Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Mars 2020:

 

V E N D I M

PËR

NJË RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2020, MIRATUAR PËR MINISTRINË E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË DHE AGJENCINË KOMBËTARE TË SHOQËRISË SË INFORMACIONIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, dhe të vendimit nr.460, datë 3.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për një rishpërndarje të fondeve të buxhetit të vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Drejtësisë, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në buxhetin e vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, bëhet rishpërndarja e fondit, si më poshtë vijon:

a) Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin buxhetor “Transporti rrugor” 04520, i pakësohet fondi prej 146 000 000 (njëqind e dyzet e gjashtë milionë) lekësh në shpenzime kapitale;
b) Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, në programin buxhetor “E-Qeverisja” 01140, i shtohet fondi prej 146 000 000 (njëqind e dyzet e gjashtë milionë) lekësh në shpenzime kapitale, për projektin “Për programin e integruar të zhvillimit “Poli i Drejtësisë””, me vlerë 313 000 000 (treqind e trembëdhjetë milionë) lekë.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, TË DOKUMENTACIONIT DHE TË MASËS SË PËRFITIMIT TË NDIHMËS FINANCIARE PËR TË PUNËSUARIT NË SUBJEKTET E BIZNESIT ME TË ARDHURA VJETORE DERI 14 MILIONË LEKË, NDIHMËS EKONOMIKE E TË PAGESËS TË SË ARDHURËS NGA PAPUNËSIA GJATË PERIUDHËS SË FATKEQËSISË NATYRORE, TË SHPALLUR SI PASOJË E COVID-19

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, dhe të pikës 5, të nenit 41, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtim, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

I. TË PËRGJITHSHME

1. Dhënie ndihme financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, për periudhën pas ndërprerjes së aktivitetit ekonomik/marrëdhënieve të punës për shkak të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

2. Dhënien e një pagese shtesë për individët që përfitojnë pagesë të ndihmës ekonomike.

3. Dhënien e një pagese shtesë për individët që përfitojnë pagesën e të ardhurës nga papunësia.

II. SUBJEKTET PËRFITUESE, KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PËRFITIMIN E NDIHMËS FINANCIARE PËR TË PUNËSUARIT NË BIZNESET ME TË ARDHURA DERI 14 MILIONË LEKË NË VIT

1. Ndihma financiare për të vetëpunësuarit/të punësuarit llogaritet dhe jepet sipas listëpagesave të deklaruara nga subjektet tatimpaguese. Për ato subjekte, të cilat i deklarojnë listëpagesat çdo tremujor, merret në konsideratë listëpagesa e tremujorit të fundit të vitit 2019, ndërsa për subjektet, të cilat i deklarojnë listëpagesat çdo muaj, merret në konsideratë listëpagesa e muajit janar 2020. Listëpagesat përditësohen me ndryshimet e deklaruara sipas formularit ESig-27, deri në datën e mbylljes së veprimtarisë.

2. Aplikimi për të përfituar ndihmë financiare bëhet nga subjekti i të vetëpunësuarit/të punësuarit. Individët, që janë në më tepër se në një listëpagesë, përfitojnë si ndihmë financiare vetëm një pagë minimale.

3. Përfituesit e ndihmës financiare janë individët e vetëpunësuar/të punësuar në subjektet me të ardhura vjetore deri 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë për vitin 2019, sipas kategorizimit të mëposhtëm:

a) Personat fizikë të vetëpunësuar;
b) Punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar;
c) Të punësuarit në personat fizikë tregtarë;
ç) Të punësuarit në personat juridikë.

4. Për të përfituar ndihma financiare, duhet që subjekti tatimpagues:

a) të ketë ndërprerë aktivitetin në zbatim të urdhrave përkatës të ministrit së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), të nxjerra për këtë qëllim;
b) të ketë përgjegjësi tatimore për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin dhe tatimin mbi fitimin;
c) të ardhurat e deklaruara të të cilit, sipas deklaratës së tatimit mbi fitimin/tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, për vitin 2019, të jenë deri 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë.

5. Subjektet, që plotësojnë kushtet sipas pikës 4, të këtij kreu, duhet të paraqesin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet portalit e-filinig, kërkesën me të dhënat e përfituesve sipas pikës 3, të këtij kreu, ku përfshihen:

a) Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS;
b) Të dhënat identifikuese të përfituesve, përfshirë të vetëpunësuarit, punonjësit e papaguar të familjes dhe të punësuarit, përfshirë:

i. emrin, atësinë, mbiemrin;
ii. numrin personal të identifikimit të përfituesit;
iii. bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;
iv. numrin e llogarisë bankare.

III. PROCEDURA E VERIFIKIMIT PËR PËRFITIMIN E NDIHMËS FINANCIARE

1. Strukturat e drejtorive rajonale tatimore bëjnë verifikimet dhe identifikojnë aplikuesit dhe të dhënat në kërkesën e tyre, brenda 10 (dhjetë) ditëve të para të muajit pasardhës, duke analizuar:

a) tatimpaguesin dhe veprimtarinë e tij, duke verifikuar nëse bën pjesë në listën e veprimtarive që përfitojnë ndihmën financiare;
b) deklarimet e bëra dhe pagesat e kryera për tatimet dhe kontributet;
c) krahasimisht listën e paraqitur për përfitim ndihme me listëpagesën e dorëzuar në mënyrë elektronike dhe detyrimet e paguara;
ç) të ardhurat e realizuara nga subjekti për vitin 2019.

2. Me qëllim shmangien e abuzimit, strukturat e administratës tatimore, duke përdorur analizën e riskut, mund të kryejnë edhe verifikime në subjektet përfituese për të verifikuar nëse janë të mbyllura.

3. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i paraqet Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit listën përmbledhëse të individëve përfitues të ndihmës financiare për bankën përkatëse, me të dhënat e mëposhtme:

a) emrin, atësinë, mbiemrin, numrin e telefonit, e-mailin;
b) numrin personal të identifikimit të përfituesit;
c) bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;
ç) numrin e llogarisë bankare.

4. Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit kryen pagesat për individët, përfitues sipas këtij vendimi.

5. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ruan dhe administron dokumentacionin e përcaktuar në pikën 5, të kreut II, dhe në pikat 1-3, të kreut III, të këtij vendimi, sipas dispozitave ligjore e nënligjore të parashikuara për ruajtjen e dokumentacionit dhe arkivat.

6. Drejtori i Përgjthshëm i Tatimeve miraton rregullat procedurale për mënyrën e bashkëpunimit me drejtoritë rajonale, institucionet përgjegjëse si dhe procedurat e kalimit në thesar të ndihmës financiare dhe njoftimin e subjekteve përfituese.

IV. MASA E NDIHMËS FINANCIARE, EKONOMIKE DHE E PAGESËS TË SË ARDHURËS NGA PAPUNËSIA

1. Ndihma financiare, që përfitojnë të vetëpunësuarit, punëtorët e papaguar të familjes dhe të punësuarit sipas këtij vendimi, është e barabartë me pagën minimale në fuqi, 26 000 (njëzet e gjashtë mijë) lekë në muaj, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Pagesa e ndihmës ekonomike për subjektet përfituese, sipas vendimit nr.597, datë 4.9.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës mujore të përfitimit të ndihmës ekonomike dhe përdorimit të fondit shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike”, që rezultojnë përfitues të ndihmës ekonomike ose kanë aplikuar për të përpara datës 10 mars, do të jetë sa dyfishi i shumës së llogaritur sipas vendimit të sipërpërmendur.

3. Pagesa e së ardhurës nga papunësia për subjektet përfituese sipas vendimit nr.161, datë 21.3.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për pagesën e së ardhurës nga papunësia”, që rezultojnë përfitues të pagesës të së ardhurës nga papunësia ose kanë aplikuar për të përpara datës 10 mars 2020, do të jetë sa dyfishi i shumës së llogaritur sipas vendimit të sipërpërmendur.

4. Verifikimi, llogaritja dhe shpërndarja për përfituesit sipas pikave 2 dhe 3, të kreut IV, do të bëhet sipas procedurave të dokumentimit e të shpërndarjes nga institucionet e përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi.

V. ÇËSHTJE TË FUNDIT

1. Efektet financiare, në masën 5 850 000 000 (pesë miliardë e tetëqind e pesëdhjetë milionë) lekë, do të përballohen nga zëri “Kontingjenca për paketën sociale anti-COVID”, miratuar në buxhetin e shtetit, për vitin 2020.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtje Sociale, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Agjencia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi (AKPA) dhe Shërbimi Social Shtetëror për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 prill 2020 deri në përfundim të gjendjes së epidemisë nga COVID-19, por jo më shumë se 3 (tre) muaj.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË, MIRATUAR PËR VITIN 2020, PËR PAGESËN E KËSHILLTARIT FINANCIAR PËR MENAXHIMIN E BORXHIT SHTETËROR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në programin buxhetor “Ekzekutimi i pagesave të ndryshme” 01130, i shtohet fondi prej 98 400 000 (nëntëdhjetë e tetë milionë e katërqind mijë) lekësh, për pagesën e këshilltarit financiar për menaxhimin e borxhit shtetëror.

2. Efekti financiar, prej 98 400 000 (nëntëdhjetë e tetë milionë e katërqind mijë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2020.

3. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DHËNIEN E NDIHMËS ME PERSONEL SHËNDETËSOR PËR REPUBLIKËN E ITALISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 35, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e ndihmës me personel shëndetësor, mjekë dhe infermierë, në kushtet e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, Republikës së Italisë.

2. Shpërblimi i mjekëve dhe infermierëve, që do të ofrojnë shërbim shëndetësor sipas pikës 1, të këtij vendimi, do të jetë në vlerën 3 000 (tre mijë) euro në muaj për mjekët dhe 2500 (dy mijë e pesëqind) euro në muaj për infermierët.

3. Fondi prej 11 000 000 (njëmbëdhjetë milionë) lekësh për shpërblimin e personelit shëndetësor, mjekë dhe infermierë, sipas pikës 2, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2020.

4. Ministria e Shëndetësië dhe Mbrojtjes Sociale të bëjë përzgjedhjen e mjekëve dhe infermierëve.
5. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjës Sociale dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të marrin të gjitha masat për të siguruar transportin e personelit shëndetësor, mjekë dhe infermierë, drejt Italisë.

6. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.42, DATË 22.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PËR VITIN 2020”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Shtojca nr.2, bashkëlidhur vendimit nr.42, datë 22.1.2020, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me shtojcën me të njëjtin numër, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2020, për spitalet.

3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NJË RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2020, MIRATUAR PËR MINISTRINË E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republiken e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 18, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

VE N D O S I:

 

1. Në buxhetin e vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bëhet rishpërndarja e fondeve, si më poshtë vijon:

a) Në programin buxhetor “Shërbimet e kujdesit parësor”, në artikullin 604, “Të tjera transferime korrente të brendshme”, pakësohet fondi prej 450 000 000 (katërqind e pesëdhjetë milionë) lekësh;
b) Në programin “Shërbimet e kujdesit dytësor”, në artikullin 604, “Të tjera transferime korrente të brendshme”, shtohet fondi prej 450 000 000 (katërqind e pesëdhjetë milionë) lekësh.

2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E METODOLOGJISË PËR LLOGARITJEN E NIVELEVE TË KOSTOS OPTIMALE PËR KËRKESAT MINIMALE TË PERFORMANCËS SË ENERGJISË SË NDËRTESAVE, TË NJËSIVE DHE TË ELEMENTEVE TË NDËRTESAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.116/2016, “Për performancën e energjisë së ndërtesave”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e metodologjisë për llogaritjen e niveleve të kostos optimale për kërkesat minimale të performancës së energjisë së ndërtesave, të njësive dhe të elementeve të ndërtesave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucioni përgjegjës për efiçencën e energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet më 1 janar 2021 për ndërtesat publike dhe nga data 1 korrik 2021 për ndërtesat e tjera.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS SË ZVICRËS, TË PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA ZVICERANE PËR ZHVILLIM DHE BASHKËPUNIM (SDC) E DEPARTAMENTIT FEDERAL TË PUNËVE TË JASHTME TË ZVICRËS, DUKE VEPRUAR NËPËRMJET AMBASADËS ZVICERANE NË SHQIPËRI, PËR PROGRAMIN “SHËNDET PËR TË GJITHË– HAP”, FAZA E DYTË, PRILL 2019-MARS 2023, NJË PROJEKT DYPALËSH BASHKËPUNIMI DHE ZHVILLIMI, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.4, DATË 6.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës së Zvicrës, të përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, duke vepruar nëpërmjet Ambasadës Zvicerane në Shqipëri, për programin “Shëndet për të gjithë – HAP”, faza e dytë, prill 2019-mars 2023, një projekt dypalësh bashkëpunimi dhe zhvillimi, miratuar me vendimin nr.4, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.269, DATË 29.3.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KATEGORIVE TË INDIVIDËVE QË PLOTËSOJNË KRITERET E PRANIMIT NË NJË PROGRAM TË CIKLIT TË PARË TË STUDIMEVE, NË NJË PROGRAM TË INTEGRUAR TË STUDIMEVE OSE NË NJË PROGRAM TË STUDIMEVE PROFESIONALE, QË PËRJASHTOHEN NGA TARIFA VJETORE E SHKOLLIMIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 8, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, të neneve 1 e 5, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, të neneve 2 e 8, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të neneve 1 e 15, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit të punës”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të ligjit nr.7748, datë 29.7.1993, “Për statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”, të ndryshuar, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr.9642, datë 20.11.2006, “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës, “Për masat kundër trafikimit të qenieve njerëzore””, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Nënndarja “iv”, e shkronjës “c”, të pikës 1, të vendimit nr.269, datë 29.3.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“iv) studentët, të cilët kanë, të paktën, njërin prind person me aftësi të kufizuara, të vërtetuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar;”.

2. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Drejtësisë, Shërbimi Informativ i Shtetit dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.