Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 29 Janar 2020:
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN PASURI KULTURORE “ANSAMBËL HISTORIK URBAN”, ZONËS MBROJTËSE TË TIJ, DHE ZONËS ARKEOLOGJIKE “B”, TË FSHATIT VOSKOPOJË DHE MIRATIMIN E PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “ç”, të pikës 3, të nenit 9, të nënndarjes “iv”, të shkronjës “b”, të pikës 3, të nenit 53, dhe të pikës 3, të nenit 62, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin pasuri kulturore “Ansambël historik urban” dhe zonës mbrojtëse të tij, të fshatit Voskopojë, sipas koordinatave gjeografike dhe hartës së zonifikimit, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Deklarimin pasuri kulturore “Zona arkeologjike “B””, sipas koordinatave gjeografike dhe të hartës së zonifikimit, bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
4. Ngarkohet ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore, me propozim të strukturave të specializuara, të përcaktojë zonat mbrojtëse të monumenteve të kulturës, të ndodhura brenda pasurisë kulturore.
5. Vendimi nr.558, datë 1.8.2003, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e Voskopojës “Qendër historike” dhe vënien e saj në mbrojtje të shtetit”, të ndryshuar, shfuqizohet.
6. Ngarkohet Agjencia Shetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi në hartat kadastrale.
7. Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Korçë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT TË BASHKIMIT EVROPIAN, NË LIDHJE ME PROGRAMIN VJETOR KOMBËTAR PËR SHQIPËRINË, PËR VITIN 2018, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT TË ASISTENCËS SË PARAANËTARËSIMIT (IPA II)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, në lidhje me programin vjetor kombëtar për Shqipërinë, për vitin 2018, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA II), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES ISTISNA’A DHE MARRËVESHJES SË AGJENCISË ISTISNA’A, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS ISLAMIKE PËR ZHVILLIM, NË LIDHJE ME NDËRTIMIN E SEKSIONIT QUKËS-QAFË PLLOÇË TË KORRIDORIT RRUGOR TIRANË-KORÇË, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.128/2013
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e ndryshimit me shkëmbim letrash të marrëveshjes Istisna’a dhe marrëveshjes së Agjencisë Istisna’a, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim, në lidhje me ndërtimin e seksionit Qukës-Qafë Plloçë të korridorit rrugor Tiranë-Korçë, ratifikuar me ligjin nr.128/2013, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
FINANCIMIN E KONTRIBUTIT TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTIN “SHTRATI I LUMIT LANA – ZHVILLIM URBAN”, QË DO TË FINANCOHET NGA BANKA EVROPIANE E INVESTIMEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 50 e 51, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ligjit nr.63/2019, “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i Lumit Lana-zhvillim urban”, të ligjit nr.64/2019, “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për projektin “Shtrati i Lumit Lana- zhvillim urban””, me propozimin e ministrit të Finanacve dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Financimin në vlerën 1 590 000 000 (një miliard e pesëqind e nëntëdhjetë milionë) lekë, të bashkëfinancimit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të projektit “Shtrati i Lumit Lana-zhvillim urban”, që do të financohet nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI).
2. Vlera prej 1 590 000 000 (një miliard e pesëqind e nëntëdhjetë milionë) lekësh, e cila do të përdoret për qëllimin e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, do të përballohet 50% nga buxheti i shtetit, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe 50% nga buxheti i Bashkisë së Tiranës, dhe do të shtrihet në tri vite, si më poshtë vijon:
a) 530 000 000 (pesëqind e tridhjetë milionë) lekë, për vitin 2021;
b) 530 000 000 (pesëqind e tridhjetë milionë) lekë, për vitin 2022;
c) 530 000 000 (pesëqind e tridhjetë milionë) lekë, për vitin 2023.
3. Efekti financiar, sipas shkronjës “a”, të pikës “2”, të këtij vendimi, prej 530 000 000 (pesëqind e tridhjetë milionë) lekësh, do të parashikohet:
a) 265 000 000 (dyqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekë, në projektbuxhetin e vitit 2021 për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në zërin “Kosto lokale”;
b) 265 000 000 (dyqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekë, në projektbuxhetin e vitit 2021 të Bashkisë Tiranë.
4. Efekti financiar, sipas shkronjës “b”, të pikës “2”, të këtij vendimi, prej 530 000 000 (pesëqind e tridhjetë milionë) lekësh, do të parashikohet:
a) 265 000 000 (dyqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekë, në projektbuxhetin e vitit 2022 për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në zërin “Kosto lokale”;
b) 265 000 000 (dyqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekë, në projektbuxhetin e vitit 2022 të Bashkisë Tiranë.
5. Efekti financiar, sipas shkronjës “c”, të pikës “2”, të këtij vendimi, prej 530 000 000 (pesëqind e tridhjetë milionë) lekësh, do të parashikohet:
a) 265 000 000 (dyqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekë, në projektbuxhetin e vitit 2023 për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në zërin “Kosto lokale”;
b) 265 000 000 (dyqind e gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekë, në projektbuxhetin e vitit 2023 të Bashkisë Tiranë.
6. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KUADRIT MAKROEKONOMIK E FISKAL PËR PERIUDHËN 2021 – 2023
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 23 e 27, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2021 – 2023, sipas lidhjes nr.1, “Treguesit kryesorë makroekonomikë”, dhe lidhjeve nr.2/1 e nr.2/2, “Treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar”, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Erjon Luçi, zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, të lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË POLONISË, PËR BASHKËPUNIM NË FUSHËN E MBROJTJES
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Polonisë, për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA AKADEMIA E SHKENCAVE TEK AGJENCIA E SIGURIMIT TË CILËSISË NË ARSIMIN E LARTË (ASCAL), TË OBJEKTIT “INSTITUTI METEOROLOGJIK” DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.440, DATË 16.6.2005, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI AKADEMISË SË SHKENCAVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Akademia e Shkencave tek Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), të pronës me numër pasurie 1/34, të llojit “truall”, me sipërfaqe 825.26 m², në zonën kadastrale 8350, me emërtimin “Instituti Meteorologjik”, sipas të dhënave të kartelës së pasurisë dhe hartës treguese të regjistrimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, e cila i bashkëlidhet vendimit nr.440, datë 16.6.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Akademisë së Shkencave”, të ndryshuar, hiqet prona me nr.rendor 4, me emërtimin “Instituti i Hidrometeologjisë”.
3. Ngarkohen Akademia e Shkencave, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES KUADËR TË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS PËR ZHVILLIM TË KËSHILLIT TË EVROPËS, PËR PUNËT E KOMUNITETIT IV, TË FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT, PROJEKTI “ZHVILLIMI I ALPEVE DHE ZONAVE BREGDETARE”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.69/2015
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e ndryshimit me shkëmbim letrash të marrëveshjes kuadër të financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për punët e komunitetit IV, të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, projekti “Zhvillimi i alpeve dhe zonave bregdetare”, ratifikuar me ligjin nr.69/2015, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, MARRJEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM DHE VENDOSJEN E SERVITUTIT MBI PASURITË E PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, PËR INTERES PUBLIK, QË PREKEN NGA PUNIMET PËR TESTIMIN ME UJË TË TUBACIONIT, SI DHE PËRFUNDIMI I PUNIMEVE DHE MBROJTJA E TUBACIONIT, PJESË E PROJEKTIT TË GAZSJELLËSIT TRANS ADRIATIC PIPELINE (PROJEKTI TAP) NË ZONAT BERAT, SKRAPAR, FIER, LUSHNJË, DEVOLL DHE KORÇË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 7 e 8, të pjesës së parë dhe të pjesës së dytë të shtojcës 1, të marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), ratifikuar me ligjin nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe Trans Adriatic Pipeline AG”, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, marrjen në përdorim të përkohshëm, për periudhën 6 (gjashtë) deri 12 (dymbëdhjetë) muaj dhe vendosjen e servitutit mbi pasuritë e paluajtshme, pronë private, për interes publik, që preken nga punimet për testimin me ujë të tubacionit, si dhe përfundimi i punimeve dhe mbrojtja e tubacionit, pjesë e projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (projekti TAP), në zonat Berat, Skrapar, Fier, Lushnjë, Devoll dhe Korçë.
2. Shpronësimi, marrja në përdorim të përkohshëm dhe vendosja e servitutit të përhershëm të kalimit mbi këto pasuri, bëhen në favor të shtetit, përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
3. Pronarët, pasuritë e paluajtshme të të cilëve merren në përdorim të përkohshëm dhe mbi të cilat vendoset servituti, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, të paraqitur në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, me një vlerë të përgjithshme prej 20 932 700.42 (njëzet milionë e nëntëqind e tridhjetë e dy mijë e shtatëqind pikë dyzet e dy) lekësh, për sipërfaqet:
a) 3 486 (tre mijë e katërqind e tetëdhjetë e gjashtë) m² që shpronësohet;
b) 359 058 (treqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e pesëdhjetë e tetë) m² që merret në përdorim të përkohshëm.
4. Marrja në përdorim të përkohshëm, për pasuritë e paluajtshme, pronë private, të jetë për periudhën 6 (gjashtë) deri 12 (dymbëdhjetë) muaj, për zonat e nevojshme për testimin me ujë të tubacionit, si dhe përfundimi i punimeve dhe mbrojtja e tubacionit, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
5. Vlera e përgjithshme, prej 20 932 700.42 (njëzet milionë e nëntëqind e tridhjetë e dy mijë e shtatëqind pikë dyzet e dy) lekësh, të përballohet nga shoqëria TAP AG, si subjekti kërkues i këtij shpronësimi.
6. Shpenzimet procedurale, në vlerën 16 724 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e njëzet e katër mijë) lekë, të përballohen nga shoqëria TAP AG.
7. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
8. Për likuidimin për efekt të shpronësimit, marrjes në përdorim të përkohshëm dhe vendosjes së servitutit, mbi pasuritë e pronarëve të përcaktuar në tabelën bashkëlidhur, do të procedohet, si më poshtë vijon:
8.1 Për pasuritë, të cilat në kolonën përkatëse kanë shënimin “Konfirmuar”, pronarët do të likuidohen pas dorëzimit të dokumentacionit të pronësisë, lëshuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe drejtoritë vendore përkatëse, kërkesën, kopjen e kartës së identitetit, si dhe vërtetim mbi numrin e llogarisë, lëshuar nga bankat përkatëse/IBAN-in, në zyrat e shoqërisë TAP AG;
8.2 Për pasuritë, të cilat në kolonën përkatëse nuk kanë shënimin “Konfirmuar”, pronarët do të likuidohen pas konfirmimit të plotë, lëshuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe drejtoritë vendore përkatëse, për dorëzimin e dokumentacionit të pronësisë, në zyrat e shoqërisë TAP AG.
9. Përdoruesit e tokës, të cilët kompensohen për kulturat “bujqësore”, referuar shumave respektive të pasqyruara në tabelat bashkëlidhur këtij vendimi, duhet të paraqesin për likuidim dokumentet: kërkesën, kopjen e kartës së identitetit, vërtetimin mbi numrin e llogarisë, lëshuar nga bankat përkatëse/IBAN-in, si dhe certifikatën familjare, në zyrat e shoqërisë TAP AG.
10. Shoqëria TAP AG të kryejë likuidimet përkatëse, në zbatim të pikave 8 dhe 9, të këtij vendimi.
11. Përfundimi i punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara në kontratat e lidhura nga shoqëria TAP AG, me sipërmarrësit e punimeve.
12. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe drejtoritë vendore, përkatësisht, Berat, Skrapar, Fier, Lushnjë, Devoll dhe Korçë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë që do t’u vihet në dispozicion nga shoqëria TAP AG, si dhe të pezullojnë të gjitha transaksionet për pasuritë, sipas listave bashkëlidhur këtij vendimi, deri në momentin që do të realizohet regjistrimi i pasurive që shpronësohen, merren në përdorim të përkohshëm dhe mbi të cilat vendoset servituti i kalimit në favor të shtetit.
13. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, shoqëria TAP AG, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe drejtoritë vendore, përkatësisht, Berat, Skrapar, Fier, Lushnjë, Devoll dhe Korçë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.1039, DATË 4.12.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PUNËS DHE PËR CAKTIMIN E PËRFAQËSUESVE TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE NË KËTË KËSHILL”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 200, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.1039, datë 4.12.2013 , të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
1. Pas pikës 4 shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:
“4/1. Përfaqësimi i organizatave të punëmarrësve dhe të punëdhënësve në Këshillin Kombëtar të Punës përcaktohet sipas kritereve të mëposhtme:
a) për organizatat e punëmarrësve (konfederata, federata, sindikata):
i. Personalitet juridik, sipas legjislacionit në fuqi, prej më shumë se 2 (dy) vjetësh;
ii. Pavarësi organizative e financiare;
iii. Shtrirje territoriale në të paktën 50 (pesëdhjetë) % të qarqeve të vendit, përfshirë dhe Qarkun e Tiranës;
iv. Strukturë administrative për të përmbushur detyrimet ligjore të partneritetit social;
v. Numri i përgjithshëm i anëtarëve në konfederatë të jetë jo më pak se 5 (pesë) % e numrit të përgjithshëm të punëmarrësve në shkallë vendi, por jo më pak se 20 000 (njëzet mijë) anëtarë; ndërsa për federatat dhe sindikatat, numri i përgjithshëm i anëtarëve në shkallë vendi të jetë jo më pak se 5 (pesë) % e numrit të punëmarrësve në degën/profesionin përkatës;
vi. Numri i kontratave kolektive, si dhe numri i përgjithshëm i punëmarrësve të mbuluar me kontrata kolektive;
vii. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të punëmarrësve.
b) Për organizatat e punëdhënësve:
i. Personalitet juridik, sipas legjislacionit në fuqi, prej më shumë se 2 (dy) vjetësh;
ii. Pavarësi organizative e financiare;
iii. Shtrirje territoriale në të paktën 50 (pesëdhjetë) % të qarqeve të vendit, përfshirë dhe Qarkun e Tiranës;
iv. Strukturë administrative për të përmbushur detyrimet ligjore të partneritetit social;
v. Numri i anëtarëve që punësojnë të jetë jo më pak se 5 (pesë) % e numrit të punëmarrësve në degën/profesionin përkatës;
vi. Numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve të anëtarësuara, i cili nuk mund të jetë më i vogël se 10 (dhjetë) % nga numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB);
vii. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të punëdhënësve.”.
2. Pas pikës 14 shtohet pika 14/1, me këtë përmbajtje:
“14/1. Me përfundimin e mandatit 3- (tre-) vjeçar, sekretariati i Këshillit Kombëtar të Punës mbledh dokumentacionin e organizatave të punëmarrësve dhe të punëdhënësve, që janë të interesuara të jenë pjesë e këtij këshilli, 3 (tre) muaj përpara se të përfundojë mandati. Dokumentacioni i depozituar përbëhet nga vendimi i gjykatës, një kopje e statutit, deklarimet që kanë të bëjnë me numrin e anëtarëve në subjektet përkatëse, vërtetuar nga kuotizacioni ose vërtetimet noteriale, numri i kontratave kolektive të punës, shtrirja gjeografike e veprimtarisë, si dhe anëtarësimi i tyre në organizatat ndërkombëtare. Një organizatë e punëmarrësve apo e punëdhënësve vlerësohet më e përfaqësuar nëse ka numrin më të madh të kontratave kolektive dhe numrin më të madh të anëtarëve, ndërsa një organizatë punëdhënësish vlerësohet nga numri i ndërmarrjeve, numri i punonjësve të punësuar në ndërmarrje dhe numri i degëve/profesioneve.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E STATUSIT TË VEÇANTË UNIVERSITETIT TË SPORTEVE TË TIRANËS SI INSTITUCIONI I VETËM PUBLIK I ARSIMIT TË LARTË NË FUSHËN SPORTIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 17, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Universiteti i Sporteve të Tiranës (në vijim, UST) është institucion publik i arsimit të lartë, me karakter akademik, shkencor e sportiv, i krijuar me vendimin nr.123, datë 17.2.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Universitetit të Sporteve të Tiranës”, të cilit i jepet status i veçantë.
2. Statusi i veçantë i dhënë për UST-në konsiston në trajtimin e veçantë të personelit akademik e administrativ, si dhe të programeve të studimit sipas legjislacionit në fuqi.
3. UST-ja është përgjegjëse për ofrimin e të gjitha programeve të studimit me kohë të plotë, programe studimi me karakter profesional, programe studimi në të tria ciklet e studimit, në fushën e edukimit fizik e sporteve, aktivitetit fizik për shëndet, rekreacionit e rehabilitimit, miratuar në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
4. UST-ja ka për mision:
a) formimin universitar të studentëve e të specialistëve në të tria ciklet e studimeve;
b) kualifikimin e punonjësve akademikë e shkencorë në fushën e edukimit fizik, shëndetësor dhe të sporteve, të veprimtarisë fizike, shëndetit, rekreacionit, turizmit sportiv e rehabilitimit;
c) nxitjen e kërkimeve e të studimeve në fushën e edukimit fizik, shëndetësor dhe sporteve, veprimtarisë fizike, shëndetit, rekreacionit, turizmit sportiv e rehabilitimit;
ç) thellimin e kualifikimit profesional e shkencor të specialistëve të lartë në fushën e veprimtarisë fizike, rekreacionit dhe turizmit, rehabilitimit, si dhe të mësuesisë në profilet e edukimit fizik dhe edukimit shëndetësor;
d) ofrimin e shërbimeve për të tretët dhe konsulenca në fushat e edukimit fizik, të atij shëndetësor dhe të sporteve, veprimtarisë fizike, rekreacionit, turizmit sportiv e rehabilitimit.
5. UST-ja përfaqëson një strukturë të integruar dhe përbëhet nga njësi kryesore dhe institute kërkimore-shkencore.
6. UST-ja, si institucion i arsimit të lartë, që zhvillon veprimtari akademike në fushën e mësimdhënies e të kërkimit shkencor në fushën e edukimit fizik e shëndetësor, të sporteve, rekreacionit, turizmit sportiv e rehabilitimit, gëzon status të veçantë lidhur me:
a) organizimin e programeve të studimeve në cikle studimi që përfundojnë me marrjen e diplomave ose të certifikatave sipas rastit. Programet e studimeve në UST hartohen nga njësitë bazë dhe paraqiten për miratim në Senatin Akademik. Senati shpall publikisht programet e akredituara të studimeve që ofrojnë njësitë e universitetit para fillimit të aplikimeve për pranime në universitet. Studimet universitare organizohen, si më poshtë vijon:
i. Studime të ciklit të parë “Bachelor”;
ii. Studime të ciklit të dytë “Master i shkencave” ose “Master profesional”;
iii. Studime të ciklit të tretë për gradën shkencore “Doktor”;
iv. Studime specializuese afatgjata;
v. Studime të ciklit të tretë “Master ekzekutiv”;
vi. Programe të formimit të vazhduar/afatshkurtër për fushat e edukimit fizik e shëndetësor, të sporteve, rekreacionit, turizmit sportiv e rehabilitimit;
vii. Programe studimi me karakter profesional.
b) ofrimin e procesit promovues, vlerësimin konkurrues dhe përfundimin me sukses të programit përkatës të formimit/trajnimit;
c) veprimtarinë profesionale dhe sportive të realizuar nga personeli akademik i saj, konvertuar në veprimtari shkencore, që shërbejnë për të vlerësuar performancën akademike vjetore sipas përcaktimeve në statutin e UST-së, konvertime, të cilat nuk janë të vlefshme për fitimin e gradave shkencore apo titujve akademikë;
ç) punësimin e personelit akademik me kohë të plotë, sipas kritereve të përcaktuara nga njësia bazë e të miratuara nga rektori, veç arritjeve akademike e shkencore të kandidatit, si dhe vlerësimin e karrierës profesionale sportive sipas përcaktimeve në statutin e UST-së;
d) mbështetjen, promovimin dhe pranimin për studime të sportistëve me statusin e nivelit të lartë sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi;
dh) të drejtën për të realizuar marrëveshje bashkëpunimi me universitete, akademi, kolegje të larta, institucione shkencore, agjenci dhe shoqata brenda e jashtë vendit, për shkëmbim përvoje dhe bashkëpunim në procesin mësimor-shkencor për ngritjen e komisioneve të përhershme për promovimin e personelit akademik, si dhe për kualifikimin e personelit akademik/administrativ e të studentëve, në përputhje me aktet ligjore në fuqi. Niveli i bashkëpunimit përcaktohet në marrëveshjet përkatëse të lidhura ndërmjet institucioneve;
e) të drejtën e hartimit e zhvillimin e programeve të studimeve dhe të projekteve të kërkimit shkencor në fushën e edukimit fizik, atij shëndetësor dhe sporteve, të veprimtarisë fizike, rekreacionit, turizmit sportiv e rehabilitimit;
ë) hartimin e kritereve dhe testeve fizike të pranimit me konkurrim të kandidatëve për studentë në UST.
7. Vetëm për efekt të mësimdhënies si veprimtari akademike në UST, pa gëzuar të drejta të tjera, figurat e shquara dhe me një veprimtari të spikatur sportive brenda dhe jashtë vendit ftohen të japin kontributin e tyre në mësimdhënie për lëndët speciale, si personel akademik, në rast se plotësojnë kriteret e mëposhtme:
a) Të kenë kryer studimet në arsimin e lartë në profilin përkatës për të cilin kërkojnë të punësohen e të zotërojnë diplomën “Master i shkencave”. Në rastet kur studimet në fushën e sporteve në profilin përkatës, për të cilin kërkojnë të punësohen, janë kryer në një IAL jashtë vendit, duhet të kenë të njohur e të njësuar diplomën përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi;
b) Të kenë një veprimtari sportive të spikatur, veprimtari me interes kombëtar, e cila të jetë e dokumentuar me botime në katalogët/agjendat përkatëse.
8. Vlerësimi i kërkesave për njësimin e gradave shkencore dhe titujve akademikë, vetëm për efekt të mësimdhënies së personelit akademik që do të ftohet të japë kontributin e tij në mësimdhënie, bëhet nga komisioni “ad-hoc”, i ngritur me vendim të Senatit Akademik të UST-së. Rektori i UST-së, në bazë të pozicioneve të lira të miratuara nga Senati Akademik dhe të listës së kandidatëve të përzgjedhur nga komisioni “ad-hoc”, lidh kontratat njëvjeçare të punës.
9. Statuti i UST-së miratohet me urdhër të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, bazuar edhe në statusin e veçantë të dhënë me këtë vendim.
10. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Universiteti i Sporteve të Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.319, DATË 12.4.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STANDARDEVE TË PROJEKTIMIT TË SHKOLLAVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 4.2.3 “Salla për edukim fizik”, të tekstit “Standardet e projektimit të shkollave”, bashkëlidhur vendimit nr.319, datë 12.4.2017, të Këshillit të Ministrave, nënndarja “Shkollat e mesme” ndryshohet, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen institucionet shtetërore dhe subjektet private të përfshira në procesin e projektimit, të miratimit të lejeve të ndërtimit dhe të inspektimit të shkollave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE