Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Dhjetor 2021:

 

V E N D I M
PËR

AUTORIZIMIN E MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË PËR TË VIJUAR PROCEDURËN E NEGOCIIMIT TË KONTRATËS SË RE, ME SHOQËRITË “GENER 2”, SH.P.K., DHE “G2 INFRA”, SH.P.K.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 26, pika 9, dhe 41, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.50/2019, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat””, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Autorizimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të vijojë procedurën e negociimit të kontratës të koncesionit/partneritetit publik privat me shoqëritë “Gener 2”, sh.p.k. dhe “G2 Infra”, sh.p.k., me qëllim ekzekutimin e vendimit nr.424 (86-2021-523), datë 29.7.2021, të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë dhe, në rast se është e nevojshme, negociimin e angazhimeve detyruese në emër të shtetit, për realizimin e projektit infrastrukturor të aksit “Thumanë-Fushë-Krujë-Vorë-Kashar”, sipas marrëveshjes së zgjidhjes, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vijon procedurat për dërgimin e studimit të ri të fizibilitetit për mendim dhe shqyrtim pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

3. Kontrata e re e koncesionit/partneritetit publik privat, si dhe çdo angazhim detyrues në emër të shtetit, pas nënshkrimit nga palët, dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave.

4. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E FORMATIT TË VIZËS PULLË DHE TË VIZËS ELEKTRONIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 21, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e formatit të vizës pullë dhe të vizës elektronike, sipas anekseve që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.493, datë 6.5.2009, “Për miratimin e formës, të përmbajtjes dhe elementeve të sigurisë së vizës pullë”, dhe nr.655, datë 27.8.2020, “Për miratimin e formës, të përmbajtjes dhe elementeve të sigurisë së vizës elektronike”, shfuqizohen.

3. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, QË PREKET NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, për sipërfaqen takuese, të zënë nga objekti i legalizuar në drejtorinë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tiranë Jug, në emër të Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH).

2. Vlera e kompensimit financiar është 4 557 240,45 (katër milionë e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e dyqind e dyzet presje dyzet e pesë) lekë, për sipërfaqen 68,05 (gjashtëdhjetë e tetë presje zero pesë) m2, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurisë së paluajtshme nr.7/465, zona kadastrale 8270, sipas seksionit të veçantë (kolona 19) të shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

4. Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë, nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.

5. Drejtoria vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tiranë Jug të kryejë ndryshimet përkatëse për këtë pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE MINIMALE TË JETESËS DHE TË KUSHTEVE SOCIALE PËR KËRKUESIT E MBROJTJES NDËRKOMBËTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 56, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kërkuesit për mbrojtje ndërkombëtare, që strehohet në Qendrën e Pritjes për Azil, i garantohet ofrimi i shërbimit bazuar në parime të njohura të kujdesit social, si: respektimi dhe garantimi i vlerave dhe i personalitetit të individit, transparenca dhe paanshmëria, mosdiskriminimi, pavarësia, integrimi shoqëror dhe pjesëmarrja në jetën e komunitetit, konfidencialiteti dhe mbrojtja e të dhënave personale.

2. Për trajtimin e kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare në Qendrën e Pritjes për Azil zbatohen standardet e shërbimeve të përkujdesjes shoqërore, që mbështeten në paketën e standardeve të përgjithshme të shërbimeve, sipas legjislacionit në fuqi.

3. Kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare respektojnë rregullat e jetesës në ambientet e institucionit strehues, sipas rregullores së tyre të brendshme.

4. Kërkuesit të mbrojtjes ndërkombëtare i ofrohen shërbime parashoqërore, si më poshtë vijon:

a) Informimi dhe këshillimi, të cilat janë shërbime që synojnë përmirësimin e situatës së kërkuesit, duke e orientuar rreth mundësive më të përshtatshme për nevojat e tij, në sistemin e shërbimeve të kujdesit shoqëror;
b) Mbështetja psiko-sociale, e cila ofrohet individualisht ose në grup dhe synon inkurajimin, rehabilitimin, zhvillimin e aftësive njohëse, funksionale, komunikuese apo shoqërore të kërkuesve.

5. Çdo kërkues i mbrojtjes ndërkombëtare i nënshtrohet vlerësimit të nevojave të tij shëndetësore kur pranohet në institucionin strehues.

6. Fëmijët marrin një dietë të shëndetshme, ushqyese dhe të ekuilibruar sipas nevojave të tyre të rritjes e të zhvillimit të nevojave kulturore dhe fetare. Lëngje të shëndetshme sigurohen në çdo kohë dhe ofrohen sipas kërkesës së fëmijëve. Në çdo rast duhet të garantohet këshillimi me mjekun.

7. Institucioni strehues duhet të plotësojë nevojat e domosdoshme për akomodim, duke pasur parasysh grupmoshat, me prioritet fëmijët, fëmijët e pashoqëruar, grupet vulnerable, të cilët kanë nevojë për trajtime të veçanta.

8. Qendra e Pritjes për Azil bashkëpunon me ministrinë përgjegjëse për arsimin, si dhe institucionet e arsimit parauniversitar, duke ndjekur një politikë edukimi, që synon të nxisë dhe të mbështesë edukimin parauniversitar të fëmijëve gjatë gjithë periudhës që ata jetojnë në këto institucione, duke siguruar tekstet e nevojshme shkollore, me qëllim krijimin e kushteve të barabarta për arsim.

9. Niveli i kuotave financiare për shpenzimet ditore të kërkuesit të mbrojtjes ndërkombëtare përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet sociale, të ministrit përgjegjës për financat dhe të ministrit përgjegjës për azilin e refugjatët. Këto efekte financiare përballohen nga ministria përgjegjëse për azilin dhe refugjatët.

10. Në rast fluksi dhe mungese kapaciteti strehues, ministria përgjegjëse për azilin dhe refugjatët, rast pas rasti, me marrëveshje të përbashkët me ministrinë përgjegjëse për çështjet sociale, strehon kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare në qendrat rezidenciale publike.

11. Ngarkohen ministria përgjegjëse për azilin dhe refugjatët, ministria përgjegjëse për financat, ministra përgjegjëse për çështjet sociale, ministria përgjegjëse për arsimin, si dhe institucionet e arsimit parauniversitar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË FINLANDËS, PËR ELIMINIMIN E TATIMIT TË DYFISHTË NË LIDHJE ME TATIMET MBI TË ARDHURAT DHE PARANDALIMIN E SHMANGIEN E EVAZIONIT TATIMOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Finlandës, për eliminimin e tatimit të dyfishtë në lidhje me tatimet mbi të ardhurat dhe parandalimin e shmangien e evazionit tatimor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KONFEDERATËS ZVICERANE, PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA ZVICERANE PËR ZHVILLIM DHE BASHKËPUNIM (SDC) E DEPARTAMENTIT FEDERAL TË PUNËVE TË JASHTME TË ZVICRËS, E CILA VEPRON PËRMES AMBASADËS ZVICERANE NË SHQIPËRI, PËR PROJEKTIN “SHKOLLAT PËR SHËNDETËSI”, FAZA E PARË MARS 2021 – SHKURT 2025, NJË PROJEKT DYPALËSH BASHKËPUNIMI DHE ZHVILLIMI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, e cila vepron përmes Ambasadës Zvicerane në Shqipëri për projektin “Shkollat për shëndetësi”, faza e parë mars 2021 – shkurt 2025, një projekt dypalësh bashkëpunimi dhe zhvillimi, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.307, DATË 16.4.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E NDËRTIMIT DHE TË RIKONSTRUKSIONIT TË INFRASTRUKTURËS PUBLIKE NË ZONAT E REJA TË SHPALLURA PËR ZHVILLIM TË DETYRUAR”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, dhe 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.307, datë 16.4.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

a) Në pikën 3.1, shifra “… 1 831 788 178 (një miliard e tetëqind e tridhjetë e një milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH… ” zëvendësohet me “… 1 931 788 178 (një miliard e nëntëqind e tridhjetë e një milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH… ”;
b) Në pikën 3.1/a, shifra “… 1 177 622 177 (një miliard e njëqind e shtatëdhjetë e shtatë milionë e gjashtëqind e njëzet e dy mijë e njëqind e shtatëdhjetë e shtatë) lekë pa TVSH… ” zëvendësohet me “… 1 277 622 177 (një miliard e dyqind e shtatëdhjetë e shtatë milionë e gjashtëqind e njëzet e dy mijë e njëqind e shtatëdhjetë e shtatë) lekë pa TVSH… ”.
2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.490, DATË 19.7.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “VLORA – ACU, RIKUALIFIKIMI URBAN NË QYTETIN E VLORËS, PËRGJATË P4, C2, A, B, C” DHE “NDËRTIM I RRUGËS – VAZHDIM I UNAZËS VLORË – UJI I FTOHTË””, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, i ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.490, datë 19.7.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Në pikën 3, shifra “… 165 224 816 (njëqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë e dyqind e njëzet e katër mijë e tetëqind e gjashtëmbëdhjetë) lekë …” zëvendësohet me “… 176 168 174.40 (njëqind e shtatëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e katër pikë dyzet) lekë”.

b) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 176 168 174.40 (njëqind e shtatëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e katër pikë dyzet) lekë, të përballohet, si më poshtë vijon:

– 165 224 816 (njëqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë e dyqind e njëzet e katër mijë e tetëqind e gjashtëmbëdhjetë) lekë, nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë;
– 10 943 358.40 (dhjetë milionë e nëntëqind e dyzet e tre mijë e treqind e pesëdhjetë e tetë pikë dyzet) lekë, nga buxheti i Bashkisë Vlorë.”.

c) Të dhënat për pasurinë me numër rendor 33, në tabelën e miratuar me vendimin nr.490, datë 19.7.2017, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohen me të dhënat në tabelën “A”, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

d) Tabelës së miratuar me vendimin nr.490, datë 19.7.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, i shtohet tabela “B”, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia Vlorë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.597, DATË 4.9.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, DOKUMENTACIONIT DHE MASËS MUJORE TË PËRFITIMIT TË NDIHMËS EKONOMIKE DHE PËRDORIMIT TË FONDIT SHTESË MBI FONDIN E KUSHTËZUAR PËR NDIHMËN EKONOMIKE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 8, të nenit 12, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në kreun III, të vendimit nr.597, datë 4.9.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Në pikat 7, 8 dhe 9, fjalët “… 3 000 (tre mijë) lekë në muaj …” zëvendësohen me “… 9 000 (nëntë mijë) lekë në muaj …”.

b) Pas pikës 15 shtohen pikat 16, 17 dhe 18, me këtë përmbajtje:

“16. Familjet përfituese në programin e ndihmës ekonomike, që kanë në përbërje tre apo më shumë fëmijë të moshës 0-18 vjeç, përfitojnë dyfishin e masës së pagesës ekzistuese të ndihmës ekonomike, sipas strukturës së familjes.

17. Masa e ndihmës ekonomike për familjet, që nuk përfitojnë sipas pikës 16, të këtij vendimi, rritet me dhjetë për qind të masës së pagesës ekzistuese, sipas strukturës së familjes.

18. Masa e ndihmës ekonomike, sipas pikave 16 dhe 17, të këtij vendimi, përllogaritet nga Shërbimi Social Shtetëror, bazuar në masën e pagesës ekzistuese sipas strukturës së familjes, përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi.”.

2. Ngarkohen Shërbimi Social Shtetëror dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2022.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PROGRAMIT TË PËRGJITHSHËM ANALITIK TË PROJEKTAKTEVE QË DO TË PARAQITEN PËR SHQYRTIM NË KËSHILLIN E MINISTRAVE GJATË VITIT 2022

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 27, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e programit të përgjithshëm analitik të projektakteve që do të paraqiten për shqyrtim në Këshillin e Ministrave gjatë vitit 2022, sipas tabelave që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NGRITJEN DHE FUNKSIONIMIN E REGJISTRIT ELEKTRONIK KOMBËTAR PËR TË HUAJT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 137, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. NGRITJA, PËRBËRJA, FUNKSIONIMI DHE ADMINISTRIMI I REGJISTRIT ELEKTRONIK KOMBËTAR PËR TË HUAJT

1. Regjistri Elektronik Kombëtar për të Huajt (në vijim, REKH) është një bazë të dhënash shtetërore, që përmban të dhëna për të huajt, të cilët hyjnë ose synojnë të hyjnë në Republikën e Shqipërisë, me qëllim qëndrimin, kalimin transit, punësimin, studimin, si dhe daljen nga Republika e Shqipërisë.

2. Administrimi i të dhënave të regjistrit bëhet nga struktura përgjegjëse për menaxhimin e informacionit e mbrojtjen e të dhënave në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Administrimi teknik i infrastrukturës hardware dhe software të sistemit bëhet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

3. Autoritetet përgjegjëse shtetërore për trajtimin e të huajve, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, mbledhin, administrojnë, hedhin e përditësojnë të dhënat personale për të huajt në këtë regjistër.

4. REKH-i përmban të dhëna personale për shtetasit e huaj, që:

a) janë pajisur me vizë për të hyrë, për të qëndruar ose për të kaluar transit në Republikën e Shqipërisë;
b) janë pajisur me leje qëndrimi për një periudhë të përkohshme ose të përhershme, sipas kritereve dhe llojeve të përcaktuara në ligj;
c) janë pajisur me leje unike (qëndrim e punësim) në Republikën e Shqipërisë, sipas motivit përkatës të lejes së parashikuar ligj;
ç) rezultojnë me qëndrim të parregullt në territorin e Republikës së Shqipërisë.

5. Ky regjistër elektronik përbëhet nga 5 (pesë) module kryesore:

a) Moduli i kontrollit kufitar, i cili përmban të dhëna të pasqyruara dhe të kontrolluara nga Departamenti për Kufirin dhe Migracionin;
b) Moduli i vizave, i cili përmban të dhëna të pasqyruara dhe të kontrolluara nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme;
c) Moduli i lejeve unike dhe i lejeve të qëndrimit, i cili përmban të dhëna të pasqyruara dhe të kontrolluara nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive;
ç) Moduli i trajtimit të të huajve me qëndrim të parregullt në territor, i cili përmban të dhëna të pasqyruara dhe të kontrolluara nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit;
d) Moduli i dokumenteve të identifikimit e të udhëtimit për të huajt, i cili përmban kopjet e këtyre dokumenteve, të përdorura nga i huaji për hyrjen në Republikën e Shqipërisë dhe identifikimin e tij.

6. Struktura informatike e ruajtjes së të dhënave të REKH-it është subjekt i ndryshimeve të mëvonshme, për qëllime mirëmbajtjeje, përmirësimi, të cilat nuk prekin integritetin e të dhënave dhe kanë pjesë të tyre të gjitha modulet e përmendura më lart.

7. REKH-i përmban të dhëna dhe siguron statistika e raporte për çdo modul, sipas nevojave dhe të kërkesave të secilit kontrollues moduli të përcaktuar në pikën 5, të këtij kreu.

8. Të dhënat që përmban REKH-i ndahen në të dhëna parësore dhe në të dhëna dytësore, si më poshtë vijon:

a) Të dhënat parësore janë:

i. numri unik i identifikimit të të huajit;
ii. të dhënat nga dokumenti i udhëtimit të të huajit ose gjenealitetet e vetëdeklaruara nga i huaji për rastet e përcaktuara në ligj, që përbëjnë skedën e të huajit.

b) Të dhënat dytësore janë:

i. gjenealitetet e aplikantit (emri, mbiemri, numri i pasaportës);
ii. tipi i vizës;
iii. të dhënat e vizës (vlefshmëri, nr. serial);
iv. përfaqësia që procedon rastin;
v. statusi i vizës (aprovim ose gjenerim) dhe hapësira për specifikimin e datave;
vi. rubrika “Shënime”, ku specifikohet arsyeja në rast refuzimi;
vii. vizat e anuluara;
viii. gjenealitetet e plota të shtetasit të huaj;
ix. shtetësia;
x. qyteti i lindjes;
xi. lloji i dokumentit të udhëtimit (pasaportë, letërnjoftim);
xii. data e hyrjes/data e daljes (historiku i hyrje-daljeve);
xiii. lloji i dokumenteve shtesë (leje qëndrimi, vizë);
xiv. të dhëna për motivin;
xv. gjenealitetet;
xvi. pasaporta;
xvii. profesioni;
xviii. ndërmarrja/biznesi dhe adresa e ndërmarrjes/biznesit;
xix. adresa e banimit;
xx. afati i lejes;
xxi. vlefshmëria dhe skadimi i lejes;
xxii. detaje të ngjarjes: vendi i konstatimit, emërtimi i strukturës, prova, përshkrimi i ngjarjes, numri i raportit, zyrtari intervistues (emër, mbiemër, funksioni, struktura që përfaqëson, grada);
xxiii. gjenealitetet: emër, mbiemër, atësia, amësia, shtetësia, shteti i lindjes, statusi civil;
xxiv. statusi: azilkërkues, viktimë e mundshme e trafikimit, imigrant i parregullt, i mitur i pashoqëruar etj.;
xxv. profesioni;
xxvi. dokumenti: numri i dokumentit, data e lëshimit, data e skadimit dhe llojshmëria e dokumentit (kartë ID, pasaportë etj.);
xxvii. institucionet e interesuara/aktorët e përfshirë në procesin e përzgjedhjes (intervistuesi, përkthyesi, gjuha nëpërmjet së cilës është kryer intervista);
xxviii. të dhëna biometrike: fotografi;
xxix. masat administrative: llojshmëria e tyre.
xxx. specifikimet e dokumenteve të identifikimit e të dokumenteve të udhëtimit për të huajt.

9. REKH-i ndërvepron me regjistrat TIMS, RKGJC, sistemin e shërbimeve të punësimit, e-vizat e çdo regjistër tjetër shtetëror apo të dakordësuar me marrëveshje ndërkombëtare brenda fushës së përgjegjësisë të legjislacionit për të huajt.

II. INSTITUCIONET PËRGJEGJËSE PËR PËRDORIMIN E REKH-IT DHE NIVELI I AKSESIT

1. Autoriteti përgjegjës për kufirin dhe migracionin administron e përdor të dhënat e grumbulluara sipas përcaktimit të ligjit për të huajt dhe ligjeve të tjera në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

2. Vetëm strukturat që hedhin të dhënat do të jenë të autorizuara për të modifikuar, për të shtuar, për të korrigjuar ose për të fshirë të dhënat që ajo ka regjistruar.

3. Brenda fushës së tyre të përgjegjësisë, struktura përgjegjëse për kufirin dhe migracionin, struktura përgjegjëse për çështjet konsullore dhe struktura përgjegjëse për punësimin dhe aftësitë (AKPA) mbledhin, regjistrojnë, administrojnë e konsultojnë të dhënat për të huajt, sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara në ligjin për të huajt dhe në aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.

4. Përdoruesit mund të kërkojnë dhe të konsultojnë vetëm të dhëna që u duhen për kryerjen e detyrave të tyre.

5. Keqpërdorimi i këtyre të dhënave, si dhe informimi i personave të paautorizuar për përmbajtjen e tyre dënohet sipas dispozitave ligjore në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

III. DISPOZITA TË TJERA

1. Strukturat përgjegjëse marrin masa për të përshtatur teknologjinë e informacionit, sipas kërkesave të këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

RREGULLAT DHE PROCEDURAT PËR TRASFERIMIN E PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT NË STRUKTURA TË TJERA SHTETËRORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 11, të nenit 45/1, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

KREU I
TRANSFERIMI I PUNONJËSVE TË POLICISË NË STRUKTURA TË TJERA SHTETËRORE

1. Transferimin e punonjësve të Policisë së Shtetit (këtu e në vijim punonjësit) në institucione të administratës shtetërore, në pozicione që mund të kryhen profesionalisht nga ana e tyre, të cilat:

a) për pozicionet e shërbimit civil rezultojnë të lira në mënyrë të përkohshme për arsye të parashikuara nga ligji;
b) për pozicionet jashtë fushës së veprimit të legjislacionit për nëpunësin civil rezultojnë vakante apo përkohësisht të lira.

2. Periudha kohore e transferimit të punonjësve në struktura të institucioneve të administratës shtetërore zgjat:

a) për sa kohë zgjat përkohshmëria e vakancës për pozicionet e shërbimit civil, por jo më shumë se 3 (tre) vjet;
b) për një periudhë deri në 3 (tre) vjet, për pozicionet e tjera jashtë shërbimit civil.

3. Punonjësit, të cilët transferohen në institucione të administratës shtetërore, emërohen përkohësisht në funksione në nivel ekuivalent me gradën e tyre policore, pas ekuivalentimit të gradës.

4. Titullarët e institucioneve kërkuese, të cilët paraqesin interes për emërimin e punonjësve të Policisë së Shtetit në strukturat e tyre, për pozicione pune të cilat nuk janë pjesë e shërbimit civil, paraqesin kërkesën me shkrim pranë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duke specifikuar kriteret dhe kërkesat që duhet të ketë punonjësi për të kryer detyrat funksionale.

5. Për rastet e përcaktuara në pikën 4, të këtij kreu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga marrja e kërkesës, për çdo funksion të kërkuar nga institucionet kërkuese, përzgjedh kandidaturën që plotëson kriteret e kërkuara dhe e përcjell atë tek institucioni kërkues së bashku me dokumentacionin shoqërues.

6. Institucioni kërkues, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga marrja e kandidaturës së propozuar sipas pikës 5, të këtij kreu, shpreh dakordësinë për pranimin ose jo të tij.

7. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pas marrjes së dakordësisë, nxjerr urdhrin e pezullimit të punonjësit. Urdhri i pezullimit i përcillet institucionit kërkues, i cili vijon me procedurën e emërimit.

8. Për pozicionet e punës, pjesë të shërbimit civil, përkohësisht të lira, njësitë e burimeve njerëzore të institucioneve kërkuese, të cilat kanë interes për emërimin e përkohshëm të punonjësve të Policisë së Shtetit në strukturat e tyre, paraqesin kërkesën me shkrim pranë Departamentit të Administratës Publike, duke specifikuar kriteret që duhet të ketë punonjësi për të kryer detyrat funksionale.

9. Departamenti i Administratës Publike, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga marrja e kërkesës, e përcjell atë pranë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me qëllim dërgimin e kandidaturës që plotëson kriteret e kërkuara.

10. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, brenda 10 (dhjetë) ditëve kalendarike nga marrja e kërkesës, sipas përcaktimit të pikës 9, të këtij kreu, përcjell kandidaturën e përzgjedhur pranë Departamentit të Administratës Publike.

11. Departamenti i Administratës Publike, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike verifikon plotësimin e kritereve për emërim të përkohshëm dhe:

a) nëse kriteret plotësohen nxjerr aktin e emërimit të përkohshëm në pozicionin përkatës, një kopje të të cilit ia dërgon Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
b) nëse kriteret nuk plotësohen, njofton Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për mosplotësimin e tyre.

12. Vlerësimi i performancës së punonjësit bëhet sipas procedurës së përcaktuar në legjislacionin që rregullon marrëdhënien e punës së pozicionit ku punonjësi i policisë është transferuar.

KREU II
RIKTHIMI NË POLICINË E SHTETIT TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT TË TRANSFERUAR NË STRUKTURA TË TJERA TË ADMINISTARTËS SHTETËRORE

1. Punonjësit e Policisë së Shtetit të emëruar/transferuar në struktura të institucioneve të administratës shtetërore, sipas këtij vendimi, pas mbarimit të afatit, emërohen në detyrë brenda strukturave të Policisë së Shtetit, në përputhje me kualifikimin profesional dhe gradën policore që mbajnë.

2. Për rikthimin në strukturat e Policisë së Shtetit, institucioni në të cilin është emëruar punonjësi, i cili nuk është pjesë e shërbimit civil, paraqet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kërkesën me shkrim për rikthimin e tij. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka të drejtë që, për nevoja pune, të kërkojë rikthimin e punonjësit në Policinë e Shtetit, para plotësimit të afatit të transferimit, por jo më parë se 6 (gjashtë) muaj nga transferimi.

3. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pas marrjes së këkesës për rikthimin e punonjësit, procedon me emërimin e tij brenda strukturave të Policisë së Shtetit.

4. Për pozicionet e punës, të cilat përfshihen në shërbimin civil, njësia e burimeve njerëzore të institucionit kërkues, njofton Departamentin e Administratës Publike për përfundimin e afatit përkohshmërisë së pozicionit ku është emëruar punonjësi. Departamenti i Administratës Publike njofton Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për rikthimin e punonjësit.

5. Kur rikthimi në Policinë e Shtetit bëhet pas një periudhe mbi 1 (një) vit kërkohet vërtetimi i besueshmërisë.

6. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Departamenti i Administratës Publike dhe strukturat e tjera shtetërore të cilat kanë në organikë funksione që mund të kryhen profesionalisht nga punonjës të Policisë së Shtetit, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROBLEMATIKAT E SHKAKTUARA NGA RRËSHQITJET NË SEGMENTIN RRUGOR “MILOT – MORINË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga problematikat e shkaktuara nga rrëshqitjet në segmentin rrugor “Milot – Morinë”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me një vlerë të përgjithshme prej 93 991 538 (nëntëdhjetë e tre milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e një mijë e pesëqind e tridhjetë e tetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 93 991 538 (nëntëdhjetë e tre milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e një mijë e pesëqind e tridhjetë e tetë) lekësh, përballohet nga buxheti i miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Shpronësimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që pasqyrohen në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi kanë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

8. Autoriteti Rrugor Shqiptar kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Mirditë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, fillon procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe bën kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Mirditë, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Mirditë, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA VENDOSJA E SERVITUTIT TË KALIMIT, PJESË E PROJEKTIT TË GAZSJELLËSIT TRANS ADRIATIK PIPELINE (PROJEKTI TAP), NË ZONAT BERAT, SKRAPAR, FIER, LUSHNJË, DEVOLL DHE KORÇË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 7 e 8, të pjesës së parë dhe të pjesës së dytë të shtojcës 1, të marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, lidhur me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP), ratifikuar me ligjin nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG”, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga vendosja e servitutit të kalimit, pjesë e projektit të gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (projekti TAP), në zonat Berat, Skrapar, Fier, Lushnjë, Devoll dhe Korçë.

2. Shpronësimi nga vendosja e servitutit të kalimit bëhet në favor të shtetit, përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme të kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës të paraqitur në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me një vlerë të përgjithshme prej 1 948 630.36 (një milion e nëntëqind e dyzet e tetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë pikë tridhjetë e gjashtë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme, prej 1 948 630.36 (një milionë e nëntëqind e dyzet e tetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë pikë tridhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga shoqëria “TAP AG”, si subjekti kërkues i këtij shpronësimi.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga shoqëria “TAP AG”.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Për pasuritë, të cilat në kolonën përkatëse të tabelës bashkëlidhur këtij vendimi kanë shënimin “Konfirmuar”, pronarët të likuidohen pas dorëzimit të dokumentacionit të pronësisë, të lëshuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe drejtoritë vendore përkatëse, të kërkesës, të kopjes së kartës së identitetit, dhe të vërtetimit për numrin e llogarisë, lëshuar nga bankat përkatëse/IBAN-in, në zyrat e shoqërisë “TAP AG”.

8. Shoqëria “TAP AG” të kryejë likuidimet përkatëse, në zbatim të pikës 7, të këtij vendimi.

9. Përfundimi i punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara në kontratat e lidhura nga shoqëria “TAP AG” me sipërmarrësit e punimeve.

10. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe drejtoritë vendore, përkatësisht Berat, Skrapar, Fier, Lushnjë, Devoll dhe Korçë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë që do t’u vihet në dispozicion nga TAP AG-ja, si dhe të pezullojnë të gjitha transaksionet për pasuritë, sipas listave bashkëlidhur këtij vendimi, deri në momentin kur do të realizohet regjistrimi i pasurive mbi të cilat vendoset servituti i kalimit në favor të shtetit.

11. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqëria “TAP AG”, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe drejtoritë vendore, përkatësisht Berat, Skrapar, Fier, Lushnjë, Devoll dhe Korçë, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Berat, Fier dhe Korçë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.741, DATË 9.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E FORMËS, RASTEVE TË KTHIMIT DHE MËNYRËS SË LLOGARITJES SË GARANCIVE FINANCIARE PËR REHABILITIMIN E MJEDISIT, PËR REALIZIMIN E PROGRAMIT MINIMAL TË PUNËS DHE REALIZIMIN E INVESTIMIT NË VEPRIMTARINË MINERARE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 31, të ligjit nr.10304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.741, datë 9.9.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në kreun I, “Garancia financiare për rehabilitimin e mjedisit”, bëhen shtesat e ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Në fund të pikës 7 shtohet fjalia “SHGJSH-ja përcjell pranë AKM-së një kopje të dokumentit të garancisë financiare vjetore.”;
b) Në fund të pikës 8 shtohet fjalia “AKBN-ja përcjell pranë AKM-së një kopje të dokumentit të garancisë financiare vjetore.”;
c) Në pikën 10 hiqen fjalët “… ose SHGJSH-ja …”;
ç) Pika 11 riformulohet, si më poshtë vijon:

“11. Vlera e garancisë financiare për realizimin e planit të rehabilitimit progresiv e përfundimtar të mjedisit të lejeve minerare i kthehet zotëruesit të saj pas përfundimit të procesit të rehabilitimit progresiv ose përfundimtar të mjedisit. Verifikimi dhe kontrolli në terren i zbatimit të planit të rehabilitimit kryhet nga AKBN-ja, për lejet e shfrytëzimit dhe kërkim-zbulim-shfrytëzimit, dhe nga SHGJSH-ja, për lejet e kërkim-zbulimit, në bashkëpunim për secilin rast me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit. Plani i rehabilitimit konsiderohet i realizuar vetëm pas miratimit të raportit nga ministri përgjegjës për veprimtarinë minerare dhe ai për mjedisin. Pas miratimit të raportit, zotëruesit të lejes minerare i lirohet garancia financiare për realizimin e planit të rehabilitimit progresiv ose përfundimtar të mjedisit. Procedura e bashkëpunimit të SHGJSH-së, AKBN-së dhe AKM-së, në zbatim të kësaj pike, përcaktohet me udhëzim të përbashkët ndërmjet ministrit përgjegjës për veprimtarinë minerare dhe ministrit përgjegjës për mjedisin.”.

d) Në pikën 13, në fjalinë e parë pas fjalës “… të shtetit …” shtohet “… edhe …”;
dh) Në pikën 14, pas fjalëve “… nga ministria përgjegjëse për veprimtarinë minerare …” shtohen “… , duke bashkëpunuar me ministrinë përgjegjëse për mjedisin …”.

2. Kreu II, “Garancia financiare për realizimin e programit minimal të punës” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Për lejet e kërkim-zbulimit, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar vlerëson programin minimal të punës, i cili është pjesë e projektit të zhvillimit të veprimtarisë minerare dhe përcakton, në vlerë monetare, garancinë financiare të detyrueshme, të përgjithshme për këtë program. Kjo vlerë e garancisë përcaktohet në vendimin e këshillit teknik të SHGJSH-së dhe miratohet nga ministri.

2. Vlera monetare e garancisë financiare për programin minimal të punës llogaritet në 10 (dhjetë) për qind të vlerës totale të investimit dhe përcaktohet në bazë të veprimtarive minerare, që duhet të realizojë minimalisht çdo zotërues i lejes minerare të kërkim-zbulimit në programin minimal të punës. Afati i vlefshmërisë së garancisë financiare duhet të jetë jo më pak se 60 (gjashtëdhjetë) ditë pas datës së parashikuar të përfundimit të investimeve. Zotëruesi i lejes minerare të kërkim-zbulimit dorëzon në QKB e në ministrinë përgjegjëse për veprimtarinë minerare dokumentin e garancisë financiare për realizimin e programit minimal të punës, jo më vonë se 30 ditë nga data e njoftimit të vendimit të miratimit të lejes.

3. Garancia financiare lëshohet nga njëra nga bankat e nivelit të dytë, që veprojnë në Republikën e Shqipërisë, në favor të ministrisë përgjegjëse për veprimtarinë minerare, sipas formatit të përcaktuar në aneksin 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

4. Vlera e garancisë financiare për realizimin e investimit për lejet e kërkim-zbulimit i kthehet zotëruesit të lejes minerare në përfundim të periudhës së investimeve të përcaktuara sipas programit minimal të punës, pas hartimit të raportit të detajuar të strukturave përgjegjëse e të miratuar nga ministria, në rastet kur:

a) investimi është realizuar brenda afatit dhe në masën 100 (njëqind) % apo mbi 100 (njëqind) % të vlerës së përgjithshme të investimeve të parashikuar në programin minimal të punës. Në këtë rast, zotëruesit të kërkim-zbulimit i kthehet vlera e plotë e garancisë, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga data e përfundimit të periudhës së investimeve të parashikuara;
b) investimi është realizuar brenda afatit dhe në masën mbi 90 (nëntëdhjetë) % të vlerës së përgjithshme të investimeve të parashikuar në programin minimal të punës. Në këtë rast, vlera e kthimit të garancisë financiare për zotëruesin e lejes minerare të kërkim-zbulimit do të jetë pjesore, e përllogaritur në përputhje me përqindjen e realizimit të investimeve. Pjesa e mbetur e garancisë, pas kthimit të pjesshëm që i bëhet zotëruesit të lejes minerare, kalon në favor të shtetit.

5. Kur zotëruesi i lejes minerare të kërkim-zbulimit nuk ka realizuar investimin deri në 90 (nëntëdhjetë) % të vlerës së përgjithshme të investimeve, të parashikuar në programin minimal të punës dhe në afatin e parashikuar në projekt, vlera e plotë e garancisë financiare të investimit kalon në favor të shtetit.”.

II. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.929, DATË 17.11.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE PËRDORIMIN E FONDIT TË VEÇANTË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 23.4.2011, “Për kompetencat për përcaktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të neneve 12 e 14, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në pikën 9, të vendimit nr.929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:

a) Pas fjalëve “… Policisë së Shtetit, …” shtohen fjalët “… Gardës së Republikës së Shqipërisë, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjykatës Kushtetuese …”;

b) Në fund të pikës 9 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:

“Efektet financiare për shpërblimin e punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë, në vlerën 80 000 000 (tetëdhjetë milionë) lekë, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të vitit 2021.”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

VENDIM
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.175, DATË 17.3.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NGRITJEN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SPITALIT RAJONAL “MEMORIAL”, NË FIER, SI PROJEKT PILOT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 37, të ligjit nr.9106, datë 17.7.2003, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në pikën 14, të vendimit nr.175, datë 17.3.2021, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas paragrafit të parë shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:

“Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor financon, nga buxheti i miratuar për vitin 2021, spitalin rajonal “Memorial”, në Fier, nga të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shëndetësore, me vlerën shtesë 28 400 000 (njëzet e tetë milionë e katërqind mijë) lekë.”.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

 

KRITERE – TE HUAJT

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.