Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 28 Tetor 2026:
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË APLIKIMIT, NDËRVEPRIMIT INSTITUCIONAL, KUSHTEVE, KRITEREVE, RRETHANAVE, DOKUMENTIMIT DHE VËRTETIMIT TË INTERESIT SHTETËROR, RREGULLAVE SPECIFIKE TË KONTROLLIT TË SIGURISË DHE PASTËRTISË SË FIGURËS, SI DHE PËR ORGANIZIMIN E FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SHTETËRORE TË POSAÇME TË SHTETЁSISЁ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr.113/2020, “Për shtetësinë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punёve tё Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Ky vendim ka për objekt:
a) përcaktimin e procedurave të aplikimit dhe të ndërveprimit institucional, kushteve, kritereve, rrethanave, dokumentimit dhe vërtetimit të interesit shtetëror, si dhe rregullave specifike të kontrollit të sigurisë dhe pastërtisë së figurës;
b) organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Shtetërore të Posaçme tё Shtetёsisё.
Neni 2
Përkufizime
Për qëllime të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Agjencia”, Agjencia Shtetërore e Posaçme e Shtetësisё, në varësi të ministrit përgjegjës për punët e brendshme;
b) “Interes i posaçëm shtetëror”, interesi i shtetit shqiptar për dhënien e shtetësisë shqiptare një shtetasi të huaj, kur cilësitë, aftësitë, rrethanat specifike tё dobishme, veprimtaria, private apo publike të tij vlerësohen tё tilla pёr shtetin shqiptar në një fushë të caktuar;
c) “Kërkesë për fitimin e shtetësisë shqiptare”, kërkesa e paraqitur nga kërkuesi ose nga përfaqësuesi i tij me prokurë, sipas formatit të përcaktuar në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
ç) “Kërkues”, çdo shtetas i huaj, që paraqet kërkesë për fitimin e shtetësisë shqiptare me natyralizim për interes të posaçëm shtetëror dhe që plotëson kriteret e parashikuara në këtë vendim, si dhe kushtet e përcaktuara në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë”, të ndryshuar;
d) “Vlerësim i interesit të posaçëm shtetëror”, procedura përmes së cilës ministri që mbulon fushën përkatëse identifikon, mbështet dhe garanton ekzistencën e një interesi të posaçëm shtetëror për dhënien e shtetësisë shqiptare një shtetasi të huaj, bazuar në cilësitë, aftësitë, rrethanat specifike tё dobishme, veprimtarinë private apo publike të tij në një fushë të caktuar;
dh) “Ministria përgjegjëse”, ministria që mbulon fushën në të cilën pretendohet dhe vlerësohet interesi i posaçëm shtetëror i kërkuesit;
e) “Familjarë të lidhur me kërkuesin”, bashkëshorti ose bashkëshortja dhe fëmijët e mitur të kërkuesit, si dhe, kur kërkuesi është i mitur, prindërit e tij, përfshirja e të cilëve lidhet me procedurën e vërtetimit të ekzistencës së interesit të posaçëm shtetëror në favor të kërkuesit.
KREU II
KUSHTET, KRITERET, PARAQITJA E KËRKESËS DHE DOKUMENTACIONI PËR FITIMIN E SHTETËSISË SHQIPTARE ME NATYRALIZIM PËR INTERES TË POSAÇËM SHTETËROR
Neni 3
Kushtet për dhënien e shtetësisë për interes shtetëror
Ka të drejtë të kërkojë fitimin e shtetësisë shqiptare me natyralizim për interes të posaçëm shtetëror shtetasi i huaj, i cili plotëson kushtet e përgjithshme, të përcaktuara në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë”, të ndryshuar, si dhe kriteret e mëposhtme:
a) I huaji ka cilësi, aftësi dhe rrethana specifike personale ose të veprimtarisë së tij, private ose publike, të cilat paraqesin interes për shtetin shqiptar, për shkak se i përgjigjen një nevoje konkrete, zbusin një mangësi konkrete, sjellin një dobi konkrete, prezantojnë një risi konkrete apo krijojnë një përparësi konkrete për shtetin shqiptar;
b) I huaji ka interes dhe kërkon që të marrë shtetësinë shqiptare, me premtimin se do të vërë në shërbim të Republikës së Shqipërisë cilësitë, aftësitë dhe rrethanat specifike personale ose të veprimtarisë së tij, private ose publike;
c) I huaji pranon faktin juridik se aplikimi për shtetësi, në kushtet e nenit 9, të ligjit nr.113/2020, “Për shtetësinë”, të ndryshuar, nuk formon të drejtë individuale, se pranimi i kërkesës është në vullnetin e shtetit shqiptar, se shteti shqiptar nuk është i detyruar të marrë vendim lidhur me kërkesën dhe se refuzimi apo mosshqyrtimi i saj nuk mund të kundërshtohet gjyqësisht;
ç) I huaji pranon se në formularin e deklarimit do të japë të dhëna dhe do të referojë vetëm fakte të vërteta, se të dhënat dhe faktet mund të verifikohen në mënyrë të pavarur nga autoritetet shqiptare dhe se, në rast se autoritetet konstatojnë deklarimin e të dhënave të rreme, e ngarkon deklaruesin me përgjegjësi penale, sipas Kodit Penal, dhe përmban shkak ligjor për ndërprerjen e procedurave të dhënies së shtetësisë ose heqjen e shtetësisë së dhënë;
d) I huaji deklaron në mënyrë të veçantë se nuk ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në shtetin e vet, në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë për vepra penale, për të cilat ligji shqiptar parashikon dënime me jo më pak se 3 (tre) vjet heqje lirie, përveçse nëse është dënuar për motive politike;
dh) I huaji deklaron në mënyrë të veçantë vullnetin për të respektuar rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.
Neni 4
Kriteret për identifikimin e interesit shtetëror
1. Identifikimi i interesit shtetëror është kompetencë e ministrisë përgjegjëse për fushën, me të cilën lidhen cilësitë, aftësitë dhe rrethanat specifike personale ose të veprimtarisë së tij, private ose publike.
2. Interesi që të jetë i vlefshëm dhe i pranueshëm për procedurën e dhënies së shtetësisë duhet të jetë konkret, i përcaktueshëm qartë dhe i verifikueshëm. Interesi duhet të ketë lidhje me politika specifike të dokumentuara dhe të miratuara.
3. Në vlerësimin e interesit, ministri përgjegjës duhet të marrë në konsideratë dhe të përjashtojë zgjidhjet alternative për arritjen e të njëjtit qëllim, sikurse duhet të vlerësojë efektet e masave të ngjashme të mëparshme për persona të tjerë.
4. Në vlerësimin e aplikimit, ministri përgjegjës duhet të marrë në konsideratë dhe të çmojë rekomandimet e entiteteve apo personave publikë, që kanë nxitur apo kanë mbështetur aplikimin, e të vendosë në bazë të besueshmërisë dhe seriozitetit të opinionit të shprehur prej tyre. Kriter i posaçëm vlerësimi është historiku i rekomandimeve të mëparshme nga të njëjtat subjekte.
5. Mbështetur në kriteret, sipas këtij neni, ministri përgjegjës miraton rregulla të hollësishme për procedurat dhe metodologjinё e vlerёsimit të kërkesave.
Neni 5
Aplikimi për njohjen e interesit shtetëror
1. Personat që kërkojnë të fitojnë shtetësinë për interes shtetëror aplikojnë pranë ministrisë përgjegjëse të linjës për njohjen e interesit shtetëror, në rastin individual të kërkuesit. Aplikimi mund të kryhet edhe nga institucione apo organizata kulturore, arsimore, sportive, shkencore, ekonomike, të cilat kanë lidhje bashkëpunimi me kërkuesin, me kushtin që të kenë siguruar pëlqimin me shkrim nga kërkuesi, si dhe dokumentacionin mbështetës dhe provues për rrethanat që formojnë interes shtetëror.
2. Në dosjen e aplikimit përfshihen edhe deklaratat, sipas shkronjave “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, të nenit 3, të këtij vendimi, si dhe rekomandimet nga entitetet, apo personat publikë, që kanë nxitur apo kanë mbështetur aplikimin, nëse ka të tilla.
3. Kur personi që kërkon të fitojë shtetësinë për interes shtetëror është nga 14 (katërmbëdhjetë) deri 18(tetëmbëdhjetë) vjeç, aplikimi shoqërohet me deklaratë noteriale ose dokument të barasvlershëm, ku shprehet pëlqimi i të dy prindërve ose i kujdestarit ligjor. Kur personi është nën 14 (katërmbëdhjetë) vjeç, aplikimi, ose, sipas rastit, akti i pëlqimit, si dhe deklaratat, sipas shkronjave “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, të nenit 3, të këtij vendimi, nënshkruhen nga prindërit ose nga kujdestari ligjor.
4. Personat e ngarkuar me shqyrtimin e dosjes së aplikimit në ministrinë përgjegjëse hartojnë raport vlerësimi për ministrin, i cili përmban analizën e hollësishme të rrethanave të paraqitura, provueshmërinë e tyre nga dokumentacioni mbështetës, besueshmërinë e argumenteve të dhëna nga institucionet apo organizatat propozuese, nëse ka të tilla, analizën krahasuese të rasteve të ngjashme të trajtuara nga ministria, nëse ka të tilla, si dhe vlerësimin e rekomandimeve mbështetëse, nëse ka të tilla. Raporti i vlerësimit përmbyllet me rekomandimin për njohjen ose mosnjohjen e interesit shtetëror.
5. Raporti i vlerësimit është dokument i brendshëm institucional. Përmbajtja e tij nuk i bëhet e ditur aplikuesit dhe as u vihet në dispozicion palëve të treta. Raporti i vlerësimit i dërgohet zyrtarisht, i nënshkruar nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë përgjegjëse, Agjencisë Shtetërore të Posaçme të Shtetësisë, pas fillimit të procedurave për dhënien e shtetësisë, me kërkesë të kësaj të fundit.
6. Kur ministri vendos njohjen e interesit shtetëror, ai nënshkruan deklaratë zyrtare, një kopje e së cilës i jepet aplikuesit, me këtë përmbajtje:
“Deklaroj se shteti shqiptar ka interes legjitim në dhënien e shtetësisë shqiptare për z./znj.______, bazuar në nenin 9, të ligjit nr.113/2020, “Për shtetësinë”, të ndryshuar.
Garantoj Presidentin e Republikës se kam shqyrtuar dokumentacionin e aplikimit dhe kam konstatuar, se cilësitë, aftësitë dhe rrethanat specifike të dobishme që lidhen me z./znj/_________, plotësojnë kushtet dhe kriteret për dhënien e shtetësisë shqiptare.
Kjo deklaratë lëshohet si dokument që i shërben procedurave të aplikimit për shtetësi. Ajo nuk formon garanci për dhënien e shtetësisë. Dhënia e shtetësisë është kompetencë e organeve të tjera shtetërore”.
7. Kur ministri vendos mosnjohjen e interesit shtetëror, sekretari i përgjithshëm i ministrisë njofton aplikuesin se praktika e aplikimit është mbyllur pa rezultat dhe se nuk mund të ketë rishqyrtim të saj, nëse nuk paraqiten rrethana të tjera, të pashqyrtuara, të cilat të mbështesin interesin shtetëror për dhënien e shtetësisë.
8. Deklaratat e përcaktuara në pikat 2 dhe 3, të këtij neni, hartohen në gjuhën shqipe ose në gjuhën amtare të deklaruesve. Kur deklaratat hartohen në gjuhën amtare të deklaruesve, ato përkthehen në gjuhën shqipe, përkthimi noterizohet dhe, kur është rasti, legalizohet ose pajiset me vulë apostile, sipas legjislacionit në fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të zbatueshme.
Neni 6
Kërkesa për marrjen e shtetësisë
1. Për marrjen e shtetësisë për interes shtetëror mund të aplikojnë vetëm personat që disponojnë “deklaratën për njohjen e interesit shtetëror”, të lëshuar nga ministri përgjegjës i linjës.
2. Kërkesa paraqitet brenda 5 (pesë) ditёve kalendarike nga data e lëshimit të “deklaratës për njohjen e interesit shtetëror”, pranë Agjencisë Shetërore të Posaçme të Shtetësisë nga vetë kërkuesi apo nga përfaqësuesi i tij me prokurë. Kërkesës i bashkëlidhet kopja origjinale e deklaratës për njohjen e interesit shtetëror, e lëshuar nga ministri përgjegjës i linjës, si dhe deklaratat, sipas shkronjave “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, të nenit 3, të këtij vendimi.
3. Kur personi që kërkon të fitojë shtetësinë për interes shtetëror është nga 14 (katërmbëdhjetë) deri 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, aplikimi shoqërohet me deklaratë noteriale ose dokument të barasvlershëm, ku shprehet pëlqimi i të dy prindërve ose i kujdestarit ligjor. Kur personi është nën 14 (katërmbëdhjetë) vjeç, aplikimi dhe deklaratat, sipas shkronjave “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, të nenit 3, të këtij vendimi, nënshkruhen nga prindërit, gjegjësisht nga kujdestari ligjor.
4. Formulari i kërkesës plotësohet sipas rubrikave, të përcaktuara në aneksin 1, të këtij vendimi, dhe nënshkruhet nga vetë kërkuesi, ose, sipas rastit, personat e përcaktuar në pikën 3, të këtij neni.
5. Nënshkruesi i formularit të kërkesës mban përgjegjësi ligjore për vërtetësinë e të dhënave të formularit dhe të deklaratave, sipas shkronjave “ç” dhe “d”, të nenit 3, të këtij vendimi.
6. Kërkesës i bashkëlidhet certifikata personale e kërkuesit ose dokument i barasvlershëm, të lëshuar sipas legjislacionit të shtetit përkatës, kopje e njësuar me origjinalin e pasaportёs të kërkuesit, e përkthyer dhe e vërtetuar nga noteri, si dhe 3 (tri) fotografi në format dokumenti pasaporte, me përmasa 5 cm x 4 cm, të bëra jo më herët se 6 (gjashtë) muaj nga data e paraqitjes së kërkesës, me sfond të bardhë, të fokusuar dhe të qartë. Fotografia duhet ta paraqesë personin përballë, me shprehje neutrale dhe me sytë hapur e të dukshëm.
7. Deklaratat e përcaktuara në pikat 2 dhe 3, të këtij neni, hartohen në gjuhën shqipe ose në gjuhën amtare të deklaruesve. Kur deklaratat hartohen në gjuhën amtare të deklaruesve, ato përkthehen në gjuhën shqipe, përkthimi noterizohet dhe, kur është rasti, legalizohet ose pajiset me vulë apostile, sipas legjislacionit në fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të zbatueshme.
8. Në rast se kërkesa nuk përmban elementet e mёsipёrme, ajo nuk pranohet për shqyrtim deri në plotësimin e tyre brenda afateve ligjore.
9. Kërkesa e familjarëve të lidhur me kërkuesin mund të paraqitet në të njëjtën praktikë ose në çdo fazё tё procesit pёrpara ose pas natyralizimit tё kёrkuesit pёr interes tё posaçёm shtetёror. Nёse kërkesa e familjarëve paraqitet para ose gjatё procesit tё natyralizimit tё kёrkuesit, deklarata e ministrit pёr interesin e posaçёm shtetёror e lёshuar pёr kёrkuesin i bashkёlidhet praktikёs sё familjarit/ёve tё tij. Në këtë rast, familjarët e lidhur me kërkuesin plotësojnë formularin e kërkesës sipas rubrikave, të përcaktuara në aneksin 1, të këtij vendimi, me përshtatjet e nevojshme, i cili nënshkruhet nga vetë kërkuesi, ose, sipas rastit, personat e përcaktuar në pikën 3, të këtij neni. Kërkesës i bashkëlidhet dokumenti që provon lidhjen familjare me kërkuesin, deklaratat sipas shkronjave “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, të nenit 3, të këtij vendimi dhe dokumentet e tjera, sipas kërkesave të pikës 6, të këtij neni.
10. Natyralizimi i anёtarёve tё familjes sё kёrkuesit, pas pёrfundimit tё procesit tё natyralizimit tё tij, nё rast se kёrkohet, i nёnshtrohet kushteve dhe kёrkesave tё nenit 8, të ligjit nr.113/2020, “Për shtetësinë”, të ndryshuar.
11. Për shqyrtimin e kërkesave për marrjen e shtetësisë aplikohen tarifa, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
KREU III
PROCESI I VERIFIKIMIT DHE I VLERËSIMIT TË KËRKESAVE
Neni 7
Verifikimi i kërkuesit
1. Agjencia verifikon në komunikim zyrtar me organet kompetente brenda vendit dhe me strukturat e posaçme ligjzbatuese partnere, kudo ku kjo është e mundur, nëse kërkuesi apo, sipas rastit, familjari i lidhur me kërkuesin, kur është paraqitur edhe kërkesë nga familjarët e kërkuesit:
a) ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në shtetin e origjinës, në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë për vepra penale, për të cilat ligji shqiptar parashikon dënim me jo më pak se 3 (tre) vjet heqje lirie. Përjashtim bëjnë rastet kur vërtetohet se dënimi është dhënë për motive politike;
b) rezulton i regjistruar si person me rekorde kriminale në listat e organizatave ndërkombëtare ose të partnerëve të sigurisë;
c) është subjekt i masave shtrënguese ndërkombëtare të pranuara nga Republika e Shqipërisë.
2. Agjencia i kërkon zyrtarisht Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit që të kryejnë, lidhur me kërkuesin, verifikime për sigurinë kombëtare, rendin publik dhe pastërtinë e figurës.
3. Afati për marrjen e përgjigjeve për verifikimet nga institucionet, sipas pikës 2, të këtij neni, është 20 (njëzet) ditё kalendarike nga data e depozitimit të kërkesës. Në rast se Agjencia vihet në dijeni, në çfarëdo lloj forme, të informacioneve lidhur me kërkuesin, të një natyre që pengon dhënien e shtetësisë, atëherë Agjencia merr masa për ndërprerjen e procedurës për dhënien e shtetësisë ose, kur shtetësia është dhënë, nis menjëherë procedurën ligjore për heqjen e saj.
Neni 8
Verifikimi i interesit shtetëror
1. Me marrjen e kërkesës për dhënien e shtetësisë, Agjencia i kërkon ministrisë përgjegjëse që t’i vendosë në dispozicion për njohje raportin e vlerësimit, që përcaktohet në nenin 5, të këtij vendimi. Raporti i vlerësimit i dërgohet zyrtarisht Agjencisë, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga marrja e kërkesës nga ana e kësaj të fundit.
2. Agjencia verifikon respektimin e procedurës së vlerësimit dhe rrethanave, të arsyetuara në raportin e vlerësimit të ministrisë përgjegjëse.
3. Kur Agjencia vlerëson se ka nevojë për shpjegime shtesë në lidhje me raportin e vlerësimit i kërkon ministrisë përgjegjëse shpjegime me shkrim, të cilat bëhen pjesë e dosjes së aplikimit dhe i dërgohet zyrtarisht Agjencisë, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës.
Neni 9
Shqyrtimi dhe vendimmarrja
1. Mbështetur në verifikimet e kryera dhe në verifikimin e interesit shtetëror, Agjencia harton relacion me shkrim për ministrin përgjegjës për punët e brendshme dhe rekomandon përgatitjen e propozimit drejtuar Presidentit të Republikës për dhënien e shtetësisë ose mbylljen pa rezultat të praktikës së aplikimit dhe arkivimin e saj. Relacioni i paraqitet ministrit përgjegjës për punët e brendshme, brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga marrja e kërkesës.
2. Kur ministri përgjegjës për punët e brendshme miraton relacionin me rekomandimin për dhënien e shtetësisë, Agjencia përgatit dhe dërgon për nënshkrim propozimin te ministri, drejtuar Presidentit të Republikës. Kur ministri miraton relacionin me rekomandimin për mbylljen dhe arkivimin e praktikës së aplikimit, Agjencia informon kërkuesin se praktika e aplikimit është mbyllur pa rezultat, se nuk mund të ketë rishqyrtim të saj dhe se deklarata e ministrit përgjegjës për njohjen e interesit shtetëror ka rënë nga fuqia.
3. Ministri përgjegjës për punët e brendshme mund të kërkojë kryerjen e verifikimeve shtesë, pas paraqitjes së relacionit me rekomandimin përkatës nga Agjencia dhe relacioni i ri duhet të paraqitet brenda 7 (shtatë) ditëve kalendarike nga data që ministri ka kërkuar kryerjen e verifikimeve shtesë.
4. Ministri përgjegjës për punët e brendshme i përcjell Presidentit të Republikës propozimin për dhënien e shtetësisë, brenda 40 (dyzet) ditëve kalendarike nga paraqitja e kërkesës, përveç rastit kur ka urdhëruar verifikime shtesë. Në këtë rast, afati shtyhet me kohëzgjatjen e afatit të akorduar për verifikimet shtesë. Mbyllja dhe arkivimi i praktikës bëhet brenda 55 (pesëdhjetë e pesë) ditëve kalendarike nga paraqitja e kërkesës.
5. Procedurat e brendshme institucionale të Agjencisë nuk mund të pengojnë apo të shtyjnë afatet e përcaktuara shprehimisht në këtë vendim.
Neni 10
Propozimi për dhënien e shtetësisë
1. Propozimi i ministrit përgjegjës për punët e brendshme, drejtuar Presidentit të Republikës, për dhënien e shtetësisë, shoqërohet me dosjen e aplikimit të përgatitur nga Agjencia, në të cilën bëjnë pjesë të gjitha dokumentet dhe aktet e përcaktuara në këtë vendim.
2. Institucioni i Presidentit të Republikës kthen automatikisht pa veprim dhe nuk kalon për shqyrtim propozimet, që nuk kanë të përfshirë në dosje:
a) deklaratën e njohjes së interesit shtetëror të ministrit përgjegjës të fushës;
b) raportin e vlerësimit të ministrisë përgjegjëse të fushës;
c) relacionin e Agjencisë me rekomandimin përkatës.
3. Institucioni i Presidentit të Republikës mund të kërkojë informacione dhe dokumentacione shtesë, që janë në dispozicion të ministrisë përgjegjëse të fushës ose të Agjencisë, për sqarimin e rrethanave specifike të dosjes së aplikimit. Informacionet vihen në dispozicion të institucionit të Presidentit të Republikës, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës.
4. Presidenti i Republikës dekreton dhënien e shtetësisë ose i kthen ministrit dosjen e aplikimit pa veprim, për mbyllje dhe arkivim nga Agjencia, sipas legjislacionit nё fuqi pёr shtetёsinё.
5. Presidenti i Republikës kthen dosjen për mbyllje dhe arkivim kur nuk krijon bindjen se rrethanat jetësore të kërkuesit justifikojnë interesin shtetëror të pretenduar ose kur, mbështetur në arsye të lidhura me interesa të tjera konkurruese të shtetit shqiptar, që i kundërvihen interesit shtetëror për dhënien e shtetësisë, del në përfundimin se këto interesa kanë vlerë më të lartë për shtetin shqiptar.
KREU IV
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË SHTETËRORE TË POSAÇME TË SHTETËSISË
Neni 11
Dispozita të përgjithshme
1. Agjencia Shtetёrore e Posaçme e Shtetësisё funksionon si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për punёt e brendshme, me seli në Tiranë.
2. Agjencia ka buxhetin e saj. Burimet e financimit të saj janë:
a) buxheti i shtetit;
b) të ardhurat e krijuara nga tarifat dhe shërbimet e ofruara, në zbatim të këtij vendimi;
c) donacionet dhe të ardhurat e tjera të ligjshme.
3. Agjencia ka kompetencë shqyrtimin, verifikimin dhe vlerësimin e aplikimeve, si dhe të rrethanave që formojnë interes shtetëror për dhënien e shtetësisë me interes të posaçëm shtetëror pёr shtetin shqiptar.
Neni 12
Organizimi dhe funksionimi i Agjencisë
1. Agjencia e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe organizohet në nivel qendror.
2. Agjencia drejtohet nga drejtori i përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e saj dhe përgjigjet para ministrit.
3. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
4. Agjencia kryen këto detyra:
a) Shqyrton kërkesat për fitimin e shtetësisë shqiptare me natyralizim për interes të posaçëm shtetëror dhe verifikon plotësimin e kushteve formale, vlefshmërinë, ligjshmërinë dhe dokumentacionin e paraqitur;
b) Realizon ndërveprimin institucional me ministritë përgjegjëse dhe autoritetet kompetente për vlerësimin e interesit të posaçëm shtetëror dhe për kryerjen e verifikimeve të nevojshme;
c) Përgatit relacionet dhe propozimet përkatëse për vendimmarrje, sipas procedurës së përcaktuar në këtë vendim.
5. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të përgjithshëm dhe punonjësve të Agjencisë rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.
6. Agjencia ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare. Stema dhe vula e Agjencisë përdoren, prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi për simbolet dhe vulat zyrtare.
Neni 13
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë
1. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përgjegjës për punёt e brendshme.
2. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
c) Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
ç) Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
d) Të ketë integritet të lartë profesional e moral;
dh) Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
e) Të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës;
ë) Të zotërojë një diplomë të nivelit minimal “Master shkencor”, në shkenca juridike, shkenca ekonomike, marrёdhёnie ndёrkombёtare ose tё barazvlefshme me to;
f) Të ketë të paktën 5 (pesë) vjet përvojë pune në organet e administratës publike.
3. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë lirohet nga detyra kur:
a) plotëson kushtet për pensionin e plotë të pleqërisë;
b) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor;
c) gjendet në një situatë konflikti të vazhdueshëm interesi;
ç) jep dorëheqjen nga detyra.
4. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë shkarkohet nga detyra kur:
a) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi;
b) kryen shkelje të rënda gjatë detyrës;
c) nuk përmbush objektivat strategjikë të institucionit.
5. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë ka këto kompetenca:
a) Drejton veprimtarinë e Agjencisë, në përputhje me politikat, objektivat dhe programet e miratuara;
b) Miraton urdhra dhe udhëzime të brendshme për funksionimin, zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të Agjencisë;
c) I paraqet ministrit për miratim kriteret e veçanta për personelin, rregullat për vlerësimin e aftësive profesionale dhe planet për trajnimin e burimeve njerëzore;
ç) Emëron dhe liron personelin e Agjencisë, sipas legjislacionit në fuqi;
d) I paraqet ministrit raportin vjetor të veprimtarisë së Agjencisë, si dhe raporte periodike, sipas kërkesës;
dh) I propozon ministrit miratimin, rishikimin ose ndryshimin e tarifave të shërbimeve të ofruara nga Agjencia, me qëllim mbulimin e shpenzimeve dhe administrimin me eficiencë të të ardhurave;
e) Përfaqëson ligjërisht Agjencinë në marrëdhënie me të tretët;
ë) I propozon ministrit miratimin e rregullores së brendshme të Agjencisë;
f) I paraqet ministrit projektaktet që propozohen për shqyrtim në Këshillin e Ministrave;
g) Kryen detyra të tjera, të parashikuara në ligje dhe akte nënligjore.
KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 14
Dispozita të fundit
1. Vendimi nr.135, datë 6.3.2024, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave të kërkesës, të rregullave të kryerjes së verifikimeve dhe kontrolleve të nevojshme për fitimin e shtetësisë shqiptare kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës dhe sportit”, i ndryshuar, dhe vendimi nr.1008, datë 25.11.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Hartimit të Programeve të Veçanta të Shtetësisë”, shfuqizohen.
2. Ngarkohen ministria përgjegjëse për punёt e brendshme, ministritё përgjegjëse të linjës dhe Agjencia Shtetёrore e Posaçme e Shtetësisё për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË ADMINISTRATËS PUBLIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Administratës Publike, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
2. Misioni i Ministrisë së Administratës Publike është zhvillimi i një administrate publike profesionale, të bazuar në meritë dhe të orientuar drejt rezultateve, përmirësimi i cilësisë dhe aksesit në shërbimet publike, forcimi i pjesëmarrjes qytetare, transparencës dhe llogaridhënies, krijimi i kushteve dhe nxitja e ndërveprimit ndërmjet administratës shtetërore dhe individëve, me qëllim rritjen e rolit të tyre në përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike, si dhe parandalimi dhe lufta kundër korrupsionit.
3. Ministria e Administratës Publike, në përputhje me legjislacionin përkatës, ushtron veprimtarinë në këto fusha përgjegjësie shtetërore:
a) Reformën e administratës publike;
b) Menaxhimin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin profesional në administratën publike;
c) Politikat e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike;
ç) Performancën institucionale të institucioneve të administratës shtetërore;
d) Monitorimin e standardeve dhe cilësisë së shërbimeve publike;
dh) Thjeshtimin e procedurave dhe reduktimin e barrës administrative për qytetarët;
e) Garantimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në procedurat administrative vendimmarrëse, rritjen e përgjegjshmërisë dhe të llogaridhënies së administratës shtetërore;
ë) Qeverisjen e hapur në administratën shtetërore;
f) Parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.
4. Për realizimin e fushave të përgjegjësisë, sipas pikës 3, të këtij vendimi, Ministria e Administratës Publike është përgjegjëse për:
a) drejtimin dhe bashkërendimin e punës për hartimin e politikave, strategjive dhe akteve ligjore e nënligjore për reformën në administratën publike, si dhe ndjekjen e monitorimin e zbatimit të tyre;
b) hartimin dhe bashkërendimin e politikave për organizimin, funksionimin e modernizimin e institucioneve të administratës publike, si dhe ushtrimin, nëpërmjet Departamentit të Administratës Publike, e kompetencave, të parashikuara në legjislacionin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore;
c) hartimin dhe bashkërendimin e politikave për menaxhimin e burimeve njerëzore në administratën publike, përfshirë rekrutimin mbi bazën e meritës, zhvillimin e karrierës, vlerësimin e rezultateve në punë dhe zhvillimin profesional, nëpërmjet Departamentit të Administratës Publike dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike;
ç) hartimin e politikave dhe propozimin e akteve për pagat, trajtimet e tjera financiare dhe përfitimet e të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe ushtrimin e kompetencave, që legjislacioni përkatës i njeh ministrit, nën përgjegjësinë e të cilit është Departamenti i Administratës Publike;
d) hartimin dhe propozimin e rregullave e të metodologjive për performancën institucionale, bashkërendimin dhe monitorimin e zbatimit të sistemit të performancës në administratën shtetërore;
dh) monitorimin e zbatimit të standardeve të shërbimeve publike, duke përfshirë, ndër të tjera, cilësinë, afatet, aksesin, informimin dhe përvojën e përdoruesit, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse;
e) hartimin dhe bashkërendimin e politikave e të masave për thjeshtimin e procedurave dhe reduktimin e barrës administrative për qytetarët;
ë) hartimin dhe bashkërendimin e politikave për garantimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në procedurat administrative vendimmarrëse, rritjen e përgjegjshmërisë e të llogaridhënies së administratës shtetërore, krijimin e kushteve dhe nxitjen e ndërveprimit ndërmjet administratës shtetërore dhe individëve, personave fizikë e juridikë dhe grupeve të interesit, pavarësisht formës së tyre të organizimit, me qëllim rritjen e rolit të tyre në përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve publike, si dhe ndërmarrjen e nismave, të projekteve ose të programeve të përbashkëta, që kanë si qëllim përfshirjen e qytetarëve;
f) drejtimin e bashkërendimin e punës për hartimin e politikave dhe përgatitjen e akteve ligjore e nënligjore për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, përfshirë identifikimin, vlerësimin e minimizimin e rreziqeve të korrupsionit në sektorët me risk, si dhe monitorimin e zbatimit të politikave e të masave antikorrupsion.
5. Ministria e Administratës Publike ushtron funksionet e bashkërendimit e të monitorimit, sipas këtij vendimi, në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet përgjegjëse, duke respektuar kompetencat e tyre, pavarësinë e institucioneve të pavarura dhe autonominë e njësive të vetëqeverisjes vendore.
6. Ministri përgjegjës për administratën publike ka rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit.
7. Ministri përgjegjës për administratën publike është bashkëdrejtues i Komitetit Shumëpalësh të Partneritetit për Qeverisje të Hapur.
8. Ministri përgjegjës për administratën publike ushtron çdo përgjegjësi tjetër shtetërore, që i ngarkohet me ligj, me akte të Këshillit të Ministrave dhe nga Kryeministri.
9. Vendimi nr.522, datë 25.9.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin”, shfuqizohet.
10. Ngarkohet Ministria e Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË AZERBAJXHANIT, PËR BASHKËPUNIMIN DHE NDIHMËN E NDËRSJELLË NË FUSHËN E PARANDALIMIT DHE ELIMINIMIT TË PASOJAVE TË KATASTROFAVE NATYRORE DHE AKSIDENTEVE TË SHKAKTUARA NGA NJERIU
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Azerbajxhanit, për bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjellë në fushën e parandalimit dhe eliminimit të pasojave të katastrofave natyrore dhe aksidenteve të shkaktuara nga njeriu, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT TË Z. ERION VISHKULLI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, dhe në vijim të vendimit nr.36, datë 21.1.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2026”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Erion Vishkulli, në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë.
2. Ky fond përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
3. Pagesa bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.
4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.402, DATË 20.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË POLITIKAVE “PËR QEVERISJEN E SEKTORIT TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË SHQIPËRI, 2020 – 2030””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në dokumentin “Politikat e qeverisjes së sektorit të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri, 2020 – 2030”, bashkëlidhur vendimit nr.402, datë 20.5.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 3.1.3, “Programi i integruar i masave”, tabela zëvendësohet me tabelën me titull “Programi i integruar i masave”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
b) Në pikën 3.1.4, “Realizueshmëria e masave”, tabela zëvendësohet me tabelën me titull “Realizueshmëria e masave”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
c) Në pikën 3.2.1, “Strukturat përgjegjëse”, tabela zëvendësohet me tabelën me titull “Strukturat përgjegjëse”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), Bordi për Informacionin Gjeohapësinor (BIG), autoritetet publike përgjegjëse për temat e informacionit gjeohapësinor, si dhe çdo autoritet tjetër, që mbledh, përpunon, përditëson e përdor informacion gjeohapësinor për realizimin e funksioneve të tij publike, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.409, DATË 15.6.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR RREGULLAT, MËNYRAT DHE AFATET E TRAJTIMIT TË POSEDUESVE TË NDËRTIMEVE PA LEJE QË NUK LEGALIZOHEN”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 33, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në kreun II, të vendimit nr.409, datë 15.6.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat, mënyrat dhe afatet e trajtimit të poseduesve të ndërtimeve pa leje që nuk legalizohen”, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
1. Në pikën 2 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në fjalinë e parë, togfjalëshi “3-vjeçar” bëhet “5-vjeçar”;
b) Në shkronjën “c”, pas fjalëve “… të këtij vendimi …” shtohen “… e në vijim …”.
2. Në shkronjën “b”, të pikës 10, togfjalëshi “3-vjeçar” bëhet “5-vjeçar”.
3. Pas pikës 11 shtohet pika 11/1, me këtë përmbajtje:
“11/1. Efektet e zgjatjes së afatit për trajtimin financiar në formën e bonusit të qirasë, sipas këtij kreu, shtrihen edhe mbi subjektet, që janë njohur si përfituese të këtij bonusi përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi.”.
II. Ngarkohen ministritë, njësitë e vetëqeverisjes vendore, entet publike, organet publike, që ngarkohen me detyra nga ky vendim, dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.451, DATË 3.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR RREGULLAT UNIFORME TË INFRASTRUKTURËS SË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 4, të nenit 16, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.451, datë 3.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat uniforme të infrastrukturës së informacionit gjeohapësinor”, bëhen ndryshimi dhe shtesa, si më poshtë vijon:
a) Pika 6, e kreut IV, shfuqizohet;
b) Pas kreut IV shtohet kreu IV/1, me këtë përmbajtje:
“KREU IV/I
DETYRIMET E AUTORITETEVE PUBLIKE PËRGJEGJËSE DHE TË ASIG-UT, NË KUADËR TË INFRASTRUKTURËS KOMBËTARE TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR
1. Të dhënat gjeohapësinore të mbledhura, të përpunuara dhe të përditësuara nga autoritetet publike përgjegjëse, të cilat vihen në dispozicion nëpërmjet Gjeoportalit Kombëtar ose shërbimeve të tjera të administruara nga ASIG-u, përbëjnë burimin zyrtar referues e të detyrueshëm për përdorim nga autoritetet publike në ushtrimin e funksioneve të tyre publike. Autoriteti publik përgjegjës mban përgjegjësi për mbledhjen, përditësimin dhe saktësinë e të dhënave gjeohapësinore, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Krijimi apo përdorimi i të dhënave paralele për një tematikë gjeohapësinore, për të cilën ekzistojnë të dhëna zyrtare të publikuara në Gjeoportalin Kombëtar, nuk lejohet, përveç rasteve kur legjislacioni i posaçëm përcakton shprehimisht përdorimin e një burimi, regjistri, sistemi ose procedure tjetër zyrtare, si dhe rasteve të autorizuara shprehimisht nga ASIG-u, me afat të përkohshëm.
3. Hartat, planet apo paraqitjet grafike, të cilat u bashkëlidhen projektakteve, që i përcillen për miratim Këshillit të Ministrave, bazohen në të dhënat zyrtare gjeohapësinore të publikuara apo të depozituara për publikim në Gjeoportalin Kombëtar, janë në sistemin gjeodezik zyrtar (KRGJSH) dhe janë në përputhje me standardet kombëtare të rregulluara sipas legjislacionit në fuqi të fushës së gjeoinformacionit.
4. Përcaktimet e pikave 2 dhe 3, të këtij kreu, nuk zbatohen për hartat, planet ose paraqitjet grafike, që hartohen sipas standardeve ndërkombëtare të ratifikuara, përfshirë standardet STANAG të NATO-s, si dhe për hartat e destinuara për qëllime specifike, përfshirë hartat ushtarake dhe ato të navigimit detar, të cilat përpunohen e paraqiten sipas standardeve të posaçme, që rregullojnë fushën përkatëse.
5. Autoritetet publike, të identifikuara si autoritete përgjegjëse për temat e gjeoinformacionit, sipas nenit 12, të ligjit nr.72/2012, të ndryshuar, janë të detyruara të përcaktojnë, me akt të brendshëm administrativ, një strukturë apo funksion brenda strukturës ekzistuese, përgjegjëse për çështjet e infrastrukturës së informacionit gjeohapësinor dhe bashkëpunimin me ASIG-un.
6. Struktura apo funksioni i krijuar sipas pikës 5, të këtij kreu, kryen këto detyra:
a) Koordinimin e veprimtarive të institucionit në lidhje me krijimin, administrimin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor, në përputhje me legjislacionin dhe standardet në fuqi;
b) Bashkëpunimin institucional dhe teknik me ASIG-un;
c) Sigurimin e përputhshmërisë me rregullat uniforme dhe standardet e gjeoinformacionit, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
ç) Raportimin e zbatimit të procedurave dhe të standardeve për mbledhjen, përpunimin dhe përditësimin e informacionit gjeohapësinor, në përputhje me legjislacionin e standardet në fuqi.
7. Në rast të evidentimit të devijimeve nga rregullat dhe standardet, ASIG-u njofton autoritetin publik përgjegjës, duke kërkuar marrjen e masave korrigjuese brenda një afati të përcaktuar dhe informacioni mbi rastin dhe masat e marra pasqyrohet në raportin periodik të monitorimit.
8. Devijim nga rregullat dhe standardet e përcaktuara nga ligji nr.72/2012, i ndryshuar, dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij, konsiderohet:
a) mosdepozitimi pranë ASIG-ut i të dhënave dhe i sistemeve të informacionit;
b) mungesa apo mosrespektimi i formatit të metadatës, sipas profilit të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave;
c) mospërdorimi i sistemit gjeodezik zyrtar (KRGJSH);
ç) mungesa e ndërveprueshmërisë teknike me shërbimet e administruara nga ASIG-u;
d) përdorimi i të dhënave apo i informacionit hartografik me burim jozyrtar, në rastet kur për të njëjtën tematikë ekzistojnë të dhëna zyrtare të publikuara apo të depozituara për publikim, në Gjeoportalin Kombëtar, përveç rasteve të parashikuara shprehimisht nga legjislacioni i posaçëm;
dh) mosrespektimi i procedurës së paraqitjes dhe shqyrtimit të nismave në fushën e gjeoinformacionit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.
9. ASIG-u bashkëpunon e bashkërendon aktivitetet me autoritetet publike përgjegjëse në drejtim të përmbushjes së rregullave dhe standardeve të përcaktuara nga ligji nr.72/2012, i ndryshuar, si dhe në drejtim të marrjes së masave korrigjuese në rastet e konstatimit të devijimit, sipas përcaktimeve të pikës 8, të këtij vendimi.
10. ASIG-u është përgjegjës për hartimin e raportit vjetor të monitorimit dhe, për këtë qëllim, bashkërendon procesin e mbledhjes dhe të përpunimit të informacionit me autoritetet publike përgjegjëse. Autoritetet publike përgjegjëse vënë në dispozicion informacionin dhe të dhënat e nevojshme, lidhur me përmbushjen e standardeve shtetërore dhe progresin në mbledhjen, përditësimin dhe administrimin e të dhënave gjeohapësinore. ASIG-u përcakton formatin dhe mënyrën e përcjelljes së informacionit, përfshirë atë elektronik, si dhe ofron asistencën e nevojshme për sigurimin e të dhënave, që shërbejnë për hartimin e raportit periodik të monitorimit nga ASIG-u.
11. Raporti vjetor i monitorimit i paraqitet BIG-ut dhe shërben si bazë për orientimin e masave teknike dhe institucionale në kuadër të infrastrukturës së informacionit gjeohapësinor.
12. ASIG-u harton gjithashtu Raportin Kombëtar të Monitorimit sipas modelit të përcaktuar në rregullat e legjislacionit evropian, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës.”.
2. Ngarkohen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet publike përgjegjëse për krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e informacionit gjeohapësinor për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.607, DATË 27.10.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN E MJEDISEVE TË NDËRTESËS “GODINA E INOVACIONIT” NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË AGJENCISË KOMBËTARE TË SHOQËRISË SË INFORMACIONIT (AKSHI)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.607, datë 27.10.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin e mjediseve të ndërtesës “Godina e inovacionit” në përgjegjësi administrimi të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI)”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Në katin e parë (1), mjedisi me sipërfaqe 815 (tetëqind e pesëmbëdhjetë) m2 t’i jepet në përdorim pa shpërblim, për një afat të pacaktuar, shoqërisë “Albanian Digital Solution”, sh.a., për ushtrimin e veprimtarisë administrative, sipas planimetrisë në shtojcën 1/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.
b) Në pikën 5/1, fjalët “… të mjediseve të përcaktuara në pikën 5, të këtij vendimi …” zëvendësohen me “ … të mjediseve të përcaktuara në pikat 2 dhe 5, të këtij vendimi …”.
2. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, shoqëria “Albanian Digital Solution”, sh.a., Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.784, DATË 18.12.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR ZHVILLIMIN E ZONAVE AEROPORTUALE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 28, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.784, datë 18.12.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave për zhvillimin e zonave aeroportuale”, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Autoriteti përgjegjës i planifikimit të territorit merr mendimin e Autoritetit të Aviacionit Civil gjatë hartimit të dokumenteve të planifikimit të territorit, që përmban objekte, struktura apo instalime, që ndodhen në zonat e mbrojtura të aeroportit.”.
b) Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“8. KKTU-ja dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas rastit, për çdo objekt me lartësi mbi 30 metra në zonat e mbrojtura të aeroportit, pas lëshimit të lejes së ndërtimit, njoftojnë AAC-në.”.
c) Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10. Zhvillimi, ndërtimi ose përdorimi i pasurive të paluajtshme, brenda zonës së mbrojtur të aeroportit, për aktivitete apo veprimtari, të cilat mund të tërheqin botën shtazore, i njoftohen AAC-së pas lëshimit të lejes së ndërtimit nga autoriteti përgjegjës.”.
ç) Pikat 11 dhe 12 shfuqizohen.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NUMRIT TË PËRGJITHSHËM TË PERSONELIT TË POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 46, të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i përgjithshëm i personelit të Policisë së Shtetit është 12 432 (dymbëdhjetë mijë e katërqind e tridhjetë e dy) punonjës.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA PËRGJEGJËSE PËR TURIZMIN TE MINISTRIA E EKONOMISË DHE INOVACIONIT, TË PRONAVE ME NR.5/39, NR.3/2, NR.5/11, NR.1/1 DHE NR.4, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 1574, DURRËS, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.707, DATË 21.11.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË PËRGJEGJËSE PËR TURIZMIN TË DISA PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, NË VIJËN BREGDETARE SHKODËR – FIER”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të nenit 28, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga ministria përgjegjëse për turizmin te Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, të pronave me nr.5/39, nr.3/2, nr.5/11, nr.1/1 dhe nr.4, me sipërfaqe prej 132 625 (njëqind e tridhjetë e dy mijë e gjashtëqind e njëzet e pesë) m2, me vendndodhje në zonën kadastrale 1574, NB Frutore, Durrës, sipas kartelave të pasurisë, 10 (dhjetë) fletë, dhe fragmentit të hartave kadastrale, 5 (pesë) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, për realizimin e projekteve ose investimeve me interes publik ose me rëndësi kombëtare, që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
2. Pika 12 e shtojcës, bashkëlidhur vendimit nr.707, datë 21.11.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin të disa pronave të paluajtshme shtetërore, në vijën bregdetare Shkodër – Fier”, të ndryshuar, shfuqizohet.
3. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit përdor sipërfaqen e pronës, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, vetëm për qëllimin e parashikuar në të njëjtën pikë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për administrimin e pronës shtetërore.
4. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E REGJISTRIT TË POSAÇËM ELEKTRONIK TË PERSONAVE TË REFERUAR OSE NËN HETIM PËR VEPRA PENALE KUNDËR RENDIT DHE SIGURISË PUBLIKE, TË KRYERA ME DHUNË GJATË GRUMBULLIMEVE DHE MANIFESTIMEVE PUBLIKE, SHKËMBIMIN E TË DHËNAVE DHE VERIFIKIMET KUFITARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, të ligjit nr.39/2025, “Për kontrollin e kufirit shtetëror”, dhe të ligjit nr.82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin dhe funksionimin e regjistrit të posaçëm elektronik të personave të referuar ose nën hetim për veprat penale kundër autoritetit shtetëror, rendit dhe sigurisë publike, të parashikuara në seksionet I dhe III, të kreut VIII, të pjesës së posaçme të Kodit Penal, por pa u kufizuar në to, kur faktet përfshijnë kryerjen e veprimeve të dhunshme në dëm të jetës dhe shëndetit të personit ose pronës publike dhe private në grumbullime e manifestime publike.
2. Regjistri administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe përmban të dhënat e personave të identifikuar në materialet e referuara nga Policia e Shtetit në Prokurori, për të cilët dokumentohen veprime konkrete të dhunshme.
3. Regjistri përmban:
a) të dhëna parësore: numrin unik të regjistrimit, burimin e informacionit, datën e regjistrimit, të dhëna procedurale për personin dhe historikun e përditësimeve;
b) të dhëna dytësore: identitetin e personit që sigurohet nëpërmjet ndërveprimit me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, i administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.
Numrin e referimit, datën e ngjarjes dhe masat kufizuese në fuqi, nëse janë njoftuar të tilla, që sigurohen nga sistemi ADAM dhe regjistrat përkatës elektronikë të Policisë së Shtetit.
4. Shkëmbimi realizohet përmes ndërveprimit elektronik të autorizuar, pa krijuar akses të përgjithshëm të Policisë së Shtetit në regjistrat e prokurorisë.
5. Policia Kufitare dhe e Migracionit ka akses të kufizuar në regjistër, vetëm për qëllime të verifikimit kufitar dhe të zbatimit të masave kufizuese, të parashikuara me ligj. Kur nga verifikimi individual rezultojnë të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprime të dhunshme gjatë manifestimeve e grumbullimeve publike edhe nëse ndaj personit nuk është vendosur masa e sigurimit për ndalimin e largimit jashtë shtetit, Policia Kufitare ka të drejtën e refuzimit administrativ të daljes, sipas shkronjës “c”, të pikës 7, nenit 6, të ligjit nr.39/2025, “Për kontrollin e kufirit shtetëror”.
Në çdo rast, nëse ndaj personit nuk vendoset refuzimi i daljes, autoritetet kufitare njoftojnë autoritetet e vendit ku do të udhëtojë personi për faktin e referimit të tij për veprat e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi.
6. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njofton personat fizikë dhe juridikë privatë, që kanë struktura akomoduese, për personat për të cilët ka të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprimet e sipërpërmendura dhe se për këtë i janë referuar materialet përkatëse prokurorisë.
7. Për personat e referuar, nevoja për ruajtjen e të dhënave rishikohet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga regjistrimi. Në rast të marrjes së informacionit nga prokuroria kompetente për mosfillimin e procedimit penal apo pushimin e çështjes, të dhënat e personit fshihen nga regjistri.
8. Përpunimi dhe shkëmbimi i të dhënave kryhen në përputhje me ligjin nr.124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, duke garantuar konfidencialitetin, kufizimin e aksesit, gjurmueshmërinë dhe proporcionalitetin.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
AKT NORMATIV
PËR
SHPËRBLIMIN E DËMIT CIVIL TË SHKAKTUAR NDAJ SUBJEKTEVE TË PREKURA NGA AKTET E DHUNSHME GJATË TUBIMEVE DHE RREGULLIMIN E PASOJAVE
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Neni 1
Objekti
Objekt i rregullimit të këtij akti normativ është krijimi i një skeme kompensimi nga shteti për dëmet materiale të shkaktuara nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve, të kryera nga individë, persona juridikë apo organizata të tjera, nga data 13.10.2026 deri në datën 22.10.2026, mbi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të personave fizikë ose juridikë privatë, që kategorizohen si biznese/tatimpagues, me kufi të qarkullimit deri në 14 milionë lekë, bazuar në deklaratën vjetore të vitit 2025.
Neni 2
Qëllimi
Qëllimi i këtij akti normativ është kompensimi i subjekteve të dëmtuara, pa ndryshuar kushtet materiale të përgjegjësisë civile të shkaktuesit të dëmit, sipas Kodit Civil.
Neni 3
Etapat e trajtimit
1. Dëmet e shkaktuara, në kushtet që përcakton neni 1, i këtij akti normativ, trajtohen sipas etapave të mëposhtme:
a) Kompensimi nga shteti i personave fizikë dhe juridikë privatë, që kategorizohen si biznese/tatimpagues, me kufi të qarkullimit deri në 14 milionë lekë, bazuar në deklaratën vjetore të vitit 2025, sipas rregullave të përcaktuara në këtë akt normativ. Masa e kompensimit që jepet nga shteti, sipas këtij akti normativ, është në vlerën e plotë të dëmit;
b) Kërkimi i kthimit te shteti i shumës, në masën e kompensimit të paguar të dëmtuarit, ndaj subjekteve përgjegjëse për shkaktimin e dëmit, sipas nenit 5, të këtij akti normativ.
2. Kompensimi, sipas këtij akti normativ, jepet vetëm për pasuritë që nuk janë të siguruara. Kur pasuria e dëmtuar është e siguruar, dëmi shpërblehet nga shoqëria e sigurimit, sipas kontratës së sigurimit, e cila, pas pagesës, ushtron të drejtën e regresit ndaj shkaktuesit të dëmit, sipas legjislacionit në fuqi. Kur kontrata e sigurimit nuk e mbulon rrezikun e dëmtimit nga trazirat, tubimet ose aktet e dhunshme, pasuria konsiderohet e pasiguruar, për qëllim të këtij akti normativ. Në rast se kontrata e sigurimit nuk e mbulon plotësisht vlerën e dëmit të shkaktuar, pjesa e pambuluar kompensohet sipas rregullave të këtij akti normativ.
Neni 4
Kompensimi në favor të të dëmtuarit
1. Personi fizik ose juridik privat, ndaj të cilit është shkaktuar një dëm gjatë tubimit të dhunshëm, pas hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, paraqet kërkesë për kompensim pranë administratës tatimore, së bashku me:
a) dokumentacionin justifikues, që vërteton vlerën e sendeve që janë shkatërruar ose janë dëmtuar;
b) provat për faktin se dëmi është shkaktuar gjatë tubimit të dhunshëm nga protestuesit, nëse ai disponon të tilla;
c) nëse disponon, provat për identifikimin e protestuesit që ka shkaktuar dëmin;
ç) deklaratën e kërkuesit, nëse pasuria e dëmtuar është ose jo e siguruar dhe, kur ekziston kontratë sigurimi që nuk e mbulon këtë rrezik, kopjen e policës dhe përgjigjen e shoqërisë së sigurimit që e refuzon dëmshpërblimin, ndërsa kur pasuria është e siguruar pjesërisht, kopjen e policës së sigurimit dhe vendimin e shoqërisë së sigurimit për mbulimin e dëmit pjesërisht.
2. Administrata tatimore pranon kërkesat për kompensim, verifikon plotësinë e dokumentacionit dhe kryen mbledhjen paraprake të të dhënave që disponon për kërkuesin, përfshirë të dhënat për regjistrimin, qarkullimin e deklaruar në deklaratën vjetore të vitit 2025, faturat tatimore dhe inventarin e deklaruar dhe, brenda 5 ditëve punë nga marrja e kërkesës, ia përcjell ministrisë përgjegjëse për ekonominë kërkesën, së bashku me dokumentacionin e paraqitur nga kërkuesi. Në rast se administratës tatimore i paraqiten të dhëna shtesë pas çastit të përcjelljes së praktikës pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, ajo ia dërgon menjëherë të dhënat e reja kësaj ministrie.
3. Rregullat e hollësishme për mënyrën e paraqitjes së kërkesës, dokumentacionin që e shoqëron atë, përfshirë numrin e llogarisë së subjektit të dëmtuar, mbledhjen paraprake të të dhënave dhe përcjelljen e tyre në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.
4. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, pas administrimit të dokumentacionit dhe të të dhënave të përcjella nga administrata tatimore, i kërkon Policisë së Shtetit, që, brenda 30 ditëve të verifikojë, në bazë të informacionit të administruar prej saj, nëse rezulton që dëmi të jetë shkaktuar gjatë tubimit të dhunshëm dhe nga protestuesit ose jo, apo nëse ka të dhëna kontradiktore, me provat e paraqitura prej kërkuesit. Si provë mund të shërbejë edhe dokumentacioni i hartuar nga punonjësit e policisë të pranishëm gjatë zhvillimit të tubimit të dhunshëm.
5. Procedura e shqyrtimit të dokumentacionit të ardhur nga administrata tatimore, verifikimit me Policinë e Shtetit, vlerësimit të dëmit nga ekspertë të licencuar, si dhe mënyra e kryerjes së pagesës së kompensimit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ekonominë.
Përveç marrjes së informacionit nga Policia e Shtetit, nëse e vlerëson të nevojshme, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit mund t’u kërkojë informacion dhe bashkërendim të punës edhe institucioneve të tjera shtetërore, në përputhje me kompetencat ligjore të tyre, për qëllimet e zbatimit të këtij neni.
6. Në rast se nga verifikimi i këtyre të dhënave evidentohet se dëmi është shkaktuar gjatë tubimit të dhunshëm dhe nga protestuesit, atëherë Policia e Shtetit i konfirmon Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit këtë fakt dhe kjo ministri pranon kërkesën për kompensim, e cila brenda 30 ditëve nga përfundimi i evidentimit, vendos kalimin e shumës në llogarinë bankare të personit fizik/juridik, Në të kundërt, nëse nuk ka prova të mjaftueshme për të përcaktuar nëse dëmi është shkaktuar gjatë tubimit të dhunshëm nga protestues, atëherë Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit nuk pranon kërkesën e personit, si dhe e njofton për këtë fakt.
7. Kompensimi, sipas këtij neni, për dëmet që policia i konstaton si të kryera gjatë tubimit të dhunshëm, realizohet, pavarësisht faktit, nëse është arritur të identifikohet subjekti që ka shkaktuar dëmin apo organizata që e ka urdhëruar atë, ose që ka organizuar protestën. Në çdo rast, subjekti i dëmtuar përfiton shpërblimin, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen.
8. Subjekti që ka paraqitur kërkesë për të përfituar kompensimin, sipas këtij neni, dhe që e pranon shumën e kompensimit, konsiderohet i shpërblyer deri në masën e shumës së paguar dhe nuk mund ta kërkojë sërish këtë shumë nga shkaktuesi i dëmit. I dëmtuari ruan të drejtën, që, sipas Kodit Civil, të kërkojë pjesët dhe llojet e tjera të dëmit që nuk i përfiton, sipas këtij akti normativ, ndaj subjektit që ka shkaktuar dëmin. Me pagesën, shtetit i lind e drejta për t’i kërkuar subjektit që ka shkaktuar dëmin kthimin e shumës, sipas nenit 5, të këtij akti normativ.
9. Udhëzimet e parashikuara në këtë nen miratohen brenda 7 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij akti normativ.
10. Efektet financiare për kompensimin e të dëmtuarve përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për ekonominë, fondet për të cilat alokohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 5
Kthimi i vlerës së dëmit të shkaktuar
1. Në rastet kur kryhet kompensimi, sipas nenit 4, të këtij akti normativ, shteti ka të drejtën e regresit ndaj subjektit që ka shkaktuar dëmin, për vlerën e kompensimit të dhënë ndaj të dëmtuarit. Nëse Policia e Shtetit e ka identifikuar individin/ët që ka/kanë shkaktuar dëmin, ia njofton atë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me informacionin e vënë në dispozicion, sipas nenit 4, të këtij akti normativ, ose, në rast se kjo nuk dihet në atë moment, ia komunikon menjëherë pasi ta ketë kryer identifikimin. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit njofton Avokaturën e Shtetit, e cila fton subjektin e identifikuar që të kthejë vullnetarisht shumën e kompensimit. Nëse subjekti nuk e shlyen shumën brenda 30 ditëve, Avokatura e Shtetit është e autorizuar, në bazë të këtij akti normativ, për të ngritur padinë e regresit ndaj subjektit që ka shkaktuar dëmin, në masën e kompensimit të dhënë ndaj të dëmtuarit.
2. Nëse ndaj personit është marrë vendim gjyqësor i formës së prerë për pafajësinë ose vendim për pushimin e çështjes/ndjekjes penale, për shkak se ka rezultuar se nuk e ka kryer ai veprën, Avokatura e Shtetit heq dorë nga gjykimi i padisë.
3. Padia për kthimin e shumës i kundrejtohet subjekteve të identifikuara që kanë shkaktuar dëmin, si dhe personit juridik/organizatës që ka organizuar protestën/tubimin e dhunshme/ëm (nëse ka të tillë), e cila është përgjegjëse solidarisht për dëmin e shkaktuar. Kur subjektet që kanë shkaktuar dëmin janë të mitur nën 14 vjeç ose persona të pazotë për të vepruar, përgjegjës janë prindërit, kujdestari ose ata të cilëve u janë besuar ose i kanë në mbikëqyrje personat e pazotë, përveç kur provojnë se nuk kanë mundur të ndalonin shkaktimin e dëmit, në përputhje me nenin 613, të Kodit Civil. Kur subjektet që kanë shkaktuar dëmin janë të mitur mbi 14 vjeç, prindërit ose kujdestari përgjigjen për dëmin e mësipërm kur i mituri nuk nxjerr të ardhura nga puna ose nuk ka vetë pasuri, përveç kur provojnë se nuk kanë mundur të ndalonin shkaktimin e dëmit, në përputhje me nenin 614, të Kodit Civil.
4. Parashikimet e këtij neni për ngritjen e padisë së regresit nga Avokatura e Shtetit kundrejt subjekteve, që kanë shkaktuar dëm civil ndaj personave fizikë dhe juridikë privatë, nuk interpretohen në asnjë rast si kufizim i së drejtës së Avokaturës për të kërkuar shpërblimin e dëmit, në rastet kur të dëmtuarit nga aktet e dhunës janë institucionet publike, në emër dhe për llogari të këtyre institucioneve. Për dëmet e shkaktuara ndaj pasurisë shtetërore dhe publike, institucionet e dëmtuara dhe Policia e Shtetit i vënë në dispozicion Avokaturës së Shtetit listën e personave ose organizatës/ave që ka/kanë shkaktuar dëmin, të dhënat për dëmin e shkaktuar dhe për identifikimin e subjekteve përgjegjëse, në mënyrë që kjo e fundit të ngrejë padinë e shpërblimit të dëmit ndaj tyre në përputhje me dispozitat e Kodit Civil.
Neni 6
Sanksionet administrative
Ndaj personave që u është vlerësuar i ligjshëm arresti, drejtoria vendore përkatëse e Policisë së Shtetit vendos gjobë, sipas nenit 24/1 të ligjit nr.8773, datë 23.4.2001 “Për tubimet”, kur është urdhëruar shpërndarja e tubimit/organizimit/grumbullimit të paligjshëm dhe gjatë zhvillimit të tij janë kryer krime.
Neni 7
Ankimi
Subjektet ndaj të cilave është vendosur gjobë, sipas nenit 6, të këtij akti normativ, kanë të drejtë të ushtrojnë ankimin gjyqësor, në përputhje me rregullat dhe afatet e parashikuara në ligjin për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
Neni 8
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.650, DATË 27.8.2026, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR ZHVILLIMIN E PROJEKTEVE TË INFRASTRUKTURËS ENERGJETIKE RAJONALE DHE TRANSEVROPIANE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 12, të nenit 4, të ligjit nr.59/2026, “Për sektorin e energjisë elektrike”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.650, datë 27.8.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për zhvillimin e projekteve të infrastrukturës energjetike rajonale dhe transevropiane”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 2, të nenit 1, bëhen shtesat e mëposhtme:
a) Në shkronjën “b”, pas fjalëve “… lehtëson zbatimin në kohë të projekteve të përfshira në listën e Komunitetit të Energjisë …” shtohen “… dhe të Bashkimit Evropian …”.
b) Në shkronjën “c”, pas fjalëve “… për projektet në listën e Komunitetit të Energjisë …” shtohen “… dhe të Bashkimit Evropian …”
2. Në fjalinë e parë, të pikës 5, të nenit 3, hiqen fjalët “… dhe e projekteve me interes të ndërsjellë (PMI) …”.
3. Në nenin 4 bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
a) Në shkronjën “b” të pikës 2, fjalët “… kategoria 1, shkronja “e”, …” zëvendësohen me “… kategoria 1, shkronja “d”, …”.
b) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Për projektet, që bien në kategoritë e infrastrukturës energjetike të përcaktuara në shtojcën II të këtij vendimi, kriteret e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, vlerësohen në përputhje me treguesit e përcaktuar në pikat 2 deri në 8, të shtojcës IV, tbashkëlidhur këtij vendimi.”.
c) Pas pikës 3 shtohet pika 4, me përmbajtje:
“4. Për të lehtësuar vlerësimin e të gjitha projekteve që mund të jenë të përshtatshme si projekte me interes për Komunitetin e Energjisë (PECI) dhe që mund të përfshihen në një listë paraprake, çdo grup vlerëson përfitimet e secilit projekt në mënyrë transparente dhe objektive. Çdo grup përcakton metodën e tij të vlerësimit mbi bazën e kontributit të përmbledhur në kriteret e përmendura në pikën 2 të këtij neni. Ky vlerësim çon në një renditje të projekteve për përdorim të brendshëm të grupit. As lista paraprake, as lista e Komunitetit të Energjisë nuk përmbajnë renditje dhe renditja nuk përdoret për asnjë qëllim tjetër të mëvonshëm, përveç sa parashikohet në pikën 11 të seksionit 2 të shtojcës III të këtij vendimi.”.
4. Në nenin 5 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
a) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. OST-të, OSSH-të dhe operatorët e tjerë bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të lehtësuar zhvillimin e projekteve në listën e Komunitetit të Energjisë dhe në listën e Bashkimit Evropian në zonën e tyre.”.
b) Shkronja “ç”, e pikës 7, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ç) Kur vonesa tejkalon 26 muaj, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, në marrëveshje dhe bashkëpunim të plotë me ministrinë, mund të nisë një thirrje për propozime, e hapur për çdo palë të tretë që është në gjendje të bëhet promovues i projektit për ta realizuar atë, në përputhje me një afat kohor të rënë dakord.”.
c) Pas shkronjës “ç” shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:
“d) kur zbatohen masat e përmendura në shkronjat “c” ose “ç”, operatori i sistemit, në zonën e të cilit ndodhet investimi, duhet t’u sigurojë operatorëve zbatues, investitorëve ose palëve të treta të gjithë informacionin e nevojshëm për realizimin e investimit, të lidhë asetet e reja me rrjetin e transmetimit ose, kur është e aplikueshme, me rrjetin e shpërndarjes dhe, në përgjithësi, të bëjë të gjitha përpjekjet për të lehtësuar zbatimin e investimit, si dhe funksionimin e mirëmbajtjen e sigurt, të besueshme dhe efikase të projektit që përfshihet në listën e Komunitetit të Energjisë.”.
ç) Fjalia e fundit e pikës 8 shfuqizohet.
5. Pika 1, e nenit 6, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Kur një projekt me interes për Komunitetin e Energjisë has vështirësi të konsiderueshme zbatimi, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë mund të propozojë dhe Grupi i Përhershëm i Nivelit të Lartë i Komunitetit të Energjisë, në marrëveshje me palët kontraktuese të përfshira, mund të caktojë një koordinator të PECI-t për një periudhë deri në një vit, e cila mund të rinovohet dy herë.”.
6. Pika 7, e nenit 7, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Masat jolegjislative dhe legjislative të identifikuara zbatohen jo më vonë se 6 (gjashtë) muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, pa cenuar detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni i Komunitetit të Energjisë.”.
7. Në nenin 8 bëhen ndryshimet dhe shtesat mëposhtme:
a) Në pikën 3 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
i. Fjalia e dytë, e shkronjës “b”, të pikës 3, shfuqizohet.
ii. Pas shkronjës “b” shtohen paragrafët, me këtë përmbajtje:
“Autoriteti kompetent kombëtar mund të krijojë një grup pune ku përfaqësohen të gjitha autoritetet përkatëse në mënyrë që të hartohet një plan i detajuar për procesin e dhënies së lejes, në përputhje me nenin 10, pika 6, shkronja “b”, dhe për të monitoruar e koordinuar zbatimin e tij. Autoriteti kompetent kombëtar, pas konsultimit me autoritetet e tjera të interesuara, kur është e zbatueshme në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe pa paragjykuar afatet kohore të përcaktuara në nenin 10, pikat 1 e 2, do të vendosë, rast pas rasti, një afat kohor të arsyeshëm brenda të cilit do të jepen vendimet individuale. Autoriteti kompetent kombëtar mund të marrë një vendim individual në emër të një autoriteti tjetër kombëtar të interesuar, ku vendimi i atij autoriteti nuk dorëzohet brenda afatit kohor dhe kur vonesa nuk mund të arsyetohet në mënyrë të përshtatshme; ose, kur parashikohet sipas ligjit kombëtar, dhe në masën që kjo është në përputhje me ligjin e Komunitetit të Energjisë, autoriteti kompetent kombëtar mund të konsiderojë se një autoritet tjetër kombëtar në fjalë ka dhënë miratimin ose refuzimin e projektit kur vendimi i atij autoriteti nuk jepet brenda afatit.
Kur parashikohet nga legjislacioni kombëtar, autoriteti kompetent kombëtar mund të shpërfillë një vendim individual të një autoriteti tjetër kombëtar të interesuar nëse konsideron se vendimi nuk është mjaftueshëm i argumentuar në lidhje me provat themelore të paraqitura nga autoriteti kombëtar në fjalë. Duke vepruar kështu, autoriteti kompetent kombëtar do të sigurojë që kërkesat përkatëse sipas Komunitetit të Energjisë dhe legjislacionit ndërkombëtar janë respektuar dhe do të japë arsyet për vendimin e tij.”.
iii. Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) Skema bashkëpunuese: vendimi gjithëpërfshirës koordinohet nga autoriteti kombëtar kompetent. Autoriteti kombëtar kompetent, pas konsultimit me autoritetet e tjera përkatëse, sipas rastit në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe pa cenuar afatet e përcaktuara në nenin 10, pikat 1 dhe 2, cakton, rast pas rasti, një afat të arsyeshëm brenda të cilit duhet të nxirren vendimet individuale. Ai monitoron respektimin e këtyre afateve nga autoritetet përkatëse.
Çdo projekt, që bie në fushën e zbatimit të këtij vendimi, i nënshtrohet njërës prej tri skemave të dhënies së lejeve të përmendura në këtë pikë.
Palët kontraktuese i zbatojnë skemat në një mënyrë që, në përputhje me legjislacionin kombëtar, kontribuon në nxjerrjen sa më efikas dhe në kohë të vendimit gjithëpërfshirës.
Kompetencat e autoriteteve përkatëse mund të përfshihen në kompetencat e autoritetit kombëtar kompetent të caktuar, në përputhje me pikën 1, ose autoritetet përkatëse mund të ruajnë, në një masë të caktuar, kompetencat e tyre të pavarura, në përputhje me skemën përkatëse të dhënies së lejeve, të zgjedhur nga pala kontraktuese sipas këtij paragrafi, me qëllim lehtësimin e nxjerrjes së vendimit gjithëpërfshirës, dhe të bashkëpunojnë në përputhje me këtë me autoritetin kombëtar kompetent.
Kur një autoritet përkatës parashikon se nuk do të mund të nxjerrë një vendim individual brenda afatit të caktuar, ai njofton menjëherë autoritetin kombëtar kompetent, duke parashtruar arsyet e vonesës. Më pas, autoriteti kombëtar kompetent cakton një afat tjetër brenda të cilit duhet të nxirret ky vendim individual, duke respektuar afatet e përgjithshme, të përcaktuara në nenin 10, pikat 1 e 2.”.
b) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, autoriteti kombëtar kompetent zgjedh njërën prej tri skemave dhe zbaton më efektiven prej tyre, me urdhër të përbashkët të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministrit të Mjedisit, në përputhje me legjislacionin që përcakton kompetencat dhe përgjegjësitë administrative të institucioneve të përfshira në dhënien e miratimeve për projektet energjetike. Kur zgjidhet skema bashkëpunuese, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë informohet për arsyet. Urdhri i përbashkët përcakton skemën e dhënies së lejeve që zbatohet për projektet në listën e Komunitetit të Energjisë dhe në listën e Bashkimit Evropian, si dhe bazën ligjore të saj dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.”.
8. Në fjalinë e parë, të pikës 4, të nenit 9, fjalët “… legjislacionin përkatës në fuqi …” zëvendësohen me “… ligjin nr.10440, datë 7.7. 2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, të ndryshuar …”.
9. Në nenin 11 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Në pikën 2, fjalët “… kategoritë 1, shkronjat “c” dhe “e”…” zëvendësohen me “… kategorinë 1, shkronjat “c” dhe “d” …”.
b) Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Pas miratimit të listës paraprake të projekteve me interes për Komunitetin e Energjisë, organi vendimmarrës i grupeve, nëpërmjet përfundimeve të tij, miraton zbatimin në nivel të Komunitetit të Energjisë të metodologjive të hartuara nga ENTSO-E dhe ENTSO-G për projektet që përfshihen në kategoritë e infrastrukturës energjetike, të përcaktuara në pikën 1, shkronjat “a”, “b”, “ç” dhe “dh”, dhe në pikën 3 të shtojcës II, si dhe të metodologjive të hartuara nga Komisioni për projektet, që përfshihen në kategoritë e infrastrukturës energjetike, të përcaktuara në pikën 1, shkronjat “c” dhe “d”, dhe në pikat 2, 4 dhe 5, të shtojcës II.”.
10. Në nenin 14 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Dispozitat e këtij neni zbatohen për një projekt me interes të Komunitetit të Energjisë, që bie nën kategoritë e infrastrukturës së energjisë, të përcaktuara në pikën 1, shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç” dhe “dh”, dhe në pikën 3 të shtojcës II, bashkëlidhur vendimit, kur të paktën një promovues projekti u kërkon autoriteteve kombëtare përkatëse aplikimin e tij për kostot e projektit. Projektet, që bien nën kategorinë e infrastrukturës së energjisë, të përcaktuar në pikën 1, shkronja “d”, dhe në pikën 2 të shtojcës II, bashkëlidhur vendimit, mund të përfitojnë nga dispozitat e këtij neni kur të paktën një promovues projekti kërkon aplikimin e tij nga autoritetet kombëtare përkatëse.
Kur një projekt ka disa promovues projekti, autoritetet rregullatore kombëtare përkatëse duhet pa vonesë t’u kërkojnë të gjithë promovuesve të projektit të paraqesin kërkesën për investim së bashku, në përputhje me pikën 4, të këtij neni.”.
b) Në pikën 4 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
i. Shkronja “a” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) një analizë e përditësuar specifike e kostos dhe përfitimit për projektin, në përputhje me metodologjinë e hartuar në përputhje me nenin 11 dhe duke marrë parasysh përfitimet përtej kufijve të palëve kontraktuese, në territorin e të cilave ndodhet projekti, duke marrë në konsideratë të paktën skenarët e përbashkët të krijuar për planifikimin e zhvillimit të rrjetit, të përmendur në nenin 12. Kur përdoren skenarë shtesë, ato duhet të jenë në përputhje me objektivat e Komunitetit të Energjisë për vitin 2030 për energjinë dhe klimën dhe objektivin e neutralitetit klimatik për vitin 2050 dhe i nënshtrohen të njëjtit nivel konsultimi dhe shqyrtimi si procesi i parashikuar në nenin 12. Bordi Rregullator i Komunitetit të Energjisë, i ndihmuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, do të jetë përgjegjës për vlerësimin e çdo skenari shtesë dhe sigurimin e përputhshmërisë së tyre me këtë pikë;”.
ii. Pas shkronjës “c” shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Kur një projekt promovohet nga disa promovues projektesh, ata duhet të paraqesin kërkesën e tyre për investim së bashku. Autoritetet rregullatore kombëtare përkatëse, pas marrjes së kërkesës, duhet t’i përcjellin pa vonesë Bordit Rregullator të Komunitetit të Energjisë dhe Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë një kopje të secilës kërkesë investimi, për qëllim informimi.
Autoritetet rregullatore kombëtare përkatëse, Bordi Rregullator i Komunitetit të Energjisë dhe Sekretariati i Komunitetit të Energjisë duhet të ruajnë konfidencialitetin e informacionit të ndjeshëm tregtar.”.
c) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Brenda gjashtë muajve nga data në të cilën kërkesa për investim pranohet nga i fundit prej autoriteteve rregullatore kombëtare përkatëse, këto autoritete, pas konsultimit me promovuesit e projektit përkatës, duhet të marrin vendime të përbashkëta të koordinuara mbi ndarjen e kostove të investimit të kryera në mënyrë efikase, që do të përballohen nga secili operator sistemi për projektin, si dhe përfshirjen e tyre në tarifa, ose mbi refuzimin e kërkesës për investim, tërësisht ose pjesërisht, nëse analiza e përbashkët e autoriteteve rregullatore kombëtare përkatëse arrin në përfundimin se projekti ose një pjesë e tij nuk arrin të ofrojë një përfitim të konsiderueshëm neto për asnjë nga palët kontraktuese të autoriteteve rregullatore kombëtare përkatëse. Autoritetet rregullatore kombëtare përkatëse duhet të përfshijnë kostot përkatëse të investimit të kryera në mënyrë efikase në tarifa, siç përcaktohet në rekomandimin e Bordit Rregullator të Komunitetit të Energjisë, në përputhje me ndarjen e kostove të investimit që do të përballohen nga secili operator sistemi për projektin. Për projektet në territoret e palës së tyre përkatëse kontraktuese, autoritetet rregullatore kombëtare përkatëse duhet të vlerësojnë më pas, kur është e përshtatshme, nëse mund të lindin probleme me përballueshmërinë për shkak të përfshirjes së kostove të investimit në tarifa. Në ndarjen e kostove, autoritetet rregullatore kombëtare përkatëse duhet të marrin në konsideratë faktet ose vlerësimin në lidhje me:
a) pagesat për mbingarkesën ose tarifa të tjera;
b)të ardhurat që rrjedhin nga mekanizmi i kompensimit ndëroperator të sistemit të transmetimit, i krijuar sipas nenit 49, të rregullores (BE) 2019/943, siç është përshtatur dhe miratuar në Komunitetin e Energjisë me vendimin e Këshillit Ministror 2022/03/MC-EnC.
Ndarja e kostove përtej kufijve duhet të marrë në konsideratë kostot dhe përfitimet ekonomike, sociale dhe mjedisore të projekteve në palët kontraktuese përkatëse dhe nevojën për të siguruar një kornizë të qëndrueshme financimi për zhvillimin e projekteve me interes të Komunitetit të Energjisë, duke minimizuar nevojën për mbështetje financiare.
Në ndarjen e kostove përtej kufijve, autoritetet rregullatore kombëtare përkatëse, pas konsultimit me OST-të e interesuara, duhet të kërkojnë një marrëveshje të ndërsjellë, bazuar në, por pa u kufizuar në, informacionin e specifikuar në pikën 4, nënparagrafi i parë, shkronjat “a” dhe “b”, të këtij neni. Vlerësimi i tyre duhet të marrë në konsideratë të gjithë skenarët përkatës të përmendur në nenin 12 dhe skenarë të tjerë për planifikimin e zhvillimit të rrjetit, duke lejuar një analizë të konsoliduar të kontributit të projektit me interes të Komunitetit të Energjisë në politikën energjetike të Komunitetit të Energjisë për dekarbonizimin, integrimin e tregut, konkurrencën, qëndrueshmërinë dhe sigurinë e furnizimit. Kur përdoren skenarë shtesë, ato duhet të jenë në përputhje me objektivat e Komunitetit të Energjisë për vitin 2030 për energjinë dhe klimën dhe objektivin e neutralitetit klimatik për vitin 2050.
Kur një projekt me interes të Komunitetit të Energjisë zbut eksternalitetet negative, siç janë flukset e pakontrolluara, dhe ai projekt me interes i Komunitetit të Energjisë zbatohet në palën kontraktuese në origjinën e eksternalitetit negativ, një zbutje e tillë nuk do të konsiderohet si një përfitim ndërkufitar dhe, për këtë arsye, nuk do të përbëjë një bazë për ndarjen e kostove për OST-në e palëve kontraktuese të prekura nga ato eksternalitete negative.”.
ç) Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Kur autoritetet përkatëse kombëtare rregullatore nuk arrijnë një marrëveshje mbi kërkesën për investim brenda gjashtë muajve nga data e marrjes së kërkesës nga i fundit i këtyre autoriteteve, ato njoftojnë pa vonesë Bordin Rregullator të Komunitetit të Energjisë dhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë.
Në këtë rast, ose me një kërkesë të përbashkët nga autoritetet përkatëse kombëtare rregullatore, vendimi mbi kërkesën për investim, përfshirë shpërndarjen ndërkufitare të kostove, të përmendur në pikën 5, merret nga Bordi Rregullator i Komunitetit të Energjisë brenda tre muajve nga data e referimit te ky Bord.
Para marrjes së një vendimi të tillë, Bordi Rregullator i Komunitetit të Energjisë konsultohet me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, autoritetet përkatëse kombëtare rregullatore dhe promovuesit e projektit. Periudha tremujore e përmendur në nënparagrafin e dytë mund të zgjatet me një periudhë shtesë prej dy muajsh, nëse Bordi Rregullator i Komunitetit të Energjisë kërkon informacione të mëtejshme. Kjo periudhë shtesë fillon në ditën pas marrjes së informacionit të plotë.
Vlerësimi i Bordit Rregullator të Komunitetit të Energjisë merr parasysh të gjithë skenarët përkatës, të përcaktuar sipas nenit 12, dhe skenarë të tjerë për planifikimin e zhvillimit të rrjetit, duke mundësuar një analizë të plotë të kontributit të projektit me interes për Komunitetin e Energjisë në objektivat e politikës energjetike të Komunitetit të Energjisë lidhur me dekarbonizimin, integrimin e tregut, konkurrencën, qëndrueshmërinë dhe sigurinë e furnizimit. Kur përdoren skenarë shtesë, ato duhet të jenë në përputhje me objektivat e Komunitetit të Energjisë për energjinë dhe klimën për vitin 2030 dhe me objektivin e neutralitetit klimatik për vitin 2050, si dhe t’i nënshtrohen të njëjtit nivel konsultimi dhe shqyrtimi si procesi i parashikuar në nenin 12.
Bordi Rregullator i Komunitetit të Energjisë, në vendimin e tij mbi kërkesën për investim, që përfshin shpërndarjen ndërkufitare të kostove, ia lë autoriteteve përkatëse kombëtare përcaktimin e mënyrës së përfshirjes së kostove të investimit në tarifa, në përputhje me shpërndarjen e përcaktuar ndërkufitare të kostove, në kohën e zbatimit të atij vendimi, dhe në përputhje me legjislacionin kombëtar.
Vendimi mbi kërkesën për investim, përfshirë shpërndarjen ndërkufitare të kostove, publikohet. Procedura e përmendur në këtë paragraf do të zbatohet për projektet që kanë ndikime ndërkufitare midis palëve kontraktuese.”.
11. Në nenin 15 bëhen shtesat e mëposhtme:
a) Në fund të pikës 1 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Pika 1 e këtij neni nuk zbatohet kur projekti me interes për Komunitetin e Energjisë ka marrë një përjashtim:
a) nga nenet 32, 33 dhe 34 dhe nga neni 41(6), (8) dhe (10) i direktivës 2009/73/KE, siç është përshtatur dhe miratuar në Komunitetin e Energjisë me vendimin e Këshillit Ministror 2011/02/MC-EnC, në përputhje me nenin 36 të asaj direktive;
b) nga neni 19(2) dhe (3) i rregullores (BE) 2019/943, siç është përshtatur dhe miratuar në Komunitetin e Energjisë me vendimin e Këshillit Ministror 2022/03/MC-EnC, ose nga neni 6, neni 59(7) dhe neni 60(1) i direktivës (BE) 2019/944, siç është përshtatur dhe miratuar në Komunitetin e Energjisë me vendimin e Këshillit Ministror 2021/13/MC-EnC, në përputhje me nenin 63, të rregullores (BE) 2019/943, siç është përshtatur dhe miratuar në Komunitetin e Energjisë me vendimin e Këshillit Ministror 2022/03/MC-EnC;
c) në përputhje me nenin 36 të direktivës 2009/73/KE, siç është përshtatur dhe miratuar në Komunitetin e Energjisë me vendimin e Këshillit Ministror 2011/02/MC-EnC;
ç) në përputhje me nenin 17 të rregullores (KE) nr.714/2009, siç është përshtatur dhe miratuar në Komunitetin e Energjisë me vendimin e Këshillit Ministror 2011/02/MC-EnC.”.
b) Në pikën 2 bëhen këto shtesa:
i. Pas togfjalëshit “… analizës kosto-përfitim …” shtohen fjalët “… në përputhje me metodologjinë e hartuar sipas nenit 11 …”;
ii. Pas fjalëve “… dhe arsyet e profilit të rrezikut …” shtohen “… duke pasur parasysh ndikimin neto pozitiv që ofron projekti në krahasim me një alternativë me rrezik më të ulët …”.
c) Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Jo më vonë se 12 muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ERE duhet të publikojë metodologjinë dhe kriteret e përdorura për të vlerësuar investimet në projektet e infrastrukturës energjetike dhe rreziqet më të larta që lidhen me to.”.
12. Shtojcat I, II, III, IV, V dhe VI, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me shtojcat I, II, III, IV, V dhe VI, bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.686, DATË 22.11.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË PLANIFIKIMIT TË TERRITORIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6 e 15, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin e rregullores së planifikimit të territorit, bashkëlidhur vendimit nr.686, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
Neni 1
Në nenin 21/1 bëhen këto shtesa:
1. Në fund të pikës 2 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Gjatë hartimit dhe zbatimit të planifikimit hapësinor detar, autoritetet përgjegjëse duhet të ndjekin një qasje të bazuar në ekosistem dhe të nxisin bashkekzistencën e veprimtarive dhe përdorimeve përkatëse.”.
2. Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Vlerësimi strategjik mjedisor i planit është një nga instrumentet kryesore për zbatimin praktik të qasjes së bazuar në ekosistem. Raporti i VSM-së të planit trajton të gjitha çështjet e parashikuara në legjislacionin në fuqi për vlerësimin strategjik mjedisor dhe veçanërisht identifikon zonat e ndjeshme dhe përcakton masa për parandalimin ose zbutjen e ndikimeve negative në zonat, ku mund të zhvillohen aktivitete sensitive, si p.sh.: peshkimi, akuakultura ose prodhimi i energjisë nga era në det etj.”.
Neni 2
Në pikën 2, të nenit 21/3, bëhen këto shtesa:
1. Në shkronjën “a”, pas fjalëve “… të tilla si konventat rajonale detare …” shtohen “… dhe konventat e deteve rajonale …”.
2. Në shkronjën “c”, pas fjalëve “… kërkesat e pikës 1, të këtij neni …” shtohen “… për shembull në kontekstin e strategjive të baseneve detare …”.
Neni 3
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
A K T N O R M A T I V
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8773, DATË 23.4.2001, “PËR TUBIMET”
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në ligjin nr.8773, datë 23.4.2001, “Për tubimet”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Pas nenit 12 shtohen nenet 12/1 e 12/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 12/1
Kufizimet e përkohshme rreth objekteve të përcaktuara
1. Kur ka rrezik real, serioz e të afërt, të bazuar në fakte konkrete, për dhunë ndaj personave ose për dëmtime të rënda të pronës, drejtuesi i drejtorisë vendore të policisë, me miratimin e prefektit, mund të ndalojë ose të kufizojë tubimet në një perimetër të përcaktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore ose shtetërore, për një periudhë jo më të gjatë se 72 orë.
2. Vendimi përcakton saktësisht perimetrin, kohëzgjatjen dhe arsyet, publikohet menjëherë në mënyrë të aksesueshme dhe zbatohet vetëm pas publikimit. Ai mund të rinovohet vetëm një herë, me vendim të ri të arsyetuar.
3. Çdo person i interesuar mund ta ankimojë vendimin në gjykatën administrative, e cila vendos brenda 48 orëve. Ankimi nuk e pezullon zbatimin, përveç kur gjykata vendos ndryshe.
4. Kufizimi nuk mund të përfshijë të gjithë territorin e një njësie të vetëqeverisjes vendore dhe nuk zbatohet ndaj të miturve të shoqëruar nga prindi, kujdestari ligjor ose një i rritur përgjegjës, kur ata kalojnë nëpër perimetrin e përcaktuar për të shkuar ose për t’u kthyer nga shkolla, vendbanimi, institucioni shëndetësor, institucioni i përkujdesjes sociale ose një veprimtari edukative, kulturore apo sportive.
5. Ky nen nuk cenon kompetencën e drejtuesit të komisariatit të policisë për ndalimin ose kufizimin e një tubimi të caktuar, sipas nenit 8, të këtij ligji.
Neni 12/2
Urdhri i largimit nga zonat e mbrojtura
1. Në kuptim të këtij ligji, zona të mbrojtura janë:
a) stacionet, terminalet dhe mjetet e transportit publik, portet dhe aeroportet;
b) perimetri rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe objekteve të trashëgimisë kulturore;
c) zonat e tjera të përcaktuara me vendim të këshillit bashkiak të botuar dhe të shënuara në terren, kur atje janë dokumentuar vepra të përsëritura kundër personit ose pronës.
2. Punonjësi i Policisë së Shtetit mund të urdhërojë një person të largohet nga një zonë e mbrojtur për një periudhë jo më të gjatë se 48 orë, kur personi, me sjelljen e tij konkrete, kanos, ngacmon në mënyrë të përsëritur ose ushtron dhunë ndaj personave, dëmton pronën ose pengon me dhunë aksesin dhe përdorimin e zonës.
3. Urdhri jepet me shkrim, përmban faktet konkrete dhe arsyet, mbi të cilat mbështetet, përcakton zonën, nga e cila personi duhet të largohet, dhe kohëzgjatjen e masës, si dhe i njoftohet personit, të cilit i dorëzohet një kopje. Ai nuk zbatohet për vendbanimin, vendin e punës, institucionin arsimor, institucionin shëndetësor, ku personi trajtohet, dhe zyrën e avokatit.
4. Urdhri nuk mund të jepet për shkak të pjesëmarrjes në një tubim paqësor, për shkak të karakteristikave personale të personit, statusit social, kombësisë ose pamjes së tij, apo vetëm për shkak të precedentëve penalë.”.
Neni 2
Pas nenit 19 shtohet neni 19/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 19/1
Thirrjet për dhunë nëpërmjet rrjeteve sociale gjatë organizimit dhe zhvillimit të tubimeve
1. Kur, nëpërmjet rrjeteve sociale, postës elektronike dhe/ose komunikimeve telefonike, përcillen, publikohen ose shpërndahen mesazhe, që përmbajnë thirrje për dhunë, në kuadër të organizimit ose zhvillimit të një tubimi, Policia e Shtetit, pasi identifikon llogarinë, adresën elektronike dhe/ose numrin e telefonit, nëpërmjet të cilit është kryer komunikimi, i dërgon mbajtësit të llogarisë, adresës elektronike ose numrit të telefonit, një njoftim nëpërmjet të njëjtit kanal komunikimi, me anë të të cilit i kërkon fshirjen e përmbajtjes, si dhe mospërsëritjen e veprimeve të tilla, duke e vënë në dijeni se ato përbëjnë shkelje të legjislacionit në fuqi.
2. Në njoftimin e parashikuar në pikën 1, të këtij neni, Policia e Shtetit i ofron personit mundësinë për të përfituar mbështetje psikologjike apo trajtime të tjera të specializuara, kur vlerësohet se ka nevojë për to.
3. Në rast se përmbajtja nuk fshihet ose veprimet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, përsëriten, Policia e Shtetit ndërmerr masat përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”.
Neni 3
Pas pikës 2, të nenit 21, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Përjashtimisht, Policia e Shtetit regjistron me mjete audiovizuale paralajmërimet për shpërndarjen e tubimit dhe aktet e dhunës ndaj personave ose dëmtimet e pronës gjatë tubimit, sipas ligjit për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga dhuna dhe dëmtimet e pronës gjatë tubimeve në hapësirën publike. Regjistrimet ruhen e përpunohen sipas atij ligji dhe ligjit nr.124/2024, “Për mbrojtjen e të dhënave personale.”.
Neni 4
Në nenin 24 bëhen këto ndryshime:
1. Në shkronjat “a” dhe “b”, fjalët “… nga 1000 deri në 10 000 lekë …” zëvendësohen me “… nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë …”.
2. Në shkronjën “c”, pas fjalëve “… me gjobë …” shtohen “… në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë …”.
3. Në shkronjën “ç”, pas fjalëve “… me gjobë …” shtohen “… në masën nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë …”.
Neni 5
Pas nenit 24 shtohet neni 24/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 24/1
Kundërvajtjet administrative
1. Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë:
a) Pjesëmarrja në një tubim të ndaluar, në kundërshtim me nenet 8 dhe 12/1, të këtij ligji, dënohet më gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
b) Mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit, të dhënë në përputhje me shkronjat “a” dhe “c”, të nenit 9, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
c) Mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit, të dhënë në përputhje me shkronjën “b”, të nenit 9, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 20 000 (njëzet mijë) deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë;
ç) Mosbindja ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit, të dhënë në përputhje me shkronjën “b”, të nenit 9, të këtij ligji, dhe në rastet kur personi, ndaj të cilit është dhënë urdhri i shpërndarjes, është me identitet të fshehur, dënohet me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë;
d) Moszbatimi i urdhrit të largimit nga zona e mbrojtur, të nxjerrë në përputhje me nenin 12/2, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
dh) Fshehja e identitetit në kundërshtim me nenin 19, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë. Sanksioni i parashikuar në këtë shkronjë nuk zbatohet kur mbulimi i fytyrës justifikohet nga një shkak i ligjshëm, përfshirë arsye shëndetësore, fetare, si dhe ushtrimin e një veprimtarie profesionale, përfshirë gazetarinë dhe medien, ofrimin e ndihmës mjekësore ose vëzhgimin e tubimit;
e) Përdorimi i uniformës, i shenjave ose i simboleve, në kundërshtim me nenin 20, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë;
ë) Mosbindja ndaj thirrjeve për largim, sipas nenit 23, të këtij ligji, dënohet me gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.
2. Bllokimi i rrugëve automobilistike ose i akseve rrugore gjatë zhvillimit të një tubimi, me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit, kur veprimi nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë në masën 5 000 (pesë mijë) lekë për çdo ditë bllokimi, për çdo person fizik (individ), që merr pjesë në bllokim, pavarësisht kohëzgjatjes së bllokimit gjatë asaj dite.
3. Gjobat vendosen nga Policia e Shtetit, në përputhje me ligjin nr.10279, datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”, të ndryshuar.”.
Neni 6
Hyrja në fuqi
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË SEKTORIALE TË TRANSPORTIT DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT 2030
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Sektoriale të Transportit dhe të planit të veprimit 2030, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministritë dhe institucionet përgjegjëse të përmendura në tekstin e kësaj strategjie dhe të planit të veprimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KRITEREVE DHE MASËS SË KOMPENSIMIT FINANCIAR PËR SUBJEKTET PRIVATE PËR PERIUDHËN E AKTIVIZIMIT TË USHTARAKUT NË SHËRBIMIN USHTARAK REZERVIST
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të nenit 16, të ligjit nr.125/2024, “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit ushtarak rezervist në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kritereve dhe masës së kompensimit financiar për subjektet private gjatë periudhës së aktivizimit të ushtarakut të shërbimit rezervist në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
2. Për qëllim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Ushtarak i shërbimit rezervist” ka të njëjtin përcaktim si në ligjin nr.125/2024, “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit ushtarak rezervist në Republikën e Shqipërisë”;
b) “Subjekt privat”, subjekti që ushtron veprimtari fitimprurëse, si njësi biznesi, individi i vetëpunësuar dhe organizata jofitimprurëse;
c) “Struktura e vlerësimit të dokumentacionit” (SVD), struktura e ngritur në njësinë e Forcave të Armatosura, ku është aktivizuar ushtaraku i shërbimit rezervist, e cila shqyrton dhe administron dokumentacionin e nevojshëm për përfitimin e kompensimit financiar.
3. Përfitues të kompensimit financiar, sipas këtij vendimi, janë:
a) njësia e biznesit, punonjësi i së cilës është aktivizuar si ushtarak i shërbimit rezervist;
b) personi i vetëpunësuar që është aktivizuar si ushtarak i shërbimit rezervist;
c) organizata jofitimprurëse, punonjësi i së cilës është aktivizuar si ushtarak i shërbimit rezervist.
4. Subjektet përfituese, sipas pikës 3, të këtij vendimi, duhet të plotësojnë këto kritere:
a) Të jenë të regjistruara dhe të ushtrojnë veprimtarinë e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
b) Të kenë kryer në mënyrë të rregullt pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punëmarrësin;
c) Të kenë dhënë dakordësinë me shkrim për aktivizimin e punëmarrësit në shërbimin ushtarak rezervist.
5. Struktura e vlerësimit të dokumentacionit krijon dosjen personale fizike dhe elektronike për çdo ushtarak të shërbimit rezervist, në të cilën përfshihet:
a) shkresa e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura (SHPFA), me të cilën shtetasi është titulluar “ushtarak i shërbimit rezervist” dhe në të cilën përcaktohet periudha e aktivizimit të tij;
b) dokumentacioni vërtetues për subjektet e shkronjës “b”, të pikës 2, të këtij vendimi, përkatësisht, NIPT-i për njësinë e biznesit e të vetëpunësuarin dhe vendimi i gjykatës për organizatën jofitimprurëse;
c) dakordësia me shkrim ndërmjet njësisë së biznesit, organizatës jofitimprurëse dhe punonjësit të tyre për kohën e aktivizimit të tij/saj si ushtarak në shërbimin rezervist;
ç) vërtetimi i pagës për efekt të llogaritjes së masës së kompensimit;
d) vërtetimi i shoqëruar me dokumentacionin përkatës, që provon se i vetëpunësuari ushtron një aktivitet ekonomik real dhe aktiv, nga i cili ka siguruar të ardhura për të paktën 3 (tre) muaj radhazi, para datës së aktivizimit si ushtarak i shërbimit rezervist;
dh) vërtetimi për pagesën e kontributeve nga portali “e-Albania”;
e) fotokopja e kartës së identitetit.
6. Masa e kompensimit financiar përfshin:
a) për njësinë e biznesit dhe organizatën jofitimprurëse:
i. kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore të punëdhënësit dhe punëmarrësit;
ii. tatimin mbi të ardhurat, sipas legjislacionit në fuqi;
iii. diferencën ndërmjet pagës bruto mujore, që punëmarrësi përfiton sipas marrëdhënies së punës dhe pagës bruto që përfiton si ushtarak i shërbimit rezervist, në rastet kur paga bruto e përfituar si ushtarak i shërbimit rezervist është më e ulët se paga bruto, sipas marrëdhënies së punës.
b) për personin e vetëpunësuar:
i. kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore;
ii. tatimin mbi të ardhurat, sipas legjislacionit në fuqi.
7. Të dhënat e pikës 6, të këtij vendimi, të jenë të bazuara në masën e pagesës korrente, që subjekti privat dhe i vetëpunësuari ka paguar, sipas deklarimit elektronik me ESIG 25 në sistemin e-filing të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në emër të ushtarakut rezervist.
Masa e kompensimit financiar për sigurimet shoqërore, shëndetësore dhe tatimi mbi të ardhurat përllogaritet mbi pagën bruto që ushtaraku rezervist merr në subjektin privat, ku është aktualisht i punësuar, sipas deklarimeve tatimore në fuqi për periudhën përkatëse.
8. Ministria e Mbrojtjes kompenson njësinë e biznesit, organizatën jofitimprurëse dhe të vetëpunësuarin, bazuar në shkresat e ardhura nga njësitë e Forcave të Armatosura, ku është aktivizuar shtetasi si ushtarak i shërbimit rezervist, të cilat përcaktojnë masën e kompensimit, bazuar në ditët e aktivizimit të shtetasit si ushtarak i shërbimit rezervist dhe në dokumentacionin e përmendur në pikën 5, të këtij vendimi.
9. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
10. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA