Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 28 Shkurt 2025:

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË AFATGJATË TË RINOVIMIT TË STOKUT TË NDËRTESAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Strategjisë Afatgjatë të Rinovimit të Stokut të Ndërtesave, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Strategjia Afatgjatë e Rinovimit të Stokut të Ndërtesave rishikohet çdo 3 (tre) vjet.

3. Duke filluar nga data 25 mars 2025 e në vijim, çdo 2 (dy) vjet, ministria përgjegjëse për energjinë përgatit një raport për statusin e zbatimit të Strategjisë Afatgjatë të Rinovimit të Stokut të Ndërtesave, si pjesë përbërëse e progresit të raportit të integruar të Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës.
4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia për Eficiencën e Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***
V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIMI I HYRJES SË QYTETIT TË SHKODRËS DHE BREGUT PERËNDIMOR TË LIQENIT TË SHKODRËS, MUZEU I NAVIGIMIT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rikualifikimi i hyrjes së qytetit të Shkodrës dhe bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, Muzeu i Navigimit”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Shkodër.

3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 575 495 (një milion e pesëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e pesë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 575 495 (një milion e pesëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e pesë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Shkodër.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.

8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Shkodër.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Shkodër, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Shkodër për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Shkodër për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

12. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Shkodër, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Shkodër, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***
V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E LISTËS SË PROJEKTEVE FITUESE TË FINANCUARA PËR VITIN 2025 NGA FONDI PËR DIGAT, SI DHE TË AUTORITETIT KONTRAKTOR PËR ZBATIMIN E PROJEKTEVE, SIPAS NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 8, të nenit 15, e të pikës 10, të aneksit 7, “Fondi për digat”, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e listës së projekteve fituese të financuara për vitin 2025 nga fondi për digat, si dhe të autoritetit kontraktor për zbatimin e projekteve, sipas njësive të vetëqeverisjes vendore, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PROJEKTEVE FITUESE TË FINANCUARA PËR VITIN 2025 NGA FONDI PËR PARANDALIMIN DHE MENAXHIMIN E FATKEQËSIVE NATYRORE, SI DHE TË AUTORITETIT KONTRAKTOR PËR ZBATIMIN E PROJEKTEVE, SIPAS NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 15, e të pikës 9, të aneksit 6, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e listës së projekteve fituese të financuara për vitin 2025 nga fondi për parandalimin dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore, si dhe të autoritetit kontraktor për zbatimin e projekteve, sipas njësive të vetëqeverisjes vendore, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.