Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Nëntor 2024:
V EN D I M
PËR
SHPËRBLIMIN E PENSIONISTËVE PËR FESTAT E FUNDVITIT 2024
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpërblimin, në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë, të personave, sipas kategorive të mëposhtme:
a) Personat që përfitojnë pension pleqërie, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, përfshirë edhe këtë masë, sipas ligjeve nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
b) Personat që përfitojnë pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social, sipas ligjeve nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
c) Personat që nuk përfitojnë pension, por janë përfitues vetëm të trajtimit financiar, si fëmijë në përkujdesje të Republikës, sipas ligjit nr.129/2021, “Për statusin fëmijë në përkujdesje të Republikës”;
ç) Personat që nuk përfitojnë pension, por janë përfitues vetëm të trajtimit të veçantë financiar, sipas neneve 5/1/a ose 5/1/b, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
d) Personat që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar, si veteranë të LANÇ-it, sipas vendimit nr.190, datë 3.5.1995, të Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e ligjit nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar””, si dhe personat, të cilët marrin vetëm pension të posaçëm për merita të veçanta, sipas dispozitave të ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
dh) Personat që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, përfshirë edhe këtë masë, sipas ligjit nr.10 142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nuk janë të punësuar në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi;
e) Personat që përfitojnë pension, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, përfshirë edhe këtë masë, sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”;
ë) Personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, përfshirë edhe këtë masë, sipas ligjit nr.8685, datë 22.6.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar;
f) Personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, përfshirë edhe këtë masë, sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar;
g) Personat që përfitojnë pension për shkak të profesionit të vështirë, deri në masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, përfshirë edhe këtë masë, sipas nenit 5, të ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve, që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.
2. Shpërblimin, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë, të personave, sipas kategorive të mëposhtme:
a) Personat që përfitojnë pension pleqërie, me masë pensioni mbi 20 000 (njëzet mijë) lekë, sipas ligjeve nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë, dhe nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
b) Personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, mbi masën e pensionit 20 000 (njëzet mijë) lekë, sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar;
c) Personat që përfitojnë pension, me masë pensioni mbi 20 000 (njëzet mijë) lekë, sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve, që kanë punuar në miniera në nëntokë”;
ç) Personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.8685, datë 22.6.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, me masë përfitimi mbi 20 000 (njëzet mijë) lekë;
d) Personat që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, me masë përfitimi mbi 20 000 (njëzet mijë) lekë, sipas ligjit nr.10 142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
dh) Personat që nuk përfitojnë pension, por që përfitojnë vetëm pension shtetëror të posaçëm, të caktuar në përputhje me nenin 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
e) Personat që nuk përfitojnë pension sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, por përfitojnë pension suplementar, të caktuar sipas ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar;
ë) Personat që përfitojnë pension për shkak të profesionit të vështirë, sipas nenit 5, të ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve, që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve, që kanë punuar në metalurgji”, me masë përfitimi mbi 20 000 (njëzet mijë) lekë.
3. Të drejtën për të përfituar shpërblimin, në masën e përcaktuar sipas pikave 1 e 2, të këtij vendimi, e kanë edhe ata persona që kanë datë të fillimit të përfitimit, deri në datën 31.12.2024, duke përfshirë edhe këtë datë, dhe kanë të drejtë të marrin vetëm një herë këtë shpërblim pavarësisht se mund të përfitojnë më shumë se një përfitim.
4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 9 873 862 000 (nëntë miliardë e tetëqind e shtatëdhjetë e tre milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë) lekë, e ndarë në 9 805 225 000 (nëntë miliardë e tetëqind e pesë milionë e dyqind e njëzet e pesë mijë) lekë për shpërblimin dhe 68 637 000 (gjashtëdhjetë e tetë milionë e gjashtëqind e tridhjetë e shtatë mijë) lekë shpenzime administrative për dhënien e shpërblimit.
5. Shpërblimet kalohen në llogaritë e pensionistëve në muajin dhjetor 2024 dhe paguhen gjatë këtij muaji. Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit dhjetor 2024, ato paguhen deri në datën 30.6.2025. Shpërblimet e patërhequra parashkruhen pas datës 30.6.2025.
6. Administrimi i fondeve buxhetore të shpërblimit të pensionistëve, caktimi i shpërblimit për çdo përfitues dhe pagesa realizohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Posta Shqiptare, sh.a., dhe bankat e nivelit të dytë, sipas të njëjtave procedura, që zbatohen për administrimin e fondit të sigurimeve shoqërore.
7. Efektet financiare, prej 9 873 862 000 (nëntë miliardë e tetëqind e shtatëdhjetë e tre milionë e tetëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë) lekësh, përballohen, si më poshtë vijon:
a) Në masën 3 650 000 000 (tre miliardë e gjashtëqind e pesëdhjetë milionë) lekë, nga fondi “Kontingjencë për bonusin e pensionistëve”, i miratuar në buxhetin e vitit 2024;
b) Në masën 2 444 000 000 (dy miliardë e katërqind e dyzet e katër milionë) lekë, nga fondi “Për indeksimin e pensioneve”, i miratuar në buxhetin e vitit 2024;
c) Në masën 3 779 862 000 (tre miliardë e shtatëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë, nga buxheti i shtetit dhe buxheti i planifikuar për sigurimet shoqërore, për vitin 2024”.
8. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.35, DATË 18.1.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MËNYRËN E FUNKSIONIMIT, TË ORGANIZIMIT DHE TË SHPËRBLIMIT TË KËSHILLIT KOMBËTAR PËR TË DREJTËN E AUTORIT (KKDA)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 156, të ligjit nr.35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.35, datë 18.1.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e funksionimit, të organizimit dhe të shpërblimit të Këshillit Kombëtar për të Drejtën e Autorit (KKDA)”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 2, e kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Emërimi dhe lirimi i anëtarëve bëhet nga ministri përgjegjës për të drejtën e autorit, sipas pikës 1, të nenit 156, të ligjit nr.35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, të ndryshuar. Emërimi i anëtarëve bëhet duke marrë parasysh shmangien nga çdo interes direkt ose indirekt i mundshëm i tyre me subjektet, që ndikohen nga vendimet e KKDA-së, si dhe duke u bazuar në kriteret e përgjithshme të mëposhtme:
a) Të zotërojë diplomë universitare të nivelit “Bachelor” dhe “Master i shkencave” ose “Master profesional” në shkenca juridike/shkenca ekonomike dhe në fushën e arteve;
b) Të ketë të paktën 3 (tre) vjet përvojë pune profesionale në fushat e sipërpërmendura.”.
2. Kudo në tekstin e vendimit, pas citimit të ligjit nr.35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, shtohet fjala “… i ndryshuar …”.
3. Në pikën 5, të kreut II, pas fjalëve “… të nenit 156 …” shtohen “… dhe pikave 5 e 9, të nenit 138 …”.
4. Pika 8, e kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“8. Kryetari i KKDA-së thërret mbledhjet menjëherë me marrjen e kërkesës, në zbatim të pikës 4, të nenit 156, të ligjit nr.35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, të ndryshuar. Mbledhjet janë të vlefshme kur janë të pranishëm të gjithë anëtarët e KKDA-së. Numri i mbledhjeve, që zhvillon KKDA-ja, si rregull, është 5 (pesë), dhe zhvillohen brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga data e depozitimit të kërkesës.”.
5. Pika 20, e kreut II, shfuqizohet.
6. Pika 1, e kreut III, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Shpërblimi për pjesëmarrje në mbledhje, për çdo anëtar, bëhet sipas përcaktimeve të bëra në vendimin nr.656, datë 31.10.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të përhershme të njësive të qeverisjes qendrore”, të ndryshuar.”.
7. Në pikën 2, të kreut III, emërtesa “… Ministria e Kulturës …” zëvendësohet me fjalët “… ministria përgjegjëse për të drejtat e autorit …”.
II. Ngarkohet ministria përgjegjëse për të drejtat e autorit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS DOMENIKANE, PËR HEQJEN E VIZAVE PËR SHTETASIT, MBAJTËS TË PASAPORTAVE DIPLOMATIKE, TË SHËRBIMIT DHE ZYRTARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Domenikane, për heqjen e vizave për shtetasit, mbajtës të pasaportave diplomatike, të shërbimit dhe zyrtare, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.952, DATË 2.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E DOKUMENTIT “STANDARDET SHTETËRORE PËR SPECIFIKIMET TEKNIKE TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË SHQIPËRI – TEMA: IMAZHI I HARTËS BAZË””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 2, shkronja “ç”, e 16, pika 1, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.952, datë 2.12.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Në titullin e vendimit dhe në pikën 1, fjalët “… imazhi i hartës bazë …” zëvendësohen me “… harta bazë …”.
2. Dokumenti “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri – tema: Imazhi i hartës bazë”, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri – tema: Harta bazë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR SIGURINË E PERSONELIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 27, të ligjit nr.10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Për sigurinë e personelit”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.188, datë 4.3.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen ministritë, institucionet shtetërore, Autoriteti Kombëtar i Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar dhe operatorët ekonomikë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
Ve NDIM
PËR
MIRATIMIN E SKEMËS MBËSHTETËSE PËR ARRITJEN E OBJEKTIVIT KOMBËTAR PËR BURIMET E RINOVUESHME TË ENERGJISË NË SEKTORIN E NGROHJES DHE FTOHJES
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.24/2023, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe procedurave të masave mbështetëse për arritjen e objektivit kombëtar për burimet e rinovueshme të energjisë në sektorin e ngrohjes e të ftohjes.
2. Institucioni përgjegjës për realizimin e skemës mbështetëse është agjencia përgjegjëse për eficiencën e energjisë.
3. Burimet e financimit për skemën e mbështetjes përfshijnë:
a) të ardhura nga buxheti i shtetit në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndihmën shtetërore; ose,
b) të ardhurat e institucionit përgjegjës për realizimin e skemës mbështetëse;
c) burime të tjera financimi jashtë buxhetit të shtetit, përfshirë burimet e financimeve të huaja, nëpërmjet programeve apo projekteve të ndryshme për promovimin e eficiencës, burimeve të rinovueshme dhe kursimit të energjisë.
4. Kontributi i energjisë së rinovueshme në kërkesën finale për energji dhe mënyra e mbështetjes për sektorin e ngrohjes dhe ftohjes për arritjen e objektivave përcaktohen në Planin Kombëtar të Energjisë dhe Klimës.
5. Termat e përcaktuar në ligjin nr.24/2023, “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, kanë të njëjtin kuptim edhe në këtë vendim, ndërsa termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:
a) “Klient familjar”, një klient që blen energji elektrike vetëm për konsumin e tij familjar, pa përfshirë konsumin për veprimtari tregtare apo profesionale dhe është i lidhur me tensionin deri 400 V;
b) “Sistemet diellore të ngrohjes së ujit”, sistemet e përbëra nga kolektorë diellorë me sipërfaqe nga 1 m2 deri në 6 m2 dhe me një depozitë për grumbullimin e ujit të ngrohtë nga 100 në 300 litra, që funksionojnë sipas metodës termosifon;
c) “Metoda termosifon”, një metodë për shkëmbimin pasiv të nxehtësisë, bazuar në konveksion natyral që qarkullon fluidin pa nevojën e një pompe ose sistemi mekanik pompimi;
d) “Kaldaja”, një pajisje e cila shfrytëzon nxehtësinë nga djegia e një lënde djegëse për ngrohjen në temperaturë të ulët, të mesme ose të lartë të një fluidi që më pas e transmeton këtë energji për një përdorim të dobishëm;
ç) “Pompë nxehtësie”, një pajisje që duke përdorur energji mekanike transferon nxehtësinë nga një zonë me temperaturë më të ulët në një zonë me temperaturë më të lartë.
II. SKEMA MBËSHTETËSE, ASPEKTET FINANCIARE DHE TEKNOLOGJITË QË PROMOVOHEN
II.1. MASAT SPECIFIKE PËR MBËSHTETJEN FINANCIARE
1. Mbështetja financiare jepet në formën e e mbështetjes në investim.
2. Mbështetja në investim do të mbulojë në çdo rast vetëm një pjesë të kostos së nevojshme për blerjen dhe instalimin e teknologjive që shfrytëzojnë burime të rinovueshme energjie, për realizimin e ngrohjes dhe ftohjes.
3. Forma e masës mbështetëse përcaktohet në ndarjen II.2, të këtij kreu II, në varësi të teknologjisë që shfrytëzon burime të rinovueshme energjie.
4. Mënyra e përfitimit të masës mbështetëse përcaktohet, bazuar në formën e saj dhe burimit të financimit, në urdhrin e ministrit sipas pikës 1, të ndarjes II.3, të këtij kreu.
5. Vlera dhe lloji i masës mbështetëse përcaktuar në këtë vendim ndryshohen periodikisht, të paktën çdo dy vjet, në varësi të një analize të detajuar të bazuar mbi kosto-përfitimin dhe zbatueshmërinë për çdo teknologji përkatëse.
6. Çdo masë mbështetëse, që përbën ndihmë shtetërore, i nënshtrohet miratimit sipas legjislacionit në fuqi për ndihmën shtetërore.
II.2. TEKNOLOGJITË E RINOVUESHME NË NGROHJE DHE FTOHJE, KËRKESAT MINIMALE DHE FINANCIMI
1. Klientët familjarë mund të aplikojnë për përfitimin e skemës mbështetëse sipas njërës prej teknologjive të paraqitura në pikën 3, të kësaj ndarjeje.
2. Aplikimi i skemës mbështetëse nis pas miratimit të urdhrit sipas pikës 1, të ndarjes II.3, të këtij kreu.
3. Kërkesat minimale dhe financimi i teknologjisë përkatëse që shfrytëzon burime të rinovueshme energjie janë, si më poshtë vijon:
a) Për sistemet diellore të ngrohjes së ujit:
i. financimi përfshin 70% të vlerës së investimit, llogaritur për një vlerë maksimale investimi prej 140 000 (njëqind e dyzet mijë) lekësh, pa TVSH;
ii. sipërfaqja e kolektorëve deri në 6 m2;
iii. kapaciteti i depozitës deri në 300 litra;
iv. eficienca e sistemit mbi 50%.
b) Për kaldajat me biomasë ose biokarburant:
i. financimi përfshin 20% të vlerës së investimit për një vlerë maksimale investimi prej 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, pa TVSH;
ii. fuqia nominale deri në 16 kWt;
iii. konsumi i lëndës djegëse deri në 5 kg/orë;
iv. eficienca e kaldajës mbi 85%.
c) Për pompat e nxehtësisë (ajër, ujë, gjeotermale):
i. financimi përfshin 20% të vlerës së investimit për një vlerë maksimale investimi prej 600 000 (gjashtëqind mijë) lekësh, pa TVSH;
ii. fuqia nominale deri në 20 kWt;
iii. koeficienti i performancës mbi 4.5;
ç) Për ngrohjen dhe ftohjen qendrore në banesa:
i. financimi përfshin 30% të vlerës së investimit për një vlerë maksimale investimi prej 3 000 000 (tre milionë) lekësh, pa TVSH;
ii. fuqia nominale mbi 250 kWt;
iii. koeficienti i performancës mbi 2.
.
II.3. SKEMA MBËSHTETËSE
1. Ministri miraton urdhrin për përcaktimin e kuotave, kritereve, rregullave, procedurave dhe metodologjisë për klientët familjarë që përfitojnë nga masat e financimit për kursimin e energjisë nga:
a) panelet diellore për ngrohjen e ujit me depozitë;
b) impiantet e vogla të biomasës;
c) pompat e nxehtësisë;
ç) ngrohja dhe ftohja qendrore.
2. Urdhri sipas pikës 1 përcakton të gjitha kriteret e nevojshme për realizimin me sukses dhe shfrytëzimin afatgjatë të teknologjisë së përftuar përmes skemës mbështetëse, duke përfshirë kriteret e projektimit, të sigurisë, të qëndrueshmërisë, të mirëmbajtjes periodike dhe strukturën monitoruese.
3. Përfitimi i mbështetjes sipas shkronjave “b”, “c” dhe “ç” të pikës 1, të kësaj ndarjeje, do të mundësohet vetëm për rastet kur klientët fundorë synojnë të zëvendësojnë teknologji ekzistuese që shfrytëzojnë burime fosile. Urdhri i ministrit ezauron në mënyrë specifike të gjitha kërkesat dhe kriteret përkatëse të teknologjive.
4. Përpara përfitimit të mbështetjes sipas shkronjave “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 1, klientët fundorë duhet të garantojnë të paktën plotësimin e kërkesave minimale të performancës së energjisë në ndërtesa, sipas vendimit nr.537, datë 8.7.2020, të Këshillit të Ministrave, përmes certifikatës përfundimtare të performancës së energjisë.
5. Agjencia përgjegjëse për eficiencën e energjisë propozon skemat, të cilat përfshijnë kriteret, rregullat, procedurat dhe metodologjinë e përfitimit nga klientët familjarë të masave të financimit për kursimin e energjisë në sektorin e ngrohjes dhe ftohjes.
III. APLIKIMI DHE KUALIFIKIMI I OPERATORËVE EKONOMIKË
III.1. PROCEDURA E REGJISTRIMIT PËR OPERATORËT EKONOMIKË
1. Agjencia përgjegjëse për eficiencën e energjisë shpall hapjen e aplikimeve për regjistrimin e operatorëve ekonomikë që tregtojnë ose instalojnë teknologjitë e rinovueshme në ngrohje dhe ftohje me qëllim evidentimin e teknologjisë dhe ofertën për instalimin e saj.
2. Pajisjet e ofruara duhet t’i përkasin dy klasave më të larta të eficiencës së energjisë, në përputhje me ligjin për etiketimin e produkteve me ndikim në energji dhe akteve nënligjore përkatëse.
3. Operatorët ekonomikë dërgojnë ofertat ekonomike për modelet e pajisjeve që ato tregtojnë, të cilat plotësojnë kushtet e përcaktuara në këtë vendim si dhe në urdhrin e ministrit sipas pikës 1, të ndarjes II.3, të kreut II, së bashku me listën e dokumenteve të kërkuara sipas ndarjes III.3, të këtij kreu.
4. Procesi i regjistrimit të operatorëve ekonomikë dhe kualifikimi i tyre realizohen brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve kalendarike.
III.2. KUSHTET DHE KRITERET PËR REGJISTRIMIN E OPERATORËVE EKONOMIKË
Operatorët ekonomikë që duan të jenë pjesë e ofruesve të kësaj skeme duhet plotësojnë këto kritere:
a) Të jenë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, sipas legjislacionit në fuqi, të kenë status aktiv dhe të kenë në fushën e veprimtarisë objektin e financimit;
b) Të vërtetojnë se nuk kanë detyrime ndaj organeve tatimore;
c) Të sigurojnë dokumente që vërtetojnë se garancia e pajisjes është në përputhje ose më e madhe sesa koha e përcaktuar në urdhrin e ministrit sipas pikës 1, të ndarjes II.3, të kreut II;
ç) Të disponojnë skedën teknike të instalimit termik, sipas kritereve teknike të kërkuara;
d) Të disponojnë preventivin/ofertën për instalimin termik, duke përfshirë dhe kostot e transportit e të instalimit. Oferta financiare do të jetë detyruese dhe ofertuesi nuk mund të lëshojë faturë me çmim të ndryshëm nga oferta e paraqitur për çdo aplikues në varësi të qytetit;
dh) Të deklarojnë një listë statistikore të qyteteve ku mund të ofrojnë shërbimin;
e) Të disponojnë një deklaratë përgjegjësie për çdo kontrate shitjeje, sipas së cilës pranojnë kryerjen e shërbimit kundrejt konsumatorëve familjarë nga shitja deri te kolaudimi i sistemit termik, brenda afatit të përcaktuar në urdhrin sipas pikës 1, të ndarjes II.3, të kreut II.
III.4. LISTA E KËRKUAR E DOKUMENTACIONIT TË NEVOJSHËM PËR APLIKIM
1. Lista e dokumenteve që duhet të paraqesë operatori për aplikim është, si më poshtë vijon:
a) Kërkesa për regjistrim si operator, e nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor, e cila përmban të dhënat e subjektit, NIPT-in dhe adresën;
b) Vërtetimi mbi garancinë e sistemit;
c) Skeda teknike për komponentët kryesorë të sistemit.
2. Kriteret e përcaktuara në shkronjat “dh” dhe “e” të ndarjes III.3, të këtij kreu, plotësohen përmes dorëzimit të një vetëdeklarimi.
IV. KLIENTËT FAMILJARË PËRFITUES, APLIKMI DHE PËRZGJEDHJA
IV.1. PROCEDURA E APLIKIMIT
1. Agjencia përgjegjëse për eficiencën e energjisë shpall datën e nisjes së aplikimeve me kërkesë për klientët familjarë pas përfundimit të procesit të regjistrimit të operatorëve ekonomikë.
2. Agjencia përgjegjëse për eficiencën e energjisë, të paktën 15 (pesëmbëdhjetë) ditë përpara datës së caktuar për pranimin e kërkesave, publikon të gjitha dhënat e subjekteve të kualifikuara së bashku me listën e produkteve që ato ofrojnë si dhe vlerat ekonomike për çdo produkt në platformën on-line, të ndërtuar për këtë qëllim.
3. Procesi i dorëzimit të kërkesave nis në orën 00:01 të datës së caktuar.
4. Me dorëzimin e kërkesës, kërkuesi pajiset me një numër rendor dhe merr përgjigje brenda 2 (dy) ditëve pune për pranimin ose jo të aplikmit të tyre.
5. Vlerësimi i kërkesave bëhet sipas numrit rendor.
6. Subjektet, që nuk kualifikohen, njoftohen për arsyet e mospranimit të aplikimit dhe kanë të drejtë të çelin një aplikim të ri duke humbur numrin rendor të mëparshëm.
7. Çdo kërkesë e dorëzuar pas plotësimit të kuotave fituese nuk do të konsiderohet.
IV.2. KUSHTET DHE KRITERET PËR KLIENTËT FAMILJARË PËRFITUES
1. Klientët familjarë, që kërkojnë të aplikojnë për përfitimin e mbështetjes për realizimin e investimit, duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:
a) Të paraqesin një vërtetim ose kontratën ekzistuese me OSHEE/FSHU-në ku të jenë të klasifikuar si abonentë familjarë ose një historik të konsumit të energjisë prej të paktën 1 viti, vërtetuar me vërtetim nga furnizuesi ose me fatura;
b) Të paraqesin dokumente ku të vërtetohet se konsumi mesatar i energjisë elektrike për vitin paraardhës duhet të jetë më i madh se 400 kWh për çdo muaj, kur aplikohet për sistemet që shfrytëzojnë burime të rinovueshme sipas shkronjës “a” të pikës 3, të të ndarjes II.2, të kreut II;
c) Të paraqesin raportin e auditimit energjetik sipas ligjit për eficiencën e energjisë, kur aplikohet për sistemet që shfrytëzojnë burime të rinovueshme sipas shkronjave “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 3, të ndarjes II.2, të kreut II;
ç) Të paraqesin dokumente ku të vërtetohet se nuk janë debitorë ndaj OSHEE/ FSHU-së;
d) Të paraqesin dokumente ku të vërtetohet se kanë paguar të gjitha taksat vendore.
dh) Të zotërojnë certifikatë pronësie për banesën ose njësinë e banimit (rastet që janë në proces legalizimi nuk do të konsiderohen).
2. Kriteri i përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 1, nuk do të zbatohet për abonentët që klasifikohen si konsumatorë që trajtohen me ndihmë ekonomike nga ministria përgjegjëse për punët sociale.
3. Konsumatorët familjarë, të cilët do të kualifikohen për përfitimin nga kjo skemë mbështetëse, do të duhet të përzgjedhin një nga subjektet e regjistruara pranë Agjencisë për Eficiencën e Energjisë për marrjen e shërbimit.
4. Kritere të tjera specifike për klientët familjarë përfitues do të përcaktohen në urdhrin përkatës sipas pikës 1, të ndarjes II.3, të kreut II.
IV.3. DOKUMENTACIONI I NEVOJSHËM PËR APLIKIM
Lista e dokumenteve që duhet të paraqitet për aplikim është, si më poshtë vijon:
a) Letërnjoftimi (karta e identitetit);
b) Certifikata familjare;
c) Certifikatë pronësie;
ç) Faturat e OSHEE/ FSHU-së ose vërtetim faturash për të paktën 12 (dymbëdhjetë) muajt e fundit;
d) Vërtetim të ardhurash për çdo pjesëtar të familjes;
dh) Vërtetim që abonenti nuk rezulton debitor ndaj OSHEE/ FSHU-së;
e) Për konsumatorët në nevojë, një vërtetim nga ministria përgjegjëse për punët sociale që abonenti bën pjesë në këtë kategori;
ë) Projekti dhe relacioni i realizuar nga një inxhinier i licencuar të paktën sipas kategorisë 4.b të vendimit nr.759/2014 të Këshillit të Ministrave, “Për licencimin profesional të individëve dhe personave juridikë që do të ushtrojnë veprimtari në fushën e studimit e të projektimit në ndërtim dhe mbikëqyrjes e kolaudimit të punimeve të zbatimit në ndërtim”, të ndryshuar”, shoqëruar me deklaratën e përgjegjësisë profesionale dhe licenën përkatëse. Ky dokument mund të përjashtohet vetëm për impiantet diellore për ngrohjen e ujit;
f) Sipas rastit, leje për realizimin e punimeve referuar parashikimeve të vendimit nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, të ndryshuar;
V. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Zbatimi i skemës mbështetëse monitorohet nga agjencia përgjegjëse për eficiencën e energjisë në bashkëpunim me struktura të tjera të cilat përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për energjinë për ngritjen e grupit të monitorimit.
2. Grupi për monitorimin e procesit ngrihet menjëherë pas miratimit të urdhrit sipas pikës 2, të ndarjes II.3, të kreut II, dhe përbëhet nga 5 anëtarë me formim, si më poshtë vijon:
a) 3 (tre) inxhinierë mekanikë/mjedisi/drejtimi energjetik; ose
b) 2 (dy) ekonomistë/ juristë.
3. Grupi për monitorimin dhe verifikimin e skemës mbështetëse ndjek të gjitha procedurat në terren për mbikëqyrjen e procesit dhe raporton në mënyrë periodike tek agjencia përgjegjëse për eficiencën energjisë dhe çdo 6 (gjashtë) muaj pranë ministrit përgjegjës për energjinë.
4. Të gjitha kursimet e arritura raportohen si pjesë e masave të marra në kuadër të Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës.
5. Institucionet publike dhe subjektet private, të cilat mund të klasifikohen si klientë, nuk përfitojnë nga skema mbështetëse sipas këtij vendimi.
6. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia për Eficiencën e Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Vasilika Vjero, zëvendësministër i Financave, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
AKT NORMATIV
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.29/2023 “PËR TATIMINMBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Pas pikёs 5, tё nenit 69, “Dispozita kalimtare”, tё ligjit nr.29/2023, “Pёr tatimin mbi tё ardhurat”, tё ndryshuar, shtohet pika 6, me këtë përmbajtje:
“6. Parapagimet/këstet e paguara apo të gjeneruara në zbatim të nenit 63, të këtij ligji, nga të vetëpunësuarit, si dhe entitetet me të ardhura bruto deri në 14 milionë lekë në vit, të cilat furnizojnë shërbime profesionale sipas përcaktimeve të pikёs 1, të nenit 4, dhe tabelës analitike nr.2, të vendimit nr.753, datë 20.12.2023, tё Kёshillit tё Ministrave, “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr.29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të shfuqizuar me vendimin nr.52, datё 27.6.2024, tё Gjykatёs Kushtetuese tё Republikёs sё Shqipёrisё, u rimbursohen tatimpaguesve apo u fshihen nga administrata tatimore, brenda datës 30 dhjetor 2024.
Shuma e kësteve të paguara do të pasqyrohet te klasa përkatëse e të ardhurave dhe, nëpëmjet degës së thesarit, administrata tatimore kryen rimbursimin në llogarinë bankare të tatimpaguesit.
Drejtori i Përgjthshëm i Tatimeve, me akt të brendshëm, miraton rregullat procedurale për zbatimin e kësaj pike.”.
Neni 2
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU