Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 prill 2016
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.205, DATË 9.4.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA HAPJA DHE NDËRTIMI I UNAZËS VERIORE, SEGMENTI A-B, NË LAGJEN “11 NËNTORI”, HAPJA DHE SISTEMIMI I ZGJATIMIT TË UNAZËS SË BRENDSHME, SEGMENTI QË BASHKON RRUGËN “28 NËNTORI” ME RRUGËN “RINIA”, SI DHE HAPJA E SISTEMIMI I ZGJATIMIT TË RRUGËS “LEF NOSI”, LAGJJA “5 MAJI”, SEGMENTI B-C, TË BASHKISË SË ELBASANIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tabelën e të shpronësuarve, të përmendur në pikën 3, të vendimit nr.205, datë 9.4.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
“Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pronarin Adem Sadi Shabani, ndryshon dhe bëhet 9 660 998.5 (nëntë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e tetë pikë pesë) lekë, nga të cilat:
a) tokë “truall”, me sipërfaqe 149 (njëqind e dyzet e nëntë) m2, me vlerë 1 972 015 (një milion e nëntëqind e shtatëdhjetë e dy mijë e pesëmbëdhjetë) lekë;
b) “banesë”, me sipërfaqe 211.9 (dyqind e njëmbëdhjetë pikë nëntë) m2, me vlerë 7 620 984 (shtatë milionë e gjashtëqind e njëzet mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e katër) lekë;
c) “Dru frutorë” në vlerë 68 000 (gjashtëdhjetë e tetë mijë) lekë.”, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.230, DATË 13.3.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRAJTIMIN ME PAGESË TË QIRASË PËR DISA FAMILJE QË PREKEN NGA ZBATIMI I PROJEKTIT “UNAZA E MADHE E TIRANËS, SEGMENTI “KOMUNA E PARISIT-RRUGA E KAVAJËS””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 30 e 33, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar, të ligjit nr.9464, datë 28.12.2015, “Për buxhetin e shtetit për vitin 2016”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe të ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas lidhjes 2, të vendimit nr.230, datë 13.3.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet lidhja 2/1, që përmban listën emërore të subjekteve që do të trajtohen me qira.
2. Vlera shtesë për pagesën e qirasë për subjektet e shtuara në lidhjen 2/1, në masën prej 12 150 000 (dymbëdhjetë milionë e njëqind e pesëdhjetë mijë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2016.
3. Afati dyvjeçar për përfitimin e qirasë prej këtyre subjekteve nis nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS E TË METODËS SË TESTIMIT TË VARIETETEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 33, të ligjit nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. TË PËRGJITHSHME
1. Qëllimi i këtij vendimi është të përcaktojë kriteret, procedurat dhe metodat e testimit të varieteteve për dallueshmëri, uniformitet dhe stabilitet (DUS) dhe vlerën e kultivimit dhe përdorimit (VKP) me qëllim regjistrimin e tyre në Katalogun Kombëtar (KK).
2. Të gjithë termat e përcaktuar në ligjin nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, kanë të njëjtin kuptim edhe në këtë vendim.
II. KRITERET QË DUHET TË PLOTËSOJË NJË VARIETET QË TESTOHET PËR DALLUESHMËRI, UNIFORMITET DHE STABILITET DHE PËR VLERËN E KULTIVIMIT DHE PËRDORIMIT
1. Një varietet konsiderohet i dallueshëm nëse, pavarësisht nga origjina e tij nga e cila ka rezultuar, është qartësisht i dallueshëm për një ose më shumë karakteristika të rëndësishme në raport me një varietet tjetër të regjistruar si i tillë.
2. Një varietet konsiderohet i qëndrueshëm nëse pas shumëzimesh të njëpasnjëshme ose në fund të çdo cikli ai mbetet i njëjtë me përshkrimin e karakteristikave thelbësore të tij.
3. Një varietet konsiderohet uniform nëse përveç devijimeve shumë të vogla, bimët e tij shfaqin tipare dalluese gjenetikisht të ngjashme ose identike me karakteristikat e përshkruara të këtij varieteti.
4. Vlera e kultivimit dhe përdorimit të varietetit konsiderohet e kënaqshme nëse krahasuar me varietetin dëshmues të regjistruar në Katalogun Kombëtar, cilësitë e tij ofrojnë të paktën përmirësim të qartë dhe të dukshëm të kultivimit apo prodhimit ose të produkteve që rrjedhin prej tyre.
5. Provat për testimin e varieteteve për VKP-në kryhen sipas këtyre afateve:
a) Për varietetin e krijuar në vend, për 1 (një) vit;
b) Për varietetin e krijuar në shtetet anëtare të BE-së apo në shtetet që kanë nënshkruar konventën e UPOV-it, për 1 (një) vit;
c) Për varietetet e prodhuara në vendet që nuk janë anëtare të BE-së apo që nuk kanë nënshkruar konventën e UPOV-it, për 2 (dy) vite radhazi.
6. Provat për testimin e varieteteve për DUS-in, për të gjitha varietetet e bimëve bujqësore që testohen, kryhen për jo më pak se 2 (dy) vite radhazi.
7. Treguesit për vlerën e kultivimit dhe përdorimit të një varieteti që testohet për t’u regjistruar në Katalogun Kombëtar janë përcaktuar në shtojcën 1, të këtij vendimi.
8. Lejohen të vendosen në treg, pa kryer procedurat për testim:
a) farat e bimëve të familjes graminore që nuk kanë destinacion prodhimin foragjer;
b) varietetet e bimëve bujqësore, që janë miratuar në një nga vendet anëtare të BE-së ose në një nga shtetet nënshkruese të UPOV-it, me kushtin që furnizuesi të paraqesë pranë ESHFF-së skedën me të dhënat e varietetit të miratuar në vendin përkatës;
c) linjat (linjat inbreed, hibridet) të cilat janë të destinuara vetëm si komponentë për prodhimin e hibrideve.
III. KUSHTET QË DUHET TË PLOTËSOJË SUBJEKTI PËR TESTIMIN E NJË VARIETETI PËR T’U REGJISTRUAR NË KATALOGUN KOMBËTAR
1. Subjekti, që kërkon të testojë një varietet për regjistrimin në Katalogun Kombëtar, duhet të paraqesë pranë ESHFF-së:
a) kërkesën me shkrim;
b) skedën me karakteristikat e varietetit;
c) fotografi të bimës apo frytit të saj, për kategoritë e bimëve bujqësore si drithërat, bimët industriale, perimet, foragjeret, patatja, bimët medicinale dhe aromatike, bimët vajore e fibroze, pemët frutore, hardhitë dhe drurët dekorativë pyjorë;
ç) të dhëna për sasinë e farës për mbjellje të çdo varieteti;
d) të dhëna për origjinën e varietetit;
dh) faturën e pagesës sipas tarifave të përcaktuara në udhëzimin e përbashkët të ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe ministrit të Financave.
2. Forma dhe përmbajtja e kërkesës për aplikim për testimin e varietetit është e përcaktuar në shtojcën 2, të këtij vendimi.
3. Për rastet kur testimi kryhet nga subjektet private, kushtet që duhet të plotësojë subjekti dhe dokumentacioni që duhet të paraqesë për testimin e një varieteti për regjistrimin e tij në Katalogun Kombëtar përcaktohen sipas procedurave që aplikohen për prokurimin publik.
4. Sasia e farës për mbjellje për çdo varietet që testohet për t’u regjistruar në Katalogun Kombëtar është përcaktuar në shtojcën 3, të këtij vendimi.
IV. PROCEDURA DHE METODA PËR TESTIMIN E NJË VARIETETI
1. Procedurat e testimit për regjistrimin e varietetit në Katalogun Kombëtar realizohen nga ESHFF-ja ose nga subjektet publike apo private, sipas përcaktimit në kreun IX, të ligjit nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”.
2. ESHFF-ja, bazuar në metodikat e hartuara dhe të miratuara nga Komisioni i Vlerësimit të Varieteteve për Regjistrimin në Katalogun Kombëtar (KVVRKK), kryen provat e testimit sipas kësaj procedure:
a) Përgatit mostrat e materialit mbjellës e shumëzues bimor për t’i dërguar për mbjellje në pikat e miratuara me urdhër të ministrit për testimin e varieteteve;
b) Vendos kodin e veçantë për çdo mostër dhe bën regjistrimin e tyre në regjistrin përkatës;
c) Nënshkruan kontratë shërbimi me subjektet private fituese në konkurrimin publik, për kryerjen e provave të testimit në përputhje me kërkesat e pikës 2, të nenit 52, të ligjit nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”;
ç) Nënshkruan marrëveshje me subjektet publike për kryerjen e procedurave të testimit që nuk i nënshtrohen procedurave të prokurimit publik. Forma dhe përmbajtja e marrëveshjes për kryerjen e procedurave të testimit nga subjektet publike është përcaktuar në shtojcën 4, të këtij vendimi;
d) Në bashkëpunim me subjektin publik apo privat të autorizuar, përgatit skemën e nevojshme për testim, piketimin e ngastrës dhe ndjek procedurën e mbjelljes sipas skemës përkatëse;
dh) Pajis subjektin publik apo privat të autorizuar me metodikën tip, të miratuar nga KVVRKK-ja sipas varieteteve;
e) Në përfundim të periudhës së testimit subjekti publik apo privat, i autorizuar, dorëzon të plotësuar dokumentacionin përkatës në ESHFF;
ë) Pas përfundimit të çdo testimi vjetor, ESHFF-ja duhet të plotësojë një raport të ndërmjetëm të testimit për dallueshmëri, uniformitet dhe stabilitet. Ky raport duhet të përmbajë rezultatet paraprake të testimit për DUS-in dhe problematikën e konstatuar gjatë testimit. Forma dhe përmbajtja e formularit për raportin e ndërmjetëm është përcaktuar në shtojcën 5, të këtij vendimi.
f) Pas përfundimit të testimit ESHFF-ja plotëson raportin e testimit për dallueshmëri, uniformitet dhe stabilitet, ku përcaktohet nëse varieteti i ri është i dallueshëm, uniform dhe i qëndrueshëm. Forma dhe përmbajtja e formularit për raportin përfundimtar është përcaktuar në shtojcën 6, të këtij vendimi;
g) KVVRKK-ja analizon rezultatet e testimit dhe merr vendim për të regjistruar në Katalogun Kombëtar varietetin, vetëm nëse është i dallueshëm, i qëndrueshëm dhe uniform, si dhe të ketë vlerë të kënaqshme për kultivim dhe përdorim;
gj) Vlerësimi i dosjes për testimin e një varieteti nga ESHFF-ja, për rastet kur kryhet nga subjektet shtetërore apo edhe për rastet kur testimi kryhet nga subjektet private, sipas përcaktimit të këtij vendimi, duhet të përfundojë brenda 45 ditëve;
h) Kur ESHFF-ja ose subjekti publik apo privat, i autorizuar, nuk e përfundon këtë procedurë brenda afatit të përcaktuar në shkronjën “gj”, i interesuari dorëzon ankesën pranë ESHFF-së brenda 10 ditëve nga data e marrjes dijeni dhe ESHFF-ja detyrohet t’i kthejë përgjigje subjektit brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së ankimit;
i) Nëse ESHFF-ja nuk i përgjigjet subjektit brenda afateve të përcaktuara më lart, atëherë i interesuari dorëzon ankesën pranë ministrit, i cili duhet t’i kthejë përgjigje subjektit ankues brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së ankesës.
V. PËRPUNIMI I TË DHËNAVE, PËRGATITJA E DOSJES PËR KOMISIONIN E VLERËSIMIT TË VARIETETEVE
1. Sektori përgjegjës për testimin në ESHFF, si në rastet kur testimi kryhet nga vetë ESHFF-ja edhe në rastin kur testimi kryhet nga subjekti publik apo privat, sipas përcaktimit të këtij vendimi, përpilon një dosje me të dhëna për çdo varietet të specieve të bimëve bujqësore që testohen, e cila përmban një përshkrim të qartë të punës për zbatimin e të gjitha kërkesave të metodikës përkatëse.
2. Së bashku me dosjen e të dhënave, duhet të depozitohet dhe kampioni i nevojshëm i farës së varietetit që testohet, për kryerjen e analizave biometrike në laboratorin e referencës.
3. Laboratori i referencës, bazuar në metodikën tip, kryen analizat biometrike sipas zonave të testimit dhe pajis kampionin me fletanalizën përkatëse.
4. Bazuar në të dhënat e zonave të testimit dhe analizave laboratorike, sektori përgjegjës për testimin përgatit raportin përfundimtar për KVVRKK-në.
5. ESHFF-ja i propozon KVVRKK-së që të gjitha varietetet, që do të regjistrohen në Katalogun Kombëtar, të qëndrojnë të regjistruara për jo më pak se 10 vjet, ndërsa fidanët e pemëve frutore dhe ato të hardhisë të qëndrojnë të regjistruara deri në futjen e tyre në prodhim.
VI. DISPOZITAT E FUNDIT
1. Kreu IV, “Procedura dhe metodat e testimit të varieteteve që regjistrohen në Katalogun Kombëtar”, i vendimit nr.309, datë 21.5.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e tregtimit, certifikimit dhe testimit të farës së panxharit”, kreu IV, “Procedura dhe metodat e testimit të varieteteve që regjistrohen në Katalogun Kombëtar”, i vendimit nr.86, datë 30.1.2013, të Këshillit të Minitrave, “Për përcaktimin e kritereve të tregtimit, certifikimit dhe testimit të varieteteve për farat e drithërave”, kreu IV, “Procedura dhe metodat e testimit të varieteteve që regjistrohen në Katalogun Kombëtar”, i vendimit nr.87. datë 30.1.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve të tregtimit, certifikimit dhe testimit të farave foragjere”, dhe kreu IV, “Procedura dhe metodat e testimit të varieteteve që regjistrohen në Katalogun Kombëtar”, i vendimit nr.574, datë 24.6.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e tregtimit, certifikimit dhe testimit të farës së patates”, shfuqizohen.
2. Ngarkohen ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Enti Shtetëror i Farave dhe Fidanëve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR TË VEPRIMIT “PËR PARANDALIMIN DHE LUFTËN KUNDËR TRAFIKIMIT TË PASURIVE KULTURORE TË LUAJTSHME”, 2016-2018
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit “Për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të pasurive kulturore të luajtshme”, 2016-2018, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Poseduesit privatë, që kanë në zotërim objekte të trashëgimisë kulturore të luajtshme, brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, i regjistrojnë ato në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore.
3. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Financave, Akademia e Shkencave dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMETIT RRUGOR “BY-PASS FIER (OBJEKTE)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “By-pass Fier (objekte)”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “objekte”, me vlerë 22 953 116 (njëzet e dy milionë e nëntëqind e pesëdhjetë e tre mijë e njëqind e gjashtëmbëdhjetë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 22 953 116 (njëzet e dy milionë e nëntëqind e pesëdhjetë e tre mijë e njëqind e gjashtëmbëdhjetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, “Vërtetim hipotekor”, “Certifikatë pronësie”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Fier për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.669, DATË 7.8.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR PËRCAKTIMIN, KRIJIMIN DHE REALIZIMIN E KORNIZËS REFERUESE GJEODEZIKE SHQIPTARE (KRGJSH-2010), SI METADATË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 4, të nenit 13, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.669, datë 7.8.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në titull dhe kudo në tekstin e vendimit e të rregullave bashkëlidhur tij, emërtimi “KRGJSH-2010” zëvendësohet me “KRGJSH”.
2. Në pikën 2, emërtimi “Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit” zëvendësohet me “Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike”.
3. Në tekstin e rregullave bashkëlidhur këtij vendimi bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në nenin 2 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
i. Në paragrafin e dytë, të pikës 3, fjalët “…“Epoka 2010”, lidhet me kohën (1 janar 2010), në të cilën duhet të llogariten koordinatat e rrjetit shtetëror GPS…”, hiqen.
ii. Pas pikës 7 shtohet pika 7/1, me këtë përmbajtje:
“7/1. CORS (Continuously Operating Reference Stations) është rrjeti i stacioneve referencë të operimit të vazhdueshëm për përcaktimin e pozicionimit tredimensional në sipërfaqen e tokës, nëpërmjet sistemeve GNSS.”.
b) Në nenin 3 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
i. Pika 1 riformulohet, si më poshtë vijon:
“1. Korniza Referuese Gjeodezike që do të përdoret në Republikën e Shqipërisë do të quhet “Korniza Referuese Gjeodezike Shqiptare” ose shkurt (KRGJSH).”.
ii. Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Përzgjedhja e realizimit të referencës evropiane dhe përcaktimi i epokës do të bëhen me vendim të ASIG-ut.”.
c) Neni 8 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 8
Rrjeti shtetëror GPS materializohet nëpërmjet ndërtimit të rrjetit shtetëror aktiv të stacioneve CORS dhe rrjetit shtetëror pasiv. Koordinatat e pikave të këtyre rrjeteve përcaktohen sipas KRGJSH-së.”.
ç) Pas nenit 8 shtohen nenet 8/1 e 8/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 8/1
Stacionet bazë të rrjetit shtetëror aktiv CORS dhe pikat e rrjetit shtetëror pasiv të vendosen në territore të institucioneve shtetërore qendrore, vendore apo shkencore, të cilat duhet të garantojnë ruajtjen fizike të rrjeteve dhe funksionimin e pandërprerë me energji të stacioneve CORS. ASIG-u garanton përdorimin e të dhënave të rrjetit aktiv nga institucionet, për qëllime të veprimtarisë së tyre.
Neni 8/2
Stacionet mareografike të rrjetit shtetëror të KRGJSH-së materializohen në terren si bazë për përcaktimin e nivelit mesatar të detit. Stacionet mareografike ndërtohen në territore të reparteve ushtarake dhe Ministria e Mbrojtjes duhet të garantojë ruajtjen fizike dhe funksionimin e pandërprerë me energji të tyre.”.
d) Neni 9 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 9
Radha e kryerjes së punimeve, përgatitja e instruksioneve me kërkesat teknike për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrjeteve të parashikuara në nenin 5, përfshi këtu rrjetin shtetëror pasiv dhe rrjetin aktiv të stacioneve CORS, përcaktohen dhe miratohen nga ministri përgjegjës për infrastrukturën kombëtare të informacionit gjeohapësinor me propozimin e ASIG-ut.”.
dh) Në nenet 10 dhe 11 hiqet përcaktimi “2010”.
e) Shkronja “c” e shtesës I të vendimit riformulohet, si më poshtë vijon:
“c) Faktori dinamik i figurës së tokës pa përfshirë baticën e qëndrueshme: J2 =108 263 x 10-8;
Këtij faktori i korrespondon shtypja në pole: 1/f = 298.257 222 101;”.
ë) Paragrafi në fund të shtesës II të vendimit riformulohet, si më poshtë vijon:
“Ndarja dhe emërtesat e fletëve të hartave për shkallë më të mëdha se shkalla 1:2500 përcaktohet me vendim të ASIG-ut.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.1481, DATË 12.11.2008; NR.1657, DATË 24.12.2008; NR.100, DATË 27.1.2009; NR.450, DATË 6.5.2009; NR.611, DATË 11.6.2009; NR.677, DATË 18.6.2009; NR.706, DATË 23.6.2009; NR.805, DATË 22.7.2009; NR.1038, DATË 14.10.2009; NR.1134, DATË 18.11.2009; NR.1283, DATË 23.12.2009; NR.125, DATË 17.2.2010; NR.247, DATË 13.4.2010; NR.404, DATË 26.5.2010; NR.549, DATË 7.7.2010; NR.646, DATË 28.7.2010; NR.118, DATË 17.2.2011; NR.359, DATË 4.5.2011; NR.822, DATË 23.11.2011; NR.513, DATË 1.8.2012; NR.61, DATË 23.1.2013; NR.345, DATË 24.4.2013; NR.42, DATË 21.1.2015; NR.279, DATË 1.4.2015; NR.474, DATË 3.6.2015; NR.615, DATË 7.7.2015; NR.669, DATË 29.7.2015; NR.823, DATË 7.10.2015; NR.882, DATË 30.10.2015; NR.1094, DATË 28.12.2015, PËR MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË DISA PARCELAVE NDËRTIMORE, NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE, TË NDRYSHUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar”, dhe të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimet nr.1481, datë 12.11.2008; nr.1657, datë 24.12.2008; nr.100, datë 27.1.2009; nr.450, datë 6.5.2009; nr.611, datë 11.6.2009; nr.677, datë 18.6.2009; nr.706, datë 23.6.2009; nr.805, datë 22.7.2009; nr.1038, datë 14.10.2009; nr.1134, datë 18.11.2009; nr.1283, datë 23.12.2009; nr.125, datë 17.2.2010; nr.247, datë 13.4.2010; nr.404, datë 26.5.2010; nr.549, datë 7.7.2010; nr.646, datë 28.7.2010; nr.118, datë 17.2.2011; nr.359, datë 4.5.2011; nr.822, datë 23.11.2011; nr.513, datë 1.8.2012; nr.61, datë 23.1.2013; nr.345, datë 24.4.2013; nr.42, datë 21.1.2015; nr.279, datë 1.4.2015; nr.474, datë 3.6.2015; nr.615, datë 7.7.2015; nr.669, datë 29.7.2015; nr.823, datë 7.10.2015; nr.882, datë 30.10.2015; nr.1094, datë 28.12.2015, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me numra pasurie 7/199 e 2/411 në drejtoritë e ALUIZNI-t, Vlorë dhe Tirana 5, të jenë sipas lidhjes A, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me numra pasurie 9/34, 27/52, 22/233, 359/98, 359/97, 22/232, 359/96 e 7/409 në drejtoritë e ALUIZNI-t, Elbasan, Vlorë dhe Tirana 5, të jenë sipas lidhjes B, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me numra pasurie 10/64, 10/34, 303/1, 136/1, 5/685, 5/10 e 22/261 në drejtoritë e ALUIZNI-t, Elbasan, Tirana 1 dhe Vlorë, të jenë sipas lidhjes C, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me numra pasurie 13/60, 3/292 e3/291 në drejtoritë e ALUIZNI-t, Elbasan dhe Tirana 1, të jenë sipas lidhjes F, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me numra pasurie 64/13, 5/497, 3/619, 5/280, 9/145 e 1/140 në drejtoritë e ALUIZNI-t, Elbasan, Tirana 1 dhe Vlorë, të jenë sipas lidhjes G, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
6. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me numra pasurie 25/135, 6/900, 5/630 e 5/876 në drejtoritë e ALUIZNI-t, Elbasan, Tirana 1 dhe Vlorë, të jenë sipas lidhjes H, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
7. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me numër pasurie 13/699 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 të jenë sipas lidhjes I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
8. Gjenealitetet e poseduesve të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me numër pasurie 11/590 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 të jenë sipas lidhjes J, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
9. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me numra pasurie 4/577, 435/91 e 9/458 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 të jenë sipas lidhjes K, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
10. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me numër pasurie 2/400 në drejtoritë e ALUIZNI-t, Elbasan e Tirana 2, të jenë sipas lidhjes L, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
11. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me numra pasurie 9/409 e 5/597 në drejtoritë e ALUIZNI-t, Elbasan dhe Vlorë, të jenë sipas lidhjes M, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
12. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me numra pasurie 46/115 e 1/546 në drejtoritë e ALUIZNI-t, Tirana 1 dhe Kukës, të jenë sipas lidhjes N, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
13. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me numra pasurie 21/190, 21/209 e 21/206 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Vlorë të jenë sipas lidhjes O, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
14. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë, për parcelat ndërtimore me numra pasurie 8/79, 8/102, 8/75 e 8/77 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Kukës të jenë sipas lidhjes P, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
15. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me numër pasurie 6/198, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Elbasan të jenë sipas lidhjes Q, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
16. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me numra pasurie 16/50 e 2/307 në drejtoritë e ALUIZNI-t, Tirana 1 dhe Elbasan, të jenë sipas lidhjes R, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
17. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me numra pasurie 87/47, 1/437, 32/208, 22/198, 8/156, 16/208, 16/72, 40/60 e 6/410 në drejtoritë e ALUIZNI-t, Tirana 1 dhe Elbasan, të jenë sipas lidhjes S, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
18. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë, për parcelat, ndërtimore me numra pasurie 2/11, 36/164, 5/170, 40/71, 5/322, 11/302, 25/444, 5/180 e 5/573 në drejtoritë e ALUIZNI-t, Elbasan, Kukës, Tirana 2 dhe Vlorë, të jenë sipas lidhjes T, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
19. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me numra pasurie 7/462 e 7/463 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 2 të jenë sipas lidhjes U, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
20. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me numra pasurie 49/139, 405/23, 6/200 e 8/400 në drejtoritë e ALUIZNI-t, Kukës, Elbasan dhe Tirana 2, të jenë sipas lidhjes V, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
21. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me numër pasurie 21/158 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Vlorë të jetë sipas lidhjes Z, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
22. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me numër pasurie 129/15 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Kukës të jetë sipas lidhjes AA, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
23. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me numër pasurie 3/1096 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Korçë të jenë sipas lidhjes AH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
24. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me numër pasurie 140/120 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 5 të jetë sipas lidhjes AI, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
25. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me numra pasurie 136/1, 573, 7/1237 e 3/1095, në drejtoritë e ALUIZNI-t, Korçë dhe Tirana 4, të jenë sipas lidhjes AJ, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
26. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me numër pasurie 28/50 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Shkodër të jenë sipas lidhjes AK, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
27. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me numra pasurie 23/40 e 6/1074 në drejtoritë e ALUIZNI-t, Gjirokastër dhe Shkodër, të jenë sipas lidhjes AL, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
28. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me numër pasurie 4/396 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Vlorë të jenë sipas lidhjes AM, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
29. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me numra pasurie 50/340 e 874/3 në drejtoritë e ALUIZNI-t, Kukës dhe Elbasan, të jenë sipas lidhjes AN, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
30. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me numër pasurie 45/45 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Kukës të jenë sipas lidhjes AN, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
31. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.205, DATË 9.4.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA HAPJA DHE NDËRTIMI I UNAZËS VERIORE, SEGMENTI A-B, NË LAGJEN “11 NËNTORI”, HAPJA DHE SISTEMIMI I ZGJATIMIT TË UNAZËS SË BRENDSHME, SEGMENTI QË BASHKON RRUGËN “28 NËNTORI” ME RRUGËN “RINIA”, SI DHE HAPJA E SISTEMIMI I ZGJATIMIT TË RRUGËS “LEF NOSI”, LAGJJA “5 MAJI”, SEGMENTI B-C, TË BASHKISË SË ELBASANIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tabelën e të shpronësuarve, të përmendur në pikën 3, të vendimit nr.205, datë 9.4.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
“Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pronarin Adem Sadi Shabani, ndryshon dhe bëhet 9 660 998.5 (nëntë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e tetë pikë pesë) lekë, nga të cilat:
a) tokë “truall”, me sipërfaqe 149 (njëqind e dyzet e nëntë) m2, me vlerë 1 972 015 (një milion e nëntëqind e shtatëdhjetë e dy mijë e pesëmbëdhjetë) lekë;
b) “banesë”, me sipërfaqe 211.9 (dyqind e njëmbëdhjetë pikë nëntë) m2, me vlerë 7 620 984 (shtatë milionë e gjashtëqind e njëzet mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e katër) lekë;
c) “Dru frutorë” në vlerë 68 000 (gjashtëdhjetë e tetë mijë) lekë.”, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.575, DATË 10.7.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PЁR VLERЁSIMIN DHE DHЁNIEN ME KONCESION/PARTNERITET PUBLIK PRIVAT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 16, pika 5, 21, pika 2, 24, pika 5, 25, pika 7, e 42, pika 3, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin “Rregullat për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat”, miratuar me vendimin nr.575, datë 10.7.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Titulli i kreut II ndryshohet dhe zëvendësohet me “Rregulla të veprimeve për dhënien me koncesion/partneritet publik privat”.
2. Neni 3 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 3
Identifikimi i projekteve të mundshme të koncesionit/PPP
1. Autoriteti kontraktues, sipas fushës së veprimtarisë që mbulon, bën identifikimin dhe shqyrtimin e projektit të koncesionit/PPP.
2. Bazuar në dispozitat e nenit 17 të ligjit, pikënisja e identifikimit të një projekti të mundshëm të koncesionit/PPP mund të jetë:
a) procesi i planifikimit kombëtar, rajonal/lokal apo në nivel sektori;
b) analiza e gjendjes infrastrukturore, identifikimi i mungesave të shërbimeve dhe/ose nevojave të investimit;
c) projektide të nxitura nga prioritetet e politikave.
3. Për shqyrtimin dhe dhënien e koncesionit/PPP, referuar nenit 18 të ligjit, autoriteti kontraktues ngre komisionin e koncesionit/PPP, duke kërkuar caktimin e të paktën dy anëtarëve nga Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve. Kërkesa për caktimin e anëtarëve shoqërohet me një informacion të detajuar për projektin.
4. Komisioni i koncesionit/PPP përgatit një raport përmbledhës i cili përqendrohet veçanërisht në aspekte të domosdoshmërisë e të përshtatshmërisë së idesë së projektit dhe merr parasysh një gamë të gjerë të alternativave të realizimit. Ai duhet të përmbajë të paktën:
a) përshkrimin e situatës aktuale, vlerësimin e të metave kryesore apo të hapësirave të zhvillimit, kontekstin e përmirësimit dhe, nëse është e përshtatshme, një pasqyrë të tregut;
b) parashikimet afatmesme dhe afatgjata të nevojave;
c) përshkrimin e përgjithshëm të projektit;
ç) legjislacionin që rregullon objektin e fushës së investimit;
d) në rastin e një projekti që përfshin kryerjen e një funksioni institucional, natyrën e funksionit institucional në fjalë dhe masën në të cilën ky funksion institucional, si ligjërisht ashtu edhe nga natyra e tij, mund të kryhet nga një palë private;
dh) në rastin e një projekti që përfshin përdorimin e pronës shtetërore, një përshkrim të pronës shtetërore në fjalë, përdorimet, nëse ka, subjekt i të cilave është aktualisht një pronë e tillë shtetërore, dhe një përshkrim të llojeve të përdorimit, në të cilat mund të përfshihet ligjërisht një subjekt privat;
e) përfitimet strategjike dhe operacionale që priten nga projekti;
ë) bashkërendimin me politikat e përgjithshme të investimeve sektoriale apo rajonale;
f) skenarët teknikë dhe ekonomikë, me anë të të cilëve mund të arrihen objektivat e projektit;
g) vlerësimet paraprake të kostos së projektit dhe të qëndrueshmërisë financiare;
gj) analizën paraprake financiare dhe/ose ekonomike bazuar në informacionet në dispozicion;
h) alternativat e alokimit të riskut financiar, teknike dhe operacionale ndërmjet palës publike dhe subjektit privat;
i) konkluzionet e rekomandimet e zbatimit të mundshëm dhe rregullimet operacionale për projektin/projektet e mundshme, duke përfshirë modelet e zbatueshme/të përshtatshme të partneritetit publik privat;
j) propozimin për dhënien e pikëve bonus në bazë të rezultateve teknike dhe financiare për propozimet e pakërkuara.
5. Autoriteti kontraktues, bazuar në raportin përmbledhës të hartuar nga komisioni i koncesionit/PPP, me vendim përcakton:
shtyrjen ose refuzimin e plotë të zbatimit të projektit. Bazat për ndërprerjen mund të përbëhen nga provat thelbësore të mungesës së mundshme të fizibilitetit të projektit/alternativave që janë analizuar. Prova të tilla krijohen në bazë të krahasimeve paraprake të përfitimeve dhe kostove të përdoruesve, të informacionit për mungesën e fizibilitetit/përshtatshmërisë financiare apo të konkluzionit se objekti në përgjithësi nuk është i nevojshëm;
vazhdimin e procedurave me përgatitjen e studimit të fizibilitetit;
kthimin për plotësim të propozimit të pakërkuar, për shkak se nuk është paraqitur sipas formave të kërkuara në nenin 10 të këtyre rregullave. Në këtë rast, propozuesi ka afat 30 ditë nga data e kthimit të propozimit për ta plotësuar atë.”.
3. Në nenin 4 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Pikat 2 dhe 3 riformulohen, si më poshtë vijon:
“2. Në studimin e fizibilitetit, ku do të detajohet informacioni i përfshirë në raportin përmbledhës, përcaktohen veçoritë kryesore të projektit, bazuar në analizën teknike, ekonomike e financiare, analizën e ndikimit mjedisor e social, si dhe në analizimin e faktit nëse projekti i hartuar si një koncesion/PPP është ekonomikisht më i favorshëm, krahasuar me alternativën e prokurimit tradicional.
3. Studimi i fizibilitetit hartohet nga komisioni i koncesionit/PPP brenda 60 ditëve pune, nga data e krijimit të këtij komisioni, ndërsa në rastet e koncesioneve/partneritetit publik privat për HEC-et, ky afat fillon sipas përcaktimit të paragrafit të dytë dhe mund të shtyhet jo më shumë se 30 ditë pune, për shkaqe të kompleksitetit të projektit.
Studimi i fizibilitetit për koncesionet/PPP për HEC-et hartohet nga komisioni i koncesionit/PPP, pas marrjes së oponencës teknike shtetërore nga strukturat përgjegjëse të ngarkuara për të bërë këtë oponencë.”.
b) Pika 4 shfuqizohet.
4. Në nenin 8 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Titulli i nenit 8 ndryshohet dhe zëvendësohet me “Arsyetimi i vendimit të koncesionit/PPP”.
b) Paragrafi i parë, i pikës 1, riformulohet, si më poshtë vijon:
“Nëse është konfirmuar leverdia dhe qëndrueshmëria e projektit sipas analizave të ndërmarra në përputhje me nenet 3 deri 7, komisioni i koncesionit/PPP vazhdon me arsyetimin e vendimit për të përcaktuar nëse forma koncesion/PPP duket si modeli më i përshtatshëm për zbatimin e projektit.”.
c) Pika 2 shfuqizohet.
5. Pika 2, e nenit 9, riformulohet, si më poshtë vijon:
“2. Paraqitja e studimit të fizibilitetit bëhet sipas formularit standard, i cili hartohet nga Njësia e Trajtimit të Koncesioneve/PPP (ATRAKO) dhe publikohet në faqen zyrtare të saj.”.
6. Në pikën 3, të nenit 10, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Shkronja “a” shfuqizohet.
b) Shkronja “b” riformulohet, si më poshtë vijon:
“b) formë të zhvilluar me analiza teknike, ekonomike dhe financiare, sipas nenit 11 të këtyre rregullave;”.
7. Neni 11 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 11
Propozimi i pakërkuar në formë të zhvilluar
Propozimi i pakërkuar, i paraqitur në këtë formë, përmban:
a) përshkrimin e situatës aktuale, vlerësimin e të metave kryesore, kontekstin e zhvillimit dhe, nëse është e përshtatshme, një panoramë të tregut;
b) parashikimet afatmesme dhe afatgjata të nevojave;
c) përshkrim të përgjithshëm të projektit;
ç) përfitimet strategjike dhe operacionale që priten nga projekti;
d) bashkërendimin me politikat e investimeve të përgjithshme, sektoriale apo rajonale;
dh) analizat teknike, sipas nenit 5 të këtyre rregullave;
e) ndikimet mjedisore dhe sociale, sipas nenit 6, të këtyre rregullave;
ë) analizat ekonomike dhe financiare, sipas nenit 7 të këtyre rregullave.”.
8. Neni 12 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 12
Raporti përmbledhës i propozimit të pakërkuar
1. Komisioni i koncesionit/PPP harton raportin përmbledhës në të cilin verifikon plotësimin e kushteve të parashikuara në nenin 10 dhe se dokumentacioni i paraqitur është i plotë e në përputhje me nenin 11 të këtyre rregullave. Në raport përcaktohet nëse:
a) objektivat e projektit janë të përcaktuar qartë dhe të arritshëm;
b) objektivat e projektit i shërbejnë interesit publik dhe përshtaten brenda prioriteteve strategjike të autoritetit kontraktues;
c) nuk ka pengesa ligjore ose kufizime për zbatimin e projektit dhe/ose për të hyrë në një kontratë koncesioni/PPP;
ç) projekti mund të zbatohet siç është planifikuar, duke përdorur teknologjitë e propozuara dhe pa rreziqe të paarsyeshme teknike;
d) projekti duket të ketë qëndrueshmëri ekonomike;
dh) projekti duket të jetë në gjendje të tërheqë garantuesit/mbështetësit financiarë, duke siguruar kthimin e arsyeshëm financiar;
e) niveli i propozuar i alokimit të riskut nga subjektet e sektorit publik dhe privat është racional dhe i arsyeshëm;
ë) mbështetja e duhur financiare mund të përshtatet brenda buxhetit të kufizuar dhe detyrimeve të tjera fiskale.
2. Gjatë periudhës së përgatitjes së raportit përmbledhës, autoriteti kontraktues mund të kërkojë informacione shtesë nga propozuesi.
3. Bazuar në raportin përmbledhës, autoriteti kontraktues vendos:
të kthejë për plotësim propozimin e pakërkuar, për shkak se nuk është paraqitur sipas formave të kërkuara në nenin 10 të këtyre rregullave. Në këtë rast, propozuesi ka afat 30 ditë nga data e kthimit të propozimit për të plotësuar atë.
të pranojë propozimin dhe të vazhdojë hartimin e studimit të fizibilitetit;
të refuzojë propozimin dhe të heqë dorë nga zbatimi i projektit. Bazat për ndërprerjen mund të përbëhen nga provat thelbësore të mungesës së mundshme të fizibilitetit të projektit/alternativave që janë analizuar. Prova të tilla krijohen në bazë të krahasimeve paraprake të përfitimeve dhe kostove të përdoruesve, të informacionit për mungesën e fizibilitetit/përshtatshmërisë financiare apo të konkluzionit se objekti në përgjithësi nuk është i nevojshëm.
Në të gjitha rastet e sipërpërmendura autoriteti kontraktues i komunikon me shkrim propozuesit vendimin e marrë.”.
9. Në nenin 13 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në pikën 1, togfjalëshi “autoriteti kontraktues” zëvendësohet me “komisioni i koncesionit/PPP”.
b) Pika 2 riformulohet, si më poshtë vijon:
“2. Komisioni i koncesionit/PPP mund të përdorë të gjitha ose një pjesë të informacionit të propozimit të pakërkuar për të hartuar studimin e fizibilitetit.”
c) Pika 6 riformulohet, si më poshtë vijon:
“6. Afati për përfundimin e studimit të fizibilitetit, në rastin e një propozimi të pakërkuar, është jo më shumë se 60 ditë pune nga data e krijimit të komisionit të koncesionit/PPP dhe mund të shtyhet jo më shumë se 30 ditë pune për shkaqe të kompleksitetit të projektit.”.
ç) Pika 7 shfuqizohet.
10. Neni 15 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 15
Dhënia e bonusit
1. Në rast pranimi të një propozimi të pakërkuar, propozuesit i jepet një bonus për rezultatin tekniko-financiar të arritur gjatë procedurës konkurruese deri në një maksimum prej 10% të pikëve totale të garës.
2. Këshilli i Ministrave, në bazë të propozimit të autoritetit kontraktues, miraton me vendim pikët që i jepen si bonus për propozuesin.”.
11. Neni 16 shfuqizohet.
12. Në nenin 18, të kreut IV, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në pikën 1, togfjalëshi “neni 18” zëvendësohet me “neni 19”.
b) Në pikën 3, togfjalëshi “45 ditë” zëvendësohet me “40 ditë” .
13. Në nenin 19 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Pika 1 riformulohet, si më poshtë vijon:
“1. Kërkesa për miratimin e Ministrisë së Financave shoqërohet me studimin e fizibilitetit të zhvilluar plotësisht, duke përfshirë arsyetimin e vendimit për dhënien me koncesion/PPP, analizat e riskut, informacionin për projektet ekzistuese të koncesioneve/PPP dhe angazhimeve buxhetore që rrjedhin prej tyre.”.
b) Pika 5 shfuqizohet.
14. Pika 2, e nenit 20, riformulohet, si më poshtë vijon:
“2. Për kryerjen e detyrave të përshkruara në pikën 1, Ministria e Financave merr parasysh sa më shumë që të jetë e mundur raportet e përshkruara në studimin e fizibilitetit.”.
15. Pika 3, e nenit 23, riformulohet, si më poshtë vijon:
“3. Përveç përshkrimit dhe dokumentacionit të përmendur në pikën 2, të këtij neni, autoriteti kontraktues dorëzon një raport cilësor dhe sasior risku dhe një raport mbi implikimet fiskale vjetore të drejtpërdrejta dhe/ose të pritshme të ndryshimeve gjatë kohëzgjatjes së kontratës, përfshirë një përshkrim të burimeve të financimit për shërbimin e detyrimeve të drejtpërdrejta, duke përfshirë, por pa u kufizuar në pagesat e tarifave vjetore të disponueshmërisë si dhe garancitë.”.
16. Neni 24 riformulohet, si më poshtë vijon:
“Neni 24
Dokumentet e tenderit
1. Njësia e Trajtimit te Koncesioneve, (ATRAKO) bashkërendon punën me Agjencinë e Prokurimit Publik për hartimin e setit të dokumenteve standarde të procedurës së koncesioneve/PPP-ve dhe i dërgon për publikim në APP.
2. Komisioni i koncesionit/PPP harton dokumentet e tenderit në përputhje me setin e dokumenteve standarde të procedurës së koncesionit/PPP dhe dispozitave përkatëse të ligjit për koncesionet dhe partneritetin publik privat.”.
17. Pas pikës 8, të nenit 25, shtohen pikat 9 dhe 10, me këtë përmbajtje:
“9. Në rastin kur operatori ka përfituar bonus për propozimin e pakërkuar, pikët e bonusit do t’i llogariten operatorit ose bashkimit të përkohshëm të operatorëve ku ai bën pjesë.
10. Në rastet kur dy ose më shumë operatorë kanë përfituar bonus për propozimin e pakërkuar të paraqitur bashkërisht, pikët bonus nuk i llogariten secilit prej tyre, nëse marrin pjesë individualisht në garë.”.
18. Vendimi nr.576, datë 10.7.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për identifikimin, vlerësimin dhe dhënien e koncesioneve për hidrocentralet”, shfuqizohet.
19. Ngarkohen të gjitha institucionet qendrore dhe vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.994, DATË 9.12.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURËN E REGJISTRIMIT TË AKTEVE TË MARRJES SË TOKËS NË PRONËSI”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 9, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, dhe të neneve 25 e 45, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 6, e vendimit nr.994, datë 9.12.2015, të Këshillit të Ministrave, riformulohet, si më poshtë vijon:
“6. Në çdo rast, kur është i nevojshëm hartimi i planvendosjes së ngastrave për regjistrim apo korrigjimi dhe saktësimi i tyre, ato kryhen me shpenzimet e bashkive nëpërmjet topografëve të vet.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.432, DATË 2.7.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA HAPJA DHE SISTEMIMI I DISA SEGMENTEVE TË RRUGËS “11 NËNTORI” (SOT RRUGA “QEMAL STAFA”) NË QYTETIN E ELBASANIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 3, të vendimit nr.432, datë 2.7.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Për segmentin nga kthesa e stadiumit deri në bashkim me Unazën Jugore në lindje të qytetit, tabelës bashkëlidhur vendimit i shtohet lista me pronarët e rinj, sipas tabelës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, me një vlerë shpronësimi prej 1 344 701.20 (një milion e treqind e dyzet e katër mijë e shtatëqind e një pikë njëzet) lekësh;
2. Emri i pronarit Xhevit Shaban Seiti, në tabelën bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me emrin e pronarit Edi Ziu, sipas tabelës 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
3. Për segmentin nga shkolla “Jorgji Dilo” deri te “Rotonda tek Posta” (ana veriore), për pronarin Bledar Fatmir Duduci, vlera e përgjithshme e shpronësimit, nga 1 369 094.66 (një milion e treqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e nëntëdhjetë e katër pikë gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë ndryshon dhe bëhet 1 096 668 00 (një milion e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e tetë) lekë; për pronaren Shegushe Qamil Spahiu, vlera e përgjithshme e shpronësimit, nga 4 244 355 (katër milionë e dyqind e dyzet e katër mijë e treqind e pesëdhjetë e pesë) lekë ndryshon dhe bëhet 1 107 000 (një milion e njëqind e shtatë mijë) lekë, sipas tabelës 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
4. Në segmentin nga shkolla “Jorgji Dilo” deri te “Rotonda tek Posta” (ana veriore), vlerës së shpronësimit, prej 54 523 356.6 (pesëdhjetë e katër milionë e pesëqind e njëzet e tre mijë e treqind e pesëdhjetë e gjashtë pikë gjashtë) lekësh, i shtohet vlera prej 6 007 758.6 (gjashtë milionë e shtatë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e tetë pikë gjashtë) lekësh, sipas tabelës 4, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT, NGA BUXHETI I VITIT 2016, PËR BASHKËSITË FETARE TRADICIONALE QË KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE ME KËSHILLIN E MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4 e 6, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin nga buxheti i shtetit të bashkësive fetare tradicionale, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Masa e financimit, nga buxheti i vitit 2016, prej 109 000 000 (njëqind e nëntë milionë) lekësh, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, të përdoret, si më poshtë vijon:
a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 31 416 000 (tridhjetë e një milionë e katërqind e gjashtëmbëdhjetë mijë) lekë, të ndarë në:
i. 11 748 000 (njëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e dyzet e tetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 89 punonjës të administratës;
ii. 19 668 000 (nëntëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 149 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 25 872 000 (njëzet e pesë milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy mijë) lekë, të ndarë në:
i. 20 592 000 (njëzet milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e dy mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 156 punonjës të administratës;
ii. 5 280 000 (pesë milionë e dyqind e tetëdhjetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 25 872 000 (njëzet e pesë milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy mijë) lekë, të ndarë në:
i. 5 676 000 (pesë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 43 punonjës të administratës;
ii. 20 196 000 (njëzet milionë e njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 153 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
ç) Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 25 840 000 (njëzet e pesë milionë e tetëqind e dyzet mijë) lekë, të ndarë në:
i. 3 696 000 (tre milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 28 punonjës të administratës;
ii. 15 144 000 (pesëmbëdhjetë milionë e njëqind e dyzet e katër mijë) lekë, përkatësisht,:
– 10 144 000 (dhjetë milionë e njëqind e dyzet e katër mijë) lekë, për ndërtimin e Teqesë së Shtufit, Gjirokastër;
– 5 000 000 (pesë milionë) lekë, për ndërtimin e teqesë në Përmet.
iii. 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore, me qendër në Tiranë, dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit, që do të përdoren për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesë-preventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2016, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur për kryerjen e veprimtarive të parashtruara.
2. Kalimi i fondit të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të bëhet brenda muajit prill të vitit 2016.
3. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM DHE SHTESË NË VENDIMIN NR.391, DATË 6.5.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I RRUGËS LIDHËSE MIDIS RRUGËVE “QEMAL STAFA” DHE “ESAT BORDI”, SI DHE NDËRTIMI I LULISHTES NË PJESËN JUGORE TË BULEVARDIT “AQIF PASHA”, TE “XHAMLLIKU PARA SAHATIT”, NË BASHKINË E ELBASANIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tabelën e të shpronësuarve, që përmendet në pikën 3, bashkëlidhur vendimit nr.391, datë 6.5.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhet ndryshimi dhe shtesa, si më poshtë vijon:
1. Emri i pronares Sherife Doksani zëvendësohet me emrin e pronarit “NOA ShA”.
2. Shtohet emri i pronarit Bardhyl Stavri, me sipërfaqe 12.3 (dymbëdhjetë pikë tre) m2, me vlerë 813 522 (tetëqind e trembëdhjetë mijë e pesëqind e njëzet e dy) lekë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT “STANDARDET SHTETËRORE PËR SPECIFIKIMET TEKNIKE TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË SHQIPËRI – TEMA: PARCELAT KADASTRALE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 2, shkronja “e”, dhe 16, pika 1, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentit “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri – Tema: Parcelat kadastrale”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet përgjegjëse për krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e të dhënave gjeohapësinore, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT PUBLIK QË PËRFAQËSON SHTETIN SI PRONAR TË AKSIONEVE TË SHOQËRIVE TË SEKTORIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 48, pika 2, e 53, pika 3, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995, “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të shoqërive Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, sh.a., dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., është Ministria e Energjisë dhe Industrisë.
2. Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., (OST), është Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
3. Ministri i Energjisë dhe Industrisë dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes emërojnë anëtarët e këshillave mbikëqyrës të shoqërive të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, duke zbatuar kufizimet e përcaktuara në ligjin nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”.
4. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, OST-ja aplikon menjëherë pranë Entit Rregullator të Energjisë, për certifikim, sipas procedurës së përcaktuar në nenin 58, të ligjit nr.43/2015.
5. Ministria e Energjisë dhe Industrisë ushtron të drejtat mbi OST-në, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, dhe fushën e tij të përgjegjësisë shtetërore.
6. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT KONTRAKTOR PËR TË NDËRMARRË DHE ZHVILLUAR PROCEDURAT PËR DHËNIE KONCESIONI/PARTNERITETI PUBLIK PRIVAT, ME OBJEKT NDRIÇIMIN PUBLIK NË TERRITORET E NJËSIVE ADMINISTRATIVE VENDORE, NË KUADËR TË PROGRAMIT TË EFIÇENCËS SË ENERGJISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 13, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Përcaktimin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Bashkisë Tiranë dhe Bashkisë Durrës, si autoritete kontraktore, për të marrë në shqyrtim projektin e koncesionit/partneritetit publik privat, të identifikuar dhe të propozuar nga shoqëria “HeSaLight” A/S, për sistemin e ndriçimit të Bashkisë Tiranë dhe të Bashkisë Durrës, në kuadër të programit të efiçencës së energjisë.
- Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë të administrojë procedurat për dhënien me koncesion/PPP, në përputhje me kreun III, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar.
- Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Bashkia Tiranë dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.