Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 28 Maj 2025:  
V E N D I M
PËR
AUTORIZIMIN E KORPORATËS SË INVESTIMEVE SHQIPTARE PËR ZHVILLIMIN E PASURISË NR.3/257, NË ZONËN KADASTRALE 8210, PËR REALIZIMIN E PROJEKTIT TË INVESTIMIT “RIJETËZIMI I PALLATIT TË LOJËRAVE ME DORË  “ASLLAN RUSI””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të  ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Autorizimin e shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, vetë apo nëpërmjet entitetit të krijuar prej saj, për të vepruar si zhvillues i pronës së përcaktuar në shtojcën nr.1, sipas këtij vendimi, me qëllim realizimin e projektit të investimit “Rijetëzimi i Pallatit të Lojërave me Dorë                            “Asllan Rusi””, në përmbushje të interesit publik për projektin e investimit.
2. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare dhe institucionet e përcaktuara në shtojcën nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi, apo autoritetet e autorizuara prej tyre që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, si dhe përmbushjen e interesit të Korporatës, si dhe entetit/entiteteve në pronësi të të cilit/ave regjistrohet prona e re shtetërore.
3. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për hapjen e procedurës konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, sipas rregullave të përcaktuara në vendimin nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, për zhvillimin e pronës nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes.
Autorizohet Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, që në të njëjtën procedurë të asistojë Korporatën e Investimeve Shqiptare nëpërmjet hartimit të termave të referencës për projektidetë arkitekturore, hartimin e kritereve të kualifikimit për projektuesit dhe kritereve të vlerësimit paraprak e përfundimtar të projektideve arkitekturore. Shpenzimet për shërbimet e parashikuara në këtë pikë mbulohen nga buxheti i Korporatës së Investimeve Shqiptare.
4. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për negociimin me subjekte private, me qëllim lidhjen e kontratës përkatëse për zhvillimin e pronës për të cilën ka autorizim zhvillimi, në funksion të realizimit të projektit të investimit.
5. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare, vetë apo nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, të kryejë veprimet me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, institucionet publike, kompetente për planifikimin e zhvillimin e territorit, apo me institucione të tjera, në kuadër të realizimit të projektit të investimit, si dhe të sigurojë regjistrimin në emër të Republikës së Shqipërisë/Bashkisë së Tiranës/Qendrës Sportive, sh.a./Korporatës së Investimeve Shqiptare, sipas parashikimeve të marrëveshjes së bashkëpunimit, të pronës së re shtetërore që do të krijohet në kuadër të projektit të investimit.
6. Në funksion të zhvillimit të pronës të përcaktuar në këtë vendim, në përputhje me parashikimet ligjore përkatëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për të proceduar me prishjen e objekteve, pjesë e pronës së përcaktuar në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
7. Ngarkohen Ministria Arsimit dhe Sportit, Bashkia Tiranë, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Qendra Sportive, sh.a., dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
AUTORIZIMIN E KORPORATËS SË INVESTIMEVE SHQIPTARE PËR KOORDINIMIN E PROCESIT TË IDENTIFIKIMIT TË PRONËS SHTETËRORE ME INTERES PËR TË REALIZUAR PROJEKTE INVESTIMI NË ZONËN INDUSTRIALE TË ISH-KOMBINATIT METALURGJIK, BASHKIA ELBASAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 5, të ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Korporata e Investimeve Shqiptare, në përputhje me objektivat e saj, me qëllim identifikimin e pronës shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi në zonën industriale të ish-Kombinatit Metalurgjik, Bashkia Elbasan, ngarkohet për përmbushjen e detyrave, si më poshtë vijon:
a) Të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet procedurale për konsolidimin e pronës shtetërore në këtë zonë, si më poshtë vijon:
i. Në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës koordinimin dhe bashkërendimin me institucionet shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të përfshira në çështjet e pronësisë apo administrimit të këtyre pronave, për dhënien dhe shkëmbimin e informacionit apo të dokumentacionit të kërkuar në lidhje me të drejtat e pronësisë, që është i nevojshëm për një pasqyrim të gjendjes së pronësisë, caktimin më të saktë të kufijve të zonës dhe përfundimin me prioritet të procesit të regjistrimit të pronës në regjistrat e pasurive të paluajtshme;
ii. Në bashkëpunim me shoqëritë shtetërore në përdorim të të cilave janë pasuritë brenda zonës së parkut metalurgjik, përcaktimin e  statusit ligjor në librat e tyre kontabël;
iii. Negociimin me subjektet private, të përfshira në marrëdhënien juridike të pronësisë për këto prona, në lidhje me sqarimin dhe qartësimin e statusit të pjesës përkatëse të pronës shtetërore në këtë zonë;
b) Të hartojë dhe të sigurojë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Agjencinë e Zhvillimit të Territorit një plan të detajuar qendror të zhvillimit të zonës, në të cilin ndodhet prona shtetërore. Shpenzimet për realizimin e këtij plani të detajuar qendror mbulohen nga buxheti i Korporatës së Investimeve Shqiptare;
c) Të hartojë dhe të paraqesë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, një projekt zhvillimi të pronës shtetërore në këtë zonë. Shpenzimet për realizimin e këtij projektzhvillimi mbulohen nga buxheti i Korporatës së Investimeve Shqiptare dhe/ose partnerët privatë.
2. Institucionet shtetërore të përfshira në çështjet e pronësisë apo administrimit të pronave, sipas parashikimit të nënndarjeve “i” dhe “ii”, të shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, të paraqesin informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar, brenda 5 (pesë) ditëve nga momenti i administrimit të kërkesës së paraqitur me shkrim nga Korporata e Investimeve Shqiptare.
3. Korporata e Investimeve Shqiptare i paraqet raport të detajuar lidhur me përmbushjen e detyrave të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, ministrisë përgjegjëse për ekonominë, e cila, pas konfirmimit të përmbushjes së detyrave, merr në shqyrtim kërkesën e Korporatës së Investimeve Shqiptare, në zbatim të pikës 1, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
FINANCIMIN E VEPRIMTARISË SË FONDACIONIT “DURRAH CITY FOOTBALL ACADEMY” PËR VITIN 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, pika 2, dhe 19, pika 4, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit prej 80 000 000 (tetëdhjetë milionë) lekësh, të miratuar në buxhetin e vitit 2025 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në programin buxhetor 08140 “Për zhvillimin e sportit”, në llogarinë ekonomike 604 “Transferta të brendshme”, për financimin e shpenzimeve të ushtrimit të veprimtarisë së fondacionit “Durrah City Football Academy”.
2. Fondi i përcaktuar, sipas pikës 1 të këtij vendimi, transferohet në llogarinë e fondacionit, në bankën e nivelit të dytë.
3. Fondacioni “Durrah City Football Academy”, brenda muajit shkurt 2026, dërgon në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit raportin e shpenzimeve të realizuara për vitin 2025,  të miratuar nga bordi drejtues i fondacionit.
4. Fondet buxhetore, që do t’i akordohen fondacionit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, duhet t’u nënshtrohen rregullave të menaxhimit financiar dhe kontrollit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin financiar dhe kontrollin.
5. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË KRITEREVE  PËR ADMINISTRIMIN E FONDIT TË VEÇANTË TË BUXHETIT TË POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 138, të  ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky vendim ka si objekt përcaktimin e rregullave e të kritereve për administrimin e fondit të veçantë të buxhetit të Policisë së Shtetit nga drejtuesi i njësisë shpenzuese.
Neni 2
Fondi i veçantë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ndan fondin e veçantë, i cili është në maksimum sa 1% e buxhetit vjetor të Policisë së Shtetit, sipas nevojave që kanë strukturat qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit.
Neni 3
Përdorimi i fondit të veçantë
Policia e Shtetit përdor fondin e veçantë sipas përcaktimeve të pikës 1, të                       nenit 138, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”.
Pagesat jepen pas realizimit të veprimit policor konkret dhe marrjes së rezultatit ose në bazë të një planifikimi paraprak për realizimin e aktiviteteve policore ku parashikohen shpenzime operacionale.
Ndalohet dhënia e shpërblimeve më shumë se një herë, të njëjtit burim, për të njëjtin rezultat konkret.
II. RREGULLAT DHE KRITERET E ADMINISTRIMIT TË FONDIT                  TË VEÇANTË
Neni 4
Detyrat dhe përgjegjësitë e autoriteteve
1. Shefi i Komisariatit të Policisë autorizon përdorimin deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë ose vlerën ekuivalente në valutë.
2. Zëvendësdrejtori për Hetimin e Krimeve/për Sigurinë Publike, në Drejtorinë Vendore të Policisë, autorizon përdorimin deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë ose vlerën ekuivalente në valutë.
3. Drejtori i strukturës vendore të policisë/drejtuesi i sektorit për hetimin e krimeve në drejtorinë qendrore dhe drejtuesi i sektorit dhe zëvendësdrejtor në Drejtorinë e Antiterrorit autorizojnë përdorimin deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë ose vlerën ekuivalente në valutë.
4. Drejtori i Strukturës Qendrore për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, autorizon përdorimin deri në 1 000 000 (një milion) lekë ose vlerën ekuivalente në valutë.
5. Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike dhe drejtori i Drejtorisë së Antiterrorit autorizojnë përdorimin e deri në 5 000 000 (pesë milionë) lekë ose vlerën ekuivalente në valutë.
6. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit autorizon përdorimin e mbi                       5 000 000 (pesë milionë) lekë ose vlerën ekuivalente në valutë.
7. Nuk mund të autorizohet përdorimi i fondit të veçantë përtej fondit limit të përcaktuar në buxhetin për strukturën policore përkatëse. Në rastet kur nevojat janë përtej fondit limit të përcaktuar, kërkohet miratim nga eprori që ka kompetencë dhënien e autorizimit të përdorimit ose shtesë buxheti në fondin e veçantë.
8. Në rastet kur strukturë autorizuese sipas këtij neni nuk është drejtuesi i njësisë shpenzuese, në çdo rast kërkohet miratimi i këtij të fundit.
9. Kur gjatë përdorimit të fondit të veçantë, dinamika kërkon fonde të tjera, përtej atyre të miratuara, autorizohen fonde shtesë, me kusht që shuma e të gjitha rasteve të miratuara për përdorim të fondit të veçantë të mos kapërcejë kompetencën e autoritetit policor që jep autorizimin e përdorimit.
Neni 5
Procedura e planifikimit të fondit të veçantë
Planifikimi i fondit të veçantë kryhet, si më poshtë vijon:
1. Brenda tremujorit të parë të vitit, drejtoritë qendrore për hetimin e krimeve, drejtoritë vendore të policisë dhe komisariatet e policisë, si dhe Drejtoria e Antiterrorit dërgojnë në sektorin e arkivit kriminal, në Drejtorinë e Inteligjencës dhe Arkivit Kriminal, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kërkesat për t’u buxhetuar me fond të veçantë për vitin pasardhës, duke i ndarë në tremujorë.
2. Brenda afatit të përgatitjes së projektbuxhetit të Policisë së Shtetit (PBA) për vitin pasardhës, sektori i arkivit kriminal, në Drejtorinë e Inteligjencës dhe Arkivit Kriminal, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, bazuar në kërkesat e strukturave, përgatit të ndarë në tremujorë parashikimin e buxhetimit me fond të veçantë për vitin pasardhës dhe e dërgon në Drejtorinë e Financave, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për procedurë.
3. Pas miratimit të fondit të veçantë, Drejtoria e Financave, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në fillim të vitit buxhetor dërgon planin e përdorimit sipas përkatësisë.
4. Pjesë e buxhetimit në fondin e veçantë është edhe shuma prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, që mbahet gjendje në mënyrë të vazhdueshme në sektorin e financave për aparatin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
5. Llogaria e fondit të veçantë në strukturat vendore të policisë mbahet nga sektori/seksioni i financave, ndërsa, në nivel qendror, nga sektori i financave për aparatin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
6. Në rastin e situatave të rënduara kriminale dhe/ose për realizimin e operacioneve të veçanta policore të paplanifikuara, kur mjetet financiare në dispozicion janë shpenzuar apo nuk mjaftojnë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i propozon ministrit të Brendshëm buxhet shtesë për fondin e veçantë, pa tejkaluar, në çdo rast, kufirin prej 1% të buxhetit vjetor të Policisë së Shtetit.
Neni 6
Dokumentet që përpilohen për përdorimin e fondit të veçantë
Dokumentet që përpilohen për përdorimin e fondit të veçantë janë:
1. Vendimi për përdorimin e fondit të veçantë:
a) që përpilohet nga specialisti i policisë për krimet/hetimin e krimeve, në drejtoritë qendrore apo drejtoritë vendore e komisariatet e policisë, i cili do të realizojë veprimin konkret policor. Vendimi miratohet nga eprori në linjë vertikale sipas hierarkisë, por, në çdo rast, duke respektuar funksionin që ka të drejtë të autorizojë përdorimin e shumës konkrete të fondit të veçantë;
b) për shpërblimin e informatorit që përmban numrin kodik të informatorit, arsyen e shpërblimit, dosjen ku administrohet e dhëna/informata, rezultatin e arritur, shumën e parave;
c) për shpërblimin e burimit konfidencial, burimit të veçantë dhe personit që i përgjigjet thirrjes së policisë për informacion/ndihmë, që përmban gjenealitetet e plota dhe adresën, dosjen ku administrohet informacioni, arsyen e shpërblimit, rezultatin e arritur, shumën e parave;
Vendimi për shpërblim përpilohet në një kopje të vetme sipas lidhjes                  nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi, i cili protokollohet dhe administrohet në seksionin/sektorin e arkivit kriminal.
2. Vendimi për pagesat që kryhen nga fondi i veçantë, sipas lidhjes nr.2 bashkëlidhur këtij vendimi, që duhet të përmbajë:
a) situatën kriminale dhe rezultatin që synohet të arrihet;
b) qëllimin e shpenzimeve;
c) numrin dhe datën e procedimit penal, si dhe numrin e datën e autorizimit të prokurorit, për rastet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale, kur ka procedim penal të regjistruar;
  ç) sasinë e parave që do të shpenzohen për ushqim, fjetje, transport, karburant, ndërlidhje, qiramarrje mjedisi/ambienti/automjeti, si dhe shpenzime të tjera në funksion të realizimit të detyrave funksionale të punonjësit, me qëllim arritjen e rezultatit që synohet.
d) dosjen apo fashikullin ku administrohet praktika shkresore për zhvillimin e operacionit të veçantë policor.
Shpenzimet e kryera sipas shkronjës “ç” justifikohen me dokumentet përkatëse, që i bashkëlidhen dëftesës së pagimit. Në pamundësi për t’i siguruar këto dokumente, drejtuesi i operacionit të veçantë policor vërteton shpenzimet e kryera në relacionin shpjegues.
Vendimi për pagesë përpilohet në një kopje të vetme, i cili protokollohet dhe administrohet në seksionin/sektorin e arkivit kriminal.
3. Urdhërpagimi, që shërben për të realizuar tërheqjen e shumës së parave, sipas lidhjes nr.3, bashkëlidhur këtij vendimi,:
a) përpilohet në dy kopje, nga të cilat njëra qëndron në sektorin/seksionin e financave dhe tjetra i bashkëlidhet vendimit për pagesë;
b) plotësohet nga specialisti për krimet/hetimin e krimeve, firmoset nga eprorët sipas shkallës hierarkike dhe urdhërdhënësi, merr numrin e protokollit të vendimit për pagesë dhe vuloset në sekretari/protokollin e strukturës policore përkatëse;
c) nënshkruhet edhe nga shefi i sektorit/seksionit të financave, përpara se të kryhen veprimet me arkën.
4. Dëftesa e pagimit, që është dokumenti që shërben për pasqyrimin e veprimit të marrjes së parave nga personi, i cili trajtohet financiarisht nga fondi i veçantë, sipas lidhjes nr.4, bashkëlidhur këtij vendimi, si më poshtë vijon:
a) Dëftesa e pagimit të shpenzimeve për kryerjen e operacioneve të veçanta policore nënshkruhet nga specialisti i policisë për hetimin e krimeve që ka përgjegjësinë për realizimin e veprimit policor dhe eprori i drejtpërdrejtë.
b) Në mungesë të eprorit të drejtpërdrejtë, dëftesa e pagimit nënshkruhet nga një epror në shkallë më të lartë hierarkike, brenda strukturës ku bën pjesë specialisti i policisë që kryen veprimin policor.
c) Dëftesa e pagimit për shpërblim të burimeve të informacionit nënshkruhet nga personi konkret që trajtohet nga fondi i veçantë, specialisti i policisë i ngarkuar për të kryer veprimin, eprori i drejtpërdrejtë apo punonjësi i autorizuar që asiston veprimin.
ç) Përjashtimisht, në rastet kur personi, që trajtohet nga fondi i veçantë, është informator i regjistruar, ky i fundit vendos në dëftesën e pagimit  numrin kodik dhe firmos.
d) Në rastet e shpërblimit të burimeve të informacionit deri në shumën                    30 000 (tridhjetë mijë) lekë, dëftesa e pagimit nënshkruhet nga personi konkret që trajtohet nga fondi i veçantë dhe specialisti i policisë i ngarkuar për të kryer veprimin.
dh) Në rastet vijuese të shpërblimit të të njëjtit burim të informacionit, dëftesa e pagimit nënshkruhet nga personi konkret që trajtohet nga fondi i veçantë, specialisti i policisë i ngarkuar për të kryer veprimin dhe punonjësi i autorizuar prej urdhërdhënësit për përdorimin e fondit të veçantë.
e) Dëftesa e pagimit plotësohet në një kopje dhe i bashkëlidhet vendimit për pagesë.
5. Relacioni shpjegues, që është dokumenti që përpilohet nga specialisti i policisë për të vërtetuar shpenzimet e kryera, sipas lidhjes nr.6, bashkëlidhur këtij vendimi. Relacioni përpilohet nga specialisti i policisë për të vërtetuar shpenzimet e kryera, firmoset sipas shkallës hierarkike dhe miratohet nga drejtuesi i operacionit të veçantë policor. Relacioni shpjegues plotësohet në një kopje dhe i bashkëlidhet vendimit për pagesë.
6. Dëftesa përfundimtare, sipas lidhjes nr.5, që i bashkëlidhet këtij vendimi, që është dokumenti që vërteton shpenzimin e shumës së parave sipas qëllimit të përcaktuar. Dëftesa firmoset nga specialisti që ka bërë pagesën, sipas shkallës hierarkike dhe nga urdhërdhënësi. Dëftesa përfundimtare përpilohet në një kopje dhe dorëzohet në seksionin/sektorin e financave nga specialisti i policisë për hetimin e krimeve, që ka realizuar tërheqjen e parave.
7. Mandatpagesa, që është dokumenti që plotësohet nga përfaqësuesi i seksionit/sektorit të financave, pas marrjes së dëftesës përfundimtare. Ky dokument plotësohet në tri kopje, ku dy kopje qëndrojnë në seksionin/sektorin e financave dhe një kopje e merr specialisti që ka bërë tërheqjen e parave, e cila i bashkëlidhet vendimit për shpërblim/pagesë.
8. Autorizimi për asistuesin, sipas lidhjes nr.7, bashkëlidhur këtij vendimi, që përpilohet në të gjitha rastet kur shpërblehen burime të informacionit policor, me mbi 30 000 (tridhjetë mijë) lekë, me të cilin punonjësi i policisë që kryen veprimin asistohet nga një punonjës i autorizuar nga urdhërdhënësi për përdorimin e fondit të veçantë. Autorizimi për punonjësin e policisë, që asiston veprimin, përpilohet në një kopje, e cila i bashkëlidhet vendimit për shpërblim.
Neni 7
Autoriteti urdhërdhënës për kryerjen e veprimit financiar
Autoritetet urdhërdhënëse për kryerjen e veprimit financiar janë, si më poshtë vijon:
1. Drejtuesi i strukturës vendore të policisë, si nëpunësi autorizues në njësinë shpenzuese.
2. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, si nëpunësi autorizues i programit Policia e Shtetit;
3. Autoriteti urdhërdhënës për rastet e shpërblimit të burimit të veçantë dhe personit që i përgjigjet thirrjes së policisë për informacion/ndihmë, në çdo rast është Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Neni 8
Administrimi i dokumentacionit për fondin e veçantë
1. Procedura e administrimit të dokumentacionit për përdorimin e fondit të veçantë është, si më poshtë vijon:
a) Vendimi për pagesë, një kopje e urdhërpagimit, dëftesa e pagimit dhe mandatpagesa dorëzohen në sektorin/seksionin e arkivit kriminal nga specialisti përkatës për hetimin e krimeve.
b) Praktikës i bashkëlidhen dhe autorizimi për asistuesin, relacioni për vërtetimin e shpenzimeve në operacionet e veçanta policore, dokumentacioni i justifikimit të shpenzimeve në operacionet e veçanta policore, dokumenti i konvertimit të lekëve në valutë të huaj.
c) Specialisti/shefi i sektorit/seksionit të arkivit kriminal bën regjistrimin e tyre si një praktikë e vetme në regjistrin model-7, sipas numrit kronologjik dhe këto dokumente mbahen të ndara sipas viteve.
ç) Dokumentet e krijuara mbyllen në zarfe dhe ruhen në arkivin kriminal, sipas afateve të përcaktuara në aktin normativ përkatës.
d) Veprimet për evidentimin e përdorimit të fondit të veçantë kryhen në arkivin kriminal në nivel qendror dhe vendor, pjesë e strukturës së autorizuesit të veprimit, apo kartotekën ku evidentojnë veprimtarinë gjurmuese policore (Antiterrori).
dh)Në strukturat policore, që nuk janë njësi shpenzuese, veprimet do të evidentohen dhe do të administrohen në sektorin/seksionin e arkivit kriminal, në drejtorinë vendore të policisë sipas juridiksionit.
e) Një kopje e urdhërpagimit, dëftesës përfundimtare dhe një kopje e mandatpagesës qëndrojnë në seksionin/sektorin e financës dhe iu nënshtrohen rregullave financiare.
ë) Punonjësi i policisë, nga koha që ka tërhequr paratë në strukturat e financës, duhet të mbyllë praktikën në këto afate:
i. brenda 20 (njëzet) ditëve në rastet e dhënies së shpërblimeve;
ii. brenda 3 (tre) muajve, në rastet e përdorimit të fondit të veçantë për shpenzime gjatë kryerjes së operacioneve të veçanta policore.
f) Në rastet e mosmbylljes së veprimeve me financën dhe arkivin kriminal brenda afatit tremujor, për shkak të shtrirjes në kohë të operacionit të veçantë policor, përtej këtij afati, vonesa motivohet në relacionin shpjegues dhe në dëftesen përfundimtare. Në çdo rast, veprimet duhet të mbyllen brenda një muaji nga përfundimi i operacionit të veçantë policor.
g) Kur burimet e informacionit policor nuk pranojnë të marrin shpërblimin apo paratë e tërhequra për kryerjen e operacionit të veçantë policor, nuk përdoren, ato kthehen menjëherë në financë. Në këtë rast, specialisti i policisë përpilon një relacion shpjegues, të cilin bashkë me                             mandatarkëtimin e shumës së lekëve ia bashkëlidh vendimit të shpërblimit. Relacioni nënshkruhet edhe nga eprori i drejtpërdrejtë i punonjësit të policisë.
2. Dokumentet e përpiluara dhe praktika e krijuar për përdorimin e fondit të veçantë klasifikohen “Tepër sekret” dhe trajtohen sipas ligjit nr.10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”.
III. DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 9
Dispozita të fundit
1. Udhëzimi nr.683, datë 25.11.2019, i ministrit të Brendshëm, “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për përdorimin e fondit të veçantë”, shfuqizohet.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN DHE FUSHËN E VEPRIMIT  TË POLICIMIT VULLNETAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 128, të                       ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
      1. Ky vendim ka për objekt rregullimin e organizimit, funksionimit dhe fushës së veprimit të shërbimit të policimit vullnetar, në mbështetje të strukturave të Policisë së Shtetit.
      2. Qëllimi i këtij vendimi është përmirësimi i sigurisë publike, forcimi i kapaciteteve të strukturave të Policisë së Shtetit dhe inkurajimi i angazhimit qytetar, duke promovuar bashkëpunimin ndërmjet policisë dhe komunitetit për rritjen e besimit dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
     3. Policimi vullnetar është një shërbim publik, i cili përfshin veprimtaritë e kryera nga policët vullnetarë në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit.
     4. Polici vullnetar është çdo person që plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara dhe që është pranuar në shërbimin e policimit vullnetar.
     5. Kohëzgjatja ditore e vullnetarizmit është periudha kohore e angazhimit të vullnetarit në shërbimin e policimit vullnetar, e cila nuk tejkalon 5 (pesë) orë në ditë dhe 25 (njëzet e pesë) orë në javë.
     6. Kontrata e vullnetarizmit është dokumenti ligjor, i lidhur ndërmjet vullnetarit dhe ofruesit të shërbimit të vullnetarizmit, i cili përcakton të drejtat, detyrimet, kushtet dhe kriteret për kryerjen e aktiviteteve dhe shërbimeve vullnetare, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
II. ORGANIZIMI, FUNKSIONIMI DHE FUSHA E VEPRIMIT TË SHËRBIMIT TË POLICIMIT VULLNETAR
      1. Shërbimi i policimit vullnetar funksionon në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunon me to për:
a) sigurimin dhe garantimin e rendit publik në aktivitetet me karakter masiv, si tubime, koncerte, festivale, aktivitete sportive dhe organizime fetare, duke kryer këto detyra:
i. Ruajtjen e perimetrit të jashtëm të ambienteve ku zhvillohen aktivitetet masive;
ii. Kryerjen e shërbimit së bashku me punonjësit e Policisë së Shtetit në postblloqe/pika kontrolli në zona/rrugë me trafik të kufizuar ose ku ndalohet qarkullimi i automjeteve;
iii. Drejtimin dhe disiplinimin e lëvizjeve të grupeve të tifozëve/spektatorëve/pjesëmarrësve në aktivitet gjatë hyrjes;
iv. Mbledhjen e informacionit me interes për Policinë e Shtetit, veçanërisht për ndeshjet sportive me nivel të lartë rivaliteti, tubime, si dhe veprimtari të tjera publike me pjesëmarrje masive, për të cilat ekzistojnë të dhëna ose dyshime të arsyeshme se mund të ndikojnë në sigurinë ose në rendin publik;
v. Informimin e policisë për situata shqetësuese apo të rrezikshme, duke ndjekur nga afër dhe duke dhënë informacion në vijimësi, deri në mbërritjen e forcave policore;
vi. Këshillimin e publikut dhe shuarjen e konflikteve të lehta ndërmjet palëve që nuk kërkojnë ndërhyrje të specializuar të policisë;
vii. Ndihmën në ruajtjen dhe mbajtjen e lirë të rrugëkalimeve të emergjencës dhe drejtimin e lëvizjes së njerëzve e të automjeteve, sipas korridoreve të caktuara;
viii. Angazhimin për ruajtjen e zonave të parkimit të automjeteve të policisë, ambulancave dhe zjarrfikësve pranë vendit ku zhvillohet aktiviteti;
ix. Këshillimin dhe drejtimin e tifozëve/spektatorëve/pjesëmarrësve në përfundim të aktivitetit gjatë shpërndarjes, sipas korridoreve të caktuara të lëvizjes;
x. Ndihmën në ruajtjen e rendit në ditët e pazareve, festivaleve dhe festave lokale, ku ka grumbullime të mëdha njerëzish.
b) dhënien e ndihmës për menaxhimin e trafikut rrugor në qendrat urbane dhe rurale, duke kryer këto detyra:
i. Menaxhimin e qarkullimit të sigurt të nxënësve dhe qytetarëve në kryqëzime dhe pranë shkollave;
ii. Bashkëpunimin me policinë për menaxhimin e kalimeve rrugore apo akseve ku ka një trafik të shtuar, duke përdorur tabelën apo sinjalistikën me duar;
iii. Disiplinimin e mjeteve në stacionim apo lëvizje gjatë panaireve dhe ditëve të pazareve;
iv. Angazhimin në fushata ndërgjegjësuese dhe aktivitete parandaluese me shkollat dhe komunitetin.
c) rritjen e sigurisë publike pranë institucioneve arsimore, duke kryer këto detyra:
i. Patrullimin përreth institucioneve arsimore në këmbë ose me mjete patrullimi, veçanërisht gjatë periudhave të trafikut të rënduar;
ii. Menaxhimin e trafikut pranë shkollave dhe mbështetjen në zbatimin e rregullave të qarkullimit;
iii. Monitorimin e hyrjeve dhe daljeve të fëmijëve për të parandaluar sjellje të rrezikshme;
iv. Monitorimin e aktiviteteve të dyshimta në perimetrin e sigurisë së institucioneve arsimore, duke parandaluar hyrjen e paautorizuar në ambientet e tyre;
v. Mbështetjen e aktiviteteve jashtë orarit mësimor, si ato sportive, artistike, kulturore, për të garantuar sigurinë e nxënësve/studentëve dhe pjesëmarrësve dhe garantimin e sigurisë;
vi. Bashkëpunimin me oficerët e sigurisë pranë shkollave/institucioneve arsimore për reagimin në kohë ndaj situatave emergjente të konflikteve, dhunës apo incidenteve;
vii. Mbështetjen në organizimin e simulimeve për reagimin ndaj situatave të emergjencave civile, ku kërkohet izolimi ose evakuimi dhe dhënia e ndihmës së parë;
viii. Mbështetjen e punonjësve të policisë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe informimit të nxënësve, studentëve, prindërve dhe personelit pedagogjik për çështjet e sigurisë;
ix. Informimin e përgjegjësit të strukturës policore për probleme të ndryshme të sigurisë në shkolla, si shkeljet e ligjit apo identifikimi i personave, të cilët merren me shitjen e drogave të lehta, alkoolit dhe duhanit.
ç) kontrollin e territorit, mbështetjen e patrullimit policor për parandalimin e krimit dhe ndërhyrjen ndaj shkeljeve të ligjit, duke kryer këto detyra:
i. Mbështetjen dhe angazhimin e të rinjve të margjinalizuar në aktivitete parandaluese;
ii. Patrullimin gjatë orëve të natës, veçanërisht në fundjavë në zonat e frekuentuara nga të rinjtë, si baret, klubet e natës, lokalet me muzikë live dhe vende të ngjashme, me qëllim këshillimin dhe ndërgjegjësimin për shmangien e konsumit të tepërt të alkoolit, përfshirjes në konflikte dhe drejtimit të automjeteve nën ndikimin e tij;
iii. Patrullimin pranë vendparkimeve, stacioneve të urbanëve, terminaleve të autobusëve, si dhe në zona të identifikuara me risk të shtuar për sigurinë publike, me qëllim parandalimin e vjedhjeve, sjelljeve të pahijshme apo të dhunshme dhe rritjen e ndjenjës së sigurisë në mjedisin urban e në transportin publik;
iv. Patrullimin me punonjësit e Policisë së Shtetit pranë lagjeve me popullsi heterogjene dhe të margjinalizuar;
v. Bashkëpunimin me organizata komunitare për çështjet e rendit dhe qetësisë publike, duke trajtuar problematika të komunitetit dhe duke mbledhur informacion në kuadër të parandalimit.
d) mbështetjen e policisë në mbrojtjen e pronës, mjedisit dhe zonave të mbrojtura, duke kryer këto detyra:
i. Informimin e autoriteteve për dëmtime të qëllimshme ndaj mjedisit, si prerja e paligjshme e pyjeve, ndotja e ujërave dhe djegia e mbeturinave, si dhe çdo dëmtim tjetër i qëllimshëm i mjedisit, që bie ndesh me legjislacionin përkatës;
ii. Patrullimin me punonjësit e Policisë së Shtetit në rezervate natyrore dhe monumente të kulturës për parandalimin e aktiviteteve të paligjshme;
iii. Sensibilizimin e komunitetit për ruajtjen e mjedisit.
dh)  mbështetjen e Policisë Kufitare, duke kryer këto detyra:
i. Informimin e individëve që kalojnë në pikat e kalimit kufitar për procedurat dhe rregullat apo asistimin e tyre në plotësimin e formularëve të ndryshëm;
ii. Mbështetjen në identifikimin e migrantëve të paligjshëm, asistimin dhe informimin e tyre për procedurat dhe legjislacionin në fuqi për trajtimin e tyre dhe azilkërkimin;
iii. Ndihmën në shërbimet e emergjencës, menaxhimin e flukseve të larta migratore në rastet e krizave humanitare dhe garantimin e kushteve të sigurisë të vendstrehimeve të tyre të përkohshme;
iv. Monitorimin e zonave në distancë në afërsi të kufirit dhe veçanërisht pikat e hyrjes në kufi, të ndryshme nga pikat e zakonshme të kalimit kufitar, duke identifikuar dhe duke parandaluar krimet ndërkufitare.
e) menaxhimin e situatave të emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit me karakter masiv, duke kryer këto detyra:
i. Përmbushjen e detyrave, të përcaktuara nga përgjegjësi i strukturës policore në lidhje me krijimin dhe administrimin e perimetrave të sigurisë në situatat e emergjencave civile, duke garantuar rendin dhe sigurinë publike;
ii. Mbikëqyrjen dhe sigurimin e zonave të grumbullimit të qytetarëve dhe shpërndarjes së ndihmave humanitare, duke synuar shmangien e çdo rreziku që mund të cenojë sigurinë apo mirëfunksionimin e proceseve të ndihmës;
iii. Mbledhjen e informacionit dhe udhëzimin e publikut në raste emergjencash civile në lidhje me masat mbrojtëse dhe procedurat përkatëse;
iv. Angazhimin në operacionet e kërkim-shpëtimit;
v. Informimin e publikut për personat e zhdukur, si dhe mbledhjen e shkëmbimi të të dhënave me komunitetin për të ndihmuar në gjetjen e tyre;
vi. Bashkëpunimin me Policinë e Shtetit dhe organet e tjera kompetente në sigurimin dhe mbrojtjen e vendngjarjeve të ndryshme, ruajtjen e provave, identifikimin dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve, si dhe çdo veprim tjetër që ndihmon hetimet dhe garanton integritetin e procesit hetimor;
vii. Dhënien e ndihmës së parë në përputhje me protokollet e emergjencave mjekësore.
ë) mbështetjen e ekipeve për gjetjen e personave të humbur ose në rrezik jete në zonat malore dhe bregdetare.
2. Polici vullnetar e kryen veprimtarinë e tij nën mbikëqyrjen e punonjësit të policisë, të caktuar nga drejtuesi i strukturës vendore të Policisë së Shtetit.
3. Kryerja e shërbimit të policimit vullnetar është i papajtueshëm me funksionet e gjyqtarit, prokurorit, përmbaruesit gjyqësor, drejtuesit në strukturat politike, punonjësit në institucionet e sigurisë kombëtare apo publike, të Shërbimit të Provës, të Policisë së Burgjeve dhe të Gardës së Republikës.
III. PROCEDURA E APLIKIMIT DHE PËRZGJEDHJES SË SHTETASVE NË SHËRBIMIN E POLICIMIT VULLNETAR
   1. Aplikantët që kërkojnë pranimin në shërbimin e policimit vullnetar duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Formularin e aplikimit, sipas formatit të përcaktuar në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Fotokopjen e kartës së identitetit;
c) Dokumentin zyrtar, që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm;
ç) Raportin mjeko-ligjor, që vërteton aftësinë e aplikantit për të ushtruar detyrën e policit vullnetar.
2. Procedura e aplikimit fillon pas shpalljes së konkurrimit publik. Aplikanti plotëson formularin e aplikimit dhe e dorëzon së bashku me dokumentacionin e kërkuar në pikën 1, të këtij kreu, në Drejtorinë Vendore të Policisë, ku ka vendbanimin e përhershëm.
3. Pas aplikimit të shtetasit, struktura policore vendore siguron me ndërveprim dokumentet e mëposhtme:
a) Certifikatën e gjendjes gjyqësore;
b) Certifikatën familjare.
4. Struktura përgjegjëse policore shqyrton dokumentacionin e dorëzuar dhe verifikon nëse aplikanti plotëson kriteret e përgjithshme të përcaktuara në pikën 1, të kreut IV, të këtij vendimi.
5. Kjo strukturë administron dokumentacionin e paraqitur nga aplikantët brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga përfundimi i afatit të aplikimeve dhe kryen veprimet e mëposhtme:
a) Kur dokumentacioni shoqërues është në përputhje me pikën 1, të kreut IV, të këtij vendimi, e njofton aplikantin për vazhdimin e procedurës së verifikimit të kritereve;
b) Kur dokumentacioni shoqërues nuk është në përputhje me pikën 1, të kreut IV, të këtij vendimi, e njofton kandidatin për plotësimin e të metave brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e njoftimit.
6. Mosplotësimi i të metave brenda afatit 5-ditor përbën shkak për mospranimin e aplikimit.
7. Struktura përgjegjëse, brenda 7 (shtatë) ditëve nga përfundimi i afatit për plotësimin e të metave, verifikon dokumentacionin përkatës.
8. Nëse dokumentacioni i paraqitur nuk vërteton plotësisht përmbushjen e kritereve, nuk është i plotë e i saktë ose ka dyshime të arsyeshme për vërtetësinë e tij, struktura përgjegjëse mund të kërkojë informacion ose dokumentacion shtesë nga çdo organ publik apo persona të tjerë juridikë, vendas ose të huaj.
9. Në përfundim të procesit të verifikimit, sipas pikës 8, të këtij kreu, struktura përgjegjëse njofton me shkrim secilin aplikant për pranimin ose refuzimin e tij/saj.
10. Aplikantëve, të cilëve u është refuzuar aplikimi, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit, duke bashkëlidhur argumentet dhe dokumentacionin që provon përmbushjen e kritereve.
11. Pas përfundimit të afateve të ankimit dhe shqyrtimit të tyre, bëhet përfshirja e aplikantëve në listën e të kualifikuarve, nëse provohet përmbushja e kritereve ose skualifikimi përfundimtar i tyre, jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e paraqitjes së ankimit. Më pas hartohet lista përfundimtare e aplikantëve të kualifikuar dhe caktohet numri kodik i identifikimit për secilin aplikant nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore. Lista dërgohet zyrtarisht në Akademinë e Sigurisë.
12. Në rastet kur aplikanti ka shërbyer më parë në strukturat e Policisë së Shtetit dhe ka ndërprerë marrëdhënien e punës, por trajtohet me pagesë kalimtare deri në plotësimin e moshës për pension të plotë pleqërie, sipas legjislacionit në fuqi, ai/ajo paraqet dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Formularin e aplikimit;
b) Fotokopjen e kartës së identitetit;
c) Dokumentin zyrtar, që vërteton kohën e shërbimit dhe strukturën ku ka qenë i/e punësuar në Policinë e Shtetit.
13. Aplikanti nuk i nënshtrohet trajnimit në Akademinë e Sigurisë, nëse ndodhet para rastit të përcaktuar në pikën 12, të këtij kreu.
14. Aplikanti, që kualifikohet për të vazhduar procesin e trajnimit në Akademinë e Sigurisë, i nënshtrohet fazave të konkurrimit, sipas rendit të mëposhtëm:
a) Testimit të aftësive fizike;
b) Intervistës;
c) Kontrollit shëndetësor dhe psikologjik;
ç)  Verifikimit të besueshmërisë.
15. Aplikanti, që kualifikohet për të vazhduar procesin e trajnimit të detyrueshëm në Akademinë e Sigurisë, i nënshtrohet procesit të verifikimit të besueshmërisë, që konsiderohet si verifikimi përfundimtar i aplikantit, nëpërmjet strukturave të hetimit të krimit, për të verifikuar faktin që aplikanti apo pjesëtarë të familjes së tij nuk janë të implikuar në veprimtari kriminale.
IV. KRITERET E PËRGJITHSHME DHE TË VEÇANTA TË PRANIMIT NË SHËRBIMIN E POLICIMIT VULLNETAR
      1. Kriteret e përgjithshme të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;
c) Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil me masë disiplinore;
ç)  Të ketë përfunduar arsimin e mesëm;
d) Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
dh) Të jetë i moshës nga 18 (tetëmbëdhjetë) deri në 65 (gjashtëdhjetë e pesë) vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.
      2. Kriteret e veçanta të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:
a) Të ketë përfunduar trajnimin e detyrueshëm me vlerësim pozitiv, si dhe të jetë i certifikuar nga Akademia e Sigurisë;
b) Të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë.
V. KONTRATA E VULLNETARIZMIT
      1. Kontrata e vullnetarizmit lidhet në formë të shkruar ndërmjet policit vullnetar dhe drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë.
   2. Kontrata e vullnetarizmit rregullon marrëdhënien ndërmjet palëve, duke përcaktuar të drejtat, detyrimet përkatëse, kohëzgjatjen dhe kushtet e ushtrimit të shërbimit, kriteret për përfshirje, si dhe shkaqet, procedurat dhe pasojat juridike, që lidhen me pezullimin, përfundimin apo zgjidhjen e saj.
      3. Forma dhe përmbajtja e kontratës tip përcaktohen në shtojcën 4, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
VI. TË DREJTAT DHE PËRGJEGJËSITË E POLICIT VULLNETAR
1. Polici vullnetar ka të drejtë:
a) të njihet paraprakisht me të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e shërbimit të policimit vullnetar, si dhe me sanksionet në rast të mospërmbushjes së detyrimeve, që rrjedhin nga ky vendim dhe nga kontrata individuale e vullnetarizmit;
b) të rimbursohet për shpenzimet e kryera gjatë orarit të shërbimit apo jashtë qendrës së banimit, kur ndihmon strukturat policore;
c) të pajiset me veshje, shenja dalluese dhe pajisje të tjera ndihmëse, në përputhje me natyrën e aktiviteteve të vullnetarizmit dhe shërbimeve që do të kryejë, sipas shtojcës 6, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
ç) të kërkojë, në mënyrë individuale, vlerësim ose vërtetim pjesëmarrjeje për kontributin e dhënë në punën vullnetare nga struktura vendore e policisë;
d) të ndjekë trajnime falas në Akademinë e Sigurisë, sipas shtojcës 5, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
dh) të njihet dhe të konsultohet me proceset vendimmarrëse që lidhen me strategjitë, politikat, identifikimin e nevojave të komunitetit dhe çështje të tjera që ndikojnë në ushtrimin e detyrës së tij;
e) të përfitojë këshillim ligjor për çështje që lidhen me etikën, integritetin, korrupsionin, konfliktin e interesit, konfidencialitetin dhe aspekte të tjera përkatëse, si dhe të marrë udhëzime praktike dhe shpjegime konkrete për legjislacionin në fuqi, sjelljen e pritshme nga policët vullnetarë, përfshirë edhe procedurat për trajtimin e shkeljeve disiplinore dhe ankimimet e tyre;
ë) t’i njihet kontributi në komunitet përmes vlerësimeve publike ose medaljeve.
2.  Polici vullnetar gjatë shërbimit dhe/ose jashtë tij ka përgjegjësi:
a) të ndjekë programin e trajnimit të detyrueshëm;
b) të marrë pjesë në trajnime që organizon Policia e Shtetit për të përmirësuar cilësinë e punës e të shërbimit;
c) të kryejë aktivitetin e vullnetarizmit i paarmatosur, në përputhje me rregullat, udhëzimet dhe kërkesat e etikës së punonjësve të Policisë së Shtetit;
ç) të ruajë sekretin profesional, si dhe konfidencialitetin e të dhënave personale, me të cilat njihet gjatë angazhimit, si polic vullnetar;
d) të zbatojë detyrat dhe udhëzimet e dhëna nga mbikëqyrësi, në nivel vendor i Policisë së Shtetit, përveç rasteve kur:
i. janë në kundërshtim me ligjin;
ii. paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e vullnetarit, si dhe atë të njerëzve të tjerë;
iii. konsiderohen moralisht të papranueshme nga ana e vullnetarit;
iv. janë në kundërshtim me kontratën e vullnetarizmit.
dh) të njoftojë përfaqësuesin apo mbikëqyrësin e Policisë së Shtetit, në lidhje me pasojat kur ndodhet përpara zbatimit të urdhrave, që mund t’i shkaktojnë dëme shëndetit ose jetës së tij.
3. Gjatë shërbimit, polici vullnetar mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar nga veprimet e tij, të kryera në kundërshtim me ligjin.
4. Polici vullnetar kryen shërbime publike në mbështetje të punonjësve të Policisë së Shtetit.
   5. Nëse gjatë shërbimit të tij, polici vullnetar përballet me kundërshtime nga shtetas të ndryshëm, ai e përcjell problemin për zgjidhje të mëtejshme te punonjësit e Policisë së Shtetit.
VII. PËRGJEGJËSITË E PËRFITUESIT TË SHËRBIMIT
1. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është përgjegjëse për përzgjedhjen, trajnimin, organizimin, drejtimin dhe trajtimin e policit vullnetar, duke u siguruar që:
a) të trajnojë paraprakisht kandidatët që do të certifikohen si të aftë për të kryer detyra në ndihmë të Policisë së Shtetit;
b) të sigurojë kushte normale pune për policin vullnetar gjatë kryerjes së detyrave, në bazë të kontratës së shërbimit vullnetar;
c) të ruajë dhe të sigurojë konfidencialitetin e të dhënave dhe mbrojtjen e privatësisë së policit vullnetar;
ç) të rimbursojë shpenzimet e kryera nga polici vullnetar gjatë punës vullnetare, sipas akteve nënligjore në fuqi, njëlloj si punonjësit e policisë, kur ai vepron jashtë qendrës së banimit;
d) të lëshojë vërtetim me shkrim për kohën e punës që ai ka shërbyer si polic vullnetar;
  dh) të ofrojë bazën e nevojshme materiale për kryerjen e aktivitetit të vullnetarizmit;
e) të sigurojë plotësimin e kushteve të nevojshme për respektimin e të drejtave të policit vullnetar;
ë) të trajtojë policin vullnetar, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 16, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”;
f) të pajisë policin vullnetar me dokument identifikimi, lidhur me statusin që ai gëzon, sipas modelit të përcaktuar në shtojcat 2 dhe 3, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Çdo vit, në bazë të nevojave dhe të propozimeve të drejtorive vendore të policisë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit përcakton numrin e policëve vullnetarë.
VIII. PLANIFIKIMI DHE PROCEDURAT E NDJEKURA PËR KRYERJEN E SHËRBIMIT TË POLICIMIT VULLNETAR
1. Planifikimi i shërbimit të policimit vullnetar përfshin:
a) marrjen e masave për hartimin e planeve përkatëse për shërbimin e policëve vullnetarë nga drejtuesit e strukturave vendore të Policisë së Shtetit. Këto plane planifikohen në librat e shërbimit, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në Procedurën Standarde të Operimit (PSO) “Planifikimi i shërbimeve të policisë” dhe PSO “Planifikimi i shërbimeve të policisë për aktivitetet masive”;
b) hapjen dhe administrimin e librit të planifikimit të shërbimit të policimit vullnetar, i cili është i posaçëm dhe i sekretuar, si dhe përmban të njëjtat rubrika, si libri i shërbimit të patrullës së përgjithshme, dhe administrohet në përputhje me kërkesat e                    PSO-së “Planifikimi i shërbimeve të policisë”;
c) marrjen e masave për mbikëqyrjen dhe mbështetjen e policëve vullnetarë gjatë kryerjes së detyrave të tyre nga drejtuesit e strukturave vendore të Policisë së Shtetit, ku policët vullnetarë kryejnë shërbimin.
2. Procedura përpara marrjes së shërbimit nga ana e policit vullnetar përfshin:
a) kryerjen e përgatitjes vetjake, e cila konsiston në:
i. rregullimin e uniformës së shërbimit, kujdesin personal, pajisjen me bllok shënimesh dhe mjete për të shkruar;
ii. marrjen e dokumentit të identifikimit dhe të medaljonit zyrtar;
iii. kontrollin e shenjave të montuara në uniformë dhe pajisjet e shërbimit.
b) paraqitjen në orar dhe në vendin e caktuar për marrjen e shërbimit.
3. Personeli i shërbimit vullnetar instruktohet lidhur me masat që duhet të merren në fillim gjatë kryerjes dhe në përfundim të shërbimit.
4. Instruktazhi i personelit zhvillohet nga specialisti i rendit publik (me gradë “Nënkomisar”) apo nga shefi i seksionit të rendit dhe përfshin:
a) kontrollin e prezencës së personelit në bazë të planifikimit të shërbimit;
b) gjendjen e tyre shëndetësore dhe fizike;
c) pamjen e jashtme dhe uniformën e punonjësve;
ç)   dokumentin e identifikimit;
d) pajisjet e shërbimit;
dh)  pajisjen me formularë të raportit të shërbimit/aktivitetit;
e) masat për korrigjimin e të metave dhe mangësive të konstatuara për çështjet e mësipërme.
5. Instruktazhi gjithashtu përfshin:
a) ndarjen e sektorëve/vendit të shërbimit dhe të mënyrën së kryerjes së tij;
b) përcaktimin e detyrave kryesore për secilin polic vullnetar dhe fushat në të cilat duhet të përqendrojnë vëmendjen kryesore gjatë kryerjes së shërbimit;
c) zbatimin e procedurave standarde gjatë gjithë kohës së shërbimit, sipas trajnimit të kryer, mënyrën e veprimit dhe detyrat që duhet të kryejë në rast të ndodhjes së ndonjë incidenti apo ngjarjeje kriminale/aksidentale në vendin e shërbimit;
 ç) mënyrën e informimit, bashkëveprimit dhe koordinimit me shërbimet e tjera policore, si dhe mënyrën e komunikimit e të raportimit gjatë shërbimit.
6. Specialisti i rendit publik (me gradë “Nënkomisar”) apo shefi i seksionit të rendit, në përfundim të shërbimit të policimit vullnetar, pret personelin dhe vijon me kryerjen e procedurave, të cilat përfshijnë:
a) kërkimin e raportimit verbal për aktivitetin e kryer nga policët vullnetarë gjatë shërbimit;
b) evidentimin e raportimeve verbale për shërbimin e kryer nga policët vullnetarë, përfshirë ngjarjet dhe problematikat e hasura;
c) plotësimin e një informacioni përmbledhës për të gjithë problematikat e evidentuara nga policët vullnetarë dhe informimin e eprorit për to;
ç) nëse nga raportimi i mësipërm, evidentohen problematika me interes të veçantë për strukturën policore, kërkohet nga polici vullnetar plotësimi i një raporti të hollësishëm, i cili administrohet në regjistrin përkatës.
IX. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Vendimi nr.641, datë 2.10.2019, i Këshillit të Ministrave, “Për organizimin, funksionimin dhe fushën e veprimit të policimit vullnetar”, shfuqizohet.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
              Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K RY E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
 MIRATIMIN E KUSHTEVE TË NEGOCIIMIT TË SHOQËRISË SHTETËRORE “KAYO”, SH.A., ME SHOQËRI PRIVATE PËR PRODHIMIN DHE TREGTIMIN E UNIFORMAVE USHTARAKE DHE AKSESORËVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të                            ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim ka për objekt miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a., me shoqëri private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët, për prodhimin dhe tregtimin e uniformave ushtarake dhe aksesorëve, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim.
2. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të negociojë dhe do të pranojë një pjesëmarrje jo më të ulët se 40 % të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.
3. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 (njëzet mijë) m², që do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.
4. Shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti me të cilin negocion, të paktën:
a) një vlerë investimi jo më pak se 15 milionë euro në periudhën kohore të 3 (tre) vjetëve;
b) punësimin e jo më pak se 400 (katërqind) punonjësve në periudhën kohore të 3 (tre) vjetëve;
c) ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të uniformave dhe aksesorëve të tjerë, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë;
ç)  sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve në rast eksporti.
5. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin dhe tregtimin e uniformave ushtarake dhe aksesorëve për Forcat e Armatosura, si edhe uniformat e aksesorët për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë.
6. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër gjatë negociatave se administratori/ët e shoqërisë, që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërpërmendura, zgjidhet/n me dakordërsinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.
7. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër gjatë negociatave se të paktën 30 % e përbërjes së këshillit drejtues ose këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO”, sh.a.
8. Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat mbi të drejtën e vetos, që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a., në bazë të pikës 9, të nenit 10, të                             ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
9. Siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës do të sigurohet nga Forcat e Armatosura, sipas akteve nënligjore, të nxjerra nga autoritetet kompetente, sipas ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
10. Autorizohen shoqëria “KAYO”, sh.a., dhe shoqëria private me të cilën do të bashkëpunojë të furnizojnë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë me uniforma ushtarake dhe aksesorët përkatës nëpërmjet shoqërisë që do të krijohet, në përputhje me këtë vendim.
11. Ngarkohet shoqëria shtetërore “KAYO”,  sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe  botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN, FUNKSIONIMIN DHE RASTET E LIRIMIT                            TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT KOMBËTAR PËR SHKENCËN                  DHE KËRKIMIN SHKENCOR (KKSHKSH)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 10, të                                               ligjit nr.109/2024, “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I KËSHILLIT KOMBËTAR                    PËR SHKENCËN DHE KËRKIMIN SHKENCOR
1. Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor (në vijim, KKSHKSH) organizohet si organ këshillimor për politikat e shkencës dhe të kërkimit shkencor dhe ka në përbërje 19 (nëntëmbëdhjetë) anëtarë.
2. Anëtarët e KKSHKSH-së, përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, caktohen nga Konferenca e Rektorëve. Anëtarët përfaqësues të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë caktohen nga kryesia e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Anëtarët përfaqësues të qendrave të transferimit të teknologjive bujqësore caktohen nga ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe anëtarët përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit dhe të Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës caktohen nga vetë institucioni.
3. Me qëllim realizimin e misionit të tij, pranë KKSHKSH-së mund të ngrihen komisione të përhershme apo të përkohshme me anëtarët e këtij këshilli, për studimin e çështjeve e të problematikave të veçanta, që lidhen me politikat e shkencës dhe të kërkimit shkencor.
4. Veprimtaria e KKSHKSH-së mbështetet nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), në cilësinë e sekretariatit teknik, e cila kryen detyrat e mëposhtme:
a) Siguron mbështetjen teknike për zhvillimin e takimeve dhe përmbushjen e detyrave të lidhura me KKSHKSH-në;
b) Organizon mbledhjet duke propozuar çështjet për diskutim, të përgatitura në bashkëpunim me anëtarë të tjerë dhe aktorë të rëndësishëm të shkencës dhe të kërkimit shkencor, sipas planit të miratuar apo kur ka kërkesë;
c)  Mban procesverbalet e çdo mbledhjeje dhe ua dërgon për nënshkrim anëtarëve të Këshillit;
ç)  Raporton periodikisht pranë KKSHKSH-së për realizimin e detyrave të përcaktuara në mbledhjet e mëparshme të tij;
d) Realizon zbardhjen  e vendimeve që janë marrë në mbledhjet e KKSHKSH-së;
dh) Kryen çdo detyrë tjetër të caktuar nga kryetari i KKSHKSH-së.
5. Kryetari i KKSHKSH-së thërret mbledhjet dhe i drejton ato, cakton rendin e ditës, drejton diskutimet e bashkërendon punën e KKSHKSH-së.
6. KKSHKSH-ja mblidhet jo më pak se 2 (dy) herë në vit, por, në varësi të zhvillimeve shkencore në Republikën e Shqipërisë, mund të mblidhet më shpesh, sipas përcaktimeve në rregulloren e brendshme.
7. Mbledhja e KKSHKSH-së është e vlefshme kur në të marrin pjesë jo më pak se 2/3 e anëtarëve. Në mbledhje mund të marrin pjesë edhe persona të tjerë të ftuar, pa të drejtë vote.
8. Vendimet merren me shumicën e votave të anëtarëve, që marrin pjesë në mbledhje.
II. RASTET E LIRIMIT NGA DETYRA TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT KOMBËTAR PËR SHKENCËN DHE KËRKIMIN SHKENCOR
9. Anëtarët e KKSHKSH-së qëndrojnë në detyrë për sa kohë anëtari ushtron funksionin në institucionin që përfaqëson, me përjashtim të evidentimit të rasteve të lirimit nga detyra të anëtarit. Anëtari që zëvendëson anëtarin e liruar caktohet sipas përcaktimeve të pikës 2 të këtij vendimi.
10. Anëtari i KKSHKSH-së lirohet nga detyra në rastet e mëposhtme:
a) Kur deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor, në bazë të legjislacionit në fuqi;
b) Kur jep dorëheqjen;
c) Kur largohet nga institucioni që përfaqëson;
ç) Në rast se nuk merr pjesë në mbledhjet e KKSHKSH-së për më shumë se 2 (dy) mbledhje radhazi, pa shkaqe të justifikuara;
d)  Në rast se, për arsye objektive, bëhet i pamundur realizimi i detyrës si anëtar në KKSHKSH.
III. DISPOZITA TË FUNDIT
11. Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet e shkencës dhe të kërkimit shkencor, ministria përgjegjëse për ekonominë, kulturën dhe inovacionin, ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe ekonominë, ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale, ministria përgjegjëse për mbrojtjen, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit dhe Agjencia e Inovacionit dhe Ekselencës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES  NDRYSHUESE NR.2 ME SHKËMBIM LETRASH  TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE                                     PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “PËR LEHTËSIMIN E TREGTISË DHE TRANSPORTIT  NË BALLKANIN PERËNDIMOR ME QASJE PROGRAMATIKE ME SHUMË FAZA”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.62/2019
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të                               ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit  të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese nr.2 me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor, me qasje programatike me shumë faza”, ratifikuar me ligjin nr.62/2019, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PARAQITJES, FORMËS DHE SPECIFIKIMEVE TEKNIKE TË GRADAVE, SIMBOLEVE, UNIFORMAVE  DHE SHENJAVE DALLUESE, DOKUMENTIT DHE MEDALJONIT ZYRTAR TË IDENTITETIT TË POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 67 e 135, pikat 2 e 4, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e paraqitjes, formës dhe specifikimeve teknike të gradave, simboleve, uniformave dhe shenjave dalluese, dokumentit dhe medaljonit zyrtar të identitetit të Policisë së Shtetit, sipas albumit me 87 (tetëdhjetë e shtatë) faqe, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Paraqitja forma dhe specifikimet teknike të gradave janë përcaktuar dhe janë përshkruar në lidhjen nr.1 të albumit.
3. Simbolet e Policisë së Shtetit janë flamuri dhe stema, të përcaktuara e të përshkruara në lidhjen nr.2 të albumit.
4. Uniformat që përdoren nga punonjësit e Policisë së Shtetit janë:
a) uniforma bazë në detyrë:
i. dimërore;
ii. verore.
b) uniforma për stërvitje dhe shërbime;
c) uniforma për shërbimet e veçanta;
ç) uniforma për struktura të veçanta;
d) uniforma ceremoniale;
dh) veshja civile që konvertohet në vlerë monetare;
e) uniforma civile për zyrat e pritjes së qytetarëve.
Llojet e uniformës dhe normat e furnizimit me uniformë janë të përcaktuara në lidhjen nr.3 të albumit dhe në aneksin nr.1, pjesë përbërëse e kësaj lidhjeje.
5. Shenjat dalluese sipas shërbimeve të Policisë së Shtetit do të jenë, si më poshtë vijon:
a) Shenjë në krah “Logo e Policisë së Shtetit”;
b) Shenjë në krah “Policia e Rendit”;
c) Shenjë në krah “Shqiponjat”;
ç) Shenjë në krah për kufirin dhe migracionin “Policia Kufitare”;
d) Shenjë në krah “Policia Rrugore”;
dh) Shenjë në krah e Njësisë Speciale “RENEA”;
e) Shenjë në krah e Njësisë Speciale të NEGOCIIMIT;
        ë)  Shenjë në krah e Njësisë speciale “ANTIEKSPLOZIV”;
f) Shenjë në krah e Forcës Kombëtare të Sigurisë – FKS;
g) Shenjë në krah Njësisë Speciale “Antiterrori”;
 gj) Shenjë në krah e Policisë Shkencore;
h) Shenjë në krah e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale;
i)   Shenjë në krah e Policisë Kriminale;
j)   Shenjë në krah e Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare;
k) Shenjë në krah “Akademia e Sigurisë”;
l)   Shenja për studentin/kursantin;
ll) Shenja për mbiemrin/numrin e identifikimit (RMIS);
m) Shenja e kapelës “Emblema”;
n) Shenja e jakës, “Përkrenare e Skënderbeut e stilizuar”;
nj) Shiriti i kapelës dhe kopsat me ngjyrë të artë;
o) Shiriti i medaljeve.
Shenjat dalluese të Policisë së Shtetit, të përmendura më sipër, janë të përcaktuara dhe të përshkruara në lidhjen nr.4 të albumit.
6. Punonjësi i Policisë së Shtetit pajiset me dokumentin dhe medaljonin zyrtar të identifikimit. Forma, përmasat dhe të dhënat që përmban dokumenti identifikues dhe medaljoni zyrtar i identitetit të punonjësit të Policisë së Shtetit, janë të përcaktuara dhe të përshkruara në lidhjen nr.5 të albumit.
7. Gradat, simbolet, uniformat, shenjat, dokumenti dhe medaljoni zyrtar identifikues të Policisë së Shtetit, të miratuara sipas këtij vendimi, për nga qëllimi i përdorimit, janë pronë e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe përdoren vetëm gjatë shërbimit ose për shkak të tij nga punonjësit e Policisë së Shtetit.
8. Gradat, simbolet, uniformat, shenjat, dokumenti dhe medaljoni zyrtar identifikues i Policisë së Shtetit janë të patjetërsueshme.
9. Ndalohen shumëfishimi dhe realizimi i modeleve e ngjyrave të tyre për përdorues të organizatave të tjera publike apo private, që trajtohen me uniformë, të cilat nuk kanë të njëjtin mision dhe detyra që ka Policia e Shtetit.
10. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për programin “Policia e Shtetit”.
11. Vendimi nr.55, datë 27.1.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e paraqitjes, formës dhe specifikimeve teknike të gradave, simboleve, uniformave dhe shenjave të Policisë së Shtetit”, të ndryshuar, shfuqizohet.
12. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.28, DATË 17.1.2018,                                   TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EMËRIMIN E ANËTARËVE TË BORDIT TË MENAXHIMIT TË AUTORITETIT RRUGOR SHQIPTAR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 8, të                                 ligjit nr.10164, datë 15.10.2009, “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Shkronja “c”, e pikës 1, të vendimit nr.28, datë 17.1.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për emërimin e anëtarëve të bordit të menaxhimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c)  Z. Stiljan Llavdaniti, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.113, DATË 6.3.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EMËRIMIN E ANËTARËVE QË PËRFAQËSOJNË PALËN SHQIPTARE NË KOMISIONIN SHQIPTARO-MALAZEZ PËR MENAXHIMIN E UJËRAVE ME INTERES TË PËRBASHKËT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 16, të kreut III, të marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për marrëdhëniet e ndërsjella në menaxhimin e burimeve ujore ndërkufitare, të miratuar me vendimin nr.745, datë 19.12.2018, të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.113, datë 6.3.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për emërimin e anëtarëve që përfaqësojnë palën shqiptare në Komisionin Shqiptaro-Malazez për Menaxhimin e Ujërave me Interes të Përbashkët”, të ndryshuar, shkronjat “a”, “c”, “ë” dhe “g” ndryshohen, si më poshtë vijon:
“a) Znj. Anila Shehu, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore;”;
“c) Z. Alfred Çerepi, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme;”;
“ë) Z. Neritan Postoli, Agjencia Kombëtare e Mjedisit;”;
“g) Znj. Xhemi Jaupaj, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore;”.
2. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Agjencia për Menaxhimin e Burimeve Ujore dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.418, DATË 7.7.2023,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN                                        E PROCEDURAVE PËR PËRZGJEDHJEN E PËRDORUESIT  NË PARQET TEKNOLOGJIKE DHE SHKENCORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 8, të  ligjit nr.58/2022, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 5, të kreut I, të vendimit nr.418, datë 7.7.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e procedurave për përzgjedhjen e përdoruesit në parqet teknologjike dhe shkencore”, shfuqizohen.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.422,  DATË 6.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN, RREGULLAT E FUNKSIONIMIT DHE TRAJTIMIN FINANCIAR                     TË GRUPIT NEGOCIATOR DHE DETYRAT  E KRYENEGOCIATORIT PËR ZHVILLIMIN E NEGOCIATAVE                     TË ADERIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, dhe të vendimit nr.749, datë 19.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e traktatit të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, me propozimin e ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të kreut I, të vendimit nr.422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e Kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Fjalët “Zëvendësministri i Financave, përgjegjës për tatimet dhe doganat” zëvendësohen me “Z. Florian Semani, zëvendësministër i Financave”.
b) Togfjalëshi “Znj. Nina Guga” zëvendësohet me “Znj. Orjana Osmani”.
c) Fjalia “Znj. Adela Xhemali, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kriteret ekonomike dhe kapitujt 32 dhe 33;” zëvendësohet me “Znj. Erjona Çela, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kriteret ekonomike dhe kapitullin 33;”.
ç)  Pas paragrafit të fundit shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“- Z. Andi Memeti, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kapitullin 32.”.
2. Ngarkohen grupi negociator i Republikës së Shqipërisë dhe institucionet, sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, për zbatimin e këtij vendimi.
  Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.775,  DATË 24.9.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,                                      “PËR ADMINISTRIMIN E FINANCIMEVE TË HUAJA   NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 39, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.775, datë 24.9.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për administrimin e financimeve të huaja në Republikën e Shqipërisë”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 7, fjalët “… miratuar me vendimin nr.692, datë 10.11.2005, të Këshillit të Ministrave” hiqen.
2. Në pikën 8, periudha “… 2007-2013 …” hiqet.
3. Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10. Lista unike e projekteve me rëndësi kombëtare, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, përdoret në vijimësi nga Ministria e Financave dhe struktura përgjegjëse për koordinimin e ndihmës së huaj në negociatat me huadhënësit/dhuruesit për financime të reja, për projektet e investimeve publike, të cilat janë mbi vlerën kufi të përcaktuar me udhëzim nga ministri përgjegjës për financat.”.
4. Në pikën 11, fjalët “… dhe Ministrinë e Integrimit” hiqen.
5. Pas pikës 11 shtohet pika 11/1, me këtë përmbajtje:
“11/1. Ministri i Financave mund të kërkojë e të sigurojë financim nga huadhënësit dhe dhuruesit për projektet e përfshira në listën unike të projekteve me rëndësi kombëtare, të cilat kanë statusin “i maturuar” ose për çdo projekt tjetër, që nuk klasifikohet si projekt me rëndësi strategjike, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.887, datë 27.12.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e menaxhimit të investimeve publike”, të ndryshuar, pas marrjes së kërkesës nga ministria e linjës përfituese, pavarësisht nëse projekti nuk është i përfshirë në Programin Buxhetor Afatmesëm (PBA). Kërkesa paraqitet me kusht që marrëveshja përkatëse financiare të nënshkruhet vetëm pasi të jenë respektuar kushtet e përcaktuara në ligjin për buxhetin vjetor përkatës. Në çdo rast, njësitë e qeverisjes së përgjithshme janë të detyruara të parashikojnë në programin buxhetor afatmesëm të tyre çdo projekt, për të cilin kanë kërkuar sigurimin e financimit nëpërmjet një huaje ose granti. Kur projekti nuk mund të përfshihet në tavanet përfundimtare të shpenzimeve të PBA-së, ministri i Financave ka të drejtë të pezullojë procedurën për sigurimin e financimit të projektit.”.
6. Në pikën 12 bëhen këto ndryshime:
a) Në shkronjën “b”, fjalia e dytë hiqet;
b) Në shkronjën “d”,  fjalët  “… të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare” …” zëvendësohen me “… të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar …”.
7. Në pikën 13, pas fjalëve “… marrëveshjet përkatëse të financimit …” shtohen “… të negociuara dhe …”.
8. Pika 22 shfuqizohet.
9. Kudo në tekstin e vendimit, emërtesa “Departamenti i Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj (DEBASKON) pranë Këshillit të Ministrave” dhe shkurtesa “DEBASKON” zëvendësohen me fjalët “struktura përgjegjëse për koordinimin e ndihmës së huaj”, sipas kuptimit të fjalisë.
10. Kudo në tekstin e vendimit, fjalët “dhe Ministrinë e Integrimit” dhe  “Ministria e Integrimit” hiqen.
II. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Agjencia Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas  botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, TË MËNYRËS   DHE TË RREGULLAVE PËR RIKTHIMIN E USHTARAKËVE                  NË REZERVË NË SHËRBIMIN AKTIV TË FORCAVE  TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 31, të                             ligjit nr. 59/2014, “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. TË PËRGJITHSHME
Ky vendim përcakton procedurat, mënyrat dhe rregullat për rikthimin në shërbimin aktiv të ushtarakëve në rezervë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke garantuar respektimin e parimeve të barazisë, meritokracisë dhe mosdiskriminimit, përmbushjen e nevojave me personel të kualifikuar, si dhe forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes, nëpërmjet një procesi të drejtë dhe transparent.
II. PROCEDURAT   PËR   RIKTHIMIN NË SHËRBIMIN AKTIV TË USHTARAKËVE NË REZERVË NË RASTET E SHTIMIT TË NUMRIT TË PËRGJITHSHËM TË PERSONELIT DHE KUR KËRKOHEN SPECIALITETE QË NDIKOJNË NË RUAJTJEN E OPERACIONALITETIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA
1. Për rastet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “c”, të pikës 1, të nenit 31, të ligjit nr.59/2014, “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ndiqen procedurat, si më poshtë vijon:
a) Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, mbështetur në propozimet e strukturave të Forcave të Armatosura, harton kërkesat dhe nevojat për rikthimin në shërbimin aktiv, sipas kategorisë së personelit të ndarë për oficer, nënoficer dhe ushtar/detar aktiv, me specialitete ushtarake dhe repartet që kanë nevojë për plotësim me personel dhe ia përcjell për miratim ministrit të Mbrojtjes.
b) Pas miratimit, Ministria e Mbrojtjes publikon në faqen zyrtare elektronike njoftimin me të gjitha të dhënat e nevojshme për specialitetet e kërkuara, afatin e aplikimit dhe dokumentacionin e nevojshëm për rikthimin e ushtarakëve në rezervë në shërbim aktiv.
c) Kandidati aplikon nëpërmjet portalit “e-Albania”, duke plotësuar formularin e aplikimit për rikthimin e ushtarakëve në rezervë në shërbim aktiv dhe dokumentacionin e nevojshëm brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e publikimit të njoftimit në faqen zyrtare elektronike të Ministrisë së Mbrojtjes.
ç) Qendra e Personel-Rekrutimit kryen verifikimin e dosjes të aplikimit brenda 5 (pesë) ditëve nga përfundimi i afatit të aplikimit. Në rast se konstatohet se dokumentacioni nuk është i plotë, kandidatit njoftohet nëpërmjet portalit “e-Albania” për plotësimin e dokumentacionit brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e njoftimit. Në përfundim të afatit të njoftimit, Qendra e Personel-Rekrutimit pranë Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura i përcjell listën së bashku me dokumentacionin e aplikimit komisionit të vlerësimit, sipas pikës 2, të këtij kreu.
d) Strukturat e sigurisë dhe zbatimit të ligjit në Forcat e Armatosura, në bashkëpunim me struktura të tjera shtetërore, kryejnë kontrollin e plotësimit të kushtit të sigurisë së kandidatëve për rikthim në shërbimin aktiv, sipas listave të dërguara nga Qendra e Personel-Rekrutimit.
dh) Komisioni i vlerësimit kryen procedurën e vlerësimit të kandidatëve brenda 10 (dhjetë) ditëve.
e) Pas përfundimit të procedurës së vlerësimit, komisioni i vlerësimit i përcjell Qendrës së Personel-Rekrutimit vendimmarrjen së bashku me arsyetimin përkatës për secilin kandidat.
ë) Qendra e Personel-Rekrutimit i njofton kandidatit, nëpërmjet portalit                   “e-Albania”, vendimin e komisionit të vlerësimit me vulë elektronike/nënshkrim elektronik, së bashku me arsyetimin përkatës.
f) Kundër vendimit të komisionit të vlerësimit ushtrohet ankim sipas përcaktimeve në Kodin e Procedurave Administrative, nëpërmjet portalit “e-Albania”. Në përfundim të afatit të ankimit, Qendra e Personel-Rekrutimit i përcjell ankesat komisionit të shqyrtimit të ankimit sipas pikës 3, të këtij kreu.
g) Qendra e Personel-Rekrutimit, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga përfundimi i afatit të paraqitjes së ankimit, i njofton kandidatit vendimin e komisionit të shqyrtimit të ankimit me vulë elektronike/nënshkrim elektronik, nëpërmjet portalit “e-Albania”.
gj) Në përfundim të procedurës së vlerësimit dhe ankimit, Qendra e Personel-Rekrutimit dërgon listat e kandidatëve fitues në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
h) Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura përgatit praktikën për miratimin e listës së kandidatëve fitues. Lista e kandidatëve fitues oficerë i përcillet për miratim ministrit të Mbrojtjes, ndërsa lista e kandidatëve fitues, nënoficerë dhe ushtarë/detarë, i përcillet për miratim Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
i) Pas miratimit, vijon procedura për titullimin ushtarak aktiv dhe emërimin në detyrë të kandidatëve fitues.
2. Komisioni i vlerësimit për kandidatët oficerë përbëhet nga 3 (tre) anëtarë dhe ngrihet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ndërsa komisioni i vlerësimit për  kandidatët nënoficerë dhe ushtarë/detarë përbëhet nga 3 (tre) anëtarë dhe ngrihet me urdhër të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
3. Komisioni i shqyrtimit të ankimit për kandidatët oficerë përbëhet nga 3 (tre) anëtarë dhe ngrihet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, ndërsa komisioni i shqyrtimit të ankimit për kandidatët nënoficerë dhe ushtarë/detarë përbëhet nga 3 (tre) anëtarë dhe ngrihet me urdhër të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
4. Dokumentacioni i nevojshëm për vlerësimin e kandidatit është, si më poshtë vijon:
a) Formulari i vetëdeklarimit në zbatim të ligjit nr.138/2015;
b) Jetëshkrimi;
c) Vërtetimi i gjendjes gjyqësore;
ç)  Vërtetimi nga prokuroria që kandidati nuk është në procedim penal;
d) Vërtetimi nga gjykata e rrethit gjyqësor që kandidati nuk është në proces gjyqësor penal;
      dh) Vërtetimi që kandidati të mos jetë larguar për shkelje disiplinore nga administrata publike;
e) Vërtetimi mjekësor;
ë) Fotokopje e noterizuar e dokumentit zyrtar (diplomës) që vërteton përfundimin e arsimimit përkatës së bashku me listën e notave;
f)  Fotokopje e noterizuar e kualifikimeve të nevojshme për specialitetin që kërkohet rikthimi në shërbimin aktiv.
5. Qendra e Personel-Rekrutimit siguron me autorizim të kandidatit dokumentacionin e përcaktuar në shkronjat “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, të pikës 6, të këtij vendimi.
6. Rikthimi si ushtarak aktiv bëhet me urdhër të autoritetit, që ka të drejtën e titullimit oficer, nënoficer dhe ushtar/detar aktiv, sipas legjislacionit në fuqi për Forcat e Armatosura.
7. Ushtaraku, që rikthehet në shërbimin aktiv në Forcat e Armatosura, emërohet në detyrë në përputhje me specialitetin, si dhe nënshkruan kontratën e shërbimit.
8. Gjatë kohës së shërbimit si ushtarak aktiv brenda kontratës, ushtaraku i rikthyer gjatë gjithë periudhës së kontratës ruan gradën që ka pasur në kohën e daljes në rezervë dhe nuk ka të drejtë të konkurrojë dhe të përparojë në gradë.
III. PROCEDURAT   PËR   RIKTHIMIN NË SHËRBIMIN AKTIV TË USHTARAKËVE NË REZERVË NË RASTIN E MOBILIZIMIT TË PËRGJITHSHËM OSE TË PJESSHËM
Për rastet e parashikuara në shkronjën “b”, të pikës 1, të nenit 31, të                                 ligjit nr.59/2014, “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ndiqen procedurat, si më poshtë vijon:
a) Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, mbështetur në propozimet e strukturave të Forcave të Armatosura, harton planin për plotësim me personel të strukturave, sipas kategorisë së personelit oficer, nënoficer dhe ushtar/detar aktiv në rastet e mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm dhe ia përcjell për miratim ministrit të Mbrojtjes.
b) Pas miratimit, njoftimi për rastet e mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm shpallet në median kombëtare, si dhe publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes.
c) Qendra e Personel-Rekrutimit njofton me shkrim dhe përmes postës elektronike ushtarakun në rezervë për rikthim në shërbimin aktiv, duke adresuar zyrën ku duhet të paraqitet, për të vijuar me procedurën e emërimit.
IV. DISPOZITA KALIMTARE
1. Deri në momentin e krijimit të infrastrukturës së nevojshme teknike për ngritjen e sistemit të të dhënave të humbjeve dhe fatkeqësive për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, për kryerjen e procesit të aplikimit dhe ankimit nëpërmjet portalit “e-Albania”, proceset do të zhvillohen pranë Qendrës së Personel-Rekrutimit.
2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Qendra e Personel-Rekrutimit për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE, TË KRITEREVE, TË MOTIVIT   DHE TË PROCEDURAVE PËR DHËNIEN E MEDALJEVE  E CERTIFIKATAVE NË POLICINË E SHTETIT DHE SHPËRBLIMIN PËRKATËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 127, të  ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Për punonjësit e policisë, për merita në kryerjen e detyrave dhe për vjetërsi në shërbim, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit jep këto medalje:
a) Medalje “Mirënjohje” i jepet:
i. punonjësit të policisë, i cili është dalluar për kontributin dhe vlerat e veçanta në shërbim të komunitetit;
ii. strukturës policore, që është dalluar për kontributin dhe vlerat e veçanta në shërbim të komunitetit.
Kjo medalje shoqërohet me shpërblim financiar në vlerën 100 000 (njëqind              mijë) lekë, që përballohet nga buxheti i njësisë, ku është i punësuar punonjësi.
b) Medalje “Për rezultate të larta” i jepet punonjësit të policisë, që ka arritur tregues të lartë gjatë detyrës e që merr vlerësimet maksimale për një periudhë jo më pak se 5 (pesë) vjet.
Kjo medalje shoqërohet me shpërblim financiar në vlerën 90 000 (nëntëdhjetë mijë) lekë, që përballohet nga buxheti i njësisë, ku është i punësuar punonjësi.
c) Medalje “Për merita të veçanta” i jepet punonjësit të policisë për arritje të veçanta në kryerjen e detyrave të tyre dhe që shfaqin sjellje shembullore për një periudhë jo më pak se 5 (pesë) vjet.
Kjo medalje shoqërohet me shpërblim financiar në vlerën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë, që përballohet nga buxheti i njësisë, ku është i punësuar punonjësi.
ç) Medalje bronzi e karrierës 15-vjeçare i jepet punonjësit të policisë, që ka shërbyer në strukturat e Policisë së Shtetit për 15 (pesëmbëdhjetë) vjet e gjatë kësaj periudhe ka dëshmuar profesionalizëm dhe sjellja e tij ka qenë shumë e mirë.
Kjo medalje shoqërohet me shpërblim financiar në vlerën 75 000 (shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, që përballohet nga buxheti i njësisë, ku është i punësuar punonjësi.
d) Medalje argjendi e karrierës 20-vjeçare i jepet punonjësit të policisë, që ka shërbyer në strukturat e Policisë së Shtetit për 20 (njëzet) vjet e gjatë kësaj periudhe ka dëshmuar profesionalizëm dhe sjellja e tij ka qenë shumë e mirë.
Kjo medalje shoqërohet me shpërblim financiar në vlerën 85 000 (tetëdhjetë e pesë mijë)  lekë, që përballohet nga buxheti i njësisë, ku është i punësuar punonjësi.
dh) Medalje ari e karrierës 30-vjeçare i jepet punonjësit të policisë, që ka shërbyer në strukturat e Policisë së Shtetit për 30 (tridhjetë) vjet e gjatë kësaj periudhe ka dëshmuar profesionalizëm dhe sjellja e tij ka qenë shumë e mirë.
Kjo medalje shoqërohet me shpërblim financiar në vlerën 100 000 (njëqind mijë) lekë, që përballohet nga buxheti i njësisë, ku është i punësuar punonjësi.
2. Punonjësi i propozuar për dhënie të medaljes nuk duhet të ketë masë disiplinore në fuqi apo të ketë marrë më parë masë disiplinore për shkelje të rëndë gjatë viteve të punës në strukturat e Policisë së Shtetit.
3. Medaljet shoqërohen me 1 (një) certifikatë.
Certifikata duhet të përmbajë lart, në qendër, stemën e Republikës së Shqipërisë, institucionin, autoritetin që jep medaljen, gradën, emrin dhe mbiemrin e personit që i jepet medalja, titullin e medaljes, motivacionin, numrin dhe datën e urdhrit për dhënien e medaljes, si dhe në fund, emrin, mbiemrin e firmën e drejtorit të përgjithshëm që jep medaljen dhe vulën.
4. Për punonjësit e policisë jepen këto lloj certifikatash:
a) Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit jep:
i. certifikatë për shërbime të dalluara për punonjësin e policisë, që ka kryer shërbim të dalluar në mënyrë të vazhdueshme dhe për një periudhë kohe jo më pak se 3 (tre) vjet, duke shfaqur profesionalizëm e rezultate të larta në punë.
Certifikata për shërbime të dalluara, e cila shoqërohet me shpërblim financiar në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, që përballohet nga buxheti i njësisë, ku është i punësuar punonjësi.
ii. certifikatë të karrierës, që i jepet punonjësit të policisë, që ka mbushur më shumë së 10 (dhjetë) vjet punë/shërbim në Policinë e Shtetit, duke kontribuuar në rritjen e standardeve të rendit dhe të sigurisë publike.
Certifikata e karrierës shoqërohet me shpërblim financiar në vlerën                     45 000 (dyzet e pesë mijë) lekë, që përballohet nga buxheti i njësisë, ku punonjësi është i punësuar.
b) Drejtuesit e departamenteve të Policisë së Shtetit japin certifikata të karrierës për punonjësit e policisë në varësi të tyre. Certifikata e karrierës i jepet punonjësit të policisë, që ka mbushur më shumë se 10 (dhjetë) vjet punë/shërbim në Policinë e Shtetit, duke kontribuuar në rritjen e standardeve të rendit e të sigurisë publike.
Certifikata e karrierës shoqërohet me shpërblim financiar në vlerën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë, që përballohet nga buxheti i njësisë, ku është i punësuar punonjësi.
c) Drejtorët e drejtorive vendore të Policisë së Shtetit dhe drejtuesit e strukturave të veçanta japin certifikata për shërbime të dalluara për punonjësit e policisë në varësi të tyre. Certifikata për shërbime të dalluara i jepet punonjësit të policisë, që ka kryer shërbim të dalluar në mënyrë të vazhdueshme dhe për një periudhë kohe jo më pak se 3 (tre) vjet, duke shfaqur profesionalizëm e rezultate të larta në punë.
Certifikata për shërbime të dalluara shoqërohet me shpërblim financiar në vlerën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë, që përballohet nga buxheti i njësisë, ku është i punësuar punonjësi.
5. Punonjësi i propozuar për dhënie të certifikatës nuk duhet të ketë masë disiplinore në fuqi apo të ketë marrë më parë masë disiplinore për shkelje të rëndë gjatë viteve të punës në strukturat e Policisë së Shtetit.
6. Certifikata duhet të përmbajë: stemën e Republikës së Shqipërisë, llojin e certifikatës; gradën, emrin dhe mbiemrin e personit që certifikohet, numrin dhe datën e urdhrit, si dhe motivacionin për dhënien e saj, gradën, emrin dhe mbiemrin e autoritetit që jep certifikatën, firmën dhe vulën e institucionit.
7. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i jep medaljet dhe certifikatat kryesisht ose me propozim të drejtorëve të departamenteve dhe të drejtorëve të drejtorive në varësi të tij.
7.1. Drejtuesit e departamenteve i japin certifikatat me propozimin e drejtuesve të strukturave të varësisë.
7.2. Drejtuesit e drejtorive vendore dhe drejtuesit e strukturave të veçanta i japin certifikatat me propozimin e titullarëve të strukturave të varësisë.
8. Propozimi për dhënien e medaljeve dhe të certifikatave i bëhet autoritetit përgjegjës për dhënien e tyre. Propozimi për dhënien e medaljeve dhe të certifikatave duhet të përmbajë:
a) gjenealitetet, vendin e punës dhe funksionin e punonjësit;
b) ecurinë në karrierë;
c) relacionin për arritjet dhe sukseset në punë, që do të përcaktojnë dhe motivacionin për dhënien e tyre, arsyet e hollësishme të propozimit, motivin dhe elementet që vërtetojnë përmbushjen e kritereve përkatëse për dhënien e medaljes/certifikatës;
ç) autoritetin propozues;
d) llojin e medaljes/certifikatës që propozohet të jepet;
dh) vërtetimin nga struktura e burimeve njerëzore pranë strukturës propozuese se personi i propozuar nuk ka marrë më parë këtë lloj medaljeje (përveç medaljes së karrierës);
e) vërtetimin nga struktura e burimeve njerëzore pranë strukturës propozuese se personi i propozuar nuk ka masë disiplinore në fuqi dhe nuk ka marrë më parë masë disiplinore për shkelje të rëndë gjatë viteve të punës në strukturat e Policisë së Shtetit.
9. Propozimi për dhënien e medaljes bëhet me shkrim dhe i dërgohet autoritetit përgjegjës për dhënien e tyre 90 (nëntëdhjetë) ditë përpara datës së propozuar për dhënien e medaljes.
10. Propozimi për dhënien e certifikatës bëhet me shkrim dhe i dërgohet autoritetit përgjegjës për dhënien e tyre 30 (tridhjetë) ditë përpara datës së propozuar për dhënien e certifikatës.
11. Strukturat e burimeve njerëzore në varësi të autoritetit përgjegjës, që jep medaljen/certifikatën, kryejnë shqyrtimin e propozimit për dhënie medaljeje/certifikate dhe marrin miratimin në parim nga autoriteti përgjegjës për dhënien e medaljes. Pas këtyre procedurave, këto struktura përgatitin urdhrin përkatës për autoritetin që jep medaljen/certifikatën brenda                              15 (pesëmbëdhjetë) ditëve.
12. Procedura e dorëzimit të medaljeve dhe të certifikatave është, si më poshtë vijon:
a) Dhënia e medaljeve dhe e certifikatave bëhet me ceremoni zyrtare nga autoritetet përkatëse;
b) Struktura e protokollit dhe e ceremonive, pas miratimit të medaljes apo të certifikatës nga titullari i përcaktuar, bën njoftimin për institucionin apo strukturën, që ka bërë propozimin dhe, në bashkëpunim, përcaktojnë kohën e vendin e dhënies së saj për medaljet/certifikatat e akorduara nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;
c) Dhënia e medaljeve dhe e certifikatave mund të realizohet gjatë ceremonive të ndryshme për festim përvjetorësh ose në raste festash zyrtare. Ceremonia në këto raste organizohet në vendin e punës apo në institucionin që e ka bërë propozimin për dhënien e saj;
ç) Dorëzimi i medaljeve dhe i certifikatave bëhet në mënyrë publike, në prani të punonjësve të Policisë së strukturës ku shërben punonjësi ose të strukturës që ka bërë propozimin.
13. Kopje të urdhrave për akordim të medaljeve dhe të certifikatave, së bashku me kopjen e certifikatave, vendosen në dosjen personale të punonjësit të Policisë, si dhe pasqyrohen në vlerësimin e rezultateve të punës që bëhet për punonjësin.
14. Medaljet mbahen në uniformën e punonjësit të policisë dhe në uniformën ceremoniale. Punonjësit e policisë, përveç medaljeve të dhëna sipas ligjit për Policinë e Shtetit, gëzojnë të drejtën të mbajnë edhe medalje, dekorata e tituj nderi të dhëna nga institucione dhe autoritete të tjera publike, si dhe nga institucione e autoritete të shteteve të tjera.
15. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHKARKIMIN NGA DETYRA TË KRYETARIT TË QENDRЁS KOMBЁTARE TЁ KINEMATOGRAFISЁ
Në mbështetje tё pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 7, të                            ligjit nr.8096, datë 21.3.1996, “Për kinematografinë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Eol Çashku shkarkohet nga detyra e kryetarit të Qendrës Kombëtare tё Kinematografisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “SHËTITORJA   DRILON – TUSHEMISHT”, BASHKIA POGRADEC
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të                                       ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Shëtitorja Drilon –                            Tushemisht”, Bashkia Pogradec.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Pogradec.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë dhe truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 674 162.48 (një milion e gjashtëqind e shtatëdhjetë e katër mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e dy pikë dyzet e tetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 1 674 162.48 (një milion e gjashtëqind e shtatëdhjetë e katër mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e dy pikë dyzet e tetë) lekësh përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Pogradec.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Pogradec.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec, brenda                     30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Pogradec për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Pogradec për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Bashkia Pogradec, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE                       TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “SPOSTIM I LINJAVE 220 KV KOMAN – TIRANA 2, LINJA 110 KV LAÇ 2 – TIRANË                                    DHE LINJA 220 KV FIER – RRASHBULL, SI RRJEDHOJË                                E NDËRTIMIT TË SEGMENTIT TË RRUGËS THUMANË – KASHAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të                               ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Spostim i linjave 220 kV                          Koman – Tirana 2, linja 110 kV Laç 2 – Tiranë dhe linja 220 kV                                      Fier – Rrashbull, si rrjedhojë e ndërtimit të segmentit të rrugës                             Thumanë – Kashar”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 807 069.15 (tetëqind e shtatë mijë e gjashtëdhjetë e nëntë pikë pesëmbëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 807 069.15 (tetëqind e shtatë mijë e gjashtëdhjetë e nëntë pikë pesëmbëdhjetë) lekësh përballohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 90 000 (nëntëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
8. Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore  Kamzë – Vorë, Drejtoria Vendore  Krujë dhe Drejtoria Vendore Fier, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nisin procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për Operatorin e  Sistemit të Transmetimit, sh.a.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë të pasurive që shpronësuara, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore  Kamzë – Vorë, Drejtoria Vendore  Krujë dhe Drejtoria Vendore Fier, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.