore bashkëlidhur vendimit nr.1691, datë 10.10.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Brendshme, për prefektët në qarqe dhe nënprefektët, administratën e tyre, për Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile, (Drejtorinë e PMNZSHsë)”, të ndryshuar.

5. Prona e përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore bashkëlidhur vendimit nr.448, datë 16.6.2005, të Këshillit të Ministrave, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

6. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) dhe Kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

SHPËRNDARJEN DHE DETAJIMIN E FONDIT 1 000 000 000 ( NJË MILIARD) LEKË NË PROGRAMIN “MENAXHIMI I INFRASTRUKTURËS SË UJITJES DHE KULLIMIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 10, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, dhe të pikës 3, të nenit 11, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shpërndarjen dhe detajimin e fondit 1 000 000 000 (një miliard) lekë në programin “Menaxhimi i infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit”, për projektet e ujitjes, të kullimit, të mbrojtjes nga përmbytja dhe sigurinë e digave, sipas bashkive dhe drejtorive të ujitjes dhe të kullimit, përcaktuar në tabelën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Për projektet sipas tabelës 2, të këtij vendimi, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural caktohet në rolin e organit qendror blerës për kryerjen e procedurës së prokurimit.

3. Projektet për rehabilitimin e digave, para fillimit të procedurës së prokurimit, të jenë të miratuara në Komitetin Kombëtar të Digave të Mëdha.

4. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KUSHTET DHE KRITERET E USHTRIMIT TË VEPRIMTARISË SË STACIONIT TË PLAZHIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 64, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, sipas tekstit dhe shtojcave 1, 2, 3, 4 e 5, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Vendimi nr.369, datë 18.5.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, dhe dispozitat që rregullojnë veprimtarinë e stacionit të plazhit në vendimin nr.321, datë 28.5.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për sigurinë në det, plazhe, në ujërat e brendshme në thellësi të territorit dhe gjatë ushtrimit të sporteve ujore”, të ndryshuar, shfuqizohen.

3. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, inspektorati përgjegjës për turizmin, inspektorati përgjegjës për mjedisin, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Drejtoria e Përgjithshme Detare dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DHËNIEN NË PËRDORIM PARTISË DEMOKRISTIANE, SI SELI, TË DISA MJEDISEVE TË GODINËS KATËRKATËSHE, ISH-SHTËPIA BOTUESE E LIBRIT SHKOLLOR “8 NËNTORI”, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të nenit 22, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, “Për partitë politike”, të ndryshuar, me propozimin e zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Dhënien në përdorim Partisë Demokristiane, si seli, të disa mjediseve të katit të katërt, përkatësisht 6 (gjashtë) zyra në kahun verior, të godinës katërkatëshe, ish-Shtëpia Botuese e Librit Shkollor “8 Nëntori”, sipas kartelës së pasurisë që i bashkëlidhet këtij vendimi, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

2. Partisë Demokristiane i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.

3. Vendimi nr.533, datë 4.8.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për pajisjen me mjedise të Partisë Demokristiane”, shfuqizohet.

4. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DHËNIEN NË PËRDORIM PARTISË REPUBLIKANE, SI SELI, TË DISA MJEDISEVE TË GODINËS KATËRKATËSHE, ISH-SHTËPIA BOTUESE E LIBRIT SHKOLLOR “8 NËNTORI”, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të nenit 22, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, “Për partitë politike”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Dhënien në përdorim Partisë Republikane, si seli, të disa mjediseve të katit të tretë, përkatësisht 6 (gjashtë) zyra në kahun verior të godinës katërkatëshe, ish-Shtëpia Botuese e Librit Shkollor “8 Nëntori”, sipas kartelës së pasurisë, që i bashkëlidhet këtij vendimi, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

2. Partisë Republikane i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës së përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi.

3. Vendimi nr.534, datë 4.8.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për pajisjen me mjedise të Partisë Republikane”, shfuqizohet.

4. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.16, DATË 16.1.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME, PËR VITIN 2019, NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.16, datë 16.1.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

1. Në pikën 1, numri i punonjësve me kontratë të përkohshme ndryshohet dhe bëhet 1 748 (një mijë e shtatëqind e dyzet e tetë) punonjës.

2. Në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 1 dhe bashkëlidhur vendimit, bëhen këto shtesa:

a) Në krye të tabelës shtohet ndarja “Gr.1, Institucioni i Presidentit të Republikës”, me përmbajtje sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Në ndarjet “Gr.05, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”; “Gr.13, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”; “Gr.15, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme”; “Gr.16, Ministria e Brendshme”, dhe “Gr.26, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”, shtohen nëndarjet përkatëse, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Ngarkohen ministritë dhe institucionet e përmendura në tabelën bashkëlidhur të këtij vendimi të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë detajimin e numrit të punonjësve, kategorinë përkatëse të pagës dhe burimin e financimit të tyre.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.132, DATË 7.3.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR METODOLOGJINË PËR PËRCAKTIMIN E VLERËS SË TAKSUESHME TË PASURISË SË PALUAJTSHME “NDËRTESA”, E BAZËS SË TAKSËS PËR KATEGORI SPECIFIKE, NATYRËN DHE PRIORITETIN E INFORMACIONIT DHE TË DHËNAVE PËR PËRCAKTIMIN E BAZËS SË TAKSËS, SI DHE TË KRITEREVE   DHE RREGULLAVE PËR VLERËSIMIN ALTERNATIV  TË DETYRIMIT TË TAKSËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 21, 22/1, 22/3 e 22/4, të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.132, datë 7.3.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Aneksi 1 zëvendësohet, përkatësisht, me aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Aneksi 2 zëvendësohet, përkatësisht, me aneksin 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I 

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË DOGANAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 15, të ligjit nr.102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Znj. Belinda Ikonomi, drejtor i Përgjithshëm i Doganave, lirohet nga kjo detyrë.

2. Z. Arlind Gjokuta emërohet drejtor i Përgjithshëm i Doganave.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË TATIMEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 17, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Znj. Vasilika Vjero, drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, lirohet nga kjo detyrë.

2. Z. Enton Duro emërohet drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Znj. Belinda Ikonomi emërohet zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*** 

 

V E N D I M

PËR

LIRIM NGA DETYRA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Znj. Albana Shkurta, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, lirohet nga kjo detyrë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË SHKODRËS

Në mbështetje të neneve 100 e 114, të Kushtetutës, dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Z. Çesk Millja, prefekt i Qarkut të Shkodrës, lirohet nga kjo detyrë.

2. Z. Valdrin Pjetri emërohet prefekt i Qarkut të Shkodrës.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

LARGIMIN NGA DETYRA TË NJË ANËTARI TË KOMISIONIT KOMBËTAR RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të pikës 1, të nenit 5, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Z. Rudolf Papa, anëtar i Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura, largohet nga kjo detyrë për shkak të dorëheqjes.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.