Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Nëntor 2026:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KRITEREVE, TË DOKUMENTACIONIT DHE TË PROCEDURAVE PËR CERTIFIKIMIN E VEPRIMTARISË SË AGROTURIZMIT, NDËRTIMIN E STRUKTURAVE/OBJEKTEVE NË FUNKSION TË SAJ, SI DHE TË MODELIT TË CERTIFIKATËS PËR USHTRIMIN E VEPRIMTARISË SË AGROTURIZMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 45/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim miraton kriteret, dokumentacionin dhe procedurat për certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit, ndërtimin e strukturave pritëse në funksion të saj, procedurat për dhënien, ripërtëritjen, pezullimin dhe shfuqizimin e certifikatave, si dhe modelin e certifikatës për ushtrimin e veprimtarisë së agroturizmit.
2. Ushtrimi i veprimtarisë pritëse të certifikuar si “Agroturizëm” lejohet vetëm për subjektet që plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë vendim dhe janë pajisur me certifikatën përkatëse. Vetëm subjektet e certifikuara sipas këtij vendimi kanë të drejtë të përdorin në emrin e tyre tregtar ose në ambientet e tyre emërtimin “Agroturizëm”.
3. Në kuptim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Strukturë pritëse”, çdo strukturë që ofron për vizitorët të paktën një nga shërbimet e mikpritjes, si ushqim dhe pije, kantinë, ambiente degustimi, akomodim, aktivitete kulturore dhe edukative, shërbime kujdesi dhe mirëqenieje ose shërbime të tjera të ngjashme, me kusht që këto veprimtari të zhvillohen brenda hapësirës së fermës ose njësisë agrokulturore ku ushtrohet veprimtaria e agroturizmit;
b) “Veprimtari pritëse”, veprimtaria që zhvillohet në fermat bujqësore, fermat blegtorale, njësitë e peshkimit, akuakulturës ose njësitë e tjera agrokulturore, në të cilat vizitorëve u ofrohen aktivitete të lidhura me prodhimin bujqësor, blegtoral, të peshkimit, akuakulturës ose me mjedisin përreth, me qëllim argëtues, edukues ose promovues;
c) “Fermë”, njësia ekonomike bazë në bujqësi dhe në veprimtaritë ekonomike të lidhura me të, e përbërë nga toka, objektet, pajisjet, kafshët ose resurset e tjera të përdorura për prodhimin bujqësor, blegtoral ose akuakulturor;
ç) “Certifikatë paraprake për veprimtari pritëse në agroturizëm”, në vijim “Certifikatë paraprake”, akti administrativ i lëshuar nga ministri përgjegjës për turizmin, me propozimin e Komisionit të Certifikimit të Veprimtarisë së Agroturizmit, për projektet e agroturizmit që i nënshtrohen procedurave të lejes së zhvillimit dhe/ose lejes së ndërtimit, sipas përcaktimeve të këtij vendimi;
d) “Certifikatë për veprimtari pritëse në agroturizëm”, në vijim “Certifikatë”, akti administrativ i lëshuar nga ministri përgjegjës për turizmin ose personi i autorizuar prej tij, me propozimin e Komisionit të Certifikimit të Veprimtarisë së Agroturizmit për subjektet që përmbushin kriteret dhe kushtet e përcaktuara në këtë vendim për ushtrimin e veprimtarisë së agroturizmit;
dh)“Komisioni i Certifikimit të Veprimtarisë së Agroturizmit”, në vijim Komisioni, organi kolegjial i ngritur me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin, përgjegjës për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për pajisjen me “Certifikatë paraprake”, “Certifikatë”, ripërtëritjen, pezullimin dhe shfuqizimin e tyre;
e) “Sekretariati teknik i komisionit”, struktura administrative pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin, e cila administron procedurat e shqyrtimit të kërkesave dhe mbështet veprimtarinë e Komisionit;
ë) “Produkte me origjinë nga ferma”, produktet bujqësore, blegtorale, të peshkimit, akuakulturës ose produktet e përpunuara që prodhohen ose përpunohen në fermën ose njësinë agrokulturore ku ushtrohet veprimtaria e agroturizmit;
f) “Produkte lokale”, produktet e prodhuara ose të përpunuara brenda territorit të njësisë së vetëqeverisjes vendore ku ushtrohet veprimtaria e agroturizmit ose, kur kjo nuk është e mundur, brenda qarkut përkatës;
g) “Subjekt”, fermerët, grupet e fermerëve, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB), organizatat e menaxhimit të peshkimit (OMP), si dhe çdo person fizik ose juridik që ushtron ose synon të ushtrojë veprimtarinë e agroturizmit, në përputhje me këtë vendim. Fermerët duhet të jenë të regjistruar dhe të pajisur me identifikuesin përkatës, sipas legjislacionit në fuqi, ndërsa subjektet e tjera duhet të jenë të regjistruara dhe të pajisura me NUIS/NIPT, sipas legjislacionit në fuqi.
II. KRITERET PËR CERTIFIKIMIN E VEPRIMTARISË PRITËSE I “AGROTURIZËM” DHE NDËRTIMIN E STRUKTURAVE/OBJEKTEVE NË FUNKSION TË AGROTURIZMIT
1. Veprimtaria “Agroturizëm” zhvillohet në një fermë ose njësi tjetër bujqësore që përmbush të paktën një nga kriteret e mëposhtme:
a) Fermë bujqësore me jo më pak se 1 (një) hektar tokë në pronësi ose përdorim, të mbjellë me kultura bujqësore;
b) Fermë blegtorale, e cila disponon të paktën 0.5 (zero pikë pesë) ha tokë në pronësi ose përdorim dhe mbarështon të paktën një nga kategoritë e mëposhtme:
i. 10 krerë gjedhë;
ii. 100 krerë dele ose dhi;
iii. 200 krerë shpendë; ose
iv. 200 lepuj;
v. 50 zgjoje bletësh;
vi. 20 krerë derra;
vii. 10 krerë njëthundrakë;
viii. kombinim të të paktën dy kategorive të kafshëve të parashikuara në këtë shkronjë, ku numri i krerëve për secilën kategori të jetë jo më i vogël se 50% e pragut minimal të përcaktuar për kategorinë përkatëse.
c) Njësi akuakulture, me sipërfaqe ujore jo më të vogël se 3 000 (tre mijë) m², e përdorur për kultivimin dhe rritjen e peshkut, midhjes ose organizmave të tjerë ujorë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për akuakulturën si dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi për burimet ujore.
2. Kur veprimtaria përfshin përpunimin e produkteve bujqësore ose blegtorale, subjekti duhet të disponojë ambiente të përshtatshme për mbledhjen, prodhimin, përpunimin, ambalazhimin dhe ruajtjen e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke respektuar standardet e higjienës dhe sigurisë ushqimore.
3. Subjektet, që ushtrojnë veprimtarinë e agroturizmit, ofrojnë:
a) ushqim dhe pije të përgatitura, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në pikën 5, të këtij kreu;
b) aktivitete argëtuese dhe/ose edukative të lidhura me fermën ose mjedisin përreth;
c) akomodim, si shërbim jo i detyrueshëm për ushtrimin e veprimtarisë së agroturizmit.
Në rastet kur ofrohet, struktura akomoduese duhet të ketë një kapacitet deri në 60 (gjashtëdhjetë) shtretër.
4. Struktura në funksion të agroturizmit, që ofron shërbimin e ushqimit dhe pijeve, duhet të ketë ambiente të përshtatshme dhe të përmbushë kërkesat e legjislacionit në fuqi për sigurinë ushqimore dhe kushtet higjieno-sanitare.
5. Produktet ushqimore dhe pijet e ofruara në subjektet e certifikuara si agroturizëm duhet të jenë:
a) jo më pak se 30% me origjinë nga ferma ose njësia bujqësore e subjektit;
b) jo më pak se 40% me origjinë lokale, brenda territorit të njësisë së vetëqeverisjes vendore ku ushtrohet veprimtaria e agroturizmit;
c) jo më shumë se 30% me origjinë tjetër.
6. Përmbushja e kritereve të përcaktuara, sipas pikës 5 të këtij kreu, vlerësohet në nivel vjetor të veprimtarisë së subjektit dhe jo për çdo furnizim apo produkt individual dhe provohet nëpërmjet dokumentacionit, si më poshtë:
a) Kriteri prej jo më pak se 30% të produkteve me origjinë nga ferma ose njësia bujqësore e subjektit duhet të vërtetohet nëpërmjet dokumentacionit që provon ushtrimin e aktivitetit bujqësor ose blegtoral, regjistrave të prodhimit, dokumentacionit të fermës, si dhe faturave të shitjes së produkteve të prodhuara prej saj.
b) Kriteri prej jo më pak se 40% të produkteve me origjinë lokale duhet të vërtetohet nëpërmjet kontratave ose marrëdhënieve të dokumentuara me prodhuesit lokalë, të shoqëruara me faturat tatimore përkatëse dhe regjistrin e furnitorëve.
c) Kriteri prej jo më shumë se 30% të produkteve me origjinë tjetër duhet të vërtetohet nëpërmjet faturave tatimore, certifikatave veterinare shëndetësore për produktet me origjinë shtazore, certifikatave fitosanitare për bimet dhe produktet bimore si dhe për produktet me origjinë joshtazore, kopje të certifikatës së origjinës si dokument doganor ose packing list nëse e ka të shprehur vendin e origjinës si dhe çdo dokument tjetër zyrtar që provon origjinën e produkteve ushqimore.
7. Strukturat dhe objektet në funksion të agroturizmit duhet të respektojnë:
a) kushtet e zhvillimit për ndërtim, të përcaktuara në planet e përgjithshme vendore ose në rregulloret e veçanta të miratuara nga KKTU-ja, për rastet në kompetencë të tij. Për objekte me karakter bujqësor dhe blegtoral, në funksion të agroturizmit, duhet të plotësohen kriteret e përcaktuara në vendimin nr.283, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tipave, rregullave, kritereve dhe procedurave për ndërtimin e objekteve për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, në tokë bujqësore”, të ndryshuar, si dhe të gjitha elementet e ndërtimit, funksionimit, higjienës dhe mjedisit të jenë të përshtatshme, të sigurta dhe në përputhje me standardet ligjore për të garantuar mirëqenien e kafshëve, cilësinë e produkteve dhe mbrojtjen e mjedisit.
b) kushtet dhe kriteret për projektimin dhe ndërtimin e strukturave akomoduese, sipas legjislacionit në fuqi;
c) kushtet dhe kriteret për kategorizimin e strukturave akomoduese, sipas legjislacionit në fuqi;
ç) karakteristikat arkitektonike të zonës, kur është e mundur;
d) legjislacionin në fuqi për zonat e mbrojtura dhe legjislacionin sektorial përkatës në rastet kur zhvillohen brenda zonave të mbrojtura.
8. Kriteret e përcaktuara në këtë vendim janë të detyrueshme për zbatim nga autoritetet përgjegjëse të zhvillimit të territorit referuar kushteve të zhvillimit, të përcaktuara në dokumentet e planifikimit apo në rregulloret e veçanta, të miratuara nga KKTU-ja, për rastet në kompetencë të tij.
9. Leja e zhvillimit dhe leja e ndërtimit për strukturat dhe objektet në funksion të agroturizmit lëshohen nga njësia e vetëqeverisjes vendore, në përputhje me dokumentet e planifikimit vendor në fuqi.
10. Në rast se zona ku propozohet zhvillimi i veprimtarisë së agroturizmit ndodhet brenda brezit bregdetar, leja e zhvillimit dhe leja e ndërtimit lëshohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, sipas procedurës së mëposhtme:
a) Kërkesa për leje zhvillimi dhe leje ndërtimi paraqitet pranë sekretariatit teknik të KKTU-së, për miratim nga KKTU-ja.
b) Pas pajisjes me leje zhvillimi, subjekti duhet të paraqitet pranë ministrisë përkatëse për turizmin për t’u pajisur me “Certifikatë paraprake për veprimtari në agroturizëm”, si kusht i domosdoshëm për pajisjen e subjektit me leje ndërtimi.
c) Në rast se subjekti nuk pajiset me “Certifikatë paraprake për veprimtari në agroturizëm”, nga ministria përkatëse për turizmin, leja e zhvillimit do të konsiderohet e shfuqizuar.
ç) Pas pajisjes me “Certifikatë paraprake për veprimtari në agroturizëm”, subjektit i lind e drejta për të paraqitur kërkesën pranë sekretariatit teknik për pajisjen me leje ndërtimi nga KKTU-ja.
d) Në rastet e miratimit në KKTU, me regjstrimin e vendimit të KKTU-së në regjistrat e posaçëm të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës apo drejtorive rajonale të saj, kryhet konvertimi i zërit kadastral nga “arë” në “truall”.
11. Në mungesë të planit të përgjithshëm vendor, zbatohen kriteret minimale të përcaktuara në këtë vendim, si më poshtë:
a) Kërkesa për leje zhvillimi dhe leja e ndërtimit paraqiten pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse. Njësia e vetëqeverisjes vendore ka detyrimin që gjatë shqyrtimit të procedurës për pajisjen e subjektit me leje zhvillimi të marrë mendim nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, si dhe ministria përgjegjëse për turizmin;
b) AZHT-ja dhe ministria përkatëse për turizmin, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve punë nga marrja e projektpropozimit dhe dokumentacionit përkatës, njofton njësinë e vetëqeverisjes vendore dhe kërkuesin për rezultatin e kontrollit;
c) Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore vendos brenda 7 (shtatë) ditëve punë për miratimin e lejes së zhvillimit, sipas rastit, pavarësisht zërit kadastral të pasurisë, objekt zhvillimi;
ç) Pas pajisjes me leje zhvillimi, subjekti duhet të paraqitet pranë ministrisë përkatëse për turizmin për t’u pajisur me “Certifikatë paraprake për veprimtari në agroturizëm”, si kusht i domosdoshëm për pajisjen e subjektit me leje ndërtimi;
d) Në rast se subjekti nuk pajiset me “Certifikatë paraprake për veprimtari në agroturizëm” nga ministria përkatëse për turizmin, leja e zhvillimit do të konsiderohet e shfuqizuar.
dh)Pas pajisjes me “Certifikatë paraprake për veprimtari në agroturizëm”, subjektit i lind e drejta për të paraqitur kërkesën pranë autoritetit vendor për pajisjen me leje ndërtimi;
e) Për rastet në kompetencë të njësisë së vetëqeverisjes vendore, ndryshimi i zërit kadastral nga “arë” në “truall” kryhet vetëm pas regjistrimit të lejes së ndërtimit në regjistrat e posaçëm të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës apo drejtorive rajonale të saj.
III. KËRKESA DHE DOKUMENTACIONI PËR CERTIFIKIMIN E VEPRIMTARISË SË AGROTURIZMIT
1. Kërkuesi për pajisjen me “Certifikatë paraprake” ose “Certifikatë” për ushtrimin e veprimtarisë së agroturizmit paraqet kërkesë nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, së bashku me dokumentacionin e përcaktuar në këtë kre.
2. Kërkesa shqyrtohet nga Komisioni i Certifikimit të Veprimtarisë së Agroturizmit, në përputhje me kriteret, dokumentacionin dhe procedurat e përcaktuara në këtë vendim.
3. Për pajisjen me “Certifikatë paraprake”, kërkuesi plotëson formularin e kërkesës “Për pajisjen me “Certifikatë paraprake për veprimtari pritëse në agroturizëm”, në portalin unik qeveritar “e-Albania” dhe ngarkon dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Lejen e zhvillimit për agroturizmin, objekt projektpropozimi, së bashku me hartën e planvendosjes së strukturave, të miratuar nga autoriteti kompetent, projektin teknik të plotë të strukturës së agroturizmit, të nënshkruar nga projektuesi përgjegjës, ku përfshihen elementet përbërëse të veprimtarisë, si ferma bujqësore ose blegtorale, struktura pritëse, shërbimet e akomodimit, ushqimit dhe pijeve, ambientet e degustimit, si dhe veprimtaritë ndihmëse në funksion të tyre;
b) Relacionin shpjegues mbi aktivitetet bujqësore, blegtorale, të akuakulturës ose të përpunimit agroblegtoral, si dhe mënyrën e integrimit të tyre me aktivitetet turistike.
4. Dokumentacioni i përcaktuar në pikën 3 të këtij kreu duhet të jetë i njëjtë me dokumentacionin e paraqitur pranë autoriteteve përgjegjëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit për pajisjen me leje zhvillimi ose leje ndërtimi.
5. Për pajisjen me “Certifikatë”, subjekti plotëson në portalin unik qeveritar “e-Albania” formularin e kërkesës për pajisjen me “Certifikatë për veprimtari pritëse në agroturizëm” dhe ngarkon dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Në rastet kur ofrohet shërbimi i akomodimit:
i. certifikatën e kategorizimit të strukturës akomoduese, nëse subjekti është i pajisur me të;
ii. në mungesë të saj, zbatohen procedurat e përcaktuara në pikën 11, të kreut IV, të këtij vendimi.
b) Dokumentacionin që provon pronësinë ose të drejtën e përdorimit të tokës ku zhvillohet veprimtaria fermës, sipas njërit prej dokumenteve:
i. Certifikatës së pronësisë, kartelës së pasurisë dhe fragmentit të hartës kadastrale;
ii. Kontratës së qirasë;
iii. Kontratës ku vërtetohet e drejta e përdorimit;
iv. Vërtetimit të lëshuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në rastet kur struktura pritëse ndodhet në zona të pamenaxhuara;
v. Certifikatës së përdorimit të ndërtimit lëshuar nga njësia e qeverisjes vendore, në rastet kur objekti nuk është pajisur me dokumentacionin e pronësisë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës;
vi. Lejes së legalizimit të lëshuar nga drejtoria vendore përkatëse e Agjencisë Shtetërore.
c) Në rastet kur subjekti ushtron veprimtari të akuakulturës ose peshkimit, lejen përkatëse të ushtrimit të aktivitetit dhe genplanin e sipërfaqes ujore;
ç) Fotografisë së fermës, strukturës pritëse dhe njësisë prodhuese;
d) Planimetrisë së strukturës ku zhvillohet veprimtaria;
dh)Relacionit shpjegues mbi aktivitetet bujqësore, blegtorale, të akuakulturës ose të përpunimit agroblegtoral që zhvillohen në subjekt, si dhe mënyrës së integrimit të tyre me aktivitetet turistike;
e) Vetëdeklarimit për përmbushjen e kërkesave mbi përqindjen e produkteve me origjinë nga ferma dhe ato lokale, sipas përcaktimeve të këtij vendimi;
ë) Deklaratës mbi veprimtarinë argëtuese dhe/ose edukative të lidhura me fermën ose mjedisin që do të ofrohen, së bashku me përshkrimin dhe itineraret përkatëse.
6. Për qëllime të shqyrtimit të kërkesës, pas funksionalizimit të sistemit të të dhënave në turizëm dhe realizimit të ndërveprimit me sistemet elektronike shtetërore përkatëse, ministria përgjegjëse për turizmin siguron, nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania” dhe sistemeve të ndërveprimit ndërinstitucional, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Për subjektin, që zotëron fermë blegtorale, vërtetimin e regjistrimit të fermës dhe numrit të kafshëve të matrikulluara, sipas kategorive, nga Sistemi i Identifikimit dhe Regjistrimit të Kafshëve (RUDA);
b) Për subjektin, që ushtron veprimtarinë e bletërritjes, vërtetimin e regjistrimit të fermës dhe numrit të zgjojeve të matrikulluara nga Sistemi i Identifikimit dhe Regjistrimit të Kafshëve (RUDA);
c) Për subjektin, që ushtron aktivitet përpunues bujqësor ose blegtoral, dokumentin ligjor që vërteton ushtrimin e veprimtarisë përpunuese;
ç) Për subjektin, që është kategorizuar si strukturë akomoduese, certifikatën e kategorizimit.
7. Deri në funksionalizimin e sistemit të të dhënave në turizëm dhe realizimin e ndërveprimit me sistemet shtetërore përkatëse, dokumentacioni i parashikuar në pikën 6, të këtij kreu, paraqitet nga subjekti kërkues. Dokumentet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 6, të këtij kreu, duhet të jenë lëshuar jo më herët se 3 (tre) muaj nga data e paraqitjes së kërkesës.
IV. PROCEDURA E SHQYRTIMIT TË KËRKESËS
1. Komisioni i Certifikimit të Veprimtarisë së Agroturizmit ngrihet pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin.
2. Komisioni përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, si më poshtë:
a) 3 (tre) përfaqësues nga ministria përgjegjëse për turizmin, njëri prej të cilëve caktohet kryetar, në urdhrin e ministrit;
b) 2 (dy) përfaqësues nga ministria përgjegjëse për bujqësinë.
3. Komisioni ka këto përgjegjësi:
a) Shqyrtimin e kërkesave për pajisjen me “Certifikatë paraprake” dhe “Certifikatë”;
b) Vendimmarrjen për lëshimin ose refuzimin e “Certifikatës paraprake” dhe “Certifikatës”;
c) Shqyrtimin e kërkesave për shtyrjen e afatit të “Certifikatës paraprake”;
ç) Vendimmarrjen për pezullimin dhe shfuqizimin e “Certifikatës paraprake” dhe “Certifikatës”;
d) Miratimin e ripërtëritjes së certifikatës.
4. Komisioni funksionon sipas rregullave të mëposhtme:
a) Komisioni mblidhet brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve punë nga data e plotësimit të dokumentacionit ose përfundimit të afatit për plotësimin e tij. Komisioni mund të mblidhet edhe me kërkesë me shkrim të shumicës së anëtarëve, ku përcaktohen çështjet për shqyrtim.
b) Kryetari i Komisionit cakton datën, orën dhe rendin e ditës së mbledhjes.
c) Në mungesë të kryetarit, kompetencat i ushtron anëtari më i vjetër në detyrë.
ç) Mbledhjet e Komisionit asistohen nga sekretariati teknik, i cili administron dokumentacionin, përgatit materialet dhe mban procesverbalin e mbledhjes.
d) Sekretariati teknik njofton anëtarët e Komisionit për zhvillimin e mbledhjes dhe u vë në dispozicion dokumentacionin përkatës jo më vonë se 3 (tre) ditë pune përpara datës së mbledhjes.
dh)Komisioni mblidhet kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të tij.
e) Komisioni merr vendime me shumicë të thjeshtë të votave të anëtarëve të pranishëm.
ë) Në rast barazimi, vota e kryetarit është vendimtare.
f) Anëtarët marrin pjesë në votim dhe nuk mund të abstenojnë.
g) Anëtarët, që ndodhen në kushtet e konfliktit të interesit, janë të detyruar të deklarojnë menjëherë këtë rrethanë dhe nuk marrin pjesë në shqyrtimin dhe votimin e çështjes përkatëse. Në rast se një anëtar ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit, ai zëvendësohet nga një përfaqësues tjetër i të njëjtit institucion, i caktuar nga titullari i institucionit përkatës;
gj) Për çdo mbledhje mbahet procesverbal, në të cilin pasqyrohen pjesëmarrësit, çështjet e shqyrtuara, votimi dhe vendimmarrja e Komisionit. Procesverbali nënshkruhet nga anëtarët pjesëmarrës.
h) Komisioni dhe sekretariati teknik janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin e të dhënave dhe dokumentacionit të administruar gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
5. Shqyrtimi i kërkesës kryhet sipas procedurës së mëposhtme:
a) Formulari i kërkesës dhe dokumentacioni ngarkohen në portalin unik qeveritar “e-Albania”.
b) Sekretariati teknik kryen verifikimin paraprak të dokumentacionit;
c) Nëse dokumentacioni është i plotë, brenda 7 (shtatë) ditëve punë i përcillet Komisionit;
ç) Nëse dokumentacioni është i paplotë, kërkuesi njoftohet brenda 5 (pesë) ditëve punë për plotësim;
d) Kërkuesi plotëson dokumentacionin brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve punë nga njoftimi;
dh)Në mungesë të plotësimit të dokumentacionit brenda afatit, kërkesa refuzohet;
e) Komisioni shqyrton dokumentacionin brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve punë nga plotësimi i tij;
ë) Kur, gjatë shqyrtimit të kërkesës dhe dokumentacionit të paraqitur, Komisioni çmon se nevojitet verifikimi në terren i fakteve, të dhënave ose rrethanave që lidhen me objektin e kërkesës, vendos kryerjen e verifikimit në terren nëpërmjet një grupi pune të ngritur me urdhër ministri për këtë qëllim;
f) Grupi i punës paraqet raportin brenda 5 (pesë) ditëve punë nga dita e verifikimit;
g) Komisioni merr vendim brenda 5 (pesë) ditëve punë nga marrja e raportit;
gj) Në përfundim të procesit të shqyrtimit dhe vlerësimit, Komisioni vendos:
i. lëshimin e “Certifikatës paraprake”;
ii. lëshimin e “Certifikatës”;
iii. refuzimin e kërkesës.
h) Vendimi i Komisionit për refuzimin e kërkesës duhet të jetë i arsyetuar ku të jenë përcaktuar shkaqet faktike dhe ligjore që mbështesin refuzimin e kërkesës.
6. Pas marrjes së vendimit, Komisioni, nëpërmjet sekretariatit teknik, harton procesverbalin dhe i përcjell ministrit përgjegjës për turizmin vendimin përkatës për miratim, brenda 5 (pesë) ditëve punë.
7. Ministri përgjegjës për turizmin ose personi i autorizuar prej tij miraton vendimin e Komisionit dhe urdhëron lëshimin e “Certifikatës paraprake” ose “Certifikatës”, sipas rastit.
8. “Certifikata paraprake” dhe “Certifikata” lëshohen në formë elektronike përmes portalit unik qeveritar “e-Albania”, sipas modelit të shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi.
9. Njoftimi i subjektit për lëshimin e “Certifikatës paraprake” ose “Certifikatës”, si dhe për refuzimin e kërkesës, bëhet nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”, brenda 5 (pesë) ditëve punë nga data e miratimit të vendimit përkatës.
10. Kundër vendimit për lëshimin, refuzimin, pezullimin ose shfuqizimin e “Certifikatës paraprake” ose “Certifikatës” mund të ushtrohen mjetet e ankimit sipas Kodit të Procedurave Administrative dhe legjislacionit në fuqi për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
11. Në rastet e bashkërendimit me procedurën e certifikimit dhe kategorizimit të strukturës akomoduese ndiqet procedura e mëposhtme:
a) Nëse kërkuesi deklaron në kërkesën për pajisje me “Certifikatë” se do të ushtrojë edhe veprimtari akomoduese dhe nuk disponon certifikatë kategorizimi të strukturës akomoduese, kërkesa për pajisjen me certifikatë paraprake të kategorizimit dhe/ose certifikatë kategorizimi të strukturës akomoduese paraqitet dhe shqyrtohet sipas procedurave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për turizmin.
b) Procedura për shqyrtimin e kërkesës për pajisje me certifikatë për ushtrimin e veprimtarisë së agroturizmit dhe procedura për pajisjen me certifikatë paraprake të kategorizimit dhe/ose për kategorizimin e strukturës akomoduese mund të zhvillohen paralelisht.
c) Kur struktura akomoduese është në fazën e projektimit ose të ndërtimit dhe kërkuesi është pajisur me certifikatë paraprake të kategorizimit për strukturën akomoduese, kjo certifikatë merret në konsideratë për vijimin e procedurës për pajisjen me “Certifikatë paraprake” për ushtrimin e veprimtarisë së agroturizmit, sipas legjislacionit në fuqi.
ç) Certifikata përfundimtare për ushtrimin e veprimtarisë së agroturizmit, kur veprimtaria përfshin ofrimin e shërbimit të akomodimit, lëshohet pasi struktura akomoduese të jetë pajisur me certifikatën përkatëse të kategorizimit, sipas legjislacionit në fuqi.
d) Kur procedura e certifikimit të agroturizmit zhvillohet paralelisht me procedurën e kategorizimit të strukturës akomoduese, pas funksionalizimit të sistemit të të dhënave në turizëm, statusi i kërkesave shkëmbehet elektronikisht ndërmjet tyre dhe dokumentacioni i përbashkët i paraqitur nga subjekti përdoret vetëm një herë, pa qenë i nevojshëm ngarkimi i përsëritur i tij.
12. Monitorimi i subjekteve të certifikuara bëhet, si më poshtë:
a) Inspektorati përgjegjës për turizmin monitoron ushtrimin e veprimtarisë së subjekteve të pajisura me “Certifikatë paraprake” ose “Certifikatë”.
b) Për realizimin e monitorimit, inspektorati përgjegjës për turizmin bashkëpunon me organet tatimore, institucionin përgjegjës për sigurinë ushqimore dhe ushqimin për kafshë, si dhe institucionet e tjera kompetente sipas fushës së përgjegjësisë.
c) Konstatimet e monitorimit mund të shërbejnë si bazë për fillimin e procedurave të pezullimit ose shfuqizimit të “Certifikatës paraprake” ose “Certifikatës”, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
ç) Inspektorati përgjegjës për turizmin harton një raport vjetor mbi rezultatet e monitorimit dhe ia paraqet ministrit përgjegjës për turizmin dhe ministrit përgjegjës për bujqësinë dhe zhvillimin rural brenda muajit mars të vitit pasardhës.
V. PEZULLIMI DHE SHFUQIZIMI I CERTIFIKATAVE
1. Pezullimi i “Certifikatës paraprake” dhe “Certifikatës”:
a) Në rast se Komisioni konstaton, kryesisht, ose mbi bazën e verifikimeve të kryera nga organet përkatëse të njësive të vetëqeverisjes vendore, inspektorati përgjegjës për turizmin, inspektorati përgjegjës për territorin, mjedisin dhe pyjet, organet tatimore ose organet kompetente për sigurinë ushqimore dhe kushtet higjieno-sanitare, mosplotësimin ose shkeljen e një ose më shumë kritereve dhe kushteve të përcaktuara në këtë vendim, njofton subjektin për fillimin e procedurës së pezullimit të “Certifikatës paraprake” ose “Certifikatës”.
b) Njoftimi i subjektit kryhet brenda 5 (pesë) ditëve punë nga data e konstatimit të ndryshimit, mospërmbushjes apo shkeljes së një ose disa kritereve dhe kushteve të përcaktuara në këtë vendim.
c) Subjekti, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë paraqet pranë Komisionit argumente, prova apo dokumentacionin e nevojshëm për plotësimin e kritereve dhe/ose kushteve përkatëse.
ç) Në rast se subjekti nuk provon përmbushjen e kritereve dhe kushteve përkatëse brenda afatit të përcaktuar në shkronjën “c” të kësaj pike, Komisioni vendos pezullimin e “Certifikatës paraprake” ose “Certifikatës” dhe njofton subjektin, brenda 3 (tri) ditëve punë.
d) Vendimi për pezullimin e “Certifikatës paraprake” ose “Certifikatës” duhet të jetë i arsyetuar.
dh) Subjekti, të cilit i pezullohet “Certifikata paraprake” apo “Certifikata” nuk mund ta përdorë atë në ambientet e tij ose në emërtimin tregtar.
2. Në rast se provohet përmbushja e kritereve dhe kushteve që kanë shkaktuar pezullimin, Komisioni vendos heqjen e pezullimit dhe njofton subjektin, brenda 5 (pesë) ditëve punë.
3. “Certifikata paraprake” dhe “Certifikata” mund të shfuqizohen sipas parashikimeve të bëra në këtë vendim.
4. Komisioni, nga verifikimet e kryera kryesisht apo nga shkeljet e konstatuara nga organet përkatëse, pasi të ketë përmbushur procedurën që garanton të drejtën e subjektit për t’u informuar, për të dhënë sqarime rreth fakteve dhe për t’u dëgjuar, ka të drejtë të shfuqizojë “Certifikatën paraprake” apo “Certifikatën”, në rastin kur:
a) konstatohen të dhëna të rreme në dokumentet e kërkesës në portalin unik qeveritar “e-Albania” për përfitimin e “Certifikatës paraprake” apo “Certifikatës”;
b) subjekti, edhe pas pezullimit të “Certifikatës paraprake” ose “Certifikatës”, nuk përmbush kriteret dhe kushtet që kanë shkaktuar pezullimin, sipas afatit të lënë nga Komisioni ose një nga strukturat e përmendura në shkronjën “a”, pikën 1, të kreut V, të këtij vendimi;
c) subjekti shkel në mënyrë të përsëritur një ose disa prej kritereve dhe kushteve të përcaktuara në këtë vendim.
5. Komisioni, brenda 5 (pesë) ditëve punë nga marrja e vendimit për shfuqizimin e “Certifikatës paraprake” ose të “Certifikatës”, i propozon ministrit përgjegjës për turizmin nxjerrjen e aktit të shfuqizimit.
6. Njoftimi i subjektit kryhet, brenda 3 (tri) ditëve punë nga data e nxjerrjes së aktit të shfuqizimit.
7. Vendimi për shfuqizimin e “Certifikatës paraprake” ose “Certifikatës” duhet të jetë i arsyetuar në të cilin përcaktohen faktet e konstatuara, dispozitat ligjore të zbatueshme dhe arsyet që mbështesin shfuqizimin.
8. Shfuqizimi i “Certifikatës paraprake” ose i “Certifikatës” sjell humbjen e statusit të subjektit të certifikuar për veprimtarinë e agroturizmit.
9. Në rastet kur konstatohet se subjekti, pasi është pajisur me “Certifikatë paraprake” dhe më pas me “Certifikatë”, ka përfituar grante, përjashtime ose reduktime të taksave vendore dhe rezulton se certifikimi është përdorur në kundërshtim me qëllimin për të cilin është dhënë, duke mos ushtruar realisht veprimtarinë agroturistike ose duke e ndërprerë atë menjëherë pas përfitimit të mbështetjes publike, shfuqizimi i “Certifikatës” përbën shkak për humbjen e së drejtës së përfitimit dhe për fillimin e procedurave, sipas legjislacionit në fuqi, për rikuperimin e granteve dhe të përfitimeve të tjera publike të marra në bazë të këtij certifikimi.
10. Vendimi për shfuqizimin e certifikatës, në rastet e parashikuara në pikën 9 të këtij kreu, i njoftohet njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse, si dhe institucioneve kompetente që kanë akorduar grantet ose përfitimet përkatëse, për ndërmarrjen e veprimeve sipas kompetencave të tyre dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
VI. MIRATIMI I MODELIT TË CERTIFIKATËS DHE VLEFSHMËRIA
1. Certifikata përmban:
a) emërtesën e subjektit;
b) numrin unik të identifikimit të subjektit (NIPT);
c) vendndodhjen e strukturës pritëse;
ç) kategorinë e veprimtarisë së agroturizmit;
d) datën e lëshimit të certifikatës;
dh)datën e përfundimit të afatit të vlefshmërisë së certifikatës;
e) nënshkrimin e ministrit përgjegjës për turizmin ose të personit të autorizuar prej tij.
2. “Certifikata paraprake” apo “Certifikata” gjenerohet on-line në portalin “e-Albania”. “Certifikata paraprake” dhe “Certifikata”, kur lëshohen në formë elektronike, pajisen me vulë elektronike të ministrisë përgjegjëse për turizmin dhe përbëjnë dokument elektronik, në përputhje me legjislacionin në fuqi për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe dokumentin elektronik.
3. “Certifikata paraprake” apo “Certifikata” lëshohet sipas formatit të përcaktuar në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi, dhe afishohet në ambientet pritëse të strukturës së agroturizmit.
4. Certifikatat regjistrohen në Regjistrin Qendror të Turizmit, të administruar nga ministria përgjegjëse për turizmin.
5. Pas funksionalizimit të sistemit të të dhënave në turizëm, procedurat e certifikimit të veprimtarisë së agroturizmit dhe regjistrimi i certifikatave administrohen nëpërmjet këtij sistemi.
6. Vlefshmëria e “Certifikatës paraprake” dhe “Certifikatës”:
a) “Certifikata paraprake” është e vlefshme për periudhën e vlefshmërisë së lejes së ndërtimit për të gjithë strukturën pritëse.
b) “Certifikata” lëshohet për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë ripërtëritjeje, bazuar në kërkesën e subjektit.
7. Shtyrja e afatit të “Certifikatës paraprake”:
a) Në rast se subjekti nuk ka përfunduar ndërtimin e strukturës brenda afatit të vlefshmërisë së “Certifikatës paraprake”, ai ngarkon në portalin unik qeveritar “e-Albania”, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e përfundimit të këtij afati, dokumentacionin e mëposhtëm:
i. kërkesën për shtyrjen e afatit;
ii. vendimin për shtyrjen e afatit të lejes së ndërtimit ose lejen e ndërtimit të vlefshme.
b) Sekretariati Teknik ia paraqet Komisionit kërkesën dhe dokumentacionin përkatës për shqyrtim.
c) Komisioni, pas shqyrtimit të kërkesës dhe dokumentacionit shoqërues, vendos për miratimin ose refuzimin e shtyrjes së afatit të “Certifikatës paraprake”.
ç) Sekretariati teknik njofton subjektin për vendimin e Komisionit nëpërmjet portalit unik qeveritar “e-Albania”.
8. Përfundimi i vlefshmërisë së “Certifikatës paraprake” bëhet sipas rregullimeve të bëra në vijim:
a) Në rast se subjekti nuk paraqet kërkesë për shtyrjen e afatit sipas pikës 7 të këtij kreu, sekretariati teknik i paraqet Komisionit listën e subjekteve, të cilave u ka përfunduar afati i vlefshmërisë së “Certifikatës paraprake”.
b) Komisioni vendos fillimin e procedurës së shfuqizimit të “Certifikatës paraprake” dhe, nëpërmjet sekretariatit teknik, njofton subjektin duke i lënë një afat prej 14 (katërmbëdhjetë) ditësh punë për të paraqitur kërkesë për pajisjen me “Certifikatë” ose për shtyrjen e afatit të “Certifikatës paraprake”.
c) Në rast se subjekti, brenda afatit të përcaktuar në shkronjën “b” të kësaj pike, nuk paraqet kërkesë për pajisjen me “Certifikatë” ose për shtyrjen e afatit të “Certifikatës paraprake”, Komisioni konstaton humbjen e vlefshmërisë së “Certifikatës paraprake”.
ç) Sekretariati teknik njofton subjektin dhe njësinë e vetëqeverisjes vendore për humbjen e vlefshmërisë së “Certifikatës paraprake”, si dhe për pasojat që rrjedhin prej tij, përfshirë detyrimin për kthimin e përfitimeve fiskale, sipas legjislacionit në fuqi.
9. Pas përfundimit të afatit kohor të “Certifikatës paraprake”, subjektet duhet të kryejnë kërkesën në portalin unik qeveritar “e-Albania” për pajisjen me certifikatë.
Subjektet që zotërojnë “Certifikatë paraprake” kur objekti është përfunduar, kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për pajisjen me “Certifikatë” edhe përpara përfundimit të afatit të vlefshmërisë së “Certifikatës paraprake”.
10. Brenda 30 ditëve nga afati i përfundimit të vlefshmërisë së certifikatës, subjekti paraqet kërkesë për ripërtëritjen e saj në portalin unik “e-Albania” në rast se:
a) nuk ka ndryshime në strukturën akomoduese, fermën bujqësore, fermën blegtorale, njësinë e peshkimit, akuakulturës ose njësinë agrokulturore, ku të dhënat e deklaruara nga subjekti në momentin e pajisjes me “Certifikatë” ruhen automatikisht në sistem;
b) kanë ndodhur ndryshime në elementet e veprimtarisë së agroturizmit, subjekti i deklaron ato në portalin unik qeveritar “e-Albania” dhe bashkëlidh dokumentacionin që vërteton ndryshimet.
VII. DISPOZITA KALIMTARE
1. Deri në funksionalizimin e sistemit të të dhënave në turizëm kërkesat për pajisjen me “Certifikatë paraprake” dhe “Certifikatë” do të vijojë të kryhen nëpërmjet portalit unik “e-albania”, ndërsa lëshimi i tyre do të bëhet fizikisht.
2. Sekretariati teknik administron dosjen e kërkuesit, dokumentacionin shoqërues, procesverbalet dhe vendimet e Komisionit në regjistër të posaçëm administrativ, të mbajtur në formë elektronike dhe/ose shkresore.
3. Certifikatat paraprake dhe certifikatat lëshohen nga ministri përgjegjës për turizmin ose personi i autorizuar prej tij, njoftohen sipas Kodit të Procedurave Administrative dhe evidentohen në regjistrin e përkohshëm administrativ të ministrisë.
4. Pas funksionalizimit të sistemit të të dhënave në turizëm, të gjitha të dhënat dhe aktet administrative të lëshuara gjatë periudhës tranzitore transferohen dhe regjistrohen në këtë sistem, pa cenuar vlefshmërinë e certifikatave të lëshuara më parë.
5. Për vendimmarrjet e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU) për miratimin e lejeve të ndërtimit për struktura dhe objekte në funksion të agroturizmit, të marra përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, pajisja me “Certifikatë paraprake” kryhet përpara lëshimit të dokumentit të lejes së ndërtimit nga sekretariati teknik i KKTU-së, pa pasur nevojë për pajisjen paraprake me leje zhvillimi.
6. Për kërkesat e paraqitura përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, për të cilat nuk është marrë vendim përfundimtar, kriteret dhe kushtet për certifikim vlerësohen sipas dispozitave në fuqi në datën e paraqitjes së kërkesës, ndërsa për procedurën e shqyrtimit zbatohen dispozitat e këtij vendimi.
7. Deri në realizimin e ndërveprimit elektronik ndërinstitucional ndërmjet sistemit që administron procesin e certifikimit të veprimtarisë së agroturizmit dhe Sistemit të Identifikimit dhe Regjistrimit të Kafshëve (RUDA), subjekti kërkues ngarkon në momentin e paraqitjes së kërkesës, vërtetimin e regjistrimit të fermës dhe të numrit të kafshëve ose zgjojeve të matrikulluara, të lëshuar nga shërbimi veterinar rajonal kompetent jo më herët se 3 (tre) muaj nga data e paraqitjes së kërkesës.
8. Pas funksionalizimit të ndërveprimit elektronik me sistemin RUDA, këto të dhëna sigurohen drejtpërdrejt nga ministria përgjegjëse për turizmin nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit, pa qenë e nevojshme paraqitja e vërtetimit nga kërkuesi.
VIII. DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
1. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, vendimi nr.22, datë 12.1.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kritereve dhe procedurave për certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit dhe ndërtimin e strukturave/objekteve në funksion të tij”, i ndryshuar, shfuqizohet.
2. Ngarkohen ministria përgjegjëse për turizmin, ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, njësitë e vetëqeverisjes vendore, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit si dhe institucionet e tjera kompetente sipas fushës së përgjegjësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
A K T N O R M A T I V
PËR
KOMPENSIMIN DHE RIKUPERIMIN E DËMEVE TË SHKAKTUARA NDAJ PRONËS NGA AKTET E DHUNËS GJATË TUBIMEVE
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit dhe të ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Objekti
Ky akt normativ përcakton rregullat për kompensimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve në vende publike ose të hapura për publikun, përgjegjësinë civile të personave që kanë shkaktuar këto dëme, si dhe procedurat për rikuperimin e shumave të paguara nga shteti.
Neni 2
Qëllimi
Qëllimi i këtij akti normativ është:
a) të sigurojë kompensimin efektiv të dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve;
b) të garantojë që barra financiare e dëmeve të shkaktuara të përballohet nga personat përgjegjës për shkaktimin e tyre, nëpërmjet mekanizmave të rikuperimit të shumave të paguara nga shteti.
Zbatimi i këtij akti normativ nuk cenon lirinë e tubimit paqësor, sipas nenit 47 të Kushtetutës dhe nenit 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe përgjegjësinë e shtetit për dëmet e shkaktuara nga organet e tij, kur ka të tilla, sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 3
Fusha e zbatimit
Ky akt normativ zbatohet për tubimet në vende publike ose të hapura për publikun, pavarësisht nëse janë të njoftuara, të ndaluara apo spontane, përfshirë tubimet me rastin e veprimtarive sportive, kulturore ose festive.
Neni 4
Përkufizime
Në këtë akt normativ, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Tubim”, i njëjti kuptim i përcaktuar në ligjin nr.8773, datë 23.4.2001, “Për tubimet”, të ndryshuar;
b) “I dëmtuar”, çdo person fizik ose juridik, publik ose privat, të cilit i është shkaktuar dëm pasuror;
c) “Autor i dëmit”, personi që ka kryer drejtpërdrejt aktin e dhunës ose të dëmtimit të pronës, ose personat që e kanë kryer bashkërisht.
Neni 5
Parimi i përgjegjësisë vetjake
1. Askush nuk përgjigjet sipas këtij akti normativ vetëm për shkak të pjesëmarrjes në një tubim.
2. Përgjegjësia sipas këtij akti normativ lind vetëm nga veprimet ose mosveprimet e personit ose të organizatës, ku përfshihen edhe organizimi dhe nxitja e akteve të dhunës, përveç ekzekutimit të këtyre akteve.
3. Ky akt normativ interpretohet e zbatohet në mënyrën që ndërhyn sa më pak në lirinë e tubimit paqësor dhe lirinë e shprehjes.
Neni 6
Kompensimi paraprak nga shteti
1. Në bazë të këtij akti normativ, shteti mund të kompensojë paraprakisht, në masë të plotë ose të pjesshme, dëmet e pronës së të dëmtuarve persona fizikë, si dhe të personave juridikë me aktivitet tregtar nën 14 000,000 lekë në vit, të shkaktuara nga aktet e dhunës gjatë tubimeve.
2. Kompensimi, sipas këtij akti normativ, jepet vetëm për pasuritë që nuk janë të siguruara. Kur pasuria e dëmtuar është e siguruar, dëmi shpërblehet nga shoqëria e sigurimit, sipas kontratës së sigurimit, e cila, pas pagesës, ushtron të drejtën e regresit ndaj shkaktuesit të dëmit, sipas legjislacionit në fuqi. Kur kontrata e sigurimit nuk e mbulon rrezikun e dëmtimit nga trazirat, tubimet ose aktet e dhunshme, pasuria konsiderohet e pasiguruar, për qëllim të këtij akti normativ. Në rast se kontrata e sigurimit nuk e mbulon plotësisht vlerën e dëmit të shkaktuar, pjesa e pambuluar kompensohet sipas rregullave të këtij akti normativ.
3. Nëse vendoset kompensimi sipas këtij neni, për dëmet që konstatohen si të kryera nga aktet e dhunës gjatë tubimit, ky kompensim realizohet, pavarësisht faktit nëse është arritur të identifikohet autori i dëmit.
4. I dëmtuari, që pranon shumën e kompensimit, konsiderohet i shpërblyer deri në masën e shumës së paguar dhe nuk mund ta kërkojë sërish këtë shumë nga autori i dëmit. I dëmtuari ruan të drejtën, që, sipas Kodit Civil, të kërkojë pjesët dhe llojet e tjera të dëmit, që nuk i përfiton sipas këtij akti normativ, ndaj autorit të dëmit.
5. Kriteret, kushtet, procedura, masa e kompensimit dhe organi që vendos për kompensimin përcaktohen rast pas rasti me vendimin e Këshillit të Ministrave, nëpërmjet të cilit vendoset të ndërmerret nisma e kompensimit për dëmet e shkaktuara gjatë tubimit. Vlerësimi, nëse shteti do të angazhohet për kompensimin sipas këtij neni, kryhet duke marrë në konsideratë gjendjen buxhetore dhe nevojat buxhetore në kohën e dhënë, shkallën e dëmit të shkaktuar gjatë tubimit konkret, si dhe shkallën e pasojave për të dëmtuarit.
Neni 7
Regresi
1. Me kryerjen e pagesës së kompensimit, shteti hyn, në masën e shumës së paguar, në të drejtat e të dëmtuarit kundrejt personave përgjegjës për shkaktimin e dëmit, përfshirë subjektet që përgjigjen solidarisht, sipas nenit 9 të këtij akti normativ.
2. Institucioni që ka kryer kompensimin dhe Policia e Shtetit vendosin në dispozicion të Avokaturës së Shtetit të dhënat e dokumentacionin për kompensimin e dhënë dhe për identifikimin e autorëve të dëmit.
3. Avokatura e Shtetit fton subjektin e identifikuar si përgjegjës për shkaktimin e dëmit që të kthejë vullnetarisht shumën e kompensimit. Nëse subjekti nuk e shlyen shumën brenda 30 ditëve nga data e marrjes së ftesës dhe nuk ushtron të drejtën e tij për të lidhur marrëveshje restauruese, sipas nenit 10 të këtij akti normativ, Avokatura e Shtetit është e autorizuar, në bazë të këtij akti normativ, të ngrejë padinë e regresit ndaj autorëve të dëmit, në masën e kompensimit të dhënë ndaj të dëmtuarit.
Neni 8
Rikuperimi i dëmeve të shkaktuara ndaj pasurisë shtetërore dhe publike
1. Pavarësisht nëse vendoset kompensimi paraprak, sipas këtij akti normativ ose jo, në rastet kur të dëmtuarit nga aktet e dhunës janë institucione publike, Avokatura e Shtetit, në çdo rast, kërkon shpërblimin e dëmit në emër dhe për llogari të tyre. Avokatura e Shtetit ushtron kompetencat e përfaqësimit në përputhje me legjislacionin, që rregullon organizimin dhe funksionimin e saj.
2. Policia e Shtetit dhe institucionet e dëmtuara i vënë në dispozicion Avokaturës së Shtetit të dhënat për identifikimin e autorëve, që kanë shkaktuar dëmet, të dhënat për dëmtimet dhe vlerësimin financiar të tyre, për dëmet e shkaktuara ndaj pasurisë shtetërore dhe publike. Avokatura e Shtetit kërkon pagesën vullnetare të dëmit brenda afatit të përcaktuar në pikën 3 të këtij neni.
3. Nëse subjekti nuk e shlyen shumën brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës për pagesë vullnetare dhe nuk ushtron të drejtën e tij për të lidhur marrëveshje restauruese, sipas nenit 10 të këtij akti normativ, Avokatura e Shtetit ngre padinë për shpërblimin e dëmit, në përputhje me dispozitat e Kodit Civil.
Neni 9
Përgjegjësia solidare dhe ajo për të miturit
1. Organizata ose individët që kanë zhvilluar, drejtuar dhe organizuar tubimin, nëse ka të tillë, përgjigjen solidarisht me autorët për dëmin, me përjashtim të rastit kur provohet se veprimet e dhunshme nuk janë nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësinë që t’i parandalojnë ato.
2. Kur subjektet, që kanë shkaktuar dëmin, janë të mitur, ose persona të pazotë për të vepruar, zbatohen parashikimet e neneve 613 dhe 614 të Kodit Civil.
Neni 10
Marrëveshja restauruese
1. Avokatura e Shtetit mund të lidhë marrëveshje me debitorin që detyrimi i tij të shlyhet tërësisht ose pjesërisht me punë në interes publik.
2. Marrëveshja restauruese lidhet vetëm me pëlqimin e lirë e të shprehur të debitorit dhe përcakton llojin e punës, kohëzgjatjen, mënyrën e vlerësimit të saj dhe kushtet e përmbushjes së detyrimit. Refuzimi i lidhjes së marrëveshjes nuk sjell pasoja të tjera përveç vijimit të procedurave ligjore për kërkimin e detyrimit civil.
3. Për të miturin, marrëveshja lidhet me pëlqimin e prindërve, pasi dëgjohet njësia për mbrojtjen e fëmijës, duke respektuar legjislacionin për mbrojtjen e fëmijëve dhe kufizimet ligjore për punën e tyre. Puna duhet të jetë e përshtatshme për moshën e të mos pengojë shkollimin.
4. Vlera e punës nuk mund të kalojë shumën e detyrimit. Kur detyrimi solidar shlyhet nga disa debitorë, vlera e përgjithshme e punës nuk mund të kalojë shumën e detyrimit.
5. Mënyrat e zbatimit të këtij neni përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 11
Marrëdhënia me përgjegjësinë e autorëve
1. Ky akt normativ nuk cenon përgjegjësinë e plotë të autorëve të dëmit, sipas Kodit Civil, dhe as të drejtën e të dëmtuarit për shpërblim të plotë prej tyre.
2. Kufizimi i kompensimit shtetëror vetëm për dëmet ndaj pronës nuk cenon të drejtën e personave të dëmtuar për të kërkuar, sipas dispozitave të Kodit Civil, shpërblimin e dëmeve të tjera, përfshirë dëmet jopasurore, nga personat përgjegjës.
3. I dëmtuari nuk mund të marrë në total më shumë se dëmi i shkaktuar.
Neni 12
Rastet kur zhvillohet edhe procedim penal
1. Kur për të njëjtat fakte zhvillohet procedim penal, Avokatura e Shtetit, në rastin kur kërkon regresin, ose shpërblimin e dëmit, mund të ngrejë padinë civile në procesin penal, sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Penale.
2. Nëse ndaj personit është marrë vendim gjyqësor i formës së prerë për pafajësinë ose vendim për mosfillimin ose pushimin e procedimit penal, ose për pushimin e çështjes, për shkak se ka rezultuar se nuk e ka kryer ai veprën, Avokatura e Shtetit heq dorë nga gjykimi i padisë. Vendimet e tjera të pushimit nuk përjashtojnë automatikisht përgjegjësinë civile, e cila përcaktohet sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 13
Përjashtim nga ekzekutimi
Pagesat e asistencës sociale dhe të aftësisë së kufizuar nuk mund të sekuestrohen për detyrimet, sipas këtij akti normativ.
Neni 14
Raportimi
1. Avokatura e Shtetit mban të dhëna për paditë, vendimet dhe shumat e arkëtuara, sipas këtij akti normativ, si dhe për marrëveshjet restauruese.
2. Ministri përgjegjës për drejtësinë i paraqet Kuvendit çdo vit një raport për zbatimin e këtij akti normativ, përfshirë ndikimin e tij në ushtrimin e lirisë së tubimit.
Neni 15
Aktet nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ, të nxjerrë aktin nënligjor, në zbatim të pikës 5, të nenit 10, të këtij akti normativ. Vendimet e Këshillit të Ministrave, sipas pikës 5, të nenit 6, të këtij akti normativ, miratohen rast pas rasti.
Neni 16
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LLOJEVE TË ARMËVE DHE TË MJETEVE TË TJERA TË PËRDORIMIT TË FORCËS, QË LEJOHEN TË MBAHEN NGA AGJENCIA E MBIKËQYRJES NË SISTEMIN E EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 48, të ligjit nr.28/2026, “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Llojet e armëve dhe të mjeteve të tjera të përdorimit të forcës, që lejohen të mbahen nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, përcaktohen sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, NGA NJËRA ANË, DHE BASHKIMIT EVROPIAN, NGA ANA TJETËR, PËR PJESËMARRJEN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROGRAMIN E BASHKIMIT EVROPIAN KUNDËR MASHTRIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, nga njëra anë, dhe Bashkimit Evropian, nga ana tjetër, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e Bashkimit Evropian kundër mashtrimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË MËNYRËS SË MBROJTJES SË VEÇANTË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM DHE TË PUNONJËSIT OPERACIONAL TË AGJENCISË SË MBIKËQYRJES NË SISTEMIN E EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE, KUR U KËRCËNOHET JETA, FAMILJA DHE PRONA PËR SHKAK TË DETYRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 63, të ligjit nr.28/2026, “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Drejtori i Përgjithshëm dhe punonjësit operacionalë të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (në vijim, punonjësi i Agjencisë), të cilit/të cilëve, gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, i/u kërcënohet jeta, familja dhe prona nga veprime të paligjshme të të tretëve, i/u sigurohet mbrojtje e veçantë.
2. Me mbrojtje të veçantë kuptohen masat me karakter organizativ për sigurimin e ruajtjen e veçantë të jetës, të familjes dhe të pronës së punonjësit të Agjencisë të kërcënuar, si dhe çdo masë tjetër, që lidhet me këtë mbrojtje.
3. Punonjësi i Agjencisë i kërcënuar përfiton mbrojtje të veçantë, nëse plotësohen kushtet e mëposhtme:
a) Prania e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e punonjësit të Agjencisë;
b) Gjendja e punonjësit të Agjencisë në një situatë, që kërkon kryerjen e veprimeve apo marrjen e masave të menjëhershme për ta zgjidhur atë, si dhe për të shmangur çdo lloj dëmtimi të mundshëm;
c) Prania e lidhjes shkakësore ndërmjet rrethanave serioze dhe rrezikut të dëmtimit me ushtrimin e ligjshëm të detyrës.
4. Mënyrat e mbrojtjes së veçantë konsistojnë në:
a) ruajtjen apo shoqërimin fizik të punonjësit të Agjencisë të rrezikuar;
b) ruajtjen apo shoqërimin fizik të familjarëve të rrezikuar të punonjësit të Agjencisë;
c) ruajtjen e pronës së punonjësit të Agjencisë të rrezikuar.
5. Mbrojtja e veçantë për punonjësin e Agjencisë bëhet me vendim të komisionit për vlerësimin e kërcënimeve (KVK), i cili ngrihet e funksionon pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sistemit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
6. Komisioni për vlerësimin e kërcënimeve përbëhet nga:
a) drejtori i Drejtorisë së Hetimit (kryetar);
b) drejtori i Drejtorisë së Analizës dhe Sigurisë (anëtar);
c) drejtori i Drejtorisë së Inspektimit dhe Ankesave (anëtar);
ç) drejtuesi i Degës Territoriale (anëtar);
d) drejtuesi i Degës Territoriale, ku banon personi i kërcënuar (anëtar).
7. Kërkesa me shkrim për mbrojtje të veçantë të punonjësit të Agjencisë të kërcënuar i paraqitet komisionit për vlerësimin e kërcënimeve nga:
a) punonjësi i Agjencisë, që i kërcënohet jeta, familja apo prona;
b) strukturat e Agjencisë, që marrin dijeni për praninë e rrethanave serioze, të cilat i rrezikojnë jetën, familjen dhe pronën e punonjësit të Agjencisë;
c) çdo organ tjetër publik, që, për shkak të funksionit, merr dijeni për praninë e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, familjen dhe pronën e punonjësit të Agjencisë.
8. Kërkesa për mbrojtje të veçantë përmban:
a) gjenealitetet e plota të punonjësit të Agjencisë të kërcënuar;
b) një përmbledhje të fakteve e të rrethanave, që përbëjnë rrezik serioz për punonjësin e Agjencisë, të cilat e detyrojnë atë të kërkojë mbrojtje të veçantë, si dhe burimin e provave, ku ato bazohen.
9. Komisioni për vlerësimin e kërcënimeve, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga paraqitja e kërkesës për mbrojtje të veçantë, vendos:
a) pranimin e kërkesës, duke përcaktuar edhe masat konkrete të mbrojtjes;
b) mospranimin e kërkesës.
10. Vendimi i komisionit të vlerësimit të kërcënimeve miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë dhe përmban:
a) pjesën hyrëse, ku pasqyrohen subjekti që ka bërë kërkesën, koha dhe vendi i marrjes së vendimit, si dhe përbërja emërore e komisionit;
b) pjesën përshkruese, ku jepen rrethanat që e kanë shtyrë subjektin për të bërë kërkesën, veprën penale të dyshuar që do të kryhet, personalitetin e të kërcënuarit, rrezikshmërinë shoqërore të kërcënimeve dhe vlerësimet për të dhënat që zotërohen rreth një fakti të tillë;
c) pjesën vendimmarrëse, ku përcaktohen masat konkrete për mbrojtjen e veçantë, kohën, ekzekutuesin e vendimit, afatin e zgjatjes së masave, shpenzimet dhe subjektin që do t’i përballojë këto shpenzime.
11. Në vendimin e komisionit për vlerësimin e kërcënimeve për sigurimin e mbrojtjes së veçantë përcaktohen mënyrat e mbrojtjes dhe kohëzgjatja e saj.
12. Krahas marrjes së masave mbrojtëse, Agjencia e Mbikëqyrjes së Sistemit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale bashkëpunon me institucionet e tjera për marrjen në vazhdimësi të informacioneve, në funksion të parandalimit të ngjarjeve të mundshme kriminale në drejtim të punonjësit të AMSEVP-së të marrë në mbrojtje, të familjes dhe të pronës së tij.
13. Në rastet kur punonjësi i Agjencisë i kërcënuar ushtron detyrën larg vendbanimit dhe familjes së tij, masat urgjente mbrojtëse merren sipas nevojës për të dhe për familjen, në funksion të mbrojtjes e në varësi të intensitetit që ka kërcënimi.
14. Në rastin e një rreziku serioz dhe të çastit, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale urdhëron strukturat përkatëse në Agjenci të marrin masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e jetës, të familjes e të pronës së punonjësit të kërcënuar të Agjencisë. Komisioni i vlerësimit të kërcënimeve, brenda 10 (dhjetë) ditëve, vlerëson masat e marra nga strukturat e Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe vendos për vazhdimin ose jo të tyre.
15. Dispozitat e mësipërme zbatohen edhe për rastet e kërcënimit të jetës, të familjes apo të pronës së drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
16. Në rastin kur kërkuesi për mbrojtje të veçantë është drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, kërkesa paraqitet pranë ministrit përgjegjës për çështjet e drejtësisë, i cili urdhëron marrjen e masave për ofrimin e mbrojtjes së veçantë.
17. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.730, DATË 20.10.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR KUSHTET, KRITERET, TARIFAT, AFATET DHE PROCEDURËN PËR KLASIFIKIMIN E STRUKTURAVE AKOMODUESE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 45, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në rregulloren “Për kushtet, kriteret, tarifat, afatet dhe procedurën për klasifikimin e strukturave akomoduese”, miratuar me vendimin nr.730, datë 20.10.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 1, e nenit 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Kjo rregullore zbatohet për kategoritë e strukturave akomoduese të përcaktuara në vendimin nr.842, datë 5.11.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kategorive të strukturave akomoduese”.”.
2. Pas shkronjës “dh”, të pikës 2, të nenit 3, shtohet shkronja “dh/1”, me këtë përmbajtje:
“dh/1) “Apart-hotel” ka kuptimin e përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 2, të vendimit nr.842, datë 5.11.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kategorive të strukturave akomoduese”.”.
3. Pas pikës 2, të nenit 5, shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Strukturat akomoduese të kategorisë “Apart-hotel” klasifikohen në nivelet 2, 3, 4 dhe 5 yje, sipas kritereve dhe standardeve të përcaktuara në aneksin nr.1/I, që i bashkëlidhet kësaj rregulloreje dhe është pjesë përbërëse e saj.”.
4. Në tabelën e pikës 3, të nenit 16, pas kategorisë “Hotel” shtohet kategoria “Apart-hotel”, me këtë përmbajtje:
Kategoria Kosto për dhomë Tarifa minimale për strukturë Tarifa maksimale për strukturë
Apart-hotel 1 200 4 500 100 000
5. Në aneksin nr.1 “Kushtet dhe kriteret e klasifikimit”, pas “Aneksi 1/h – Tabela e klasifikimit – Fjetje dhe mëngjes” shtohet “Aneksi 1/I – Tabela e klasifikimit – Apart-hotel”.
6. Pas aneksit 1/H shtohet aneksi nr.1/I, me titull “TABELË KLASIFIKIMI – APART-HOTEL”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
II. Ngarkohet ministria përgjegjëse për turizmin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
NGRITJEN DHE FUNKSIONIMIN E SISTEMIT TË NUMRIT TË UNIFIKUAR TË THIRRJEVE EMERGJENTE 112
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 47, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngritjen dhe funksionimin e sistemit të numrit të unifikuar të thirrjeve emergjente 112.
2. Të gjitha subjektet e ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë, kanë detyrimin që të bashkëpunojnë për mirëfunksionimin e sistemit të numrit të unifikuar të thirrjeve emergjente 112.
3. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka përgjegjësinë e koordinimit, bashkërendimit, drejtimit, mbikëqyrjes dhe kontrollit të sistemit të numrit të unifikuar të thirrjeve emergjente 112, si edhe përgjegjësinë e funksionimit dhe administrimin e numrit të unifikuar të thirrjeve emergjente 112.
4. Sistemi i numrit të unifikuar të thirrjeve emergjente 112 siguron komunikim, paralajmërim të hershëm, njoftim, alarm, informim, koordinim, vendimmarrje, aktivizim dhe ndërhyrje të integruar të strukturave operacionale në përballimin e aksidenteve dhe të situatave emergjente, që mund të ndodhin në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
5. Numri i unifikuar i thirrjeve emergjente 112 siguron komunikimin dhe njoftimin e situatave emergjente në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, si edhe aktivizimin e shërbimeve kombëtare të emergjencës.
6. Në rastet e emergjencave dhe të rrezikut nga fatkeqësitë, sipas përkufizimeve të nenit 3, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, aktivizimi dhe ndërhyrja e integruar e strukturave operacionale, koordinimi dhe bashkërendimi janë kompetenca të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
7. Në këtë vendim, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Shërbim emergjence”, një shërbim që ofron asistencë/ndihmë të menjëhershme dhe të shpejtë në situatat kur ekziston, veçanërisht, një rrezik i drejtpërdrejtë për jetën ose integritetin fizik, shëndetin ose sigurinë individuale ose publike, pronën private ose publike, ose për mjedisin, në përputhje me legjislacionin kombëtar për emergjencat civile dhe llojet e tjera të emergjencave;
b) “Informacioni për vendndodhjen e thirrësit”:
i. një rrjet publik i lëvizshëm, të dhënat e përpunuara, të gjeneruara nga infrastruktura e rrjetit ose nga pajisja e lëvizshme, që tregon pozicionin gjeografik të pajisjes fundore të përdoruesit;
ii. një rrjet publik fiks, të dhënat për adresën fizike të pikës fundore të rrjetit.
c) “Pika e përgjigjes për sigurinë publike” (Public-Safety Answering Point) ose “PSAP-ja”, struktura unike për marrjen, vlerësimin, klasifikimin dhe shpërndarjen e thirrjeve emergjente;
ç) “Pika e përgjigjes për sigurinë publike më të përshtatshme”, PSAP-ja, e përcaktuar për të mbuluar komunikimet e emergjencës nga një zonë e caktuar ose komunikimet e emergjencës të një lloji të caktuar.
8. Institucionet përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve kombëtare të emergjencës atashojnë pranë strukturës qendrore “PSAP-në” përgjegjëse për menaxhimin e numrit të unifikuar të thirrjeve emergjente 112, personelin e domosdoshëm për funksionimin e kësaj strukture.
9. Numri i unifikuar i thirrjeve emergjente 112 operon si një shërbim i centralizuar, i projektuar për të siguruar funksionimin e pandërprerë të sistemit, pavarësisht problemeve teknike apo fatkeqësive natyrore dhe mundëson:
a) marrjen e informacionit për vendndodhjen e thirrësit, përfshirë informacionin për vendndodhjen nëpërmjet zgjidhjes AML (Advanced Mobile Location), të gjeneruar nga aparatet e lëvizshme smart me sistem android dhe iOS;
b) komunikimin me SMS apo mënyra të tjera komunikimi me tekst, përfshirë video, kur është teknikisht e mundshme, të përshtatshme për personat me aftësi ndryshe/të kufizuara në komunikim (dëgjim dhe/ose të folur).
10. Sistemi i unifikuar i thirrjeve emergjente 112 kontakton me sallat operative të organeve të tjera shtetërore, që kanë në misionin e tyre dhënien e asistencës për qytetarët në situata emergjente.
11. Sistemi i unifikuar i thirrjeve emergjente 112 ofron këto standarde minimale, të renditura, si më poshtë vijon:
a) Shërbimi ndaj qytetarëve ofrohet i pandërprerë gjatë gjithë vitit 24/7;
b) Gjuha e përdorur është shqip dhe anglisht;
c) Operatori i shërbimit të thirrjeve emergjente 112, pasi identifikon llojin e emergjencës, për të cilën qytetari ka telefonuar këtë shërbim dhe koordinatat e vendndodhjes së tij, mundëson lidhjen direkte me njërin nga shërbimet e emergjencës;
ç) Operatori, pasi vendos komunikimin ndërmjet shërbimit të kërkuar dhe qytetarit, ndjek vijueshmërinë e ngjarjeve deri në stabilizimin e kontaktit midis qytetarit dhe organit kompetent shtetëror, që ofron asistencën;
d) Koordinimi i dhënies së asistencës nga organe të ndryshme shtetërore, në rastet kur nevojitet ndërhyrja e më shumë se një organi.
12. Çdo telefonatë regjistrohet dhe shënohet në databazë për referenca dhe i vihet në dispozicion organeve ligjzbatuese, në rast se një gjë e tillë kërkohet nga organi.
13. Institucionet, entet e ndryshme publike dhe subjektet private publikojnë numrin e unifikuar të thirrjeve emergjente 112.
14. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në kuadër të financimit nga qeveria e Republikës së Italisë të iniciativës “Mbështetje për ngritjen e sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri”.
15. Ngarkohen ministri përgjegjës për mbrojtjen civile, ministri përgjegjës për komunikimet elektronike, ministri përgjegjës për shëndetësinë, ministri përgjegjës për punët e brendshme, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, institucionet përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve kombëtare të emergjencës dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI PROJEKTIT “NDËRTIMI I LINJËS 110 KV FIER – MARINËZ”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i linjës 110 kV Fier-Marinëz”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 350 184.20 (treqind e pesëdhjetë mijë e njëqind e tetëdhjetë e katër pikë njëzet) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 350 184.20 (treqind e pesëdhjetë mijë e njëqind e tetëdhjetë e katër pikë njëzet) lekësh, përballohet nga buxheti i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
8. Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
10. Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, e cila, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit për Operatorin për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a., për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a., për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË KAMZË TË DISA PRONAVE DHE PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.775, DATË 5.9.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN, NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM, TË BASHKISË KAMZË, TË QARKUT TË TIRANËS”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Kamzë të pronave me numra rendorë 1818 – 1820, sipas shtojcës 1, formularëve, gjithsej 2 (dy) fletë, dhe planeve të rilevimit, gjithsej 3 (tri) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Pronat, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, i shtohen lidhjes 1 dhe listës së inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.775, datë 5.9.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Kamzë të Qarkut të Tiranës”, të ndryshuar.
3. Bashkisë Kamzë i ndalohet ndryshimi i destinacionit dhe tjetërsimi i pronave të përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Bashkia Kamzë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ALBANA KOÇIU